18.2 C
Prizren
E hënë, 30 Qershor, 2025
Home Blog Page 6255

Radiohead rreth Botës

0

Radiohead ka paralajmëruar kohë më parë se do të bëjë një varg perfomimesh live, përfshirë disa festivale përreth botës, një ngjarje kjo që do të ndodhë së pari herë që nga viti 2012.

Tani, ata kanë njoftuar për raundet që do të mbajnë në turin botëror, i cili do të fillojë në muajin maj.
Këto janë vendet ku do të performojë Radiohead gjatë vitit 2016:
05-20-21 Amsterdam, Netherlands – Heineken Music Hall
05-23-24 Paris, France – Le Zénith
05-26-28 London, England – Roundhouse
06-01 Lyon, France – Les Nuits Des Fourvieres
06-03 Barcelona, Spain – Primavera Sound Festival
06-17 Reyjkavik, Iceland – Secret Solstice
07-02 St. Gallen, Switzerland – Openair St. Gallen
07-08 Lisbon, Portugal – Nos Alive Festival
07-26-27 New York, NY – Madison Square Garden
07-29-31 Montreal, Québec – Osheaga Music and Arts Festival
08-04 Los Angeles, LA – Shrine Auditorium
08-08 Los Angeles, LA – Shrine Auditorium
08-20 Osaka, Japan – Summersonic Festival
08-21 Tokyo, Japan – Summersonic Festival
09-11 Berlin, Germany – Lollapalooza
10-03-04 Mexico City, Mexico – Palacio de los Deportes

Autobusi del nga rruga. 14 të plagosur, 2 fëmijë

0

Një aksident automobilistik ka ndodhur mesditën e sotme në aksin rrugor Korçë-Pojan. Autobusi me rreth 30 pasagjerë i linjës Korçë-Orman ka dalë nga rruga.

Për pasojë kanë mbetur të plagosur 14 persona, mes tyre edhe dy fëmijë.

Ata janë dërguar në spitalin e Korçës për ndihmë mjekësore, ndërsa raportohet se janë jashtë rrezikut për jetën.

Në gjendje më kritike, por jo në rrezik për jetën ndodhen 6 persona.

Paraprakisht mësohet se shkak i aksidentit ka qenë një kalimtar, të cilin shoferi i autobusit ka tentuar ta shmangte për të mos e shtypur.

Manovra e tij ka qenë fatale pasi mjeti ka dalë nga rruga. Policia ka shoqëruar në komisariat shoferin për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

Edhe një monument i trashëgimisë kulturore dëmtohet nga zjarri

0

Objektet e mbrojtura të trashëgimisë kulturore brenda Qendrës Historike të Prizrenit vazhdojnë që të shkatërrohen, ndërkohë që institucionet përgjegjëse ende nuk kanë gjetur forma të përshtatshme për ruajtjen e tyre.

Të martën, një ndërtesë, që është aset i përfshirë në Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme të MKRS-së, si pjesë e Kompleksit të Kishës Katolike, Zonja Ndihmëtare, është përfshirë nga zjarri në rrethana ende të pasqaruara nga organet e emergjencave dhe të sigurisë. Objekti kohë më parë, nga pushteti lokal i Prizrenit i është dhënë në shfrytëzim Kishës Katolike të Kosovës.

Rasti i shpërthimit të zjarrit në këtë objekt kërkon hetim të menjëhershëm dhe të hollësishëm nga organet e hetuesisë.

EC Ma Ndryshe javën e kaluar pat vlerësuar se institucionet përgjegjëse për ruajtjen e vlerave të Qendrës Historike të Prizrenit ende nuk e kanë krijuar një sistem të duhur të koordinimit ndërmjet tyre, dhe se mungesa e bashkëpunimit ndërmjet tyre po ndikon në degradim.

Rasti i fundit dëshmon se neglizhenca institucionale ka prodhuar edhe një dështim tjetër në ruajtjen e objekteve të mbrojtura brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

Çështja bëhet edhe më alarmante, për faktin se Task Forca për Qendrën Historike të Prizrenit, ka dy vjet që është themeluar, ndërkohë që dëmtimi i objekteve të mbrojtura nuk ka të ndalur në këtë zonë.

