20.1 C
Prizren
E hënë, 30 Qershor, 2025
Home Blog Page 6583

Lista Serbe: Për Ushtrinë e Kosovës “vendos” Aleksandër Vuçiq!

0

Transformimi i Forcës dhe i Sigurisë së Kosovës në ushtri ende po vazhdon të mbetet “peng” nga deputetët e minoriteteve, respektivisht nga Lista Serbe.

Shefi i Grupit Parlamentar nga kjo parti, Slavko Simiç, ka treguar për “Zërin”, se përfaqësuesit e “Srpska”-s janë duke zhvilluar disa takime me kryeministrin e Republikës, Isa Mustafa, por që ende nuk ka diçka përfundimtare.

Duke folur për këtë çështje ai specifikon se për vendime të rëndësishme konsultohen edhe me Qeverinë e Serbisë, të cilën e udhëheq Aleksandër Vuçiq.

“Në kohët e fundit në disa mediume të Kosovës është përhapur lajmi se kryetari i Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq, ka biseduar me kryeministrin, Isa Mustafa, dhe i ka dhënë mbështetje për krijimin e Ushtrisë. Kjo është e pavërtetë, pasi që Jabllanoviq nuk ka biseduar me Mustafën për votimin. Mirëpo, unë kam disa informata se disa zyrtarë të komunitet serb dhe disa ministra kanë biseduar me Mustafën lidhur me shndërrimin e FSK-së në Ushtri, por çka është thënë në takim s’kam detaje më shumë”, ka thënë ai për “Zërin”.

Simiç më tej tregon se në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës ka pasur iniciativa që të futet në rend të ditës amendamenti për shndërrimin e FSK-së në Ushtri. Mirëpo, partia e tij nuk ka qenë e gatshme që ajo të futet në rend të ditës.

“Jo pse Lista jonë dëshiron të bllokojë diçka, por me arsyen se gjithë deputetët e ‘Srpska’-s nuk kanë qëndrim definitiv dhe të prerë për FAK-un. Të gjithë deputetët tanë, që janë pjesë e Kuvendit dhe ata që janë pjesë e Qeverisë së Isa Mustafës, nuk janë për të bllokuar proceset, por qëndrimi ynë është që të japim mundësitë tona për zhvillim ekonomik, bashkëjetesë, për hapjen e vendeve të punës. Gjithçka që ka të bëjë me popullin serb ne do ta përkrahim, ndërsa proceset negative nuk do t’i përkrahim”, është shprehur ai.

Pse të fortit e PDK-së e lanë të vetmuar Sabri Hamitin të përplaset me opozitën?!

0

Kryetari i PDK-së dhe njëherësh zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi për çudi, nuk ishin prezent sot në seancën e Kuvendit, në momentin kur ndodhi përplasja me opozitën.

Të gjithë të fortit e PDK-së në momentet më të vështira e kishin lënë të vetmuar nënkryetarin e dytë të Kuvendit, Sabri Hamitin e LDK-së.

Nënkryetari i Kuvendit Sabri Hamiti, derisa ka kërkuar që të hidhet në votim kërkesa e LDK-së që raportimi i kryeministrit Isa Mustafa të shtyhet për datën 22, opozita janë ngritur në këmbë dhe janë afruar tek vendi ku është ulur Hamiti, çka bënë që të ndërpritet seanca.

I mbetet të fortëve të PDK-së të japin sqarim për opinionin, se përse ata nuk ishin prezent në këto momente./ Gazeta Blic

Tirana 3 ditë me “Rockstock Music Festival”-in

0

Në sheshin “NënaTerezë” në Tiranë mes datave 24-26 shtator do të mbahet festivali “Rockstock Music Festival” që planifikon të mbledh në kryeqytetin shqiptar për tri ditë radhazi rokerë të gjeneratave të ndryshme, nga troje të ndryshme shqiptare.

Të enjten, më 24 shtator, do të performojnë The Curlies, Altin Goci Band, Offchestra, Renis Gjoka Band,I rie FM dhe Asgjë Sikur Dielli. Programi i ditës së premte, 25 shtator, përbëhet nga grupet Duck Lord, RockStock Band, Centaur (Reunion),Tre Muskëtierët dhe Muscle Tribe of Danger and Excellence ndërsa natën përmbyllëse te festivalit, të shtunën më 26 shtator, në skenën e “Rockstock Music Festival” do të ngjiten grupet Crossbones,Gipsy Groo, Jinjer, Jericho, Elita 5 dhe këngëtari Shpat Deda.

