14.2 C
Prizren
E premte, 15 Maj, 2026
Home Blog Page 6625

Getoar Besimi aderon në PDK

0

Kuvendari i Kuvendit Komunal, Getoar Besimi, i cili ishte pjesë e listës së Iniciativës Qytetare të Prizrenit, sot do të aderojë në PDK.

“ Ju ftojmë të merrni pjesë në aktivitetin e degës së PDK-së, në Prizren, me c’rast me një solemnitet rasti do të bëhet pritja e aderimit në PDK të kuvendarit të Kuvendit Komunal Getoar Besimi, i cili deri më tani ishte pjesë e listës së Iniciativës Qytetare të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e PDK-së në Prizren.

“Ceremonia solemne e aderimit bëhet sot me datë (25.04.2016) në ambientet e “Kompleksit Evropa” duke filluar nga ora 20:00”./PrizrenPress.com/

Presin protestë masive edhe pa ‘Vetëvendosjen’

0

Tashmë edhe zyrtarisht tri partitë opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe “Nisma për Kosovën”, kanë ndarë rrugët.

Por kjo nuk po ndalon AAK-në dhe “Nismën” që më 14 maj të organizojnë protestë gjithëpopullore kundër Qeverisë me kërkesën për dorëheqjen e saj dhe shkuarjen në zgjedhje.

Këto dy parti, madje thonë se protesta do të jetë masive pavarësisht se Lëvizja “Vetëvendosje” e ka konfirmuar se nuk do të jetë as organizatore e as pjesëmarrëse në protestën e 14 majit.

Zyrtarë të AAK-së dhe të “Nismës për Kosovën” theksojnë se ata janë vazhdimisht në terren dhe në kontakt me qytetarët për protestën e 14 majit, duke thënë se “Vetëvendosja” nuk mund të ndikojë tek qytetarët për të mos dalë në protestë. Megjithatë, pranojnë se ndikimi i saj mund të jetë vetëm tek elektorati i saj.

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë për gazetën “Zëri” se protesta është paralajmëruar dhe do të mbahet më 14 maj dhe se çdo ditë janë në terren, në kontakt me struktura duke u mobilizuar. Ajo thekson se ish-partneri i tyre në opozitën e bashkuar, “Vetëvendosja”, nuk mund të ndikojë që protesta të mos jetë masive.

“Prapë do të jetë një protestë gjithëpopullore dhe ftojmë qytetarët që të dalin në protestë dhe kemi shumë arsye për të protestuar kundër kësaj Qeverie. ‘Vetëvendosja’ mund të ndikojë tek elektorati i vet, por tek qytetarët që nuk janë pjesë e partive politike jo, sepse qytetarët kanë pse të protestojnë kundër kësaj Qeverie të keqe”, ka thënë deputetja Kadrijaj. /Zëri/

NISMA shënon dyvjetorin e themelimit në Rahovec, i bashkohen mbi 70 anëtarë të rinjë

0

Nisma për Kosovën sot ka mbajtur takim me strukturat udhëheqëse në qytetin e Rahovecit. Ky takim është mbajtur në vazhdën e takimeve që Nisma po zhvillon nëpër qytetet e Kosovës, për nder të dyvjetorit të themelimit të NISMA’s. Gjatë këtij takim mbi 70 qytetarë të Rahovecit u anëtarësuan në degën e Nismës për Kosovën në Rahovec.

Kryetari i NISMA për Kosovën, Fatmir Limaj, anëtarëve të Nismës në Rahovec, u tha se Nisma për Kosovën është në Rahovec për të kërkuar ndryshimin për qytetarin rahovecian, për njeriun tonë kudo që jeton në vendin tonë.

Kryetari Limaj ka thënë se është koha që djemtë dhe vajzat e Rahovecit të bashkohen me alternativën e Nismës për ta ndryshuar gjendjen në vend.

