17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Vargjet pa pikë të Eljan Taninit, tashmë në një libër

Fjalitë me gurë lumi

Në fillim ka një dedikim personal që hapet mes cepit të tij në bar “Hemingway” dhe një emri me gjashtë shkronja. Kjo e fundit njihet rrugës, ku shpesh mungon, ikën, por edhe sheh sa afër dhe larg. Botimi i Taninit “Pa pik’”, nuk ka shenja pikësimi, si presja apo pikat në fund të fjalive. Presjet janë hequr për të dhënë një muzikalitet tjetër, ashtu siç i lexon vetë autori. Ndërsa pikat në fund të fjalive, janë mbyllja e çasteve njerëzore. Ky libër, që është një poezi e gjatë, mbase mund të jetë edhe një poemë që ndalet me titullin kryesor vetëm në kopertinë. Mbase pikat janë mbledhur dhe qëndrojnë vetëm në titullin e librit, sepse poezia dhe fjalët që vendos autori janë liri stinësh.

Prej sa kohësh është shkruar “Pa pik’”?

Rreth shtatë vjet, pasi mbylla botimin e parë me revoltën adoleshenciale “Tregu i zeros”. E kam menduar si një letër të gjatë dashurie, të cilën nuk e nisa dot kurrë, me pjesëza nga orët e mia personale. Nuk ka pika në fund të fjalive, sepse ato e hedhin-kyçin komunikimin duke e lënë atje. Pikat në fund të fjalive janë guralecë aq të vegjël, sa rëndojnë tepër. Në fillim duken si vargje të shkruara pa lidhje me njëra-tjetrin, pa këto mbikalimet klasike, vajzërore dhe romantike. Fjalët janë të shoqëruara me skica që bërtasin thjesht duke kërkuar të lexohen me një muzikalitet të ngadaltë. Muzikën e fjalive e kupton vetëm nëse e lexon librin me zhurmat e tua personale. Në fund të ditës, edhe nëse ka filluar nata, jeta që kam shkruar nuk ka nevojë për pika dhe presje.

Pse u mendua në këtë mënyrë?

Arian Leka më ka mësuar si botohet një libër i mirë, duke e krahasuar me fëmijët që bëhen vetëm një herë në jetë. Kjo letër cepash dashurie, por edhe urbane njëherësh, ka shkrime me dorë. Ato regjistrojnë rëndësinë e ditëve kur janë shkruar. Libri nuk mund të ketë vetëm shkronja, fjalë, parfume orësh të shtypura në letër, por mund të shihet edhe si një vepër arti që mbetet gjatë. Çdo kopje e botuar nuk i ngjan njërës dhe tjetrës, sepse edhe rrënjët e kaosit janë të tilla. Në hapje të tij, unë kam vizatuar nga një dedikim personal për çdo lexues. Kjo është e ndryshme, nuk e gjen njësoj në çdo kopje.

Si lexohet “Pa pik’”?

Qetë, vetëm, duke ikur në fund të shiut, te lamtumirat, poshtë luleve pa vazo, me këngët e kumurive, me fëmijët këtij qyteti që luajnë në fole dallëndyshesh, me pasionin e rutinës, madje edhe me ëndrrat kur shohin ëndrra, me kohët kur realiteti është i njëjtë me fantazinë, me heshtjen mëkatare, me lumturinë në sytë e gjysheve që janë peshq akuariumi, duke e harruar tjetrin, por jo memorien kolektive (kujtesa e përbashkët. Kështu, nis të çlodhesh edhe kur lexon skicat e “Pa pik’”. Faqeve të librit i janë hequr numrat, sepse nuk më pëlqen të numëroj dhe as të mbaj të dhëna. Pasqyra e lëndës është vetë i gjithë botimi “Pa pik’”. Ashtu janë edhe letrat e hapërdara ku kam mbajtur shënimet, kështu jam edhe unë.

Nuk është e thënë të ketë gjithmonë një botim. Pse u botua tani ky libër?

Letrat i kam mbajtur për një kohë të gjatë, ato tani e mbyllën ciklin e tyre. Të paktën ndodhi para protestave për parkun e liqenit dhe ditëve me shumë miq që tani janë bërë armiq betoni. Madje ka tinguj nga parku dhe pemët, për më të thjeshtat që nuk na e bëjnë me sy, për fatet e lira që e lumturojnë një qytezë tiranësh vetëm kur çelin gjethet e pemëve prej Tirane. Pikat tona që ne i vendosim në fund të fjalive gjatë jetës bëhen gurë lumenjsh, po t’i mbledh të gjitha pikat që unë kam vendosur, me to do të krijoj një ishull. Ndërsa skicat janë shkëputje nga fëmijëria ose një i rritur që kërkon të jetë ende i vogël.

Më Shumë

Aksion pranveror në Prizren, nis mbledhja e mbeturinave të vëllimshme

Sektori i Mjedisit dhe Menaxhimit të mbeturinave në kuadër të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, nga sot do të fillojë aksionin...

3:0 për Trepçën, kualifikohet në finale

Trepça është kualifikuar në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Mitrovicasit në ndeshjen e tretë të serisë gjysmëfinale shënuan fitore ndaj Sigal Prishtinës...

Lajmet e Fundit