Për këtë arsye, EC Ma Ndryshe i bënë thirrje autoriteteve lokale dhe qendrore që të ndërmarrin veprimet e duhura konform përgjegjësive ligjore që kanë për të parandaluar përsëritjen e skenarëve të tillë në pjesë të tjera të Qendrës Historike të Prizrenit, derisa kërkon edhe nga organet e hetuesisë që ta zbardhin rastin në tërësi.

“EC Ma Ndryshe” në korrik të vitit 2013 ka nisur zbatimin e projektit “Urbanizmi i Prizrenit nën vëzhgim të përhershëm”, përkrahur financiarisht nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS). Projekti do të vazhdoj me monitorimin dhe publikimin e të gjeturave në sektorin e urbanizimit dhe planifikimit hapësinor, sikurse edhe me adresimin e përgjegjësisë institucionale.

Kadareja dhe shpirti rebel i ditëve tona

0

Albatros Rexhaj

Si gjimnazist, atëbotë ende fanatik i njomë i idesë se RPSSH-ja mishëronte diellin e të gjitha arritjeve historike të popullit shqiptar, prej të cilit buronin rrezet e shpresës për ne shqiptarët e mbetur jashtë kufijve, edhe pse i dehur me esencën e Kadaresë si një mit i gjallë, e kam përjetuar shumë rëndë largimin demonstrativ nga atdheu të shkrimtarit tim të preferuar. E ndjeva si shmangie nga përgjegjësia e kapitenit moral të anijes që po mbytej. Natyrisht, si shumë të tjerë asokohe, ende nuk kisha informacion të gjithanshëm për atë se çfarë vërtet ishte RPSSH-ja dhe rrjedhimisht e kisha krejt të pamundur që të kuptoja shumanshmërinë e motiveve që e patën shtyrë shkrimtarin drejt këtij veprimi ekstrem, vetëm pak kohë para se regjimi totalitar të jepte shpirt njëherë e mirë. U deshën të kalonin dy dekada e gjysmë të dramave të pareshtura të peripecive shqiptare, të ndërvarura në një cikël vicioz shkak-pasojë në turbinën e tranzicionit të pafund, që të sintetizoja një ide të kthjellët mbi shkaqet e këtij veprimi. Sot jam i bindur se me veprimin e tij, Kadareja u bë pararendës i rënies së regjimit, për shkak se arratisja kuptimplotë e shkrimtarit – që për dekada kishte shërbyer si reklamë ndërkombëtare e regjimit, por që, në të njëjtën kohë, pati qenë edhe i adhuruar nga masat, të cilët te vepra e tij gjenin një shteg të rrallë lirie – shënoi falimentimin përfundimtar moral të një regjimi që moralin kolektiv e kishte ngritur në piedestalin më të lartë, pavarësisht se në vetvete ishte thellësisht amoral. Komoditeti i distancës kohore na jep mundësinë që të pohojmë se Kadare u arratis vetëm disa muaj para se të binte regjimi dhe të spekulojmë për motive të mundshme jofisnike, por, pavarësisht ngjarjeve të 2 korrikut të po atij viti, atëherë rrallëkush nga shqiptarët e kishte sigurinë të guxonte të shpresonte se regjimit vërtet do t’i vinte fundi brenda një kohe të shkurtër. Largimin e Kadaresë nuk dua ta mistifikoj me nuanca profetike, por nuk mund t’ia mohoj dot sensin e largpamësisë, që realisht përbën një virtyt themelor të artistëve që shënjojnë epokën e tyre. Në një rrafsh krejt njerëzor, gjykoj se, i vetëdijshëm për rolin e tij si reklamë ndërkombëtare e regjimit, në një kontekst krejt personal, ikja shënoi aktin e divorcit, në të gjitha nivelet, me sistemin monist të kohës. Reagimi i regjimit ndaj këtij divorci unilateral, sidomos ajo pjesa e shoqëruar me një përdëllim patetik me nuanca mallëngjyese, përngjante me reagimin tipik të bashkëshortit të dhunshëm që më nuk mund ta fshehë natyrën e vet mizore.