Koordinatorja për media e festivalit, Albina Gjergji, tha për KosovaLive se ky festival synon të mbetët një traditë dhe të edukojë gjeneratën e re mbi historinë e muzikës së vërtetë rok në Shqipëri.

“Mesazhet dhe synimet që ky festival rrok në vetvete e synon të shpërndajë janë të forta e të ndryshme. Por kryesori mbetet krijimi i një tradite të festivalit të muzikës rok-shqip dhe i quajtur si ngjarje “Dita e miqësisë”, sigurisht që mesazhi është që në kete organizim përveç grupeve e këngëtareve që performojne e sjellin energji rock, të krijohen edhe miqësi të reja, te cilat pse jo mund te zhvillohen edhe me tej.

Ky festival synon gjithashtu të argëtojë, rifreskojë memorien e fansave të rok-ut, por edhe të edukojë gjeneratën e re mbi historinë e muzikës së vërtetë rok në Shqipëri”, tha Albina Gjergji.

Përveç muzikës gjatë festivalit gjithashtu do të shfaqet edhe filmi “Antologji e muzikës rok në Shqipëri” qe është një përmbledhje e historikut dhe evolucionit të muzikës Rok në trevat shqiptare.

“Gjatë festivalit do të shfaqet edhe filmi ‘Antologjia e muzikës rok në Shqipëri’, i cili vjen i punuar me mjeshtëri nga Leandër Ljarja, me iniciativën e artistëve Elton Deda dhe Erjon Zaloshnja. ‘Antologjia e Muzikës Rock në Shqipëri’ është një përmbledhje e historikut dhe evolucionit të muzikës rok në të gjitha trevat shqiptare, duke filluar nga vitet ‘70 deri në ditët e sotme”, tregoi Gjergji.

“Rockstock Music Festival” pas edicionit të parë vitin e kaluar sivjet organizohet për herë të dytë./KosovaLive

Zafir Berisha: Institucionet të merren me çështjen e fajdeve në Prizren

0

Deputeti nga radhët e Nisma-s, Zafir Berisha, në seancën e ditës së sotme në Kuvendin e Kosovës, parashtroi brengosjen e tij për çështjen e fajdeve dhe haragjit në Kosovë.

Berisha ftoi organet kompetente që ta marrin më me seriozitet këtë çështje që është në rritje, sidomos në Prizren.

“Në emër të qytetarëve të Prizrenit, i ftoja të gjithë mekanizmat që seriozisht ta marrin këtë çështje që tash e 15 vjet është në lulëzim e sipër”.

“Në rast se nuk ndërmirret diçka, atëherë do të jetë shumë vonë”.

Berisha gjithashtu foli për orët digjitale dhe vjedhjen që është duke i’u bërë qytetarëve të Kosovës.

Ai gjithashtu kërkoi nga Ministria e Tregëtisë, të mirret seriozisht me Institutin Metorologjik.

Sipas tij, ky institut duhet të tërhiqet nga Ministria e Tregëtisë, sepse është konflikt i interesit.

“Mendojë që Intituti Metorologjik duhet të bëhet e pavarur”.

“Gjithashtu kërkojë nga ministria që të stopoj vjedhjen e qytetarëve nga orët digjitale”.

Kurse Komisionit Qeveritar për Vlera të Luftës, u kërkoi që të të mirren më seriozisht me verifikimin e veteranëve.

Armend Zemaj: Fajdexhinjët po mbështeten nga politika

0

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj të enjten në Kuvendin e Kosovës ka thënë se njerëzit që po merren me fajde kanë përkrahjen e Politikës.

Ai ka thënë se përpos në Prizren fjade ka edhe nëpër qytetet tjerë, përfshirë Deçanin e Pejën.

Zemaj ka kërkuar nga Policia e Kosovës të ndërmerr masa ligjore për t’i ndalur fadexhinjët.

Mediat serbe: Hashim Thaçi, njeri i Amerikës

0

Portali serb informativ Elektronske Novine ka botuar një profil të gjatë të zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, me fokus në pesë vitet e fundit të tij. Cila është lidhja e Thaçit me Amerikën? Si e sheh Serbia, Thaçin?

