23.4 C
Prizren
E diel, 27 Korrik, 2025
Home Blog Page 6414

Kushtoni vëmendje porosisë së dhjetëra mijëra protestuesve

0

Nga Bilall Sherifi

Opozita e bashkuar dje organizoi protestën më të madhe që nga periudha e pas përfundimit të luftës në Kosovë. Në vend që të nxjerrin konkluzionet e nevojshme nga porosia e kësaj proteste madhështore, Qeveria e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit sapo përfundoi protesta u mundua ta përqendrojë vëmendjen vetëm në atë që ndodhi pas protestës e jo edhe në atë që ndodhi gjatë protestës, në të cilën dhjetëra mijëra qytetarë që kishin ardhur nga të gjitha anët e Kosovës dërguan porosi të qartë: përgjegjësi për shkelësit e Kushtetutës së Kosovës.

Në vend që të flisnin, siç bënë shumica e medieve me peshë në botë, për dhjetëra mijëra protestues të cilët me dinjitet shprehën revoltën e tyre legjitime kundër kësaj qeverie, qeveria e Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit flet vetëm për veprimet e dhunshme të dhjetëra protestuesve që u ndërmorën pasi përfundoi protesta.

Kjo qasje e tyre nuk ishte e rastësishme. Përkundrazi. Përqendrimi i vëmendjes vetëm te veprimet e dhjetëra protestuesve, kishte për qëllim të heshte veprimin dhe kërkesat e dhjetëra mijëra protestuesve. Përmes përqendrimit të vëmendjes vetëm te aktet e dhunës që nuk janë në përputhje me ligjet e vendit, qeveria ka për qëllim të bëjë që qytetarët të harrojnë shkeljen e Kushtetutës së Kosovës nga ana e tyre.

Dhjetëra mijëra qytetarë manifestuan dje në mënyrë të qetë dhe kërkuan dorëheqjen e qeverisë, si akt të pashmangshëm për shkeljet e Kushtetutës së Kosovës të cilat bartin me vete pasoja afatgjata për të tashmen dhe të ardhmen e vendit.

Dëmet materiale, të cilat u shkaktuan dje, sado të kushtueshme, janë të riparueshme dhe nuk kanë pasoja afatgjate. Prandaj, dhuna që ka ushtruar qeveria ndaj shtetit të brishtë të Kosovës është dhunë që nuk ka njësi që mund ta matë. Dhuna e tyre ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës godet të tashmen dhe të ardhmen e miliona njerëzve që jetojnë e që do të vijnë pas nesh në Kosovë.

Tregtia me nuse: Shiten për 500 euro (Video)

0

Në fshatin Kosovë të Maqedonisë, kohëve të fundit po realizohen shumë martesa të përziera me nuse nga Shqipëria.

Për të marr një nuse, maqedonasit e këtij fshati paguajnë nga 500 deri në 1000 euro.

Por, edhe komuna e Makendonksi Brodit për çdo nuse nga Shqipëria heq shpenzimet e martesës.

Vajzat nga Shqipëria ndihen të mashtruara nga kontrabanduesit dhe kanë menduar se do të martohen në shtetin e Kosovës.

Në Shqipëri nuk kanë lidhje se ku dhe për kënd janë martuar vajzat. Raportohet se mbi 500 vajza janë martuar nga Shqipëria në Maqedoni, vetëm në 10 vjetët e fundit, në fshatra shumë të varfra. /RTV21

Vdes e aksidentuara nga Malisheva në Kroaci

0

Një familje nga Malisheva është përfshirë në një aksident tragjik gjatë rrugës së kthimit në Slloveni ku jetonte.
Në aksidentin e rëndë ka vdekur një 15-vjeçare. Aksidenti ka ndodhur ne magjistralen A1, ne vendin Otocci ne Kroaci. Të lënduar janë 4 anëtarët e tjerë të familjes.

Vajza e vogël e familjes 6 vjeçare është në rrezik për jetën, dhe po merr trajtime mjekësore në Spitalin e Përgjithshëm në Ogulin. Shkaku i aksidentit ishte humbja e kontrollit në veturën Ford me targa sllovene për shkak të shpejtësisë së madhe.
Prindërit dhe djali janë në gjendje të mirë, ka thënë mjekja kujdestare në Ogulin.