Vlerësoj se nuk është detyrë e artistit që të mbajë qëndrime politike, por një artist duhet të frymëzojë perceptuesit e artit të tij. Ikja e Kadaresë, si një akt që tejkalon suazat e një veprimi privat, pati përbërë një kushtrim të qartë zgjimi për të gjithë ata që akoma hamendeshin nëse duhej të ngrinin krye kundër regjimit. Konsideroj se thurja e kohëpaskohshme e teorive konspirative, si dhe akuzat për flirt me regjimin janë të pabaza dhe tërësisht jashtë kontekstit. Edhe shqiptari më naiv e di fort mirë se regjimi nuk linte shumë hapësirë veprimi dhe të gjithë, pa dallim, përveç atyre që dergjeshin në burgje, bashkëjetonin me regjimin. Një intelektual i kohës, kushdo qoftë, është dashur të bëjë kompromise, shpeshherë të dhembshme, për të qëndruar në sipërfaqe, aq më tepër të krijojë art dhe letërsi të mirëfilltë.

Parashtroj pyetjen: Sikur të mos ishte ajo që sot disa e cilësojnë si “flirt” me regjimin, a thua do ta kishim Kadarenë si shkrimtar të përmasave botërore çfarë e njohim sot? Personalisht, mua më intereson vetëm shkrimtari, vepra dhe veprimet që ndërlidhen me trashëgimin e tij artistike dhe jo jeta private, përfshirë edhe ato detajet jopërmbajtjesore, krejtësisht personale, tipike për njëvdekatar si çdo njeri tjetër. Është jo etike që të rrekemi të gjykojmë trashëgimin artistike të kujtdo, aq më tepër të Kadaresë, mbi bazën e historive dhe detajeve për gjëra nuk kanë të bëjnë fare me veprën. Konsideroj se marrja me jetën private, tërheqja e vëmendjes drejt çështjeve të tjera, tërësisht jashtë kontekstit artistik, paraqesin vazhdimësi të logjikës së kohës së regjimit kur “mëkatet” private dhe njerëzore janë përdorur për të rrënuar autoritetin e dikujt, në mënyrë që t’i zhvlerësohet vepra apo trashëgimia. Fushatat e pamungueshme, një tymnajë e një histerie idiopatike, prodhim tipik vendor, kundër Kadaresë, paraqesin një hakmarrje, të shtrirë në kohë, të eksponentëve dhe ithtarëve mendjengushtë të së shkuarës. Fatkeqësisht, një pjesë e elitave tona aktuale, të mbytura në dritëshkurtësinë e tyre, nuk pranojnë që ne botërisht të njihemi si vendi i dy fituesve të çmimit “Nobel”, Kadaresë dhe i Nënë Terezës, por vetëm si “popull trim dhe liridashës”.

Një çerekshekulli pas rënies së regjimit: Kadareja iku, sipari ra, diktatura u shkërmoq, por mendësia totalitariste ende frymon ndër ne. Dhe në këtë mbrëmje të ftohtë, pak të pazakontë për një fundshtatori, ndërsa shkruaj këto rreshta, e ndiej se, edhe pse i kamufluar me petka progresiste, për shqiptarët “Pallati i ëndrrave” vazhdon të jetë një makth edhe sot. Personalisht, si një bashkëkohës modest i letrave, vijoj të gjej te Kadareja shkëndija të filozofisë së domosdoshme të rebelimit, të cilat, në krijimtari, më janë mveshur si një lëkurë e dytë.

Kushërinjtë nga Malisheva rrihen mes vete në Suharekë

0

Policia e rajonit të Prizrenit njofton se sot paradite në tregun e kafshëve në Suharekë, ka ndodhur një rrahje në vend publik që për pasojë ka dy persona të lënduar rëndë dhe tre të tjerë kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

“Pas pranimit të informatës, Policia e Suharekës ka dalë në vendin e ngjarjes dhe i ka arrestuar personat e dyshuar. Sipas raporteve hetimore thuhet se tre vëllezër me mbiemër Stoliçi nga Guncati i Malishevës i kanë sulmuar dy meshkuj po ashtu me mbiemër Stoliçi nga i njëjti fshat, me ç’ rast janë përdorë shufra metalike dhe shkopinj druri”, thuhet në komunikatë.

Sipas Policisë tek njëri in dyshuar është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e llojit VZOR 50.