Si arriti Thaçi të transformohet nga një i akuzuar për tregti organesh në një, siç e quajnë serbët, “super-yll i mediave botërore”? Fundi i vitit 2010 ishte një periudhë e errët për politikanin më të njohur të Kosovës, Hashim Thaçin. Ai po kalonte në një furtunë pas zgjedhore në Kosovë, proces ky i cili ishte kontestuar ashpër atëbotë. Parregullsi të mëdha u raportuan në zgjedhjet nacionale, shumica e tyre në komunat nën kontroll të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilën Thaçi e bashkëthemeloi në 1999-ën e largët, me ish luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pjesa më e madhe e mashtrimit të raportuar po bëhej brenda listave të partisë kur garda e vjetër e UÇK-së po përdorte të gjitha metodat për të mos ia lëshuar pushtetin brezit të ri të politikanëve. Ç’është e vërteta, të gjitha partitë në Kosovë u përballen me po të njëjtat akuza – sistemi zgjedhor me lista të hapura, por me një zonë ku secili votues do të zgjedhte 5 deputetë, bëri që kandidatët të orvateshin për të fituar vota pa kursyer mjete, përfshirë ryshfetin dhe vjedhjen e drejtpërdrejtë të votave.

Pikërisht në kohën kur partitë politike po arrinin marrëveshjen për rinumërimin e vota dhe rivotim në disa komuna, një skandal i ri shpërtheu – skandal ky i cili vërshoi faqet e para të medieve botërore. Një raport ishte publikuar nga politikani zviceran Dick Marty, i cili pretendonte se Thaçi ishte kreu i një grupi të madh mafioz të specializuar në drogë, prostitucion, trafikim, por, çfarë ishte më shqetësuese, ai u akuzua edhe për përfshirje të drejtpërdrejtë në trafikimin e organeve të të burgosurve gjatë luftës në Kosovë më 1999. Dukej se raporti i ashtuquajtur “Shtëpia e Verdhë” i kishte dhënë fund karrierës politike të Thaçit. Dukej se karriera e tij po merrte fund – cili lider botëror do të takohej ndonjëherë me kryeministrin e një shtet i, i cili akuzohej për krime të tmerrshme të tilla si trafikimi i organeve?

Pesë vjet më vonë parashikimet për rënien e Thaçit duken aq joreale. Njeriu të cilin edhe armiku i tij i kohës së luftës, Daçiq, e quan sot “superylli i medieve globale” qëndron fuqishëm dhe sigurt në peizazhin politik të Kosovës, e mbase në kulmin e popullaritetit të tij në mesin e votuesve të Kosovës. Sondazhet e realizuara së fundi tregojnë se Thaçi është më popullor se kryeministri Mustafa dhe udhëheqësi i opozitës Albin Kurti – së bashku. Me i pranishëm se kurdoherë, Thaçi po e viziton botën, brenda 10 ditësh ishte në Samitin e liderëve në Vjenë, atë mund ta shihnit duke luajtur futboll me ministrin e jashtëm austriak dhe kryeministrin maqedonas, i dha intervistë të gjatë Bild-it gjerman, e realizoi edhe një intervistë me Telegraph-in britanik dhe publikoi editorialet e tij në Franfkurter Allgemeine Zeitung mbi migrimin, si dhe në gazetën britanike The Independent mbi Gjykatën Speciale të Kosovës.

Si ministër i Jashtëm i Kosovës, ai po punon në fushatat për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO dhe Interpol – dhe nëse ai ia del në këto përpjekje, ato do të jenë triumf i ri në karrierën e tij të gjatë të garave politike me Serbinë. I vetëdijshëm për fuqinë e rrjeteve të veta sociale, Thaçi përdor facebook-un palodhshëm, ku ndiqet nga 300,000 njerëz dhe mediet e Kosovës që botojnë rregullisht postimet e tij.

Si e bëri ai këtë? Si arriti Thaçi të përmbyste akuzat si kriminel dhe mafioz, t’i transformonte që të bëhej një paçebërës i kandiduar për çmimin Nobel për paqe nga komisionet republikane dhe demokrate të Kongresit Amerikan? Si arriti ai që të transformohej nga një i dyshuar për krime lufte, në një politikan që e citon Sting-un (“Zotëriu ecën dhe kurrë nuk vrapon”) dhe që flet për mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve LGBT në një profil të tij të botuar në ballinë të New York Times?