Hamami i Prizrenit pëlqehet nga turistët

0

Hamami i Gazi Mehmed Pashës gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, pranë Xhamisë së Kukli-Mehmed Beut dhe Xhamisë së Emin Pashës

Hamami është një tjetër pikë referimi për turistët që mësyjnë Prizrenin. Përveç kalasë dhe objektit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ky monument i trashëgimisë kulturore të qytet është ndër më të vizituarit. Hamami i Gazi Mehmed Pashës gjendet në Qendrën Historike të Prizrenit, pranë Xhamisë së Kukli-Mehmed Beut dhe Xhamisë së Emin Pashës.

Studiuesi Mejdi Elezi shprehet se hamami është ndërtuar në mes të viteve 1563-1574, nga Gazi Mehmet Pasha, Sanxhakbej i Shkodrës. Në portën kryesore është vendosur pllaka me mbishkrim, e cila tregon datën e restaurimit të hamamit nga ana e vëllezërve Tahir dhe Mehmed Pashë Rrotulli në vitin 1833. “Hamami gjendet në kuadër të ansamblit arkitektonik të themeluar nga Gazi Mehmet Pasha, ku gjenden Xhamia e Bajraklisë, medreseja apo shkolla e mesme, mejtepi apo shkolla fillore, biblioteka dhe tyrbja”, thotë Elezi.

Legjenda si nisi ndërtimi i hamamit

Sipas gojëdhënave, thuhet se gjatë ndërtimit të Xhamisë së Bajraklisë, një mëngjes Gazi Mehmed Pasha gjatë një kontrolli rutinor të punimeve në xhami vëren se një kryepunëtor po e zhvendoste një gur disa herë nga themelet e xhamisë. Në pyetjen se pse po e bënte këtë, ai kishte thënë se në gjumë ishte bërë për t’u larë dhe se s’ishte i bindur se po ta vendoste gurin në themelet e xhamisë do të bënte mëkat. Pasi që e dëgjon këtë, Gazi Mehmed Pasha urdhëron ndërprerjen e punimeve në xhami dhe urdhëron ndërtimin e hamamit. Punimet në ndërtimin e xhamisë rifillojnë vetëm pasi të përfundojë hamami. /kosova sot/

Limaj: Protesta e djeshme i ka dhënë dy mesazhe

0

Madhështore dhe më masivja deri më tani, e ka vlerësuar protestën e djeshme kreu i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj. Sipas tij, protesta e djeshme ka qenë paqësore dhe se ka përçuar dy mesazhe kryesore.

“Ishte me mesazhe të qarta, protestë madhështore e paqësore dhe askush dhe asgjë nuk mund të zbehë madhështinë e asaj proteste. Dje në sheshet e Prishtinës u dhanë 2 mesazhe. E para se Kosova është aktive, nuk pranon të qeveriset nga një qeveri që e ka shkelur kushtetutën dhe e dyta, mesazhi jonë është për qeveritarët populli ka hequr besimin, populli nuk pranon që ju të vazhdoni të qeverisni”, ka thënë Limaj.

Duke iu drejtuar krerëve të parive në pushtet, Isa Mustafës e Hashim Thaçi, Limaj ka thënë se kërkojnë dorëheqjen e tyre.
“Të dalim sa më shpejt nga kjo krizë politike, vendi të shkojë në zgjedhje dhe kështu të bien të dyja ato marrëveshje që kanë qenë në kundërshtim dhe janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe me interesat e Kosovës”, tha ai.

Limaj shoti se e gjithë ajo që ka ndodhur dje mjaftueshëm tregon se kjo Qeveri përveç që është shkelëse e kushtetutës, gjithashtu ka humbur edhe mbështetjen popullore edhe legjitimitetin.

Ai potencoi se pavarësisht propagandës, shpifjeve, tendencave për frikësim, askush nuk mundet që t’i ndalë qytetarët e Kosovës në mbrojtje të shtetit dhe të Kushtetutës së vendit.

