17.9 C
Prizren
E diel, 10 Maj, 2026
Home Blog Page 6497

Opozita e çakorduar

0

Partitë opozitare paralajmërojnë ndërmarrjen e masave dhe veprimeve të ndryshme në kundërshtim të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Përderisa Vetëvendosje ka marrë vendim që kundërshtimin ta nis nga Kuvendi i Kosovës, një veprim të tillë nuk e përjashton as Aleanca për Ardhmërinë e Kosovë (AAK), në seancën kur do të vihet për ratifikim demarkacioni me Malin e Zi, ndërsa subjekti i tretë opozitar Nisma për Kosovën ende nuk ka një vendim si do të veprohet ditëve në vijim.

Pavarësisht këtyre pozicioneve, si qëndrim i përbashkët i opozitës është kundërshtimi i synimeve të koalicionit qeveritar për ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin, ndonëse edhe në këtë pikë ka dallime rreth formave dhe veprimeve.

Vetëvendosje nuk e ka përjashtuar as përdorimin e gazit lotsjellës dhe formave që janë përdorë nga opozita vjeshtën e vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti. Por, veprime të tilla nuk po mbështeten më nga dy subjektet tjera opozitare, AAK dhe Nisma.

Pal Lekaj, nënkryetar i AAK-së, njëherësh deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se me veprime të ndryshme politike do të kundërshtohet ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi. Ndërkaq, ai e ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të gazit lotsjellës, siç është vepruar në të kaluarën.

“Do të thotë, kundërshtime të ndryshme me të gjitha ato mjete që ne mendojmë se janë të pranueshme dhe që do ta ndalonin ketë ratifikim të marrëveshjes. Ajo që mund të them lirshëm është se unë kam biseduar me shumë deputetë edhe të pozitës, dhe as ata nuk pajtohen që në nguti dhe pa rinegociim të ratifikohet kjo marrëveshje”, tha Lekaj.

Kurse, në partinë politike Nisma për Kosovën mendojnë se kthimi në Kuvend nuk është më zgjidhje, por paralajmërojnë forma tjera kundërshtimi. Haxhi Shala, deputet nga radhët e kësaj partie, tha për Radion Evropa e Lirë se marrëveshja aktuale për demarkacionin me Malin e Zi, si e tillë, nuk do të pranohet në asnjë rrethanë.

“Ne, si parti politike opozitare, do ta kundërshtojmë, por format nuk i kemi përcaktuar se si. Po ashtu, ende nuk dihet a do të jemi atë ditë në seancë apo do ta kundërshtojmë jashtë. Ne jemi duke i diskutuar format e kundërshtimit të kësaj marrëveshje, por ende nuk kemi diçka të qartë se me çfarë forma do të kundërshtohet. Liderët e partive politike janë duke i diskutuar format e kundërshtimit që do të bëhen”, tha Shala.

Veprimet e fundit të partive politike opozitare, për analistin politik Driton Selmanaj, shihen si të çakorduara. Sipas tij, veprimet për të braktisur kuvendin, janë absurde. Ai thotë se kthimi i subjektit më të madh opozitar në kuvend është për tu admiruar.

“Konsideroj se kthimi i tashëm i Vetëvendosjes në Kuvend është një lajm i mirë, në kontekstin e kthimit të jetës parlamentare publike në Kosovë. Por, normalisht, nëse ata vinë aty për të bërë alternativa konkrete dhe për të kundërshtuar me mjete demokratike”, tha Selmanaj.

Tutje, Selmanaj thotë se në politikën kosovare ka mekanizma institucionalë që mund t’u japin një përfundim të duhur dy çështjeve kryesore politike aktuale; asaj të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ratifikimit të marrëveshjes për demarkacionit e kufirit me Malin e Zi.

“Çdo tendencë, qoftë nga pushteti, që këto tema të përfundojnë sipas dëshirës e tekeve të tyre pa e konsultuar fare opozitën, apo edhe çdo tendencë tjetër e opozitës për të mos u përfshirë në komisionet eventuale, i bie që të rikthehemi edhe një here te skenat që i kemi parë, që t’i rikthehemi edhe një herë dhunës dhe situatave jo të këndshme që i kemi pasur”, deklaroi Selmanaj.

