12 C
Prizren
E martë, 13 Maj, 2025
Home Blog Page 6365

Shkëmbinjtë bllokuan rrugën Prizren-Prevallë

0

Rruga Prizren-Prevallë ka qëndruar e bllokuar për gati një orë.

Kjo pasi që disa shkëmbinjtë janë rrëzuar dhe kanë shkaktuar tollovi në komunikacioni.

Në vendin e ngjarjes siç përcjell Express, kanë dalë kompanitë private për ta pastruar rrugën dhe tani është e kalueshme.

Çmimet letrare të Kosovës emërohen sipas shkrimtarëve të njohur

0

Për dallim nga vitet e kaluara kur Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndante çmimet letrare në kategori të ndryshme, sivjet secilit çmim i është vënë emëri i një autori shqiptar që njihet në zhanrin e caktuar.

Përveç çmimit “Azem Shkreli” që ndahet për vepër jetësore, çmimi për veprën më të mirë në prozë është emëruar “Anton Pashku”, ai për poezi “Ali Podrimja”, çmimi për veprën më të mirë në kritike letrare eseistikë “Ibrahim Rugova”, për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe ose anasjelltas “Pjetër Bogdani” dhe çmimi për veprën më të mirë në kuadër të letërsisë për fëmijë “Vehbi Kikaj”.

Njoftohet gjithashtu se nominimet për çmimin për vepër jetësore “Azem Shkreli” mund të bëhen nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Instituti Albanologjik i Prishtinës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Fakulteti i Filologjisë së Universitetit të Prishtinës, Shtëpitë botuese të Kosovës, redaksitë e gazetave dhe revistave letrare-kulturore të Kosovës, asociacionet e shkrimtarëve që veprojnë brenda territorit të Kosovës, OJQ-të që merren me veprimtari kulturore në Kosovë dhe personalitetet me reputacion publik.

Propozimet duhet të dorëzohen në Departamentin e Kulturës në MKRS më së largu më 10 janar të vitit 2016.

Njerëzit me çrregullime mentale dhe shoqëritë postraumatike

0

SALI BYTYÇI

Këta njerëz më nuk i ke vetëm në krye të institucioneve shtetërore, po edhe në krye të institucioneve arsimore, kulturore, religjioze, shkurt në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare

Njeriu me çrregullime mentale apo sëmundje shpirtërore, zakonisht është njeri i goditur në pjesën njerëzore, në atë pjesë që e dallon njeriun nga shtazët tjera, në ndërgjegje, jo në inteligjencë, sepse inteligjencë mund të kenë edhe shtazë të ndryshme, po ato nuk kanë ndërgjegje. Pas goditjes së njerëzores, këtij personi i forcohet shtazorja: instinktet e shtazës për mbijetesë, prandaj jo rrallë këta në jetë për nga suksesi ua kalojnë njerëzve normalë, sepse për ta më nuk ka asnjë pengesë, asnjë kod moral apo njerëzor.

I sëmuri mental mund ta vozisë avionin, mund të bëjë zbulime të ndryshme, mund të krijojë edhe art, po në të gjitha ato që i krijon ai, mungon ndërgjegjja njerëzore.

Njerëzit me çrregullime mentale zakonisht shtohen në shoqëritë jonormale. Këta njerëz, sidomos në shoqëritë postraumatike, bëhen normalë, për të mos thënë se dalin edhe në pozita udhëheqëse.

Shembuj të daljes në krye të shoqërive postraumatike të personave me çrregullime mentale, janë Shqipëria pas rënies së komunizmit dhe Kosova pas përfundimit të luftës ‘98-’99.

Në shoqëritë e tilla, vija në mes normales dhe jonormales, të ndershmes dhe të pandershme, etikes dhe joetikës më nuk ekziston.

Mund të gjejë dikush një vijë në mes këtyre që i përmenda, në hapësirën shqiptare?

Këta njerëz më nuk i ke vetëm në krye të institucioneve shtetërore, po edhe në krye të institucioneve arsimore, kulturore, religjioze, shkurt në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare.