Mediat në SHBA, për protestën e djeshme në Prishtinë: Dhuna erdhi në fund të tubimit paqësor

0

Mediat amerikane, duke u thirrur në agjencitë e lajmeve, raportojnë për protestën e djeshme të opozitës ku thuhet se u zhvillua kryesisht paqësore, por me një përfundim të dhunshëm.

“Policia përdori ujë me presion dhe gaz lotsjellës që të shpërndajë një grup mbështetësish të dhunshëm të opozitës, të cilët sulmuan me gurë dhe koktej molotovi”m shkruan U.S. News & World Report.

Kjo revistë thekson se “dhuna erdhi në fund të tubimit paqësor, kur ju bë thirrje Qeverisë të japë dorëheqjen, duke argumentuar se ekzekutivi ka shkelur Kushtetutën e vendit me marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi”, transmeton televizioni publik i Kosovës.

U.S. News më tej shkruan se që nga shtatori i vitit të kaluar opozita ka bllokuar Parlamentin e Kosovës me gaz lotsjellës, me sprej, me bilbila dhe shishe me ujë, duke protestuar për marrëveshjet.

“Qeveria thotë se opozita dëshiron të vijë në pushtet përmes dhunës dhe ka bërë thirrje për dialog në parlament, një thirrje e mbështetur edhe nga presidentja dhe bashkësia ndërkombëtare”.

Portali Huffington Post theksonte se “demonstruesit në Kosovë u përleshën me policinë dhe i vunë zjarrin selisë së qeverisë gjatë dhunës së fundit në shtetin e ri ballkanik mbi një marrëveshje me ish-sundimtarin e saj Serbinë”.

Në këto raportime nuk jepet një numër i saktë i demonstruesve, përveç portalit Yahoo, i cili përmes njoftimit të agjencisë franceze, AFP, jep shifrën e pjesëmarrësve në “rreth 10 mijë veta”, përcjell RTK.

Njoftimi thekson se “kundërshtarët e marrëveshjes besojnë se ajo do të thellojë ndarjen etnike dhe rritjen e ndikimit serb në Kosovë, me një popullsi 1.8 milionëshe etnike shqiptare dhe myslimane”.

Pajtohen familjet që u përfshinë në rrahje masive në Prizren (Foto)

0

Janë pajtuar dy familjet e përfshira në rrahje masive në Prizren. Pajtimi i tyre është bërë falë ndërmjetësimit të deputetit të Nismës, Zafir Berisha, kryetarit të  Këshillit të Pajtimit, Fetah Bekolli dhe Imamit Milazim Haxhiaj nga Gjinoci.

Familja e Rexhep Koqinajt dhe Familja e Mazllum Krasniqit, pas një ngatërrese janë përfshirë në një rrahje.

Si pasojë e rrahjes lëndime trupore kanë pësuar të gjithë përfshirësit, ndërsa njëri prej tyre lëndime të rënda trupore.

Ndërkaq,  familja Krasniqi ia fali familjes Koqinaj ngatrresen që kanë pasur deri më sot./PrizrenPress.com/

foto2

Qosja: Protesta e 9 janarit ishte historike

0

Akademik Rexhep Qosja e ka komentuar protestën e djeshme të opozitës që u mbajt në Prishtinë.

Qosja në një shkrim të cilin e ka publikuar në profilin e tij në Facebook, ka thënë se protesta e 9 janarit ishte një protestë e madhe, historike dhe me një pjesëmarrje masive.

Ai ka thënë se kriza politike dhe institucionale e Kosovës nuk do të kalohet pa u larguar kjo qeveri prej pushtetit!

Shkrimi i plotë i akademik Rexhep Qosjes:

JU JENI PROBLEMI MË I MADH I KOSOVËS

Në Kosovë po shkelen parimet dhe vlerat themelore të demokracisë.

Protesta e 9 janarit ishte një protestë e madhe, historike, me pjesëmarrje masive edhe të të papartishmëve, e organizuar prej tri partive opozitare – prej Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosjes dhe Nismës, me të cilën u bënë përpjekje që të ndërpritet shkelja e këtyre parimeve dhe e vlerave demokratike.

