16.7 C
Prizren
E shtunë, 9 Maj, 2026
Home Blog Page 6415

Sonte Finalja e Evropianit

0

Sonte në orën 21:00, do të zhvillohet finalja e Euro 2016. Portugalia e yllit botëror Ronaldo do të vihet përballë Francës, nikoqire dhe favorite për titull kampioni.

Dëshira për sukses është e madhe tek të dyja palët. Portugezët duan të hyjnë në histori, duke e fituar për herë të parë titullin e kampionit të Evropës dhe në këtë mënyrë edhe ta përmirësojnë gabimin e bërë në vitin 2004, kur dështuan t’i gëzohen këtij trofeu para tifozëve të vet, duke humbur në finale nga Greqia. Në anën tjetër francezët duan ta rikthejnë lavdinë, duke fituar titullin e tretë.

Për Portugalinë lajm i mirë është rikthimi i Pepes, i cili mungoi në ndeshjen e fundit, ndërsa Franca do të luaj me formacionin e saj më të mirë dhe ka të gjithë lojtarët në dispozicion.

Portugezët do të kenë një mision shumë të vështirë por Fernando Santos ka besim te skuadra e tij dhe ëndrron që përfaqësuesja që ai drejton, t’i bëjë Francës atë që i bëri Greqia, Portugalisë në 2004-ën.

“Jam një tifoz portugez dhe dua të fitoj. Franca gjatë kësaj periudhe ka ndryshuar mënyrën e lojës por edhe ne jemi rritur shumë dhe kemi futbollistë që dinë si fitohet. Ndaj Gjermanisë ata zhvilluan një ndeshje shumë të mirë. Kanë në skuadër individë që bëjnë diferencën por gjithashtu luajnë shkëlqyer edhe në grup. Kam thënë gjithmonë që skuadrat favorite për t’i shkuar deri në fund Europianit ishin tre Gjermania, Spanja dhe Franca. Blutë luajnë në shtëpinë e tyre dhe normalisht janë favoritë por të fitosh është një tjetër gjë. Lexoj dhe dëgjoj që thonë se kjo nuk është finalja më e mirë e mundshme, por dëshirat nga e vërteta ndryshojnë shumë”, ka theksuar Santos.

Në anën tjetër, Didier Deschamps, 16 vjet më parë në Rotterdam, udhëhoqi Francën si kaipten drejt fitimit të kampionatit evropian që ishte i dyti në histori për gjelat. Në 10 Korrik të 2016-tës, tashmë si trajner Deschamps do të kërkojë të përsërisë atë sukses të 16 viteve më parë që këtë herë ndoshta do të kishte akoma edhe më shumë vlerë pasi kompeticioni zhvillohet në Francë, dhe finalja luhet në stadiumin legjendar St Denis.

“Është gjithmonë e vështirë të fitosh tituj ose më saktë të fitosh trofe. Të arrish te suksesi me skuadrën kombëtare është një mision shumë më tepër i ndërlikuar se të fitosh me klubet, sepse me ekipet përfaqësusese trofetë për t’u fituar janë vetëm 2 dhe për ta realizuar dicka të tillë duhet të luash ndaj skuadrave më të mëdha të Botës. Ne jemi gati për finalen ndaj Portugalisë dhe duam të fitojmë. Futbollistët e mi ndihen të privilegjuar që mbrëmjen e të Dielës do të zbresin përpara publikut të tyre në Paris me synimin për të fituar trofeun e kampionit të Evropës”, ka theksuar Deschamps.

Mamusha, Turqia në miniaturë

0

Kosova jo vetëm që po krijon kushte për bashkëjetesë me komunitetet pakicë, por komunat e vogla ku jetojnë pakicat po shndërrohen edhe në minishtete të pakicave.

Ndonëse me Kushtetutën e Kosovës, Neni 6 (Simbolet) thuhet se flamuri, stema dhe himni janë simbolet shtetërore të Republikës së Kosovës, të cilat pasqyrojnë karakterin shumetnik të saj, simboleve të Kosovës në Mamushë iu qëndrojnë kudo përkrah ato të Turqisë.

Dikur një fshat i vogël në jugperëndim të Kosovës, Mamusha tani është shndërruar në “Turqi të vogël”. Në fillim të hyrjes së këtij qyteti të duhet pak kohë të përcaktohesh se ku ndodhesh.

