22.3 C
Prizren
E diel, 15 Qershor, 2025
Home Blog Page 6383

Hyseni tregon huqjet e Gjykatës Kushtetuese (Video)

0

Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se duhet të themelohet Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, ndonëse nuk i ishte drejtuar një pyetje e tillë nga presidentja Atifete Jahjaga.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” Hydajet Hyseni, kryesues i Këshillit të Përgjithshëm në Lëvizjen “Vetëvendosje”, duke shtuar se pyetja për Gjykatën ishte nëse marrëveshja për “Zajednicën” ka qenë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, për të cilën ka konstatuar se nuk është në pajtim me pjesën më të madhe të aktit më të lartë juridik të vendit.

Sipas tij, marrëveshja për “Zajednicën” e shpie Kosovën drejt Republikës serbe të Bosnjës, pasi që, siç ka thënë ai, kjo mbron vetëm interesat e serbëve të Kosovës, por jo edhe të qytetarëve të kombësive tjera dhe bie ndesh me Kushtetutën e vendit.

Opozita: Protesta deri në rrëzimin e Qeverisë

0

Protesta gjithëpopullore e 9 janarit 2016, e paralajmëruar nga tri subjektet opozitare, do të pasohet me protesta tjera masive deri në rrëzimin e Qeverisë “Mustafa”. Kështu kanë deklaruar të premten përfaqësuesit e subjekteve opozitare në vend.

Opozitarët thonë se kjo Qeveri nuk mund të vazhdojë të funksionojë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pasi, sipas tyre, “gardiani i Kushtetutës” ka dëshmuar se me Marrëveshjen për themelimin e Asociacionit është shkelur akti më i lartë juridik në vend.

Zëdhënësi i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Frashër Krasniqi, ka thënë se protesta e 9 janarit nuk do të jetë e dhunshme, por, sipas tij, opozita do të protestojë në mënyrë masive derisa shkelësit e Kushtetutës të largohen nga pushteti.

“Jo, nuk do të jetë e dhunshme. Opozita do të protestojë në mënyrë masive paqësore dhe nuk do të lejojë qetësimin e situatës derisa ata që shkelin Kushtetutën dhe sjellin marrëveshje të dëmshme për Kosovën, të ikin nga pushteti”, është shprehur Krasniqi.

Ai më tej ka thënë se zgjedhjet janë një opsion për dalje nga kriza.

“Zgjedhjet janë një opsion, por kriza nuk mund të tejkalohet për aq sa në krye të vendit kemi njerëz të kriminalizuar që janë në gjendje të shkelin çdo ligj e kushtetutë vetëm që t’ia realizojnë Serbisë kërkesat shoviniste”, ka shtuar Krasniqi.

Edhe nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, ka thënë se Qeveria “Mustafa” duhet të bjerë, pasi, sipas tij, kjo Qeveri i ka shkaktuar shumë dëme vendit, prandaj edhe nuk e meriton të qëndrojë më gjatë në pushtet.

“Tani Gjykata Kushtetuese me vendimin e vet tregon se pjesa kryesore e kësaj Marrëveshje e ka dëmtuar interesin e shtetit dhe se është shkel Kushtetuta. Kjo Qeveri duhet të japë dorëheqje dhe të lëshojë rrugë që të mbahen zgjedhjet e reja dhe të vijë një qeveri e cila mbron integritetin dhe sovranitetin e vendit dhe që e zhvillon vendin”, ka potencuar Isufi. /Zëri

Pushteti e injoron Kushtetuesen

0

Vendimi për Asociacionin, Qeveria i bën bisht përgjegjësisë

“Ata akoma po vazhdojnë të thonë se paskan punuar mirë në Bruksel, dhe se kanë përfaqësuar krejtësisht në rregull shtetin e Kosovës”, tha Mazllum Baraliu për “Kosova Sot”.

Pasi që interpretimi i Gjykatës Kushtetuese për Marrëveshjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me konstatimin se në masë të madhe ka elemente që bien ndesh me Kushtetutën e vendit, ka krijuar një situatë të re, kjo Marrëveshje detyrimisht duhet të rishikohet.

Analistët dhe njohësit e fushës së legjislacionit kushtetues konsiderojnë se tani edhe bisedimet në vijim me palën serbe do të mund të kanalizohen më mirë dhe nuk ka ndonjë rrezik që të futet në situatë krize dialogu me Serbinë, edhe pse Marrëveshja për Asociacionin duhet të rishikohet.

