Ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, në kuadër të turneut të tij nëpër komunat e Republikës së Kosovës, sot ka vizituar Malishevën, ku është takuar me Kryetarin e Komunës, Ragip Begaj dhe me anëtarët e Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB), ku është biseduar për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm.
Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, duke folur për sigurinë në territorin e Komunës së Malishevës, tha se Malisheva, vazhdon të mbaj primatin e komunës më të sigurt në vend dhe ne synojmë që ta ruajmë këtë.
“Kjo është rezultat i vetëdijes së lartë tek qytetarët e Komunës së Malishevës dhe bashkëpunimit të mirë me organet e rendit”, tha Begaj.
Më pas, ministri Hyseni, tha se “qëllimi i kësaj vizite është trajtimi i temës së ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm, sidomos atij fetar, ku ne si shtet i ri që jemi, duhet ta luftojmë këtë dukuri, por pa u shndërruar në dukuri, ne duhet ta parandalojmë dhe këtë më së miri e bëni ju anëtarët e KKSB-ve, përmes takimeve dhe ligjëratave që keni mundësi të bëni me qytetarët”.
“Dukuria e shkuarjes në luftime të huaja, në emër të islamit, është gabimi më i madh që bëhet, pasi dhuna, vrasjet dhe ajo luftë që bëhet, është në kundërshtim me ajetet e Kuranit dhe është keqpërdorim i fesë islame, pasi të qenit islam, nënkupton të jesh në paqe, ndërsa luftërat si në Siri dhe vende tjera, janë të pakuptimta”, tha Hyseni.
Ai më pas foli edhe për angazhimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme në luftimin dhe parandalimin e kësaj dukuri, ku sipas ministrit Hyseni, “Policia e Kosovës, është duke e kryer punën e saj në mënyrën më të mirë të mundshme, ndërsa do të jetë e pa kompromis në luftimin e dhunës, ekstremizmit dhe radikalizmit, të të gjitha formave”.
Edhe anëtarët e KKSB-së në Malishevë, shprehën qëndrimin e tyre rreth kësaj teme, e në veçanti krerët e Bashkësisë Islame në Malishevë, ku sipas tyre “imamët dhe predikuesit fetar në Malishevë, çdo ditë dhe në çdo rast, mbajnë ligjërata dhe shpjegojnë për islamin dhe kundër dukurive të këtilla”, përderisa e vlerësuan të mirë gjendjen në Malishevë, pasi kjo dukuri nuk është shumë e shprehur.
Pas kësaj teme, duke trajtuar çështje të ndryshme të sigurisë së përgjithshme në Malishevë, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, z.Ahmet Morina, shprehi shqetësimin e tij, për trajtim jo të duhur nga ana e departamentit të emergjencave, në raport me Komunën e Malishevës, ku sipas drejtorit Morina, “nga ky departament, Malisheva është e lënë anash”.
Përndryshe, ministri Hyseni, në këtë takim, duke ju drejtuar kryetarit Begaj dhe anëtarëve të KKSB-së, tha se “ministria që ai drejton, me seriozitetin do ti marr të gjitha kërkesat e Komunës së Malishevës”. /PrizrenPress.com/