Home Blog Page 6175

Shëndeti seksual tabu edhe për vetë profesionistët shëndetësorë

0

Dardan Hoti

Aurela Kadriu, ankohej nga cistet në vezore dhe me raste ato i sillnin probleme në shëndetin e saj. Normalisht, kishte një opsion të parë, siç do ta kishte çdo njeri me shqetësime shëndetësore apo edhe dëshirë për konsultë a këshillë, pra ajo vendosi të vizitonte një gjinekolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pas futjes në sallë, përpara ekzaminimit të pritshëm e për të cilin kishte shkuar, ajo u desh të përjetonte një “ekzaminim” paraprak ose thënë më mirë një interrogim me pyetjet “A je në lidhje” dhe “A je e fejuar”.

Një e re, e kushdo qoftë, nuk ia ka borxh mjekut që t’ia lexojë mendjen e kësisoj as Aurela nuk e kuptonte qartë se për çfarë bëhej fjalë, por pavarësisht asaj ajo u përgjigj atyre pyetjeve. Për të filluar ekzaminimi duhej të kalohej edhe faza përfundimtare, pra drita e gjelbër ishte pyetja “A je çikë”, pas së cilës Aurelës iu desh të reagojë me një pyetje tjetër, por tani drejtuar mjekut: “A po e sheh se jam. Apo po t’dukna si djalë”.

“A je e martuar”, është bërë tani njëfarë mënyrë “implicite” për të ditur nëse gratë e vajzat që u drejtohen këtij institucioni shëndetësor publik, por edhe atyre privat për të mbërritur tek informacioni nëse ato janë seksualisht aktive. Një histori e ngjashme e kishte irrituar edhe Suzana Ajetin.

“Kur kam shkuar te gjinekologu për kontroll pyetja e parë ishte: A je e martume? Unë thashë: Jo, s’jam. Doktoresha: Ani mirë. Unë: Ama jam aktive seksualisht. Doktoresha: Ahaaaaa se unë menova që s’je e martume. Unë: Jo de, s’jam”. U përgjigj ajo pas një insistimi të çuditshëm të gjinekologes, përkundër përgjigjes së qartë të saj. Një vajzë tjetër ndan rastin kur pas takimit me gjinekologen, ajo i ka kërkuar që ta zbulojë barkun. Ani pse vajza ka insistuar që nuk ka ndonjë shqetësim me bark, gjinekologia me ton deri në vrazhdësi dhe me dozë padurimi iu kishte drejtuar “Po, po, qishtu krejt po thonë”, duke presupozuar që vajza ishte shtatzënë.

Trajtesa e “çuditshme” dhe diskursi që manifeston pikëpamje të ngushta e konservatore nuk u ndodh vetëm grave, ani pse atyre u ndodh shumë më shumë, por edhe burrave. Një përvojë të tillë e kishte edhe Trim I., i cili para tre muajsh ishte drejtuar tek një urolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ky djalë 26-vjeçar u habit kur mjeku i drejtoi pyetje rreth statusit të tij martesor.

“S’e di. Mu duk shumë e pakuptueshme mënyra se si më drejtoi pyetjen për ta kuptuar nëse unë jam seksualisht aktiv ose jo. Madje për të mos mjaftuar kjo në fund më bëri dhe një pyetje tjetër. ‘A je i lazdruar, a djalë i mirë’?. Ia nisa me qesh dhe s’dija se si t’i përgjigjem”, rrëfen përvojën e tij Trimi.

Për këto/a paciente/ë është e pakuptueshme se si mjekët profesionistë kanë një qasje kaq konservatore dhe se si ata ende e trajtojnë shëndetin seksual si një temë tabu. Sipas tyre, mjekët i referohen normave e traditave ku virgjëria e “çikës” ka qenë më e shenjtë se vetë jeta e vet edhe seksi ka qenë ajo faza kalimtare prej çikës në grua. Megjithëkëtë, Aurela, Suzana e Trimi kanë pasur hapësirën të kalojnë një hap tutje situatave të tyre të pakëndshme dhe kanë arritur të adresojnë shqetësimin e tyre.