Policia ka sekuestruar edhe një automjet të të dyshuarve.

Sipas mjekëve nga Spitali Rajonal i Prizrenit, thuhet se dy të lënduarit rëndë do të ndalën për trajtim të më tejmë ndërsa të tjerët pas ndihmës mjekësore janë larguar nga institucionet shëndetësore.

Ndërkaq, në vazhdën e hetimit të rastit, policia ka kryer intervista me të dyshuarit dhe më pas, në konsultim me prokurorin e shtetit është vendosur që tre të dyshuarit të ndalën nën masën e arrestit policor.

Katër të arrestuar për vjedhje në Prizren

0

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se ka arrestuar katër persona për vjedhje në Prizren.

“Hetues policorë nga Stacioni Policor i Prizrenit, sot i kanë arrestuar katër persona të dyshuar në dy raste të veçanta. Në rastin e parë është arrestuar i dyshuari me mbiemër Gavazaj i cili kishte vjedhur parfume “Versace Eros” në një qendër tregtare në vlerë 112 euro dhe më pas i kishte shkëmbyer për drogë”, thuhet në konfirmimin e PK-së.

“Tre të arrestuarit tjerë me mbiemër Morina, Shega dhe Kajmakci janë arrestuar pasi hetuesit kanë siguruar prova të pakundërshtueshme se të tretë, si grup i strukturuar kishin vjedhur pije alkoolike: viski; votka shtok etj. Në një shitore në fshatin Lutogllavë dhe të njëjtat i kanë shkëmbyer me drogë”, ka thënë PK-ja.

Për arrestimet është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që të dyshuarit të ndalën nën masën e arrestit policor.

Berisha: Mafiozët e PDK-së dhe LDK-së,sot treguan fytyrën e zezë të tyre

0

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha ka vlerësuar se dështimi i zgjedhjes së anëtarëve të rinjë Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP-së), tregon fytyrën e zezë dhe të vërtet të koalicionit PDK-LDK.

Sipas tij, pushteti sot tregoi se është e zeza më e madhe e vendit.

“Dështimi për zgjedhjen e drejtuesve të OSHP-së tregoi fytyrën e zezë dhe të vërtet të koalicionit PDK-LDK. Ky koalicion demantoi vetveten në akuzat e pabaza që thoshin se opozita po e pengon përmbushjen e kritereve për liberalizim të vizave”, shkruan Berisha në Facebook

“Ministri Çolloku dhe të tjerë duhet ta lëpijnë atë ç’farë kanë pështy në adresë të opozitës, dhe t’ua tregojnë qytetarëve të vërtetën se ky grup mafioz, i cili po qeverisë Kosovën është e zeza më e madhe e vendit”/PrizrenPress.com/

Të “gllabëruar” apo vet-nënshtrim karshi Serbisë!

0

Albrim Badallaj

E keqja më e madhe këtij vendi vazhdon të jetë ndikimi i Serbisë në përditshmërinë e Kosovës. Direkt apo indirekt, e mohojmë apo e pranojmë, Kosovës dhe Serbisë në këtë pikë i mungojnë vetëm marrëdhëniet diplomatike, e kjo nuk është e lëvërdishme fare. Jo që ne jemi kundër harmonizimit të marrëdhënieve me shtetin që kreu krime ndaj njerëzimit, por që janë disa qështje që është dashur të trajtohen paraprakisht, si kërkimfajla, dëmshpërlimi për krimet e luftës, kthimi i dokumentacionit civil e kadastral, e shumë gjëra të tjera që Serbia i’a ka borgj Kosovës. Aktualisht, ne e hasim në çdo pore të jetës fuqin e shtetit serb. Pa dashur ta cek këtu gjuhën serbe që përdoret në të gjitha institucionet shtetërore, e cila është e garantuar me kushtetutë, por ka shumë segmente më të gjëra ku është imponuar apo është mirëpritur ndikimi serb.

