11 C
Prizren
E mërkurë, 13 Maj, 2026
Home Blog Page 6319

Shkëndija e Tetovës sonte sfidon Gentin belg në misionin historik

0

Shkëndija e Tetovës sonte luan ndeshjen më të rëndësishme në historinë e klubit të tyre.

Tetovarët sonte në Belgjikë sfidojnë Gentin në misionin historik. Shkëndija e Tetovës është vetëm një hap larg historisë për të siguruar biletën për në fazën e grupeve në Europa League, transmeton KosovaPress.

Atmosfera tek skuadra shqiptar e Maqedonisë duket mjaft e mirë dhe optimist pak para ballafaqimit me belgët e Gentit.

Shkëndija synon rezultat pozitive në duelin e sonte, në mënyrë që takimit e kthimit që luhet pas një javë në Shkup, ta ketë më lehtë.

Ndeshja mes Gentit dhe Shkëndija nis në orën 20:30.

Aksion kundër kontrabandës në 17 lokacione

0

Në 17 lokacione, në mbarë Kosovën, që në orët e para të mëngjesit ka nisur një aksion i gjerë kundër krimit të organizuar e kontrabandës.

Në këtë aksion janë përfshirë 100 doganierë e policë dhe se priten arrestime.

Koha.net do t’ju informojë në kohë reale për rezultate

10 lojtarët që i kanë thënë jo Manchester United

0

Pas batutave të shumta që është duke i shkaktuar Zlatan Ibrahimovic, me ardhjen e tij në Manchester United, në konferencën e fundit që ka mbajtuar ka thënë se “Nuk besoj se ka njeri që mund t’i thotë “jo” Manchester United, transmeton Telesport.

Me ardhjen e Ibrahimovic në Manchester ai i ka sjellë ekipt shumë fitore, me atë në mes Leicester City dhe shënimin e golles së fundit kundër, Bournemouth.

Kjo ka shtyrë që t`i përmendin 10 lojtarët të cilët i kanë thënë jo Djajëve të kuq:

Paul Gascoigne

Alan Shearer

Ronaldinho

Aaron Ramsey

Sergio Ramos

Steven Gerrard

Thomas Muller

Karim Benzema

Gareth Bale

James Rodriguez

Merkel: Refugjatët nuk e sollën terrorizmin në Gjermani

0

Angela Merkel në një takim të mbajtur dje, në një fushatë zgjedhore për demokratët në shtetin lindor të Mecklenburg tha se refugjatët nuk e kanë sjellë terrorizmin në Gjermani.

“Fenomeni i terrorizmit islamik, të shtetit islamik, nuk është një fenomen që na erdhi me refugjatët”, shkruan “The Guardian”.

Më shumë se një milion njerëz janë larguar nga Lindja e Mesme për shaka të varfërisë dhe luftës civile që është duke u zhvilluar atje dhe se gjendja e tyre është duke u përkeqësuar çdo herë edhe më shumë, shtoi ajo.

Sipas një sondazhi javën e kaluar rreth 52 për qind e gjermanëve nuk janë duke e pëlqyer politikën e Merkelit në lidhje me migracionin.

Shërbimi sekret: Rritet numri i gjermanëve që i bashkohen ISIS-it!

0

Numri i simpatizantëve terroristë, të cilët po largohen nga Gjermania për t’iu bashkuar luftës së Shtetit Islamik (ISIS) për pushtet në Lindjen e Mesme, është rritur këtë vit, sipas të dhënave të publikuara nga shërbimi sekret gjerman.

Me 20 korrik, rreth 840 burra dhe gra kanë lënë Gjermaninë për të udhëtuar drejt fushëbetejës së grupit ekstremist në Siri dhe Irak, rreth 20 persona më shumë në krahasim me numrin e të larguarve në maj, sipas shifrave të përpiluara nga shërbimi i brendshëm sekret gjerman, BfV.

“Në fund të vitit 2015, rreth 760 islamistë u drejtuan për në Siri dhe Irak nga Gjermania”, tha BfV në përgjigjie të pyetjes së Partisë Die Linke.

