Home Blog Page 6655

Limaj: NISMA nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik

0

Ne nuk kemi vënë vija të kuqe me askënd. Ajo çka neve na bashkon është vizioni, programi objektiv për ta ndryshuar gjendjen. Kushdo që është rreth kësaj, te ne mund të gjejë një bashkëpunëtor. Kështu ka thënë Fatmir Limaj, kryetari i partisë Nisma për Kosovën, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kur është pyetur se a ka Nisma vija të kuqe për koalicion me ndonjë subjekt politik në rast se shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Radio Evropa e Lirë: Zotëri Limaj, pas shume aktiviteteve të përbashkëta, tri partitë opozitare, kohët e fundit janë duke funksionuar ndaras. Ku qëndrojnë mospajtimet që çuan deri të kjo çarje?

Fatmir Limaj: Unë, nuk kisha me thënë mospajtime. Siç e dini, partitë opozitare janë bashkuar për dy çështje thelbësore; çështjen e marrëveshjes së Brukselit dhe demarkacionit. Dhe, jemi zotuar dhe do të bashkëveprojmë dhe bashkërendojmë veprimet në parlament dhe jashtë parlamentit, me qëllim të ndalimit të këtyre marrëveshjeve. Ne kemi qëndruar bashkë në veprimet dhe angazhimet tona opozitare kundër këtyre dy marrëveshjeve deri më tani dhe unë besoj se vazhdojmë të qëndrojmë bashkë kundër këtyre dy marrëveshjeve ende.

Ndërsa, në zhvillim e sipër erdhi një moment ku ishte edhe kërkesë e jashtme që bashkëpunimi ynë të thellohet dhe të shkohet një hap më tutje drejt ndërtimit të një mekanizmi të përbashkët edhe në objektiva për të shkuar në zgjedhje me listë të përbashkët. Dhe, këtu pastaj, kemi qenë dhe jemi në bisedime dhe në këto çështje kemi dallimet tona, të cilat ende duhet të diskutohen.

Radio Evropa e Lirë: Aktualisht vërehet një koordinim më i madh i partisë Nisma me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. A nënkupton kjo që problemi qëndron tek Lëvizja Vetëvendosje?

Fatmir Limaj: Ju e dini, Vetëvendosja është një parti më e madhe. Ka një program shumë më ndryshe se ne dhe natyrisht që partisë më të madhe i takon që të jetë më fleksibile, sa më përbashkuese, ndërsa Nisma dhe Aleanca edhe ashtu nuk kanë shumë dallime, përveç faktit që të dy partitë politike kanë një profil tjetër nga Vetëvendosja.

Përkundër dallimeve, kemi vazhduar dhe qëndruar bashkë në kundërshtimin e atyre dy marrëveshjeve dhe jam i bindur se kështu do të qëndrojmë në kundërshtimin e tyre. Ajo çka unë mund të them është se vendi ka nevojë për një rirreshtim politik. Vendi ka nevojë për një alternativë të fuqishme dhe besoj se shumë shpejt do të ketë një alternativë të fuqishme përballë këtij regjimi.

Radio Evropa e Lirë: Në çka nuk është fleksibile dhe bashkëpunuese Lëvizja Vetëvendosje?

Fatmir Limaj: Thënë të drejtën, ne nuk kemi hyrë në detaje për faktin që disa gjëra tashmë kanë dalë në publik, rreth ndarjes rreth pjesëmarrjes nesër në një listë të përbashkët. Këtu ndoshta kanë qenë fërkimet e para, ose mospajtimet e para mes Vetëvendosjes dhe Aleancës, ndërsa për programe besoj se edhe aty do të kishte [dallime], por nuk jemi futur në detaje.

Radio Evropa e Lirë: A ka mbetur kërkesa për zgjedhje të parakohshme e vetmja që aktualisht po e bashkon opozitën?

Fatmir Limaj: Jo, janë ato tri kërkesa; ato dy që i përmenda më parë, dhe kërkesa për dorëheqje ka ardhur si rezultat i këtyre dy kërkesave të tjera, dhe vazhdon të jetë si kërkesë e përbashkët e gjithë opozitës. Opozita besoj se në këto drejtime do të veprojë e bashkuar. Ajo që duhet ta kemi të qartë të gjithë është se ne nuk jemi një parti politike, ne jemi parti të ndryshme dhe ndoshta bashkëpunimi shumë i thellë konstruktiv dhe i fuqishme që ka qenë për këta muaj ka krijuar përshtypjen se ne jemi një parti politike, por, në fakt, ne nuk jemi një parti politike.

Ne jemi tri subjekte të ndryshme të bashkuara rreth këtyre kërkesave. Për herë të parë ka ndodhur në Kosovë që opozita të bashkohet dhe të koordinojë aktivitetet dhe kjo ka krijuar përshtypjen sikur këta janë bashkuar për çdo gjë, por ne nuk jemi një parti politike. Jemi tri parti me programe dhe vizione të ndryshme.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, te partitë opozitare po shihen këto mospajtime. Sa mund të jetë e pritshme që një pjesë e opozitës, përfshirë edhe Nismën, të merrni oferta nga partitë në pushtet për ndonjë koalicion?

