15.6 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025
Home Blog Page 6373

Eagles of Death Metal sërish në Paris

0

Eagles of Death Metal, rock bendi amerikan që u mbijetoi sulmeve të xhihadistëve në koncertin e tyre në Paris muajin e kaluar, kanë bërë një rikthim emocional në skenë, në kryeqytetin francez, të hënën në mbrëmje, teksa u shfaqën përkrah U2.

“Duam t’i paraqesim këtu njerëzit – jetët e të cilëve do të jenë përgjithmonë pjesë e Parisit. Janë vëllezërit tanë. Atyre ua grabitën skenën tri javë më parë dhe ne dëshirojmë t’ua ofrojmë skenën tonë sonte”, deklaroi Bono për Eagles of Death Metal, duke e përqafuar këngëtarin e tyre Jesse Hughes.

Së bashku interpretuan këngën e Patti Smith “People Have The Power”, e pastaj edhe “I Love You All The Time”.

Ky koncert, i mbushur me emocione të fuqishme, i mbajtur në sallën me kapacitet prej 16.000 vendesh, në AccorHotels Arena, vjen pas tragjedisë së 13 nëntorit – kur në një seri sulmesh terroriste u vranë 130 persona, 90 prej të cilëve në koncertin e Eagles of Death Metal në Bataclan. /Politiko.net

https://youtu.be/L7_rb9i34W8

Opozita nuk po kushtëzon

0

Nënkryetari i AAK-së, njëherësh deputet i Kuvendit të Kosovës, Pal Lekaj, e ka ftuar Qeverinë të reflektojë karshi kërkesave të opozitës.

Ai në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se për çështje të rëndësishme të shtetit Qeveria nuk ka të drejtë të vendosë. Sipas tij, për Asociacionin dhe Demarkacionin duhet ta thonë mendimin e tyre qytetarët nëpërmjet referendumit ose zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Lekaj nuk i konsideron kushtëzim kërkesat e opozitës karshi pushtetit. Ai ka folur edhe për paraqitjen e tij të hënën në polici. Lekaj ka treguar se ishte ftuar nga policia për veprimet e tij në Kuvendin e Kosovës, por pastaj është liruar me procedurë të rregullt.

Krasniqi: Referendum ose zgjedhje për dalje nga kriza

0

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës, Jakup Krasniqi, ka folur për zhvillimet e fundit, në një intervistë për Zona B të Klan Kosovës, ku ka deklaruar se zgjidhja për dalje nga kriza është ose referendumi ose mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe formimi i një Qeverie teknike.

“Mund të shkohet edhe në Referndum. Por më mirë do të ishte shkuarja në zgjedhje të parakohshme, krijimi i një Qeveri teknike gjashtë muajshe, apo nëntë muajsh”.

“Megjithatë shkuarja në zgjedhje me këtë Qeveri do ta riciklonte këtë situatë që e kemi, e ne duhet të kemi kujdes që kjo të mos riciklohet”, pohoi Krasniqi.

Krasniqi: Qeveria nuk e kupton Demokracinë

Koalicioni qeverisës nuk e ka kuptuar demokracinë dhe mendon se gjithmonë numrat kanë të drejtë, ka thënë ish-kryeparlamentari i Kosovës Jakup Krasniqi, “por siç njihet edhe nga Tocqueville ekziston edhe tirania e numrave”, ka shtuar ish-anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës duke përdorur si referencë filozofin e famshëm francez, Alexis de Tocqueville.

Krasniqi, në intervistën e tij në Zona B të Klan Kosovës tha se “hedhja e gazit lotsjellës nuk është problem edhe pse për syrin e njeriut nuk është e mirë”.

“Unë jam i bindur që jo vetëm këta drejtues, kryeministri dhe zëvendësi i tij që nuk kanë komunikuar më Opozitën, por ata nuk kanë pasur asnjë komunikim normal edhe brenda për brenda koalicionit të tyre”.

“Të gjitha këto e kanë shty opozitën t’i ndërmarr këto veprime dhe pa këto veprime nuk do të bëheshin të zëshme për padrejtësinë dhe dëmet që iu kanë bërë Kosovës nga këto dy marrëveshje”.

“Ndërsa Parlamenti është dashur të kursehet. Kryetari i Kuvendit është dashur të kërkojë që problemet e krijuara jashtë Kuvendit të rregullohen jashtë tij, e jo të bëhet arenë e luftimeve”.

“Kjo situatë ka ardhur këtu, sepse Pozita është komod me numrat. Por edhe sikur të tranoheshin 120 deputetët e Kuvendit e të votonin pro, jam i bindur se kjo është e keqe”, pohoi Krasniqi.

Krasniqi: Po krijohet një problem 100 vjeçar

Problemi që mund ta krijojë themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk është thjesht një problem momental, por ai do të vazhdojë edhe për 100 vjetët e ardhshme ka thënë ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi.

“Jemi duke krijuar problem 100 vjeçar. Ata kanë kompetenca ekzekutive në arsim, në shëndetësi, në polici. Frika është që ka shumë ngjashmëri me Bosnjën dhe një ditë mund të rrëshqitet në atë drejtim. Këto bisedime në Bruksel nuk janë bërë me qytetarët serbë, por me politikanët serbë”, thotë Krasniqi.

Sipas tij negociatat që do të duhej të ishin teknik janë shndërruar në negociata politike.

“Ne nuk kemi problem me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, problemi është se nuk është bërë fare ky normalizim”.

Për Krasniqin situata e tanishme edhe gjeostrategjikë nuk është fare e pëlqyeshme për Kosovën.

“Tash e kemi një situatë pak më të vështirë, pasi pozicioni i Serbisë është më i favorshëm. Në njërën anë e kemi Rusinë që e mbështet Serbinë dhe BE-në që po mundohet ta tërheq Serbinë nga Rusia edhe në këtë situatë gjeostrategjikë jemi në pozitë të pafavorshme”.