Nuk duhet lënë pa përmendur sfidat që haste në raportimin e rasteve. Këtë sfidë e përmend edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, i cili pranon që ka informacione të mjaftueshme që gratë përballen shpeshherë me situatë të këtilla, porse tregon për raportim të ulët të këtyre rasteve të ndjeshme. Kodra këtë raportim të ulët e ndërlidhë me mungesën e njohurive rreth të drejtave të pacientit nga vetë pacientët. Kjo konfirmon nevojën e promovimit sa më të zëshëm të të drejtave të pacientit, paralelisht me promovimin e qasjeve të hapura, jodenigruese e joparagjykuese nga personeli mjekësor.

Në një shoqëri ku mbizotërojnë norma të pasfiduara rreth moralit e ndershmërisë, që shpeshherë emërues të përbashkët kanë “virgjërinë” dhe në shoqëri ku kujdesi për shëndetin seksual e riprodhues dhe kërkimi haptas i të drejtave seksuale e riprodhuese – janë akte ende të panjohura e “të papranueshme”, të flasësh rreth këtij shëndeti e këtyre të drejtave është shndërruar në guxim. Puna me shoqërinë dhe qëndrimet e saj ka filluar, por pa dyshim ky është proces kompleks dhe që kërkon kohë, ashtu siç kërkon kohë çdo sjellje e shprehi që të riformësohet apo të transformohet. Megjithëkëtë, personeli mjekësor bart përgjegjësinë që të mos mirëmbajë assesi një gjendje ku qasja në shëndet riprodhues e seksual mund të jetë e lehtë vetëm teknikisht.

Çdo mjek, përbrenda të qenit njohës i fushës së tij, duhet të ketë shkathtësi të komunikojë drejt dhe me gjuhë jodiskriminuese ndaj pacientëve/eve të tij. Rrjedhimisht, mjeku nuk duhet të cenojë integritetin e pacientit e as të shkelë Betimin e Hipokratit si simbolikë, por në instancë të fundit, as ligjin e derivuar nga shteti në të cilin ai zhvillon veprimtarinë, përpara të cilit ai sikur pacientët e tij janë të barabartë dhe të obliguar ta aplikojnë. “4.5. Ofrimi i shërbimeve është pa asnjë diskriminim, atëherë kur gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore qytetarët nuk janë të diskriminuar në bazë të pozitës së tyre shoqërore, pikëpamjeve politike, prejardhjes, kombësisë, religjionit, gjinisë, preferencave seksuale, moshës, gjendjes martesore, paaftësisë trupore ose mendore, kualifikimit ose mbi çfarëdo baze tjetër, e cila nuk është e lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore”.

Këtë e dinë edhe në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Kjo qendër madje u dërgon në vazhdimësi qarkore informative të gjitha njësive përbërëse që janë nën menaxhim të SHSKUK-së, ku kërkohet që në vazhdimësi të respektojnë kodin etik-profesional dhe ligjet në fuqi.

“Ligji për Shëndetësi, por edhe legjislacioni tjetër në fuqi garantojnë trajtim të barabartë për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë gjinore, etnike dhe bindjet e tjera”, thotë drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj.

Megjithatë Gjocaj e largon përgjegjësinë nga ky institucion shëndetësor.

“Me shëndetin riprodhues më shumë merret Mjekësia Familjare, e që nuk është kompetencë e SHSKUK-së”, thotë ai.

Manifestimi i normave tradicionale e konservatore tek personeli mjekësor e tek farmacistët, në një formë bllokon pothuajse të vetmet burime që të rinjtë/rejat dhe popullata kanë për mbrojtjen e shëndetit riprodhues e seksual. Përderisa, përkundër përpjekjeve të shpërndarjes së kontraceptivëve në qendra të ndryshme mjekësore apo në OJQ, farmacitë mbesin dera kryesore ku individët drejtohen. Në një kohë kur shfrytëzimi i burimeve për mbrojtjen e shëndetit seksual e riprodhues është i pakënaqshëm, ajo që nuk i duhet fare shoqërisë është shpërfaqja e diskriminimit e stigmës nga vetë personeli.

