Home Blog Page 6165

Në Prizren lind fëmija i parë i vitit 2017: Është djalë!

0

Në ora 6 e 50 minuta në Spitalin e Përgjithshëm “Prim.Dr. Daut Mustafa” në Prizren ka lindur fëmija i parë në vitin e saponisur 2017. Fëmija është i gjinisë mashkullore, është lindur nga e ëma 26 vjecare, Nafije Pervizaj, ka peshë 2880 gr dhe gjatësi 48 cm. I porsalinduri është vizituar nga drejtori ekzekutiv, Prof. Ass. Dr. Afrim Avdaj, dhe drejtori i Infermierisë, Shyqri Hasani, shkruan PrizrenPress.

Drejtori ekzekutiv, në shoqërim edhe të ekipit kujdestar, ka përgëzuar nënën fatlume që ka lindur fëmijën, duke i dhuruar një buqetë lulesh dhe një lodër për fëmijën e sapolindur, duke e përgëzuar për shëndet dhe rritje e jetë të lumtur.

“Është një moment i veçantë kur këtu po vizitojmë fëmijën e parë të porsalindur. Sipas mjekëve kujdestarë fëmija dhe nëna janë me gjendje të mirë shëndetësore. Me këto dhurata modeste ne përgëzojmë dhe urojmë që fëmija të ketë shëndet, ndërsa nëna shërim sa më të shpejtë. Uroj që viti 2017 të jetë vit i sukseseve edhe më të mëdha, ndërsa ne do të mundohemi dhe angazhohemi maksimalisht për të krijuar kushte që Kosova ta ruaj strukturën me popullatë të re dhe të shëndosh”, – pohoi drejtori i ekzekutiv Spitalit të përgjithshëm të Prizrenit, Prof. Ass.Dr. Afrim Avdaj, duke përgëzuar dhe falënderuar edhe ekipet kujdestare që gjatë ditëve të festës janë në kryerjen e detyrës dhe në gatishmëri të ofrimit të shërbimeve shëndetësore. /PrizrenPress.com/

 

Kosovën e presin dimra të acartë, deri në -30 gradë

0

Deri në vitin 2018 dimrat në Ballkan do të jenë të butë, ndërsa i ftohti i madh do të nisë të mbizotërojë prej vitit 2019 dhe temperaturat pritet të shkojnë deri në minus 30 gradë Celsius.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” fiziko-astronomi Rasim Bejtullahu, duke shtuar se i ftohti do të vijë nga Siberia, Rusia dhe Poli i Veriut.

Ai ka folur edhë për ndotjen e mjedisit, e cila në rend, sipas tij, në të parë është çështje e kulturës së banorëve, por edhe mosorganizimi në nivel qendror të shtetit.

“Në qoftë se udhëtoni nga Prizreni në Prishtinë ose nga Peja në Prishtinë, të dyja anët i keni të mbushura me shishe të plastikës, kjo është sa i përket ndotjes së tokës, a sa i përket ndotjes së ajrit këtu jemi duke i kontribuuar edhe me ngrohje me burime alternative dhe ato burime alternative që i shfrytëzon për ngrohje janë një kalori e dobët, ka pluhur, ka një djegie i cili gjysma është me dhe. Në atmosferë kemi mjaft sulfur dhe grimca të tjera të metalit kështu që apriori gjatë dimrit e pengon edhe procesin e frymëmarrjes, e pengon edhe aktivitetin e njeriut, por në anën tjetër krijon edhe sëmundje te ata, të cilët janë nga shëndetit të dobët, me vështirësi janë duke e kaluar”, tha Bejtullahu. /Zeri/

Kuvendi ka arritur ta ruajë funksionalitetin demokratik

0

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se viti që po lëmë pas ka qenë sfidues për institucionet dhe qytetarët.

Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Veseli ka theksuar se Kuvendi i Kosovës, me gjithë vështirësitë e shfaqura, ka arritur ta realizojë agjendën e vet legjislative. Kurse sa i përket debatit parlamentar, dallimet pozitë-opozitë, sipas tij, ka pasur momente që asnjëherë nuk do të duhej të shfaqeshin në kulturën tonë politike.