Dorëheqja e Grabovcit, një pikë uji në detin e korrupsionit

0

Analistë të skenës politike dhe ekspertë të kësaj fushe janë të mendimit se dorëheqja e ofruar nga Adem Grabovci prej postit të shefit të Grupit parlamentar të PDK-së në Kuvendin e Kosovës është vetëm se një dorëheqje qesharake nga ana e të ashtuquajturit “shefi i shefave”. Sipas njohësve të kësaj fushe, Grabovci përveç dorëheqjes së ofruar do të duhej që të tërhiqet në tërësi nga skena politike kosovare dhe atë së bashku me shumicën e shokëve të tij partiakë të PDK-së dhe të LDK-së, por edhe të partnerëve të tyre të tjerë që janë të involvuar në krimet e pasluftës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Analisti politik Nexhmedin Spahiu tha për “Kosova Sot” se vendimi i deputetit Grabovci për të dhënë dorëheqje nga posti i shefit të Grupit parlamentar të PDKsë të paktën mund të konsiderohet se është një gjest moral, por nuk është ndonjë gjë shumë e madhe, pasi bëhet fjalë për një post partiak dhe jo për një post shtetëror. “Dorëheqja e Grabovcit është vetëm një gjest simbolik dhe si i tillë mund të konsiderohet si një gjest i mirë nga ana e tij”. Sipas Spahiut, veprimi i tij është një gjest “më mirë pak sesa hiç”. Analisti Spahiu vlerëson se po të kishte një reflektim sadopak në skenën tonë politike shumë veta nga krerët e spektrit politik aktual do të duhej që të jepnin dorëheqje nga ato veprime të këqija.

Balanca në PDK ruhet

Ndërsa juristi dhe analisti Blerim Burjani tha për “Kosova Sot” se dorëheqja e Adem Grabovcit nuk e prish balancën funksionale të PDKsë, ngase vjen një shef tjetër dhe vazhdon me punën e tyre atje ku ka mbërritur Adem Grabovci, me listën e punësimit të njerëzve të partisë. “Duke e ditur se PDK-ja është një parti politike, e cila mbijeton në saje të privilegjeve partiake që u bën njerëzve-servilëve, të cilët kryejnë punë për shefa dhe së këndejmi kjo asgjë nuk do të thotë, sepse pra kjo nuk e ndalë procesin, por caktohet dikush tjetër për t’u marrë me punë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me kodin penal të Kosovës, pra me keqpërdorimin e detyrës zyrtare”, tha ai.

Analisti Burjani thotë se e drejta në punë është një e drejtë elementare për të siguruar ekzistencën dhe zhvillimin e mirëqenies së individit dhe shoqërisë. Sipas Burjanit, pa trajtim të barabartë ligjor nuk ka bazë të shëndoshë dhe rrezikon qenien njerëzore, dhënie prioritete punësim me parën publike dhe pa përmbushur kritere quhet keqpërdorim i detyrës zyrtare. Ai sqaroi se me Kodin Penal të Kosovës thuhet, në nenin 65 dhe nenin 66 pika 1,2,3, kur zyrtari keqpërdor pozitën, pastaj pjesa e kodit ku flet për dhënie përparësi që cenon statusin e barabarte të qytetarëve që ka të bëjë me keqpërdorim të pozitës zyrtare, shih nenin 193 pika 1 te kodit penal, pastaj në nenin 222 pika 1 cenimi i të drejtave të punësimit dhe papunësisë ku thuhet decidivisht : “Kushdo që ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta, ashtu siç që është përcaktuar me ligj, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet dhe pika e këtij neni ku thuhet: Kushdo që nuk vepron në pajtim me legjislacionin mbi të drejtat e personave të papunësuar dhe me këtë ia mohon apo ia kufizon të drejtat që atyre u takojnë ,dënohet me dënimin nga paragrafi 1 i këtij neni, pra nuk mund të thuhet se “punësimi familjar apo nepotist, apo partiak është i ligjshëm” , pra kjo është shkelje e barazisë para ligjit dhe se çfarëdo gjëra tjera që mund të ndodhin në fushën e dhënies së përparësisë paraqet vepër penale, duke shkaktuar diskriminim në punësim”

Vizita paralajmëruese për Specialen

0

Vizita e fundit e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, në vendin tonë, veç tjerash, mund të shërbejë për të mirë edhe në drejtësinë kosovare, e cila në një mënyrë edhe mund t’ua hap sytë disa politikanëve kosovarë, të cilët ndonëse ishin në mesin e atyre që e pritën njeriun e dytë të shtetit mik kjo nuk do të thotë se ata mund të amnistohen nga Gjykata Speciale. Këtë e thonë njohësit e kësaj fushe, teksa veçojnë edhe faktin se gjykata në fjalë mund edhe të shënojë një kthesë të madhe në drejtësinë kosovare, që i ka munguar aq shumë, që një kohë të gjatë, shkruan gazeta Kosova Sot.

