Home Blog Page 6206

Policia në ndjekje të këtyre dy personave nga Prizreni[foto]

0

Policia e Kosovës për rajonin e Prizrenit ka publikuar fotografitë e dy personave të kërkuar për vjedhje të rënda në këtë rajon.

“Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren kërkon nga qytetarët të cilët mund të kenë njohuri për vendqëndrimin e këtyre dy personave të dyshuar të cilët janë në kërkim për vepra të ndryshme penale kryesisht vjedhje dhe grabitje të njoftojnë policinë e Kosovës përmes telefonit 192 ose stacionin më të afërt”, njofton Policia e Kosovës.

Ambroz Pjetër Morina dhe Driton Ali Bytyqi, njofton PK-ja, dyshohet se i takojnë një grupi të organizuar prej katër apo më shumë personave, të cilët kanë kryer shumë vjedhje nëpër Kosovës.

Dyshja janë të njohur për grabitjen e armatosur në një shtëpi në rrugën “Hoxhë Tasini” në Prizren që kishte ndodhur më gjashtë tetor.

Ata kanë vjedhur një shumë të konsiderueshme të parave dhe stolive të arit.

Policia ka arritur që dy të dyshuar nga grupi të arrestohen ndërsa dy të tjerë janë në kërkim. Sipas informatave që i posedon polica të dyshuarit janë të armatosur dhe të dhunshëm.

Mbrëmje përkujtimore për poetin, Abdullah Thaçi

0

Shoqata për Kulturë dhe Artë “Fidani” në Prizren, sot organizon një mbrëmje përkujtimore për poetin Abdullah Thaçi.

Mbrëmje përkujtimore mbahet në Shtëpinë e Kulturës “Xhemajli Berisha”, në ora 18:00

Poeti Abdullah Thaçi, ishte mjaft produktiv në letrat shqipe, e në veçanti në letërsinë për fëmijë.

U lind në fshatin Novosellë të Pejës më 1942, kurse vdiq në vitin 2015. Shkollimin fillorë e ka mbaruar në vendlindje, të mesmen në Pejë, ndërsa Fakultetin e shkencave të natyrës, dega e Kimisë, në Universitetin e Prishtinës.

Në kohë të gjatë, punon si profesor në Gjimnazin e Prizrenit. Disa nga veprat e tija, janë; “Lumi i dritës”, 1980, “Treni i bardhë”, 1982, “Duke pritur ylberin”, 1983, “Piknik poetik”, 1986, “Anës Drinit”, 1989, “Ani, Kosovë, ani”, 1994, etj. /PrizrenPress.com/

Policia zbulon mulli të marihuanës në Prizren

0

Në fshatin Skorobisht të Prizrenit është zbulluar një mulli i cili ka shërbyer për bluarjen e mariuhanës

“Gjatë kontrollit tek dy të dyshuarë të nacionalitetit boshnjakë janë gjetur dhe janë konfiskuar 5.39 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit ‘Marihuanë” dhe një mulli që shërben për bluarje të marihuanës”, njofton Policia e Kosovës.

Me vendim të prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt./PrizrenPress.com/

Dritëro Agolli dhe arbëreshët: kujtim i një takimi të largët tre dhjetëvjeçarë

0

Ishte viti 1988, pikërisht 30 gusht 1988. Po afrohej 500- vjetori i themelimit të Horës së Arbëreshëve (italisht Piana degli Albanesi), bashkia ku kam lindur unë. Për kremtimin e kësaj ngjarjeje historike qenë organizuar nisma që do të mbeteshin të paharrueshme për arbëreshët: një festë popullore në të cilën morën pjesë grupe folkloristike të ardhura nga të gjitha arealet shqipfolëse të Italisë dhe nga Ballkani, ekspozita pikture, një konferencë ndërkombëtare në të cilën referuan albanologë të ardhur nga vende të ndryshme të botës: nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Europa. Sigurisht nuk munguan edhe përfaqësimet e qendrave kërkimore shqiptare, midis të cilave dalloheshin ato të Universitetit të Tiranës e të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, si edhe delegacioni i rëndësishëm dhe prestigjioz i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ky i fundit ishte i kryesuar nga një intelektual i shquar, emri i të cilit ishte tashmë mjaft i njohur për shumë nga të rinjtë arbëreshë që i ishin qasur letërsisë shqiptare dhe që zienin nga mendimi se, së afërmi, do ta takonin. Emocione të forta, por edhe drojë e madhe përballë një autoriteti të padiskutueshëm e një personaliteti të shquar sikundër ishte ai i Dritëro Agollit. Së paku këto ishin ndjenjat që unë vetë provoja, duke konsideruar se nuk kisha pasur kënaqësinë për ta takuar personalisht autorin e veprave aq të famshme, disa nga më të arrirat e letërsisë bashkëkohore shqiptare. Ndër organizatorët zotëronte ankthi i pritjes së ditës në të cilën, më në fund, do të takoheshim me këto personalitete. Për arbëreshët, që në atë përvjetor të rëndësishëm ia kishin dalë t’i bashkonin shqiptarët e Republikës së Shqipërisë, të Kosovës, të Maqedonisë, të Greqisë dhe albanologë të shquar si amerikani Eric Pratt Hamp ose sovjetikja Agnija Desnitskaja, ishte një sukses me domethënie të madhe simbolike, ishte gati si një njoftim i asaj që pak vite më vonë do të ndodhte pashmangshëm me rënien e perdes së hekurt.