Janë disa shpjegime gjatë analizës së ardhjes së dytë politike të Hashim Thaçit. Për mbështetjen e tij ndërkombëtare ai, ironikisht, mund të falënderojë Serbinë. Kur ai e fitoi mandatin e dytë si kryeministër, ai nuk hezitoi të angazhohej drejtpërdrejtë me homologun e tij serb Ivica Daçiq, pavarësisht thirrjeve në Kuvendin e Kosovës nga ana e opozitës kundër çfarëdo bisedimeve me Serbinë, deri sa Beogradi të kërkojë dhe të njoh pavarësinë e Kosovës.

Dikush mund të thotë se Thaçi ishte mjeshtër i koreografisë politike që i priu ngjarjeve që çuan në dialogun politik të nivelit të lartë ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Në verën e vitit 2011, i zhgënjyer me dinamikën e dialogut teknik të nivelit të ulët të nisur nga Bashkimi Evropian për të ndihmuar normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, Thaçi i dërgoi forcat e tij speciale në ku fi me Serbinë, për të marrë kontrollin e pikave kufitare 1 dhe 31 të cilat kishin qenë nën kontrollin e plotë të strukturave paramilitare serbe në pjesën veriore të Kosovës. Aksioni i policisë ishte i rrezikshëm. Një polic kosovar humbi jetën në një shkëmbim zjarri me serbë ne veri të Kosovës. Por, reagimi i serbëve në veri dhe i Beogradit zyrtar ishte pothuajse histerik. Ushtarët gjermanë të KFOR-it u qëlluan nga protestuesit serbë, ndërsa thirrjet propagandistike nga gazeta serbe që “Rusët me ndihmën e tyre humanitare” t’u dalin në ndihmë vëllezërve në pjesën veriore të Kosovës janë parë me dyshim të thellë nga ana e perëndimit. Kancelarja Angela Merkel reagoi me të mësuar se në një cep të Ballkanit, disa serbë kishin shtënë në djemtë e saj të rinj në uniformë dhe ajo arriti në Beograd shumë e pakënaqur për t’i bërë kërkesa të ashpra Tadiqit, në një konferencë për medie që kishte bërë bujë. Thaçi 1: Serbia 0. Aksioni i policisë së Kosovës rriti popullaritetin e Thaçit në Kosovë, por gjithashtu e vendosi atë në një pozicion të partnerit të vetëm të besueshëm të perëndimit në Kosovë.

Thaçi ishte me fat këtë herë. Elita politike e Kosovës përbëhej, në njërën anë, nga ish-komandantë të tjerë të UÇK-së të cilët dukeshin më të vrazhdë dhe më pak të përgjegjshëm se Thaçi, si Haradinaj apo Limaj – dhe, në anën tjetër, nga një brez i politikanëve të rinj, disa të papjekur të cilët po e kundërshtonin dialogun me Serbinë dhe u përpoqën të ndërtonin kredencialet e tyre duke qenë edhe më nacionalistë se Thaçi, të tillë si Albin Kurti apo lëvizja Vetëvendosje.

Së dyti, Thaçi ndryshoi krejtësisht ekipin e tij të rrethit të ngushtë të këshilltarëve. Kishte perënduar tashmë koha e ish-bashkëluftëtarëve. Disa prej tyre lanë PDK-në, duke u shpërndarë në parti më të vogla, disa të tjerë u bënë “radioaktivë” për shkak të përfshirjes së tyre në korrupsion apo krime lufte. Këshilltarët kryesorë të sotëm të Thaçit i takojnë shtresës urbane të arsimuar në perëndim, me lidhje të mira ndërkombëtare, njohje digjitale dhe me pikëpamje progresive.

Ç’është më e rëndësishmja, Thaçi dëshmoi prirje për të bashkëpunuar ngushtë dhe mbajtur afër miqtë nga bashkësia ndërkombëtare. Ai ishte gjithmonë pranë amerikanëve – në një episod në librin e Christopher R. Hill, diplomatin amerikan të përfshirë në bisedimet e Rambujesë, Hill tregon se si James Roubin, i cili ishte atëherë zëdhënës i Clintonit, zgjedhte kravata për Thaçin gjatë negociatave të dështuara në Rambuje më 1998.