“Bujqit e Rahovecit nuk e meritojnë të mashtrohen, nuk kanë nevojë për lëmoshë, por meritojnë mbështetje reale, të vazhdueshme, ashtu siç punojnë çdo ditë pa u ndalur, për të mirën Rahovecit dhe gjithë Kosovës”, ka thënë kryetari Limaj.

Dega e Nisma për Kosovën në Rahovec, vlerëson se qytetarët e Rahovecit për plot 17 vite ende vazhdojnë të kenë zhgënjime për situatën, jo vetëm në Rahovec, por edhe në gjithë vendin.

Plaku nga Kabashi i Prizrenit, që nuk do të vdes pa i bërë 101 vjet (VIDEO)

0

100 vjeçari, Shefket Kabashi mund të dalë në oborr vetëm me ndihmën e djemve e nipave të tij, pasi këmbët pothuajse i humbi gjatë qëndrimit të gjatë në hapsanën e Nishit, ku u dërgua më 1949, pasi u dënua me burg të përjetshëm, për sic thotë, vrasjen e dy rusëve.

Kabashi, që ishte ushtar i brigadës së 5-të të Frontit Antifashist Nacional-Çlirimtar të Shqipërisë, nuk e mban mend saktë kur i kreu vrasjet, njofton Klan Kosova.

Por ai e di se dy rusët i likuidoi pasi ata i kishin vrarë një kushëri, në malet e fshatit të tij, në Prizren.

Sidoqoftë, dënimi i përjetshëm iu hoq, ndërsa u ndëshkua me 101 vjet burg.

Kadri Veseli sot në Prizren

0

Ushtruesi i detyrëss së kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, sot do të merrë pjesë në një takim me strukturat e partisë në Prizren.

“Ftoheni për të ndjekur takimin me strukturat e PDK-së, të degëve të Prizrenit, Zhurit dhe Hasit”,thuhet në njoftimin e PDK-së në Prizren.

“Në këtë takim do merr pjesë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, z. Kadri Veseli”.

“Takimi do të mbahet me datën 25 prill 2016 në Restaurant “Nafron Excluzive” duke filluar nga ora 17:oo”

Plagoset me armë zjarri 19-vjeçari

0

Një person është plagosur me armë zjarri pasditen e sotme në Tiranë. Burimet zyrtare të policisë bëjnë me dije se rreth orës 13.50, në Sallën Operative ka ardhur një telefonatë se në zonën e “Bërrylit”, përballë me maternitetin e ri është plagosur një shtetas me armë zjarri.

Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Policisë ku ka rezultuar se shtetasi V. V., 19 vjeç, banues në Tiranë, është plagosur në këmbë dhe ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor po punon për identifikimin e autorit dhe sqarimin e rrethanave. Ndërkohë forca të shumta policore po ushtrojnë kontrolle në territor për kapjen dhe ndalimin e autorit.

 

Mos harro të shkruash për dashurinë

0

Me fillimin e shkrimeve të Sylvia Plath për përvojën e saj tragjike me babanë e saj, dhe po ashtu edhe me shkrimtarë të tjerë të shumtë të kësaj periudhe, kishte filluar një frymë e re, jo shumë e përhapur, por që ka mbijetuar deri më sot, e që quhet Letërsi e Rrëfimit (Literature of Confession), rrëfimit jo si formë letërsie, por rrëfimit si para tjetrit. Një ndër shkrimtarët më të njohur dhe më të arrirë të kësaj fryme është Raymond Carver i cili, jo vetëm përvojën e tij si studentë dhe tërësisht i paardhmëri së bashku me partneren e tij i ka bërë letërsi klasike tanimë, por i cili përshkruan deri në detaje rrëqethëse përvojën e tij si alkoolik. Raymond Carver ka qenë dhe është sigurisht ndër tregimtarët më të mirë në botën bashkëkohore.

