17.2 C
Prizren
E diel, 26 Prill, 2026
Home Blog Page 6687

Malishevë: Fushata e repelimit të kafshëve nis javën e ardhshme

0

Në kuadër të masave parandaluese dhe luftimin e etheve hemorragjike krime kongo (EHKK), nga e dita e hënë, 14 mars 2016, pritet filloj fushata e repelimit të kafshëve shtëpiake në territorin e Komunës së Malishevës.

Fillimin e kësaj fushate të repelimit të kafshëve, e ka konfirmuar Shtabi Komunal, për luftimin dhe parandalimin e EHKK.

Repelimi i kafshëve, bëhet me qëllim të mbrojtjes nga përcjellja e rriqrave nga fusha, që përmes kafshëve barten tek njeriu dhe ndërprerjes së ciklit të shumimit të rriqrave, prandaj luten qytetarët që të jenë bashkëpunues në implementimin e kësaj fushate.

Sipas Komunës së Malishevës, të gjithë qytetarët, do të njoftohen me kohë për orarin e repelimit të kafshëve, në të gjitha vendbanimet. /PrizrenPress.com/

Thaçi: Ne i kemi shkelur vetëm ligjet e diktatorit Millosheviq

0

Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, përsëri ka hedhur poshtë pretendimet se ai ishte i përfshirë në krime lufte.

Në një intervistë për Die Presse, Thaçi kërkon nga partitë opozitare të Kosovës që të mbështesin dialogun me Serbinë dhe flet edhe për pritshmërinë që ruta e re e refugjatëve të përfshijë edhe Kosovën, përmes së cilës të depërtohet në Evropën Qendrore.

Mediat serbe raportojnë se refugjatët po udhëtojnë gjithashtu përmes Kosovës drejt Evropës Qendrore. Qëndron këtu një rutë e re për refugjatë?

Hashim Thaçi: Ne nuk kemi asnjë indikacion se refugjatët mund të vijnë në Kosovë. Ne kosovarët ishim vetë refugjatë gjatë luftës në vitin 1999, kështu që ne jemi të mësuar me situata të tilla. Çdo hap që ne do të ndërmarrim, do t’i koordinojmë me partnerët tanë në BE. Natyrisht, Kosova ka mundësi të kufizuara. Por, në qoftë se është përcaktuar një kuotë për shpërndarjen e refugjatëve, ne jemi të gatshëm të realizojmë pjesën tonë. Është gjithashtu e qartë se shumica e refugjatëve nuk planifikojnë të qëndrojnë në Kosovë. Ata dëshirojnë të shkojnë për në Austri ose Gjermani.

Do t’i mbyllni edhe ju kufijtë e Kosovës – sikurse vendet e tjera – në raste të jashtëzakonshme, si me Maqedoninë apo Shqipërinë?

Hashim Thaçi: Unë nuk do të doja të spekuloja para se të përpiqen refugjatët të hyjnë në Kosovë. Masa të tilla si mbylljet kufitare janë në çdo rast vetëm masa të përkohshme. Problemin e refugjatëve nuk mund të zgjidhë vetëm një vend i vetëm. Kjo ka nevojë për një zgjidhje evropiane.

Opozita në Kosovë deklaron se zgjedhja e juaj si president ishte shkelje e Kushtetutës. Si mund të tejkalohet kjo çarje e thellë në vend?

Hashim Thaçi: Zgjedhja ime si president ishte legjitime. Por, ne duhet ta respektojmë vendimin e opozitës për të dërguar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese. Kjo është demokracia.

Opozita kërkon zgjedhje të reja. Ka pasur përleshje në rrugë me policinë. Përfaqësuesit e partisë opozitare Vetëvendosje kanë hedhur gaz lotsjellës në parlament. Gjendja është goxha e tensionuar…

Hashim Thaçi: Çfarë duhet të jetë e qartë: askush nuk guxon të përdorë dhunën për qëllime politike. Në zyrën time të re si President, unë do të përpiqem të ndërtojë ura ndërmjet partive. Data për zgjedhje nuk qëndron në duart e presidentit apo tek njëra parti, por tek parlamenti.

