19.3 C
Prizren
E enjte, 7 Gusht, 2025
Home Blog Page 6437

Fjalimi i ndaluar i Albin Kurtit, në seancën e parë gjyqësore

0

Të nderuar të pranishëm,

1. Prokurorja në aktakuzën e saj thotë se ne deputetët nuk paskemi pasur autorizim për ta përdorur gazin lotsjellës. Mirëpo, as kryeministri i Kosovës nuk ka pasur autorizim nga Kuvendi për të nënshkruar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, përkatësisht ‘Zajednicën’ e Serbisë. Në anën tjetër, kur policia e përdor gazin lotsjellës e bën këtë duke besuar që dëmi që e shkakton me gazin lotsjellës është shumë më i vogël sesa dëmi që e parandalon e të cilin e shkaktojnë protestuesit. Kjo shpeshherë nuk është e vërtetë për policinë, por, se ne kishim të drejtë e vërtetoi edhe Gjykata Kushtetuese së fundmi. Kalkulimi ynë ishte i saktë: dëmet e gazit lotsjellës janë shumë më të vogla sesa shkelja e Kushtetutës së Kosovës në 23 nene të saj nga secili prej 7 kapitujve të ‘Zajednicës’. Më tutje, pse do të duhej që dikush të jetë i autorizuar për diçka, e sidomos për përdorim të armës? Autorizimi nënkupton që një personi të caktuar i është besuar kalkulimi racional i krahasimit të dy apo më shumë dëmeve. Ne si deputetë të Kuvendit të Republikës – pra, Kuvendi është i Republikës, nuk është Republika e Kuvendit apo e deputetëve dhe aq më pak e Qeverisë apo e ministrave – kemi qenë të autorizuar ta mbrojmë republikën dhe kushtetutën, dëmtimi i të cilave përmes ‘Zajednicës’ është shumë më i gjerë e më i thellë sesa ai i gazit lotsjellës. Në sallën plenare me tavan të lartë gati 10 metra, gazi lotsjellës davaritej për më pak 30 minuta. ‘Zajednica’ nuk do të na hiqej as për 30 vjet – le të mos harrojmë që Republika Serbe në Bosnje tashmë i kaloi 20 vjet dhe është më e fuqishme se asnjëherë më parë.

Të nderuar të pranishëm,

Duhet ta bëj një sqarim këtu: unë sigurisht se nuk jam i kënaqur me Kushtetutën aktuale të Kosovës, por unë sa herë të jetë e nevojshme i bëj rezistencë atyre që duan ta ndryshojnë për të keq këtë Kushtetutë, ndërkohë që vazhdimisht angazhohem që ta ndryshoj për të mirë. Ngjashëm sikurse para 26 vjetëve kur shumica e atyre që e mbronin autonominë e Kosovës nuk ishin të kënaqur me atë autonomi dhe dëshironin republikë e pavarësi e bashkim kombëtar, por ja që e mbronin atë autonomi sepse edhe ajo po suprimohej.

Le t’i kthehemi sërish aktakuzës kundër nesh. Prokurorja vetëm në kualifikimin e veprës penale e përmend ‘armën’, mirëpo aspak në arsyetim nuk e provon që bombola e gazit lotsjellës është ‘armë’. Arma përmban elementet përbërëse dhe ka mekanizmin e saj. Këto nuk i gjejmë te bombola e gazit lotsjellës. Mandej, çdo armë e ka municionin e vet: nëse bombola e gazit lotsjellës na qenka armë atëherë cili është municioni i asaj arme? E, me gjasë, gazi lotsjellës nuk është as municion tamam, sepse edhe municioni përbëhet prej disa pjesëve si kapsula, baroti, predha etj. Mirëpo, prokurores nuk i interesojnë këto hollësi dhe ajo fare nuk merr mundin të arsyetojë. Për mua kjo është dëshmi e tendencës persekutuese me çdo çmim e pa asnjë standard.

Nëse mendoni që dikush duhet të akuzohet për përdorim të armëve pa e pasur provën materiale të saj për të vërtetuar se me të vërtetë mjeti në fjalë është armë dhe se qëllimi kryesor i saj është kryerja e sulmit fizik dhe lëndimit trupor në kuptim të Kodit Penal, atëherë kjo prokurori publike, nuk është as prokurori dhe as publike, por polici private e kundërshtarëve tanë politikë.