Rrugët janë të emërtuara vetëm në turqisht (Pasha, Cumhuriyet, Yildiz, Harmanlik, Baglik, Saat Kulesi, Lale…), mbishkrimet e dyqaneve, barnatoreve, bizneseve po ashtu në turqisht, edhe emrat e shkollave ku fillorja quhet “Anadolu”, si dhe “Ataturk” e mesmja….

E arrin të të bind se je në Kosovë vetëm flamuri i Kosovës në rrethrrotullimin para se të arrish në atë që quhet “qendër e qytetit”, ku qëndron ngjitur edhe flamuri i Turqisë, shkruan gazeta “Zeri”.

DokuFest shfaqë filma edhe në muret e objekteve

0

Në këtë vit, DokuFesti do të sjellë edhe një risi me shfaqjen e filmave. Duke pas parasysh se ky Festival i Filmit Ndërkombëtar, tash e sa vite filmat i shfaqë nëpër disa lokacione të ndryshme të Prizrenitr, prej këtij viti do të vjen edhe me prezantimine filmave nëpër mure të objekteve duke përfshirë si: ndërtesa, ura, shkolla, shkruan KultPlus.

Ky projekt është menduar si një shansë e mirë që qytetarët deri sa janë në lëvizje mund të ndalen dhe ta shohin ndonjë film në mure, duke pas parasysh se filmat që do të shfaqen janë të metrazhit të shkurtë. Kjo ngjarje do të mbahet vetëm më 6 gusht, prej orës 20:00 dhe filmat do të shfaqen në sheshin e Shadërvanit. Ky projekt mbështetet nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë.

Ja si u ble heroina në Prizren

0

Dalin në dritë detaje të reja nga dosja në ngarkim të të arrestuarve në kuadër të operacionit antidrogë “Ballkani” që u finalizua me vënien në pranga të trafikantëve, mes tyre 14 shqiptarë.

Qyteti i Prizrenit ka qenë një nga pikat ku trafikantët shqiptare kanë realizuar blerjen e një sasie droge të llojit heroinë. Në dosje saktësohet se Jurgen Molla ka organizuar të paktën 3 raste të trafikun e drogës nga trafikantë turq.

Rasti i parë është në Prizren ku biznesmeni i ndërtimit, Arben Molla, kosovari, Arfi Çiço ndërmjetës, kanë rënë dakord me 2 trafikantë turq për blerjen e 15 kg heroinë që vinte nga Turqia, raporton “Shqiptarja”.

Më 29 qershor, Jurgen Molla përmes shtetasve Orest Myftaraj dhe Klodian Veizaj ka çuar në Prizren 230 mijë Euro për blerjen e drogës.

Pas kësaj trafikantët turq i kanë dhënë sasinë prej 15 kg heroinë, korrierit, Arben Prendi, i cili me mjetin e tij kamion do sillte lëndën narkotike ne Shqipëri.

Fati nuk ishte me trafikantët teksa më 29 qershor kamioni me drogë u kap në pikën kufitare të Morinit dhe u arrestua mirditori Arben Prendi. Bashkëpunëtorët e këtij të fundit fikën telefonat për ditë më radhë, ndërsa gjatë kësaj kohë telefonat e tyre kanë qenë nën përgjim, teksa rezulton se janë përpjekur për fshehjen e parave.

Sakaq pasi dështuan në rastin e parë trafikantët nuk hoqën dorë nga misioni i tyre, teksa destinacioni i radhës ishte qyteti i Selanikut.

Jurgen Molla dhe Anesti Koromonai porosin sërish 15 kg heroinë, e cila vjen me korrierë turq, por droga kapet nga policia Greke dhe oficerët e DEA në Selanik, si dhe arrestohen dy korrierët.

Pas dy dështimeve, Jurgen Molla, ka vendosur t’i rikthehet sërish qytetit të Prizrenit ku është bërë e mundur blerja e një sasie prej 500 gramë heroinë.

Sakaq këtë herë sasia e lëndës narkotike u bllokua nga policia në Tiranë, teksa në pranga përfunduan Anesti Koromani dhe Romeo Beqo.

Se ke idenë (Video)

0

Ka ardhur më në fund super kënga e paralajmëruar ditë më parë, “Se ke iden”.

Me një stil ndryshe, zë të ëmbël e melankolik, i riu nga Suhareka, Sokol Thaçi , ka debutuar fuqishëm në estradën shqiptare. Ju kujtojmë se kënga është punuar në studion “Sopi Records”, nën përkujdesjen e plotë të Amir Sopit.