Dhe, si përfundim, duhet të themi se njerëz me çrregullime mentale mund të vijnë në krye të institucioneve, politike e jopolitike, vetëm në shoqëri posttraumatike, por jo në shoqëritë që kanë pasur zhvillim normal. Shoqëritë shqiptare, në Shqipëri e Kosovë, janë shembujt më tipikë të shoqërive që nuk kanë pasur fatin të zhvillohen normalisht, ndaj edhe këtu njerëzit më nuk e dallojnë çfarë është mirë e çfarë është keq, çfarë është e moralshme dhe çfarë nuk është, çfarë është progresive e çfarë regresive, çfarë është liri e çfarë robëri.

Komuna e Suharekës rrënon objektin kontestues

0

Me vendim të Drejtorisë së Urbanizmit, inspektorët komunal bënë rrënimin e objektit tek Ura e Qytetit.

Rrënimi i objektit, ka filluar rreth orës 09:00 me asistencën e policisë dhe ende po vazhdon.

Drejtori i Urbanizmit Kushtrim Kicaj, nuk pranoi të prononcohet për TherandaPost, me arsyetimin se nuk ka kohë.

Ndërsa Zymer Elshani, i cili pretendon që është pronar i pronës deklaroi për TherandaPost:- “Ky veprim është i ngutshëm nga ana e Kmunes së Suharekës, për arsye se kjo çështje ende është në kontest gjygjësor. Ne disponojm dokumente që prona është e jona dhe do të vazhdojm më tutje“/therandapost.com/

Ramadan Muja, duhet të arrestohet para Vitit të Ri

0

Kuvendari i Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Arbër Rexhaj thotë se shpresa e vetme për të ndalur degradimin e Prizrenit, ka mbetur arrestimi i kryetarit të Komunës, Ramadan Muja.

“Më vie keq për moshën e tij, por Muja do të duhet të arrestohet menjëherë, së bashku me të të gjithë drejtorët dhe zyrtarët e përfshirë në korrupsion dhe krim të organizuar, që viti që po hymë të ketë shpresë për qytetarët”, thotë Rexhaj për “PrizrenPress”.

“Vetëm kështu qyteti do të kishte mundësi për ndryshim!”.

Kuvendari Rexhaj vlerëson se edhe viti 2015 ka shënuar një keq-qeverisje dhe degradim të të gjitha vlerave prizrenase.

“Udhëheqja e Mujës, më disa përjashtime, është gjendur para dyerve të drejtësisë, madje kjo udhëheqje është gjendur edhe e mbyllyr në burg shkaku i keqëpërdorimeve në fushën e arsimit”.

“E ka shkatërruar historinë dhe kulturën e Prizrenit, kaosi urbanistik në Komunën tonë, mbindërtimet kanë vazhduar me intensitet të lartë”.

“Ka rrënuar objekte me trashëgimi historike dhe kulturore, për çka dhe zyrtarët gjenden në dyert e drejtësisë”.

“Kjo kastë e Mujës dhe drejtorëve të tij, do të duhej të paguanin për të gjitha dëmet që ia kanë shkaktuar qytetarëve të Prizrenit”.

“Muja me gjithë kabinetin e tij ka degraduar të gjitha vlerat prizrenase. Paranë e qytetarëve e ka abuzuar keqas në luks, dreka e darka. Krejt çfarë ka ditur të bëjë ka qenë shtrimi i asfaltit dhe bubëzave të betonit, madje këtë ua ka dërguar pranë shtëpisë militantëve të tyre, tani duke mos u mjaftuar me tenderomaninë e kësaj fushe ka filluar shtrimin e rrugëve malore duke pasur parasysh që këto para në fushën e shërbimeve publike do të mund të adresoheshin në lëmit tjera me ineteres strategjik ekonomik”,thekson ai.