Në vend se të krijojë një distancë kaq të madhe pacient-personel mjekësor, është ky i fundit që duhet të ketë për mision shëndetin e pacientëve, e si mbrohet shëndeti kur pacientët tashmë janë të irrituar, të ndrojtur, të paragjykuar, e si rezultat edhe hezitues që të marrin shërbime shëndetësore, varësisht prej nevojës që ata mund të kenë për një të tillë.

Kuptohet që mund të ketë qenë sfidë që personeli mjekësor disi të shkëputet nga mendësia konservatore e tradicionale, por kjo nuk amniston qasjen joprofesionale. Konteksti i përgjithshëm kulturor është faktor i rëndësishëm në formësimin e qasjes së personelit mjekësor edhe sipas sociologes Luljeta Demolli, e cila shprehet se “Qasja e personelit mjekësor ndaj pacientëve është e ndërlidhur drejtpërdrejt me kontekstin e përgjithshëm kulturor në të cilin pjesëtarët e tij janë formësuar dhe ku e aplikojnë profesionin”.

Nga një pikëvështrim tjetër për këtë flet edhe dr. Ilir Begolli, i cili tregon për ndërlidhshmërinë e madhe në mes mënyrës tradicionale të të komunikuarit me mungesën e lëndës së komunikimit (apo integrimin e saj të vonshëm në kurrikula) në nivelin e mesëm dhe bachelor të punëtorëve shëndetësorë. Përkundër kësaj dr. Begolli, ndër të tjera thotë: “Por të gjitha këto nuk e justifikojnë në asnjë mënyrë atë se punëtori shëndetësor nuk duhet ta kuptojë gjuhën e personave me të cilët komunikon dhe jo vetëm gjuhën, por ndoshta edhe trajtat lokale për pjesët e trupit apo fenomenet që në popullatën lokale përdorën (p.sh.: teshat për ciklin menstrual e të ngjashme).”

Ngjashëm flet edhe Aulonë Kadriu, e cila ka punuar në fushën e shëndetit riprodhues e seksual për një kohë të gjatë, sipas së cilës këto qasje të papërshtatshme janë krijuar nga një rend konservator, një shoqëri në tranzicion dhe një mosfunksionim i mekanizmave monitorues e as i atyre ku mund të raportohen këto raste, por, sipas saj, këto qasje “por ama nuk justifikohet assesi kur bëhen nga kushdo, e sidomos nga individë që kanë dhënë Betimin e Hipokratit apo prej atyre që kanë pozita që lidhen drejtpërdrejtë me jetët, shëndetin dhe mirëqenien e popullatës”.

Sa më e madhe distanca pacient-mjek, pacient-farmacist aq më shumë rrezikohet shëndeti seksual e riprodhues i popullsisë kosovare, sidomos rinisë, prandaj mund të paramendohet që largimi i pacientëve apo individëve që kërkojnë mjete kontraceptive në farmaci, me qasje joprofesionale mund të sjellë pasoja që as mjekët e as farmacistët nuk do të mund t’i parandalonin.

Sa më e vështirë që bëhet për popullatën që të kenë qasje në shërbime shëndetësore, aq më e lehtë u bëhet rruga sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, HIV/AIDS që nuk ka kurë. Sa më e zhgënjyer që të jetë popullata nga pasiguria që ofrohet nga personeli mjekësor, aq më shumë ekspozohet ndaj shtatzënive të paplanifikuara dhe sjelljeve të rrezikshme sa i përket shëndetin seksual e riprodhues.

Se mungesa e informimit për të drejtat themelore të pacienteve të garantuara me ligj, rëndësinë e këshillimit dhe ngurrimi për të pyetur ndikojnë që shumë shërbime shëndetësore lehtësisht të realizueshme të mbesin të paofruara, e konfirmojnë edhe në organizatën “Aksioni për nëna dhe fëmijë”.

Për të përmirësuar marrëdhëniet pacient-mjek dhe shëndetin e nënave dhe fëmijëve, AMC-ja siç shpjegon Dafina Krasniqi nga kjo organizatë, ka krijuar qendrat informuese për shëndetin e gruas, ku ofrohen këshilla për shëndetin seksual dhe riprodhues, shtatzëninë dhe kujdesin ndaj nënës dhe foshnjës.