Një videoklip të bukur i ka punuar ’04 Production’ nga Prizreni, ndërsa kënga po pëlqehet që në fillim, shkruan 04 Online.

Edhe pse është kënga e parë profesionale, Sokoli për pak ditë ka arritur të fitoj simpati në publikun e gjerë që nga paralajmërimi i këngës. Bukuria, sharmi, elani dhe paraqitja e këngëtarit nga Suhareka ka tërhequr vëmendjen e publikut, duke bërë me dije se rrugëtimi i tij në skenën muzikore do të jetë i gjatë e i përcjellur me suksese të mëdha.

https://youtu.be/0QYT108blEE

Egzon Dobroshi rikthehet në Lirinë e Prizrenit

0

Egzon Dobroshi është rikthyer në Lirinë e Prizrenit. Ai në dy vitet e fundit, ka qëndruar në Norvegji për studime, ku edhe ka luajtur me ekipet e rangut inferior, FK “Majorstuen” e FK “Lyn”.

“Lyni është një ndër klubet më me histori në Norvegji. Atje jam zgjedhur një ndër lojtarët më të dalluar të Osllos, ku edhe kam qen anëtar i ekipit përfaqësues të Osllos dhe rajonit”, thotë ai.

“Kam luajtur mesfushor ofansiv”, tregon Dobrushi.

Dobroshi pritet t’i jep shumë Lirisë, ngase siç thotë “e kam skuadër të zemrës”.

Njihet si asistues i mirë, pastaj ka gjuajtje të sakta nga distanca dhe është tejet i disiplinuar. Një lojtarë që gjithsesi do të shtojë konkurrencën dhe kualitetin te Liria.

Ai në fund ka një mesazh për adhuruesit dhe drejtuesit e klubit.

“I falënderoj drejtuesit për mundësin që më dhanë. Pres që me lojë dhe disiplinë e lojë angazhuese të imponohem shtabit teknik dhe të shpaguaj besimin e Bordit. Ndërsa, tifozëve u them se ditë të mira dhe lojra të bukura tek po vijnë’, ka thënë ai./PrizrenPress.com/

Zhuri në hall me hajnat

0

Dy muajt e fundit, banorët e Zhurit të Komunës së Prizrenit po përballen me raste të shumta të vjedhjeve nga persona ende të paidenitifkuar nga organet e rendit. Ata kërkojnë më shumë angazhim nga policia që të zbulojë autorët, dhe kërkojnë nga komuna që sa më shpejt që është e mundur të rregullojë ndriçimin publik, sidomos në Zhurin e Ri.

Familja e Ramiz Kabashit, është një ndër dhjetëra familje të cilat janë vjedhur nga hajna të ndryshëm. Ramizi, mjek me profesion, tregon se në fillim të muajit qershor në orët e mbrëmjes në shtëpinë e tij nga hajnat janë vjedhur stoli ari në vlerë të të 7 mijë eurove dhe para të gatshme 1 e 200 euro.

Ai thotë se lidhur me rastin ka informuar organet e rendit dhe kryetarin e fshatit. Sipas tij, nënstacioni policor i Zhurit nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të luftuar këtë dukuri për shkak të numrit të vogël të policëve, ndërsa shprehu bindjen se me vendosjen edhe të ndriçimit publik, hajnat nuk do të mund të operonin më lehtë.

Kabashi kërkon që për këtë çështje tejet shqetësuese, edhe bashkëfshatarët të bashkëpunojnë me organet e rendit për zbulimin e autorëve që po kryejnë vjedhje të rënda.

Me të gjitha rastet është informuar edhe kryetari i fshatit, Behar Begaj, i cili tha se gjendja është alarmante pasi hajnat përveç se po vjedhin, ata edhe po kërcënojnë me jetë edhe familjarët të cilët po hasin në momentet kur ata po kryejnë vepra të paligjshme. Ai thotë se për të gjitha rastet e vjedhjeve ka informuar policinë në Zhur, dhe se pas dërgesës së një kërkese me shkrim në fund të muajit të kaluar, janë shtuar patrullimet dhe angazhimet konkrete për të ofruar më shumë siguri për banorët e Zhurit dhe ruajtjen e pronës.

Begaj thotë se një kërkesë i është drejtuar edhe drejtorisë së shërbimeve publike, ku është kërkuar që sa më shpejtë që është e mundur të instalohet ndriçimi publik sidomos në lagjen “Zhuri i ri”.

