Home Blog Page 6174

Avokatë apo sekserë?!

0

Dukurive negative dhe të shëmtuara, që kanë lëshuar rrënjë tash e një kohë të gjatë në shoqërinë tonë, si duket nuk i kanë shpëtuar as avokatët e vendit, pasi, sipas njohësve të kësaj fushe, një pjesë e caktuar e tyre e luajnë rolin e dyfishtë me arsyen e vetme; atë të përfitimit, ku shpeshherë i tejkalojnë tarifat e caktuara, duke arritur kësisoj që të realizojnë pasuri e patundshmëri me përmasa të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme.

Ndaj, së këndejmi është shtuar edhe dilema se a ka të tillë avokatë që janë në rolin e ‘sekserëve’ të gjyqtarëve ku verdiktet jepen në favor të atij që paguan më shumë. Për këtë dhe atë se sa masa disiplinore e dënime i ka shqiptuar këtë vit Oda e Avokatëve të Kosovës ndaj avokatëve që kanë shkelur ligjin dhe etikën e punës, flet shkrimi në vijim. Profesori universitar Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se avokatia është një nga hallkat shtyllë e sistemit të drejtësisë me një peshë dhe relevancë jashtëzakonisht të madhe dhe të përhershme.

Sipas tij, funksionimi i saj në baza ligjore dhe në bazë të Ligjit për avokatinë, por edhe në bazë të parimeve etike dhe ligjeve të tjera, do të ndihmonte shumë në forcimin e drejtësisë, ku tashmë të gjithë jo vetëm po e perceptojnë, por edhe po e thonë si opinioni publik vendor, por edhe ai ndërkombëtar, që thjesht drejtësia dhe gjyqësia brenda saj lënë shumë për të dëshiruar.

Nevojitet konsolidim më i madh

Sipas Baraliut, edhe sistemi i avokatisë, si një shërbim shtyllë i drejtësisë, dhe i një natyre specifike privato- publike, është një hallkë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë derisa, sipas tij, çdo moskonsekuencë aty ose ndërlidhje e segmenteve të këtij shërbimi me segmentet e caktuara të shërbimeve të tjera dhe të hallkave të tjera institucionale të drejtësisë i bën dëm konsolidimit të shoqërisë tonë, demokratizimit të saj e veçanërisht konsolidimit të sistemit të drejtësisë.

“Prandaj, ajo që jo rrallëherë flitet e përflitet jo vetëm që perceptohet, por edhe konstatohet nga njerëz, por jo gjithherë në mënyrën e duhur ligjore dhe me shkrim se edhe brenda avokatisë ka ngecje e probleme të mëdha dhe ka edhe abuzime të caktuara të segmenteve të caktuara të këtij shërbimi, njerëz të caktuar që punojnë në avokati jo rrallëherë kanë verdikte në procedura, ose verdikte finale të instancave të caktuara gjyqësore, gjë që ishte dashur të ndërpritet puna e avokatisë, gjegjësisht ushtrimi i atij personi, por ja që nuk ndodh”, u shpreh ai.

“Po ashtu, shpeshherë flitet dhe përflitet, thuhet e konstatohet se ata për qëllime të përfitimit, segmente të caktuar, pasi sigurisht se aty ka edhe avokatë me përvojë, dije, përgjegjshmëri e etikë të plotë, por po them për atë pjesën e cila flitet që bëjnë rolin e dyfishtë vetëm e vetëm që të përfitojnë, t’i tejkalojnë tarifat e caktuara dhe bëjnë pasuri e përfitime të jashtëzakonshme, madje për disa thuhet se kanë edhe patundshmëri me përmasa të jashtëzakonshme e të paimagjinueshme, por edhe para e kapital tjetër”, ka thënë më tej Baraliu.