Përderisa Qeveria e Kosovës është duke u përgatitur të procedojë në Kuvend ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, partitë politike opozitare thonë se do të angazhohen që kjo marrëveshje, siç qëndron aktualisht, të mos kalojë.

Sipas tyre, për të zgjidhur këtë çështje, duhet që fillimisht marrëveshja aktuale të anulohet dhe më pas të formohet një komision i ri qeveritar, me pjesëmarrje të ekspertëve vendor dhe përfaqësues të partive politike opozitare. /REL/

Përurohet trilogjia për Adem Demaçin

0

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës sot është përuruar trilogjia e autorit Selatin Novosella “1. Adem Demaçi në gjykimin e parë, në vitin 1958, 2. Adem Demaçi në gjykimin e dytë, në vitin 1964 3. Adem Demaçi në gjykimin e tretë, në vitin 1975” kushtuar simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçi.

Me këtë rast, të pranishmit e kanë vlerësuar lart figurën e Adem Demaçit.

Në këtë promovim është thënë se Demaçi është misionar i çështjes kombëtare. Në këtë trilogji janë dhënë fakte nga tri gjyqet e Adem Demaçit.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, ka thënë se këta libra na tregojnë për figurën e pathyeshme të Demaçit dhe rrugën e vështirë që ka kaluar populli shqiptar.

“Ky gjykim nuk është gjykim i Adem Demaçit por i kauzës së kombit”, ka thënë Bajrami.

Ai ka thënë se shekulli i kaluar ka qenë shekull i padrejtësive për shqiptarët, kurse sipas tij, ky shekull është i shqiptarëve.

“Duhet të kthejmë kujtesën tonë historike dhe duke i lexuar këto libra do të shohim se rruga jonë ka qenë e vështirë. Askush nuk mund të udhëheq me politika diskriminuese kundër shqiptarëve”, ka thënë ministri Bajrami.

Kurse ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, ka thënë se edhe Shqipëria do ta nderojë figurën e Adem Demaçit me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij, duke organizuar aktivitete të ndryshme në pjesën e dytë të këtij viti.

Në fund të këtij përurimi ka folur edhe autori i kësaj trilogjie, Selatin Novosella. Ai ka thënë se ka qenë privilegjuar që ka qenë një nxënës dhe bashkëveprimtar i vogël i Adem Demaçit.

OVL e UÇK-së: Numri i veteranëve i fryrë, t’i hetojë Prokuroria

0

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në mbledhjen e fundit, shqyrtoj edhe çështjen e procesit të verifikimit të veteranëve të luftës së UÇK-së.

“Me këtë rast, kryesia dyshon se ka numër të fryrë të veteranëve, ose që ka nga ata të cilëve iu është dhënë statusi i veteranit por kjo bjen në kundërshtim me ligjin në fuqi, të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.

Saktësinë e numrit të veteranëve, OVL UÇK mendon se institucionet e Kosovës përkatësisht Prokuroria e shtetit, duhet që ta vërtetojnë.

Djali i Bekim Fehmiut ka përgjigjen e vet për pavarësinë e Kosovës

0

Vendosur mbi një vepër historike të Shekspirit “Romeo dhe Zhuljeta”, regjisori serb Miki Manojloviq nuk ka shmangur dot një situatë politike në Tiranë.

Manojloviq, një nga regjisorët më të njohur në Serbi, intelektual, me angazhim dhe kontribute për komunikimin kulturor, është përgjigjur në Tiranë për njohjen e Kosovës si shtet i pavarur, transmeton Mapo. Një reagim të menjëhershëm, pothuaj në mbështetje, ka dhënë edhe aktori, djali i Bekim Fehmiut, Uliksi, mbi një oratori sa politike aq dhe njerëzore, të raportit të të atit me tri vendet, dje dhe sot, pothuaj reminishencë e simbolikë e arsyeve të zhgënjimit dhe ikjes nga kjo jetë me forcë të jashtë vullnetshme të aktorit.