Megjithëse tregimet e tij janë shkruar vetëm gjatë viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë të shekullit të kaluar, ai ka mbetur ikonë e tregimit, së paku në letërsinë amerikane. Raymond Carver kurrë as nuk do të bëhej aktual në vitet e fundit, me gjithë vlerën e tregimeve të tij, por të mos ishte filmi Birdman, i regjisorit Ajeandro Gonzalez Inarritu. Pikërisht në këtë film përdoret, brenda skenarit, si dramë një prej tregimeve më të njohura të tij “What I talk About When I talk About Love” (Çka themi kur flasim për dashurinë)”.

Në këtë tregim, një prej tregimeve më të njohura të tij, gjatë tërë kohës diskutohet dashuria, por në të vërtetë ajo që zbulohet është frika nga ajo e personazheve të tregimit. Po ashtu edhe në film, ky tregim përdoret për të kontrastuar realitetin (e skenarit) e që është mungesa e dashurisë, me ngjarjen e këtij tregimi si njëlloj pike e vetëdijesimit për njeriun. Raymond Carver ka qenë poet dhe tregimtar, në tërë karrierën e tij nuk ka shkruar asnjë prozë më të gjatë, as edhe novelë. Të shumtën e tregimeve i ka shkruar derisa ka qenë punonjës në pompa të benzinës, shitës i thjeshtë etj. Nuk ka pasur besim në tregimet e tij dhe ato gjithherë, në jetën e tij, së paku derisa nuk është bërë i njohur, kanë qenë më shumë pengesë sesa ndonjë arritje.

Raymond Carver ka qenë alkoolik dhe të shumtën e jetës së tij e ka pasur të ndarë ndërmjet të qenët në rehabilitim dhe jashtë tij. Një pre përmbledhjeve të tij më të njohura është pikërisht ajo e titullit të këtij shkrimi e që është “Where I’m Calling From” (Prej nga po thërras). Vetëm ky titull është një prej fjalive/thurjeve më të bukura të letërsisë. Kjo është shprehje tipike e alkoolikut i cili ka humbur veten dhe thërret për të gjetur veten ku është. Tërë kjo përmbledhje e tij përmban tregime nga historitë e tij dhe të kolegëve në lidhje me alkoolin dhe atë që qëndron prapa pijes së tyre vetëvrasëse.

Raymond Carver është sigurisht një prej shkrimtarëve më fatkëqij në jetën e tij. Ai, përpos që ka arritur të njihet për vlerën asaj që shkruante vetëm pak para vdekjes, po ashtu ka pasur edhe një shkurorëzim nga gruaja e tij me të cilën ishte martuar dhe kishte kaluar të gjitha tragjeditë e jetës së tij. Mirëpo tragjedi më e madhe e tij ka qenë lidhja e tij me redaktuesin e njohur, Gordon Lish. Në të shumtën e tregimeve të Raymond Carver dallohet një mizori e autorit dhe njëlloj ligësie e përmbajtur në personazhet dhe fatet e tyre. Vetëm para disa viteve është zbuluar se e shumta e tregimeve të Raymond Carver në origjinal kanë pasur një natyrë paksa më të ndryshme, dhe posaçërisht më njerëzore dhe më të butë.

Siç është zbuluar nga korrespodenca e Raymond Carver me redaktuesin e tij, Gordon Lish, tregimet e tij kanë qenë të ndryshuara në masë të madhe nga insistimi i redaktuesit, dhe posaçërisht me insistimin e Gordon Lish për natyrën e ligë dhe mizore që përmbajnë sot këto tregime. Siç u tha më herët Raymond Carver ka qenë tejet i pasigurt në veprat e tij, dhe këtë po ashtu e kanë ndihmuar edhe gjendja e tij prej alkooliku dhe të qenët anonim. Pikërisht kjo ka ndihmuar që ky redaktues, për disa gjenial e për disa të tjerë çnjerëzor, të ndërhyjë në tregimet e Carver dhe gati se t’i shndërroj ato në diçka tjetër. Para disa viteve, me zbulimin e këtij raporti të Carver me Gordon Lish redaktorin, kishte nxitur një prej debateve më të mëdha në SHBA dhe në të universin e letërsisë botërore. Kjo sigurisht është një prej marrëdhënieve më të rënda në tërë historinë e letërsisë.