“Askujt që e do Kosovën gazi lotsjellës nuk i ka sjellë asnjë dobi. Ato pamje vetëm na kanë turpëruar në sytë e botës, ndërsa qytetarët i ka bërë të ndihen keq dhe të zhgënjyer me rrjedhat në vend. Ne jetojmë me demokraci dhe duhet ta kemi të qartë se metodat jodemokratike nuk mund të sjellin asnjëherë rezultate pozitive”, ka thënë Veseli, duke shtuar se, pavarësisht prej çasteve sfiduese, Kuvendi i Kosovës ka arritur të ruajë funksionalitetin demokratik.

I pyetur nëse ndonjëherë i ka shkuar mendja të japë dorëheqje për shkak të përplasjeve pozitë-opozitë, Veseli ka thënë se nëse situata do të kapërcehej përfundimisht me një dorëheqje individuale, kjo do të ishte puna më e lehtë por, sipas tij, ajo që shohim ka të bëjë më shumë me një prirje të qarqeve opozitare për të mohuar gjithçka që është arritur deri më tani në Kosovë. Duke folur rreth koalicionit qeverisës, Veseli ka thënë se PDK-ja është duke kryer me përgjegjësi të lartë pjesën e saj.

Ai ka bërë me dije se PDK-ja do të jetë e gatshme kurdoherë për zgjedhje të reja.

“Zgjedhjet janë proces fundamental për demokracinë dhe, si të tilla, ato duhet të mbahen ose në afat ligjore, ose në raste specifike që i kërkon interesi imediat qytetar. Zgjedhjet nuk janë çështje e egove personale për pushtet. Ky është parim të cilin e respektoj në angazhimin tim politik e institucional. Në secilin rast që e përmenda më lart Partia Demokratike e Kosovës është e përgatitur në të gjitha nivelet për ta luajtur rolin e saj si partia më e madhe në vend e me përgjegjësinë më të madhe ndaj shtetit dhe qytetarëve”, është shprehur ai.

Veseli ka thënë se sukseset e vitit 2017 do të varen nga sjelljet politike të partive në pushtet dhe në opozitë.

“Nëse i lëmë anash inatet, ndërskamcat primitive, egot e tepërta dhe përqendrohemi në interesat vitale të vendit, sigurisht se viti që po vjen do të jetë shumë më pozitiv dhe progresiv për zhvillimet në vend. Unë besoj se kjo do të ndodhë. Kosova gjithmonë ka ecur përpara përmes frymës së bashkëpunimit dhe unitetit. Nuk kemi alternativë tjetër”, ka theksuar kryeparlamentari Veseli. /Epoka e re/

Viti i grilave

0

Viti 2016 filloi me arrestime e përfundoi njëjtë nga aksione të ndryshme policore.

Duke filluar me arrestimet e 9 janarit, që erdhën nga protesta e Lëvizjes Vetëvendosje kundër marrëveshjeve të Brukselit me Serbinë për një asociacion të komunave me shumicë serbe dhe me Malin e Zi për demarkacionin kufitar, e duke vazhduar deri tek arrestimi i 59 zyrtarëve policorë, të cilët dyshohen për marrje e dhënie të ryshfetit, KALLXO.com me anë të një analize sjell top arrestimet e vitit 2016.

Arrestimi i dy protestuesve opozitarë të 9 janarit, Fidan Zymberit e Besnik Nezirit, erdhi pasi këta dy të fundit sipas policisë dyshohen për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm dhe përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm në mënyrë frikësuese ose kërcënuese.

Besnik Tahiri dyshohej se pas eskalimit të protestës së 9 janarit ka hedhur gaz lotsjellës në drejtim të policisë dhe ndërtesave qeveritare, e Fidan Zymberi sipas një video incizimi shihet teksa ka në dorë një mjet të rrezikshëm me ç’rast në seancën gjyqësore të mbajtur për këta dy të fundit Drita Gashi, avokate e Fidan Zymberit tha se në materialet e përdorura si prova nga kjo protestë, nuk shihen qartë veprimet që kreu klienti të saj.