Analisti politik, Nexhmedin Spahiu, thotë se situata e re e krijuar është meritë e opozitës së bashkuar dhe e Gjykatës Kushtetuese, që parandalon rrënimin e shtetit, dhe tani procesi duhet të riniset me kujdes dhe maturi të madhe.

“Kjo e bën më të vështirë lojën e Beogradit me Prishtinën, më parë Beogradi e kishte më lehtë, kur duke tërhequr për hunde të parin e Kosovës apo parinë e Kosovës tërhiqte për hunde gjithë Kosovën”, tha ai. /Kosova Sot

Gjykata Speciale në tetor ngre aktakuzat e para

0

Aktakuzat e para për krimet e supozuara të UÇK-së nuk do të mund të ngrihen para tetorit të vitit të ardhshëm.

Kështu bëjnë të ditur burime ndërkombëtare të gazetës “Zëri”, sipas të cilëve, deri në atë kohë pritet të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme nga ana e institucioneve ndërkombëtare dhe vendore.

Javë më parë është raportuar se shumë dëshmitarë të mbrojtur, bashkë me familjarë të tyre, tashmë janë vendosur në vende të ndryshme të Bashkimit Evropian, të cilët pritet të dëshmojnë gjatë muajve në vijim kundër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), pas funksionalizimit të Gjykatës Speciale.

Burime të gazetës bëjnë të ditur se bëhet fjalë për dëshmitarë shumë të rëndësishëm, të cilët kryesisht kanë qenë ish-eprorë të UÇK-së dhe që kanë pranuar të dëshmojnë në proceset gjyqësore të Gjykatës Speciale kundër ish-bashkëluftëtarëve të tyre.

Gjykata Speciale pritet të funksionalizohet gjatë vitit 2016 në Holandë, e cila do t’i trajtojë akuzat për krime lufte që burojnë nga raporti i senatorit zviceran, Dick Marty. /Zëri

Limaj: 205 mijë qytetarë ndalën “Zajednicën”

0

Lideri i partisë opozitare Nisma për Kosovën, Fatmir Limaj duke folur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin dhe peticionin e qytetarëve kundër dy marrëveshjeve, ka thënë se qytetarët ishin të bindur se këto marrëveshje ishin jokushtetuese.
Ai me anë të një postimi në Facebook, ka vlerësuar se ishin nënshkrimet e qytetarëve që detyruan presidenten Jahjaga që këtë marrëveshje ta dërgojë në Kushtetuese, e cila me vendimin e saj vërtetojë se qytetarët kishin të drejtë.

Ja postimi i plotë i Limajt:

Mbi 205 mijë qytetarët e Republikës tonë që nënshkruan peticionin kundër marrëveshjes për Zajednicën, ishin të bindur se ajo marrëveshje nuk është në interes të Kosovës, ishin të bindur se është në kundërshtim me kushtetutën prandaj edhe e hodhën nënshkrimin në peticion për ta kundërshtuar atë.

Qeveritarët bërtisnin, e betoheshin se “asnjë germë, e asnjë presje e kushtetutës” nuk është shkelur.

Kur deputetët dhe qytetarët përmes protestës përpiqeshin të mos lejojnë zbatimin e kësaj marrëveshje qeveria përdori dhunën, duke shtypur protestat, duke burgosur deputet e qytetar. Të gjitha këto i bëri duke u thirrur në mbrojte të shtetit ligjor dhe zotohej se do ta zbatonte këtë marrëveshje pavarësisht peticionit të qytetarëve, pavarësisht prej protestave të tyre.

Shumëkush me të drejt duke e ditur fatin e peticioneve në të kaluarën e panë me skepticizëm organizimin e atij peticionit, duke menduar se edhe ky do të ketë të njëjtin fat si të tjerët, por kjo nuk ndodhi sepse peticionit me numrin më të madh të nënshkruar ndonjëherë, opozita e bashkuar si organizatore e këtij peticioni u bë zëri i fuqishëm i gjithë të nënshkruarve dhe ishte shumë e vendosur në kërkesat e saj.

Prandaj të gjithë ju që nënshkruat peticionin jeni kontribuues të drejtpërdrejt që presidentja ta dërgoj këtë marrëveshje në gjykatën kushtetuese, e pastaj gjykata nxjerri aktgjykimin që e vërtetoj se qytetarët kishin të drejtë në kundërshtimin e tyre se marrëveshja ishte antikushtetuese, dhe përfundimisht u qartësua se qytetarët ishin në mbrojtje të kushtetutës, përderisa qeveria kishte shkelur kushtetutën.