Arma e gazit lotsjellës është ajo me tytë dhe presion e me të cilën policia hedh me qindra bombola me gaz lotsjellës në protestat tona, me ç’rast disa që nuk shpërthejnë na mbeten neve ‘dhuratë’ për t’i përdorur. Në seancat e Kuvendit unë kisha armë vetëm në kuptimin që vetë si deputet isha armë, pra disponoja me vetveten si armë kundër ‘Zajednicës’ në protestën tonë në Kuvend si aksion politik e publik. Pra, unë kisha armë vetëm sepse unë isha aty, duke përmbushur detyrën time sipas nenit 74 (Ushtrimi i Funksionit) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës i cili thotë me sa vijon: “Deputetët e Kuvendit të Kosovës ushtrojnë funksionin e tyre në interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Kushtetutë, ligjet dhe rregullat e procedurës së Kuvendit.”

Në pretendimet kundër nesh ka edhe shpifje. Psh. mua askush asnjëherë nuk ma ka dhënë bombolën e gazit lotsjellës në Kuvend që ta ndez në sallën e Kuvendit. Atë e kam marrur unë vetë në protesta kur na i gjuante policia pa kursim. Në seancën e 8 tetorit 2015, deputetes Albulena Haxhiu i kam kërkuar që të më sjellë vezë të prishura dhe ajo këtë e ka bërë. Gazi lotsjellës ishte mjeti i fundit pas pipave, ujit dhe vezëve, të cilat nuk kryen punë. Gazi lotsjellës nuk është armë sepse nuk është menduar që të lëndojë dikë. Gazi lotsjellës ishte kundër atyre që po lëndonin Republikën dhe popullin e saj dhe vetë ai nuk lëndonte askë. Gazi lotsjellës synonte largimin e personave që duan të lëndojnë. Qeveria ka qenë e armatosur, sepse ‘Zajednica’ ishte arma e tyre kundër Republikës dhe Kushtetutës siç e vërtetoi edhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq gazi ynë lotsjellës synonte t’i largonte nga salla e Kuvendit këta njerëz të armatosur e të rebeluar kundër Republikës.

Për më keq se kaq, prokurorja askund nuk jep shpjegim pse është përdorur gazi lotsjellës. Është e qartë se qëllim s’mund të ketë qenë lëndimi i ndokujt sepse unë dhe të gjithë ne vazhdonim të qëndronim në sallë pa maska edhe shumë kohë pas hedhjes së gazit lotsjellës. Vepra për të cilën ne akuzohemi nuk ka mundur të kryhet padashje, prandaj për ta gjykuar e dënuar atë duhet të ekzistojnë mens rea (qëllimi kriminal) dhe actus reus (veprimi kriminal). Në aktakuzë nuk gjenden këto, posaçërisht e para, pra mungon mens rea për shkak se qëllimi ishte politik dhe jo kriminal. Qëllimi ynë ishte pamundësimi i normalizimit të ‘Zajednicës’ së Serbisë. Për një shkelje të rëndë siç është ajo e Kushtetutës nëpërmjet ‘Zajednicës’ ne kemi përdorur forcë edhe më pak se proporcionale. Aksioni ynë politik ishte mbrojtje e personave të tretë, përkatësisht mbrojtje e shtetit republikan, e rendit kushtetues dhe e qytetarëve të Kosovës.

2. Sa i përket pikës së dytë të aktakuzës, pengimit të personave zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, duhet të them që pikërisht ne si deputetë të opozitës ishim persona zyrtar duke respektuar detyrën tonë zyrtare. Qeveria dhe deputetët e pozitës ishin po ata njerëz të përveçëm sikurse para 25 gushtit të ‘Zajednicës’ mirëpo ata s’ishin më personat e njëjtë zyrtarë dhe as nuk po e kryenin detyrën e njëjtë zyrtare. Kur ndryshon Republika sepse i shtohet ‘Zajednica’ nuk mbetet i njëjtë as Kuvendi si punëdhënës i këtyre personave zyrtar.