Sipas tij, gjatë edhe gjatë këtij viti në Prizren, nuk ka pasur zhvillim ekonomik./PrizrenPress.com/

Pritja e fundit

0

Mario LamoJiménez

(Kolumbi)

Kam shtatëmbëdhjetë orë që kam vdekur dhe ende nuk po më varrosin. Sa e mërzitshme qenka të jesh i vdekur! Të paktën, po të kisha një puro për ta tymosur, nuk do të mërzitesha kaq shumë duke pritur.

Mund të kisha kaluar në krahun tjetër me më shumë kujdes, por edhe vetë vdekja ime qe e dështuar. Duke kaluar rrugën «La Septima», ia ngul sytë një zeshkaneje që shkon duke u tundur, hutohem dhe më godit me motoçikletë korrieri i barnatores. Përplas kokën te trotuari dhe aty mbetem si një gjel i ngrirë në vitrinën e një frigoriferi, me sytë e qelqtë dhe me gjuhën e përjagur, ndërsa dosjet e gjyqtarit mbeten të shpërhapura nëpër rrugë. Një qen që kaloi aty nisi të më lëpijë plagën, por e trembi sirena e ambulancës që, siç dihet, mbërriti me vonesë. Kur mbërrita në spital, tashmë i vdekur, nuk donin të më pranonin, pasi nuk kisha dokumentin e sigurimeve shoqërore. Dikush, midis kureshtarëve, më kishte vjedhur portofolin dhe orën e dorës. Ora e dorës nuk më interesonte se s’kishte ç’më duhej më, por humbja e portofolit më dhëmbi, sepse ishte prej lëkure deveje dhe e kisha kujtim nga Elisa. Në agjencinë e varrimit më provuan gjashtë arkëmortë, por asnjëri nuk më bënte. Ishin të vegjël. Më në fund, për të kursyer paratë, ime shoqe vendosi për një që ishte imitim dru mogani, por, meqë as ai nuk më merrte, më hoqën këpucët dhe m’i përthyen këmbët. Tani do të më varrosin me çorape të grisura. Mua që fitoja vetëm nëntëdhjetë mijë peso në muaj! Ime shoqe në fillim zuri të qante, por kur i thanë se sigurimi i jetës paguante nëntë qind mijë peso, e vetmja gjë që tha qe: «Epo mirë, zure se do të vdistepër dhjetë muaj.»

Ja ku jam, në sallonin e shtëpisë sime, duke pritur që të më varrosin. E mbështetur në mur, është kurora me çmim të lirë, që më dërguan shokët e zyrës. Vetëm Hili ka ardhur për të më përcjellë. I detyrohem njëzet mijë peso dhe tani po ngushëllon time shoqe.

Nuk më ka pëlqyer kurrë ky sallon. Muret janë të mbuluar me ca kuadro të dalëboje dhe mobiliet të ronitura. Kurrë nuk më kishte shkuar në mendje që pritja ime e fundit do të ndodhte pikërisht këtu. Kur Hili dhe ime shoqe më lanë vetëm, një mi i madh nxori kokën te kapaku i arkëmortit. Gati sa nuk vdiqa nga frika. Sa do ta doja në ato çaste qoftë edhe një kafe pa sheqer, si ajo që më bënte Elisa. Po bën ftohtë. Tani nuk mundem të thërras as Elisën që të më përcjellë. E njoha para tre vjetësh, në gjykatë kur erdhi për të bërë praktikën. Ajo ishte studente drejtësie. Pikërisht aty u dashuruam. Konsuelanuk e mori vesh kurrë. Nuk ia vlente t’i thosha, ajo ishte shumë xheloze dhe mbretëria e saj ishte kuzhina. Pa shikoje tani! Mizë e ngordhur! Sa e afruar me Hilin dhe nuk qan fare për mua.

Sonte unë do të isha duke pirë birrë dhe duke luajtur domino, si çdo të diel, dhe ja, dreqi ta marrë, më duhet ta kaloj fundin e javës i vdekur, duke pritur varrosjen time. Nëse do të kisha vdekur të hënën apo të martën, të paktën do kisha përfituar duke mos shkuar në punë dhe sot do të isha duke bërë qejf. Siç e shihni, ky është kulmi i fatit të keq: të vdes në një ditë pushimi.