A nuk është e vështirë për ju të ndërtoni ura, kur ju nuk njiheni nga opozita si president?

Hashim Thaçi: Unë do të jem president i të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh cilat ide politike ose cilat përkatësi fetare apo etnike ata përfaqsojnë. Opozita shtron dy tema kryesore, përkatësisht marrëveshjet që kemi nënshkruar në Bruksel dhe në Vjenë. Ka të bëjë me asociacionin e komunave serbe në Kosovë. Unë jam i bindur, se në fund të gjithë do t’i vendosin interesat e Kosovës mbi interesat e partive politike dhe ne do të mund të punojmë të gjithë së bashku për të ardhmen e Kosovës.

Partitë opozitare akuzojnë që me themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe, Kosova do të mund të ndahet si Bosnja dhe Hercegovina?

Hashim Thaçi: Kosova nuk do të ndahet. Kjo nuk do të ndodhë në asnjë rrethanë. Kjo është e përkufizuar qartë në marrëveshje. Që projekti i Kosovës të ketë sukses, duhet t’i përfshijmë të gjitha grupet e popullsisë, duke përfshirë edhe serbët. Ne nuk guxojmë t’i izolojmë. Asociacioni i Komunave Serbe nuk do të ketë as pushtet legjislativ e as ekzekutiv. Ajo do të funksionojë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Normalizimi i marrëdhënieve me Beogradin është parakusht për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Çfarë dëshironi ju si president i ri të kontribuoni për këtë?

Hashim Thaçi: Unë personalisht e kam udhëhequr këtë proces një kohë të gjatë. Dhe, unë do ta mbështesë gjithashtu tutje atë edhe tani si president i Kosovës. Ne nuk duhet të jemi peng i së kaluarës sonë, por të punojmë për një të ardhme më të mirë të përbashkët për në BE dhe NATO. Ndoshta është shumë herët që për shkak të së kaluarës sonë të hidhur ta pranojmë këtë gjë. Por, kjo nuk do të thotë se ne nuk mund ta respektojmë njëri-tjetrin dhe të punojmë së bashku. Dhe, unë shoh gatishmërinë për të bërë këtë në Kosovë dhe në Serbi.

Por, a do të njohë Serbia si shtet të pavarur Kosovën?

Hashim Thaçi: Po, patjetër. Por, jo menjëherë. Njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë do të pasoj paralelisht me procesin e integrimit të Serbisë në BE.

Kohët e fundit ka pasur në gazetat serbe akuza të reja që ju jeni të përfshirë në trafikimin e organeve njerëzore…

Hashim Thaçi: Këto akuza janë një shpikje e çmendur. Ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Prandaj, Kuvendi i Kosovës ka miratuar krijimin e Gjykatës Speciale. Unë përsonalisht e kam mbështetur, sepse unë e shoh atë si një avantazh për Kosovën.

Kryeprokurori i gjykatës ka bërë të ditur se askush nuk do të ketë imunitet. A jeni të shqetësuar se ish-anëtarët e “Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës” dhe ju personalisht mund të jeni në shënjestër të Gjykatës?

Hashim Thaçi: Ne nuk duhet të paragjykojmë vijueshmërinë e procesit të gjykatës. UÇK-ja nuk i ka shkelur rregullat ndërkombëtare. Ne i kemi shkelur vetëm ligjet e diktatorit serb Sllobodan Millosheviq dhe unë jam krenar për këtë. /Telegrafi/

Riformatimi, forcim i kapjes së shtetit

0

Opozitarët thonë se për ndryshime rrënjësore duhet të shkojë Qeveria aktuale dhe të dalë një Qeveri tjetër nga zgjedhjet e lira. Sipas analistëve, me ndryshmet e paralajmëruara do të thellohet degradimi i vendit

Pas zgjedhjes së kreut të PDK-së, Hashim Thaçi, në pozitën e presidentit të vendit, dhe në pritje të marrjes së detyrës zyrtare, partnerët e koalicionit qeverisës PDK-LDK kanë filluar të trumbetojnë se janë duke bërë përpjekje dhe plane serioze për riformatimin e Qeverisë aktuale, të dikastereve të ndryshme ministrore, me qëllim të fuqizimit dhe përmirësimit të qeverisjes për interesin publik.