‘Zajednica’ është një gjë e re para sistemit shtetëror të Kosovës dhe institucioneve të tij. ‘Zajednica’ nuk ishte asnjëherë temë në fushatat zgjedhore dhe as çështje debati në Kuvend. Vetëm kur e pamë në televizion më 25 gusht 2015 se ajo është nënshkruar tashmë në Bruksel nga Mustafa me Vuçiqin. Pra, e kemi një njeri, qytetar republike që quhet Isa Mustafa, e i cili e vuri nënshkrimin për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Në anën tjetër, ne i kemi mbi 205.000 nënshkrime të qytetarëve kundër asaj ‘Zajednice’ dhe kundër atij nënshkrimi të vetëm. Ne nuk mund të lejojmë që një nënshkrim t’i mposht 205.000 nënshkrime. Aksioni ynë ishte politik dhe publik. Kurrfarë procesi demokratik nuk i parapriu nënshkrimit në Bruksel – madje, më 25 gusht të vitit të kaluar Kuvendi ishte në pushim. Kur ne u kthyem në Kuvend, ne ishim të njëtit njerëz, mirëpo nuk ishim të njëjtit deputetë, sepse mandati ynë si deputetë ishte tjetërsuar: ne nuk ishim më deputetë të Republikës, por deputetë të asaj që mbetet nga Republika atëherë kur Republikës i shtohet ‘Zajednica’. Përveç peticionit, dhjetëra mijëra qytetarë kanë marrur pjesë në Prishtinë dhe shumë komuna tjera të Kosovës, në manifestime e protesta të ndryshme. Në anën tjetër, nuk ka pasur asnjë tubim me qytetarë nga qeveria për ‘Zajednicën’. Ama bash asnjë. Qeveria nuk është përpjekur që të arsyetojë ose justifikojë me qytetarët e për qytetarët nënshkrimin e saj.

Ne kemi qenë në Kuvend si persona zyrtar në detyrën tonë zyrtare, në kulmin e zbatimit të nenit 74 të Kushtetutës. Pa na e hequr Kuvendi me shumicë votash imunitetin, policia nuk është dashur të na hetojë e arrestojë, prokuroria të na akuzojë dhe gjykata të na gjykojë. Por, jo vetëm kaq. Deri te kjo ditë e shqyrtimit kryesor, procesi ka kaluar nëpër shkelje të shumta të të drejtave të njeriut të deputetëve dhe aktivistëve opozitarë. Lehtësia me të cilët policia na ndjek dhe arreston e mandej na rrah fizikisht dhe gjykatat na i japin nga 30 ditë paraburgim është e frikshme. Në rastin tim po i theksoj dy situata. Së pari, kidnapimin nga Policia e Kosovës natën e 12 tetorit 2015 për çfarë kam bërë Kallëzim Penal, mirëpo tash e gati tre muaj askush nga prokuroria nuk më ka kontaktuar. Së dyti, arrestimin nga forcat elitare anti-terror me 28 nëntor 2015, kur u thye selia e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë në një operacion që përbëhej nga qindra policë të cilët rrahën e arrestuan 97 aktivistë. Ne kemi bërë 80 kallëzime penale për dhunën policore, ndaj të cilave Policia e Kosovës reagoi menjëherë se ajo i paska 166 policë të lënduar në protestat e muajve të fundit, duke pranuar kështu hakmarrjen ndaj nesh me 28 nëntor. Po ashtu, edhe Amnesty International dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës kanë reaguar me komunikata zyrtare kundër kësaj ndërhyrjeje brutale.

Ne si deputetë nuk e kemi vënë në pikëpyetje ligjin si të tillë dhe as tërësinë e ligjeve në Republikën e Kosovës. Ne as që kemi menduar se cilat ligje po i shkelim me aksionin tonë politik sepse preokupimi ynë emergjent ka qenë Republika dhe Kushtetuta, demokracia dhe sovraniteti, të drejtat dhe liritë e qytetarëve, që përbëjnë themelin dhe burimin, thelbin dhe kuptimin e ligjeve, të korpusit të ligjeve, të secilit ligj, madje përfshirë këtu edhe vetë ligjet të cilat prokurorja thotë t’i kemi shkelur.