Lidhur me këtë shqetësim të banorëve të Zhurit, ne jemi orvatur të marrim edhe prononcimin e përgjegjësit të policisë së nënstacionit në Zhur, por kontakti me të ka qenë i pamundur, përkundër edhe faktit se ne gjatë ditës së shtunë vizituam edhe objektin e këtij nënstacioni, ku nga disa policë na është thënë se komandanti ndodhet në pushim vikendi.

Dukuria e vjedhjeve fatkeqësisht është shndërruar në përditshmëri në shumë lagje dhe vendbanime të Prizrenit, dhe përkundër disa deklaratave të drejtuesve të policisë rajonale se në disa vende janë lokalizuar shumë hajna, këta të fundit gjatë muajve maj dhe sidomos qershor, janë mjaft aktiv jo vetëm në Zhur, por edhe në zona të tjera të komunës. /TV Prizreni

Vërmica e kullave – e harruar nga shteti

0

Vërmica shtrihet në jugperëndim të Prizrenit, ku edhe sot atje hasen disa motive të skalitura në gur, si: motivet nga kulti i Diellit, kulti ktonik i gjarprit, dhe motive të tjera.

Të skalitura në gurët këndorë, apo siç u thonë në popull, mbi qoshnikë, këto motive i gjejmë sot në kullën e Sherif Kadriajt, ndërtuar në mëhallën e Kadriajve, shek.XIX – sot e braktisur, apo edhe në disa kulla të tjera të këtij fshati.

Vërmica dikur njihet për kullat e familjeve Fanaj, Pulaj, Çovanaj dhe Xhoxhaj, Kadrijajt e të tjera, por më vonë ishpushteti jugosllav që mbi këta banorë përdori të gjitha masat represive që këta banorë t’i bëjnë të shitur, por ata stoikisht qëndruan nëpër histori. Prandaj, ata edhe u keqtrajtuan e u burgosën, tregon profesor Maksut Rakaj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Ai tregon se në vitin 1980, për shkak të mbylljes së grykës së lumit Drin, u përmbytën të gjitha tokat pjellore të këtij fshati dhe ata u degdisën mbi 80 për qind e këtij fshati u ndanë në fshatra dhe hapësira të ndryshme që atëbotë ishin prona shtetërore.

Ky vendbanim është i banuar që nga parahistoria, përkatësisht që nga koha e neolitit, dhe i përkiste krahinës së Dardanisë.

“Lënda antropologjike dëshmon se varreza u përkiste banorëve të tipave antropologjikë adriatikë dhe varianteve të tyre adriatike- mesdhetare, karakteristike për popullsinë arbërore”, tregon profesori Xhevat Xhoxhaj.

Lumjanët, halë në sy i kishte Serbia

Rizaj Xhoxhaj, i dënuar politik, tani 95- vjeçar, thotë se pushteti aq shumë i shtrëngonte familjet atdhetare, saqë u ndalonte edhe për të shkuar në mal të tyre për të marrë dru. Ai tregon se burgun e kishte kryer në Goli Otok, në njërin ndër burgjet më të vështira të asaj kohe.

Fshati Vërmicë është i ngulitur rrëzë malit Koritnik, dhe shtrihet mbi disa kodra të ngritura, të cilat krijojnë një peizazh të bukur. Pozita e këtillë e fshatit mundëson një pamje të gjerë mbi gjithë arealin në mes maleve të Koritnikut dhe Pashtrikut si dhe mbi liqenin e Vërmicës. Nga çdo cep i këtij fshati, po ashtu, shpërthejnë pamje mahnitëse edhe mbi shpatijet e malit të Koritnikut.

Vlen të theksohet se, ceremoni të caktuara rituale ndodhnin edhe në Majë të Gjallicës së Lumës (2486 m). Maja e Gjallicës, pastaj Maja e Pashtrikut, si dhe Maja e Koritnikut, komunikojnë vizualisht dhe gjenden jo fort larg njëra- tjetrës.

Pleqtë e këtij fshati tregojnë edhe për të bëmat e mëdha që bënin trimat e këtij fshati. Por, ata u degdisën pastaj edhe si familje, sepse Serbia i kishte shënuar si njerëz të rrezikshëm lumjanë, ata mbeten atdhetarë, edhe pse pushteti atje punoi pareshtur mbi pesë dekada. Pleqtë e këtij fshati ende tregojnë se si në oda kur ishin fëmijë kishin dëgjuar histori të dhembshme për ngjarjet e serbëve. Ata tregojnë se pas Luftës së Dytë Botërore, kur kishin shkuar ushtarë në Serbi atje trajtoheshin shumë keq, sepse në historinë e tyre serbe kishin dëgjuar për Lumën që u kishte sjellë shumë të zeza ushtrisë serbe në të gjitha rrethanat.