Tani më duhet të pres deri nesër në ora njëmbëdhjetë që të më futin në një “Kadillak” të zi dhe të më kalojnë nëpër gjithë gropat e lagjes. Dhe prifti do të jetë i kënaqur. «Më në fund, iku edhe ky ateisti», do të thotë, duke taposur hundën nga era e vdekjes, kur do të më futin në kishë. Më llahtaris ideja se do të dëgjoj meshën. Do të jetë ajo ceremoni e përhershme që më ka tmerruar që kur isha fëmijë: prifti duke kënduar me zërin e ngjirur, kisha mbushur me qirinj dhe disa plaka të rrudhosura duke qarë e duke u qurrosur për të vdekurin e radhës. Kurrë nuk e kam duruar dot aromën e qirinjve, e shohë që do t’ia plas me teshtima në mes të meshës. Dhe për këtë ceremoni të marrin dy mijë e pesëqind peso. Unë nuk do të paguaja as edhe një qindarkë për një meshë varrimi. Më pas, kur të mbarojë mesha dhe të dëgjohet zilja e akulloreshitësit te dera e kishës, do të më shpien në gropën time. Kushedi se kë do të kem fqinj në varrezë. Ma merr mendja se nuk mund ta zgjedhësh dot. Larg qoftë, sikur të më qëllojë ndonjë llafazane, do të më duhet të duroj gjatë gjithë përjetësisë ankesat dhe qurravitjet e saj. Ç’do të ndodhë pasi varrmihësit të më mbulojnë me dhe, të më vënë gurin përsipër dhe gjithçka ta mbulojë terri? As që dua ta shkoj nëpër mend. Nuk e di, por në këto çaste do të doja të isha si përditë, thjesht duke sistemuar dokumente në zyrën e gjykatës, apo duke luajtur bilardo në El Aventino. Sa e pambarimtë është nata kur je i vdekur! Ende duhen edhe shtatëmbëdhjetë orë që të më varrosin. /Revista Saras

Shqipëria etnike më 1801 e më 1901, sipas Faik Konicës

0

Një shkrim nga Faik Konica, botuar më 1901 në revistën “Albania”!
Si ish vëndi ynë qint vjet më parë e si është sot? Ndryshim i madh, të cilin d t’jua rrëfejmë në pakë fjalë.

Ahere Shqipëria, sundimërisht, ish po thua më vete. Kara Mahmuti sipër, Ali Tepeleni poshtë, e sundojin Shqipërinë pa kërkuar urdhëra nga Stambolli. Ata vetë i emërojin gjithë nënurdhërit e guvernës, të cilët ishin të gjithë shqipëtarë.

Sot kemi mi krye ca Anadollakë qi nuk kanë tjatër mendim e tjatrë punë, përveç të dobësojën vëndin e të shuajnë kombësinë t’onë.

Ahere, emri shqipëtar ish i njohur kudo n’Evropë si i një populli me gjuhë, me zakone, me mendime, të veta. Librat e shkronjëtorëve t’asaj kohe janë plot me dëftime të tilla.

Sot për kundrë, erësia ku na ka lidhur Stambolli, e ku na mban poshtërsia e karakterit t’onë, u dhanë sy e forcë kombeve fqinje të na kllasin djallëzit e tyre e t’i japin të besojë botës se komb shqipëtar nukë ka. Ashtu, ne qi njëqint vjet më parë ishim kombi m’i gjall e m’i fuqishëm i Ballkanikut, jemi sot për sot kombi m’i sëmur e m’i dobëti.

Ahere gjuha shqipe flitej kudo në Shqipëri: rreth vatrës, në trek, në shtëpi të guvernës (huqumet); edhe sikur të kishin patur mënt të parët t’anë, pa farë vështiret kishin bërë qindëra shkolla në gjuhë shqip.

Tani, prapë shumica e Shqipëtarëve të ndershëm shqip flasin e Shqipëtarë mbahen. Po ca harbutë, ca zuzarë të lindur prej nënash shqipëtare, po prej Atësh a Anadollakë a fare të panjohur, bëjnë sikur e harruan shqipen, kërkojnë me pahir të na kllasin gjuhën e mundësit dhe i ndihin armikut të na e shuajë gjuhën t’onë.