Kurse, duke folur për serbët e Kosovës Krasniqi tha se “nuk po shihet asgjë që është integruar ajo pjesë e Kosovës në ndonjë formë, më tepër kemi një zgjerim të asaj politike sesa integrim”.

Krasniqi: Asociacioni s’ka të bëjë me Pakon e Ahtisaarit

Dokumenti që kornizën Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nuk ka të përbashkëta as me Kushtetutën e Kosovës e as me Pakon e Ahtisaarit, ka thënë anëtari i Nismës për Kosovën dhe ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi.

Nuk ka të bëjë madje as me “Kartën Evropiane për Vetëqeverisje lokale”, shtoi Krasniqi.

“Në Bosnje pas lufte kështu është filluar me komunat serbe të Bosnjës ku janë quajtur ‘Zajednicë’ është i njëjti term dhe asnjë parim në BE nuk e lejon një ndarje etnike”.

Krasniqi tha se bisedimet në Bruksel nuk guxojnë të krahasone me ato në Vjenë sepse nuk ngjasojnë fare.

“Edhe në Rambuje edhe në Vjenë ka qenë në bisedim edhe dhoma e dytë dhe në mes të dy dhomave përfaqësuesit kosovarë kanë zgjedh 2/3 shumicën e dyfishtë”.

“Në Vjenë është bërë një kompromis i dhimbshëm, por është shpërblyer me shpalljen e Kosovës, shtet i pavarur dhe sovran. E kemi ditur që po bëjmë kompromis, por si rezultat do të ishte Kosova e pavarur”.

“Për çka është bërë kompromisi në Bruksel, ky jo vetëm që nuk është kompromis, është komprometim”, tha Krasniqi.

“Çdo përpjekje për të bërë barazim të bisedimeve të Vjenës dhe Brukselit është e paqëndrueshme. Këto dokumente që ne po i nënshkruajmë nuk kemi marrëveshje të përfunduara, kemi pjesë të marrëveshjeve”, shtoi ai.

“Marrëveshja e 19 prillit në fund të fundit është diskutuar dhe është votuar në Kuvend, ndërsa marrëveshja e 25 gushtit nuk është paraparë fare diskutimi dhe votimi në Kuvend”.

Sipas Krasniqi me marrëveshjen e fundit dhe mospyetjen e Parlamentit të Kosovës u tentua të zhvleftësohet legjislativi.

“Ka qenë një tentativë e hapur për të ia marr fuqinë Kuvendit”.

Krasniqi tha po ashtu se serbët e Kosovës nuk janë problem, por problem është dirigjimi i tyre dhe instrumentalizimi që iu bëhet atyre nga Serbia.

Krasniqi: Pushtetarët në Kosovë janë autoritarë dhe autokratë

Krizat kryesisht ndodhin në demokraci të brishta, por në Kosovë pushteti është shumë autoritar dhe nuk pranojnë argumente, ka thënë në Zona B të Klan Kosovës, ish-kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi.

“Në demokraci gjithmonë ekzistojnë mundësi, sidomos në demokracitë e brishta ekzistojnë mundësitë të ndodhin gjërat e tilla”.

“Kjo ndodh sepse njerëzit në pushtet nuk i respektojnë rregullat e demokracisë, janë më shumë autoritarë dhe autokratë dhe nuk e pranojnë gjuhën e argumentimit”, ka thënë Krasniqi

“Në anën tjetër kemi disa marrëveshje që janë shumë problematike. Mos transparenca, mos komunikimi me opozitën, mos transparenca me nënshkrimin e marrëveshjeve, komunikimi bukur i vrazhdë me opozitën dhe opinionin publik i bërë nga kryeministri dhe ekipi i tij, por thelbi i problemit është te marrëveshjet që janë të këqija”.

Krasniqi ka folur edhe për pozicionin e tij politik kur ishte në krye të Kuvendit të Kosovës dhe tash që i takon Nismës për Kosovën, e cila është pjese e Opozitës në Kosovë.

“Qëndrimin ndaj meje në Kuvend të gjithë e kanë pasur pozitiv, ndoshta për shkak të kaluarës sime dhe raportit korrekt të krijuar mes pozitës dhe opozitës”.

“Tani kemi një realitet pak sa të ri për shumë arsye. Ky koalicion i ri është formuar në rrethana mjaft të ndërlikuara, duke marrë vendime në kundërshtim me shumicën, në asnjë vend nuk ka ndodhur që një shumicë të mos mundet ta formojë koalicionin qeveritar”, tha Krasniqi në Zona B.

U2 i jep jetë Parisit

0

Pa u bërë ende muaji nga sulmet e tmerrshme terroriste që goditën Parisin, duke lënë të vdekur 130 veta, U2 të dielën mbrëma është rikthyer në kryeqytetin francez me një performansë të fuqishme dhe pa fije frike.

Surpriza e mbrëmjes nuk ishin The Eagles of Death Metal, siç kishin spekuluar mediat, por ishte Patti Smith ajo që u ngjit në skenë gjatë këngës së fundit të mbrëmjes të rockerëve irlandezë. Ata kënduan së bashku “Gloria”.

Bono ngjalli emocione të mëdha kur thirri “Vive La France” teksa doli para turmës në koncertin e mbajtur në AccorHotels Arena.

“Nëse e doni lirinë, Parisi është vendlindja juaj”.

“Dhimbja është si një plagë që kurrë nuk mbyllet plotësisht. Ende e ndjej, për vete. Nëna më la kur isha 14 vjeç, por më la si një artist, e kjo plagë më shërbeu për hapjen e një bote tjetër – ku gjeta këta shokë të muzikës, këta miq të bendit. Rock n’Roll më ka shpëtuar, këta njerëz më kanë shpëtuar, ju më keni shpëtuar”.