Fatmir Limaj: Jo, jo, nuk mendoj se është zgjidhja. Zgjidhja është vetëm te zgjedhjet e lira. Nuk besoj se asnjëra nga partitë politike opozitare do të pranonte një gjë të tillë, të paktën Nisma jo, atë ju siguroj, sepse ne besojmë se dalja nga kjo krizë e thellë janë zgjedhjet e parakohshme dhe jam i bindur që kështu mendojnë edhe dy partitë e tjera politike opozitare.

Radio Evropa e Lirë: Një pyetje hipotetike – Nëse shpallen zgjedhjet e parakohshme, a ka Nisma vija të kuqe për ndonjë parti politike, sidomos në raport me partitë në pushtet?

Fatmir Limaj: E rëndësishme është që Nisma për Kosovën po fuqizohet. Indikatorët na tregojnë në terren se ne po fuqizohemi dhe është dyfishuar numri, dhe si alternativë po pranohet dhe po respektohet qëndrimi i saj që e ka mbajtur tash e dy vjet, si në parlament apo jashtë tij. Po shihet si një parti politike e cila e mban fjalën, u qëndron marrëveshjeve, është konstruktive dhe u qëndron besnik votuesve të vet për ndryshime dhe kjo është reflektuar anekënd Kosovës dhe këtë jemi duke e parë në çdo qytete të Kosovës.

Ne nuk kemi vënë vija të kuqe me askënd. Ajo çka neve na bashkon është vizioni, programi objektiv për ta ndryshuar gjendjen. Kushdo që është rreth kësaj, te ne mund të gjejë një bashkëpunëtor.

Policia në Prizren me plan operativ ndaj lypësve

0

Ditët e fundit është vërejtur prania më e madhe e lëmoshëkërkuesve nëpër rrugët e Prizrenit, e posaçërisht në qendër të qytetit.

Largimi i lëmoshëkërkuesve të shumtë nga rrugët e qytetit të Prizrenit në prag të sezonës turitike, është një dukuri e cila ka vënë para një sfidë të madhe në radhë të parë policinë.

Drejtuesit e policisë, sërish paralajmërojnë plan operativ për largimin e tyre nga rrugët e Prizrenit. Aksionet për largimin e lëmoshëkërkuesve janë ndërmarrë disa herë nga policia, por pas deportimit në kufirin ndërshqiptar pasi që numri më i madh i tyre është nga Shqipëria, ata janë kthyer pa asnjë problem “në vendin e tyre të punës” në “Shatërvan”, ku ata janë të koncentruar më së shumti dhe me me mjaft “perfeksion” ata ushtrojnë profesionin e tyre të majmë.

Drejtori i policisë rajonale në Prizren, Nexhmi Krasniqi, tha se për këtë çështje është duke u diskutuar edhe me autoritetet e shtetit shqiptar, që kjo dukuri të minimizohet në prag të sezonës turistike kur Prizreni vizitohet në numër të madh nga turistë të huaj.

Krasniqi thotë se kërkimi i lëmoshës në rrugë dirigjohet nga grupe kriminale, për të cilat jemi në dijeni.

“Gjatë tre muajve të fundit janë deportuar për në Republikën e Shqipërisë 38 lëmoshëkërkues, por për shkak të mungesës së dokumentacionit personal rreth identitetit të tyre, po na shkaktohen shumë telashe për largimin e tyre përmes rrugëve ligjore”, tha kryepolici i Prizreni.

“Së shpejti pas hartimit të një plani operativ, numrin e lëmoshëkërkuesve nga rrugët e Prizrenit do të zvogëlojmë dukshëm”, u zotua drejtori Krasniqi.

Ndryshe, para pak kohësh edhe kryetari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ka apeluar tek organet kompetente angazhime konkrete në largimin e lëmoshëkërkuesve nga rrugët e Prizrenit, të cilët dita ditës vetëm sa po shtohen, sikurse edhe numri i vizitorëve që po i’a mësyjnë Prizrenit. /TV Prizreni/

19-vjeçarja shtypet nga treni

0

Një vajzë 19-vjeçare ka humbur jetën në Kinë pasi është shtypur nga treni. E reja u godit nga treni teksa ajo po shkrepte një fotografi.

Ngjarja ka ndodhur në provincën Foshan.

Vajza tentoi të shrekpte një selfie teksa treni afrohej me shpejtësi, por nuk arriti dot të largohej në momentin e duhur, duke u goditur nga treni për vdekje.

Fotot janë fiksuar nga një kaimtar i rastit i cili ishte dëshmitar okular i ngjarjes tragjike.

