12.1 C
Prizren
E shtunë, 31 Maj, 2025
Home Blog Page 6530

Veseli: Jahjaga duhet t’i thërrasë liderët e partive politike

0

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli thotë se Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga duhet t’i thërras në një tryezë bisedimi liderët e partive politike. Kjo pas seancës kur opozita gjuajti me vezë Kryeministrin Isa Mustafa, dhe pamundësoi punën e Kuvendit.

Opozita thotë se do të vazhdojnë me defunksionalizimin e Kuvendit, derisa Qeveria të anuloj marrëveshjet e fundit.

Kadri Veseli tha se është urgjente mbledhja e liderëve kryesor në vend, takim ky që do të thirrej nga Jahjaga.

“Sa me shpejt duhet të ulemi në tryezë të komunikimit vecanërisht duhet të jetë urgjente thirrja e një tryeze të liderëve politikë. Sipas meje do të duhej ta bënte Presidentja e vendit për arsye se është autoriteti më i lartë”, tha Veseli në emisionin ‘Debat’ në RTK.

Haradinaj: Ibrahim Rugova s’do t’i pranonte marrëveshjet që nënshkroi Mustafa

0

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Ramush Haradinja thotë se u ‘djersit’ nga turpi pas hedhjes së vezëve në Kuvendin e Kosovës, por se nuk kishte mënyrë tjetër për një Kryeministër i cili sipas tij ‘i ka shti veshët në lesh’. Tha se habitet që LDK, po përkrah marrëveshjet e nënshkruara nga Isa Mustafa.

Ramush Haradinaj ka vazhduar kritikat ndaj Qeverisë dhe Kryeministrit Isa Mustafa, i cili sipas tij po i bën vendit dëme, që nuk mund të rregullohen as nga Qeveritë e ardhshme.

Tha se aktualisht nuk mund të respektojnë institucionet e vendit, pasi ato sipas tij, nuk po e respektojnë shtetin.

“Nuk mujm me i respektu këto institucione të cilat nuk po e respektojnë shtetin”, tha Haradinaj për televizionin ‘Tribuna’.

Haradinja tha se LDK, e cila u themelua nga Ibrahim Rugova, nuk do të duhet të përkrahte liderin aktual të saj. Sipas Haradinjajt, Rugova nuk do t’i nënshkruante marrëveshjet e arritura në Bruksel.

“Unë habitna me Partinë e Ibrahim Rugoves ku ka ardh…unë kurrë në jetë nuk që Ibrahim Rugova të cilin e kom njoftë i kish nënshkru këto marrëveshje”, tha Haradinaj.

Kurorë për të mos jetuar bashkë

0

Nga Hajdar Mallaku

Kur më thanë se do të shkonim në fshatin Urak për ta bërë një kurorëzim, u habita.

– Si kështu !? Nuk po ju kuptoj…- thashë. Si në fshatin Urak!?

-Nuk ke faj, zoti Luan, më tha ofiqari i gjendjes civile, nëpunësi para pensionit, zoti Hajr. As mua gjatë tërë karrierës sime në administratë s’më ka ndodhur një rast i tillë, po ja që jëta të përballka me lloj-lloj rastesh. Zoti Halit e ka marrë miratimin nga Zyra komunale e administratës dhe nga Këshilli i mjekëve dhe ne duhet të veprojmë sipas porosisë së tyre. Daja i tij, Zeka, është i sëmur nga Iriqi i zi(kanceri), dergjet në shtrat që një vjet dhe nuk guxon të lëviz nga vendi. Është martuar për të dytën herë, sepse gruaja e parë nuk i lindi fëmijë. Me këtë të fundit ka tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë. Nuk ka kurorë me asnjërën. Problemi është me këtë të fundit. Me lidhjen e kurorës e shoqja do ta gëzojë pensionin e burrit, shtesat e fëmijëve, sigurimin social dhe me këto do t’i rritë fëmijët. Ai vetë është para vdekjes, do ta shohësh edhe vetë.

-S’ka mëdyshje, i thashë, tashmë e kuptova. Jam i bindur se me këtë rast ne do të bëjmë një vepër njerëzore, edhe pse me ligj është paraparë që ky akt solemn duhet të bëhet në zyrat e ofiqarisë, në mënyrë publike e jo jashtë saj. Kemi me këtë rast arsyetim të gjithanshëm, prandaj përgatiti dokumentet e nevojshme që atje të mos ndalemi shumë.