Duke filluar që nga ushqimi i importuar nga Serbia dhe dyshimet për cilësinë e ulët, na qon drejt asaj se shumica e sëmundjeve të paraqitura në periudhën e pasluftës janë si pasojë e ushqimit i cili mund të jetë edhe i helmuar dhe të mbajë doza kemikatesh qëllim-këqija, të cilat në një farë forme e vazhdojnë projektin famëkeq “Naçertania” dhe “Shumadija”, veqse dallimi është se ato projekte ishin spastruese përmes luftës, e tani me metoda moderne përmes ushqimit.
Ndikimi tjetër që vazhdon ta ketë ka të bëjë me ekonominë, ku mbetet importuesi kryesor i të mirave ushqimore për 2 arsye të ditura tanimë:
1)për shkak se kompanitë importuese dhe monopolet na servojnë pothuajse vetëm të tillët prodhime, shtuar kësaj çmimin por edhe cilësinë e dobët;
2)për shkak të politikave disfavorizuese për prodhuesit vendor nga ana e shtetit.

Serbia vazhdon t’i kthej prapa librat dhe tekstet shkollore shqipe, duke mos i lënë të hyn në pjesën e Luginës(Kosovës Lindore), e nga ana tjeter ministri Bajrami lavdërohet se tash ka filluar t’a zbatojë masën e reciprocitetit në këtë drejtim. Nuk e di a e din ministri i arsimit, që përveq se në komunat me shumicë serbe, në pjesën e Gorës ku në 2 anë kufizohet me shqiptarë, Maqedoninë dhe Shqipërinë, e që gjindet mbi Dragash, punohet me planprograme serbe nga komuniteti goran(boshnjak) ndërkohë paguhen me buxhet të Kosovës.
Mos të harrojmë që ndikimi më i madh i Serbisë vazhdon të jetë parlamenti i Kosovës, ku me vendet e garantuara, pakica serbe jorrallëherë bëhet determinuese e proceseve dhe pazarin e kanë goxha të shtrenjtë.

Në këtë pikë ku gjendemi tani nuk na duhen ekspert të mirë as të ekonomisë, as të teknologjisë ushqimore, as të arsimit, e qe besa as diplomat. Ajo që na duhet është një ngritje e vetëdijes kolektive dhe një rizgjim intelektual e patriotik, të cilët duhet të jenë vetëm qëllimmirë, se në këto qështje nuk do filozofi të madhe e as ndonjë gjë mu vizatu e skicu.
Vullneti politik është ai që po e stopon zhvillimin e vendit në shumë segmente. Zingjiri i ndikimit të Serbisë në Kosovë është i madh sepse ai e dëmton shëndetin e popullit, ekonominë e brishtë, falimentimin e bizneseve, arsimin e degraduar, politikbërjen e fundosur dhe diplomacinë e dështuar. Të gjitha këto na janë dhuratë e Serbisë dhe në një far forme edhe politika i ka aprovuar me heshtje, tolerime dhe pse jo edhe me frik.

Si u përdor Policia e Kosovës kundër opozitës?

0

Rexhep Selimi

Amnesty International iu dërgoi Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Kosovës dy herë kërkesë dhe konstatimin se duhen hapur hetime për dhunën e përdorur në 28 nëntor në selinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Në letrën e fundit të publikuar nga mediat në Kosovë thuhej se në ndërhyrjen e Policisë së Kosovës për të arrestuar Albin Kurtin më 28 nëntor 2015, ka pasur përdorim të tepruar dhe abuziv të forcës nga policia. Në raport thuhet se Amnesty International është e shqetësuar për këtë përdorim të forcës nga ana e Policisë. Në veçanti, Amnesty International vlerëson se angazhimi i policëve të armatosur në një nivel të tillë është krejtësisht i pavend. Raporti vë në pah se krejt ajo forcë e Policisë kishte shkuar në Zyrat e VETËVENDOSJE-s për të arrestuar një individ të vetëm. Çështje të cilën e kemi konstatuar që ditën kur ndodhi ngjarja.
Ende sot nuk është hapur rast për të zbuluar konkretisht kush ishte urdhërdhënësi dhe zbatuesi i këtij urdhri të paligjshëm.

Sulmi ndaj Albulena Haxhiut

Të gjithë jemi dëshmitarë të sulmit fizik brutal që iu bë Albulena Haxhiut në hollin e Kuvendit të Kosovës. Deri më sot zyrtarja e Policisë së Kosovës as nuk është arrestuar dhe madje as nuk është bërë publik emri i saj apo ndonjë masë e brendshme nga autoritetet e rendit.