Derisa ndryshimet në Qeveri nuk kanë ndodhur akoma, komentet dhe pritjet nga opozita, analistët politikë dhe shoqëria civile nuk janë aspak shpresëdhënëse. Ekziston bindja e plotë se këto ndryshime do të bëhen vetëm si një kozmetikë, ngase në Qeveri po mbeten përsëri njerëzit e njëjtë.

Opozita e bashkuar konsideron se këto ndryshme në pritje nuk do të kenë kurrfarë efekti pozitiv në përmirësim të qeverisjes në vend, sepse nga ato nuk do të dalë asnjë risi në qeverisjen e vendit me një mentalitet dhe program tjetër, por vetëm sa do të realizohet edhe një episod i ri i ndryshimeve, që janë pjesë e pazarit të koalicionit qeverisës. Opozita thotë se për ndryshime rrënjësore duhet të shkojë Qeveria aktuale dhe të dalë një Qeveri tjetër nga zgjedhjet e lira. /Kosova Sot/

Busek: Është vonë për gjykimin e krimeve të luftës

0

Udhëheqësi special i Paktit të Stabilitetit dhe njëherësh diplomati austriak, Erhard Busek, duke iu referuar krijimit të Gjykatës Speciale ka thënë se është e drejtë që të gjykohen të gjitha dyshimet për krime lufte.

Por ai ka shprehur dyshime të shumta për këtë proces për shkak të periudhës kohore nga lufta e fundit.

Ai ka thënë se ka kaluar kohë e gjatë prejse janë ngritur dyshimet për krime të luftës nga ish-pjesëtarët e UÇK-së.

Ish- zëvëndëskancelari austriak, i pyetur nga “Zëri” për krijimin e Gjykatës Speciale dhe rrezikun që mund ta ketë Kosova nga ky proces, ka thënë se është shumë e vështirë që të supozohet se çfarë efektesh mund të prodhohen.

Busek është pyetur nëse akuzimi i mundshëm i presidentit të ri, Hashim Thaçi, për krime lufte nga Gjykata Speciale do të mund të dëmtonte Kosovën.

“Në këtë moment kritik, presidenti në ardhje Hashim Thaçi ka një rol shumë të rëndësishëm. Që të supozojmë se çfarë do të ndodhë është jashtëzakonisht e vështirë. Mendoj se është e drejtë që krimet e luftës të dënohen”, ka thënë Busek të mërkurën në Prishtinë gjatë një ligjërate të mbajtur në Fakultetin konomik të Universitetit të Prishtinës. /Zëri/

Basha: Opozita nuk i zgjedh vezët por Qeveria

0

“Opozita nuk i zgjedh vezët për t`i përdorë por është Qeveria”

Kështu tha Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha pas vizitës që i bëri varrit të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe familjes së tij,

Ai tha se sa më shumë që po kalojnë vitet nga vdekja e Rugovës aq më shumë po lartësohet figura e tij.

Basha poashtu theksoi se gjatë qëndrimit në Kosovë do të takohet me krerët e lartë shtetëror për të biseduar për aktualitetet në në vend pasi sipas tij, Partia Demokratike është gjithmonë e interesuar për to, njofton Klan Kosova.

Kreu i PD-së gjatë qëndrimit në Kosovë do ta takojë presidentin e ardhshëm të Kosovës Hashim Thaçin, kryeministrin Isa Mustafa, presidenten në largim Atifete Jahjaga, kryekuvendarin Kadri Veseli .

Ai poashtu do të zhvillojë takime edhe me liderët e subjekteve politike opozitare në vend.