E paramendoja se do ta kishim një punë të mundimshme ku do të zhvilloheshin paralelisht dy gjëra: sa do të gëzoheshin familja se do ta siguronin një kafshatë buke, aq do të mërziteshin se të zotin e shtëpisë do ta humbnin. Ai dita-ditës po shkonte drejt vdekjes.

Isha atëherë (në vitet 1974 – 78, kohë e një R(rilindjeje) të vogël, të brishtë dhe të shkurtër që, megjithatë, e kishte mbi vete çizmen e dhunës sllave) delegat i Asamblesë Komunale, i deleguar nga shkollat e Hasit të Prizrenit, i caktuar që për një mandat katërvjeçar ta kryeja lidhjen e kurorëzimeve në mes të të rinjve. Në kurorëzim merrnin pjesë dhëndri dhe nusja, dy dëshmitarë, nëpunësi i gjendjes civile dhe unë që e kryeja anën ligjore. E pëlqeja këtë si aktin më solemn në jetën e të rinjve, sepse ata merrnin pjesë me vullnetin e lirë në lidhjen e një betimi për jetë të përbashkët në gëzim dhe hidhërim; i ndërronin unazat si po t’i ndërronin zemrat dhe aty e tutje të jetonin me zemrën e njëri-tjetrit.

Por, përvoja më tregoi edhe diçka tjetër që unë s’e merrja me mend. Vënin kurorë dhe qifte të vjetër, të martuar kahmoti, me fëmijë, që lidhjen e kurorës e bënin vetëm formalisht dhe vetëm sa për dokumente. Vetëm një grua në moshë mesatare tha se e pranonte lidhjen e kurorës „Pasi unë e paskam pasur taksirat e ai nafakë“. Tha kështu kjo grua sigurisht e pakënaqur me fatin e vet të imponuar, martesën me një burrë të shëmtuar, të vogël, por punëtor dhe nga një familje e kamur. Ndërsa vetë ajo ishte bukuria e marrë nga një lule.

Ata të besimit të krishterë lidhnin kurorë para martese, vajzat dhe djemtë, (ndërsa në dasmë vënin kurorë dhe në kishë) dhe ishte vërtetë kënaqësi kur i shihje të buzëqeshur që e përpinin me sy njëri-tjetrin, vajzat vjedhurazi nga turpi, ndërsa djemtë me sy shigjete. Kuptohet edhe te ata në atë kohë nuk ishin demokratizuar plotësisht raportet familjare. Kishte raste kur vajzat hezitonin të thoshin „Po“, ta jepnin pëlqimin publikisht për lidhjen e kurorës, fshiheshin pas nënave të tyre apo motrave dhe në vend të tyre e ëma ose e motra thoshte „Po“.

Kur unë insistoja që këtë „Po“ ta dëgjoja nga goja e vajzës ose do ta shtynim apo anulonim kurorëzimin, pasonte presioni i padëshiruar që të mos bëhej sherr për një kontinent dhe atëherë e merrnim një „Po“ të akullt. Po një nënë një ditë më tha:

-Zoti Luan, mos po hyn në mëkat me lidhjen e kurorave pa dëshirën e vajzave?

-Jo, – i thashë. Unë s’i kam sjellë para altarit. Ua kam lexuar vetëm ligjin. Kam kërkuar të deklarohen lirshëm për kurorë. Mëkatin kërkojeni te ju prindërit, nëse i fejoni vajzat pa dëshirën e tyre.

Po këtë ditë, në fshatin Urak, ne po e bënim një kurorë të akullt, të jashtëzakonshme. Çfarë urimi do t’u bënim të kurorëzuarve..? … s’e dija…