“Ne nuk mund t’ju shpëtojmë juve, por roli ynë sonte është që t’ju shërbejmë. Kemi privilegjin të jemi shërbëtorët tuaj sonte”, tha Bono.

Pastaj, ia mori këngës “Hold Me Close”, të cilën ia dedikoi nënës së tij.

Më tutje, U2 vazhduan me hitet e tyre – “Where The Streets Have No Name”, “Beautiful Day”, “With or Without You”, “Bloody Sunday.”

Ata, po ashtu, nderuan viktimat e Parisit, duke performuar “In the Name of Love”, teksa secili nga emrat e të vrarëve më 13 nëntor u shfaqën në ekranin e madh. /Politiko.net

U2-emrat e viktimave te Parisit

Pamje nga koncerti i U2 në Paris, kur emrat e të gjitha viktimave u shfaqën në ekranin e madh.

Video: U2 dhe Patti Smith, së bashku, mbrëmë në Paris

Pas burgosjes së Albin Kurtit tensionohet gjendja në Kosovë

0

Der Standard – Në Prishtinë çdo gjë është veshur me flamuj. Përveç flamurit shqiptar – shqiponjës së zezë me sfondin e kuq – janë vendosur pllakate që i thërrasin kosovarët të blejnë vetëm produkte shqiptare. Edhe në llambat e semaforëve, shkruar me shkronja të zeza, thirret për bojkot të prodhimeve serbe.

28 Nëntori është Dita e Flamurit Shqiptar. Për çdo vit në vitrinat e dyqaneve të rrobave në Prishtinë mund të shihen të ekspozuara rroba ngjyrash kuq e zi. Në rrugën “Nënë Tereza” u mblodhën të shtunën me mijëra kosovarë me flamuj në dorë.

Opozita me flamuj në dorë

“Këta e kanë merituar këtë. Të gjithë janë të korruptuar”, thotë Blerim L., 21-vjeçar, i cili, edhe përkundër shiut të ftohtë i ishte bashkangjitur demonstratës. Studenti i bujqësisë është një adhurues i madh i Albin Kurtit dhe ai e konsideron të drejtë që partia opozitare “Vetëvendosje” po e bllokon punën e Parlamentit.

Vetëvendosje, së bashku me dy partitë e tjera opozitare, AAK-në e Ramush Haradinajt dhe Nisma e Fatmir Limajt, po e bllokon punën e Kuvendit që nga tetori. Argumenti: marrëveshja e lidhur me Serbinë më 2013 është e rrezikshme për Kosovën dhe me marrëveshjen me Malin e Zi për vijën kufitare, Kosova humb 12’000 hektarë tokë. Sa herë fillon votimi, dikush ndez gazin lotsjellës dhe të gjithë detyrohen ta lëshojnë parlamentin.

Kurti një intelektual me “Street-Credibility”

Kurti s’mund të krahasohet me ish- komandantët e UÇK-së Haradinajn dhe Limajn. Ai ishte udhëheqës i studentëve, ai është një intelektual që me dëshirë citon Hegelin dhe bart pulovër me fyt, si ekzistencialistët francezë. Ai ka një koncept të gjerë teorik, me të cilin vite me radhë argumenton kundër prezencës së bashkësisë ndërkombëtare në “kuazikoloninë” Kosovë. Ai nuk është i interesuar si shumë të tjerë për të fituar thjesht pushtet apo para. Kurti ka një si “Street-Credibility”. Dhe megjithatë ai është i përcaktuar për të njëjtat tema sikur edhe luftëtarët e vjetër Haradinaj dhe Limaj. Madje Vetëvendosje është e përcaktuar edhe për projektin e “Shqipërisë së Madhe” të ndaluar me Kushtetutë.

Të shtunën [e kaluar], Kurti u arrestua pas demonstratës. Ai disa ditë më parë kishte hedhur gaz lotsjellës në Parlament. Policia sulmoi zyrat e partisë dhe gjeti aty edhe gaz-maska. Së bashku me Kurtin u arrestuan edhe 90 persona të tjerë.

Aksioni konsiderohet politikisht dhe juridikisht i ndjeshëm, sepse Kurti mund të shndërrohet shpejt në martir. Edhe vetë raportuesja speciale e Parlamentit të BE-së, austriakja e të gjelbërve, Ulrike Lunacek, e kritikon momentin e burgosjes së tij. Burgosja nuk shkon në shërbim as të gjetjes së një zgjidhjeje të krizës politike, thotë Lunacek. Lunacek kërkon nga Qeveria dhe nga opozita të ulen në një tavolinë. Dhuna varros procese të rëndësishme, është e mendimit Lunacek. Burgosja e Kurtit indinjon përkrahësit e tij. Edhe në Tiranë tash po organizohen demonstrata për lirimin e tij, transmeton “Albinfo”.

“Kjo me gazin lotsjellës është një budallallëk”

Para burgosjes, të shtunën, Kurti mbajti një fjalim të zjarrtë në rrugën “Nënë Tereza” në qendër të Prishtinës. Tri vajza, që kishin ikur nga shi-bora dhe ishin strehuar nën strehën e një kulmi, janë po ashtu përkrahëse të tij. Ato shpresojnë se ai do ta ndërrojë sistemin dhe do ta heqë korrupsionin. Ajo që i dallon ato nga demonstruesit e tjerë të gjinisë mashkullore është se ato nuk duan dhunë. “Kjo me gaz lotsjellës është budallallëk, përndryshe çdo gjë tjetër që ai thotë është e drejtë”.