Shkeljet e ligjit nga Policia në rastin e Albulenës kanë vazhduar edhe në spital, në QKUK ku deri në 10 zyrtarë të Policisë janë futur në sallën e reanimacionit dhe rëntgenit me ç’rast edhe është bastisur në trup Albulena, për sa kohë ishte pa vetëdije.

Sulmi ndaj Shqipe Pantinës
Nxjerrja me dhunë e deputetëve nga salla plenare, arrestimet dhe prangosja brenda hapësirave të Kuvendit si dhe dhuna e përdorur ndaj deputetes Shqipe Pantina gjatë arrestimit nga zyrtari policor janë tejkalim i kompetencave dhe përgjegjësi penale e personave zyrtarë që e kanë shkaktuar këtë.

Prezenca e njësive të policisë në sallën plenare gjatë seancave të Kuvendit, nxjerrja me dhunë e deputetëve nga salla dhe arrestimi i tyre brenda Kuvendit është e pabazuar dhe e paligjshme.
Janë evidente shkeljet e rënda nga ana e Policisë së Kosovës gjatë seancave plenare, ndaj të cilave asnjëherë nuk u ndërmorën masa.

Imuniteti dhe veprimet e paligjshme të Policisë së Kosovës
Bazuar në Rregulloren e Kuvendit, çdo deputet gëzon imunitet ndaj masave të ndalimit, të arrestit, të ndjekjes penale. Por, as kryetari dhe as Kryesia e Kuvendit nuk është e autorizuar për të marrë vendime që lejojnë ndërhyrjen e policisë brenda Kuvendit e aq më pak keqtrajtimin, arrestimin dhe prangosjen e deputetëve.

Policia e Kosovës është e obliguar që të mos zbatojë urdhrat e kundërligjshëm të eprorëve të tyre. Me këtë rast, duke ju referuar Nenit 13. Paragrafi 2, i Ligjit të Policisë së Republikës së Kosovës, policët janë përfshirë në kryerje të veprës penale, përmes zbatimit të urdhrave të kundërligjshëm. Me këtë rast ju bëjmë thirrje edhe eprorëve të Policisë së Kosovës që para se të marrin çfarëdo vendimi për intervenim në Kuvend, të mos i pranojnë urdhrat politik që i fusin në lajthitje, pa e konsultuar bazën ligjore sepse shumë shpejt kanë për t’u përballur me përgjegjësi penale për veprimet e tyre.

Situata në mes protestave 9 Janarit dhe 17 Shkurtit

Pushteti i koalicionit vijoi të ushtrojë përveç të tjerash edhe terror psikologjik. Pas protestës masive të 9 janarit propaganda e pushtetit u fokusua në atë se protestën e radhës do të këtë “dhunë, eksploziv, pushtim të objekteve dhe institucioneve”. Këto të dhëna janë servirur si të dhëna “nga inteligjenca” e Policisë së Kosovës edhe i janë adresuar edhe KFOR-it dhe EULEX-it. Policia e Kosovës në ndërkohë ka kërkuar nga KFOR-i dhe EULEX-i që të jenë reagues të parë në protestën e paralajmëruar të 17 Shkurtit si “të dhunshme”.

Çfarë po përgatiste pushteti për Protestën e 17 Shkurtit?

Përderisa pushteti fliste për eksploziv të mundshëm, në Fushë Kosovë u arrestuan tre persona me 12,5 kg eksploziv dhe 2 mitraloz, duke ardhur drejt Prishtinës. Të arrestuar ishin Sheremet Jashari nga Klina e Mesme e Skenderajt, Avdullah Rama nga Sankoci i Drenasit, dhe Naser Veseli nga fshati Braboniq i Mitrovicës. Ky rast u mbajt top sekret nga ana e Policisë së Kosovës. Çfarë paska qenë duke përgatitur pushteti për 17 shkurt? Të arrestuarit e këtij rasti u dërguan në arrest shtëpiak, masë kjo e njëjtë me atë të Albulena Haxhiut, por shumë më e lehtë se ajo ndaj Glauk Konjufcës i cili vazhdon të mbahet padrejtësisht në burg.