Si intelektual i angazhuar, regjisor me kontribute kulturore, që njiheni mirë me serbët dhe shqiptarët, historinë e Ballkanit, mund të na thoni: A e njihni ju personalisht Kosovën si shtet i pavarur?

Miki Manojloviq: “Unë nuk kam asnjë problem me Kosovën. Por kush është problem? Unë personalisht nuk kam problem me Kosovën, por politika është në një nivel mbi të cilin nuk influencoj dot për të njohur Kosovën. Jetojmë në një botë që është vazhdimisht në ndryshim. Kjo është një gjë mjaft komplekse, si një rreth. Pyetja është kush është fillimi dhe kush është fundi, dhe pse? Ky është opinion i vërtetë. Unë jam rritur në një familje që i kanë dashur shumë shqiptarët. Kjo është edhe arsyeja pse unë e kam bërë këtë projekt”.

Uliks Fehmiu: “Unë kam kundërpyetje, pa m’u përgjigjur: Pse po e bën këtë pyetje? Pse për ju babai im është i rëndësishëm? Dhe një pyetje tjetër: Ku mund t’jua marrë mendja se babai im do të kishte jetuar sot, nëse do të ishte gjallë? A mendoni se ka ndonjë vend në rajon ku ai do të ishte ndjerë i lumtur? A besoni se, ai do të ishte ndjerë i lumtur në ndonjë pjesë të ish-Jugosllavisë, apo këtu? Apo në Kosovë? Apo në Serbi? Apo në Kroaci? Apo diku në ndonjë planet? Unë do t’ju përgjigjem: Jo. Dhe kjo s’ka të bëjë me dashurinë apo me grupet e ndryshme etnike. Ai ka qenë mysafir në Shqipëri, në vitin 1972. Ai ishte i ftuar i ish-Jugosllavisë, si një aktor shqiptar, si një aktor jugosllav, si një aktor botëror.

Cila shoqëri ka qenë më e afërt për të? Shqipëria e vitit 1972? Apo Jugosllavia e vitit 1972? Unë mendoj se të gjithë e dinë përgjigjen: në Jugosllavi të vitit 1972, si vend më i preferuar. A besoni se ai ka dashur më tepër serbët, kroatët, boshnjakët më shumë se njerëzit e tij? Jo. Ai ka dashur njerëzit e tij. Ai ka qenë krenar po aq sa çdokush tjetër që ka qenë krenar të jetë shqiptar. Por, Jugosllavia në atë kohë, ka qenë më njerëzore më e hapur, një vend më normal se çka qenë Shqipëria në atë kohë. Sot, ai do të kishte pasur një dilemë të vështirë se ku të shkonte, prandaj ai iku dy herë; kur Jugosllavia pushoi së ekzistuari, dhe pas 20 vitesh e vrau veten si artist. Dhe kur për herë të fundit, kur pa në të vërtetë se asgjë nuk po ndryshonte, dhe kjo ishte në vitin 2010, kur Kosova atë kohë ishte e pavarur. Kështu pyetja e kufijve dhe e njohjes së shteteve është një pyetje e vjetër, është prapa nesh. Pyetja më e rëndësishme është nëse mund të krijohen shoqëri që janë njerëzore, apo nëse kanë çfarë të hanë fëmijët tanë….dhe pastaj mund të flasim për gjëra të tjera.”

Uliks Fehmiu: Gjithçka kam dashur ka qenë ta bëj tim atë krenar!