E nga janari në shkurt nuk ndryshojnë shumë gjërat, të paktën jo nga ana e subjekteve politike. Në muajin shkurt, policia me anë të një aksioni arrestoi zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje si Shefin e Grupit Parlamentar të LVV-së, Glauk Konjufca, zëdhënësin Frashër Krasniqi e duke u vënë në kërkim të dy zyrtarëve të tjerë Xhelal Sfeçlës dhe Salih Zybës.

Aksioni i policisë kishte të bënte me ndjekjet e zyrtarëve të Vetëvendosjes me rastin e demolimit të veturave të EULEX-it, në vitin 2009.

Prokuroria në atë kohë pati ngritur aktakuzë ndaj 27 personave, të gjithë këta pjesë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në prill të këtij viti, policia e EULEX-it, ishte vënë pas ish- komandantit të UÇK-së dhe ish- deputetit të PDK-së, Azem Syla, i dyshuar ky për tjetërsim pronash në Veternik e Çagllavicë.

Tri ditë pasi policia e kërkoi në shtëpinë e tij, ish deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Azem Syla, kishte vendosur t’i dorëzohet organeve të rendit dhe drejtësisë.

Në maj policia u vu në aksion për familjen Kqira, familje kjo e cila dyshohej për fajde.

Në këtë aksion policia arriti që të arrestojë shtatë persona e nga kjo ngjarje në Prizren, u sekuestruan një hotel, një restorant dhe një pronë luksoze.

Natën e 4 gushtit ndërtesa e Kuvendit të Kosovës u sulmua me një granatë hedhëse e nga kjo u arrestuan gjashtë aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Atdhe Arifi, Astrit Dehari, Adea Batusha, Egzon Haliti, Petrit Ademi dhe Frashër Krasniqi janë gjashtë të arrestuarit të cilët sipas policisë organizuan dhe sulmuan kuvendin.

Në fund të shtatorit e në fund të tetorit pati arrestime nga ana e policisë së Serbisë.

Në shtator u arrestua Drejtori i Policisë Rajonale të Mitrovicës Nehat Thaçi, MBP kishte thënë se Thaçi u arrestua për terrorizëm.

Në muaj më pas Policia Serbe arrestoi një person tjetër Hilmi Kelmendin, nën dyshimet se kishte qenë pjesë e një rrahje ndaj një familjeje të komunitetit ashkali në kohën e luftës.

Disa ditë më parë Inspektorati i Policisë së Kosovës, arrestoi 59 zyrtarë policorë nën dyshimin se këta të fundit marrë ryshfet ose u kanë dhënë ndihmë kryesve të mundshëm. /Kallco.com/

Bob Dylan – këngëtari që nuk flet, por që ua mori shkrimtarëve Nobelin

0

Në një qytet të vogël në mes të Europës, Bob Dylan mban koncertin e radhës. Kushedi për të satën herë ballafaqohet me publikun. Ndonjëherë mendoj se ai tashmë është shndëruar në një robot dhe nuk ka fare ndjenja përballë njerëzve, por pasi fillon të luajë, e kuptoj se perceptimi ka qenë i gabuar. Në skenë ai është i heshtur dhe krenar. Nuk bën asnjë hap të pamenduar.

Dikur në moshë të re, përgjatë koncerteve ai e mbante publikun vazhdimisht në humor. Pas shumë vitesh, tashmë në një moshë të shtyer, ai nuk flet fare në skenë. Dhe kur them nuk flet, nuk e thotë as edhe një fjalë. Asnjë. Ka fituar nofkën “këngëtari qe nuk flet”. Ai hyn e del pa thënë asnjë fjalë. Fjalët e tij të vetme janë këngët.

Në anën tjetër publiku për shkak të respektit të “tepruar”, nuk ja zë për të madhe mungesën fjalëve. Aty-këtu edhe mund të dëgjosh ndonjë ankesë por shpejt ato humbasin nën tingujt elektrizues të kitarës. Në skenën ku interpreton të zë syri disa statuja të vogla që nuk dallohen të kujt janë. Duket se po nderon ndonjë hyjni greke ose thjeshtë po gjen mbështetje në figurat që e kanë frymëzuar në jetë. Këtë askush nuk mund ta di. Gjithçka mbetet në nivelin e supozimit dhe imagjinatës.