Lobi i Kosovës në SHBA ka qenë gjithmonë i fortë, që nga vizitat e para të senatorëve Tom Lantos dhe Bob Dole në Kosovë më 1989, por në prag të ndërrimit të shekujve, ishte e qartë se lufta e Kosovës kundër Millosheviqit dhe pavarësia që pasoi do të kishin qenë të pamundura pa përfshirjen e SHBA-së. Thaçi e kupton dhe punon në përputhje më agjendën e SHBA-së. Kur amerikanët mbështetën revolucionin në Siri, Thaçi u takua me opozitën siriane, kur ISIS u bë një problem për SHBA-në, Thaçi arrestoi dhjetëra të dyshuar si mbështetës të ISIS-it duke përfshirë disa prej imamëve më të njohur në Kosovë. Kur Departamenti i Shtetit kremtoi Ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Thaçi pikturoi zyrën e tij me ngjyra të komuniteteve LGBT. Testi më i rëndë i kësaj lidhjeje erdhi këtë verë, kur SHBA kërkoi nga Thaçi që të sigurohen votat në Kuvend për krijimin e Gjykatës Speciale që do të hetojë ish-pjesëtarët e UÇK-së të përmendur në raportin e Dick Marty. Shumë vëzhgues në Prishtinë deklaronin se Thaçi po përpiqet të sabotojë gjykatën duke dështuar që t’i nxiste deputetët e tij në Kuvend të votojnë për Gjykat ën, por me gjithë deklaratat e tij se ai e konsideronte raportin e Dick Marty mbi trafikimin e organeve si një “storie shkencoro-fantastike”, ai ia doli që të bindte deputetët e tij të PDK-së që të siguronin 2/3 e votave të nevojshme.

Pak javë pas votimit në Kuvendin e Kosovës, Thaçi po zhvillonte një betejë ndaj Daçiqit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, ku paralajmëroi disa herë se ai nuk do të lejojë askënd të barazojë “agresorin me viktimat”. Të mirëinformuarit në Prishtinë thonë se një ekip i juristëve ndërkombëtarë është kontraktuar tashmë për të paditur Serbinë për dëme të luftës në gjykata në Nju Jork dhe Londër. Vetë Thaçi theksoi se Kosova vërtetë do të padisë Serbinë për “gjenocid”, edhe pse deri më tani, në analet e luftërave në ish-Jugosllavi, gjenocidi është dëshmuar vetëm në rastin e Srebrenicës.

Cili do të jetë angazhimi i radhës për Thaçin? Pavarësisht se hoqi dor? ? nga posti i kryeministrin vitin që shkoi për të inkurajuar LDK-në që t’i bashkohet atij, popullariteti i tij nuk është zbehur. Ai me siguri se llogarit se votuesit do të ndëshkojnë profesorin e moshuar Isa Mustafa për dështimin e tij për t’i zbatuar premtimet zgjedhore në ekonomi. Marrëveshja e tij me Mustafën nënkupton që Thaçi do të bëhet president më 2016. Të shumtë janë ata në Prishtinë të cilët dyshojnë se ai do të heq dorë nga postet në PDK për t’u bërë president, siç kërkon Kushtetuta e Kosovës. Ende nuk është përjashtuar krejtësisht mundësia që të akuzohet nga Gjykata Speciale, edhe pse ai këmbëngul se nuk ka gjë për të fshehur dhe se ai ishte komandant politik i UÇK-së.

Çfarëdo që ai të ketë vendosur të bëjë apo çfarëdo që fati mund t’i sjellë atij, emri i luftës i të cilit është “gjarpri” – ai e ka dëshmuar tashmë se është i aftë që transformojë veten, dhe, me atë, shtetin që ai e udhëhoqi në dekadën e fundit.

Pse Isa Mustafa duhet ta dorzojë mandatin

0

Nga Jakup Krasniqi

Ka arsyeje me vagonë, të cilat janë lehtë të verifikueshme se përse Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duhet ta dorëzoj mandatin dhe të jep dorëheqje të pa revokueshme dhe kështu tu hapte rrugë zgjedhjeve të reja. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë zgjedhja më e urtë në këto rrethana të trazuara. Në ketë rast opinionit publik dëshiroj t’ia ofroj disa nga arsyet, perse duhet dorëzuar mandati për ti hapur rrugë kërkesës për një mandat të ri. Mandat i cili mund të fitohet vetëm me zgjedhje të reja, të lira, fer dhe demokratike.