AMC-ja me partnerët mbështetës po ashtu ka iniciuar pilotprojektin për pap-teste pa pagesë në komunën e Prishtinës, i cili tani do të sigurohet si shërbim i rregullt në nivelin e mjekësisë familjare nga Komuna e Prishtinës.

Krasniqi flet edhe për disa nisma që ka bërë kjo organizatë.

“Nismë shumë e rëndësishme është edhe krijimi i Koalicionit K10, një Koalicion i 10 organizatave joqeveritare, i pari i llojit të tij në rajon. Ky Koalicion synon avokimin për përmirësimin e shëndetit seksual dhe riprodhues përmes aktiviteteve që zgjerojnë njohuritë e qytetareve për shëndetin dhe të drejtat e tyre dhe avokimit tek institucionet politikëbërëse për një kornizë ligjore që implementohet në tërësi”

Digjet një lokal në Suharekë

0

Në orët e mbrëmjes një lokal në Stacion të Autobusëve në Suharekë është përfshirë nga flakët.

Sipas dëshmitarëve, raporton TherandaPost, flakët kanë shkatërruar lokalin dhe shkaqet nuk dihen se si ka ardhur deri te zjarri.

23 persona në paraburgim e një në arrest shtëpiak për marrje ryshfeti në Prizren

0

Gjykata Themelore e Prizrenit sot vendosi lidhur me masat e sigurisë për prezencën në procedurë për 24 nga 59 zyrtarët policorë të arrestuar për marrje ryshfeti.

Gjykata e Prizrenit për 23 zyrtarë policorë ka caktuar masën e paraburgimit, ndërsa për njërin prej tyre masën e arrestit shtëpiak.

“Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurve me inicialet N.A. nga fshati Lubiqevë, Prizren, M. S. nga fshati Zaplluzhë, Dragash, B. B. nga fshati Shkozë, Malishevë, D. B. Prizren”, tha zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Prizrenit, Afërdita Kicaj.

Ajo, poashtu njoftoi se seanca ndaj katër të pandehurve të lartcekur është mbajtë në ora 10.30 minuta. Ata dyshohen të kenë kryer veprën penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje.

“Seanca e radhës ka filluar në ora 13.30 minuta e cila ka përfunduar në orët e mbrëmjes, me 20 të pandehur me inicialet: Sh. D. –Kamenicë , S. V.-Prishtinë, A. RR. – Prishtinë, M. B. – Budakovë, I. D. –Lipjan, I. A. –Vushtrri, A. E.-Krojkov,B. Z.-Lladroc,Q. B. – Zhabari i Ulët, A. G. – Lluzhan, A. RR. – Llaush, S. N. – Prishtinë, Sh. G.nga Bardh i Madh, Sh. Z. – Keqekov, A. K. – Fushë Kosovë, L. G. – Llapushnik, Sh. Z. – Prishtinë, N.Z. – Malishevë, N. R. – Vushtrri. Ndaj këtyre të pandehurve Gjykata ka caktuar masat e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, ndërsa ndaj të pandehurit me inicialet B.Z. nga fshati Senik Komuna e Malishevës, Gjykata i caktoi masën e arrestit shtëpiak në kohzgjatje prej një muaji” tha Kicaj.

Të gjithë të pandehurit dyshohen të kenë kryer veprën penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje.

Argjendarët e Prizrenit kërkojnë më shumë siguri

0

Problemin e sigurisë së zejtarëve në Prizren fillimisht e pati diskutuar deputeti Zafir Berisha, kur theksoi se zejtarët në rrugën “Adem Jashari” nuk po ndihen shumë të sigurt për shkak të dyshimeve sepse mund të plaçkiten. Zëdhënësi i Policisë rajonale, Hazir Berisha, është shprehur se deri më tani nuk ka pasur rritje të ndonjë kriminaliteti. “Por, këtë rast do ta kemi parasysh dhe do të shtojnë patrullat e policisë”. Kryetari i zejtarëve të Prizrenit, Refet Bushati, shprehet për gazetën se disa argjendarë kanë shprehur shqetësimet e tyre.