Poashtu Basha do të bëjë homazhe në Prekaz në memorialin kushtuar Epopesë së UÇK dhe Komandantit Adem Jashari ku do do të takohet edhe me familjen Jashari, njofton Klan Kosova.

Fjalët e John Lennon-it në ankand

0

Një letër e shkruar nga John Lennon i The Beatles do të dalë në ankand muajin e ardhshëm me një çmim fillestar prej 30.000 paundësh.

BBC News raporton se kjo letër është shkruar nga Lennon kur ai ishte vetëm 11 vjeç. Bëhet fjalë për një letër falenderimi dërguar hallës së tij, për ta falenderuar për dhuratat e Krishtlindjeve.

Letra do të dalë në ankand përmes “TracksAuctions.com”, i cili është pjesë e koleksioneve të Lennon prej 300 artikujsh.

Ja çfarë shkruhet në letrën e John Lennon:

“E dashur Harrie. Faleminderit për librin që më ke dërguar për Krishtlindje si edhe për peshqirin që mbante emrin tim. Mendoj se është peshqiri më i bukur që kam parë ndonjëherë. Libri që më dërgove është një nga më interesanët që kam lexuar deri tani. Momenalisht jam në faqen e 18-të. Historia flet për anijet si edhe rreth një burri që quhet Kapiteni Kidd The Pirate. Jam në kapitullin e dytë që titullohet “Mary Celeste”. Faleminderit edhe për bluzën e kuqe që më ke dërguar. Gëzuar vitin e ri. Me dashuri John”.

John Lennon-letra

Ndërron jetë Drita Vukshinaj

0

Ka ndërruar jetë aktivistja e shoqërisë civile në Prizren, Drita Vukshinaj.

Ajo është varrosur sot në varrezat e qytetit.

Vukshinaj ka qenë e udhëheqëse e Shoqatës “Hendikos”.

Mos u ‘vrisni’ komandantë

0

Shkelqim Hysenaj

Shkëndija që lëshoi deklarata e njërit prej themeluesve të UÇK-së nga foltorja e Kuvendit, ditën kur i “pathyeshmi” i luftës u zgjodh president, u përhap shpejt duke u shndërruar në flakadan, efektet zinxhir të së cilës me gjasë do të vijojnë të përhapen dhe më tej.

Nga kjo përplasje brirësh e komandantëve, disa të nxitur nga emocionet e çastit, e të tjerë të shtyrë nga kryekomandantët, kredo politike do të sigurojnë vetëm këta të fundit.

Ndërsa ne të tjerëve që vështrojmë, siç kemi vështruar në kohën kur kishim mundësi të bënim epokë, do të na shërbejë vetëm si një leksion i mirë se si (nuk) duhet bërë luftë pas luftës. Meqë dolëm te lufta, përgjigjen më të mirë të kacafytjes së tyre e japin tri fjalitë e mëposhtme që komandantët i kishin aq për zemër kur kishin vendosur të bëheshin ushtarë:

“Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre.

Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut.

Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im.

Betohem, betohem, betohem.”

Ti komandant e ke shkelur këtë betim. Nuk je më ai që teksa shqiptoje tekstin e betimit me fytin që të çirrej të “ngriheshin qimet përpjetë”. Bëmat, komandant i zerove, i shite “për dy lekë”. Nuk e di nëse mund të të quaj ende sot ushtari im i UÇK-së. Nuk e di nëse mund të shpresoj edhe më tej te ti se do të jesh ushtar i lirisë. Shpatat që hapët ndaj njëri-tjetrit kanë vënë në pikëpyetje “mitin” që patëm krijuar për ju.

Shumë prej nesh tashmë të shohim me dyshim. Madje disa duan që të çlirohen prej teje. Nuk duan që ti të sakrifikosh asgjë për këtë vend. Me dhimbje e them se edhe unë mendoj se misioni yt (nuk) ka mbaruar. Komandant hiq dorë nga kjo “sakrificë”. Beteja jote nuk është më e jona. Mos na rikthe sërish në luftë. Mos na krijo konflikte të frymëzuara nga inatet e politikës ditore.