Mjerisht, koktejet e Molotovit dhe autoblindat e policisë i qitën hije, të shpresojmë vetëm përkohësisht, qëllimit dhe kuptimit larghedhës të protestës.

Gjykata Kushtetuese e shpalli të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës e kjo domethënë me parimet qendrore të saj, Marrëveshjen për Krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, por qeveria e Kosovës, që e nënshkroi këtë Marrëveshje, po e shpërfill vendimin e Gjykatës.

Pjesa larg më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës, Marrëveshjen për Krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe Marrëveshjen për Demarkacionin me Malin e Zi i priti si marrëveshje kundërkombëtare, fort të dëmshme për të sotmen dhe të ardhmen e Kosovës, kurse qeveria e Kosovës po bëhet e shurdhër ndaj vullnetit dhe zërit të popullit!

Duke e shpallur të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës, e kjo domethënë duke e shpallur të paligjshme Marrëveshjen në fjalë, Gjykata Kushtetuese e Kosovës deshi s’deshi i dha të drejtë Opozitës për protestat e saj shumëmujore në Kuvend dhe jashtë Kuvendit kundër këtyre Marrëveshjeve.

Duke mos u pajtuar me dy marrëveshjet në fjalë pjesa më e madhe e popullit shqiptar i dha të drejtë opozitës për protestat e saj kundër këtyre dy marrëveshjeve.

Ata që e shpërfillën Vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe Vullnetin politik të pjesës më të madhe të popullit shqiptar të Kosovës ata po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre si të ishte Kosova despoti orientale, në të cilën despotët s’duan të dinë as për Kushtetutë e as për Popull!

Ata që po e shpërfillin Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Vullnetin e pjesës më të madhe të popullit shqiptar të Kosovës, ata po vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e tyre tashmë të paligjshme, kurse kryetarja e Kosovës po kërkon që për tejkalimin e krizës të bëhet dialog me një qeveri tashmë të paligjshme! Dhe, kështu edhe kryetarja e Kosovës, jo për herë të parë, po shkel vlerat dhe parimet demokratike!

Megjithëse Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të papajtueshme me frymën e Kushtetutës së Kosovës Marrëveshjen për krijimin e Bashkësisë së Komunave Serbe dhe megjithëse pjesa më e madhe e popullit shqiptar të Kosovës i trajton kundërkombëtare, të dëmshme fort për të sotmen dhe larg më të dëmshme për të ardhmen e Kosovës marrëveshjet e sipërpërmendura, Qeveria e Kosovës, me prokurorët dhe gjykatësit e saj politikë, vazhdon t’i mbajë në arrest deputetët e Opozitës duka ua cenuar atyre të drejtën politike dhe duke fyer kështu të gjithë ne, të tjerët, që kemi shpresuar se me pavarësinë e Kosovës nuk do pësojmë kurrë më arrestime politike!

Kjo nuk është Kosova për lirinë dhe pavarësinë e së cilës është bërë luftë!

Kjo nuk është Kosova që e kemi ëndërruar.

Kjo nuk është Kosova së cilës ia kemi kushtuar kush jetën, kush mendjen e kush pasurinë.

Por, nuk janë të gjitha këto të përmendurat këtu, të vetmet të këqija që po e dëshpërojnë dhe revoltojnë popullin e Kosovës.

Të këqija të tjera, të mëdha, që helmojnë jetën e njerëzve janë: korrupsioni i përshtrirë, krimi i organizuar, nepotizmi, papunësia e shumë e shumë qytetarëve si pasojë e korrupsionit, krimit të organizuar dhe nepotizmit me të cilat të këqija qeveria e sotme dhe paraardhëset e saj, si e tha një studiues amerikan, ka vënë kurorë politike e shtetërore!
Nuk është, prandaj, vetëm Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që e ka bërë të paligjshme qeverinë e sotme të Kosovës: të komprometuar, plotësisht të komprometuar, për veprimtari shtetërore këtë qeveri e bëjnë të gjitha këto të këqija bashkërisht.