“Pas kësaj ne kemi kontaktuar dhe kemi diskutuar me ish-drejtorinë e Inspektorateve, mirëpo meqë tani u ndërruan kemi mbetur ende pa e kryer këtë çështje”, tregon ai. Zejtarët pas rasteve të disa plaçkitjeve të shtëpive kanë filluar të frikë- sohen se një gjë e tillë do t’u ndodhë edhe atyre.

Policët me rroba civile në afërsi të shkollave Për sigurinë e tyre është shprehur i shqetësuar edhe kryetari i SHZAP-së, Sami Dida.

“Unë mendoj se për të gjithë bizneset duhet të ketë komuna, e veçanërisht polici,a kujdes të shtuar. Na duhet një siguri më e madhe për ata”, është shprehur ai. Ndërsa Bushati pohon se e di se siguria u duhet lokaleve të argjendarëve dhe ata duhet të krijojë një orar më të përshtatshëm, ngase lokalet e tyre kanë mall me vlerë. Komuna e Prizrenit, për të parandaluar dhunën në shkolla, në bashkëpunim me policinë rajonale, prokurorinë dhe tashmë së fundi edhe me kryetarët e klasave të maturantëve, organizon takime me qëllim që të shërbejnë në parandalimin e dhunës edhe në shkollat e komunës së Prizrenit.

Kapiteni Hazir Berisha nga policia thotë se masat e sigurisë tashmë i kemi shtuar në të gjitha rrugët edhe në shkollat dhe ato i bëjnë në rroba civile.

“Kontrollime në rrugë do të këtë edhe në ditët që vijnë”, u shpreh ai.”Jemi duke kontrolluar të gjitha rrugët. Aktivitetet tona tashmë janë duke u bërë nga policët e terrenit, por me rroba civile. Kemi krijuar një bashkëpunim tepër të mirë edhe me qytetarët”, u shpreh ai.

(Kosova Sot)

Kadri Veseli premton përkrahje për Prizrenin

0

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka vlerësuar lartë punën që është bërë në Prizren. Ai ka premtuar përkrahje edhe në të ardhmen për këtë qytet.

“Kemi edhe shumë për të bërë”, premtoi Veseli, në 17 –vjetorin e themelimit të Degës së PDK-së në Prizren.

Ai ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen PDK-së.

“PDK-ja do të jetë e hapur”, tha Veseli. /PrizrenPress.com/

Vehapi mbajti debatin i dytë publik

0

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi ka mbajtur sot debatin e dytë publik me qytetarë. Fillimisht, kryetari Vehapi tha se nga ajo që na obligojnë ligjet në fuqi me përgjegjësi të plot mund të them se prej fillimit të vitit 2014, deri në këto momente që po ju raportojmë me një përkushtim të madhe kemi arritur që Komuna e Rahovecit të bjer në binar të stabiliteti financiar, ku mbi 95% të obligimeve të vjetra tashme janë shlyer ndaj operatorëve ekonomik, njëkohësisht duke mos hyr në obligime të reja pa mbulesë buxhetore

Kurse për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies, kryetari përmendi raportet të cilat në vazhdimësi i përgatisin OJQ-të e ndryshme të cilat e monitorojnë Komunën e Rahovecit dhe ueb-faqen zyrtare për publikimet e vendimeve, urdhëresave , raportet financiare dhe dokumentet të tjera dhe për këtë Komuna e Rahovecit në regjion të Prizrenit qëndron në vendin e parë. Për investimet në arsim u shpreh se janë ndërtuar dy objekte të reja shkollore ai i SHFMU “Isa Boletini” Rahovec , donacion nga Bashkimi Europian dhe ndërtimi i objektit të ri të SHFMU “Lidhja e Prizrenit” në Opterushë, financuar nga buxheti Komunal, dhe kanë filluar punimet për ndërtimin e objektit të ri të SHFMU ”Mustafë Ibishi” në fshatin Kramovik investim nga buxheti Komunal dhe do të ndërtohet objekti i ri i SHFMU “7 Shtatori” me mjete të Ministrisë së Arsimit.