Vetëvendosje adhurohet sidomos nga të rinjtë – e veçanërisht nga studentët. Edhe kryebashkiaku i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është i Vetëvendosjes. Partia mund të krahasohet me partitë e tjera protestuese si atë spanjolle “Podemos” dhe atë greke “Syriza”.

Është krejtësisht e paqartë se si do të zhvillohen më tej ngjarjet. Ashpërsimi i situatës duket më real.

Ftesë me bisht!

0

Faik KRASNIQI

Tregohet se një herë e një kohë, mes gomarit dhe ujkut na plasi një debat i nxehtë mbi ngjyrën reale të barit. Gomarit i ishte tiposur se bari kishte ngjyrë të verdhë dhe nuk bënte asnjë lëshim për këtë. Sakaq, ujku nga ana e tij besonte se bari kishte ngjyrë të gjelbër. “Që bari ka ngjyrë të verdhë këtë e di gjithë mileti!” thoshte gomari i vendosur. “O veshgjatë, bari është i gjelbër!” i përgjigjej ujku po aq i vendosur. Debati mes tyre nuk kishte fund. Sa herë që takoheshin e ndaheshin, muhabeti i vetëm ishte ngjyra e barit. “Po përse nuk shkoni tek mbreti i pyllit e t’ua ndajë këtë mesele?”- u sugjeruan disa kafshë të cilave me sa duket u kishte ardhur në majë të hundës debati mes ujkut e gomarit. “Shkojmë?”- thanë njëzëri gomari e ujku dhe u drejtuan për tek mbreti i pyllit. Pasi i treguan mbi konfliktin e tyre, mbreti i pyllit uli kokën, u mendua pak dhe u tha:”Kjo çështje kërkon kohë dhe një seancë gjyqi më vete. Prandaj hajdeni nesër në mëngjes herët që ta ndaj njëherë e mirë këtë punë!” Atë natë, si gomari dhe ujku panë ëndrra mbi drejtësinë e luanit, mbretit të tyre. Të nesërmen në mëngjes filloi seanca gjyqësore. Luani i dëgjoi me durim si ujkun, ashtu dhe gomarin. Të gjithë kafshët e tjera prisnin me padurim zërin e drejtësisë. Në fund, luani u ngrit në këmbë dhe deklaroi vendimin përfundimtar duke zhgënjyer pothuajse të gjithë kafshët, përveç gomarit: “Ujku do të dënohet me punë të detyrueshme një muaj!” Gomari i këputi një të pëllitur saqë shurdhoi të gjithë sallën. Mandej doli me të katra jashtë. Pasi dolën pothuajse të gjitha kafshët, ujku iu afrua luanit dhe i tha:”Lartmadhëria juaj! A nuk më thoni çfarë ishte ai vendim arbitrar? Përse më dënoni kaq rëndë, për një fakt që e dinë të gjithë? A nuk është bari i gjelbër lartmadhëria juaj?” Luani iu përgjigj:”Sigurisht i dashur ujk. Unë nuk thashë se bari nuk është i gjelbër.”Ujku e pyeti i hutuar:”Po përse më dënuat atëherë?! Unë s’kam bërë asnjë gabim!”Luani iu përgjigj:”Vërtet që nuk keni gabuar në ngjyrën e barit, ama keni gabuar rëndë që kur keni pranuar të debatoni dhe polemizoni me një hajvan si gomari! Prandaj vendosa të dënohesh me punë të detyrueshme për një muaj që të nxësh mend e të mos merresh me hajvanë të pamend!”

Cilat janë mesazhet për politikën kosovare?

Mesazhet e sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, ishin mesazhe shumë të qarta për lidershipin dhe klasën politike në Kosovë, ku kërkoi bashkëpunim e kompromis mes pozitës e opozitës, për të gjitha mospajtimet dhe daljen sa më të shpejtë nga kjo krizë dhe bllokadë politike. Presioni i madh publik dhe politik, e sidomos pas vizitës të sekretarit amerikan, John Kerry, që është bërë ndaj kryeministrit, ka rezultuar me këtë ofertë bërë partive opozitare për dialog, por konsideroj se është e vonuar dhe është dashur të bëhej që në fillim të krizës.

Por, kryeministri Mustafa para se t’u dërgojë ftesë partive opozitare për dialog, pikësëpari është dashur menjëherë t’i lirojë nga burgu deputetët e opozitës, t’i kërkojë falje publike opozitës për dhunën e ushtruar ndaj tyre dhe arrestimin e deputetëve, e sidomos pas sulmit bizar dhe dhunës të ushtruar në selinë e VV-së, në mënyrë që t’i tregojë opozitës se oferta e tij është me të vërtetë serioze. Dhe njëkohësisht edhe ta ndëshkojë zyrtarin e saj, për deklaratën e tij poshtëruese dhe nxitëse, kur veprimet e opozitës i cilëson me metodat e organizatës terroriste ISIS, por ndëshkimet të vlejnë për çdo zyrtar qeveritar që bëjnë deklarata të pamatura, në këtë situatë të nxehtë politike, që vetëm e tensionojnë situatën akoma më shumë. E pakta që duhet të bëjë z. Abrashi, është kërkimfalja publike ndaj opozitës. Sidoqoftë, oferta e kryeministrit Mustafa bërë partive opozitare për dialog, nuk është fare serioze, kryesisht e thatë dhe e bërë vetëm sa për sy e faqe, sepse ajo është dashur të jetë më e detajuar sa i përket formatit të dialogut dhe mënyrës së ballafaqimit të argumenteve, pushtet-opozitë. Pra, nuk është dashur të ketë kufizime paraprake, në mënyrë që të krijohet një hapësirë që opozita t’i paraqesë argumentet e saj edhe para ekspertëve ndërkombëtarë që pritet të jenë pjesë e ndërmjetësimeve.