Organi i ndjekjes, Prokuroria, qysh në fillim të aktakuzës së saj tregon dhe vërteton faktin se ne veprimet i kemi ndërmarrë në cilësi të deputetëve. Pra, në cilësi zyrtare nën mandatin përfaqësues. Kjo do të thotë se ne po përndjekemi në cilësinë e deputetit! Si mund të quhet kjo ndryshe përveçse persekutim politik?! Se ky rast është politik e vërtetojnë edhe dëshmitarët e propozuar të prokurorisë, ku që të gjithë i përkasin pozitës, pra pushtetit.

Nuk e di nëse Prokurorja e ka lexuar aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese të 23 dhjetorit të vitit 2015. Nëse Prokurorja e mban të njëjtën aktakuzë kundër nesh edhe pas dijenisë për këtë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, atëherë kemi të bëjmë me dashakeqësi të skajshme të prokurores ose me një botëkuptim autoritarist të saj. Për këtë të dytën do të flas më vonë gjatë këtij procesi.

Prishtinë, 6 janar 2016

Gjurmët paralajmërojnë një dokumentar

0

Rok-grupi kosovarë “Gjurmët” janë bashkuar së fundi pas 30 vitesh dhe kanë mbajtur koncertin “Gjurmët and friends” në Tiranë, koncert ky që është paralajmëruar të mbahet edhe në Prishtinë më 17 shkurt.

Megjithatë, sipas një njoftimi që kanë bërë në faqen e tyre zyrtare në rrjetin social Facebook, lihet të kuptohet që puna e tyre nuk mbaron këtu. Ata po mbledhin video të realizuara nga publiku në koncertin e tyre sepse po planifikojnë të realizojnë edhe një dokumentar.

“Ftojmë të gjithë ata që kanë marr pjesë në koncertin e ‘Gjurmëve’ më 29 dhjetor në Tiranë, të cilët kanë xhiruar me telefonat e tyre personal t’i dërgojnë videot e tyre në [email protected]. Në këtë mënyrë edhe ju bëheni bashkautorëm në realizimin e dokumentarit te grupit ‘Gjurmët’, i cili do të realizohet në fillim te vitit 2016”, thuhet në njoftimin e tyre.

Grupi që ndërtoi karrierën në Kosovën e paraluftë njihet për këngët “Mendoja çdo gjë merr fund pa ty”, “Era”, “Heroi i qytetit pa lumë” etj.

Ka vdekur menaxheri i Bee Gees dhe Eric Clapton

0

Ka vdekur në moshën 81 vjeçare australiani Robert Stigwood, menaxheri i suksesshëm i këngëtarëve dhe grupeve.

Stigwood ka menaxhuar me pop grupin Bee Gees, në periudhën më të ndritshme të tij, në vitet e ‘70-ta. Ai ishte gjithashtu edhe menaxher i kitaristit anglez, Eric Clapton.

Lajmin për vdekjen e tij e ka konfirmuar përmes rrjetit social Facebook, Spencer Gibb, i biri i anëtarit të grupit Bee Gees, Robin Gibb.

Përmbytet Lugishta e Hasit (Foto)

0

Si pasojë e të reshurave të shiut dhe shkrirjes së borës, uji ka vërshuar rrugët dhe shtëpitë e fshatit Lugishtë të Hasit.

Përveç bllokimit të rrugëve, uji ka depërtuar edhe në disa shtëpi të këtij lokaliteti dhe po ju shkakton telashe të mëdha banorëve.

Sipas rrëfimit të banorëve të Lugishtës, ata po mundohen që të largojnë ujin nga shtëpitë e tyre dhe rrugët e fshatit, por po përballen me mungesë të mjeteve përkatëse për largimin e ujit.

Kërkohet nga organet kompetente komunale të Prizrenit, që të intervenojnë në largimin e ujit nga rrugët dhe shtëpitë e këtij lokaliteti që ndodhet rrëzë Pashtrikut. /TV Prizreni

Lugishte e Hasit-vershime3Lugishte e Hasit-vershime Lugishte e Hasit-vershime2

 

Bajram Rexhepi: Kam pushuar aktivitetin tim politik në PDK

0

Ish-kryeministri Bajram Rexhepi ka thënë se ka pushuar aktivitetin e tij politik në Partinë Demokratike të Kosovës.