Përmes projekti me Bashkëfinancim me Caritas Kosova–Komuna Rahovec–Ministria e Shëndetësisë janë punësuar 31 punëtor shëndetësor, 4 mjek, 2 stomatolog, 25 infermier. Kurse përmes DRKS-së është bërë subvencionimi i klubet sportive, shkollave të futbollit , OJQ dhe Shoqëri Kulturore Artistike, me shumë të përgjithshme 30.670 euro. Ndërsa investime në sektorin e bujqësisë tha se janë ndarë 93 sera me 150 m² në bashkëfinancim me fermerët (75:25), vlera e projektit është 102 095,4 €. Ka përfunduar projekti “Zgjerimi i sistemit të ujitjes në Ratkoc, Vrajak dhe Bratatin”. Me këtë projekt do të mundësohet ujitja për 73 Ha tokë të punueshme.

Gjatë kësaj periudhe janë rregulluar katër rrugë fushore dhe nëntë rrugë të tjera do të rregullohen gjatë vitit 2017.Kurse sa i përket investimeve të cilat janë kryer në përmirësimin e infrastrukturës në përgjithësi në Komunën e Rahovecit u shpreh se kanë filluar punimet në kubëzimin e 39 rrugëve dhe rrugicave në qytetin e Rahovecit, po ashtu në qytetin e Rahovecit është punuar në mirëmbajtjen dhe zgjerimit të ndriçimit publik ku në kuadër të këtij projekti janë ndriçuar disa rrugë ky projekt pritet të vazhdohet edhe në fshatrat Ratkoc, Fortesë dhe Krushë e Madhe.

Përmes projektit janë kubëzuar rrugët në fshatrat Pastasellë, Polluzhë, Vrajak, Ratkoc, Gexhe, Sopniq, Reti e Poshtme, Xërxe, Celinë dhe Hoçë e Vogël, kubëzim të rrugëve do të ketë edhe në fshatrat të tjerë për këtë edhe është bërë planifikimi i duhur. Kanë përfunduar punimet për ndërtimin e trotuarit në rrugën e UÇK-së në qytetin e Rahovecit me gjatësi prej 1700 metrave, gjatë vitit 2017 do të vazhdoj ky trotuar deri tek vendi i quajtur “Rrasa” në hyrje të qytetit të Rahovecit nga Komuna e Malishevës. Gjatë kësaj periudhe janë asfaltuar edhe disa rrugë siç është rruga “Hadije Spahiu” në qytetin e Rahovecit, Asfaltimi i rrugës Potoqan të Epërm(lagjja Bellaqa), asfaltimi i rrugës Retij-Mamushë dhe asfaltimi i rrugës Ratkoc-Baboc.Kurse për investimet në projekte të cilat kanë të bëjnë me ujësjellës tha se në këtë drejtim është punuar në fshatrat Guri i Kuq, Polluzhë, Pastasellë, Zatriq dhe Retij , në Pastasellë dhe Zatriq janë shtruar gypat dhe kanë mbetur të vendosen trafot elektrike.

Pas informimit nga ana e kryetarit të Komunës për projektet të cilat janë realizuar dhe që janë në realizim e sipër, qytetarët të cilët ishin në prezent shtruan pyetjet e tyre , pyetje në të cilat përgjigjet i morën nga kryetari Vehapi.Vllaznim Canziba, kryetar i lagjes së pestë në qytetin e Rahovecit, e falënderoi kryetarin për investimet e bëra në kubëzimin e dy rrugëve dhe për planifikimin e kubëzimit edhe të tri rrugëve tjera por tha se problemi është rregullimi i rrugëve fushore. Për këtë pyetje, kryetari Vehapi u përgjigje duke thënë se pastrimi i prrockave dhe rregullimi i rrugëve fushore janë prioritet i qeverisë Komunale, janë rregulluar disa rrugë fushore dhe sigurisht që do të vazhdojmë edhe me rregullimin edhe të disa rrugëve të tjera gjatë vitit 2017.Behar Thaqi, kryetar i këshillit të fshatit Xërxe, u shpreh se bazuar në buxhetin e Komunës së Rahovecit, jemi të kënaqur me investimet e bëra nga Komuna , pasi që janë rregulluar dy rrugë, është rregulluar një segment i kanalizimit dhe janë pastruar prrocka në brendi të fshatit.