Sylë Hoxhaj: Korrupsioni nuk luftohet pa prokurorë

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren,Sylë Hoxhaj, ankohet se nuk ka staf të mjaftueshëm për të luftuar korrupsionin. Ai tregon se numri i prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional në institucionin që drejton, është i vogël.

“Krimi i organizuar dhe korrupsioni nuk luftohet pa staf të mjaftueshëm”, tha Hoxhaj, për RTV Besa,transmeton PrizrenPress.
Sipas tij, numri i prokurorëve dhe bashkëpunëtorëve profesional duhet të rritet.

“Institucionet e kanë për obligim që të kompletojnë stafin e Prokurorisë për të luftuar korrupsionin”.

“ Nëse plotësohen kërkesat, ju garantoj se do të kemi më shumë rezultate”.

Kryeprokurori Hoxhaj tregoi se gjatë vitit 2015-të, Prokuroria në Prizren, ka shënuar rezultate në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai premton se angazhimi në luftimin e korrupsionit nuk do të mungojë edhe gjatë vitit 2016-të./PrizrenPress.com/

Prizren: Familja Beqiri bëhet me shtëpi të re

0

Familja katër anëtarshe Beqiri nga lagja “ Bajram Curri” në Prizren, është bërë sot me shtëpi të re. Ndërtimi i shtëpisë për këtë familja skamnore është bërë falë ndihmës së një bashkatdhetari.
Iniciativa për ndërtimin e shtëpisë për familjen Beqiri, që jetonte në fshatin Xërxe të Dragashit, ishte marrë nga drejtuesit e Radio “ Pendimi”.

“Pas vizitës që i bëmë kësaj familje, jemi ndier shumë të shqetësuar për gjendjen e rëndë pa kurrfarë kushte elementare banimi, dhe menjëherë kemi publikuar shpallje për t’i dal në ndihmë”, tha Hevzi Hasani, drejtues i Radio “Pendimi”.

“Jemi kontaktuar nga donatori vullnetmirë, i cili ka premtuar që të gjitha shpenzimet për ndërtimin e shtëpisë t’i bart, dhe tani ndjehemi të gëzuar që po i mundësohet këtyre jetimëve një jetë më e dinjitetshme”, tha Hasani.

Pjesë e dorëzimit të çelësave të shtëpisë së re të kësaj familje, ishte edhe imami, Fadil Musliu.

“Kjo është një vepër dinjitoze dhe shumë e madhe. Nuk ka fjalë dhe punë më e madhe se sa t’i ndihmohet njeriut dhe njëri-tjetrit, sepse sipas parimit islam, një person që e gëzon një vëlla të tij apo besimtarë në këtë botë, krijuesi do t’a gëzojë atë në botën tjetër”.

Ndërkaq, Fadile Beqiri, nënë e tre jetimëve, pasi që bashkëshorti i saj, kishte ndërruar jetë pas një sëmundje të rëndë kohë më parë, nuk gjente dot fjalën për të falënderuar ata që ndihmuan familjen e saj për të pasur kulm mbi kokë”.
Ndërtimi i shtëpisë ka kushtuar 30 mijë euro./TV Prizreni/

Shani Berisha: Trashëgimia kulturore në Prizren është degraduar

0

Kuvendari i Bashkimit Demokratik(BD) në Prizren, Shani Berisha thotë se trashëgimia kulturore në këtë qytet është degraduar. Sipas tij, institucionet nuk kanë arrit të ruajnë trashëgimin e Prizrenit.

“Trashëgimia kulturore historike,është treguese e jetës së kaluar të popujve ndër shekuj. Qyteti i Prizrenit, kishte një trashëgimi kulturore,që sot më është atakuar”, thotë Berisha.

“Përpjekjet e dashamirëve të kësaj trashëgimie me tentimet e tyre të aplikimit të tre metodave: konservim,restaurim,dhe rikonstruimi,tani më kanë dalë të pasuksesshme apo të dështuar”,
“Edhe pse në ruajtjen e këtyre vlerave në qytetin e Prizrenit,ekzistojnë tri institucione zyrtar: Institutit për Trashëgimi Kulturore e Historike,Këshilli i për ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore të Zonës Historike,dhe Inspektorati i Ndërtimtarisë,atakimet dhe degradimet e kësaj kulture nuk janë ndalur!”.