Nuk u ndryshua vetëm puna e sundimit e e gjuhës. U ndryshua aq, edhe më tepër, puna e begatimit.

Një qint vjet më parë, tregëria, bujqsia, ishin në lulëzim të bukur. Të marëdhënat ishin të lira – jo si sot që Anadollaku i ndalon shumë tregëtarë të venë e të vijnë, duke rënduar pagat e bakshishet, duke kërkuar pasaporte e tezqerera, duke pyetur ku vete e pse vete e mos ke ndonjë mendim të pshehtë. Bota e punonin dhenë; i varfëri kish tokën e tija e e shtrëngonte t’i nxjerë grur e bukë. Sot një mij shkake, një mij ndalime, e shkretuan bujqsinë; Shqipëtari nukë punon më dhen e tija; arat janë kudo të shkreta, e një erë përjashtimi po i fryn qi i shtyn përjashtë Shqipërisë, në vise të huaja, më të mirët punëtorë.

Më 1801, Shqipëria kish nja pesëdhjetë shtëpi bejlerësh të vjetër e disa oxhakë të krishterë, qi kishin dashurin’ e vëndit, jetojin në Shqipëri, e mbajin kudo si një vatër rreth e rreth së cilës mblidheshin e ngroheshin të varfërit edhe të tjerët. Tani oxhakësia u prish e u shua. Të paka shtëpi të vjetëra kanë mbetur. Zuzarësia edhe harbutëria i largon bejtë e i heq në Stamboll. U vjen më mirë të venë e t’u lëpijnë këmbët Anadollakëve, të bëjnë poshtrësira edhe të fitojnë ca ergjënt, se të rojnë në Shqipëri të vobekë por me nder e me hie.

Ashtu ka qënë. Kështu është.

Ne, Shqipëtarët e anës kombëtare, nukë kemi tjatër mendim përveç t’a heqim Shqipërinë nga balta. Kërkojmë të jetojë kombi yn me gjuhë të tij, me mendime e me nder të tija.

Sa Shqipëtarë janë të ndershëm, do të mbajnë të gjithë me anën kombëtare. Ata qi janë zuzarë, shpirtrobër, e bij kurvash, le të mbajnë me anët e tjera.

Haziz Hodaj: Nuk ka Kuvend të ri në LDK-në e Prizrenit

0

Nuk do të ketë Kuvend për shkarkimin e kryetarit të Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli. Kështu ka thënë nën kryetari Haziz Hodaj.

“Kam dëgjuar se është në lëvizje një listë për të mbledhur nënshkrimet nga anëtarët e Kuvendit të Degës për ta mbajtur një Kuvend, jo për shkarkimin e kryetarit të Degës, por për ta mbajtur një Kuvend pune me qëllimin që dega e kryetari i saj të intensifikojnë aktivitetet për të qenë më afër votuesit të LDK-së”, ka thënë Hodaj për KD.

Ndërkaq, anëtarët e Kryesisë së LDK-së në Prizren, për këtë cështje janë takuar edhe me liderin e tyre Isa Mustafën.

Burimet e “PrizrenPress”-it bëjnë të ditur se temë e bisedimeve me Isa Mustafën ka qenë zhvillimit e fundit të Degës së LDK-së në Prizren.

“Po ka pasur një takim me Isa Mustafën. Është diskutuar për iniciativën që është marrë për shkarkimin e kryetarit të Degës Haxhi Avdyli”, tregon një burim brenda LDK-së.

Sipas të njëjtit burim në këtë takim nuk ka marrë pjesë Haxhi Avdyli

“Haxhi Avdyli nuk do të shkarkohet. Iniciativa është individuale”.

Lideri i LDK-së Isa Mustafa ka garantuar se nuk qëndron prapa iniciativës për shkarkimin e Avdylit.