Të gjithë që kemi pasur sy e veshë, për të përcjellë, dëgjuar, lexuar e parë, fushatën zgjedhore për zgjedhjet e qershorit 2014, e dimë sesa pa durueshmëri ka pasur në mes Kryeministrit të tashëm, Isa Mustafa dhe Kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi. I gjithë stafi drejtues i LDK-së që kanë defiluar nëpër televizionet kombëtare e lokale, në asnjë formë nuk i kanë dhënë mundësi një koalicioni me partinë e Hashim Thaçit. Duke u arsyetuar, se është kapur shteti dhe se me Hashim Thaçin nuk ç’kapet ai. Madje kjo jo një herë është përsëritur gjatë kohës se ekzistimit të VLAN-it. Pra, Isa Mustafa votat i ka marr për ta ndryshuar qeverisjen, për ta ç’kapur shtetin dhe krijuar një perspektivë të re për qytetarët e Republikës, për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Çka ndodhi në të vërtetë, “për sa qelë e mbyll sytë”, zhduken premtimet “zëforta” dhe përkundër çdo morali njerëzor e qytetar, u lidh një koalicion jo parimor. Nuk besoj që ka ndonjë njeri me arsyeje të shendosh e me kujtesë normale që mund t’i mohoj këto fakte te verifikueshme.

Pa dyshim, në rastin tonë kjo që u tha deri më tani nuk janë arsyeje më të forta e as më të rëndësishmet për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme ose të parakohshme. Arsyet më të forta, mbase edhe të domosdoshme, pse Isa Mustafa duhet të dorëzoj mandatin, janë këto që do i numërojmë në vazhdim. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi në fushatat e tyre zgjedhore të stërzgjatura e të jashtë ligjshme ( ligji zgjedhor e kufizon kohën e fushatës), nga qytetarët e Kosovës e kanë kërkuar mandatin për qeverisje të mirë e të lirë, kanë premtuar sundim të ligjit e të Kushtetutës, kanë premtuar forcim te sovranitetit, kanë premtuar integrimin e veriut të Kosovës me pjesët tjera të Kosovës, kanë premtuar mbrojtje të shqiptarëve jashtë Kosovës, se do të jenë “gardianë të shqiptarëve” në rajonin tonë, kanë premtuar shtetin qytetar, laik dhe multietnik, kanë premtuar qindra e mijëra vende pune. Asgjë nga këto nuk ka ndodhi dhe nuk ka mundësi të ndodh me ketë koalicion keq qeverisës.

Në fakt çka ka ndodhë gjatë qeverisjes se Isa Mustafës. Qeverisja është e keqe, më e madhja dhe më ë shtrenjta në Kontinentin e Vjetër, ketë nuk ua kanë premtuar qytetarëve në zgjedhjet e qershorit 2014 apo jo. Isa Mustafa nuk e ka kërkuar votën nga qytetarët për dezintegrimin e vendit, kështu si ka ndodhur me marrëveshjet e Brukselit. Me ato marrëveshje, Republika e Kosovës nuk është më shtet qytetarë, multietnike dhe unik, madje nuk është as shtet laik. Me Kushtetutë (neni tre), “Kosova është e shqiptarëve dhe e komuniteteve të tjera …”. Tani me Marrëveshjen e Brukselit kemi dy shtete. Njëri është i shqiptarëve dhe i komuniteteve të tjera pakicë ( ku gjuhë zyrtare janë shqipja dhe serbishtja), e tjetri i Bashkësisë së Komunave serbe (pra i një etnie), bile aty do të jenë edhe kishat serbe me territorin e tyre. Gjuhë zyrtare do të jetë gjuha serbe. I pari (shteti i Kosovës) do të jetë i gjithë qytetarëve të Kosovës, ndërsa i dyti, Bashkësia e Komunave serbe, është vetëm i serbëve. As këto çështje nuk kanë qenë pjesë e premtimeve te partive politike shqiptare në zgjedhje e qershorit 2014. As zvogëlimi i hapësirës territoriale nuk ka qenë pjesë te fushatës zgjedhore.

Nuk ka asnjë dyshim që as humbja e sovranitetit të shtetit në Sistemin e Drejtësisë, nuk ka qenë premtim i partive te koalicionit. As formimi i këtij koalicioni nuk ka qenë pjesë e premtimeve zgjedhore. As bashkëkapja e institucioneve te shtetit dhe e institucioneve të pavarura, nuk u është premtuar qytetarëve në zgjedhjet e kaluara, a po jo?! As ikja e mbi 100.000 njerëzve nuk ka qenë premtim.