Këmbëngulja për Asociacionin dhe Demarkacionin!

Në rast se Qeveria dhe kryeministri Mustafa, prapë këmbëngulin që domosdo do t’i zbatojnë marrëveshjet, për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe Demarkacionin me Malin e Zi, që në këtë formë të zbatimit të tyre janë shumë të rrezikshme për sovranitetin dhe tkurrjen e territorit të Kosovës, atëherë opozita e bashkuar s’ka pse të bisedojë me pushtetin për këto gjëra që kanë për qëllim dëmtimin e Republikës, por t’i kundërshtojnë fuqishëm ashtu siç i kanë kundërshtuar deri më tash, sepse e kanë përkrahjen edhe të popullit që këto marrëveshjeve mos të jetësohen.

Zgjidhja më e mirë do të ishte që me punën e Demarkacionit me Malin e Zi, mos të merret politika, sepse politikanët nuk janë ekspertë në atë lëmi, por t’ua lëmë në dorë ekspertëve vendorë e ndërkombëtarë, në mënyrë që mos të humbim territor tonin, pasi sipas pjesës dërrmuese të demografëve kosovarë, Kosova rrezikon të humbasë mbi 8200 hektarë tokë.

Kurse sa i përket krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të kthehet në rinegocim në Bruksel, sepse në këtë format me gjithë ato kompetenca ekzekutive, dhe duke njohur apetitet e Serbisë, ky Asociacion pas disa vjetëve mund të na rrëshqas nga dora dhe ajo pjesë e territorit të Kosovës të na grabitet nga Serbia, ose do të na shkaktonte gjithmonë probleme në funksionimin e shtetit, prandaj pse të kemi gjithmonë probleme të brendshme me pakicën serbe të dirigjuar nga Beogradi, kur kemi mundësi që këto gjëra t’i zgjedhim gjatë bisedimeve në Bruksel. Këtë gjë e tha edhe Ulrike Lunaçek, që pala kosovare s’ka pse të zbatojë ndonjë marrëveshje që nuk e dëshiron populli, por që njëkohësisht edhe rrezikon sovranitetin e Kosovës, dhe çdo marrëveshje që konsiderohet e dëmshme për njërën ose tjetrën palë, mund të rikthehet për rinegocim në Bruksel. Ajo madje fajësoj palën kosovare, që nuk vë kushte gjatë bisedimeve.

Me gjithë ato të drejta që kanë serbët në Kosovë, që asnjë pakicë në botë nuk i ka, thuajse kanë më shumë të drejta se edhe vetë ne shqiptarët që jemi mbi 96% të popullsisë së Kosovës, nuk ka pasur nevojë të krijohet një Asociacion i tillë për serbët, por i gjithë faji është tek lidershipi i shantazhuar kosovar, që kanë pranuar një gjë të tillë, e si reciprocitet ndaj Serbisë, të njëjtën gjë nuk e kanë kërkuar edhe për shqiptarët në Kosovën Lindore.

As 40% e shqiptarëve në Maqedoni, që me marrëveshjen e Ohrit janë komb shtet-formues, nuk kanë një Asociacion, madje nuk i kanë as 5% e të drejtave që i kanë serbët në Kosovë, e mos të flasim për shqiptarët në Kosovën Lindore dhe Mal të Zi, që sistematikisht janë të shtypur dhe të diskriminuar nga pushteti serb dhe ai malazez. Këto gjëra po na ndodhin, sepse kemi një pushtet dhe politikanë të shantazhuar, që bëjnë lëshime në dëm të interesave të Kosovës, vetëm e vetëm mos të ndëshkohen nga Bashkësia Ndërkombëtare, për krimet e tyre të bëra në Kosovën e pasluftës, por edhe me çdo kusht që të ngelin në pushtet.

Gashi: Kur të duam Beqirin e Grabovcin i çojmë në burg

0

Komisioni parlamentar për Integrime Evropiane ka shqyrtuar Projektligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, megjithëse nuk janë plotësuar të gjitha kërkesat apo të gjitha vërejtjet të cilat janë adresuar në Raportin e Progresit.

Deputetët me ironi theksuan se kolegët e tyre, koordinatorët e grupeve parlamentare Ismet Beqiri dhe Adem Grabovci, në bazë të nenit 6 të këtij projektligji, duhet të shkojnë në burg për ndikim të drejtpërdrejtë për të votuar e marrë vendime konkrete deputetët.

Kryetarja e Komisionit Teuta Sahatqija, tha se disa çështje të Projektligjit për Ndryshim-Plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik nuk ishin të rregulluara me legjislacionin e BE-së. Sipas saj, tanimë nuk janë në kundërshtim me këto specifika të BE-së.

“Çështjet e rregulluara dhe të adresuara në Projektligjin për ndryshimin plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksionit publik nuk janë të rregulluara në mënyrë specifike me legjislacionin e BE-së. Legjislacioni i BE-së në këtë fushë përmban disa akte juridike”, tha Sahatqija.

Deputeti Arben Gashi, duke lexuar amendamentin numër 6 të këtij projektligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, tha se kryetarët e Grupeve parlamentare për ndikim tek deputetët për marrjen e vendimeve duhet të japin përgjegjësi. Me mendimin e deputetit Gashi janë pajtuar të gjithë anëtarët e këtij Komisioni, transmeton KP.

“Edhe pse amendamenti nr. 6 është në kundërshtim me praktikën e ligjvënies, po më pëlqen, sepse Ismet Beqirin dhe Adem Grabovcin direkt në burg po i dërguaka. Te neni 4 i ligjit bazik ‘zyrtari i lartë publik, deputeti i Kuvendit, si dhe të gjithë personat të zgjedhur apo të emëruar nga Kuvendi…’ dhe nëse ndaj zyrtarit të lartë apo ndaj deputeti lidhur me ushtrimin e funksionit publik ushtrohet ndikim i drejtpërdrejt apo i tërthortë haptas apo në mënyrë anonime për të votuar merr vendim konkret… Pra kur doni Ismetin dhe Adem Grabovcin i dërgojmë në burg”, tha Gashi.