Deputeti nga radhët e koalicionit në pushtet, nga LDK-ja, Adem Salihaj, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se ka pritje të mëdha nga Gjykata Speciale, derisa sipas tij Kosova e sheh një shpresë dhe një mundësi që të lirohet sadopak nga kthetrat e krimit, të cilat janë bërë lak në fytin e saj.”Do të ishte ndihmë e madhe nga SHBA-ja që të mos i përkrah strukturat kriminale që qëndrojnë edhe më tutje në pushtet, por që në krye të Kosovës të vijnë politikanë të pastër, që i mbrojnë me shpirt vlerat e demokracisë dhe interesat e shtetit të Kosovës, të cilat në këto momente janë marrë tërë- sisht nëpër këmbë”, ka theksuar deputeti Adem Salihaj.

Gjykimi i krimeve të luftës

Analisti Florim Zeqa ka vlerësuar se vizita e zëvendëspresidentit amerikan, Joe Biden, paraprakisht në Serbi dhe së fundmi edhe në Kosovë, vjen si formë e drejtpërdrejtë e presionit politik ndaj palëve në negociata, në këtë rast Serbisë dhe Kosovës, lidhur me Asociacionin e komunave serbe në veri të vendit, përderisa, sipas tij, mbi palën kosovare bie edhe presioni shtesë për ratifikimin e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kushtin kryesor për liberalizimin e vizave për shtetasit kosovarë. “Pos tjerash, vizita e Joe Biden në Kosovë është edhe tërheqja e fundit e vërejtjes për politikanët që rrezikojnë të preken nga Gjykata Speciale, derisa fillimi i punës së Gjykatës Speciale pritet të shënojë edhe një kthesë të madhe në drejtësi, e në veçanti pritet të jetë një udhërrëfyes pune për drejtësinë kosovare”, është shprehur analisti Florim Zeqa për gazetën “Kosova Sot”.

Avokati Tomë Gashi thotë se zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden, nuk do t’i thotë askujt direkt me emër dhe mbiemër se mund të jetë i akuzuari i ardhshëm në Gjykatën Speciale, por, sipas tij, takimi me burrështetas të Kosovës nga ana e Joe Biden nuk do të thotë se ndonjëri prej tyre nuk mund të jetë në të ardhmen edhe i akuzuar në Gjykatën Speciale.

Drogë dhe armë kapen në Suharekë

0

Hetues policorë të sektorit kundër narkotikëve nga Prizreni të mbështetur edhe nga njësi tjera policore kanë kryer një bastisje në shtëpi dhe prona të një të dyshuari me mbiemër Kodra në Leshan të Suharekës në kërkim të bimëve narkotike.

Gjatë ushtrimit të kontrollit janë gjetur dhe ç’rrënjosur 80 bimë 2-3 metra të gjata që dyshohet të jenë kanabis sativa.

Po ashtu, sipas Policisë së Kosovës, është sekuestruar edhe një pushkë gjysmë automatike e kalibrit 7.62mm me një fishekë.

Për të gjitha këto është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që i dyshuari të ndalët nën masën e arrestit policor.

Lirohet mërgimtari therandas i arrestuar në Serbi

0

Sot paradite është raportuar se një qytetar i Kosovës, Xhavit Kolgeci nga Suhareka është arrestuar dje në Serbi dhe është dërguar menjëherë në burgun e Nishit.

Ndërsa, shefi i kabinetit të ministrit Hoxhaj, Bashmir Xhemaj ka konfirmuar për KTV se Kolgeci është liruar.

“Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me ambasadorin e Kosovës në Beograd dhe autoritetet serbe qysh mbrëmë në momentin kur është arrestuar ,po ashtu pas sqarimit Kolgeci është liruar nga arresti. Ka të bëjë ka qenë në burg nuk i kanë ripërtërirë listat në të gjitha vendet në Serbi dhe Interpolin ndërkombëtar gjë për të cilën kemi ngritur vazhdimisht shqetësimet te autoritetet serbe dhe instancat ndërkombëtare sepse ky nuk është rast i vetëm”, ka thënë Xhemaj.