Gjatë protestës së 17 shkurtit pushteti përdori Policinë për ta ndezur një konflikt në mes të masës. Kjo u realizua si zakonisht me urdhrat e paligjshëm ndaj Policisë që jepen në mënyrë verbale dhe konspirative. Këto urdhra fals për rrezik rezultuan me futjen e policisë në mes të masës së protestuesve në sheshin Nëna Terezë duke shkaktuar provokim për protestuesit.

Protesta e Vazhdueshme me tenda ne Sheshin Skënderbe 23-26 Shkurt

Gjatë gjithë kohës sa nuk kishte policë nuk pati asnjë problem. Protesta po vijonte duke mbledhur rreth vetes gjithnjë e më shumë qytetarë. Situata ndërroi plotësisht kur u bë thirrja e antimitingut e 26 shkurtit nga Hashim Thaçi. Ai tha se festa do të ishte më e madhe se protesta. Duke nënkuptuar përplasje të qytetarëve në të njëjtin shesh ku po mbahej protesta e qytetarëve dhe e opozitës.

Kjo thënie u pasua nga shtetrrethimi, e ku Kuvendi i Kosovës brenda dhe jashtë dukej si në gjendje lufte jo si seancë ku planifikohej të zgjidhej Presidenti i vendit, përfaqësuesi i presupozuar i unitetit të popullit.

Vendosja dhe pozicionimi i Snajperëve me 17 dhe me 26 shkurt

Snajperët përdoren vetëm në rast të pengmarrjesh, në raste të garantimit të sigurisë së lartë për personalitete botërore apo situata të ngjashme me këto.

Por ato u vendosën në ndërtesat e institucioneve të Kosovës në ditët e protestave ku në shesh poshtë tyre gjendeshin protestuesit të cilët asnjë rrezik nuk përbënin për të qenë në shënjestër të një snajperisti. Është e qartë se snajperët ishin shprehje e dhunës së pushtetit dhe kërcënim psikologjik ndaj masës.

Vendosja e snajperistëve mbi ndërtesën e Qeverisë teksa protestuesit kanë qenë poshtë në shesh, të paarmatosur, të pambrojtur, pa asnjë shenjë reale rreziku përbën shkeljë të rëndë dhe kërcënim për jetën e qytetarëve të Kosovës. Ministri i Brendshëm dhe drejtuesit e Policisë duhet të tregojnë se kush e ka hartuar raportin dhe vlerësimit e shkallës së rrezikshmërisë dhe kush e ka miratuar këtë plan të paligjshëm. Skënder Hyseni dhe Isa Mustafa duhet të përgjigjen para drejtësisë. Ata që ka urdhëruar pozicionimin e snajperistëve përballë qytetarëve të pambrojtur të Kosovës duhet sa më parë të dalë para organeve të drejtësisë

Shkeljet e Policisë gjatë heqjes së kampit protestues

Pas asnjë arsye dhe motiv racional teksa ndodhte raundi i parë i votimit të Hashim Thaçit në Kuvend forcat e Policisë rrethuan kampin dhe dhunshëm filluan të nxirrnin nga tendat njerëzit e moshuar që gjendeshin aty. Goditën me shkopinj gome dhe sprej, ia hodhën përtokë kutitë më ushqim qytetarëve që po afroheshin tek tendat duke bërtitur “atyre po i jep bukë?”. Pasi i larguan forcërisht protestuesit filluan rrëmbimin e tendave dhe gjësendeve personale të qytetarëve duke na ofruar pamje si ato të dikurshmet kur policia e pushtuesit nuk mjaftohej më largimin e qytetarëve po bastiste dhe shtëpitë. Pak orë më pas u paraqitën publikisht me montimin e atyre elementeve që po i quajnë prova për të përligjur heqjen e kampit protestues. Për këtë ata zyrtarë policore kanë përgjegjësi direkte penale.

Ne jemi në dijeni se ka pasur plan operativ për të mos e lejuar kampin që ditën e parë. Ky plan është suspenduar. Më pas është zbatuar ditën e votimit të Hashim Thaçit madje pikërisht në orën kur filloi votimi i tij. Tendat u hoqën dhunshëm dhe paligjshëm për t’i hapur rruge militantëve të PDK-së për të festuar në shesh ani pse nuk u panë më shumë se disa dhjetëra.