Në Librin Beginners të botuar pas skandalit të këtij raporti të Carver me Lish, janë paraqitur tregimet e Raymond Carver ashtu si është dashur të jenë. Për shumë njerëz ato janë më të bukura, dhe për të tjerë janë më të dobëta. Por ajo që vërehet në këto tregime, pavarësisht, si dobësi apo vlerë, është pasiguria e shkrimtarit në atë që do të thotë, aftësia e njeriut të traumatizuar për të gjetur të mirën dhe të bukurën edhe në dhembjet më të mëdha, dhe gjithashtu edhe një romantizëm i pashërueshëm i tij. Tregimet e Raymond Carver, të shkruara prej viteve shtatëdhjetë e deri në fund të viteve tetëdhjetë, janë në shumicën dërmuese të rasteve fragmente rrënjësisht domethënëse në jetën e tij reale.

Në një prej tyre përshkruan me lirizmin dhe me vërtetësinë më të madhe pasigurinë e jetëve të tij dhe të partneres së tij, të martuar derisa ende janë studentë. Në një nga përmbledhjet e më vonshme të tregimeve të tij ka një tregim ku përshkruan momentin kur ai takohet për herë të parë me gruan (me po të njëjtën me të cilën kishte qenë i martuar si student) e shkurorëzuar. Ky tregim, megjithëse pa ndonjë strukturë komplekse apo edhe të lartë është një prej tregimeve monumentale të fajësisë së burrit para gruas së tij.

Pra e tërë vepra e tij ka qenë e inspiruar nga detajet e jetës së tij të përditshme dhe në momentet më të fshehta të jetës së tij.
Sigurisht tregimi i tij më i njohur (i përkthyer edhe në shqip) mbetet “Katedralja”. Në këtë tregim disi krejtësisht në pole të përkundërta gjatë takimit të parë, zhvillohet dhe arrihet njëlloj unisimi shpirtëror ndërmjet një të verbëri dhe personazhit narrator, që gjithsesi është Carver. Personalisht mendoj se një prej tregimeve më të bukura dhe më tipike të Carver është tregimi “Why Don’t You Dance” (Përse nuk vallëzon?).

Është tregimi që shpërfaq më së miri minimalizmin e tregimeve të Carver-it, dhe në të njëjtën kohë e kap një moment rrënjësisht të rëndësishëm të një personazhi. Dhe mbi të gjitha e trajton në një aspekt krejtësisht të çuditshëm apo edhe të prerë nga tërësia për të zbuluar, pa fjalë por vetëm me asocimin e asaj që ndodh në tregim, realitetin e tërësishëm. Shumë shkrimtarë të njohur botërorë janë inspiruar dhe inspirohen nga Carver, ndër ta është edhe shkrimtari japonez, Haruki Murakami, i cili edhe ka disa tregime të tij të përngjasuara me ato të Carver. Një prej tyre është edhe tregimi shumë i suksesshëm i Murakamit “Attack On The Bakery” (Sulmi në furrë të bukës) i cili është bazuar në tregimin “An Errand” (një detyrë) të Raymon Carver.
Ballsor Hoxha

Pushteti në Kosovë- nënshtrues ndaj Serbisë, fyes ndaj qytetarëve

0

Agron Halitaj

Nuk është hera e parë që Serbia i organizon zgjedhjet në Kosovë dhe që autoritetet shtetërore vendëse përpiqen t’i bëjnë makijazh agresionit sistematik nga shteti fqinj.

Është e qartë se nuk ka shembull tjetër në botë kur një shtet i mban zgjedhjet e brendshme parlamentare dhe i hap qendrat e votimit në shtetin tjetër.

Padyshim, në Serbi nga ky prizëm nuk shihet mbajtja e zgjedhjeve në Kosovë, për faktin se këtë vend me Kushtetutë e konsideron si pjesë integrale të saj. Por, në Kosovë nuk mund të shihet me të njëjtën optikë ky proces, pasi janë bërë më shumë se tetë vjet qëkur është shpallur pavarësia.