“Është ironike që im atë nuk mundi të luante në shqip, dhe pse dinte të fliste shqip. Një nga gjërat që më mungon në jetë është se nuk flas shqip, ashtu siç do të kisha dashur. Fakti që nuk e flas shumë mirë shqipen, më bën të mos ndihem i plotë. Por isha i bekuar të kem fatin të luaj në gjuhën shqipe në skenë, në Teatrin Kombëtar të Beogradit, që vërtet nuk ka ndodhur kurrë të flitet shqip aty. Dhe në Teatrin Kombëtar të Kosovës, dhe sonte në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. Jam mirënjohës për mundësinë dhe shpresoj se nuk do t’ju dëshpëroj, dhe atë (Bekim Fehmiun) nuk do ta bëj të ndihet i turpëruar me mua. Gjithçka kam dashur ka qenë ta bëj tim atë krenar. Ka diçka që dua të them; përse ishte kaq i respektuar përtej faktit që ka qenë artist i madh; pse njerëzit me personalitet si ai, janë kaq të rrallë sot, për shkak të asaj që ne, qëndrojmë e u dalim përpara gjërave që besojmë, kur çdokush tjetër beson të kundërtën, do duhej të ishte kaq e thjeshtë; ti bën atë që beson, pse duhet të kishte përjashtime. Prandaj besoj se ky grup e meriton vëmendjen, pasi nuk ka asnjë interes tjetër të bëjmë atë që besojmë, atë çka thashë në shqipen time të tmerrshme, ne po ndërtojmë ura dhe kjo është çka njerëzit e mirë bëjnë, dhe kjo është çka njerëzit e guximshëm bëjnë, kur në anën tjetër të gjithë shkatërrojnë ura”.

Politikanja e preferuar e Lady Gagas

0

Lady Gaga mund të ketë një turmë të madhe fansash, por edhe ajo bën pjesë në turmën e fansave të dikujt tjetër.

Në profilin e saj në Instagram, Lady Gaga ka treguar se kë do ta votojë për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“#HILLARY2016. Asgjë s’mund ta mposhtë një grua të fortë. Votoni për gruan e parë kryetare të Amerikës në histori. Tundu Amerikë, ky vend ka nevojë për pak rock n’roll”, ka shkruar Gaga.

Përshkrimin e saj e ka shoqëruar me një fotografi, ku ka veshur një palë rroba banje me motive kombëtare amerikane, duke e treguar anën patriotike të saj.

Gaga ka kohë që është përkrahëse e kandidates së demokratëve për presidente, Hillary Clinton.

Hillary Clinton fitoi në Kaliforni

0

Hillary Clinton ka fituar në garën zgjedhore partiake të demokratëve në Kaliforni, derisa mbrëmë vonë ka pretenduar se tashmë është e nominuar nga partia e saj për zgjedhjet presidenciale në muajin nëntor.

“Duke ju falënderuar juve, ne kemi të arritur të madhe, për të parën herë në historinë e shtetit tonë një femër do të jetë e nominuar e partisë”, tha mbrëmë vonë, Hillary Clinton, para mbështetësve të saj në Bruklin të Nju Jorkut.

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, poashtu ka fituar edhe në garën zgjedhore në Nju Xherzi, Nju Meksiko dhe Dakota Jugore.

Prej zgjedhjeve të djeshme partiake, rivali i saj Bernie Sanders, ka fituar në Dakotën Veriore dhe Monatana.

Megjithë pretendimet e zonjës Clinton për sigurimin e nominimit, zoti Sanders tha se beteja vazhdon.

“Ne do të vazhdojmë të luftojmë për secilën votë dhe për secilin delegat që mund ta marrim”, tha Bernie Sanders, para mbëshetësve të vet në Santa Monika të Kalifornisë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, mbrëmë e ka thirrë zonjën Clinton dhe i ka uruar nominimin për zgjedhjet presidenciale në nëntor të këtij viti.

Në garën republikane, kandidati Donald Trump, tashmë praktikisht e ka siguruar nominimin për zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Ai dje fitoi në Nju Xherzi, Dakota Jugore, Nju Meksiko, Kaliforni dhe Montana.

Për “burrat” e Guncatit

0

Nga Milazim Elshani

Ju pata lakmi dikur me burrërinë tuaj që treguat në raste të ndryshme gjatë etapave të ndryshme, sidomos në organizime të ceremonive të ndryshme në fshat. Erdhën vitet e rënda të popullit tonë në trevat dardane, ku disa nga ju organizuat popullatën se si të ballafaqohet me situatën e vështirë që kishte krijuar hasmi ynë shekullor- Serbia. Disa nga shokë tuaj, as që dëshironit të dini se çka po ndodh në Kosovë, por gjithmonë në heshtje kapërcyet situata të ndryshme dhe kurrë nuk i larguam nga shoqëria, jo pse patëm frikë nga ta ose dikush tjetër por, për të mos ia qitë zanin e zi fshatit.