Kur hymë në oborr, para derës së shtëpisë, na priti një grua e re, rreth të tridhjetave. Mbante ngryk një fëmijë dyvjeçar, djalë, me flokë të bardhë të prerë rrumbullak, me një xhufërr kapur në një tufë flokësh me dyllë, ku binin në sy disa rruaza dhe në mes tyre një këmbë urithi. Kuptohet këtë ia kishin vënë për mësysh si djalë hasreti që e kishin. Prapa saj qëndronin dy çupëlina flokëverdha që fshiheshin dhe shfaqeshin herë pas here pas s‘ ëmës, veshur me këmisha të gjata gjer në fund të këmbëve, të zbathura, por të shëndosha si kokërrmollë. Më larg saj, në plan të dytë, qëndronte një grua tjetër me moshë afro të pesëdhjetave. Kjo nuk ishte në traditën tonë, se më e vjetra gjithmonë rrinte në plan të parë e gjysmatarja(ortakja) në plan të dytë. Por kjo kishte një domethënie. E reja kishte lindur djalë dhe kishte shtirë rrënjë në këtë shtëpi. Kështu vepronin dhe katërgjyshërit tanë që vënin kurorë me gruan, pas një bashkëjetese, vetëm atëherë kur ajo lindte djalë. Djalin e mbante pak para me krenari. I shoqi po perëndonte, por ajo kishte mashkull në shtëpi. Atë do t’ia nxirrte përpara çdo mysafiri. Shtëpia kishte një shtyllë të fortë. E kishte sigurinë e mashkullit. Tymtari, arat mbujake dhe luadhet kishin trashëgimtar. Motrat e kishin derën e hapur. Vëllai, Gëzimi, do të rritej shpejt. Më kot nuk thuhej „Djali në djep si buka në çerep“. Duhej pritur vetëm pak dhe do të vinte dita ta martonin. Kishte megjithatë këtu gjallëri familjeje.

Zoti Haliti, që ua kish bërë çdo gjë të ditur që më parë, si nip që ishte, priu i pari. I bardhë si nipi ndër dajë. Pas tij hyri ofiqari, zoti Hajr dhe krejt në fund unë. Dhoma ishte përdhese. Në njërën anë ishte shtroja e të sëmurit, një dyshek kashte, mbi të një çarçaf dhe jorgani, ndërsa nën kokën e të sëmurit ishin vënë dy jastëkë që i mundësonin frymëmarrje më të lehtë. I sëmuri, kur na dëgjoi, e ngriti plisin e bardhë që i kish rënë mbi sy, i hapi sytë dhe deshi të lëvizë në shenjë respekti për ne, por nipi ia bëri me dorë që të mos trazohej. Ne u ulëm në anën e kundërt, ku ishte e shtruar një cergë, mbi të një qilim i grisur nga vjetërsia dhe dy postiqe të bardha. I sëmuri, pasi u përqendrua, na vështroi radhazi, na pyeti si ishim dhe e mbështeti kokën duke i mbyllur sytë. E preka ofiqarin në krah i tmerruar se mos në atë çast po jepte shpirt. Por ai, pasi mori frymë thellë dhe me gërhitje, i shpëtuan lotët poshtë fytyrës reliev, të zbehur dhe foli: “Qofshi faqebardhë!”

Ne nuk e bëmë ceremoninë e zakonshme të leximit të ligjit, por ofiqari ia mori dorën, ia ngjeu gishtin tregues në jastëkun e ngjyrës që e kish marrë me vete dhe ia shtypi në vendin ku duhej të nënshkruante aktin e martesës. Ndërsa të shoqen vetëm e shtini të nënshkruajë se e pranonte kurorëzimin me Zekë C. dhe se e pranonte mbiemrin e burrit. Ajo nuk u përmbajt dhe shpërtheu në vaj duke thënë se kështu e paska pasur kësmet. Edhe ne, të prekur thellë, pasi e nënshkruam aktin bashkë me dëshmitarët, i mbyllëm dokumentet dhe u ngritëm. Ishte koha kur duhej të pasonin urimet. ” Urime !” “E gëzofshi kurorën !” “ U plakshi bashkë !” E, ndonjëherë për shpoti, ndonjëra nga motrat thoshte :”E shkefshi dyshekun !” Po këtu kishim një lidhje kurore për të mos jetuar bashkë. Si në baladat antike. Po bënte kurorë e gjalla me “të vdekurin” që ende bënte hije mbi këtë botë. Ishte besa e dhënë dhe do ta priste edhe varri i hapur si sakrificë e fundit për përtëritjen e kësaj vatre.

Të nesërmen e takova rastësisht zotin Hajr. Më përshëndeti dhe më tha:

-Zoti Luan, kish vdekur Zeka sot në mëngjes. Të lutem, shkojmë për ngushëllime!