Sot, në largësinë e gati 31 viteve, merita e asaj ngjarjeje madhore historike është për t’u shënuar nga organizatorët, po edhe për të gjithë veprimtarët shqiptarë që dëshmonin një pjekuri të plotë dhe solide kombëtare në mbështetje të çështjes së përbashkët albanologjike.

Fjalimi përurues i Dritëro Agollit qe shumë i efektshëm. Jo rastësisht qe shoqëruar me duartrokitje të përsëritura dhe nga manifestime të konsensusit. Zgjoi reagime veçanërisht pozitive një nga konsideratat e gjata të tij në të cilën ngërthente me vizionin jashtëzakonisht të kthjellët e largpamës karakterin dallues të atij fenomeni sociologjik e kulturor që, pak më shumë se një dhjetëvjeçar më parë, Pier Paolo Pasolini e kishte përkufizuar “mrekullia antropologjike e arbëreshëve”. Pohonte Agolli:

Arbëreshët janë bijtë tanë, nëse marrim parasysh faktin se nënë e tyre e lashtë është Shqipëria. Në të njëjtin kohë ata, për sa u përket zakoneve, riteve, trashëgimisë kulturore e materiale dhe gjuhës, janë edhe pararendësit tanë, sepse na japin mundësinë të njohim mënyrën e jetesës së shqiptarëve në Shqipërinë e shekullit XV, d.m.th. fëmijërinë tonë. Kjo nuk do të thotë aspak se ne do të jemi të prirur ta konsiderojmë Horën si një specie të muzeut ku të zhvillohen kërkime mbi gjuhën dhe zakonet, ku të shkojmë për të kërkuar fosile të qytetërimit tonë. Përkundrazi, ne urojmë ta shohim Pianën në lulëzim të përhershëm, në një zhvillim ekonomik e kulturor në gjirin e shoqërisë italiane, për të ruajtur identitetin e vet, pa zgjedhur izolimin. Kultura europiane, sikundër pohon një shkrimtar i njohur, është Promete, Faust e Sizif njëkohësisht. Por unë shtoj: të jetosh në mesin e saj do të thotë të dish edhe të mbrohesh për të mos u asimiluar, po edhe për t’u pasuruar e për të mos u vjetruar.

Të jesh, njëkohësisht, bij dhe etër (pararendës) nuk është ndoshta sekret i madh i mrekullisë që njeriu trashëgon qysh nga çasti kur lind? A nuk është në misionin e jetës së atij që ka lindur, të krijojë nga ana e vet? E përse faktet kulturore dhe proceset që fatalisht ndërlidhen nuk mund të konsiderohen në këtë optikë ? Raporti ndërmjet arbëreshëve dhe shqiptarëve në këtë kalim të shpejtë e të guximshëm spekulativ të Agollit përmbante ngjyresa inovative, i flakte stereotipet e vjetra dhe fuste në veprim kategori njohëse à la page. Para të gjithave ajo që i lejonte për të vlerësuar tezën e disa shkollave sociologjike të përparuara dhe që kishte paraparë tashmë identitetin e “dyfishtë” që e karakterizon ab ovo kulturën arbëreshe: nga njëra anë, të lidhur e të rrënjosur në “traditën” që ia ushqente shpirtin dhe, nga ana tjetër, kryeneçësisht të projektuar në dimensionin europian që e mvishte me një dozë të duhur moderniteti. Në këtë binom, vetëm në pamje të jashtme të ndërtuar rreth një paradoksi, bashkëjetonin të dyja qëndrimet kryesore ideologjike të arbëreshëve, ruajtja e trashëgimisë atavike (gjuha, riti, traditat antropologjike) dhe pasurimi i tyre nëpërmjet një “të përshëndeturi” të kontaminuar me prirjet më të përparuara të kulturës europiane. Ja përse Agolli e ndien të nevojshme të pohojë se «fenomeni historik arbëresh është ndër më mbresëlënësit» dhe ja përse në vlerësimin e tij mendjehollë u njeh bijve dhe e etërve të tij meritën e madhe se kanë ditur të shkrijnë në një horizont të vetëm dy kauza të kundërta, por konvergjente, që mund ta asgjësonin atë bashkësi: asimilimin, nga njëra anë, dhe izolimin, nga tjetra.