Sipas tij, fakti se kanë kapital e pasuri është krejt në rregull dhe shumë normale, nëse është në frymën e ligjit, por nëse nuk jep kontributin e duhur avokatia në realizimin të misionit kryesor të drejtësisë, plotësimit të së vërtetës materiale, të realizimit dhe të sendërtimit të drejtave deri në pafajësi të qytetarëve, të cilët i drejtohen me apo pa dëshirë këtyre institucioneve, atëherë mund të flasim për një hallkë institucionale që do të duhej të konsolidohej dhe të përmirësohej.

Nëntoka i korruptoi të gjithë

Ndërkaq, analisti Shefqet Dibrani thotë se tashmë po shihet se nëntoka e krimit të organizuar ka arritur që t’i korruptojë dhe t’i shantazhojë edhe institucionet e drejtësisë, madje, sipas tij, me të drejtë mund të dyshohet se edhe një pjesë e mirë e avokatëve janë pjesë e proceseve të ngatërruara, pasi, siç duket, disa sish janë në rolin e sekserëve për shokët e tyre gjyqtarë e prokurorë, ku bashkë me ta ndajnë gjahun, prandaj i bënë me përgjegjësi edhe ata.

” Andaj, kjo gjendje është mjaft shqetësuese, sepse kjo garniturë e involvuar në krim dhe kriminalitet as nuk ndajnë drejtësi, por edhe atë që e bëjnë e bëjnë në mënyrë selektive, gjë që po reflektohet në raste të caktuara, ku në nivel vendi gjendja është shqetësuese, pasi të gjitha raportet vlerësojnë për një gjyqësor të paaftë dhe joprofesional për të qitur drejtësinë në binarë, sepse drejtësia për shtetin është sikurse mjeku për shëndetin e njeriut”, theksoi ai. “Në këtë ndërthurje të interesave të shumta janë implikuar shumë faktorë, derisa në anën tjetër ne nuk mund të presim masa më të ashpra disiplinore nga Oda e Avokatëve, pasi askush nuk na garanton dhe askush nuk është i sigurt, nëse edhe dikush që thirret për drejtësi të mos jenë të involvuar në këto keqpërdorime. Dua të them se ka mundësi të bëhet mirë, por jo në këtë mënyrë”, potencoi Dibrani..

Politika e inateve bllokon Kosovën

0

Analistët vlerësojnë se po të kishin partitë politike parime dhe programe të qarta, do të kishin domosdo konsensus për çështje të rëndësishme të shtetit dhe ato bashkërisht do t’i mbronin dhe do t’i çonin përpara

Thellimi i ndasive të mëdha politike, që po ndodh në shtetin e Kosovës, të shumtën e herëve edhe për çështje joparimore, por vetëm për interesa të synimit të pushtetit me çdo kusht nga subjektet politike, nga pozita për ta mbajtur atë edhe kur nuk e meriton, dhe nga opozita për ta marrë me çdo kusht dhe me mjete jodemokratike, po bën që Kosova të mbetet për kohë të gjatë në pozitën e moszhvillimit, të vendnumërimit, duke u sjellë në rreth vicioz për shkak të politikës së inateve. Si rrjedhojë, vendi nuk ka akoma liberalizim të vizave, shumë procese kanë ngecur për faj të politikës, kurse klasa në pushtet nuk po mund t’i shtyjë përpara shumë procese. Për këto pasoja janë të vetëdijshme edhe partitë politike si në pozite, si në opozite, për dëmet që po ia shkaktojnë vendit, e të cilat mund të jenë të pariparueshme, por fajin dinë t’ia hedhin gjithmonë njëri- tjetrit.

“Në Kosovë, sa herë që munden, pozita dhe opozita e bllokojnë njëra- tjetrën. Pra, lufta nuk bëhet në bazë të programeve politike. Një çështje të njëjtë një parti politike e përkrah nëse është në pozitë dhe e kundërta, e kundërshton nëse është në opozitë. Për fat të keq, kjo në shumë raste e vë Kosovën para bllokadave. Po të kishin partitë politike parime dhe programe të qarta, do të kishin domosdo konsensus për çështje të rëndësishme të shtetit dhe ato bashkërisht do t’i mbronin dhe do t’i çonin përpara. Konsensusi në mes partive për çështje të rëndësishme të shtetit ndodh në të gjitha shtetet e mirëfillta, në të cilat funksionon ligji, kushtetuta dhe luftohet për interesat e mirëfillta kombëtare”, tha deputeti Adem Salihaj për “Kosova Sot”.