Maja e Pikëllimës

Prof. Xhevat Xhoxhaj, që njëherësh është edhe poet, ka ditur mirë të skalisë edhe për Majën e Pikëllimës, edhe për dhembjen e vajzës së Vëmicës, që ka hapëruar nëpër dhembjen e kohës së vet. Ai pastaj ka ditur dhe ka trashëguar gjithë dhembjen e këtij fshati nëpër kohë për ta skalitur në vargje.

Por, prof. Maksut Rakaj tregon edhe një fakt tjetër se atje banorët janë të pakët, janë afër 600, por atje ka infrastrukturë të mirë, ka një kërkesë që kullat e atjeshme të mos harrohen nga pushteti. Por, karshi kësaj, ai pohon se duhet parë edhe dëmet shpirtërore që regjimi jugosllav u shkaktoi atyre banorëve, tokat iu përmbytën, fushat iu morën, kurse atje tha se kishte presion të natyrave të ndryshme.
“Por, tani kur mendojmë të përbashkojmë atdheun, besoj në mundësinë e renovimit të atyre kullave të lashta të këtij fshati”, thotë ai.

Nga këtu kanë dalë emra të njohur edhe të dijetarëve e mjekëve që pastaj i kanë dhënë shumë dije e mundësi shërimi popullatës. /Kosova Sot

Bie numri i thumbimit nga rriqrat

0

Në qendrën emergjente të QKUK-së përveç rasteve të paraqitura për shkak të temperaturave të larta, ka pasur edhe raste të thumbimit nga rriqrat. Kështu ka thënë Avdush Begolli, mjek në këtë klinikë, që sipas tij, këto raste janë trajtuar menjëherë në qendrën infektive.

Na ana tjetër, Ministria e shëndetësisë për të paralajmëruar qytetarët nga rreziku prej rriqrave ka organizuar fushata informuese e forma tjera organizative, që sipas tyre kanë rezultuar me përgjysmim të rasteve të pickimit nga rriqrat.

Faik Hoti, nga Ministria e Shëndetësisë, për televizionin Tribuna Channel ka thënë se në Malishevë, Rahovec, Klinë, Suharekë, për shkak të pranisë së rriqrave në këto zona, janë organizuar fushata, takime me banorë, ligjerata me nxënës dhe është bërë dezinsektimi i territorit.

”Gjithashtu nuk ka pasur asnjë të vdekur. Sezona kundër Etheve Hemorragjike është në muajt e mbylljes tash”, ka bërë të ditur Hoti.

Në takimin e Këshillit Ndërministror për parandalimin dhe luftimin e Etheve Hemoragjike Krime Kongo, të cilin e kryeson Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, disa ditë më parë u tha se numri i pickimeve nga rriqrat sivjet është përgjysmuar, ndërsa prej 46 rasteve të trajtuara si të dyshimta, pas analizave laboratorike, të gjitha kanë rezultuar negative.

S’ka referendum të ri

0

Qeveria britanike i ka hedhur poshtë thirrjet për një referendum të dytë për mbetjen apo jo si pjesë e Bashkimit Europian, ndonëse një peticion në internet deri më tash ka mbledhur mbi 4.1 milionë nënshkrime.

Ky peticion konsiderohet që ka mbledhur më së shumti nënshkrime prejse qeveria britanike kishte vendosur mbajtjen e referendumit BREXIT në vitin 2011.

Megjithatë, në përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Jashtme Britanike thuhet se në referendumin e mbajtur më 23 qershor kanë marrë pjesë 33 milionë njerëz dhe se vendimi i këtij referendumi duhet respektuar.

Peticioni ishte nisur nga përkrahësit e fushatës për daljen e Britanisë nga BE-ja nga frika se rezultati do të ishte në favor të mbetjes së vendit në bllokun e shteteve evropiane.

Më 23 qershor, 52 % e pjesëmarrësve në referendum kanë votuar megjithatë për daljen e vendit nga BE-ja, ndërsa 48 % kanë votuar për mbetjen e Mbretërisë së Bashkuar në bllokun europian.