Kjo paradigmë i, që antropologë, sociologë, gjuhëtarë dhe historianë të shquar u përpoqën ta ilustrojnë pikërisht në këtë kungë shkencore, qe gdhendur në përfytyrimin e dëgjuesve qysh nga hapja e kongresit nga fjalët e thjeshta dhe të gdhendura të një shkrimtari që diti në atë mënyrë të hakmerrej simbolikisht ndaj epërsisë intuitive që letërsia ushtron mbi të ashtuquajturat shkenca sociale. Nuk munguan mbështetësit dhe përkrahësit e njëzëshëm të diskutimit që Agolli shqiptoi, jo pa e errësuar emfazën që gjithmonë i karakterizon performancat publike e që në atë rast prodhoi një amplifikim të mëtejshëm dhe të jashtëzakonshëm të entuziazmit të njëzëshëm të të pranishmëve.

Konferenca u zhvillua sipas programit; rezultatet e arritura, të dokumentuara në dy vëllime të akteve të botuara në vitin pasues, qenë me të vërtetë me peshë, sikundër shpesh më bie rasti të konstatoj nga numri i lartë i citimeve që shtrihen në mjedise të ndryshme të literaturës shkencore, letrare-filologjike, gjuhësore, historike, sociologjike, antropologjike. Ajo që, përkundrazi, nuk gjendet e dokumentuar me të njëjtën lehtësi është ana jozyrtare e atyre ditëve të ngjeshura, të ashtuquajturat ngjarje “dytësore” e “anësore”, të cilat i çimentojnë lidhjet ndërpersonale, forcojnë lidhjet individuale dhe inkurajojnë me ngrohtësi lindjen e miqësive të reja, të çiltra e të frytshme. Kjo anë “ekscentrike”, megjithatë, është për fat e dëshmuar mirë nga kujtimet e pashlyeshme të mbrëmjeve të bukura të organizuara nga animatorët dashamirë arbëreshë, që të gjithë vlerësues të identitetit kulturor dhe instinktivisht të tërhequr nga simpatia që zgjonte prania e “vëllezërve shqiptarë”. Një simpati e vërtetë që, sidomos në atë fund historik të një diktature, ia dilte të lërë mënjanë distancat ideologjike, mospërkimet dhe moskuptimet dhe, përkundrazi, të ekzaltonte hallkat e përkatësisë në vlerat shpirtërore, në vlerat kulturore dhe në ndodhitë historike të përbashkëta e të pranueshme. Gjatë njërës prej atyre mbrëmjeve të paharrueshme, të kaluar tërësisht në një shtëpizë në zonat anësore të Horës, në të famshmen fushë, u zhvillua një debat me interes të jashtëzakonshëm midis gjuhëtarëve të pranishëm dhe Dritëro Agollit. Diskutohej për etimologji – pak a shumë shkencore – dhe për origjinën e fjalëve të dokumentuara në të folmet arbëreshe që i përkasin një ligjërimi specifik sektorial: atij të kulinarisë. Nuk mund të ishte ndryshe: duke shijuar salsiçen e pjekur, krejt të përshtatshme edhe për gojën e joarbëreshëve, ishte e pamënjanueshme të mos bëhej edhe pyetja tashmë rituale rreth emërtimit në gjuhën zanafillëse, dhe ishte e ditur që e bëri pikërisht Dritëro Agolli. Likënkë, qe përgjigjja që ushqeu monologun etimologjik shumë argëtues ose, më mirë, paraetimologjik rreth origjinës së kësaj fjale. Fantazia e shkrimtarit mori vrap pa ndalesë në të gjitha drejtimet, hetoi thellësitë e teksteve letrare, gërmoi ndër bimsat e pështjelluara të kulturës popullore, u mundua të ngjitet deri në majat më të epërme të gjuhësisë historike, pastaj në fund, i dërrmuar nga lodhja e mundimshme, mbërriti në një konkluzion të papritur dhe të brohoritur me gjithë forcën e zërit: “kjo fjalë i bashkon simbolikisht shqiptarët në një republikë të vetme virtuale”. Askush në atë çast nuk mund ta parashikonte aftësinë mbartëse të së vërtetës që përmbahej në atë frazë në dukje pak impenjative. Sot e dimë se likënkë dhe variantet e saj vendore kanë vizituar lirisht vende të largëta dhe gjuhë të ndryshme: fjala vjen nga latinishtja luganica (që thuhet edhe luganiga e lugànega), që shënon një lloj salsiçeje që, sipas Varronit, ishte një suxhuku tipik i Lukanëve, popull i lashtë i vendosur në Basilikatë, ku edhe sot gjëllin toponimi “Lucania”. Më vonë sendi dhe fjala u përhapën edhe në Ballkan, saktësisht në Greqi ku loukaniko (ose loukanika) qe futur nga Timachida (në greqisht ????????? I-II shek p.k.) në librin e tij të recetave, duke u bërë edhe ajo një ushqim “kombëtar” grek, ndonëse duke pasur origjinë italike. Me të gjitha gjasat arbëreshët i njihnin fjalën dhe sendin që në Peloponez, dhe duke e prurë në Gadishullin italian, i dhanë sërish suxhukut të lashtë të derrit origjinën dhe identitetin e vet. Arbëreshët, për ta shënuar, kishin rindërtuar një “republikë virtuale” dhe likënkë ishte simboli i saj.