Kabineti “Mustafa”, ndër më të dobëtit

Nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë se opozita ka provuar shumë herë që të ofrohet me pozitën për të arritur konsensus në të gjitha temat e rëndësishme të interesit nacional e zhvillimor të vendit, por është kryeneçësia e pozitës që me çdo kusht ka mbrojtur vetëm qëndrimet e veta edhe kur e ka gabim dhe nuk dëshiron komunikim as dialog konstruktiv me opozitën.

“Ne kemi një rënie ekonomike, gjendje të rëndë sociale, kemi papunësi ekstreme të madhe. Dhe, elemente të tjera shumë të prekshme që tregojnë për ngecjen e trendëve të zhvillimit dhe perspektivës në Kosovë, gjë që ka ndikuar, madje edhe në brishtësinë e raporteve dhe brenda vetë partnerëve qeverisës- pozitës së tanishme, e të mos flasim tani për raportet akoma më të acaruara në mes të pozitës dhe opozitës”, u shpreh ai.

“Kemi të bëjmë me një nga qeveritë më joserioze, jobashkëpunuese dhe nga më të dobë- tat që ka pasur vendi që nga pas lufta e deri më tani”, tha nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi. Edhe analistët politikë, barrën më të madhe të përgjegjësisë ia adresojnë politikës në pushtet, ndonëse nuk amnistohet as opozita.

“Fajin ekskluzivisht e ka Qeveria, pasi udhëheq me vendin, dhe për çdo neglizhencë përgjegjësia bie mbi institucionet e vendit, përkatësisht bartësit e tyre. Kosova aktualisht në kuptimin e shtyrjes së proceseve politike lëngon shumë rëndë, kjo më shumë vjen për shkak të pap?rgjegjshm?risë politike dhe mosprofesionalizmit të caktuar. Nëse iu referohemi dy çështjeve të mëdha, siç janë liberalizimi i vizave dhe çështja e demarkimit, del se fajin thelbësor e ka politika e papërgjegjshme dhe mosgatishmëria e tyre për t’iu dhënë pozitivitet këtyre dy proceseve, çka përbëjnë edhe kushte themelore për përfshirjen e Kosovës në struktura ndërkombëtare”, theksoi ai

“Nuk lejojmë padrejtësi në ndryshimin e ligjit për veteranët e UÇK-së”

0

Qeveria e Kosovës në fillim të vitit 2017 pritet se do të bëj ndryshimin e ligjit për pensionet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa veteranët e luftës së UÇK-së shprehen të pakënaqur për këtë ndryshim të ligjit dhe se akuzojnë Qeverinë se janë fajtor për fryrjen e listave e cila kjo e fundit me komisionin e saj i ka fryrë listat e veteranëve.

Në një prononcim për IndeksOnline kryetari i këshillit për Mbrojtjen e Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi ka treguar se me buxhetin qe ka kjo qeveri është e mundshme që ligji i ri të jetë me pensione të rritura për këtë kategori të veteranëve.

“Ne nuk kemi asnjë informatë, se çfarë po mendon dhe çfarë ndryshime ka për qellim ti bëj qeveria e Republikës së Kosovës në ligjin për veteranët, qeveria në këtë rast është e mbyllur edhe pse na kishin premtuar publikisht se për çdo plotësim apo ndryshim do ta bëjmë bashkë, por si duket qeveria ka vendosur që këto ndryshime ti bëj në mënyrë të fshehtë bile duke ikur larg opinionit duke mbajtur takime në Shqipëri. Për ne pak ka rëndësi a marrim pjesë a jo, a ftohemi nga këta të fundit apo jo, për ne është e rëndësishme që këto ndryshime të bëhen në favor të veteranëve dhe të pranohen nga këta të fundit”, ka thënë Qeriqi.