Vrapi rënkon

0

Nga Edison Ypi

Kur në televizion nuk ka tjetër gjë për të parë veçse shkuma party ku bibat e mamit budallaqe shpenzojnë paret e vjedhura nga babi hajdut, ku me u fsheh nga këto hajvanllëqe, ku me u arratis nga këto çmenduri ?
Falë Allahut, tanipërtani Shqipëria ka më pak shkuma party se atraksione turistike.
Në perëndim të Baldushkut, veri të Peqinit, lindje të Kavajës, jug të Ndroqit, ndodhet një Parajsë e tërë malore që pret të eksplorohet.
Baldushku është fare afër, shkohet më këmbë dhe me biçikletë. Cecebeci, Shën Kolli, dhe ca të tjerë, ta djegin friksionin e makinës. Një nga katundet ku mund të marrësh frymë lirisht duke thithur ajër pagan, është Vrapi.

Rruga për në Vrap kthen drejt perëndimit në skajin jugor të luginës së Baldushkut.
Dikush thotë se Vrapi është 2 orë larg. Tjetri gjysëm ore. E kështu me rradhë, njëri kaq e tjetri aq, disa me tahmin, disa me të dëgjuar, secili të jep kohën që i është dashur mjetit me të cilin e ka kapur Vrapin ku ndoshta ka qënë ndonjëherë.
Sapo lë asfaltin, brenda pak minutash, nuk të mbetet asnjë dyshim se rruga për në Vrap është e tëra një hukubet me mijëra kthesa dhe miliona gropa mbi tabanin e fortë të një ish kalldrëmi dhe ish asfalti nbetur vetëm copat kalimi mbi të cilat kërkon veshka të forta.
Një Golf nuk ka rezistuar dot. Sapo ka thyer trasmisionin, ka djegur motorrin, diçka e tillë ose të dyja bashkë, dhe ka lënë më këmbë ca dasmorë që s’dihet se çfarë do bëjnë, do vazhdojnë drejt dasmës apo do kthehen nga u nisën me dhurata në duar.

Furgoni i vetëm “i linjës”, me 7 vende por 27 pasagjerë, zvarritet nëpër kthesa duke u kollitur si Djall i plevitosur.
Kthesat e pafundme dhe gropat e panumurta të ngjisin në një lartësi prejnga lugina e Baldushkut fanepset më e bukur se prej çdo këndi tjetër.
Përpara një kamion që ecën me ngadalësi rrënqethëse nuk e hap krahun për qamet. Karroceria mbuluar me mushama, duket si ai kamjoni i filmit “Pagesa e Frikës” që transportonte Nitroglicerinë që mund të shpërthente nga çasti në çast nga përplasja më e vogël po të ecte pak më shpejt. Pas nja njëzet minutash, në një vend disi të gjërë, më së fundi kamioni e hap rrugën. Kaloj. Sipas një kodi të pashkruar mirsjelljeje mes shoferash, e falenderoj me një buri. Nuk përgjigjet. Vështirë të besohet, por meqënse pak konspiracion shqiptarit nuk i bën keq, në mos Dinamit, Tritol. E përforcon këtë hamendje peisazhi malor dhe i gjelbër tamam si ato vendet ku Hollivudi xhiron filmat e makthit.

Golfi i shkalavarur, furgoni i mbingarkuar, kamioni me tritol të hamendësuar, ishin të vetmet mjete me rrota në këtë udhëtim.
Ja, më së fundi, qafa e shumpritur që dukej nga larg. Deri te kjo qafë mund të shihje pak përpëra dhe, po të ktheje kokën, shumë prapa. Këtu e tutje, si pas çdo qafe, mund të shohësh vetëm përpara.

Të tjera kilometra me po ato kthesa që ndjekin përpikmërisht terrenin. Është e qartë se rrugën pa asnjë gërmim dhe asnjë mbushje, pra me shpenzime minimale dhe vuajtje maksimale, e ka projektuar një inxhinier kursimtar.
Pas qafës, pamja është shumë më magjike se lugina e Baldushkut që le pas. Aq e bukur, e butë, e begatë, sa sdi me çfarë ta krahasosh.

Gjatë atyre kthesave, ngaqë sa të ha syri nuk duket as Vrapi as ndonjë katund tjetër, nis e dyshon mos ke gabuar rrugën. Sheh me merak sa naftë të ka mbetur. Sigurohesh për dy batanije që i mban në bagazh për kësi rastesh po të zuri nata ku kalimtarë dhe makina nuk ka, nafta po të mbarohet, celulari të është shkarkuar.