Nga këto pozicione, zgjedhjet serbenë një formë përcaktojnë fuqinë mes palëve. Më konkretisht: dominimin e palës serbe kundrejt asaj kosovare.

Të pafuqishëm për t’i ndaluar zgjedhjet e huaja brenda shtetit, udhëheqësit kosovarë vazhdimisht e shfrytëzojnë kartën e dyshtetësisë si arsyetimin e vetëm për njohjen e së drejtës së qytetarëve serbë për t’i votuar përfaqësuesit në Parlamentin e Serbisë.

S’do të kishte asgjë të keqe sikur kjo kartë të përdorej siç e përdorin të gjitha shtetet tjera, përfshirë vet Serbinë.

Por, kjo nuk po ndodh!.

Autoritetet në Kosovë do duhej të merrnin përgjigje nga Serbia, pse ajo nuk lejon që të hapen qendrat e votimit kur mbahen zgjedhjet në Kosovë, qoftë për serbët e qoftë për shqiptarët që jetojnë atje e që kanë dokumente të Kosovës?

Jemi dëshmitarë se në zgjedhjet e fundit në Kosovë, të vitit 2014, Serbia e ka lejuar vetëm votimin elektronik për serbët që kanë jetuar jashtë Kosovës, për sa kohë që për të tjerët që kanë qenë rezidentë në vendin ku janë organizuar zgjedhjet, i ka këshilluar të mos i mbushin fletëvotimet nëse stema e Republikës së Kosovës nuk është mbuluar me letër-ngjitës.

Serbia duhet pyetur se pse nuk e lejon as Hungarinë që t’i hap kutit e votimit në Vojvodinë, aty ku jetojnë një numër i konsiderueshëm i banorëve me përkatësi hungareze?

Dhe, për t’i përmbledhur praktikat e mundshme, autoritetet vendëse duhet t’i bëjnë pyetje vetes: Pse nuk e lejojmë Shqipërinë që t’i hap kutitë e votimit në Kosovë kur i mban zgjedhjet e saj.

Përgjigja në të gjitha rastet është e nënkuptueshme: secili shtet i organizon zgjedhjet brenda territorit të vet.

Në rastin e Kosovës, pala vendëse le që është treguar e pafuqishme që ta ruajë rendin e saj kushtetues, por nuk ka qenë në gjendje që ta bind as Brukselin për t’i bërë trysni Serbisë që të heq dorë nga ndërhyrja në shtetin tjetër.

Mjafton t’i hidhet një sy faqes zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Serbi dhe aty shihet qartë harta e Serbisë së Madhe, me Kosovën brenda, të papërkufizuar fare as me kufij administrativë e as shtetëror.

Është e papranueshme, për të mos thënë ofenduese, të shpërfillet tërësisht një zhvillim i tillë e të mos dilet me ndonjë qëndrim, siç po bënë presidenti i ri, Hashim Thaçi.

Një president nuk mund të sillet sikur nuk po ndodhë asgjë, derisa vendit të tij i cenohet sovraniteti.

Ndryshe prej tij, gjithnjë nga pozita e të nënshtruarve kundrejt Serbisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, me ose pavetëdije e fyeu popullin e tij. Tha se në Kosovë nuk ka zgjedhje klasike të Serbisë, porse ka vetëm grumbullim të votave.

E çka tjetër na qenkan qendrat e votimit, pos grumbullim votash!?

Secila pikë votimi, brenda një qendre votimi, në esencë është pikë e grumbullimit të votave. Secili e di këtë!.

Dallimi i vetëm është se këto vota që grumbullohen për Parlamentin e Serbisë dërgohen për t’u numëruarnë Vranjë e Rashkë, ndërsa ato që grumbullohen kur mbahen zgjedhjet parlamentare në Kosovë – dërgohen për t’u numëruar në Fushë Kosovë.