Sipas tij veteranët nuk do të lejojnë aspak që ky ligj të zbatohet në dëm të tyre, duke paralajmëruar kështu masa të ashpra kundër qeveris.

“Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që këto ndryshime të jenë në dëm të veteranëve të UÇK-së, në rast se ndodh kjo e fundit ne do të përdorim çdo mjet të mundshëm për ti kundërshtuar,duke mos përjashtuar protesta e demonstrata”, ka thënë më tej ai.

Gjithashtu në fund Qeriqi ka lënë një mesazh për Qeverinë e Kosovës duke i çuar një “selam”, se janë të vendosur në këtë drejtim andaj kjo qeveri ta merr me seriozitet të plotë këtë vendim.

“Jemi të vendosur në këtë drejtim dhe nuk do të lëshojmë pe për asnjë çmim të cilin mund ta paguajmë. Ne kërkojmë nga qeveria që të mendoj më seriozisht për këtë kategori dhe të gjej mundësi që këto pensione të rriten sepse kjo kategori meriton një trajtim më të dinjitetshëm dhe pensione më të larta”, ka përfunduar Qeriqi për IndeksOnline./

Nasheci, dikur fshat turistik, tani kundërmon nga kanalizimet

0

Dikur Nasheci i Prizrenit ishte vendi më i bukur për pushime verore dhe gjatë vikendeve, kurse tani është shndërruar në një fshat, ku as banorët lokalë nuk preferojnë të qëndrojnë aty. Krejt kjo vjen si rezultat i derdhjes së ujërave të zeza nga gjithë qyteti i Prizrenit. Banorët ankohen se jeta është bërë e padurueshme. Shukri Quni, kryetar i fshatit, shprehet se kanë bërë disa ankesa, por pa sukses.

“Kjo pjesë e fshatit është duke pasur probleme me ujërat e zeza, si dhe me shtratin e lumit, i cili po mbushet nga të reshurat e ku si rezultat e kësaj lumi po del nga rrjedha normale e tij”, shpjegon Shukri Quni, i cili është edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Prizrenit. Ndërkohë, pas inspektimit të gjendjes së lumit, komuna ka ndërmarrë veprime në sanimin e gjendjes së krijuar në atë pjesë, duke ndarë 20 mijë euro, por nevoja është shumë e madhe dhe banorët e fshatit Nashec lusin zyrtarët komunalë që ujërat e zeza të Prizrenit nga Arbana të drejtohen drejt Vlashnjes atje, ku po ndërtohet impianti i ujërave të zeza. Deri atëherë ujërat e zeza do të derdhen në shtratin e lumit Drini i Bardhë, të cilat edhe do të sjellin probleme për banorët e kësaj zone.

Mbeturinat e ngurta hedhen në shtratin e lumit

Në kilometrin gjashtë të Prizrenit në perëndim të Prizrenit, breg Drinit të Bardhë është fshati Nashec. Dikur ky fshat ishte me një atmosferë të bukur e të pastër, që përmbushte me plot kuptimin e fjalës idilin e jetës së qetë fshatare. Shukri Quni shprehet se ka ekzistuar një iniciativë, që sivjet Nasheci të shpallet fshat turistik, por, sipas tij, me gjendjen e krijuar një gjë e tillë është e pamundur dhe thjesht e pakuptimtë.