Intuita profetike e Agollit përsëritet gëzueshëm në ditët pasuese, derisa do të zgjidhej pyetja e fundit: çfarë emri i duhej dhënë republikës? Propozimi u ngrit nga një zë i mbetur anonim, por që qe pranuar njëzëshëm nga të gjithë: “republika e pirunit” ! Qysh nga ai çast lindte emri i një mjeti të vogël që ka modifikuar historinë e stilit të jetës europiane, një vend në imagjinatën kolektive të arbëreshëve, një vend që do të kishte qenë evokuar me gëzim e nderim në çdo rast kremtues, qoftë publik qoftë privat. Dhe emri i Dritëro Agollit do t’u transmetohej më të rinjve bashkë me njohjen e veprave të tij. Në vitet pasuese, në dhjetëvjeçarët pasues, Dritëroi nuk pati më rast për ta përsëritur atë udhëtim të parë midis miqve arbëreshë. Porse, ai zëri i tij i pakonfondueshëm, ajo dituri antike që vinte nga inkursionet e tij, ai theks kaq jashtëzakonisht “jugor” sikundër janë toskët, ata tinguj të pastër e të shkoqur me përpikmëri, kumbojnë ende në fushë. Në çastet kur përmallimi i kohës na bën më të brishtë, na vjen në mbështetje zhurma e erërave të dikurshme. Për këtë, dhe për artin e tij letrar të lartë e bujar, arbëreshët e Horës ia kushtojnë njëzëri homazhin e tyre Dritëro Agollit, duke i uruar:Edhe 100, more Arbëresh i dashur i Shqipërisë!

Prizren: Ngacmoi vajzën në Facebook, përfundon i arrestuar

0

Ditën e mërkurë, policia ka arrestuar një mashkull i cili për disa muaj rresht ka ngacmuar një vajzë, përmes rrjetit social Facebook si dhe thirrjeve telefonike.

Ngjarja ka ndodhur në Prizren.

Sipas raportit të policisë me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Haxhi Avdyli: Anëtarësimi i Jon Harrisonit, nderë i madh për LDK-në e Prizrenit

0

Kryetari i LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, thotë se britaniku Jon Harrison, me anëtarësim, ka nderuar LDK-në e Prizrenit.

“LDK është e nderuar që luftëtari i Koshares Jon Harrison është bërë pjesë e saj”, tha Avdyli për PrizrenPress.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka pranuar dje në radhët e veta Veteranin Luftëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, britanikun Jon Harrison.

Ceremonia e anëtarësimit të Harrison në LDK u zhvillua në Degën e LDK-së në Prizren, pas solemnitetit me rastin e emërimit të një rruge në këtë qytet me emrin e luftëtarit të lirisë së Kosovës, Jon (Xhon) Harrison.

“Harrison ka një respekt të veçanet për rolin e presidentit historik të Rugovës”, shprehet Avdyli.

Avdyli tregon se janë shumë faktorë që Harrison është bërë pjesë e LDK-së.

Sipas tij, britaniku Harrison, ka miq të shumtë në Kosovë.

“Ai ka një numër të madh të miqve duke përfshirë ish- ushtarët e Kosharës,që vazhdojnë të vlerësojnë një ikonë e tyre”.

“ Anëtarësimi i tij,tregon se LDK-ja si parti e traditës dhe shtet-ndërtimit mbetet e respektuar dhe e besueshme, si nga populli jonë, por edhe nga miqtë tanë nga globi”./PrizrenPress.com/

Në Malishevë u mbajt simpoziumi ndërkombëtar ‘Terrorizmi dhe terrori’

0

Në Malishevë, është mbajtur simpoziumi ndërkombëtar “Terrorizmi dhe terrori”. Ku aktivitete në Malishevë, është në kuadër të simpoziumit që e ka organizuar shoqata e shkrimtarëve dhe kritikëve shqiptar. Në këtë simpozium morën pjesë shkrimtar nga vende të ndryshme t botës, të cilët paraprakisht janë pritur nga kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.

