22.8 C
Prizren
E martë, 7 Maj, 2024

Malisheva shënon 28 Nëntorin

Në kuadër të shënimeve, me rastin e festës kombëtare të 28 Nëntorit, Komuna e Malishevës, po mbanë një varg aktivitetesh.

Fillimisht Kuvendi i Komunës së Malishevës, ka mbajtur një seancë solemne, ndërsa më pas janë bërë nderime para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe homazhe në varrezat e dëshmorëve në Malishevë dhe Kleçkë,. Ndërsa gjatë ditës do të vazhdohet me një varg aktivitetesh kulturore, si shfaqje, ekspozita, përurime të shkollave dhe të gjithë këtyre janë kanë parapri një varg aktivitetesh kulturore dhe sportive.

Në seancën solemne, fjalën kryesore e pati kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i cili foli për rëndësinë e datës së 28 Nëntorit, tek shqiptarët, duke filluar nga viti 1443, 1912, për të ardhur te historia më e re e shqiptarëve, 28 Nëntori i vitit 1955 dhe 1997.

“Kruja, Vlora, Prekazi, Llausha, janë ngjarje historike, që janë zhvilluar në etapa të ndryshme të historisë, e të cilat kanë një datë të përbashkët, atë të 28 Nëntorit. Festë, e cila në historinë e shqiptarëve njihet si, Dita e Flamurit Kombëtar”, tha mes tjerash kryetari Begaj.

Ndërsa kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Malishevës, Aziz Thaçi, në fjalimin e tij, kryesisht foli për ngjarjen historike të 28 Nëntorit të vitit 1912, kur u shpall Pavarësia e Republikës së Shqipërisë, e më pas foli edhe për Komandantin Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së. Të gjitha këto, kryesuesi Thaçi, i paraqiti në mënyrë kronologjike, si dhe foli për rëndësinë historike të 28 Nëntorit.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, një fjalë rasti mbajti edhe Hahib Zogaj, veteran i luftës së UÇK-së. Përveç fjalëve të rastit lidhur me 28 Nëntorin, Zogaj, bëri thirrje për përkujdesje më madhe dhe për respekt më të madh institucional, për të gjitha kategoritë e dala nga lufta, me theks të veçantë për familjet e dëshmorëve, raporton PrizrenPress.

Fjalimi i plotë i Ragip Begajt

Jemi tubuar sot këtu, në këtë ditë të shenjtë të kombit shqiptar. Shumë shekuj më parë, para kësaj date të shenjtë , tokat ilire ishin të ndara në shumë fise. Që atëherë, doli një njeri i shenjtë, i cili pati një vizion për të lansuar një shenjë e cila i bashkoi fiset shqiptare kudo që ishin. Kjo ditë e shenjtë për ne është 28 nëntori 1443, kur Skënderbeu ngriti flamurin kombëtar në kalanë e Krujës.

Plot pesëqind vjet, shqiptarët nën sundimin e të huajve, e ruajtën këtë ditë të veçantë, pa e harruar asnjëherë, me shumë sakrifica, duke e festuar dhe kujtuar në mënyra të ndryshme, për ta ruajtur simbolin e bashkimit të shqiptarëve.

Pas kaq shumë vuajtjeve nën pushtimet shekullore, shqiptarët erdhën në ditën e shenjtë të 28 Nëntorit të vitit 1912, ku plaku mjekërbardhë, Ismail Qemali, me shenjën e bashkimit, i bashkoi krerët e të gjitha trojeve shqiptare, për ta shpallur Shqipërinë shtet të pavarur dhe të mëvetësishëm.

Edhe pas nëntorit të dytë, trojet shqiptare mbetën jashtë trungut amë, pasi që Konferenca e Ambasadorëve në Londër, e njohu Pavarësinë e Shqipërisë në kufijtë jo real, ku më tepër se gjysma e kombit shqiptar mbeti jashtë shtetit shqiptar.

Me këtë padrejtësi, shqiptarët kanë jetuar në vazhdimësi duke u përballë me sfida, gjatë gjithë historisë.

Shqiptarëve që mbetën jashtë shtetit amë, vuajtjet, persekutimet dhe gjenocidi nuk ju ndal kurrë. Gjithë këto vite në pushtim, tentohej të zhdukej qenia shqiptare, madje duke e ndaluar edhe shkollimin në gjuhën shqipe. Vuajtjet, persekutimet, mohimi i qenies kombëtare, sikur shqiptarët i bën edhe më të fortë, sepse gjatë gjithë periudhave ka ardhur në shprehje rezistenca, mospërfillja, e deri te organizimi i luftës së armatosur, për liri dhe pavarësi të këtyre trojeve.

Shqiptarët, edhe në kohën e Skënderbeut, ishin pjesë e Evropës dhe luftuan për lirinë trojeve të veta. Krah përkrah Evropës, luftuan për lirin e trojeve të tyre, në luftën e parë dhe në luftën e dytë botërore dhe ishin në krah të forcave progresive. Por prapë se prapë kombi shqiptar, nuk mori atë që meritoi dhe atë për të cilën luftoi.

Gjatë pushtimeve të mëhershme dhe pushtimit sllav, janë zhvilluar luftëra të pandërprera. Pavarësisht këtyre luftërave, nuk ka familje shqiptare, që pushtuesit kanë mundur t’ia ndalin, kujtimin dhe shënimin e këtyre datave të shenjta kombëtare.

Këtyre datave të shenjta kombëtare, shqiptarëve ju shtua edhe një 28 nëntor, që lidhet me një emër dhe personalitet të shquar, i cili me luftën dhe heroizmin e tij, ndërroi historinë e shqiptarëve, që kaherë kishin mbetur jashtë shtetit të Shqipërisë. Pikërisht me 28 nëntor 1955, Zoti ja fali Kosovës, Komandantin Legjendar, Adem Jasharin.

Prapë 28 nëntori, data e shenjtë e daljes në skenë, publike, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas këtij emri të shenjtë (Ushtria Çlirimtare e Kosovës), u bashkua e tërë Kosova.

Kruja, Vlora, Prekazi, Llausha, janë ngjarje historike, që janë zhvilluar në etapa të ndryshme të historisë, e të cilat kanë një datë të përbashkët, atë të 28 Nëntorit. Festë, e cila në historinë e shqiptarëve njihet si, Dita e Flamurit Kombëtar.

Sot, të gjitha trojet shqiptare, ndonëse ende në rrethana jo të duhura, janë mbuluar me petkun Kuq e Zi, duke festuar këtë ditë dhe këtë datë të madhe, Festën e Flamurit.

E këtij karakteri festiv, është edhe kjo mbledhje solemne, dhe unë shfrytëzoj rastin që në emër të institucionit të cilin e drejtoj, ti uroi të gjithë juve të pranishëm, dhe të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, qytetarëve shqiptar ku do që janë, mërgimtarëve tanë që jetojnë në diasporë, 28 Nëntorin, ditën e shenjtë të shumë festave të kombit shqiptar, Festën e Flamurit.

Urime!

/PrizrenPress.com

Më Shumë

Ylli shpallet kampion i Ligës U14 te meshkujt

Golden Eagle Ylli është shpallur kampion i Ligës U14 te meshkujt. Në finale ka mundur Grapeland me rezultat 77:60 dhe në edicionin e ardhshëm do...

Arrestohet një person në Rahovec, ushtroi dhunë psikike e fizike ndaj gruas së tij

Një person është arrestuar të dielën në Rahovec, pasi që i njëjti pas një fjalosje me bashkëshorten e tij ka ushtuar dhunë psikike dhe...

Lajmet e Fundit