“Për çudi, Nasheci gjatë këtij viti vazhdoi të mbetej vendtubimi i mbi 70 për qind të ujërave të zeza të Prizrenit te Livadhet e Egra, e që ka ndotur fshatin dhe Drinin e Bardhë”, ka thënë Quni. Sipas tij, gjatë tërë vit për fat të keq, nga qytetarë të papërgjegjshëm të Prizrenit, fshati është bërë edhe vend për hedhjen e mbeturinave të ngurta. “Sado që komuna pikërisht në grykën e quajtur Tyrbja e Soziut ka bërë investime duke rregulluar ambientin, aty ka lloj-lloj mbeturina të ngurta, deri eshtra bagëtish të ngordhura e të cilat edhe i hedhin vetë thertoret e Prizrenit. Kështu fshati dikur i pushimit tash është shndërruar në fshat të papastërtisë dhe fshat i kundërmimit”, tregon për “Kosova Sot” asamblisti Quni. Ai kujton se madje edhe kryeministri i parë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Ymer Prizreni, kishte një shtëpi të tijën pikërisht tek tyrbja e Soziut. Sipas tij, “çdo gjë e bukur po zhduket”.

Ai rrëfen se, në këtë rrugë pastaj, gjatë viteve 1960 deri para luftës fundit, shumë veta atje ndërtuan edhe shtëpi verore. “Ata atje krijuan një vend të bukur me pushimoret e Nashecit, sepse ajri i pastër pastaj lumi afër, burimet e tjera të shumta të pastra krijonin një pamje të bukur, por nga paslufta e këtej në këtë fshat tashmë është bërë një tmerr të jetohet”, tregon Shukri Quni.

Sipas tij, tash tek vendi i quajtur “Lugu i Gradinës” derdhen të gjitha ujërat e zeza të pjesë veriore të Prizrenit. “Derdhja është pak mbi fshat dhe e gjitha përfundon në Drin. Por, aq ndyrësira ka tash atje sa fshati Nashec prej një fshati të pushimeve tash është shndërruar një në fshat të mbeturinave dhe ujërave të zeza dhe era e keqe të zë frymën që në mëngjes e deri në orët e vona të natës”, shprehet Quni. Zhdukja e peshkut Nasheci aktualisht ka 230 shtëpi dhe mbi 1800 banorë rezidentë dhe ata që jetojnë jashtë këtij fshati.

“Nashecasit dikur këtu jetonin mirë, por kushtet aktuale vërtet e kanë bërë të vështirë jetën”, tregon Feim Krasniqi, i cili ankohet për erën që vjen nga ujërat e zeza. Ai shpreh brengën se edhe peshku i Drinit, i njohur në këtë pjesë, është zhdukur gati në tërësi. “Këto ujëra të zeza, që aktualisht derdhen këtu, për të gjithë këta banorë kanë krijuar kushte të rënda banimi dhe jetese në Nashec”, tregon Krasniqi. Sa i përket ish-pushimores së Nashecit, atje ku pas lufte ishte e vendosur Brigada e TMK-së, shprehet se tani kjo pushimore është Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Ne nuk e dimë se çka po ndodh aty. Ajo ka vetëm katër roje”, shprehet Krasniqi. Ndryshe, infrastruktura në fshat është e rregulluar mirë, kurse shtëpitë e pushueseve, që ishin kryesisht të prizrenasve, tani ende shfrytëzohen si shtëpi pushimi. Por, Drini i Bardhë më nuk mund të shfrytëzohet as për t’u larë e as për t’u freskuar, ngase ujërat këtu tashmë duken skëterrë të zeza dhe kanë filluar të vrasin gjithë faunën e Drinit.

Kryetari Quni shprehet ndërkaq se ajo që brengos këtë fshat, është edhe trendi i ikjes në kurbet. Sipas tij, shumë prej banorëve të fshatit ushtrojnë zejen e bukëpjekësit qoftë në Prizren apo gjetiu. Sipas tij, fshati ka edhe objekte me vlerë siç është Tyrbja e Soziut në Nashec, atje ku është një gur përbirues dhe ku vizitorët shkojnë atje për pjellshmëri. Lidhur më këtë tyrbe banorët tregojnë se që me shekuj këtë vend të shenjtë e kanë nderuar banorët e këtushëm, sepse ata mendojnë se kjo tyrbe u jep shëndet dhe është vend për plleshmëri. Mirëpo, ky vend vizitohet nga njerëz jo vetëm të Prizrenit e Hasit, por nga shumë vende të Kosovës. Këtu njerëzit vijnë dhe ziejnë diçka, pastaj e ndajnë me ata që qëllojnë këtu. Ndërsa besimi në gurin përbirues ka një histori të lashtë sa vetë ky fshat, tregojnë banorët e fshatit.