Sot u hap konkursi për aplikim për tri kategoritë e luftës së UÇK-së, për veteran, për invalidë dhe për dëshmorë të kombit. Kurrë nuk kisha besu se jeni kaq të ligë kur është në pyetje paraja. Tash po e kuptoj se ju edhe atëherë paskeni vrapuar në organizime të ndryshme për para, e jo për kombëtarizim.

Si është e mundur që 18 muaj luftë e sakrificë sa kam unë personalisht, (pa i llogaritur vitet para 1997), juve të mos ju shoh askund si shokët tjerë.

Si do të keni fytyrë t’i shpalosni ato certifikata në sy të familjeve tuaja kur edhe ata e dine se kush ishit dhe çfarë bëtë.

Si e ndjeni vetën kur kaloni përreth lapidarit të dëshmorëve dhe martirëve të kombit që ndodhet në mes të fshatit.

A ju shkon mendja se disa nga ju përveç nxënës shkolle që i kishit asgjë tjetër nuk ju lidhë me ta si: karakteri, ideali, burrëria, trimëria, flijimi etj.

Ku ishit ju kur Ata ranë për liri në vijat e frontit dhe sot janë dëshmorë?
Si e ndienit veten kur ne luftonim me gjysmë opinge, bukë e pa bukë, e ju bënit “allesh-vereshe” nëpër fshat.

Ku ishit ju kur ne organizonim tubime e manifestime të ndryshme për dëshmorë pas luftës. Ju asnjëherë nuk na treguat se jeni veteran.

A dini ju se ne e dimë që disa nga ju e kanë penguar edhe ngritjen e lapidarit të dëshmorëve në fshat.

A ju ka shkuar mendja që kur aplikuat për veteran ju do të përfitoni e ne do të heshtim?

Që jeni kaq të ligë kurrë nuk e paskam ditë. Veteran nuk bëhesh pse ke shpërnda ndihma të Kryqit të Kuq. Veteran nuk bëhesh pse ishe pjesë e Shoqatës Humanitare “Nënë Tereza”.

Veteran nuk bëhesh pse je fotografuar me mua gjatë luftës.

Veteran nuk bëhesh pse mua ma dhe një copë bukë gjatë luftë, sepse unë isha biri yt dhe këtë e kishe obligim.

Veteran nuk do të mbeteni vetëm pse keni aplikua.
Veteran bëhesh kur i del në mbrojtje Atdheut, atëherë kur ka nevojë.
Veteran bëhesh kur luftën e fillon dhe e mbaron me pushkë në dorë.
Veteran bëhesh kur lirinë ua sjellë brezave që vijnë.
Veteran bëhesh me vepra, jo me letra.

Ku doni me ju ba vendin atyre certifikatave kur ne shokët dhe bashkëluftëtarët e dëshmorëve ende jemi gjallë.

Qysh keni fytyrë me ardhë me mua në mbledhje, tubime, ahengje, përkujtime, manifestime etj.
Ju na mësuat se mbi të gjitha nuk është paraja, kurse tash e dëshmuat të kundërtën.
U bëtë horë o “ burra”, por dorëzoni ato certifikata se nuk jeni veteran. Ju mund të jeni pjesëtarë, por kurrsesi veteran. Mos ua mësoni fëmijëve tuaj historinë tuaj, sepse edhe ata do të ndihen të ofenduar dhe inatosur me veprimet tuaja.

Qysh mundeni ju me dhënë fëmiut tim dituri, kur ju vetë jeni të pa vetëdijshëm.

Bëheni burra e hiqni dorë nga mashtrimet, përfitimet, ozurpatimet, keqinterpretimet dhe dallaveret e ndyta.