Daut Bytyqi, nga fshati Dejnë, kërkoj nga kryetari që të ndalën subvencionet dhe mjetet e subvencioneve të orientohen në rregullimin e rrugëve fushore me zhavorr .Përgjigjja e kryetarit në kërkesën e Daut Bytyqit ishte kjo se për këtë vit buxheti i Komunës është aprovuar nga ana e Kuvendit dhe nuk kemi mundësi të bëjmë ndonjë ndryshim tek kodi i subvencioneve në bujqësi.

Bastiset një shtëpi në Grazhdanik të Prizrenit

0

Policia në Prizren ka bastisur një shtëpi në fshatin Grazhdanik. Bastisja është bërë me urdhër të Gjykatës.

“Gjatë bastisjes janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjysmë automatike me 5 fishekë”, njofton Policia e Kosovës.

Nuk raportohet për të arrestuar, ndërsa rasti me vendim të prokurorit ka shkuar në procedurë të rregullt./PrizrenPress.com/

UPZ,  lidhi marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor

0

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren, ka arritur marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Marrëveshja përkatëse është nënshkruar të mërkurën, mes Rektorit në UPZ Prof. Dr. Ramë Vataj dhe u. d. Ministrit të MMPH-së, Prof. Dr. Ferat Shala.

Rektori Vataj e falënderoi ministrin Shala për gatishmërinë që të arrihet marrëveshje e bashkëpunimit në mes të dy institucioneve.

“Me këtë marrëveshje studentët tanë do të kenë mundësi të bëjnë praktikë në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, por edhe t’i shfrytëzojmë parqet nacionale, sepse ne kemi një program i cili është unik në Kosovë”, ka thënë Vataj, duke shtuar se kjo shkon në funksion të hapjes së drejtimeve të reja në Fakultetit e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit në UPZ.

“Studentët përveç që do të kenë mundësi të bëjnë praktikë, ne do të kemi mundësinë që Ministrisë t’i ofrojmë konsulencë, apo pjesëmarrje aktive të legjislacionit për fusha të caktuara, me të cilat Universiteti ka kompetencë”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ushtruesi i detyrës së ministrit të MMPH-së,  Prof. Dr. Ferat Shala, e falënderoi Rektorin Vataj për gatishmërinë e pritjes së bashkëpunimit që të rritet shkalla e bashkëpunimit në nivel zyrtar.

“Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor po konkretizon marrëveshjet të cilat do të hapin shteg të rëndësishëm në bashkëpunimin ndërinstitucional, ku shkenca dhe menaxhimi do të jenë pjesë përbërëse e planifikimit tonë, ku shkenca dhe rinia do të jenë ata që do të dhënë kontributin maksimal jo vetëm në përgatitjen e tyre, por edhe në dhënien e vlerave shkencore dhe akademike në bashkëpunimin ndërinstitucional, në fushën e menaxhimit të parqeve të planeve urbane dhe shumë sfera tjera që ky universitet ka në kuadër të vet kapaciteteve shkencore akademike”, ka thënë Shala.

 

Hoxha: Nuk kam kryer vepër penale

0

Ish-kreu i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha në gjykimin ku akuzohet për shpërdorim detyre tha se nuk ka kryer ndonjë vepër penale.Gjatë fjalës përfundimtare në gjykimin ku akuzohet për shpërdorim detyre ngase nuk shqyrtoi ankesat e dy operatorëve rreth një tenderi të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), ish-drejtuesi i Organit Shqyrtues të Prokurimit Hysni Hoxha veten e konsideroi të pafajshëm.

“E mbështes fjalën përfundimtare të avokatit, unë në asnjë mënyrë nuk kam kryer ndonjë vepër penale,” tha në fjalën përfundimtare Hoxha.

Avokati i tij Sahit Bibaj që fjalën përfundimtare e dorëzoi të shkruar tha se gjykimi nuk ka vërtetuar fajësinë e Hoxhës.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk është vërtetuar se i akuzuari është fajtor për veprën që është akuzuar,” tha Bibaj, duke i kërkuar gjykatës lirim të Hoxhës.