Apeli i banorëve

Nasheci tash ka 320 nxënës dhe ka një objekt të bukur shkollor. Drejtoresha e kësaj shkolle, Merita Mazrreku, tregon se kuadri i kësaj shkolle është mjaft punëtor. “Domosdo se puna dhe angazhimi i këtyre mësimdhënësve ka bërë që rezultatet e nxënësve mos të mungojnë. Sidomos dallohen në garat komunale dhe ato në nivel të Kosovës”, shprehet Mazrreku. Kryetari Shukri Quni, derisa flet për “Kosova Sot”, tregon se Nasheci është në hall të madh sidomos nga ujërat e zeza. “Drini i Bardhë nga këtu është ndotur në masë që peshqit nuk jetojnë aty, është ndotur dhe jeta po vështirësohet në këtë fshat”, potencon ai. Banorët e fshatit Nashec kërkojnë që ujërat e zeza të Prizrenit nga Arbana të drejtohen drejt Vlashnjes atje ku pritet të ndërtohet Impianti i ujërave të zeza. Kurse apel i përbashkët i të gjithë banoreve të këtij fshati ishte.

“Mos na i sillni të gjithë mbeturinat këtu, sepse edhe ne kemi fëmijë, kemi nxënës e kemi frymë njerëzish. Ato tashmë janë vendet ku mund të dërgohen në Zhur, ku atje ka deponi pikërisht për këto mbetje inerte”, thonë banorët, të cilët shtojnë se vështirë mund të vazhdojnë të jetojnë në kushte të tilla.

(Kosova Sot)

Salih Morina: LDK udhëhiqet nën frymën dhe filozofinë e Rugovës!

0

“Lidhja Demokratike e Kosovës është LDK tipike e Ibrahim Rugovës”, thotë deputeti i kësaj partie, Salih Morina. Sipas tij, “LDK është në vijë me frymën dhe filozofinë qe ka ndjekur Ibrahim Rugova”.
Morina, në një intervistë për emisionin ‘Fakt Plus’, me Leotrim Berishën në Tribuna Channel, ka thënë se “njerëzit qe e udhëheqin LDK-në janë bashkëpunëtoret me të afërt të ish presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova”.

E, duke folur për miratimin e Ligjit për Buxhetin e vitit 2017, Morina – i cili është edhe anëtar i Komisionit për Buxhet dhe Financa – thotë se për herë të parë Kosova do të ketë një buxhet zhvillimor, i cili është i orientuar në investimet kapitale dhe qe do t’i hapë mundësi zhvillimit ekonomik.

Urime Krishtlindjet !

0

Kryetari i Komunës së Prizrenit Ramadan Muja, uron Kancelarin e Ipeshkvisë së Kosovës, shkëlqesinë e tij, Don Shan Zefi dhe të gjithë qytetaret e besimit katolik të komunës së Prizrenit, me rastin e festës së Krishtlindjes.

“Të nderuar qytetar të besimin katolik, uroj që kjo festë të na shërbejë në forcimin dhe kultivimin e tolerancës, si vlerë e demokracisë dhe qytetarisë për ne dhe brezat qe do të vijnë.

Komuna e Prizrenit do vazhdojë të jetë e angazhuar maksimalisht në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe të ardhmen e sigurtë për të gjithë”, thuhet në urimin e Mujës.

“Lindja e Krishtit, uroj qe të sjellë shëndet, shumë të mira dhe lumturi në familjet tona”./PrizrenPress.com/

Përurohet aneksi i Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren

0

Të premten është përuruar aneksi i ri i objektit të Qendrës së Shëndetit Mendor në Prizren.