Janë të gjitha këto fakte e shumë të tjera të pa thëna, që e obligojnë Isa Mustafën, që të jep dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme (parakohshme), për ti pyetur qytetarët se a i miratojnë ata këto marrëveshje që i kanë bërë krerët e partive politike te koalicionit. A pajtohen ata me ketë keq qeverisje. Ky besim duhet të verifikohet domosdo në zgjedhje të reja, të lira e demokratike. Vetëm atëherë, partitë e koalicionit mund të thirren në verdiktin e qytetarëve të Republikës.

Gjendja faktike e gjithë kësaj që u tha deri më tani, konfirmon katërçipërisht, se liderët politik të partive të koalicionit, në zgjedhjet e kaluara i kanë mashtruar qytetarët e Kosovës. Krejt çka ka bërë kjo qeveri e udhëhequr nga Isa Mustafa, del si në dritën e diellit, se jo vetëm i kanë mashtruar qytetarët e Republikës, por i kanë tradhtuar ata. Tradhtia brina nuk ka.

Pasi partitë e koalicionit, qytetarëve ua kanë bërë një mashtrim të madh politik dhe ekonomik, qytetarët kanë të drejtë që ti shfrytëzojnë e ti përdorin të gjitha format e veprimit demokratik për të verifikuar vullnetin e tyre në zgjedhje të reja. Kjo qeveri nuk ka mandat ta qeverisë ketë vend e ketë popull me gjithë këto dëme të mëdha e vështirë të riparueshme që ia kanë bërë vendit për një kohë kaq të shkurtër te qeverisjes.

Më fal, për çfarë demokracie më flet?!

0

Nga Taulant F. Selmani

Hiperbolizimi i të ashtuquajturës demokraci, me sa duket ka marrë përmasa alarmante, sepse keqkuptimi dhe keqinterpretimi i saj po na shkakton kokëçarje të mëdha duke na u bërë ‘mbret’ i jetërave dhe mendimeve tona. Çdo gjë lidhet me demokracinë, çdo hap që ne hedhim, çdo fjalë që nxjerrim nga goja, çdo virtyt i joni. Si duket kjo demokracia na ka skllavëruar, njëjtë sikurse në kohët e vjetra, që në emër të kishës, në emër të popullit, e në emër të dreqit e të birit e kanë ‘të lejuar’ të bëjnë gjithëçka!

Akoma ne thirremi në emër të demokracisë, derisa vazhdonjë të vriten barbarisht gra e fëmijë të pafajshme në zona luftërash civile, deri sa i forti të vret dhe nuk i jep pesë pare, derisa të ligut i rrahen supet, duke e përgëzuar për ligësitë e tij, derisa hajnave ordinerë u jepën lëvdata, duke u thënë se e nxjerrin bukën e gojës, pa e menduar se po e lënë pa bukë dikë tjetër, e derisa pisllëqet quhen modë, ndërsa të jesh fanatik në një çështje quhesh i prapambetur e primitiv!

Akoma ne thirremi në demokraci, derisa nuk u pengon zhurma e alarmëve të eskortave të tyre apo e diskotekave, por u pengon ezani apo këmbana! Ose nuk u pengojnë trotuaret që të duken si parkingje, por u pengojnë shitësit me tavolinat me libra nëpër sheshe, të cilët përveç që nxjerrin bukën e gojës, ushqejnë me dije e dituri qytetarët! Nuk u pengojnë qentë që njerëzit mbajnë për dore, por u pengojnë lypësit që kërkojnë lëmoshë, pasi që po ky sistem ua rrezikoi bukën e gojës dhe i qiti në rrugë, jo sepse ata kanë dëshirë të dalin rrugëve, por që se nuk kanë dëshirë të vdesin urie!

Kjo pra është demokracia në të cilën thirremi, ky është sistemi të cilin e kemi përqafuar dhe po kjo, demokracia është kanceri i shoqërisë tonë!