Gra që shiten dhe vriten

0

Nga Rudina Xhunga

Në një fotografi të vjetër bardhezi, pashë një grup grash gjysmë të veshura në det. Fotoja është shkrepur në Durrës. Mungon viti, pas saj. Më pas, mësova kush ishin ato gra. Ishin gra të veriut, të cilat, partia komuniste i merrte në besë nga familjet e tyre, prej nga një grua dilte ose e vdekur, ose e martuar.

Ato ishin zgjedhur në çdo shtëpi veriu, për t’u mbledhur në Durrës. Aty, gratë i futën për herë të parë në det.

Ato nuk kishin parë kurrë det më parë.

Fotoja është shkrepur pikërisht në atë moment lumturie bllokuese.

Më treguan, çfarë ndodhi mandej. Gratë u mblodhën në një sallë të madhe dhe gra të tjera nga qyteti, ju mësuan ca gjëra për higjienën personale, për menstruacionet, për shëndetin e gruas, për larjen e fëmijëve, ca gjëra të thjeshta, por që ato i linin gojëhapur. Nuk i kishin dëgjuar kurrë më parë. Të nesërmen, gratë u nisën për në shtëpitë e tyre, me premtimin se grua pas gruaje, do të kalonin mësimet që morën.

Nuk e di, por e marr me mend; gjëja e parë që gratë u treguan shoqeve, kur u kthyen në kulla, ishte deti. Takimi i parë me detin, që ju ndryshoi jetën.

Kur takova për herë të parë atë gruan 29-vjeçare, nënën e një fëmije 10 vjeç, që ishte veshur me të zeza për të dashurin dhe më pyeste, a mund t’ia merrnin të bijën, meqë kishte dashur burrin e një gruaje tjetër, atë burrë të martuar që e vranë, m’u kujtua deti.

Edhe M. ishte nga veriu. Nga një fshat i harruar, ku kishte mbetur vetëm ajo dhe burri që mori. Bëri një vajzë dhe pastaj i iku burrit dhe fshatit. Bashkë me të bijën 5 vjeç, në Tiranë, në mes të hiçit dhe të panjohurës.

Për pesë vjet ishte e dashura e një burri që e mbante. Më blinte ushqime, më tha. Më paguante qiranë e shtëpisë. Dhe pastaj vajza luante te shkallët, kur ai vinte. Ajo nuk e dinte përkufizimin se çfarë quhej kjo mënyrë jetese, madje as i interesonte të përkufizohej. Mjaftonte që ushqente vajzën dhe i gëzohej tek e vogla rritej.

Për mua, M. ishte skllave seksi. Pa punë, pa shtëpi, pa jetë, në pritje që ai të vinte, rrinte në ballkon. Në ballkon kishte ndodhur pjesa më e madhe e jetës së saj. Duke pritur që ai të vinte.

Gratë si M. janë normalitet tani, në Shqipëri. Kush më e vogël, kush më e re, kush më e pashkolluar, kush më e zgjuar, ato dinë të jetojnë vetëm në këtë mënyrë. Kjo është drama më e madhe e grave të Shqipërisë tjetër, shiten për të jetuar, për të dalë nga fshati, për të parë detin.

Por tani deti për to, nuk është si dikur.

Deti janë vajzat e lira të showbizit të shtirë, shqiptar. Deti janë revistat me gra që flasin për gjëra të pakapshme, për jetë të bukura dhe madhështore. Deti janë telenovelat turke.

Gratë si M. nuk kanë shembuj, nuk kanë informacion, nuk kanë shans të dalin nga bataku.

Ne të medias, kthejmë sytë nga to, vetëm kur vriten, ose vrasin. Nëse ende jetojnë, sido që jetojnë, nuk janë lajm.

Kur dola nga shtëpia e asaj gruaje, që shkova ta intervistoj, e përfundova ta ngushëlloj, nuk kisha asnjë kënaqësi që të jep lajmi, kur ti e gjen e para.

Sapo e hodha atë intervistë, e morën të gjithë, çdo portal, çdo gazetë, e rrëmbyen, e bënë të vetën dhe të nesërmen e harruan. Se të nesërmen vranë Idën.

Idën, që bëri foton e fundit me dorën mbi kokën e së voglës dhe sytë nga djali. Ai 6-vjeçari që bërtiste atë ditë, “babi mos, babi jo”, kur i ati po e ndante njëherë e përgjithmonë nga e ëma. E patë kur doli nga shtëpia, me duart në një përqafim. Ia patë sytë bosh? Duhet t’ia keni parë, keni qarë dhe pastaj psherëtirë e harruar. Se nesër, ka ardhur një tjetër lajm.

Ky vend po prodhon aq shumë fatkeqësi, sa ne nuk kemi kohë të mendojmë gjatë për to. I shkruajmë dhe i harrojmë.

Duke kërkuar lajmin tjetër dhe duke harruar se lajmi tjetër mund të jesh ti.

Adem Demaçi shpallet Doctor Honoris Causa!