Në këtë takim, si dhe një fjalimin e mbajtur në këtë simpozium, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, tha se “beson që do ta krijoni një bindje tjetër për Kosovën dhe këtë bindje ta përcillni në vendet e juaja, në mënyrë që edhe vendet që nuk kanë njohur Kosovën, ta njohin”.

“Jemi një popull që e dimë mirë se çka është terrori, pasi ne e kemi përjetuar në mënyrën më vrazhdë të mundshme dhe vetëm ata popuj që e kanë përjetuar terrorin e kuptojnë më së miri. Pavarësisht vuajtjeve, ne duam që ju ta njihni shtetin e Kosovës dhe të bëhemi popuj miq, pasi nga armiqësia nuk ka dobi”, tha Begaj.

Kryetari i shoqatës së shkrimtarëve dhe kritikëve të Evropës, Daniel Leuwers nga Franca, falënderoi Komunën e Malishevës, për mundësinë që ju është dhënë, për këtë simpozium, si dhe për mundësinë e organizimit të kësaj ngjarje poetike, ku shkrimtarët dhe poetët, do të kenë mundësi ti shkëmbejnë idetë e tyre, në fushën e poezisë, si dhe dhënien e mesazheve kundër terrorizmit dhe për paqe, mes të gjithë popujve në botë”.

Ndërsa Alla Pollosina, nga Rusia, foli për “Qendrën e Tolstoit” në Moskë, si dhe për angazhimin e tyre, për tolerancë dhe kundër terrorizmit, duke marrë shembuj nga thëniet dhe veprimet e Tolstoit.

Edhe Bluma Finkelnstain nga Izraeli, tha se vjen nga një vend që është në luftë, por që sipas saj, edhe Izraeli edhe Palestina kanë të drejtë të vendosin për fatin e tyre, sikur që edhe Kosova ka të drejtën e saj për të vendosur për fatin e saj, ashtu siç e ka bërë.

“Uroj që Kosova të ketë njohje dhe ta ketë vendin e saj në OKB, sikur edhe Palestina që e ka të njëjtën të drejtë”, tha shkrimtarja Finkelnstain.

Në këtë aktivitet, morën pjesë shkrimtar nga Shqipëria, Franca, Rusia, Izraeli, Spanja, Belgjika, Zvicra e vende të tjera.

Pas mbajtjes së orës letrate, ku morën pjesë edhe shkrimtar e poet nga Malisheva dhe komunat tjera të Kosovës, u shfaq edhe dokumentari i shkrimtares Yawl Armanet, e që lidhet me luftën mes Izraelitëve dhe Palestinezëve, vrasja e burrit të saj dhe falja që ka bërë kjo familje, dokumentar përmes së cilit, dërgohet mesazhi i tolerancës dhe kundër terrorizmit. /PrizrenPress.com/

Gucati: Qeveritarët i bënë 3000 veteranë pa qenë në luftë

0

Kryetari i ri i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, thotë se listën e veteranëve e ka fryrë vetë Qeveria. Ai thotë se qeveritarët kanë sjellë mbi 3 mijë emra për t’i bërë veteranë, për të cilët Gucati thotë se nuk e dinë ku kanë qenë në luftë

Numrin e madh të veteranëve nuk e sheh problem për buxhetin e shtetit kryetari i ri i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati.

Ai në një intervistë për gazetën “Zëri” flet për listat e veteranëve, për të cilat thotë se nuk janë fryrë nga komandantët apo organizatat e dala nga lufta, por nga vetë Qeveria.

Ai thekson se ishin pikërisht qeveritarët, pa specifikuar me emra, që sollën mbi 3 mijë emra për t’i bërë veteranë, për të cilët Gucati thotë se nuk e dinë se ku kanë qenë në luftë.

Në këtë intervistë Gucati flet edhe për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Vlerat e Luftës, në mënyrë që vlerat e saj të mbrohen me ligj, që të mos fyhet lufta e UÇK-së dhe jo gjithkush pa fakte të dalë e të flasë në emër të UÇK-së.

Duke folur për Gjykatën Speciale, Gucati thekson se nuk do të gjendet asnjë fakt se UÇK-ja ka kryer krime.

Me ligj të rregullohet se kush mund të flasë në emër të UÇK-së

Zëri: Z. Gucati, sapo keni marrë detyrën e kryetarit të OVL-UÇK-së, cili është plani apo synimi juaj për këtë mandat sa do të jeni kryetar i organizatave të dala nga lufta?