Drejtori Naim Fanaj, tha se me vënien në funksion edhe të këtij aneksi, dukshëm përmirësohen kushtet për punë në trajtimin e shumë personave që vuajnë nga ç’ rregullime të ndryshme mentale.

“Në këtë Qendër vetëm për një muaj trajtohen mbi 500 raste të ndryshme si dhe bëhen vizita nëpër shtëpi të kësaj kategorie në fshatrat më të largëta të Dragashit dhe Suharekës”, tha ai.

“Sfida më e madhe për këtë institucion është numri i vogël i stafit profesional në trajtimin e personave me të meta mendore”.

Realizimin e projektit për ndërtimin e aneksit të ri të objektit të kësaj Qendreje e ka mbështetur financiarisht Qeveria e Kosovës nga buxheti i saj me 95 mijë euro/TV Prizreni/

Aksidentet, 106 persona kanë vdekur gjatë këtij viti

0

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme të ultë, konkretisht 89 për qind e të anketuarave të një hulumtimi, kanë qenë të gatshëm që krahas lëndëve të tjera të marrin edhe mësim shtesë sa i përket njohjes së rregullave dhe shenjave të trafikut.
Kështu u tha në konferencën e dytë ndërkombëtare për sigurinë në rrugë, ku u publikua edhe një hulumtim, sipas së cilit është shqetësuese se gjysma e nxënësve nuk kanë njohuri për numrat e thirrjeve emergjente.

Sipas hulumtimit, vetëm 51% e kanë dhënë numrin e saktë të policisë, 2% e tyre, dinë për ndihmën e shpejtë, kurse, asnjë nuk e dinë numrin e zjarrfikësve.

Qëllimi i këtij hulumtimi ka qenë për ‘Identifikimin e faktorëve kryesorë që ndikojnë në sigurinë e lëvizjes së nxënësve në rrugë’.

Me këtë rast, drejtori i Kolegjit “Tempulli”, Muhamed Krasniqi tha se këtij hulumtimi ia kanë shtuar të dhënat zyrtare të Policisë së Kosovës.
Sipas tij, për kategoria më e rrezikuar gjatë lëvizjes në rrugë janë fëmijët.

Në anën tjetër, këshilltari i kabinetit të Ministrisë së Arsimit, Azem Grui, tha se siguria në rrugë arrihet duke i informuar nxënësit.

Sipas tij, rreth 400.000, nxënës frekuentojnë institucionet arsimore.

Me këtë hulumtim është gjetur një mostër shumë e mirë, në mënyrë që këto institucione të reflektojnë për sigurinë në rrugë.

Kurse, major Jeton Rexhepi nga Policia e Kosovës, tha se numri i viktimave të aksidentit ka shënuar rënie, në krahasim me vitin e kaluar.
“Numri i aksidenteve ku njerëzit kanë humbur jetën shënon një rënie, për 20 persona më pak apo diku rreth 16 %. Në vitin e kaluar ka të vdekur 129 persona, ndërsa, sot me datën 23 dhjetor janë 106. Ky është një rezultat i angazhimeve të përbashkëta dhe vetë angazhimit të pjesëmarrësve në rrugë në respektim të rregullave. Në vitin 2015, numri i personave si këmbësorë ka qenë në ngritje dhe brenda vitit, kemi pasur 50 këmbësor që kanë humbur jetën duke përfshirë edhe moshat e reja”, ka bërë të ditur Rexhepi.

Kurse, Burim Krasniqi nga Ministria e Infrastrukturës, thotë se mosha e fëmijëve prej 0 deri në 12 vjeç janë moshat me numër më të vogël të të vdekurve, në komunikacion të trafikut.