Koha tretet dhe koncertit i vie fundi. Me fundin e koncertit shtohen edhe pakënaqësitë në publik. Tani janë të një lloji tjetër. Askush nuk ankohet për heshtjen e Dylan-it, por publiku dëshiron të dëgjojë këngë nga koha e hershme e tij. Shumica e publikut janë në të 40-at apo 50-at. Ata duan të dëgjojnë këngët që e bënë të famshëm Bob Dylan-in dhe jo këngë qe ai i ka shkruar së fundmi. Këngët e reja askush nuk i di. Të pakët janë ata që i kanë dëgjuar. Por “këngëtari që nuk flet”, as që eçan kokën. Ai vazhdon deri në fund sipas planit, largohet nga skena pa thënë asgjë, dhe publiku mbetet i zhgënjyer sërish. Ka edhe nga ata që e quajnë arrogant. Zërat ishin të rrallë por tashmë kishin filluar. Arrogant?!

Dikush nga publiku thërret “Like a rollling stone”, diku tjetër veshi të kap një grup që fillon të këndojë “Don’t think twice”. Këta tituj janë disa nga këngët më të njohura të Bob Dylan. Këngë të cilat kanë shoqëruar jetët e të gjithë atyre që janë prezent në koncert. Ata duan të kujtojnë kohët e vjetra, dhe bashkë me ta edhe unë. Pyes veten:

A duam të dëgjojmë vetëm këngët apo duam të kthehemi pas në kohë?

Përgjigja është e vështirë. Në këtë përgjigje fshehet gjithë jeta. Gjendem përballë një dileme të thellë ekzistenciale. E kaluara, e pa jetuara, nostalgjia,… A janë këto forcat që na shtyjnë të gjithëve të revoltohemi kunder ‘idhullit’ tonë? Kundër atij që me këngë na e lehtësonte përballjen me veten? Eshtë e paimagjinueshme që pas kaq shume kohësh, dhe pas kaq shumë pritjesh, ja më në fund je përballë ‘idhullit’ tënd dhe në fund del kundër tij. E përçmon dhe e quan me fjalë nga më të ndryshmet. A është ky një përçmim ndaj së vërtetës?

A mos valle ne nuk donim të dëgjonim Bob Dylanin, por të pajetuarën tonë. Të djeshmen të cilën ende nuk e kishim kaluar. Sado që mund të duket e largët, dhe e tejkaluar, ajo na shfaqet kohë pas kohe, e paftuar, për të na thënë se ende kemi punë drejt vetes. Prania jonë aty ishte ballafaqim me të kaluarën dhe këtë të kaluar me së miri na e kujtonte Bob Dylan, ai që vetë e kishte kaluar të djeshmen e tij. Zatën, prandaj ne ishim turma dhe ai ishte një dhe i vetëm? Vetmia dhe heshtja e tij ishin të papërballueshme për ekzistencën tonë. Nga mosperfillja e tij neve na ishte larguar objekti i varësisë, ne ndjeheshim pa “Budën” tonë; ai tashmë kishte marrë rrugë tjetër.

Në të dalë të vendit ku u mbajt koncerti, një muzikant me flokë të gjata dhe të palara po këndonte. Të shumtë ishin të grumbulluarit rreth tij. Ai siç edhe pritej, po këndonte këngët e Bob Dylanit, por ato këngët e hershme të tij. Ai po këndonte atëçfarë Bob Dylan nuk këndoi dhe atëçfarë të gjithë donim. Entuziazmi mes njerëzve ishte i madh. Të gjithë këndonin bashkë me këngëtarin. Askujt nuk i bëhej vonë për cilësinë e zërit, por mjaftonte që ai të këndonte atë çfarë ne dëshironim. U ndala edhe unë. Më shumë se vetë këngëtari në fjalë, më interesonte vetja dhe te tjeret.

Kishte momente që këngëtari i panjohur komplimentohej më shumë se vetë Bob Dylan. Kishte momente që e shijoja interpretimin e tij, por herë herë më vinte ndonjë ndjenjë neverie. Nuk mund të kuptoja me arsye pse ky adhurim ndaj një pseudo-këngëtari. Ai madje as këngë të tija nuk luante. Ai po e shfrytëzonte pakënaqësinë e publikut për të fituar para.