“Po të ishin në nivelin e përgjegjësive të tyre, këto organe,dhe vetëm po t’i referoheshin Planit rregullues urbanistikë të konservimit, i cili ekziston që nga vitit 2006, sot gjendja në drejtim të ruajtjes së trashëgimisë kulturore historike në qytetin e Prizrenit, do të ishte ndryshe për të mirë”/PrizrenPress.com/

Padi për tradhti kombëtare ndaj Thaçit e Mustafës

0

Shkruan: Florim Zeqa

Argumente të fuqishme juridike nga Gjykata Kushtetuese

Vetëm izolimi (burgosja) e shkaktarëve të “kancerit” politik është shpëtim për vendin

Gjykata Kushtetuese ishte dashur të veprojë me standarde të njëjta, siç kishte vepruar edhe më parë me shkelësit e Kushtetutës, pra me shkarkimin e tyre nga detyrat shtetërore

Pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese mbi Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ku thuhet se është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ngritja e padisë për tradhti kombëtare ndaj Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, nuk është më padi e bazuar në dyshime, por në fakte dhe argumente të fuqishme juridike.

Në këtë rast, Prokuroria e Shtetit, pa asnjë hezitim, duhet të ngritë padi penale ndaj dy liderëve shtetërorë, Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, nën akuzat për shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, rrezikim të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit e pasuar me arrestimin e tyre dhe lirimin e menjëhershëm e të gjithë kundërshtarëve të marrëveshjeve fatkeqe për vendin, të arrestuar nga aparati policor i shkelësve të kushtetutës (Thaçi-Mustafa).

Se vërtet marrëveshjet e Brukselit janë të dëmshme për vendin e kishin pohuar edhe diplomatë të pakorruptuar ndërkombëtarë, si psh. analisti dhe diplomati amerikan Danier Serwer, i cili për Asociacionin ishte shprehur kështu, po citoj; “Asociacioni i Komunave me shumicë serbe është i definuar etnikisht dhe mund të bëhet një bërthamë e fortë e strukturave të ndara qeverisëse serbe në Kosovë. Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund ta pengojë Kosovën si Republika Srpska, Bosnjën…”

Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë me urgjencë

Pra, verdikti i Gjykatës Kushtetuese doli të jetë në përputhje të plotë me mendimet e analistëve, njohësve të rrethanave politike dhe ekspertëve juridikë.

Në verdiktin final të Kushtetueses dolën të jenë në shpërputhje me Kushtetutën e vendit jo një, por shumë pika të marrëveshjeve të Brukselit për Asociacionin e komunave serbe.

Andaj, në këtë rast, edhe sikur të ishte vetëm një pikë e vetme, Prokuroria e Shtetit duhet të veprojë me urgjencë për ngritje akuze dhe arrestim imediat të nënshkruesve të marrëveshjeve politike të Brukselit; të asaj të 19 prillit 2013 nga Hashim Thaçi dhe të 25 gushtit 2015 nga Isa Mustafa në cilësinë e kryeministrave të vendit.

Që të dytë, pa dallim, nga mbrojtës të interesave të vendit u shndërruan në shkelës dhe tradhtarë të interesave vitale të Republikës së Kosovës.

Thënë ndryshe, Gjykata Kushtetuese e konstatoi publikisht dhe parimisht se Asociacioni i komunave etnike serbe (siç e kemi quajt me të drejtë Zajednicën serbe-kancer i shtetit të Kosovës), tërësisht nuk përputhet me kushtetutshmërinë, madje në shumë pika del jashtë kornizave të saj.

Vetëm izolimi (burgosja) e shkaktarëve të “kancerit” politik, është shpëtim për vendin, në të kundërtën, “kanceri majlind” i shkatërrimit të shtetit të Kosovës do të zhvillohet hovshëm dhe pa asnjë pengesë.

S’ka dyshim se të gjithë jemi pajtuar me verdiktin e Gjykatës Kushtetuese, për shkeljet në shumë pika të marrëveshjes, por megjithatë i ka munguar elementi bazik, ai i shkarkimit të nënshkruesve të marrëveshjeve antikushtetuese. Pasi, as i pari, Hashim Thaçi, nënshkruesi i marrëveshjes së 19 prillit 2013 dhe as i dyti, Isa Mustafa, nënshkrues i së njëjtës marrëveshje me 25 gusht 2015 nuk ishin “barinj delesh”, por kryeministra, liderë shtetërorë, njëri jurist e tjetri ekonomist me profesion, madje ky i fundit edhe me titull “akademik” i shkencave…!!!