Sipas tij, është shqetësuese se pjesa tjetër, mbi moshën 19 vjeçare, ku fillojnë të ngasin automjetet, ka numër më të madh të vdekurve. /Telegrafi/

Babadimri në Prizren

0

Hajrullah Çeku

Unë besoj në babadimër. Si në vitet e fëmijërisë, më të bukurat ndonjëherë, kur besonim në fuqitë e mbinatyrshme. Atëherë kur pas secilit refuzim të prindërve për dhuratë, e përfytyronim babadimrin magjik dhe jetonim të lumtur. E dinim që dhurata do të vjen një ditë dhe se nuk ka pengesë të patejkalueshme. Besoja në babadimër. Edhe sot kam dëshirë të besoj në babadimër. Me gjasë shumë prej jush në këtë moment po më gjykoni për “babadimrin”, e më pak po ju bën përshtypje “besimi”.

Unë besoj në babadimër dhe kam dëshirë që këtë fundvit babadimri ta vizitojë Prizrenin. Dhe kam vetëm një kërkesë për babadimrin për vitin 2017: të mos rrënohet asnjë monument i trashëgimisë kulturore në qytet.

Ndoshta naivisht, por me besim të thellë, po e imagjinoj një Prizren ku të gjithë pa përjashtim e shijojnë me krenari trashëgiminë kulturore, me shumë xhelozi e ruajnë ate dhe mbi të gjitha përfitojnë nga potenciali i saj për ngritje të standardit të jetesës. Një qytet ku të gjitha institucionet e shtetit e kanë shpallur vitin 2016 si kapitullin e fundit të degradimit të qytetit. Ku viti 2016 që u përmbyll me një monument të rrënuar për muaj dhe që mori edhe një jetë fëmije, shpallet si fundi i një epoke të errët të qytetit.

Një qytet ku bizneset i shohin monumentet dhe investimin në to si rrugë të duhur për zhvillim të veprimtarisë afariste. Ku potenciali ekonomik i monumenteve shihet si një nga strategjitë e zhvillimit të qytetit dhe zbutjes së papunësisë. Po e imagjinoj një Prizren ku inspektori komunal e prokurori publik nuk shkruajnë dënime e nuk ngrisin aktakuza, por vetëm parandalojnë dëmtime të monumenteve. Një qytet ku pronarët e shtëpive të vjetra nuk pranojnë me asnjë çmim rrënimin dhe në bashkëpunim me institucionet e shtetit, organizatat e shoqërisë civile dhe bizneset sigurojnë fonde për konservimin e shtëpive të tyre duke i funksionalizuar ato si asete me potencial ekonomik.

Një Prizren që pret turistë kulturor gjatë gjithë vitit. Një qytet që investon në rritjen e cilësisë së hapësirave publike, ku qytetarët pa dallim i shijojnë parqet, sheshet, trotuaret, lumin, ajrin e pastër, hapësirat kulturore. Po e imagjinoj një Prizren që jeton në harmoni dhe begati me trashëgiminë e vet kulturore dhe që në momentin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO nominohet për Listën Botërore të Trashëgimisë.

Nuk besoni në babadimër? Së paku besoni në mundësinë për një Prizren më ndryshe. Dhe provoni t’ia shtoni këtij besimi pak dashuri si mëlmesë. Kur bëhen bashkë besimi e dashuria, vjen edhe babadimri.
Naivisht, me besim e dashuri,
Hajra

(Facebook)

Prizreni me nivel të ulët të transparencës

0

Hapja e të dhënave në funksion të transparencës dhe zhvillimit lokal ka qenë temë e një tryeze të organizuar të enjten nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në Prizren, me ç’rast pjesëmarrësit kryesisht kanë vënë në pah nivelin e ultë të transparencës së Komunës së Prizrenit, shkruan sot Koha Ditore.

Ky aktivitet i KDI-së është realizuar me qëllim të nxitjes së lidershipit komunal për publikimin e të dhënave statistikore, prej atyre bazikeve deri tek ato shtesë në ueb faqen zyrtare të komunës sikurse edhe shkëmbimin e përvojave me komunat që kanë arritur të investojnë në hapjen e të dhënave.

Sipas njoftimit të KDI-së, në këtë tryezë kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Kujtim Gashi ka shprehur gatishmërinë për hapjen e të dhënave bazuar në kapacitetet dhe mundësitë që i ka administrata komunale.