Ky këngëtar që bënte sikur këndonte, më vinte si një kopje e Bob Dylanit. Tamam si një kopje platonike e ideve. Konkretisht idesë më të lartë. Përderisa Bob Dylan ishte në maje të malit, ky gjoja këngëtar kishte zbritur në tokë. Kishte zbritur me qëllime materiale. Njësoj sikur të burgosurit e Platonit, që ishin të prangosur në shpellë nga prangat e empirizmit, ne ishim të prangosur nga e kaluara jonë, nga pamundësia për të vazhduar krah për krah me Bob Dylan. Të prangosur siç ishim, ne nuk mund ta kapnim Bob Dylan-in. Ai ishte një ide e cila madje as nuk mund të mendohej se ekzistonte e lëre më ta kapje. Ne ishim te pranguar nga historia, nga emocionet, nga nostalgjia. Ndërsa Dylan, kishte vazhduar rrugëtimin e tij, ai nuk ishte ndalur së krijuari.

Për shkak të mospërfilljes së tij ndaj nesh, Dylan shpesh quhej arrogant. Ai është arrogant sepse nuk i është përgjigjur pritjeve tona për të. Ai është arrogant sepse sjelljet e tij nuk janë në përputhje me sjelljet tona. Arroganca e tij është në fakt arroganca jonë ndaj tij. Ne e duam atë jo si është në vetëvete, por vetëm si projekt tonin. E duam iluzionin tonë tek ai. Sepse kur iluzionin e mishëron tek një gjigand si Dylan, ai-iluzioni, bëhet më i besueshëm. Me çfarë të drejte dikush mund ta quaj dikë arrogant?

Arroganca e Dylan ështe pamundësia e shoqërisë për tu përballur me të vërtetën. Për tu përballuar me dikë që i thyen ca rregulla, dhe të cilat me shumë dëshirë do i thyenim edhe ne. Në pamundësi, për shkak të dobësisë tonë, i’a mveshim tjetrit cilësi nga më të pështirat. Cilësitë e tij janë cilësitë tona.

Nuk mund të jetë arrogant dikush që të shtyn në mendim. Dikush që të bën të reflektosh mbi veten, jetën dhe të jetuarit. Pamundesia për të përballuar mendimin na bën ta quajmë arrogant. E si mund të jetë arrogant dikush që na fton ta jetojmë veten?

“A man is a success if he gets up in the morning and gets to bed at night, and in between he does what he wants to do.”–Bob Dylan

Muja: Urime Viti i Ri 2017 !

0

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ka uruar të gjithë qytetarët, me rastin e ndërrimit të moteve, “duke ju dëshiruar, shëndet të mirë, mirëqenie në familje dhe harmoni të plotë për gjithë qytetarëve të komunës sonë”.

“Komuna e Prizrenit do të jetë e përkushtuar maksimalisht, që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarin, të vazhdojë realizimin e projekteve të shumta me interes publik”.

“Në fokus të agjendës ditore, të punës sonë, do jetë zhvillimi ekonomik lokal, fuqizimi dhe lehtësimi i politikave për biznesin privat dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.

“Të nderuar qytetar të komunës sonë: Viti i ri 2017, uroj që të përmbushë të gjitha pritjet tuaja në gjithë sektorët e jetës”, thuhet ne urim. /PrizrenPress.com/

Njerëzit me maska po e “kërcënojnë” veteranin e UÇK-së nga Malisheva (Video)

0

Policia tani ka punë edhe në zbardhjen e disa rasteve të kërcënimit ndaj Faik Zogajt.

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare nga Mleqani i Malishevës, u kanos në shtëpinë e tij nga persona të maskuar e armatosur.

LDK-ja thotë se 2017-ta do t’i sjellë fitoren në Prizren

0

Lidhja Demokratike e Kosovës, dega në Prizren, ka uruar të gjithë shqiptarët për Vitin e Ri 2017. Sipas LDK-së, Viti i Ri do t’i sjellë fitoren në Prizren.

“Duke ju dëshiruar suksese të gjithë shqiptarëve, urojmë që vitin që po hyjmë vërtetë të jetë viti juaj në shëndet, mirësi dhe suksese profesionale, bashkë t’i realizojmë synimet tona të përbashkëta duke krijuar një sinergji unifikuse drejtë vizionit tonë”, thuhet në urim.