Kriza politike dhe institucionale e Kosovës nuk do të kalohet pa u larguar kjo qeveri prej pushtetit! Me përgjegjësi të plotë u them atyre qeveritarëve: problemi më i madh i Kosovës jeni ju! Jeni ju: me tregtitë tuaja politike, me kapitalin tuaj të fituar duke qenë në pozita politike, me korrupsionin tuaj, me “rançet” tuaja, me kapitalin tuaj, me nepotizmin tuaj, me 70 dosjet tuaja, të cilat, fatkeqësisht, s’kemi prokurorë e as gjykatës që kanë guximin t’i trajtojnë!
Shteti i Kosovës nuk do të shërohet as në pikëpamje politike, as në pikëpamje shtetërore, as në pikëpamje morale pa u bërë beteja të organizuara politike, institucionale, shtetërore për parandalimin e të këqijave të sipërpërmendura që po nxisin gjithnjë e më shumë banorë të saj për të kërkuar shpëtim në vende të tjera.

Kosova nuk do të qetësohet derisa të jenë në pushtet këta që e kanë sjellë në gjendjen në të cilën është, këta të cilët, si u dëgjua prej një miku të Kosovës, më shumë i tuten gazit lotsjellës në Kuvend, se projektit të Serbisë për shtet të dytë serb në Kosovë, më shumë e konsiderojnë të dëmshëm efektin e gazit lotsjellës në Kuvend sesa humbjen e sovranitetit dhe kthimin e Serbisë në Kosovë!

Hapi i parë drejt këtij shërimi të Kosovës është largimi i qeverisë së atij i cili me jetëshkrimin, me fjalët dhe me mendimin e tij na e sjell në kujtesë regjimin e para njëzet e pesë vjetëve!
Por, në qoftë se nuk duan të largohen vullnetshëm ai dhe bashkësundimtarët e tij demokracia evropiane dhe ajo amerikane na mësojnë:

ATA QË ME DHUNË E MBAJNË PUSHTETIN ATA ME DHUNË DUHET TË DËBOHEN PREJ PUSHTETIT!

Prishtinë,
10 janar 2016

Shkrimi për komunizmin

0

Bashkim Shehu, në një rrëfim për librat e vitit 2015 dhe temën e së shkuarës që dominon librat e tij.

Komunizmi nuk ka mbaruar në letërsinë e Bashkim Shehut. Më shumë se 20 vjet nga botimi i “Vjeshtës së ankthit”, një libër eseistik, ku përzihej letërsia me kujtimet e jetës së kaluar në bllok, Shehu ka vijuar të shtjellojë të shkuarën në një sërë romanësh të botuar këto vite.

Të qenët larg Shqipërisë (prej vitesh ai jeton në Spanjë) duket se nuk e ka ndryshuar kahun e letërsisë së tij. Kujtesa vazhdon të jetë më e fortë se e tashmja.

Në janar të 2015-s, ai botoi romanin “Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, një libër i shkruar në formë fjalori, ku mund të takosh personazhe që kanë lidhje me ish- komunizmin. Një ish-punonjës i çmendur i arkivave, një gazetar investigativ, një sozi e Enver Hoxhës, projekti për ndërtimin e ish- Bllokut të nëndheshëm dhe një biznesmen i çuditshëm nga Moska që vjen në Shqipëri për të kërkuar një baba të panjohur, një linjë ndërkombëtare korrupsioni, dy krime seksuale identike dhe të njëkohshme që shoqërojnë zhurmën për këtë linjë korrupsioni, një teori konspirative për një zyrë të fshehtë, reale ose imagjinare, për të cilën thuhet se lëviz çdo fije të ngjarjeve në Shqipëri…

Duket se intelektuali brenda tij, vazhdon të drejtojë shkrimtarin, i cili talentin e ka orientuar nga historia.