Anëtarja tjetër e Komisionit Vjosa Osmani tha se ky projektligj ka rëndësi të madhe për faktin se është në pakon e liberalizimit të vizave. Ajo tha se nga përgjegjësitë të cilat dalin nga projektligji përjashtohen këshilltarët politikë.

“Te neni tre dhe neni 4 katër, sa po e shoh, i përjashtojnë nga obligimet që dalin nga ky ligj këshilltarët, sepse thotë se në këtë kategori nuk hyjnë personat apo nëpunësit e emëruar ose zgjedhur nga zyrtarët e lartë e që janë të punësuar në kabinetet e zyrtarëve të lartë publik”, ka thënë ajo.

Anëtarët e Komisionit kanë miratuar me shumicë votash edhe Projektligjin për themelimin e fondit kosovar për garanci kreditore, si dhe ka shqyrtuar Projektligjin për Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së. Po ashtu është miratuar edhe Projektligji për parandalimin dhe luftimin e trafikimit me njerëz dhe mbrojtjen e viktimave të trafikimit.

Me personazhet e mi kam raporte të këqija

0

Shkrimtari Ramiz Gjini, në një bisedë mbi letërsinë, romanin e tij të fundit “Pëllumbat e rrugës” dhe jetën tjetër në Nju Jork

Ramiz Gjini (1) “Imagjinata është më e rëndësishme se njohja”, do të shprehej Ajnshtajni. Njerëzimi ka ecur përpara në sajë të imagjinatës. Ramiz Gjini, tregimtar, autor i disa romaneve, mendon se nëse shkrimtari i qëndron besnik një historie reale është i marrë peng nga ajo histori. E gjithë letërsia e tij përshkruhet nga imagjinata … Vetëm pak kohë më parë ka dalë në treg romani i tij më i ri, “Pëllumbat e rrugës”, i cili përmbyll triptikun që nis me romanin “Rrëketë” dhe vazhdon me “Bibollasit”, i cili fitoi çmim të parë si romani më i mirë për vitin 2010.

Jeni shprehur që tregimi është atdheu juaj. Çfarë ndodh me ju kur uleni të shkruani një tregim?

Ramiz Gjini (2)Asgjë e jashtëzakonshme nuk ndodh. Para se të ulem të shkruaj, sidomos tregim, e kam të qartë çfarë dua të them. Çdo shkrimtar duhet ta ketë lëndën letrare brenda vetes para se të ulet të shkruajë. Të shkruash një tregim nuk kërkon ndonjë angazhim të madh. Me romanin është ndryshe. Nuk mund ta ndërtosh atë për një ditë. Duhet ta punosh pjesë-pjesë duke u kujdesur që këto pjesë t’i shërbejnë njëra-tjetrës. Në tregim duhet një bërthamëz e zjarrtë e aksionit, ku të jenë të dukshëm të gjitha elementet e lëndës së një historie të shkurtër: aksioni, konflikti, veprimi dhe ngjarja. Tregimi është si filmi, kanë më tepër rëndësi detajet, prandaj leximi i një tregimi është më i vështirë se leximi i një romani. Tregimtari ka një orientim të qartë dhe të shpejtë. Ai është indiferent karshi filozofisë dhe moralit dhe kurrë nuk ndalet në gjërat e dorës së dytë. Me fuqinë e vet, tregimi mund të tejkalojë edhe romanet e shkruara mirë, sepse ka, si të thuash, një llamburitje të shpejtë dhe të fortë, që lë gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e lexuesit.

Po a nuk duhen të njëjtat elemente edhe për të shkruar një roman?

Dakord. Duhen. Por gjatë shkrimit të një romani koha rrjedh me nge. Krijuesi duhet të marrë në konsideratë një mori gjërash, ku futen: tema, karakteret, koha në të cilën zhvillohen ngjarjet, motivet që nxisin veprimin e shumë të tjera. Është si zanati i karpentierit që ndërton një shtëpi. Ai nuk e ndërton shtëpinë për një ditë. Duhet filluar nga themeli, pastaj hap pas hapi nisin punët e tjera. Edhe me romanin shpaloset një situatë, krijohen karaktere të planit të parë e të dytë. Këto karaktere, në roman kanë kohë, ta zëmë, edhe të ndryshojnë gjatë zhvillimit të ngjarjeve. Sepse në roman nuk kemi vetëm një ngjarje si në tregimin ku personazhi, ka jetë të shkurtër. Mund të kemi një mori ngjarjesh të mëdha dhe të vogla. Edgar Allan Poe shprehet se tregimi duhet të ketë strukturë të ngjeshur, e cila është e lidhur ngushtë me një parim themelor estetik: me sugjestivitetin ose nëntekstin. Në tregim është më mirë të mos thuhen shumë gjëra. Tregimi e ka gjithmonë një fjalë, që autori e hesht, e fsheh ndërmjet rreshtave.

Ju thatë që në një tregim personazhi ose personazhet kanë jetë të shkurtër. A nuk është e mundur që personazheve të një tregimi t’u japësh jetë më të gjatë për të shkruar një roman?