Më fal, ti më flet për demokracinë, deri sa një media ironizon me një fotografi të një fëmije të mbytur?! Derisa për një sulm terrorist mbi atë media ironizuese e raciste fetare solidarizohet e gjithë bota! Më flet akoma për demokracinë?! Për këtë sistem të shfrenuar jetese ose mbijetese?! Ti thirresh në demokraci derisa shkatërron breza të tërë?! Ose ti thirresh në drejtësi, deri sa ti vet e gjymtove atë?! Jo! Kjo nuk është demokraci! Është mjerim e përtej mjerimit! Është litari që po i veni vetës e popullit në qafë e që po i ngulfatni në dallaverat e propagandat tuaja!

Kam menduar se e dua demokracinë, por jo! Paskam dashur diçka të gabuar! Unë nuk thirrem në emër të demokracisë, unë nuk I bëhem argat asaj! Unë nuk e përkrah një sistem që thirret në emër të lirisë e të drejtës, por që në fakt të përmbyt, njëjtë sikurse lumi kur del nga shtrati i tij që gllabërin çdo gjë që i del para! Unë nuk dua që një sistem të vendos mbi fatin dhe jetën time, ani pse ai sistem na tregon se mund të jetojmë si të duam. Sa për mua, demokracia ka vdekur!

Ofroni arsim cilësor, jo vetëm diploma

0

Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, ka kritikuar ashpër nivelin e arsimit në Kosovë. Ajo ka numëruar faktorët që kanë degraduar sistemin e arsimit në Kosovë e sidomos atë të lartë.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, është e befasuar me numrin e madh të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë krahasuar me kapacitetin akademik dhe situatën socio-ekonomike të këtij vendi. Ajo e ka bërë të qartë se Kosova, si një vend që pretendon t’i bashkohet BE-së, duhet të synojë cilësinë e njëjtë të arsimit që ofrohet në Evropë.

Në një intervistë ekskluzive për “Zërin”, ambasadorja Viets ka kritikuar ashpër nivelin e arsimit në Kosovë.

“Kosova duhet të ndërtojë një strategji të arsimit në përgjithësi që është e përshtatshme me mjedisin social dhe ekonomik. Veçanërisht në fushën e arsimit të lartë, ku duhet të ofrohen studime cilësore e jo thjesht diploma”, ka thënë Viets në një intervistë për “Zërin”.

Ajo përmend se si të njëjtit profesorë japin mësim në institucione të ndryshime publike dhe private.

“Shohim gjithashtu t’u ofrohen të njëjtat programe për studentët. Nuk ka fare konkurrencë. Tani duhet përmirësuar disiplina”, ka thënë ambasadorja gjermane Viets.

Sa i përket mospajtimeve brenda Universitetit, ajo konsideron se “duke përdorur gjuhën e ligjit, duke u kujdesur që të mos shkelet ligji dhe duke përdorur mekanizmat legalë të të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mbështesin veprimtarinë legale të Universitetit, besoj se mund të gjendet një zgjidhje dhe shpresoj që kjo të ndodhë shpejt dhe mbi bazë të meritokracisë”.

Ambasadorja Viets i ka dërguar mesazh të qartë udhëheqësve të sektorit të arsimit se “Vetëm duke përcaktuar dhe përmbushur synimet për standarde të larta të cilësisë, Kosova mund të prosperojë dhe të zhvillohet”.

Majko: Asociacioni kufizon sovranitetin e Kosovës

0

Me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nuk po krijohet një “Republika Srpska” në Kosovë, mirëpo e vërteta është se Asociacioni është një eksperiment që prodhon një sovranitet të kufizuar në një pjesë të territorit të vendit.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, i cili njëherësh është deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin e Shqipërisë.

Serbia, sipas tij, po kërkon ta ruajë influencën e vendimmarrjes në Kosovë, duke kërkuar që përveç shtetit serb të garantojë një “hapësirë” të interesave të veta në një hapësirë që është më e madhe sesa territori ku ushtron sovranitet.

Majko, që ka qenë kryeministër i Shqipërisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, përkatësisht gjatë viteve 1998-99, ka folur edhe për ushtrinë e shtetit më të ri në Evropë, duke thënë se ky shtet do t’i formalizojë forcat e veta të armatosura.

“Kjo që po më pyesni ka edhe komentin tuaj, të cilin po e marr si një “pyetje” po ashtu. Ekziston një dyzim i arsyeshëm lidhur me atë çfarë klasa politike drejtuese e Kosovës po realizon pas miratimit të “Paketës” së Ahtisarit”. /Zëri