Por, viti 2016 duket se ka nisur mirë për Shehun. Ka vetëm pak ditë që në frëngjisht ka dalë libri i tij i katërt. Një tregim brenda romanit  të tij “Angelus Novus” , përkthyer në frëngjisht nga Élisabeth Chabuel, është botuar si libër më vete në Francë, me titullin “Gracka”, nga shtëpia botuese “Éditions Imprévues”, e cila ka interes të veçantë për letërsinë shqipe.

“Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve”, por dhe libra të tjerë të shkruar prej jush, e kanë subjektin nga e shkuara. Çfarë ndodh midis teje dhe të shkuarës që shndërrohet më pas në një libër?

Bashkim Shehu: Do të thosha se, më tepër se midis meje dhe së shkuarës, ndodh midis kujtesës sime dhe imagjinatës dhe ajo që ndodh është një martesë e ndërlikuar, e tensionuar dhe njëkohësisht e pazgjidhshme, pa mundësi për divorc. Por më lejoni të bëj edhe një saktësim për sa thoni. Në këtë roman, sikurse përgjithësisht në librat e mi, subjekti është vetëm pjesërisht nga e shkuara, sepse në to bëhet fjalë edhe për të tashmen, madje në disa prej tyre edhe për ju konkretisht, për veprimtarinë tuaj, për mediat. Nga ana tjetër, po të mos mbetemi te subjekti dhe të shkojmë një çikë më tej, domethënë po të vështrojmë dukuritë njerëzore në thelbin e tyre, kur flitet për të kaluarën, flitet njëkohësisht për të tashmen, si dhe anasjelltas.

Në fakt, e gjithë letërsia shqipe e shkruar pas viteve ’90 vazhdon të frymëzohet nga ajo periudhë … Pse ndodh kjo? Nuk prodhon histori e tashmja apo …

Bashkim Shehu: Mendoj se letërsia e sotme shqipe është më e larmishme për sa u takon referencave kronologjike dhe nuk ngelet në caqet e asaj periudhe.

Do të vazhdoni të shkruani histori që shpjegojnë komunizmin?

Bashkim Shehu: Besoj se po. Vetëm se termi “shpjegim” ka nevojë të specifikohet.

Ju keni historinë tuaj në raport me komunizmin, por dhe si një intelektual, i kohërave të sotme, nëse do të kishit një përkufizim për këtë periudhë, si do ta quanit?

Bashkim Shehu: Me pak fjalë, do ta përkufizoja në raport me të kaluarën totalitare, si përmbysje dhe si vazhdimësi njëherësh. Mendoj se, më tepër se termi “demokraci”, i përshtatet termi “postkomunizëm”. Ndërkaq, vështirë të quhet “tranzicion” diçka që po zgjat prej një çerekshekulli.

Çfarë keni shkruar gjatë këtij viti?

Bashkim Shehu: Kam shkruar një triptik me ese mbi imigracionin europiano-lindor në Spanjë. Kjo nuk është një vepër letrare dhe e kam shkruar në spanjisht, për shkak të perspektivës së botimit, ngaqë i drejtohet posaçërisht një publiku lokal. Gjithashtu, jam duke punuar për një libër letërkëmbimi me shkrimtarin bask Bernardo Atxaga, autor mjaft i njohur dhe i përkthyer në shumë gjuhë, ndër të cilat edhe shqipja, sikurse për shembull romani i tij “Shtëpia e tetë”, të cilin kam pasur nderin dhe kënaqësinë ta përkthej. Libri me letërkëmbimin mes nesh do të ketë një botim tregjuhësh: në spanjisht, në shqip dhe në gjuhën baske. Është pjesë e një serie të vogël me libra letërkëmbimi ndërmjet shkrimtarësh baskë dhe shkrimtarësh nga vende të tjera europiane.

Letërkëmbimet kanë qenë gjithnjë forma jo thjesht letrare, por forma që kanë provokuar debate të nevojshme për kohën. Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e më gjerë duket se ka një zbehje të debateve të vërteta?