Ai ka thënë se vazhdon të jetë pjesë e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, por se ka ndërprerë aktivitetin e tij politik në këtë parti.

“Jam tërhequr nga aktivitete politike të PDK-së, por jam anëtarë i kryesisë së PDK-së”, ka thënë shkurt Rexhepi për Klan Kosovën.

Bajram Rexhepi ka qenë edhe ministër i Punëve të Brendshme në qeverisjen e PDK-së.

KDI: Kuvendarët e Dragashit vetëm 83 pyetje për ekzekutivin e komunës

0

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka publikuar Fletënotimin i cili përmban analizë dhe notim për punën individuale të 27 anëtarëve të Kuvendit të Komunës së Dragashit dhe subjekteve politike të përfaqësuara në këtë kuvend për periudhën Janar-Dhjetor 2015.

Anëtarët që kanë treguar rezultate më të mira në të gjitha kategoritë në Kuvendin e Komunës së Dragashit janë: Samidin Xheladini (LDK) me 11.2 %, Zaim Hajredini (AKR) me 10.7 %, dhe Nexhat Isufi (BD) me 6.8 % ndërsa anëtarët që nuk kanë treguar asnjë rezultatet në të gjitha kategoritë dhe janë vlerësuar me 0 % janë: Shqipe Halili (LDK) me 0.0 % dhe Mersiha Memisi (CDU) me 0.0 %.

Gjatë seancave të mbajtura nga anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit janë ngritur gjithsej 347 çështje, prej të cilave 80 % nga fushat me interes për qytetarët e Dragashit ndërkaq 20 % e çështjeve të iniciuara kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Dragashit.

Subjekti politik i LDK-së i përfaqësuar në këtë institucion prin për nga inicimi i çështjeve me gjithsej 33.4 %, të përcjellë nga anëtarët e PDK-së dhe AKR me nga 21.3 % përkatësisht 13.3 % të çështjeve të iniciuara. Lidhur me ngritjen e çështjeve, Zaim Hajredini (AKR) ka shënuar numrin më të lartë të çështjeve me gjithsej 13.3 %, i përcjell nga Samedin Xheladini (LDK) me 13 % të çështjeve të ngritura.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës së Dragashit gjatë punimeve të seancave kanë bërë gjithsej 83 pyetje ndaj ekzekutivit të kësaj komune prej të cilave 79 % nga fushat me interes për qytetarët e Dragashit ndërkaq 19 % e pyetjeve kanë qenë të lidhura me aspekte procedurale të punës së organeve të Komunës së Dragashit.

Lidhur me numrin e pyetjeve të parashtruara gjatë punimeve të seancave pinë anëtarët e LDK-së me gjithsej 30.1 %, të pasuara nga PDK dhe VAKAT me nga 16.9 % përkatësisht 15.7 % të pyetjeve të përgjithshme. Derisa anëtarët më aktiv në parashtrimin e pyetjeve në Kuvendin e Komunës së Dragashit janë: Zaim Hajredini (AKR) 10.8 % dhe Nexhat Isufi (BD) me 9.6 % të pyetjeve të përgjithshme.

Në seancat e mbajtura në Kuvendin e Komunës së Dragashit gjatë periudhës Janar-Dhjetor 2015 ky institucion ky institucion ka miratuar Rregulloren për tatimin në pronën e paluajtshme për vitin 2016, dhe Rregulloren për mbrojtjen e të miturve nga dukurit negative. Ku krahas kësaj Samidin Xheladini nga (LDK) ka propozuar inicimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave.

Qëllimi i publikimit të këtij Fletënotimi është informimi i paanshëm dhe objektiv i qytetarëve për punën e të zgjedhurve të tyre gjatë mbajtjes së seancave të Kuvendit të Komunës së Dragashit në periudhën Janar-Dhjetor 2015, notim ky i bazuar në nëntë shtylla të vlerësimit.

Fletënotimi për periudhën Janar-Dhjetor 2015 është përgatitur në kuadër të projektit “Pjesëmarrja qytetare dhe principet për një qeverisje të mirë” projekt i mbështetur nga The Olof Palme Centre (OPIC). /PrizrenPress.com

Janari i protestave

0

Isa Mustafës as gjatë vitit 2016 nuk do t’ia lëshojnë derën hallexhinjtë. Partitë opozitare do të jenë të parët që me anë të protestave do të kërkojnë dorëheqjen e tij dhe të Hashim Thaçit.