-Patjetër! Dhimbje për të, por bëmë mirë që shkuam dje.

(E pashë Gëzimin pas dyzet vjetësh. Kur më thanë se kush ishte dhe i kujt ishte, krijova rishtas një shëmbëlltyrë tronditëse si atëherë kur bëmë një ceremoni rrëqethëse të kurorëzimit, më pushtoi një entuziazëm sa i dhimbshëm, aq dhe i gëzueshëm. Nuk do të dëshiroja që ky burrë ta lexonte këtë tregim, edhe pse qe ky që më nxiti për të shkruar. Unë po e përjetoj dhimshëm edhe tash për së dyti e ai, ai le ta jetojë jetën larg dhimbjes sime të dikurshme).

/ PrizrenPress.com

Katër të arrestuar në Prizren për kontrabandë me njerëz

0

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prizren, Policia e Kosovës sot ka bërë bastisjen në shtëpinë e të pandehurit V.L., si dhe kanë arrestuar katër persona, të dyshuar se kanë kryer veprën penale, armëmbajtje pa leje dhe kontrabandim i njerëzve për në vende të ndryshme të Evropës.

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, po sot, siç thuhet në një njoftim për media, ka marrë aktvendim mbi fillimin e hetimeve kundër të pandehurve V.L. , S.R., F.L., D.L., R.Sh., A.A., I Q. dhe F.H., për shkak të dyshimit të arsyeshëm se të njëjtit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale kontrabandimi me emigrantë.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e të pandehurit V.L., është gjetur një pushkë gjysmë-automatike, një pistoletë Pietro Bereta 7,62 mm, si dhe 46 fishekë të kalibrit 7.62 mm. Të pandehurit dyshohet se në periudhën mars 2015, dhe 22 shtator 2015, si bashkëkryerës kanë bashkëpunuar ngushtë edhe me personat tjerë jashtë Kosovës, të cilët i kanë kontrabanduar viktimat për vende të ndryshme si në Francë, Zvicër dhe në Gjermani.

“Të pandehurit, viktimat kryesisht i kanë transportuar prej Kosovës në drejtim të Beogradit dhe me kalim përmes Suboticës në drejtim të Hungarisë. Gjatë kontrollit, policia ka konfiskuar 4.400 euro të cilat janë gjetur te i dyshuari S.R., ndërsa janë konfiskuar po ashtu edhe tri (3) vetura të markës BWV, një veturë e markës BMW me targa të jashtme si dhe një veturë Honday Teracan me targa të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

Prokuroria bën me dije se të dyshuarit janë arrestuar pasi që ndaj të njëjtëve janë aplikuar masa të fshehta të hetimit dhe në bashkëpunim me drejtorinë kundër krimit të organizuar është kryer kontrolli dhe arrestimi i katër të dyshuarve ndërsa katër të tjerë, për momentin gjenden në arrati. /PrizrenPress.com

Ngritet aktakuzë kundër dy personave nga Prizreni

0

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur sot aktakuzë kundër dy personave me inicialet, L.V dhe B.K që të dy nga komuna e Prizrenit.

“Të akuzuarin e parë me inicialet L.V., aktakuza e ngarkon për dy vepra penale, si bashkëkryerës nëblerjen, posedimin me qëllim të shitjes apo shpërndarjes sësubstancave apo preparateve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 273 paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KP-së, nga se të njëjtit i janë gjetur në posedim 12.63 gramë heroinë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Prizren.

“Po ashtu, L.V., është i akuzuar edhe për veprën penale, posedimi me qëllim të shitjes apo shpërndarjes të substancave apo preparateve, substancave psikotrope ose analoge nga neni 273 paragrafi 2 të KP-së. Përndryshe,ky i akuzuarështë i njohur si kryerës i veprave penale të kësaj natyre”.

“Ndërkaq, personi i dytë me inicialet, B. K., akuzohet për veprën penale lehtësimi i sigurimit apo përdorimit të narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge nga neni 277 paragrafi 1 të KP-së, i cili kishte siguruar mjete për marrjen e narkotikëve nga i akuzuari i parë L. V.” /PrizrenPress.com

Konferencë shkencore “Studimet Albanistike në Amerikë”

0

Në datat 25-26 shtator në Prishtinë mbahet konferenca shkencore “Studimet Albanistike në Amerikë” dhe organizohet nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Rreth 50 studiues nga Kosova, Shqipëria, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Kanadaja, Italia, Franca, Polonia, Norvegjia, Maqedonia, Kina dhe Bullgaria do të hedhin dritë mbi aspekte të rëndësishëm jo vetëm linguistike por gjithashtu edhe historike dhe antropologjike të studimeve albanistike në kontinentin amerikan.