Prandaj, ofendim nuk është vetëm ta krahasosh dikë me kafshët, por edhe kur ia fyen inteligjencën.

Kryeministri së paku është dashur ta qartësojë pozicionin e anëtarëve të kabinetit të tij, të cilët haptas i kanë shoqëruar zyrtarët e Serbisë nëpër Kosovë, e të cilët s’kanë reshtur së thirruri se “Kosova është Serbi”.

Vetëm në një Qeveri si kjo e jona mund të ndodh që një ministër merr një vendim e atë e shpërfillin ministrat e tjerë. Rasti konkret ishte kur u.d i ministrit të Jashtëm, Petrit Selimi, ia ndaloi hyrjen në Kosovë drejtorit të Zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, e zëvendëskryeministri, BranimirStojanoviq, e shoqëroi “të ndaluarin” gjatë fushatës që ai bënte në Kosovë. Dhe, për t’i dhënë “të ndaluarit” mbështetje edhe më të madhe, Stojanoviqi e mori me vete edhe ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, LjubomirMariq. Të dy këta – Stojanoviqi dhe Mariqi- i treguan si kryeministrit dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës se vendimet e tyre nuk vlejnë për ta. Se, të dy bashkë, edhe pse janë në kabinetin e kryeministrit të Kosovës, lobojnë për fitoren e kryeministrit të Serbisë.

Heshtja, në të tilla raste, s’është tjetër pos konfirmim i pafuqisë për të vënë rregull – jo vetëm në nivel vendi, por edhe brenda kabinetit të vet.

Me këtë qasje defansive e nënshtruese, s’mund të pretendohet që Serbia një ditë do të heq dorë nga ambiciet për Kosovën dhe do të pranojë normalizim marrëdhëniesh mes shteteve të pavarura. Me këtë qasje nuk mund të pritet as integrim i qytetarëve serbë në jetën politike e shoqërore në Kosovë, sikundër që nuk mund të pritet që Kushtetuta e Kosovës të gjejë zbatim në tërë hapësirën shtetërore.

E, nëse vazhdon qasja nënshtruese ndaj Serbisë, të paktën duhet të mënjanohen fyerjet ndaj qytetarëve të Kosovës!

VV akuza të rënda ndaj Isa Mustafës

0

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një komunikate për media,ka reaguar për organizimin e zgjedhjeve parlamentare të Serbisë edhe në Kosovë.

Sipas Vetëvendosjes, Serbia me këto zgjedhje po rikonfirmon praninë e saj në Kosovë, dhe njëkohësisht në praktikë po jetëson qëndrimin e saj se Kosova është pjesë e Serbisë.

“Nuk ka dyshim që zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, duke qenë në përputhje me Kushtetutën e Serbisë, janë në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Në bazë të Kushtetutës, Republika e Kosovës është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, dhe i pandashëm.”

“Zgjedhjet e vetme që mund të mbahen në territorin e Republikës së Kosovës janë zgjedhjet për institucionet qendrore apo lokale të Republikës së Kosovës”, thuhet në një njoftim dërguar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se Qeveria e Kosovës ka dështuar t’i kryejë detyrat e veta shtetërore, derisa ka lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe në Kosovë

Artan Abrashi dërgohet në Lipjan

0

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi është dërguar në paraburgim prej 48 orësh në Lipjan.

Këtë e ka konfirmuar Arër Rexhaj i VV-së në Prizren.

“Artan A. Abrashi është në Lipjan në paraburgim prej 48 orësh”, ka konfirmuar Rexhaj,shkruan PrizrenPress.

“Më pastaj për të do të vendos ky regjim”.

“Faji i vetëm i Artanit është pse është aktivist politik dhe se cdo ditë në konsistencë punon për të mirën publike”.

“Prandaj, ky regjim e ka futur në burg tash e sa herë vetëm se paska marrë pjesë në një protestë”, ka thënë Rexhaj.

Anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, është arrestuar dje në pikën kufitare në Vërmicë./PrizrenPress.com/