Përdorimi i armëve nga Selia e PDK-së më 26 shkurt

Siç u pa nga publiku në Kosovë e jashtë saj nga selia e PDK në qendër të Prishtinës u qëllua më armë zjarri në një zonë të populluar me banesa e kalimtarë. Të shtëna ka pasur gati në të gjitha qytetet kryesore pranë ose në zyrat e PDK-së. Policia e Kosovës dhe Prokuroria duhet të përgjigjet nëse e ka realizuar këqyrjen e vendeve të ngjarjes. A i ka ekzaminuar gëzhojat? Nëse po a kanë qenë me leje apo pa leje armët që i kanë shkrepur ato gëzhoja? Ku është raporti i forenzikës për to? Nëse këto nuk ekzistojnë, kush ka dhënë urdhër që të mos mblidhen provat? Kryeprokurori i Kosovës sipas detyrës zyrtare tashmë duhet ta kishte hapur rastin.

Këto raste përbëjnë shkeljen flagrante të ligjit, shpërfilljen e sigurisë së jetës së qytetarëve dhe rrënimin e kredibilitetit të organeve të sigurisë së Kosovës.

Hyrja në Kabinetin e Kryetarit të Komunës pa autorizim dhe pa paralajmërim

Arrestimi i Sali Zybës dhe punonjësve të sigurisë së Komunës të cilët ende sot janë në paraburgim ishte plotësisht i pavend dhe i paligjshëm. Askush nuk mund të futet në një institucion kushtetues pa lejen e drejtuesit të institucionit. E aq më shumë kur u kuptua se për Sali Zybën ishte kërkuar të arrestohej për ta dërguar ditë më pas në një seancë gjyqësore ku nuk kishte akuzë por insinuatë që lidhej me flamurin kombëtar. Aty paraqitej si “rast i dëmtimit të pronës publike” më 2013, fakt i cili nuk është as i vërtetë.

Përgjegjësit politik të shndërruar në urdhërdhënës

Pamë të hënën e kaluar se si Trim Gashi, aktivist i VETËVENDOSJE!-s i arrestuar në tetor të vitit 2015 teksa nënshkruante peticionin kundër “Zajednicës” dhe “Demarkacionit” me Malin e Zi dhe iu gritë aktakuzë për tentim sulmi ndaj eskortës së Kryeministrit. E gjitha doli të jetë e pavërtetë. Isa Mustafa e vartësit e tij dolën që kanë mashtruar publikun dhe kanë vënë nën presion edhe policinë edhe prokurorinë në rastin më të mirë më prova të fallsifikuara e në më të keqin pa prova fare. Pra kryeministri as që ka qenë i rrezikuar, në asnjë formë.

Këtë të hënë u arrestua në banesën e tij aktivisti Egzon Azemi pse kishte protestuar në Prizren kundër Kryetarit të akuzuar për korrupsion Ramadan Mujës dy vite më parë.

Secila prej ngjarjeve e veprimeve që ka lidhje me Policinë e Kosovës po bëhet çdo herë e më e lidhur me urdhra plotësisht privatë të pushtetit. Ato në një masë të madhe janë verbale, pa bazë ligjore dhe shumë shpesh zyrtarët policorë po zbatojnë urdhra të paligjshëm.

Për të gjitha këto shkelje, përgjegjëse është Qeveria e Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme, menaxhmenti i lartë i Policisë së Kosovës, Drejtorin e Përgjithshëm dhe Drejtorin e Operacioneve ne Policinë e Kosovës si dhe cilindo zyrtarë e policë i cili me vetëdije shkel Ligjin për Policinë e Kosovës dhe procedurat e funksionimit të Policisë së Kosovës.

Policia e Kosovës është në një gjendje të rëndë e shkaktuar nga ndërhyrja brutale e Pushtetit dhe e njësive parapolicore të afërta me Qeverinë.

Tentim vrasje në Prizren

0

Një tentim vrasje ka ndodhur në rrugën “Flamuri” në Prizren. Policia e Kosovës njofton se personi i dyshuar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

“Në lidhje me rastin raportohet se pas hetimeve zhvilluara, me 14.03.2016 është arrestuar i dyshuari dhe i njëjti me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës./PrizrenPress.com/