Bashkim Shehu: Dialogu me kolegun bask nuk ka dhe aq karakterin e një debati sesa të një shkëmbimi idesh dhe përjetimesh. Dhe, për sa i takon çështjes tjetër që sapo përmendët, jam dakord me opinionin tuaj, se kemi një zbehje të debateve në botën e sotme. Për mendimin tim, kjo është simptomë e një krize vlerash, e cila shfaqet edhe në komercializimin e letërsisë dhe të arteve, si dhe në tkurrjen e hapësirës së humaniteteve në sferën akademike, gjë që vjen edhe nga hegjemonia ideologjike neokonservatore, sikurse mund të shihet edhe si rrjedhojë e asaj që George Soros-i e quan “fundamentalizëm tregu”.

Shkrimtarja Edna Obrein thotë se letërsia që ka vdekur është letërsia e madhe …?

Bashkim Shehu: Sikurse çdo shprehje apokaliptike e jetës së përditshme, më duket e tepruar.

Cilët kanë qenë librat që gjatë këtij viti (nga autorë të tjerë) kanë tërhequr vëmendjen tuaj?

Bashkim Shehu: Tani unë më shumë rilexoj. Ndërsa nga ato që kam lexuar këtë vit për herë të parë do të veçoja romanin “Perandori ose syri i erërave”, të shkrimtarit katalan Baltasar Porcel, të cilin sapo e kam përkthyer dhe “Mashtruesin”, një roman pa fiksion, siç e quan autori, shkrimtari spanjoll Javier Cercas, dhe që do ta përkthej së shpejti. Ky libër i shkon shumë mirë shoqërisë shqiptare sot, nga pikëpamja e raportit me të kaluarën vetjake nën diktaturë.

Meqë në këtë numër të revistës do të kem një hapësirë kushtuar librave më të mirë të dashurisë në të gjitha kohërat, cili do të ishte libri që do të zgjidhje me këtë subjekt nga letërsia shqipe, por edhe letërsia botërore?

Bashkim Shehu: Midis veprave letrare që kanë si temë qendrore dashurinë, do të veçoja në letërsinë e përbotshme, tragjedinë “Romeo dhe Zhulieta”. Po vepra më e mirë e të gjitha kohëve e motivuar nga dashuria, ndonëse kjo temë shfaqet në të vetëm sporadikisht, për mua është “Komedia Hyjnore”, që është njëkohësisht edhe një nga krijimet letrare më të trishtueshme të të gjitha kohëve, jo thjesht me “Ferrin” dhe me “Purgatorin”, po në tërësinë e saj, duke përfshirë edhe “Parajsën”, ku poeti takon më së fundi Beatriçen dhe ku lumturia e tij është e trazuar me një dhembje të pamat. Ndërsa në letrat shqipe, libri më i mirë me temën e dashurisë, për mendimin tim, është “Vallja e yjeve”, e Lasgush Poradecit.

Në letërsinë e shkruar prej jush, dashuria çfarë vendi zë?

Bashkim Shehu: Vështirë që një autor të mund t’i bëjë përshkrime anatomike vetvetes. Por, nëse më lejoni një shaka, do të thosha që me siguri zë më pak vend se te Petrarca dhe më shumë se te Beckett-i. /Shqip

Arti i rrugës, mjet i shoqërisë për reagime

0

Hapësirat e rrugëve në ditët e sotme në shumë qendra të botës janë vende ku shprehet kreativiteti dhe zhvillohet veprimtaria që njihet si “Street art” (Arti i rrugës).

Tek nënllojet e artit të rrugës dallohet grafiti, që karakterizohet nga kufizimi me vijë e që ka “pushtuar” betonin e shumë qyteteve duke pasqyruar gjendjen sociale, emocionet, brengat, por me një theks të veçantë edhe revoltat e shoqërisë.

Jetik Doli, artist nga Prishtina që merret me këtë lloj arti tash e 12 vite, mendon se në këtë aspekt kryeqyteti i Kosovës nuk qëndron mirë në krahasim me kryeqendrat tjera.

“Për këtë arsye kohëve të fundit kemi bërë festivalin e parë për ‘street art’ në Kosovë që quhet Guerrilla Art Festival. Këtë e kemi bërë që të promovohet ‘street arti’ dhe me këtë po mundohemi t’i frymëzojmë artistët potencial, t’i japim një motiv që të merën me art dhe të vijnë të promovohen në këtë festival”, tregon Doli për KosovaLive.