Gucati: Unë si kryetar i ri i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pikë së pari e kam për synim rishikimin e Ligjit për Veteranët e Luftës. Ne do të insistojmë bashkërisht me shokë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës, lufta e shenjtë të mbrohet me ligj e të mos ketë dikush të drejtë ta fyejë luftën dhe të dalë e të flasë gjithkush në emër të UÇK-së/Zeri/

„Klubet 69“

0

JON LEKA

Polemika e fundit u duk sikur donte të bashkojë me çdo kusht Serbinë dhe Shqipërinë kundër Kosovës! Të dyja taborët nëpërmjet urrejtjes, njëra ndaj «kombit të vjetër» tjetra ndaj «kombit në bërje» i treguan botës se ata nuk e duan Kosovën kështu siç de fakto është: shtet i dytë shqiptar në Ballkan – ngase kështu e përshkruajnë qeveritë aktuale si përfaqësuese legjitime të tyre, të cilat e dënuan debatin për kauza artificiale dhe përgënjeshtruan tezat e tjerëve si nxitje dashakeqe në interes të dikujt tjetër. Kujt pra?

A ka më keq se kur në fund të një polemike rezulton ti të jesh grindaveci, inatçiu, dashakeqi, ai që bëri çmos për të qenë uzina e përkeqësimit, acarimit brenda një debati sado i rëndësishëm, i kotë apo i rrezikshëm të ishte ai? Jo, nuk besojmë se ka më keq se të «vulosesh» i këtillë nga cilado pjesë e ndonjë kolektivi apo qendre: pikërisht kjo ndodhi ndaj sajuesve të konfliktit të fundit «shqiptaro-kosovar», të cilët në rrjetet sociale dhe jo vetëm aty u pagëzuan si klubi 69. Simbol ky me konotacion pornografik, i papërtypshëm e nënçmues në adresë të atyre që gjoja u onanisën publikisht me njëmendësinë si mjet fekondimi.
Aludimi i këtillë i Armend Krasniqit (Ar Kras)në facebook edhe pse u bë sipërfaqësor, si reagim emocional i çastit, pas shikimit të një dialogu ndërmjet njëdimensionalëve, ai është po aq i thellë dhe metapërshkrues sa edhe vetë natyra komplekse e funksionalitetit të klaneve, mendësive dhe grupeve të ndryshme. Vulë e rëndë por shumë e qëlluar.

Fjala është për fytyra publike dhe mediat. Disa prej tyre nuk u sollën aspak objektive. Këto së pari funksionuan si subjekte të pavarura luftarake gjithandej ku u jepej rasti për tu bërë tok në fund brenda hapësirave të klubeve të tyre dhe atë në pozitën 69 – thotë Armendi. Si në Tiranë ashtu edhe në Prishtinë tani më ekzistojnë dy klube kryesore të karakterit: lufta e të cilave aq sa duket përçarëse është bashkuese. Ato i bashkon metoda, mendësia dhe efekti. Tjerat përtej vazhdojnë të jetojnë si kujtesë në mendjet e masave.

*
Disa media e njerëz çdo lajm apo ngjarje rreth temës «Rama në Beograd» që e kapnin nga hapësirat virtualovirale, pavarësisht nga përmbajtja dhe karakteri i tekstit, e shndërronin atë në shigjetë helmimi nëpërmjet titujve si: «Shpërtheu X», «Shqipëria zhbën Kosovën», «Kosova është gruaja e babës serb» dhe fyerje e nxitje edhe më të rënda se ato që i lexojmë me dekada, sot e për çdo ditë nga mediat ultranacionaliste serbe karshi etnive tjera të Ballkanit. Dikush këto orgji verbale nuk i cilësoi me të drejtë si fashiste, raciste, izolatore, ngase vërtet as që ishin të menduara thellë, por më shumë si batare njëshash të frustruar që nga padija ekzekutonin atë që besojnë ta mbrojnë.
Përleshja e radhës është interesante për shkak se ndoshta është edhe rasti më unik për të dokumentuar se ç’të bën temperamenti i pakontrollueshëm ballkanik, padija dhe inati.