Gjykata e tha fjalën e vet

Prandaj, edhe në këtë rast, Gjykata Kushtetuese ishte dashur të veprojë me standarde të njëjta, siç kishte vepruar edhe më parë me shkelësit e Kushtetutës, pra me shkarkimin e tyre nga detyrat shtetërore!

Vetëm kështu do të hapej rruga dhe do të hiqeshin të gjitha dilemat rreth Asociacionit etnik serb, përkundër të drejtave dhe privilegjeve të shumta askush nuk i pengon komunat serbe në anëtarësimin e Asociacionit të komunave kosovare, pasi në asnjë nen apo paragraf të Kushtetutës së Republikës së Kosovës nuk parashikohet krijimi i asociacioneve një-etnike, me kompetenca të zgjeruara ekzekutive.

Verdikti në pritje i Gjykatës Kushtetuese mbi ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Asociacionit të komunave me shumicë serbe (Zajednicës), kishte nxitë opinione të ndryshme në mesin e deputetëve të pozitës dhe opozitës, shqetësime dhe skepticizëm të arsyeshëm para opinionit vendor dhe ndërkombëtar.

E gjithë kjo për faktin, se është hera e parë, që kjo gjykatë kishte të merrte një vendim tepër të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, nën drejtimin e kryetares së re të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, zonjës Arta Rama-Hajrizi.

Se a do të bëhet zonja Arta Rama-Hajrizi, në kuptimin pozitiv “Nëna” e drejtësisë kosovare, mbetët të shihet në ditët në vazhdim, me rekomandimin për ngritje të padisë penale ndaj shkelësve të Kushtetutës.

Punimet në Hamamin e Prizrenit rifillojnë me 57 mijë euro

0

E gjithë çatia e Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren, do të mbulohet me pllaka të plumbit si dhe do të vendosen xhamat rrethorë për ndriçimin e brendshëm të hamamit nëpër kube dhe qemerë. Krejt këto do të bëhen me 57.730 eurot që Ministria e Kulturës ka ndarë për vazhdimin e punimeve në Hamamin e Prizrenit, të ndërprera në shtatorin e vitit 2014. Punimet që do të rifillojnë në vitin 2016, siç është thënë, nuk do të ndërpriten më deri në realizimin e projektit në tërësi. Për shkak të kushteve atmosferike në stinën e dimrit, punimet nuk do të rifillojnë tani për tani edhe pse mjetet janë ndarë.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore, thotë se gjendja e ndërtesës së Hamamit në Prizren, nuk është e keqe pavarësisht se investimi për këtë vit është vonuar pak. “Kjo ka ndodhur si rezultat i procedurave dhe procesit të konsultimeve dhe miratimeve në përputhje me legjislacionin dhe zyrën e UNESCO-s”, ka treguar Aliu. Ajo ka thënë se shuma për këtë vit është 57.730 euro. “Është shumë e rëndësishme që punimet të vazhdohen edhe vitin e ardhshëm deri në përfundimin e plotë ashtu si është përcaktuar në projekt. Projekt ky i hartuar dhe tenderuar nga UNESCO dhe i njëjti duhet te zbatohet”, është shprehur Aliu, sipas të cilës rifillimi i punimeve mund të bëhet atëherë kur janë të përshtatshme kushtet klimatike. “Në përputhje me projektin, dokumentin e paramasës dhe parallogarisë është e përcaktuar shuma 669,587.40 euro”, ka thënë Aliu për “Zërin”.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, shprehet se gjendja në objektin e Hamamit të qytetit të Prizrenit, është relativisht e mirë, duke pasur parasysh faktin që mbi 80 për qind e çatisë së objektit është e mbuluar me pllaka të plumbit nga faza paraprake e punimeve të realizuar përmes investimeve të bëra nga ana e UNESCO-s. “Për fat të keq në pjesën jugore të Hamamit ku gjenden depot e ujit dhe disa qemerë në pjesën qendrore, që janë vjedhur nga persona të pandërgjegjshëm, prej të cilave pjesë po depërton lagështia në brendi të Hamamit”, ka thënë Hoxha, sipas të cilit në bazë të kërkesave të vazhdueshme nga ana e QRTK-së, drejtuar MKRS-së, që të ndajë mjete për përmbylljen e fazës së parë të punimeve të cilat kanë mbetur të papërfunduara. “Këtë vit MKRS-ja ka marrë vendim për ndarjen e shumës në vlerë prej 57,730 eurove për përfundimin e punimeve të mbetura për këtë fazë”, ka thënë Hoxha për “Zërin”.