0

Universiteti i Tetovës (UT) ka vendosur që të shpallë veprimtarin Adem Demaçi, Doctor Honoris Causa, njofton Telegrafi.

Kjo bëhet e ditur nga pllakati i ngjitur në rrugën afër UT-së, nga i cili mësohet se Akademia solemne me këtë rast do të mbahet më 4 maj të këtij viti, në amfiteatrin e Rektoratit të UT-së.

Vargjet pa pikë të Eljan Taninit, tashmë në një libër

0

Fjalitë me gurë lumi

Në fillim ka një dedikim personal që hapet mes cepit të tij në bar “Hemingway” dhe një emri me gjashtë shkronja. Kjo e fundit njihet rrugës, ku shpesh mungon, ikën, por edhe sheh sa afër dhe larg. Botimi i Taninit “Pa pik’”, nuk ka shenja pikësimi, si presja apo pikat në fund të fjalive. Presjet janë hequr për të dhënë një muzikalitet tjetër, ashtu siç i lexon vetë autori. Ndërsa pikat në fund të fjalive, janë mbyllja e çasteve njerëzore. Ky libër, që është një poezi e gjatë, mbase mund të jetë edhe një poemë që ndalet me titullin kryesor vetëm në kopertinë. Mbase pikat janë mbledhur dhe qëndrojnë vetëm në titullin e librit, sepse poezia dhe fjalët që vendos autori janë liri stinësh.

Prej sa kohësh është shkruar “Pa pik’”?

Rreth shtatë vjet, pasi mbylla botimin e parë me revoltën adoleshenciale “Tregu i zeros”. E kam menduar si një letër të gjatë dashurie, të cilën nuk e nisa dot kurrë, me pjesëza nga orët e mia personale. Nuk ka pika në fund të fjalive, sepse ato e hedhin-kyçin komunikimin duke e lënë atje. Pikat në fund të fjalive janë guralecë aq të vegjël, sa rëndojnë tepër. Në fillim duken si vargje të shkruara pa lidhje me njëra-tjetrin, pa këto mbikalimet klasike, vajzërore dhe romantike. Fjalët janë të shoqëruara me skica që bërtasin thjesht duke kërkuar të lexohen me një muzikalitet të ngadaltë. Muzikën e fjalive e kupton vetëm nëse e lexon librin me zhurmat e tua personale. Në fund të ditës, edhe nëse ka filluar nata, jeta që kam shkruar nuk ka nevojë për pika dhe presje.

Pse u mendua në këtë mënyrë?

Arian Leka më ka mësuar si botohet një libër i mirë, duke e krahasuar me fëmijët që bëhen vetëm një herë në jetë. Kjo letër cepash dashurie, por edhe urbane njëherësh, ka shkrime me dorë. Ato regjistrojnë rëndësinë e ditëve kur janë shkruar. Libri nuk mund të ketë vetëm shkronja, fjalë, parfume orësh të shtypura në letër, por mund të shihet edhe si një vepër arti që mbetet gjatë. Çdo kopje e botuar nuk i ngjan njërës dhe tjetrës, sepse edhe rrënjët e kaosit janë të tilla. Në hapje të tij, unë kam vizatuar nga një dedikim personal për çdo lexues. Kjo është e ndryshme, nuk e gjen njësoj në çdo kopje.

Si lexohet “Pa pik’”?

Qetë, vetëm, duke ikur në fund të shiut, te lamtumirat, poshtë luleve pa vazo, me këngët e kumurive, me fëmijët këtij qyteti që luajnë në fole dallëndyshesh, me pasionin e rutinës, madje edhe me ëndrrat kur shohin ëndrra, me kohët kur realiteti është i njëjtë me fantazinë, me heshtjen mëkatare, me lumturinë në sytë e gjysheve që janë peshq akuariumi, duke e harruar tjetrin, por jo memorien kolektive (kujtesa e përbashkët. Kështu, nis të çlodhesh edhe kur lexon skicat e “Pa pik’”. Faqeve të librit i janë hequr numrat, sepse nuk më pëlqen të numëroj dhe as të mbaj të dhëna. Pasqyra e lëndës është vetë i gjithë botimi “Pa pik’”. Ashtu janë edhe letrat e hapërdara ku kam mbajtur shënimet, kështu jam edhe unë.

Nuk është e thënë të ketë gjithmonë një botim. Pse u botua tani ky libër?

Letrat i kam mbajtur për një kohë të gjatë, ato tani e mbyllën ciklin e tyre. Të paktën ndodhi para protestave për parkun e liqenit dhe ditëve me shumë miq që tani janë bërë armiq betoni. Madje ka tinguj nga parku dhe pemët, për më të thjeshtat që nuk na e bëjnë me sy, për fatet e lira që e lumturojnë një qytezë tiranësh vetëm kur çelin gjethet e pemëve prej Tirane. Pikat tona që ne i vendosim në fund të fjalive gjatë jetës bëhen gurë lumenjsh, po t’i mbledh të gjitha pikat që unë kam vendosur, me to do të krijoj një ishull. Ndërsa skicat janë shkëputje nga fëmijëria ose një i rritur që kërkon të jetë ende i vogël.