Por prokurori i Prokurorisë Speciale Haki Gecaj kërkoi të kundërtën-dënimin e Hysni Hoxhës.

“I pandehuri ka shkelur shumë dispozita të ligjit të prokurimit publik. I akuzuari është penalisht përgjegjës dhe propozoj që të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit,” tha Gecaj.

Gjykata do të vendosë për dënimin ose lirimin e Hoxhës më 23 dhjetor.

Sipas aktakuzës së prokurorisë, Hoxha si kryetar i OShP-së i tejkaloi kompetencat e tij ligjore ashtu që më 3 tetor 2014  dhe 9 tetor 2014 në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik dhe Rregulloren e Punës së OShP-së  me  konkluzionin se është “res judicata” [e gjykuar më parë], pa i shqyrtuar i ka refuzuar ankesat e disa operatorëve ekonomikë të datës 2 tetor 2014.

Bëhet fjalë për ankesat e konzorciumeve “Caraglio SRL” dhe NTSh “Electra” të ushtruara kundër vendimit të autoritetit kontraktues KOSTT lidhur me aktivitetin e prokurimit “Instalimi i Grupeve Matëse në Kufirin në mes të KOSTT (KEK) OSSh,  edhe pse për këtë ankesë kompetent për vendosje sipas aktakuzës ishte paneli shqyrtues i OShP-së në përbërje prej 5 anëtarëve.

Lidhur me këtë aktivitet prokurimi fillimisht ishte raportuar në KALLXO.com, ndërsa   emisioni “Jeta në Kosovë”  kishte bërë një emision në tetor të vitit të kaluar ku të ftuar ishin drejtori i prokurimit në KEDS, Hysni Hoxha si kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) dhe Lutfi Gashi përfaqësues i “Electra-s”.

Vlera e këtij aktiviteti të prokurimit ishte 2,327,240 euro.

KOSTT-i kishte nisur më 2012 projektin e instalimit të grupeve matëse në kufirin mes KOSTT-it, Korporatës Energjetike dhe OSSh-së që është korporata publike e shpërndarjes së energjisë në Shqipërisë.

Prej 2012-ës e deri në shtator të vitit 2014 ky tender është anuluar katër herë dhe është përcjellë me akuza për parregullsi.

Dy tenderë janë anuluar me arsyetimin e KOSTT-it se ka pasur më pak se dy oferta të përgjegjshme, i treti është anuluar me kërkesë të Agjencisë Kundër Korrupsion, ndërsa herën e katërt është anuluar me vendim të Organit Shqyrtues të Prokurimit.

KOSTT-i së fundi më 22 shtator të vitit 2014 shpalli fitues konzorciumin NP “Monten& G3 Inxhinjering” përfaqësues i së cilës është Nexhmi Kastrati. Kjo kompani ofertoi me 2 milionë e 327 mijë euro për kryerjen e kësaj pune.

Ndërsa më 4 nëntor 2014 është nënshkruar kontrata mes KOSTT-it dhe këtij konzorciumi. Për këtë aktivitet prokurimi ishte ankuar kompania “Electra”.

Prokuroria i nisi hetimet për këtë tender të KOSTT-it në prill të vitit të kaluar./kallxo.com/

 

Autoritetet e Malishevës insistojnë për kthim në rajonin e Prizrenit

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka takuar të martën zëvendësministrin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Bajram Gecaj, para të cilit ka paraqitur disa shqetësime që kanë të bëjnë me punën e përditshme të autoriteteve lokale.

Me këtë rast kreu i Malishevës ka kërkuar nga zyrtari i lartë qeveritar që të angazhohet për kthimin e kësaj komune në kuadër të rajonit të Prizrenit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas njoftimit të Zyrës komunale për informim, Begaj dhe Gecaj kanë diskutuar për çështje të ndryshme dhe janë pajtuar për rritjen e bashkëpunimit.

“Kryetari Begaj ka kërkuar nga zv.ministri Gecaj angazhimin e tij personal në zgjidhjen e problemit të rajonit dhe kthimin me rajonin e Prizrenit”, thuhet në komunikatë