“Iniciativa ka qenë individuale dhe s’ka të bëjë me Isa Mustafën”.

Ditë më parë pat filluar mbledhja e nënshkrimeve nga delegatët për shkarkimin e Haxhi Avdylit.

Avdyli ka thënë se iniciativa ka qenë individuale nga njerëzit të cilët nuk ia duan të mirën LDK-së.

Arroganca e Qeverisë e forcon opozitën

0

Pa anulim të marrëveshjeve, pa lirimin e të burgosurve politikë dhe pa një qëndrim të vendosur institucional të Kosovës, se Kosova nuk do të lëshojë pe dhe nuk do të bëjë koncesione, nuk do të mund të ketë normalitet institucional

Deklaratat refuzuese të partnerëve të koalicionit qeverisës, kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi, karshi tri kërkesave të opozitës së bashkuar, për anulim të marrëveshjeve të 25 gushtit, Asociacionit dhe Demarkacionit, referendumit ose zgjedhjeve të reja, e kanë motivuar edhe më shumë opozitën që të këmbëngulë në qëndrimet e saj.

Zyrtarë të subjekteve politike në opozitë, të kontaktuar nga gazeta, kanë thënë se, pavarësisht barrikadimit të Qeverisë në mbrojtje të marrëveshjeve të dëmshme dhe aktivizimit të policisë e drejtësisë për të ndaluar, burgosur deputetë opozitarë, veprimet e koordinuara për të pamundësuar punën e Kuvendit, por edhe protestat qytetare deri në rrëzimin e kësaj qeverie, nuk do të ndalen.

“Pa anulim të marrëveshjeve, pa lirimin e të burgosurve politikë dhe pa një qëndrim të vendosur institucional të Kosovës, se Kosova nuk do të lëshojë pe dhe nuk do të bëjë koncesione sa i përket territorit, institucioneve dhe vetë Republikës, Kosova as nuk do të mund të vazhdojë si Republikë, por në anën tjetër as nuk do të mund të ketë normalitet institucional”, tha kreu i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Visar Ymeri…/kosova sot/

Mustafa & Thaçi lulëzojnë korrupsionin

0

Ekzekutivi ka mirëmbajtur sistemin klientelist të shtetit të kapur, ka kontribuar ndjeshëm në politizimin e mëtutjeshëm të bordeve vendimmarrëse, ka vazhduar praktikën e ndikimit të gjyqësorit dhe të prokurorisë, duke e rritur nivelin e korrupsionit

Dita Ndërkombëtare kundër korrupsionit e gjeti Kosovën ashtu si edhe vitet e kaluara, me shumë korrupsion e me pak përpjekje për ta ndalur dhe për ta ndëshkuar atë. Me rastin e kësaj dite, zyrtarë të institucioneve të Kosovës dhe ato ndërkombëtare, por edhe përfaqësues nga shoqëria civile, kanë bërë thirrje për një angazhim më të madh dhe më serioz në luftën kundër korrupsionit, që preku pothuajse çdo skaj të shtetit. Në këtë ditë, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) vlerësoi se viti 2015 realisht është një vit i humbur në luftën kundër korrupsionit.

“Nuk ka një plan se si do të veprohet në të ardhmen. Korrupsioni po i prek qytetarët në mënyrë direkte. Kemi mungesë të liberalizimit të vizave, mungesë të investimeve të huaja dhe të gjitha këto shkaktohen nga korrupsioni”, ka deklaruar në këtë rast Artan Canhasi nga KDI-ja. Edhe vetë ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se për të, por gjithashtu edhe për qeverinë amerikane, lufta kundër korrupsionit në Kosovë është prioritet. Për këtë, ai shtoi tutje se është vendosur që vitin që vjen të shpenzohen dymbëdhjetë milionë dollarë për fuqizimin e sundimit të ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Delawie theksoi se, edhe pse ka disa përparime në luftën kundër korrupsionit, niveli i korrupsionit në Kosovë mbetet më i larti në krahasim me vendet e rajonit. Që është kështu e pranon edhe Haki Shatri nga AAK-ja…/kosova sot/