Pesë të lënduar në aksident trafiku në Suharekë

0

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka bërë të ditur se në një aksident trafiku që ka ndodhur dje në Suharekë kanë pësuar lëndime pesë persona.

Aksidenti ka ndodhur në fshatin Greikoc. Deri te aksidenti ka ardhur pasi vozitësi kishte humbur kontrollin mbi veturën dhe ka dalë jashtë rrugës, për t’u përplasur në një mbrojtëse betoni.

“Si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar pesë persona, të cilët janë dërguar për trajtim të nevojshëm mjekësor”, ka thënë PK-ja.

Fshatrat e ‘Xhihadit’ në Shqipëri

0

Tre vjet pasi dhjetëra të rinj nga fshatrat e Pogradecit morën rrugën drejt Sirisë për te ISIS Al-Nusra, banorët nuk kanë akoma një përgjigje se si radikalizmi islamik u pleks me fatin e tyre.

Ervis Alinj dhe Bledar Hamza u rritën së bashku në fshatin Leshnicë të Pogradecit dhe ikën të dy në Perëndim, para se rrugët e tyre të bashkoheshin në një udhëtim pa kthim drejt Sirisë. I pari, bir i një gërmuesi pusesh emigroi herët në Greqi, ndërsa shoku i tij i fëmijërisë iku bashkë me familjen në Itali.

Më 28 janar 2013, dy djemtë rreth të 25-ave u takuan në Tiranë dhe vendosën të bëheshin ushtarë të Kalifatit pa lajmëruar askënd. Emrat e Ervis Alinj dhe Bledar Hamzës gjenden sot në listën e xhihadistëve shqiptarë, të cilët dyshohet se u vranë në Siri.

Tre vjet më pas, Hamdi Alinj- burrë i kërrusur, por me duar të fuqishme refuzon të mendojë se i biri ka vdekur. Që prej kohës së zhdukjes së Ervisit, ai ka dëgjuar aq shumë versione, sa në fund e ka ndarë mendjen të besojë se kushedi për ç’hall, i biri ka vendosur të qëndrojë në hije, larg familjes.

“Kam vite që nuk e kam parë, por shpirti ma thotë se është ende gjallë,” pohon ai, ndërsa sytë i shndrijnë nga një fije shprese që s’di ku të kapet.

Zhdukja në moshën 25 vjeçare e Ervis Alinj ndodhi pas një transformimi 3-vjeçar në frymëzimin e një linje të re të islamit, të cilën prindërit e tij nuk e kuptojnë. Hamdi Alinj i tha BIRN se i biri ishte një djalë i qetë, jetonte mes Shqipërisë dhe Greqisë, shkonte shpesh në xhami dhe refuzonte të hante mish të blerë në dyqan. Por nuk rriti mjekër.

Ervis Alinj u largua nga shtëpia pa i thënë askujt se ç’kishte në plan të bënte. Gjatë hetimit të saj, Prokuroria ka zbuluar se ai udhëtoi nga Tirana në Stamboll së bashku me Bledar Hamzën dhe tre djem të tjerë.

Në shtëpinë e ndërtuar prej tij në Leshnicë, prindërit kujtojnë se ai i mori tre herë në telefon gjatë shkurtit dhe marsit 2013 dhe më pas u zhduk pa gjurmë. Thoshte se ishte në Gjermani-por prindërit dyshonin Sirinë si destinacionin e tij.

Derisa një telefonatë anonime i lajmëroi se kishte vdekur.

Fshati Leshnicë, rreth 15 kilometra larg qytetit të Pogradecit është njëra prej tre vatrave të mëdha të rekrutimit të xhihadistëve të rinj në Shqipëri. Bashkë me dy fshatrat fqinje-Rrëmenj dhe Zagorçan, ai ka eksportuar drejt Sirisë 24 banorë të saj, mes të cilëve gra dhe fëmijë.

Xhamia e Leshnicës- godina më e lartë në zonë me minarenë që dallon nga çdo pikë e fshatit është shënjestruar për radikalizimin e të rinjve të fshatit dhe për frymëzimin e tyre për të shkuar në Siri. Megjithatë, tre vjet pas valës së madhe të largimeve, banorët nuk kanë ende një përgjigje se si feja u kthye në një lojë të rrezikshme për fatin e tyre, duke pleksur një fshat të harruar si Leshnica me konfliktin më të madh global, që vazhdon prej katër vitesh të shkaktojë qindra-mijëra viktima.

Lajmërime vdekjesh pas radikalizimit

Fshatrat Leshnicë, Zargoçan dhe Rrëmenj, të cilët shtrihen në formën e një trekëndëshi përgjatë rrugës Pogradec-Korçë në juglindje të vendit kanë një nivel të lartë papunësie, ndërkohë që burrat dhe djemtë mbajnë tradicionalisht familjet përmes punës së vështirë sezonale në Greqi.