Veprat e punuara gjatë këtij festivali do t’i dhurohen Komunës së Prishtinës që të vendosen dhe përdoren në hapësira publike dhe shkolla, sipas nevojave të komunitetit.

Karikaturat dhe portretet e grafiteve janë në qendër të punimeve të Jetikut që janë të vendosura në Prishtinë, Mitrovicë, Amsterdam të Holandës e Manheim të Gjermanisë.

Sipas tij, fakti që çdo gjë në Kosovë sillet rreth politikës, partive, estradës, futbollit ose bastoreve ndikon edhe në art, duke qenë se pothuajse të gjithë koncentrohen tek përfitimi vetjak e jo tek vlerat e artit e kulturës.

“Pavarësisht kësaj, ka artistë të zot që kanë arritur t’i rezistojnë antivlerave dhe të vazhdojnë punën e tyre, edhe pse janë pak, por nëse vazhdon ky rritem mendoj se nuk do të ketë aq shumë artistë të rijnë. Shpresoj që njerëzit përgjegjës të vetëdijesohen dhe të kontribuojnë në ngritje të vlerave dhe investimeve në kulturë dhe të rivendosin edhe njëherë prioritetet e tyre, kësaj here në favorin e te mirës së përgjithshme”, thotë Jetiku.

Ndonëse krahasuar me kryeqytetet e tjera të rajonit nuk mund të thuhet se në Prishtinë “lulëzon” ky lloj i artit, ditëve të fundit në rrugët e kryeqytetit janë shfaqur disa grafite ku shihen disa personalitete politike siç janë kryeministri Isa Mustafa, kryeparlamentari Kadri Veseli e zëvendëskryeministri Hashim Thaci, por më së shumti zgjuan debat disa grafite për presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, që u paraqitën në qendër të Prishtinës.

Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) ka ndërmarr aksion për fshirjen e këtyre grafiteve dhe si kundërpërgjigje autorit apo autorëve është vu grafiti “Kundër seksizmit”.

Ky rrjet e ka dënuar rëndë këtë sjellje të autorëve duke i konsideruar edhe akte seksiste. Sipas RrGGK-së, një akti i tillë, është fyes dhe i papranueshëm për cilindo qytetar të Republikës së Kosovës.

Sociologu Genc Xërxa thotë për KosovaLive se arti i rrugës padyshim që ka ndikim në shoqërinë që ka qasje në to dhe i sheh çdo ditë.

“Ato kanë ndikim në opinion dhe rrethin ku jetojë, nëse bëhen me qellim apo nismë të mirë. Ato mund të luajnë rol pozitiv dhe të duken bukur nëse krijohen nga dora e artistit, por ka raste të shpeshta kur këto grafite e murale kanë porosi ofenduese, denigruese, raciste, seksiste e që në të shumtën e këtyre rasteve bëhen të shëmtuara dhe aspak artistike, që mund të dërgojnë tek jotoleranca, keqkomunikimi, paragjykimi, steorotipizimi e deri tek konflikti i panevojshëm si pasojë kur ndokush mund të ndihet i fyer apo edhe i kërcënuar nga imazhet e tilla”, thotë Xërxa.

Grafitet kanë lindur si forma të shprehjes së revoltës. Vrullin më të madh vizatimet e rrugës e kanë marrë në periudhën e Luftës së Dytë Botërore kur u përhapen plotë vizatime kundër luftës dhe urrejtjes etnike.

Duke qenë se jo rrallë herë kanë shprehur vandalizëm artistët edhe janë përndjekur nga ligji dhe kjo veprimtari është cilësuar edhe si ilegale. Me to specifikisht janë identifikuar edhe komuniteti i artistëve të muzikës hip-hop, që i lidhnin ato me elementet e muzikës së tyre.

Megjithatë njohës të artit në botë pohojnë vazhdimisht se si formë e artit, mund të përdoret drejt përveç si zbukurim i hapësirave publike dhe si metodë e shpërndarjes së ideve e mesazheve. /KosovaLive