Ai ka treguar se me këtë shumë të mjeteve financiare është paraparë që të përfundojnë punimet për fazën e parë. “Pas vjedhjes së një sasie të konsiderueshme të plumbit, gjatë këtij viti, natyrisht se do të nevojitet edhe një shumë e mjeteve shtesë për përmbylljen e punimeve të parapara me projekt”, ka treguar Hoxha, duke shtuar se me këto mjete sipas projektit të aprovuar nga ana e institucioneve të MKRS-së dhe UNESCO-s, do të mbulohet e gjithë sipërfaqja e çatisë me pllaka të plumbit si dhe do të vendosen xhamat rrethorë për ndriçimin e brendshëm të Hamamit nëpër kube dhe qemerë. “Me projektin për restaurimin dhe rehabilitimin e Hamamit, kanë qenë të parapara të vendosen xhamat për ndriçimin e brendshëm të hamamit, por për shkak të mungesës së fondeve për t’u furnizuar me xhama të përcaktuara me projekt, përkohësisht është vendosur që të mos hapen këto vrima, derisa të mos sigurohen mjete për furnizimin me xhamat e paraparë me projekt”, ka thënë Hoxha.

Sikurse Vjollca Aliu edhe Samir Hoxha thotë se me përmasimin e kushteve atmosferike do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për rifillimin e punimeve, pasi që tashmë mjetet janë siguruar nga ana e MKRS-së. “Është i njohur fakti së në kushte atmosferike jo të volitshme konkretisht në stinën e dimrit nuk lejohet të zhvillohen punimet restauruese, sidomos kur bëhet fjalë për punimet e jashtme”, ka thënë Hoxha.

Shafi Gashi, kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka thënë se KKTK-ja çështjen e Hamamit të Prizrenit e ka diskutuar edhe me ministrin e Kulturës, Kujtim Shalën. “Nuk i dimë arsyet pse janë ndalë punimet në Hamamin e Prizrenit, por kemi kërkuar që të ndalet degradimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Gashi, derisa ka shtuar se kanë kërkuar nga ministri Shala që kur të nisë restaurimi i një objekti të trashëgimisë kulturore të ndahet një fond për monumentet. “Me atë fond do të përfundoheshin të gjitha punimet, që të mos ndodhë siç ka ndodhur me Hamamin që gati dy vjet janë ndërprerë punimet”, është shprehur Gashi.

Gjatë muajit mars të 2015-s, “EC Ma Ndryshe” ka bërë një hulumtim mbi punimet në Hamamin e Prizrenit, në bazë të të cilit ka konsideruar se mospërmbyllja e punimeve në objektin e Hamamit e bën atë të cenueshëm, prandaj dhe duhen ndërmarrë veprime të menjëhershme për përmbylljen e punimeve restauruese dhe shtimin e masave të sigurisë, duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një monument shumë të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

Valon Xhabali, nga kjo organizatë, thotë se Ministria e Kulturës dhe akterët e tjerë relevantë janë vonuar me sigurimin e fondeve për përfundimin e punimeve. “Dhe në këtë rast janë treguar joseriozë dhe jo të përgjegjshëm ndaj ruajtjes së vlerave historike”, është shprehur Xhabali, duke shtuar se prej kohës kur janë ndalur punimet objekti ka pasur edhe dëmtime tjera si: vjedhja e plumbit, mbeturinat përreth objektit, pamje jo e mirë edhe për turistët.

“Punimet janë monitoruar nga ekspertë vendorë dhe të jashtëm, por ne mendojmë që nuk janë konsultuar edhe komunitetet tjera si p.sh komuniteti i arkitektëve, artistëve e sidomos qytetarët, sepse për ne shumë me rëndësi është edhe kujtesa kolektive sepse Hamamit i është ndërruar pamja, pa marrë parasysh deklaratat e ekspertëve që kanë qenë të angazhuar e që thonë së kanë dëshmi/fakte se si ka qenë Hamami në të kaluarën”, ka thënë Valon Xhabali, derisa është shprehur se ka pasur mundësi të punohet më mirë dhe me më shumë kujdes, duke e ditur që Hamami është një monument me shumë vlera.