Por Hamdi Alinj refuzon ta lidhë largimin e të birit drejt Sirisë me varfërinë. Ai drejton gishtin ndaj Almir Dacit-imamit të xhamisë së fshatit të tyre dhe miqve të tij në Tiranë, për të cilët pretendon se e kanë mashtruar të birin.

Një mendim i ngjashëm ka zënë rrënjë në të tre fshatrat e prekura, ku gjatë tre viteve të fundit kanë mbërritur tre lajmërime vdekjesh. I katërti dyshohet se është Almir Daci, ish-imami i xhamisë së Leshnicës, i cili u raportua i vdekur nga familjarët e tij të dielën e 3 prillit.

Ai akuzohet gjithashtu, sipas një procedimi penal të Prokurorisë së Krimeve të Rënda për radikalizimin e dhjetëra të rinjve të zonës dhe rekrutimin e tyre për llogari të ISIS, si dhe për pjesëmarrje në konflikte të armatosura.

Prindërit e Dacit, të cilët kanë hapur së fundi dyert e mortit i thanë BIRN në fund të marsit se djali i tyre “nuk ishte ndryshe nga të tjerët”.

“Është i varfër, njësoj si të tjerët këtu,” tha nëna e tij e imët dhe me fytyrë të zbehtë.

Familjarët e Almir Dacit, i cili po gjykohej në mungesë në Gjykatën e Krimeve të Rënda në Tiranë thanë për mediat se i kishte telefonuar gruaja e Dacit nga Siria për t’u dhënë lajmin e keq.

Lajmërime të tilla kanë marrë disa banorë të fshatrave-njëri prej të cilëve ka hapur mort dhe e ka mbyllur sërish.

Lajmet kontradiktore që vijnë nga Siria kanë shkaktuar ankth edhe në familjen e Mariglen Dervishllarit.

“Nusja e djalit na mori në telefon dhe na tha se Marigleni vdiq i sëmurë. Në televizor dëgjuam se e kishin vrarë. Nuk dimë ç’të besojmë” thotë Fatmira, e mbështetur pas një porte druri në shtëpinë e saj ende të papërfunduar në Rrëmenj.

Njësoj si Hamdi Alinj, edhe Fatmira nuk e kupton transformimin e të birit dhe vendimin e tij për t’u larguar drejt një vendi të largët. Para vitit 2010, Marigleni ndihmonte të atin në ndërtimin e shtëpive në zonë. Më pas, ai u martua dhe nuk bëri asnjë punë.

Fatmira kujton ditën e martesës së të birit, nusja-vetëm 14 vjeç e gjysmë ishte e mbuluar kokë e këmbë me hixhab, ndërsa burrë e grua u munduan të rregullonin letrat për shkak të moshës së saj të mitur.

Pas ikjes së Mariglenit, më 12 maj 2013, edhe bashkëshortja e tij me djalin e mitur u larguan pa i thënë askujt. Në Siri, çifti lindi edhe një djalë të dytë, të cilin gjyshja në Rrëmenj nuk e ka parë kurrë.

Fatmira tregon se në telefonatat e rralla me të, i ka kërkuar të kthehet në Shqipëri bashkë me nipërit e vegjël.

“Nuk kthehem kurrë më atje, e kam amanet t’i rris fëmijët këtu,” është përgjigjur prerë ajo.

Lënia në harresë

Tre vjet pas largimeve drejt Sirisë, banorët e tre fshatrave të Pogradecit po përballen të vetëm me pasojat. Familjarët e të zhdukurve kërkojnë një rrugë për të gjetur trupat, ndërsa të tjerët shqetësohen për nipërit dhe mbesat që gjenden në Siri.

Megjithatë, askush nuk pret një dorë të shtrirë nga shteti.

Në Tiranë, autoritetet flasin për strategji në integrimin e të rinjve të radikalizuar dhe projekte sociale për lehtësimin e pasojave. Por familjarët e intervistuar i thanë BIRN se askush nuk ka trokitur në shtëpitë e tyre për t’i pyetur se çfarë problemesh kanë.

Integrimi i xhamive të rebeluara brenda strukturës së Komunitetit Mysliman është një tjetër çështje që shqetëson autoritetet në Tiranë. Por në Leshnicë dhe Zagorçan, ideologjitë radikale vazhdojnë të mbahen gjallë prej një grupi të izoluar djemsh, dikur rreth i ngushtë i Almir Dacit.

Në xhamitë e Leshnicës dhe të Zagorçanit, Komuniteti Mysliman ka emëruar dy imamë të saj, të cilët shfaqen aty vetëm gjatë faljes së të premtes. Ditët e tjera, xhamitë frekuentohen nga grupet e djemve të radikalizuar, mes të cilëve edhe një ish-luftëtar i plagosur, i kthyer nga Siria.