E gjatë janarit të drejtat e tyre me protestë pritet t’i kërkojnë edhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Derisa, duarkryq nuk do të rrinë edhe pensionistët e UÇK’së. Edhe kjo kategori ka paralajmëruar protesta gjatë këtij viti, nëse Isa Mustafa dhe qeveria e tij nuk i respektojnë marrëveshjet e arritura me ta.

Një veprim revoltues ndaj qeverisë Mustafa e kanë paralajmëruar edhe mësimdhënësit.

Por, drejtues të Sindikatës së Arsimimit kanë thënë se nuk do të dalin pranë qeverisë për t’i kërkuar drejtat e tyre, ata do të  hynë në  grevë në të gjitha institucionet arsimore për muajin janar.

Në përgjithësi, viti i ri do të nisë me telashe të mëdha për udhëheqësit.

Kërkohet dorëheqja e Isa Mustafës

Blloku opozitar me datë 9 janar do e bëjë hapjen e fillimit të protestave.  Kësaj here me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, si dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi.

“Me 9 janar jemi të bashkuar të gjithë, jo vetëm opozita por çdo qytetar që Kosova të ketë një të ardhme të mirë dhe mos t`i pamundësohet e ardhmja në mënyrë që mos të kontrabandohet me marrëveshjet”, ka thënë shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj Bujupi.

E për muajin janar para Qeverisë pritet të mblidhen edhe veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata u deklaruan se nëse gjatë këtyre ditëve nuk dalin pensionet për veteranët e luftës atëherë edhe veteranët do të dalin me protesta për realizimin e qëllimeve të tyre.

Kryetari i Këshillit për mbrojtjen e veteranëve, Xhevdet Qeriqi, në një prononcim për gazetën Fjala është shprehur se nëse Qeveria e Kosovës nuk i përfundon obligimet e saja kundrejt veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës atëherë muaji janar do të jetë ai  në të cilin veteranët do ti shprehin pakënaqësitë e tyre me demonstrata kundrejt Qeverisë së Kosovës.

“Ne si këshill e kemi paralajmëruar Qeverinë se në Janar do të dalim me protesta.  Tashmë ka filluar shpërndarja e disa certifikatave. Por shumë veteran kanë mbetur  pa to. Qeveria mos të na detyrojë që të dalim në protesta”, ka thënë Qeriqi për  Gazetën Fjala.

Qeriqi ka paralajmëruar se nëse Qeveria nuk ndërmerr masa ndaj këtyre kërkesave veteranët do të mbajnë edhe protesta të tjera.

“Nëse nuk fillon me dhënien e kontributeve për ushtarët e UÇK-së atëherë dhe ne do dalim Qeveria ka filluar me ndarjen e disa certifikatave për veteranët”, ka shtuar ai.

Veteranët kërkojnë pensionet

Ndërkaq pensionet e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  po dalin të jenë ‘mollë sherri’, edhe  në mes të  Organizatës se Veteranëve të Luftës së UÇK-së, si dhe Qeverisë së Kosovës. Kjo e fundit ende nuk ua ka lëshuar pensionet shumë prej veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E  OVL-e UCK-së po  shprehet e ashpër kundrejt qeverisë s ai përket kësaj çështje.

Kryetari i OVL-së, Xhavit Jashari është shprehur se  Qeveria e Kosovës duhet ti respektoj marrëveshjet që i ka bërë me veteranët e UCK-së. Ai u shpreh që pensionet për veteranët ende nuk kanë dalë në bankë në formë retroaktive. Jashari  ka thënë për Gazetën Fjala se qeveria është e detyruar që ti respektoj marrëveshjet me veteranët.

“Nëse Qeveria nuk jep rezultate, atëherë reagimet tona do të jenë të pashmangshme. Do të detyrojmë Qeverinë që me protesta  dhe demonstrata që të na i ndaj mjetet”, ka thënë Jashari për gazetën Fjala.