Studimet albanistike në Amerikë kanë nisur në shekullin 20-të dhe jo rastësisht këto fillime ndërlidhen edhe me praninë e mërgatës shqiptare atje. Ndërkaq, kjo prani është ndjerë më shumë pikërisht në kohën e zhvillimeve të bujshme në shkencat linguistike në SHBA.

Konferenca mbahet në sallën e madhe të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të premten dhe të shtunën (25-26 shtator) duke filluar nga ora 8:30.

Sipas njoftimit në këtë konferencë do të marrin pjesë studiues të njohur të gjuhësisë shqiptare por edhe të huaj nisur nga Bahri Beci, Bardhyl Demiraj, Bashkim Kuçuku, Brian Joseph, Carly Dickerson, Carrie Ann Morgan, Dhurata Shehri, Jani Thomai, Kolec Topalli, Ledi Shamku-Shkreli, Seit Mansaku, Shaban Sinani, Victor Friedman, Zymer Neziri etj.

Tema të ndryshme do të diskutohen gjatë punimeve dy ditore të kësaj konference shkencore. Studiuesi Victor Friedman nga Chicago do të trajtojë temën “Gjuha shqipe në Amerikë: Perspektiva akademike”, Brian Joseph, (The Ohio State University) temën “Përfytyrimi i shqipes ndër gjuhëtarët e hershëm amerikanë”, Mehmet Kraja do të parashtrojë temën “Ëndrra amerikane e shqiptarëve etj.

NISMA në Prizren uron besimtarët për Bajram

0

NISMA për Kosovën dega në Prizren, iu uron festën e Kurban Bajramit të gjithë besimtarëve të besimit Islam.

“Jemi në prag të festës së Kurban Bajramit, festë e cila karakterizohet me sakrificën, modestinë, dashurinë dhe humanitetin mes njëri tjetrit. Urojmë që mesazhi i Kurban Bajramit të mos jetë vetëm formalisht por të ndjehet edhe shpirtërisht mes nesh. Prandaj urojmë që kjo festë të jetë një urë bashkëpunimi e solidarizimi mes kategorive të ndryshme në shoqërinë tonë. Urime!!” thuhet në urim. /PrizrenPress.com

Malishevë: Vëllai sulmon motrën

0

Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Malishevë, pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht motrën e tij.

Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.

Policia bën të ditur se me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. /PrizrenPress.com

Vehapi: Urime Kurban Bajrami!

0

Kryetari i komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, uron të gjithë besimtarët islam me rastin e festës së Kurban Bajramit.

“Në këtë ditë të veçantë, çdo mysliman feston festën e Kurban Bajramit. Andaj me lejoni që në emrin tim personal dhe në emrin e qeverisë komunalë në Rahovec, t’ju uroj këtë festë duke u dëshiruar që në familjet tuaja të mbizotëroj paqja, dashuria dhe harmonia për njëri-tjetrin”.

“Uroj që festa e Kurban Bajramit të na sjellë më afër njëri-tjetrit dhe t’ju gjejë të gjithë juve me shëndet, pranë familjeve tuaja të çmuara”, thuhet në urimin e kryetarit të Rahovecit. /PrizrenPress.com

Urimi i rektorit Vataj për Bajram!

0

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj, ua uron festën e Kurban Bajramit studentëve, mësimdhënësve, stafit të administratës të UPZ-së dhe të gjithë besimtarëve të besimit Islam.

“Në këtë ditë të shenjtë le të mbretëroj mirësia, solidariteti duke ndihmuar njëri tjetrin, sidomos ata më nevojtarët. Të gjithë ne duhet të kontribuojmë në kultivimin e vlerave të mirëfillta për një jetë më të mirë, për një shoqëri më të shëndosh në funksion të zhvillimit të gjithmbarshëm. Urime Kurban Bajramin!”, thuhet në urimin e rektorit. /PrizrenPress.com