*
Na kujtohet fare lehtë koha e viteve të 90-ta kur sponsorët e pavarësimit të Kosovës dridheshin nga Shqipëria. Natyrisht, natyrisht jo nga kallashnikovët e pashkrepshëm të saj dhe bunkerët e mbushura plotë qen e mace endacake, por nga frika se edhe ajo mund të imitojë Serbinë dhe Kroacinë duke mos pranuar jetësimin e një shteti të ri brenda hartës së saj etnike e aq herë të copëtuar. Qeveritë shqiptare sado mendjegurta që mund të ishin nuk e bënë këtë gabim. Ato kërcënuan retorikshëm se do të hyjnë në luftë jo për t’i çliruar vendet e tyre, por për t’i ndihmuar vëllezërit në realizimin e aspiratave të tyre për liri, mëvetësi dhe shtet. Kjo ishte politika më e mençur që ka bërë ndonjëherë Shqipëria. Kështu edhe u cilësua jashtë. Ajo nuk luajti me kartën «një komb një shtet», siç bënë tjerët ngase Kosova nuk do të mundej të realizohej kështu siç u bë.

Atë që nuk e gaboi Shqipëria atëherë duan ta kompensojnë sot sidomos serbët e gjithë Ballkanit, ndonjë parti kosovare, kosovacentristët qofshin ata teokratikët, supermacistët apo arkitektët e pashkollë të kombeve dhe akrobatët e publicistikës së verdhë që s’kanë kohë të mendojnë për shkak të presionit për sensacionin që duhet ta prodhojnë. Gjitha këto bashkë, në kontekstin «kosovaro-shqiptar» në relacion me Shqipërinë vetëm metoda i ndanë: njëra palë donë ta bind Shqipërinë se vetëm bashkimi i bën shqiptarët global playerdhe se shumica janë për të dhe pala tjetër donë ta detyroj Shqipërinë nëpërmjet nxitjeve dhe urrejtjeve që të përqafojë për inat, çështje konkurrence e supermacie versionin e të parëve.
Përndryshe ku qëndron problemi?

Jo vetëm Daniel Serwer, por shumica e ekspertëve të rajonit, thonë se Kosova nuk rrezikohet aq nga Moska e Beogradi (Zëri: 19.10.2016) sa që rrezikohet nga brenda, nga ata që janë kundër integritetit dhe sovranitetit territorial të vendit. Server e përmend LVV-në. E rrezikun që kjo sjell bëhet i realizueshëm vetëm atëherë kur e bën shumicën për vete. Kështu siç është aktualisht shihet se nuk ka fuqi ta bëjë. Situata mirëpo do të ndryshonte shpejtë nëse politika e kësaj organizate do të mbështetej në ndonjë formë nga politika shtetërore e Tiranës.

Si mund ta sjellësh më së lehti një vend ballkanik në favor të një politike sado e keqe të jetë ajo; duke e kërcënuar, fyer, nxitur, poshtëruar dhe duke ia rrezikuar titullaritetin kombëtar edhe vetë brenda kushtetutës dhe realitetit të tij. E këtë nuk e bën VV por më shumë armiqtë e saj, të bashkuar me kolegët e tyre në Tiranë. A nuk është ajo thënia «gjitha rrugët çojnë për në Romë» më e përshtatshmja këtu?
Për këtë arsye thuhet se më së shpeshti jo njerëzit e bëjnë historinë por ajo i bënë ata duke ua shfrytëzuar padijen, instinktet dhe elementet tjera puronatyrore.

*
Po pasi çuakan të dyja rrugët për në Romë, mirë qenka do të thonë unionistët. Jo. Nuk është hiç mirë që në këtë fazë të rrezikohet Kosova si Shtet i Pavarur për një ide të fiksuar sociokonstruktive rreth këtij apo atij kombi, artificial apo të dhënë. Dhe kjo nuk ka të bëjë me dy vetot e votat gjithandej por më shumë korrespondon me lojën e detyruar nga kushtet e politikës ndërkombëtare karshi rajonit, shteteve, kombeve, hegjemonizmave dhe pakteve në bërje apo në shuarje. Çdo përllogaritje edhe më sipërfaqësore thotë se shqiptarët u prishën dhe u bënë me lejen apo ndihmën e tjerëve. Kështu është edhe sot. As mendjemadhi më fanatik nuk beson se tash është koha kur shqiptarët kanë aq fuqi mendore e fizike sa për t’iu bërë ballë të gjithëve dhe t’i korrigjojnë gjitha padrejtësitë historike saora. Këtë e propagandojnë vetëm demagogët, e ndihmojnë ata që para krisin e pastaj mendojnë dhe askush tjetër me psike stabile.

Polemika e fundit donte të bashkojë me çdo kusht Serbinë dhe Shqipërinë kundër Kosovës! Ky do të dilte efekti i saj, ngase u regjistrua nga të gjithë jashtë dhe atje ku s’duhet. Secili që njeh historinë e Shqiptarëve të 100 viteve të fundit qoftë minimal nuk do përpiqej që me dy tri argumente të interpretuara sipas kutit dhe kapacitetit personal të argumentojë ndonjë «komb të ri» për të demonizuar tjetrin. Para së gjithash: e reja që bëhet në bazë të negativiteteve të mundshme të tjetrës, ekzistueses është e dënuar me paracofje. Ky është defekti parësor i pseudodemiurgjëve të acaruar të çdo lloj kosovarizmi; duke mohuar, djallëzuar, falsifikuar të qenën nuk ke se si e argumenton atë që duhej të dalë nga ajo!