Unë besoj se do t’u vret ndërgjegjja dhe do të bëheni burra të mirë, dhe nuk do ta pranoni një epitet të tillë si “profiter lufte”. Po, nëse ju nuk do të keni ndërgjegje për të reflektuar dhe kundërshtuar certifikatat, atëherë edhe ne nuk do të kemi ndërgjegje që emrat tuaj t’i bëjmë publike në çdo portal, gazetë, TV e radio.
Vini gishtin kokës e mendoni se çka jeni duke bërë, sepse ne kurrë nuk do të heshtim para kësaj çfarë ju po bëni me gjithë “Komandantët” tanë.

Ne nuk do të lejojmë që historia e larë me gjak të lakohet sipas qefeve të individëve profiterë.
Ne nuk do të lejojmë që ju të jeni veteranë të barabartë me ne.
Ne do të jemi gjithmonë në mbrojtje të Atdheut dhe të amanetit të dëshmorëve, kurse ju gllabëroni aq sa e keni të shkruar.

Ne do t’i publikojmë emrat, dhe ju heshtni nëse mundeni.
Ne do t’ju kundërshtojmë çdo herë, e ju mbrohuni nëse mundeni.
Ne po ndihemi dhe do të ndihemi krenarë dhe kokë lartë me atë çfarë bëmë, kurse ju, të urryer dhe kokulur.

Ne do ta vazhdojmë luftën aty ku e lamë, e ju vazhdoni me “allesh-vereshe”.
Ne ishim 67-të, kurse me ju u bëmë 150-të.
Ne Nuk do të lejojmë që ju të përfitoni nga gjaku ynë.

Turpi do të mbetet mbi ju, e ne gjithmonë krenarë dhe kokëlartë, andaj hiqni dorë, hiqni dorë, hiqni dorë.
Lavdi dëshmorëve të fshatit Ngucat, lavdi gjithë dëshmorëve të kombit!
Nderime dhe respekt për veteranët dhe invalidët e vërtetë të luftës!

Sërish sulm terrorist në Turqi

0

Një sulm terrorist ka ndodhur sot në qytetin Mardin të Turqisë, gjegjësisht në rajonin Midyat. Raportet fillestare thonë se disa persona janë lënduar, mirëpo ende nuk dihet numri i saktë

Sipas raportit të policisë, terroristët kanë kryer një sulm më automjet bombë ndaj Drejtorisë së policisë në Nusaybin të Mardinit. Nga ky sulm janë dëmtuar edhe ndërtesat përreth zonës.

Një numër i madh i personave thuhet se janë plagosur, ndërsa në vend të ngjarjes ka arritur edhe ambulanca./GazetaExpress/

Era këndon “Hello” të Adele (Video)

0

Këngëtarja po vazhdon qëndrimin e saj në Francë me shumë intervista në radiot dhe televizionet më të njohura atje.

Pas shumë intervistave të realizuara gjatë qëndrimit të saj në Francë, këngëtarja së fundmi ka realizuar një intervistë për radion “Hero”. Me këtë rast ajo ka zgjedhur preferencat e saja muzikore në rrethana të ndryshme.

Era nuk e ndërroi himnin kombëtar pasi që i duket perfekt, ndërkaq për martesë e zgjodhi muzikën e Lana Del Ray.

Ndërkohë si këngë që do e performonte në karaoke, këngëtarja zgjodhi këngën “Hello” të Adele, të cilën e këndoi për pak sekonda.

https://youtu.be/3G9YR4ydHG4

Meda lë muzikën, ja arsyeja!

0

Sipas një burimi të afërt që ne kemi këngëtari shumë i dashur Meda do të lërë muzikën.

Por a e dini arsyen, pasi skuadra që ai drejtor si kryetar i Klubit të futbollit të femrave Hajvalia ka njoftuar se ka marrë konfirmimin zyrtar pozitiv nga UEFA për të zhvilluar ndeshjet kualifikuese për Ligën e Kampionëve.

Ne provuam që të kontaktojmë me menaxherin e Medës, z. Ilir Balija por edhe ai nuk na përgjigjet.

Por nëse ky lajm është i vërtetë ata që do të mërziten më shumë do të jenë mijëra ndjekësit e muzikës së tij që e duan shumë./BS/