Hamdi Alinj i tha BIRN se është munduar shpeshherë të sqarojë rrethanat e zhdukjes së të birit me ta, por “ndërrojnë rrugë”.

“U bënë gati të iknin, por i kthyen mbrapsht,” thotë ai.

Në Pogradec, imami Edison Kuqo pohon se historia e Sirisë u ka shkaktuar shumë dëme, të cilat ata po përpiqen t’i adresojnë me vështirësi. Paragjykimet janë rritur, ndërsa prindërit po tërheqin fëmijët e tyre nga xhamitë.

Ai e përshkruan grupin e ndjekësve të Almir Dacit si “dele të ndara nga tufa”, ndërsa tregon se vetë ai u ka kthyer mendjen disa të rinjve që donin të iknin në Siri.

Sipas imamit, gjithë sa ndodhi shpjegohet edhe me edukimin e varfër apo formimin e cekët fetar të të rinjve, të cilët më pas mund të manipulohen lehtë.

“Jemi përpjekur shumë për t’i ndaluar ikjet në Siri. Kemi dalë me qëndrim të qartë kundër në xhami, por tani po vuajmë pasojat,” përfundon Kuqo. /BIRN/

Dhe ritmi vazhdon

0

Nga mortajat dhe kaosi te Miles dhe Coltrane, Rob Crossan eksploron dashurinë e Kosovës për jazz-in në shpalosje e sipër.

Shkrimi nga Rob Crossan / Fotografia nga Laura Stevens

Raftet e librave janë të stërmbushura me tituj të Spinozës, Bodrijardit e Herodotit. Dritat e mekura përshtaten mirë.

Koktejet janë të egra dhe pihen hurba-hurba me elegancë dhe vetëpërmbajtje nga klientela mjekroshe. Tingujt gjëmues e dredhakë të saksofonit duken sikur shpërbëhen si tym duhani përgjatë rrezeve inkandeshente.

Ishte ky vend vërtet një vatër luftë vetën dy dekada më parë? Me të arritur në Prishtinë, ishte vështirë të përfytyroje një shtet në të cilin do të ishte jo shumë e pritshme të gjeje një skenë të lulëzuar të jazz-it – në fakt, është përputhje thuajse po aq natyrale sa Londra me muzikën rome të Ballkanit – por, ashtu si po e zbuloj, ky është një vend ku stereotipet e shumta kanë tendencë të përmbysen për njerëz që vijnë sefte.

“Vetëm disa vite më parë, nuk ishin më shumë se dy muzikantë të jazz-it në tërë qytetin. Tash mund ta dëgjosh atë çdo natë të javës.” Kështu më thotë Ilir Bajri teksa bisedoja me të në ambientet bohemiane të jazz klubit Soma (somabookstation.com) një mbrëmje. Lokali mbushej me vajza të veshura me funde kadife e djem me bluza të përhimëta.

Nëse i jep një qark rrugëve të Prishtinës, është e pamundur ta mos vëresh Bajrin. Afro dy metra i gjatë, një shtëllungë krrelash të pashtruara dhe veshur me një pallto të gjatë përmbi një këmishe druvarësh; është tip që pëlqen muhabeti.

Në një moment jepet në një bisedë për Darvinizmin, e në tjetrin, duke qitur me duar pas një gllënjke raki rrushi, thotë se çdo njeri në Ballkan është “tërësisht, tmerrësisht i çmendur”.

Një Kosovar që për 11 vitet e fundit, ka drejtuar festivalin kombëtar të jazz-it, Bajri ka performuar në OKB, ka pirë verë me Vanessa Redgrave dhe, së paku tri herë në javë, mund të gjendet duke luajtur jazz sublim në lokalet e Prishtinës.

Ky është një qytet që kurrë nuk do të shpërblehet me një çmim vetëm për bukurinë estetike. Majat kështjellore të cukave që e rrethojnë qytetin shpojnë retë sikur tel me gjemba, e vetë qyteti është në vlug të një ekspansioni të pakontrolluar me blloqe, kinema, qendra tregtare të ngritura me shpejtësi dramatike në thelbin e një qyteti me shtëpi të stilit Austro-Hungarez e kalldrëme.

Shtatëmbëdhjetë vjet pas largimit të forcave serbe nga shteti i ri si rezultat i bombardimeve të NATO-s, Kosova sot nuk mban shumë vraga të asaj që ishte lufta e fundit evropiane e shekullit të 20.

“Janë shumë arsye pse jazz-i është kaq popullarizuar në Kosovë,” thotë Edon Ramadani, pianisti i një tresheje të jazz-it të cilëve ua përcolla performancën e këngëve klasike sikur “So What”, “Take Five” dhe “The Girl from Impanema” në Soma.

“Është një uri e këtillë audiencës dhe e muzikantëve si ne për të eksperimentuar,” më thotë ai duke tymosur një cigare në oborrin e klubit. “Ende ekziston një afeksion i madh për Amerikën në Kosovë për shkak të ndihmës që na dhanë gjatë luftës, kështu që ne jemi më të afërt edhe me muzikën e Shteteve të Bashkuara.