Edhe Këshilli Drejtues i Sindikatave të Bashkuara të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBAShK),  ka  paralajmëruar grevë në të gjitha institucionet arsimore për muajin janar, si shenjë revolte ndaj institucioneve qendrore dhe lokale të shtetit lidhur me qasjen e tyre kundrejt mësimdhënësve në të gjitha komunat e Kosovës.

Kryetari i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj, ka thënë për Gazetën Fjala se ka gjasa që SBASHK-u të fillojë me grevë në muajin janar.

“Nëse pensionet nuk janë përmirësuar dhe nëse Qeveria nuk e rregullon ligjin për benifitet 90-99 atëherë ne do e fillojmë edhe grevën e paraparë. Nëse Qeveria nuk e mbanë premtimin atëherë  ne do ta shohim qartë se me datë 27 janar ne do ta fillojmë grevës”, ka thënë kreu i SBASHK-ut. /GazetaFjala

Vërshime të mëdha në Malishevë, bllokohet rruga për Duhël (Foto)

0

Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut dhe shkrirjes së borë, në Komunën e Malishevës, ka vërshime të mëdha.

Rruga Malishevë-Duhël, është bllokuar dhe luten të gjithë vozitësit, që mos qarkullojnë në këtë drejtim, si dhe mos ta lëshojnë autostradën për tu futur në Malishevë.

Malisheve-Vershime3

Lumi Mirusha dhe shumë përroska kanë dalë nga shtretërit e tyre, duke vërshuar shumë pjesë të Komunës së Malishevës.

Është bllokuar edhe për në fshatin Gurbardh, përkatësisht ura në liqenin Mirusha.

Malisheve-Vershime1

Sipas drejtorit për Mbrojte dhe Shpëtim, Ahmet Morina, të gjitha ekipet e emergjencës dhe shpëtimit, janë në terren, duke i ndihmuar të gjithë ata që kanë nevojë. /PrizrenPress.com

Malisheve-Vershime2

Zafir Berisha preferon Millosheviqin, para Thaçit për president!

0

Deputeti nga radhët e NISMA –së, Zafir Berisha, ka komentuar nominimin për president nga dy partitë kryesore që qeverisin vendin, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës. Këto dy parti janë dakorduar që 11 shkurti të jetë data kur do të hidhet në votim në Kuvendin e Kosovës kandidati i tyre konsensual për president, Hashim Thaçi.

Ai ka thënë se më lehtë do ta kishte votuar Millosheviqin të ngjallej se sa Hashim Thaçin për president të vendit.

“Ma lehtë e kisha votu Millosheviqin me u ngjall për president të vendit se Hashim Thaçin edhe pse ai pis ka vdes. Dëmi më i madh që i bohet Kosovës është nëse një injorant asisoj si Hashim Thaçi bohet president i këtij vendi “, ka thënë Berisha për Arbresh.info.

Më tej Berisha ka shtuar se “qeverisja e tij prej vitit 2008 ka mi kushtu 50 vjet Kosovës edhe nëse zgjidhet president pasojat do të jenë 100 vjeçare nga ky njeri pakurrizor dhe ky njeri që interesin përgjithshëm e vë në favor të interesave personale” .

“Po ky njeri duhet të shkojë në burg sepse mu zgjedh president nuk e di që çfarë favori është për shtetin e Kosovës”, ka thënë Berisha.

Nga ana tjetër , blloku opozitar LVV, AAK dhe NISMA për Kosovën janë shprehur kundër votimit të Thaçit për president. Ata janë duke kërkuar dorëheqjen e Qeverisjes Mustafa dhe shkuarja në zgjedhje të reja. Blloku opozitar ka paralajmëruar protesta gjithëpopullore më 9 janar./gazeta blic/

Tre vetë rrahin me shufër metalike një person në Prizren

0

Në rrugën “Adem Jashari” në qytetin e Prizrenit, ditën e djeshme ka ndodhur një rrahje masive mes disa personave.

Siç raporton Policia e Kosovës, tre persona të dyshuar e kanë sulmuar fizikisht me një shufër metali një mashkull duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Viktima është dërguar për tretman mjekësor dhe sipas mjekëve gjendja e tij është stabile”, njofton Policia, transmeton PrizrenPress.

Të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit dy prej tyre janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari i tretë është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com