Zgjedhja është bërë para se të ulem të shkruaj. Sepse tregimtari shkruan si një njeri që nuk ka shumë kohë. Në tregim ka më shumë rëndësi simbolika; autori duhet më tepër të fshijë sesa të shtojë. Tregimi është vetëm një frymë si proces, ashtu siç është poezia. Në tregim gjithçka është në funksion të qëllimit themelor. Çehovi, një nga tregimtarët më të mirë, kishte një parim: gjithçka që nuk ka të bëjë drejtpërsëdrejti me tregimin, duhet hedhur poshtë pa mëshirë. Madje, ai mori si shembull pushkën, për të cilën thotë se nëse e përmend në fillim të tregimit, më vonë patjetër duhet të kërcasë. Stilistët e mëdhenj i hasim më tepër mes tregimtarëve sesa mes romancierëve. Në tregim fjalët përdoren me kujdes, janë precize. Kompozimi i një tregimi është gjëja më e rëndësishme. Tregimtari është një portretizues i njerëzve, një krijues i mirë i detajit; kurse romani është një ndërmarrje e madhe, mund të portretizojë një kohë të tërë.

Sipas jush, cilët janë tregimtarët më tipikë në letërsinë botërore?

Ka shumë të tillë, por mund të përmend Mopasanin, Pirandelon, Merime, Hemingueji, Kalvinon, O’Henri, Çapeku, Anderseni, Çehovi, Dorothy Parker, Singer etj.

Anne Beattie thotë për tregimin, që është si të futesh në një tunel pa dritë … Mund të jetë kështu?

Shkrimtarë të ndryshëm, gjatë procesit të shkrimit përjetojnë ndjesi të ndryshme. Krijimi i një tregimi nuk është një shkencë ekzakte. Është dhe duhet të jetë imagjinatë. Dhe nuk ka imagjinatë pa dritë. Varet në çfarë konteksti e ka pasur.

Nga moria e librave që kemi lexuar, ka gjithmonë një personazh që na vjen në mendje. Për ju cili është ky personazh?

Kam shumë që më vijnë në mendje, por mund të përmend Zhan Valzhanin te “Të mjerët” e Viktor Hygoit, një personazh me karakter të fortë si shkëmbi dhe një shpirt i madh njeriu.

Cilin personazh letrar do të donit ta ndihmonit?

Nuk kam ndonjë personazh letrar që do të doja ta ndihmoja, por kam shumë të tillë që më kanë ndihmuar mua të kuptoj botën njerëzore me dritëhijet e saj.

A do të donit të jetonit jetën e ndonjërit prej tyre?

Si njeri, unë dua të jetoj vetëm jetën time; si krijues, do të doja t’u jepja jetë shumë personazheve, që i ruaj brenda tregimeve të mia të pashkruara ende.

Si i keni raportet me personazhet e tregimeve tuaja?

Pyetje e veçantë kjo … Me personazhet e tregimeve të mi kam raporte të këqija. Janë shumë mosmirënjohës. Para se t’u jepja jetë, nuk i njihte askush. Tani, me demek, janë tipa më vete. Shesin mend lart e poshtë para lexuesve, krekosen pse do të jetojnë më gjatë se unë. Por tani nuk kam çfarë t’u bëj, nuk janë më në dorën time …

Personazhet tuaj janë imagjinare apo reale?

Personazhet e mia janë të gjitha reale, edhe pse janë pjellë e imagjinatës sime. Sepse, nëse një shkrimtar u jep jetë, ata janë realë. Po ju tregoj një ndodhi shumë interesante: Një herë më ka telefonuar dikush, që nuk e kisha takuar kurrë. U ankua me të qeshur se e kisha bërë personazh te romani “Bibollasit”. I kishte ngelë hatri se i kisha mveshur edhe një ves që ai, në fakt, nuk e kishte. U takuam në një kafe të Tiranës, folëm, qeshëm dhe u bëmë miq. Për etikë nuk mund t’ia përmend emrin.

A nuk ka në lëndën letrare të shumë shkrimtarëve histori që kanë ndodhur në të vërtetë …?

Është e vërtetë që ka. Por shkrimtarët e mëdhenj kanë shkruar me imagjinatë. Imagjinata është më e rëndësishme se njohja, ka thënë Ajnshtajni. Njerëzimi ka ecur përpara në sajë të imagjinatës. Nëse i qëndron besnik një historie reale, në një farë mënyre, je një i marrë peng nga ajo histori. Ti do ta shkruash përpikërish ashtu siç ka ndodhur në të vërtetë. Në një rast të tillë imagjinata burgoset, mbyllet me shtatë dryna. Pra, je i kufizuar për të bërë zbulime të reja gjatë procesit të të shkruarit, zbulime që kërkojnë imagjinatë. Jo çdo gjë që ndodh në jetë është art, sado mirë ta shkruash atë. Unë vetë krijoj me imagjinatë. Puna është, që historia e trilluar të jetë sa më e besueshme. Nga kjo varet edhe suksesi i një shkrimtari.

A jeni besimtar?

Po. Besoj në një Zot, si dhe në gjërat që i shikoj dhe i prek. Por nuk më pëlqejnë institucionet fetare, që përpiqen ta bëjnë njeriun një Kuran apo Bibël shëtitëse me dy këmbë. Pastaj, ndasitë fetare i kanë sjellë njerëzimit një çrregullim të madh. Dhe paradoksi qëndron, sepse e kanë bërë këtë në emër të një rregulli e morali mijëra vjeçar, kur njerëzimi nuk kishte fare njohuri karshi fenomeneve. Edhe luftërat më të tmerrshme që kanë sjellë male me kufoma, kanë qenë ato fetare. Beso në çfarë të duash, madje edhe në një gur, sepse është një çështje krejt personale, por mos e kap gurin t’i biesh tjetrit. Nëse Zoti vërtet ekziston, kushedi sa neveri duhet të ndiejë nga krijesa e tij, sidomos nga këta hoxhallarët tanë që çirren, bërtasin e qajnë në emër të tij. Kur shikon çfarë ka ndodhur e vazhdon të ndodhë në botë, ka shumë mundësi të na ketë braktisur …

Le të flasim pak për romanin tuaj të ri “Pëllumbat e rrugës”. Si ndodh procesi i kalimit nga një formë shkrimi e gjinisë së tregimit, në një tjetër formë, siç është gjinia e romanit?