“Gjithashtu, pavarësisht shkallës së lartë të papunësisë, njerëzit kanë vullnet të dalin e të dëgjojnë muzikë gjatë gjithë kohës. Është një qytet i gjallë sa i përket skenës së muzikës live dhe është një vend ku ne si muzikantë mund të performojmë pra një audience rregullisht – pra përmirësohemi edhe ne.”

Klubet si Hamami, Klubi M, Dit e Nat, Zanzi e Soma, të formuara jo më shumë se pesë vite më parë, vazhdimisht ofrojnë performues të ndryshëm të muzikës jazz. Për një qytet të vogël si Prishtina, të kesh një numër të tillë të lokaleve të jazz-it është sikur Londra të ketë 100 klube kushtuar vetëm reggae-it.

Bajri ia gjen fillesën këtij transformimi ndaj jazz-it në vitin 2004, atëherë kur ai, përkundër shumë pengesave, ia doli të sigurojë fonde jashtë Kosovës dhe ta themelojë Prishtina Jazz Festival.

“Ishte një kohë e çmendur,” kujton ai. “Ne nuk kishim ide se a do të vinte njeri. E morëm me qira një sallë koncertesh dhe në fund na është dashur t’i mbyllnim dyert për shkak të numrit të madh të pjesëmarrësve. Kur performanca u krye, askush nuk e la sallën dhe u detyruam të lëshonim muzikë përmes altoparlantëve dhe të gjithë filluan të vallëzonin nëpër holle.”

Fatkeqësisht, fondet janë tharë dhe, pas 11 vjetësh, festivali jazz-it u shua vitin e kaluar. Sidoqoftë, për Bajrin nuk është një gjë e keqe.

“Nuk duhet të vazhdojmë të jemi të varur prej subvencioneve të shteteve tjera,” thotë ai. “Fundi i festivalit do të thotë se tash jazz-i duhet të vazhdojë të mbijetojë organikisht në Kosovë. Ndoshta fundi do të thotë se është koha që kjo skene të piqet. Kjo është në rregull sipas meje. Jazz-muzikantët e këtushëm nuk janë të moçëm – janë në vitet e njëzeta apo tridhjeta. Është shumë drithëruese të performosh me këta njerëz dhe ta shohësh skenën të rritet.

Dalë ngadalë, kjo skenë po e zhvillon identitetin e vet. “Shumë muzikantë këtu, sikur vetja ime, janë rritur duke mësuar muzikën klasike dhe popullore apo zhanre tjera,” thotë Enes Muhaxheri, baterist në treshen e jazz-it që luajtën në Soma.

“Jazz-i është diçka që na përshtatej, dhe dukej se ishte një progresion i natyrshëm që na shpiu të kjo lloj muzike dhe na bëri të zbulojmë sa shumë e pëlqejnë atë njerëzit këtu. Klubet e jazz-it janë shumë të ndryshme në qytet, Soma dhe Dit e Nat kanë librari e kafe, Hamami i ngjan një pazari marokien dhe Zanzi është një bodrum i egër e i zhurmshëm, por kjo shumëllojshmëri është çfarë i duhet skenës tash. Kurrë nuk mund ta parashikosh se si do të reagojnë turmat – apo nëse të dëgjojnë pikësëpari.

Egërsia e performancave, stakatot e tingujve depërtues, kadencat, tempoja dhe ndërrimi i kahjeve bëjnë që këta muzikantë të tingëllojnë më ndryshe nga Miles Davis apo Dave Brubeck në një klub të Londrës apo Parisit. Ndoshta janë fillesat embrionike të një “tingulli” të veçantë të jazz-it Kosovar që po buçet.

“Po zgjasim pëllëmbët drejt diçkaje që na takon ne,” thotë Muhaxheri. “Në bëjmë jetë kaotike e të improvizuar këtu në Kosovë. Ne e njohim kaosin dhe dimë si ta filtrojmë për të mbijetuar, pra ndoshta nuk është shumë për t’u çuditur që e kemi përqafuar jazz-in. Vjen nga dhe i largët, por duket se përshtatet me situatën tonë në mënyrë gati të përkryer”.

Botuar në easyJet Magazine /Gazeta JNK

E zhveshur për ‘projektin sekret’

0

Bella Hadid është bërë shumë shpejt e famshme në botën e modës, kjo edhe falë motrës së saj Gigi Hadid dhe të dashurit The Weeknd. Por, 19-vjeçarja gjithashtu bën gjithçka për të mbetur e famshme.

Të dielën, Bella postoi një foto ku pozon pothuajse e zhveshur, duke mbuluar me njërin krah gjoksin.

“Më fal mami”, shkruan Bella në shkrimin shoqërues të fotos.

Shoqja e Selena Gomez dhe Kendall Jenner gjithashtu shkroi: “Projekt sekret me skuadrën time të ëndrrave”.

Bella Hadid1