“Të nderuar qytetar të Prizrenit, votues të ndershëm të LDK-së, Viti 2017 do të jetë vit sfidues por duke parë vullnetin dhe angazhimin tuaj për të kontribuar në procese, jemi të bindur se dega e LDK-së në Prizren, me ndihmën e Forumit të Rinisë, Forumit të Gruas, strukturave të tjera të LDK-së, unifikimit, do të ja sjellë fitoren Lidhjes Tonë, për të qenë sinonim i qeverisjes së mirë”.

“Këtë e kemi obligim ndaj banorëve prizrenas, ndaj shumë gjeneratave që kontribuan për vendin tonë dhe sot, si asnjëherë tjetër dëshirojnë qeverisje të dinjitetshme”.

“Një urim i adresohet edhe tek mjekët, policët, zjarrëfiksit, gardianët, puntorët e mirëmbajtjes e të gjithë ata që në këto ditë festash lënë familjet e tyre për të punuar që ne të festojmë të sigurt”.

“Gëzuar Viti Ri 2017” /PrizrenPress.com/

Bresana e Opojës nuk e feston Vitin e Ri

0

Ndërrimi i moteve festohet në mbarë botën, por jo edhe në fshatin Bresanë të Opojës.

Asnjë shtëpi, dyqan apo objekt tjetër dhë as rrugët e fshatit nuk janë dekoruar me drita, ndonëse pak ditë kanë mbetur deri në ndërrimin e moteve. Në fshatin Bresanë të Opojës, në rajonin më jugperëndimor të Kosovës, nuk fesohet Viti i Ri.

Banorët e këtij fshati deklarohen qind për qind të besimit islam dhe sipas fesë, siç thonë ata, Viti i Ri nuk preferohet të festohet. Madje, në dyqanet e këtij fshati nuk mund të gjesh as alkool. Shitësit e dyqaneve deklarojnë se shitjen më të madhe të gjësendeve tjera, si: embëlsirat, pijet joalkoolike, pemët…, e kanë për festën e Bajramit të Madh dhe atij të Vogël, si dhe për Vitin e Ri Mysliman. Është koha e faljes së drekës sipas rregullave të lutjes në fenë islame dhe banorët e Bresanës dalin një pas një nga xhamia e fshatit, duke u ngjitur rrugëve për të arritur tek shtëpitë e tyre. Në mesin e atyre që luten ka pleq e të rinj.

Traditën e moskremtimit të ndërrimit të moteve, Subhi Tusuni, 80 vjeçar, e shpjegon se ka nisur pas luftës. Ai thotë se shumica e fshatit tash nuk e festojnë Vitin e Ri.

“Viti i Ri nuk është i muslimanëve”, thotë Tusuni teksa përgjigjet pse nuk festohet Viti i Ri në Bresanë. /Zëri/

Urimi i PDK-së në Prizren për Vitin e Ri

0

Me rastin e fundvitit 2016, si dhe fillimin e Vitit të Ri 2017, kryetari i PDK-së, dega në Prizren, Minir Krasniqi, në emër të Partisë Demokratike dhe në emër të strukturave të saj, uron të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit Vitin e Ri 2017, duke iu dëshiruar shëndet të mirë, gëzime familjare dhe lumturi në jetë.

“Në këto çaste gëzimi, ne presim Vitin e Ri 2017 me krenari dhe mirënjohje më të thellë për njëri-tjetrin, për përpjekjet dhe përkushtimet për arritjet tona. Uroj me dëshirë që Viti i Ri 2017 të jetë më i suksesshëm se viti që po e lëmë pas”, thuhet në urim.

“Viti i Ri 2017 le të jetë vit i angazhimeve të përbashkëta politike me qëllim të përmirësimit të jetës së qytetarëve të Komunës së Prizrenit”.

“Le të jetë Viti i Ri 2017, një vit i bekuar që sjell shëndet, begati, paqe, dhe dashuri në jetën tuaj dhe të familjes suaj”.

“Urime dhe Gëzuar Viti i Ri 2017!” /PrizrenPress.com/