*
Në anën tjetër as Kosova as Shqipëria secila për vete nuk kanë të drejtë e as që do të munden dikur vetë të vendosin se kush është dhe si duhet të bëhet kombi shqiptar. Asnjëri për vete nuk e kanë këtë tapi dhe vetëm bashkë me edhe ata më shumë milionat jashtë se brenda mund të koordinojnë politikën suprashtetërore të kulturosferës dhe identitetit që nuk e bënë kur u krijuan ata por tjerët me qindra vjet para tyre.

Prandaj debati për kombin del kaq infantil. Prandaj akterët e debatit kur puqen shihen në pozitën 69, ngase jo argumentet e mundshme dhe konstruksionet e zgjuara u dalin para syve të botës, për lëpirjet vertikale, horizontale e anësore të njëri tjetrit ua bëjnë portretin. Kjo, të perceptohesh kështu, ndodhë kur shkakton neveri në masa e jo respekt për mendimin dhe botën tënde. Ky reagim vjen kështu kur operon me urrejtje, fyerje, kampanja që edhe macja e lere më njeriu i sheh se janë nga inati dhe urrejtja e jo nga interesi i atyre që donë t’ua shesësh idenë. Për këtë arsye debati aktual mbi «kombin» do të hyjë në analet e historiografisë shqiptare si ndër më të shpifurit e rajonit. Jo se është i panevojshëm, porse atë e bëjnë ata që s’duhet ta bënin se janë urrejtjes, inatçorë dhe 69! Ata që nuk janë mësuar pa një Serbi – që tash të tillë e shohin Shqipërinë!

A duhet shtetet shqiptare ta kritikojnë njëra tjetrën kur gabojnë? Me çdo kusht. Por jo kështu, kot, me dashakeqësi, fyerje, duke shpikur kauza artificiale që bëjnë jetë vetëm në kokat e frustruara të disave që rastësisht e fatkeqësisht kanë mikrofonin në duar oreçast!

Drejtori i Arsimit në Suharekë akuzohet se punësoi 10 veta pa konkurs

0

Drejtori i Arsimit në Suharekë, Sherif Berisha, akuzohet se në shkollat e qytetit punësoi pa konkurs nëntë mësimdhënës dhe një kontabilist. I akuzuari edhe sot u deklarua i pafajshëm.

I akuzuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe për cenim të të drejtave të punësimit, drejtori i Arsimit i Komunës së Suharekës, Sherif Berisha, edhe sot u deklarua i pafajshëm.

Para mbajtjes së shqyrtimit të dytë gjyqësor, avokati Brahim Sopa kishte dorëzuar në Gjykatën e Prizrenit kërkesë me shkrim për hedhjen poshtë të aktakuzës, të cilën e elaboroi edhe gojarisht.

“Aktakuza e Prokurorisë të hedhet poshtë në mungesë të provave. Këtë e mbështesë nga provat që gjenden në shkresat e lëndës, ku konsideroj se asnjë provë nuk e ka një bazë të mjaftueshme dhe të argumentueshme që i mbrojturi im ta ketë kryer veprën penale që pretendon Prokuroria”, tha avokati Sopa.

Ndërsa, prokurori Mehdi Sefa , e kundërshtoi propozimin e mbrojtjes duke theksuar se aktakuza është e bazuar në prova të mjaftueshme.

“Kërkoj nga Gjykata që kërkesën për hedhjen e aktakuzës me vendim ta refuzon si të pabazuar në dispozitat ligjore dhe në këtë çështje penale të caktohet shqyrtimi kryesor. Të gjitha këto prova të administrohen dhe të merret një vendim në të ardhmen”, tha prokurori.

Gjyqtarja e rastit njoftoi se shqyrtimi kryesor do të caktohet pas marrjes së vendimit me shkrim në lidhje me propozimin për hedhje të aktakuzës.

Sipas aktakuzës, Sherif Berisha akuzohet se gjatë viteve shkollore 2014/2015 dhe 2015/2016, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër, në atë mënyrë që punëson pa konkurs nëpër shkolla të ndryshme në Suharekë nëntë mësimdhënës dhe një kontabilist.

Drejtori i Arsimit po ashtu akuzohet edhe për kryerje të veprës penale – cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë, sepse ua ka mohuar personave të tjerë të drejtën për punësim në kushte të njëjta.