“Pëllumbat e rrugës” është libri përmbyllës i një triptiku, që nis me romanin “Rrëketë” dhe vazhdon me “Bibollasit”, që fitoi çmim të parë si romani më i mirë për vitin 2010. Pra, është pjesa e tretë e një romani grotesk. Një rrëfim mbi realitetin karnavalesk të shoqërisë shqiptare. Këto tri romane janë shkruar në një segment kohor prej dhjetë vjetësh. Por unë nuk kam kaluar nga forma e rrëfimit të prozës së shkurtër në formën e rrëfimit të prozës së gjatë. Romani “Rrëketë” është botuar në vitin 2004, pasi kisha botuar më parë tri vëllime me tregime: “Dush varrezash”, “Këpucët e të tjerëve mbi trotuar” dhe “Atdheu prej bore”, që u përkthye dhe u botua edhe në Rumani. Pas romanit “Rrëketë”, unë kam botuar sërish dy vëllime me tregime: “Mendjet e njerëzve” dhe “Rrëfime në hije”. Pastaj në 2010-n, është botuar romani “Bibollasit”. Dhe tani së fundi “Pëllumbat e rrugës”. Pra, siç shihet, nuk e kam braktisur prozën e shkurtër për t’i hyrë prozës së gjatë. Megjithatë, unë jam tregimtar, sepse edhe romanet e mia nuk kanë strukturë klasike. Aty gjenden një varg i madh episodesh, që janë tregime më vete, por të lidhura së bashku në mënyrë organike.

A ka bërë efekt në krijimtarinë tuaj jeta juaj në Nju Jork?

Mendoj se përballja me realet e një kulture tjetër, ndikon dukshëm në plotësimin e një krijuesi. Një gjuhë e dytë, siç është anglishtja, të jep mundësi për një informacion më të madh në fushën e letrave. Megjithatë, bota e njeriut është e njëllojtë, pavarësisht në ç’vend dhe ç’kohë ka jetuar ai. Ndjenjat dhe emocionet që përjetojnë njerëzit janë universale. Ato kurrë nuk ndryshojnë. Edhe para mijëra vjetësh, njerëzit e çfarëdo race kanë pas ndier njësoj siç ndiejnë njerëzit sot. Pasionet, urrejtja, dashuria, frika, xhelozia, kanë mbetur njëlloj si para mijëra vjetësh.

E rëndësishme është që shkrimtari t’i motivojë karakteret sipas rrethanave dhe kohës në të cilën jetojnë ata. Pastaj motivimi varet nga filozofia dhe kultura e vendit që i përkasin. Unë kam disa tregime, motivet e të cilave janë marrë nga jeta e përditshme amerikane.

Çfarë është për ju një shkrimtar?

Një shkrimtar është, pa asnjë përjashtim, një njeri si të gjithë të tjerët. Shkrimtarët dhe artistët në përgjithësi nuk janë supermenë. Dhe nuk ka tek ata asgjë hyjnore. Madje ka mes shkrimtarëve dhe artistëve edhe veselinj të pandreqshëm. Ka horra, mëkatarë, pijanecë, servilë të pushtetit, mendjemëdhenj, qejflinj femrash, smirëxhinj, kopjacë … Pra, edhe tek ata gjenden vese. Një njeri që shkruan një histori të madhe, që bën një pikturë të arrirë apo një poezi të mrekullueshme, i bën ato pikërisht pse është i vëmendshëm për të parë, kuptuar e pasqyruar realitetin në një formë të zgjuar e të veçantë, jo se ka rënë nga qielli. Ky është shkrimtari dhe artisti. Në botë shkruhen miliona romane që pëlqehen shumë dhe autorët e tyre nuk janë njerëz të mëdhenj, janë thjesht shkrimtarë që e jetojnë jetën si të gjithë të tjerët, në mënyrë shumë të zakonshme.

Po letërsia, çfarë është për ju?

Letërsia është një materie që flet. Letërsia nuk është vetëm të shkruash. Letërsia është të tregosh çfarë mendon dhe të arrish ta prekësh lexuesin ashtu siç dëshiron ti.

Pijaneci tenton t’i sulmojë policët në Prizren

0

Një person nën ndikim të alkoolit ka tentuar t’i sulmojë disa zyrtarë të policisë në Prizren.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që i njëjti nën ndikim të alkoolit, ka penguar dhe tentuar t’i sulmojë zyrtarët policorë derisa ia kontrollonin veturën”, njofton PK-ja.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt./PrizrenPress.com/

Tentim vrasje në Prizren

0

Polica e Kosovës njofton se të shtunën rreth orës 19:40 minuta në ambientet e klubit të fitnesit “Achilees” në rrugën “Tirana” ka ndodhur një tentativë për vrasjen e një personi të gjinisë mashkullore që për fat ka përfunduar vetëm me plagosje.

Sipas hetuesve që kanë kryer hetime në vendin e ngjarjes thuhet se dy të dyshuar, vëllezër, me mbiemër Hazeraj, kanë hyrë në palestër dhe njëri nga ta ka shtënë me pistoletë në drejtim të viktimës me ç‘rast i shkakton plagë në bërrylin e krahut të djathtë.

Viktima kishte mundur të ikte dhe ishte fshehur në objekt ndërsa të dyshuarit kishin ikur në drejtim të panjohur. Policia ka kryer kontrolle në shtëpinë e të dyshuarve por nuk janë gjetur ende. /PrizrenPress.com