Nuk e ke humbur rrugën. Gjurmët e gomave mbi ish rrugën e ish kalldrëmit të ish asfaltit, nuk të gabojnë. E merr veten. S’ke të ngopur me pamjet magjike që të dalin përpara që aq lehtë asociohen me ngjarje romanesh, ku janë bërë luftra, dashurira, duele, intriga.
Pas njërës prej kthesave, ja më së fundi Vrapi.

Vrapsit, vrapistët, vrapianët, vrapiotët, vrapalinjtë, quaji si të duash, të sjellshëm, të butë, të qetë, i ofrojnë udhëtarit të lodhur të gjitha të mirat e botës; ujë, kafe, cigare, muhabet. Gjatë muhabetit, fill një ftesë e sinqertë;

-Rrim sonte, therim pula, i pjekim, ja shtrojm me mish e pilaf e raki.
-Jo-jo, sjam i salltaneteve. Dua ta këpus me dorën time një fik nga dega, dhe një gotë ujë kroi, kaq dua.
-Mos luj venit. Nga dega, nga rrënja, këpusim ne për ty çfarë të duash ti; Fiq Vrapi, kumlla Vrapi, rrush Vrapi, mollë Vrapi, vetëm ulu pak, bëjmë pak muhabet.
-Për çfarë të bëjmë muhabet ?

Shohin njëritjetrin në sy.
-Për rrugën pra. Dum rrugë. Po fikemi, po ngordhim, po vdesim, për rrugë.
I hedh një sy fshatit.

Vrapi është ku qan qameti. Në grykën ku është strukur duket si ca rraqe të hedhura në kosh.
Asnjë shtëpi e re. Ambulanca, shkolla, për ibret.
Përveç furgonit gërrhitës të linjës, asnjë makinë tjetër nuk vjen këtu.
Në thellësi të mirditës, martaneshit, gramshit, labërisë, në asnjë vend të Shqipërisë nuk ka një fshat kaq të bukur dhe kaq të varfër.
Gur kilometrik ! 32 kilometra nga Tirana. Dikush thotë se nga asfalti i Baldushkut e deri këtu janë 11 kilometra. U dukën më tepër, shumë më tepër, por ja që aq janë.

Poshtë në luginën që lashë pas, si në gjithë fshatrat e Shqipërisë ka shtëpi dhe vila të reja me të ikë menia. Këtu asgjë e re. Këtu ora ka ngecur në vitet ’50. Tmerr e shkuarr tmerrit. Parajasën dhe Ferri janë me miliona kilometra larg njëritjetrit. Baldushku dhe Vrapi jo më tepër se 11.
Në horizont asnjë katund. Pyes dikend ku janë katundet e tjerë. Tregon me dorë dhe u thotë emrat katundeve që nuk duken.
Fukara, i izoluar, i mjerë, Vrapi duket si ato vendet e paarritshëm të Argjentinës ku janë fshehur nazistët pas luftës. Ndoshta Hitleri është fshehur këtu dhe ka vdekur këtu. I duhet kërkuar varri.
Më rrethojnë pesë a gjashtë adoleshentë tepër seriozë.
-Thuaju nuk duam Internet, nuk duam fejsbuk, nuk duam disko, nuk duam shkuma party.
-Po çfarë doni ?
-Duam rrugën. Duam vetëm rrugën. Bujqësinë, blegtorinë, dhe gjithçka tjetër i bëjmë vetë. Duam vetëm asfaltin e rrugës.
-Pa merak. Do ti them Skënderbeut, Gjon Buzukut, Ali Pashës, Fan Nolit, Ismail Qemalit, Lasgushit, Ahmet Zogut, Shekspirit, Çurçillit, Maksim Gorkit, Pushkinit, Çajupit, të gjithëve do tu them për 11 kilometrat e asfaltit të Vrapit.
-Harrove Obamën, Putinin…
-Edhe atyre do tu lutem për asfaltin tuaj, që sigurisht ju duhet, sigurisht e meritoni.
Qeshin. Më falenderojnë. Ndahemi.
Një mesoburrë më thotë një paradoks rrënqethës; Për shkak të mungesës së asfaltit, çmimi i transportit të materialeve të ndërtimit është aq i lartë sa ndërtimi i një shtëpie të re në Vrap kushton më tepër se në Tiranë.
Përballë kamioni i frikës duke u avitur ngadalë. S’dihet se ku do ndali e kur do shpërthejë, si në atë filmin.
Fare afër Tiranës, tek dera, te pragu, por që duket si në fund të botës, as mëndja smë vajti për të bërë foto në Vrapin që rënkon për 11 kilometra asfalt.