Gjej paqe sepse ne që besuam te ti me fanatizëm e ruajtëm pastërtinë e luftës dhe qëllimin e saj. Besuam shumë te ti dhe të bëmë hero, edhe pse ti ishe i gjallë. Ti e dije se lufta kishte edhe qëllime të tjera përveç largimit të pushtuesit. A ishin qëllim përmirësimi i gjendjes sociale, forcimi i rendit dhe ligjit si dhe zhvillimi ekonomik? Po! Tani po ju drejtohem në shumës. O ju, të plotfuqishëm, keni hedhur pas krahëve qëllimin për të cilin e bëtë betimin, kur u radhitët krah UÇK-së? Shtypja, shantazhet, keqpërdorimet, korrupsioni, nepotizmi, ndikimi në çdo proces në dobi të interesave personale qenë arma juaj e vetme që keni përdorur këto 16 vjet.

Muskujt për atë që ruajtët gjithë këto vjet, jo ajo fuqia që e përdorët gjatë luftës së viteve ’97 – ‘98. Nëse në diçka kemi besuar si popull, atëherë ne kemi besuar në UÇK-në. Kemi besuar në qëllimin e saj. Kemi besuar në pastërti pavarësisht se shumë shtete dhe individë me ndikim kanë tentuar t’ia hedhin një hije të zezë. Por nuk e di nëse jeni të vetëdijshëm se me akuzat që po bëni po humbisni çdo respekt. Nëse pas kaq shumë vitesh ende keni për çka të akuzoni njëri-tjetrin atëherë paskeni pasur vërtet diçka për të fshehur. Atë që keni për të fshehur mbajeni për vete. Nuk duam ta dimë se kush ishte patriot e kush tradhtar. Nuk na intereson kush shau kë me nënë e kush hëngri shpullë i pari. Janë të pavlera. Nuk përfiton kurrkush. Për hir të respektit ndaj luftës, gjynahet mbajini për vete. Mos na ngarkoni me to.

Nuk duam të jemi hisedarë. Nuk na duhen gjynahet tuaja. Vetëm kujtojeni shokun tuaj që u vra në frontin e luftës. Çka do të thoshte ai? Çka do të thoshte bashkëluftëtari që vdiq nga plagët në vijën e parë të fronit? Nëse nuk e kujtoni këtë, atëherë mendoni se çfarë tha fëmija i dëshmorit kur ti ia përmend prindin çdoherë që të rrezikon politika ditore. A e mendon faktin se ky jetim lëndohet prej teje?

Apo ke lënduar aq shumë njerëz saqë dhe po të lëndohet jetimi, ty nuk të plas?! Edhe pse me kalimin e kohës thonë se plagët mbyllen, por këto nuk janë të atij lloji, janë plagë që thellohen dhe gjakosen nga e para sa herë nëpërkëmben sakrificat e atyre që nuk jetojnë më. Ata nuk zgjodhën të flijoheshin, por iu desh ta bënin, për fëmijët e tyre, por dhe fëmijët e atyre që sot ulen këmbëkryq sipër kujtimit të heronjve. Heronjve të vërtetë, dhe jo të kohëve të sotme. Heronj të denjë për t’u nderuar duke iu thënë “faleminderit”, sa herë ti, unë, të gjithë kërkojmë të respektohen të drejtat tona si shqiptarë dhe si njerëz të lirë. Prandaj mos u “vrisni” komandantë!

Nexhat Çoçaj premton ndërtimin e shkollave të papërfunduara

0

Drejtori i Arsimit në Prizren Nexhat Çoçaj, ka premtuar ndërtimin shkollës së re në lagjen “ Bajram Curri”. Lajmin për ndërtimin e kësaj shkolle e ka dhënë dje, në shënimin e Ditës së Mësuesit.

Çoçaj, para të pranishmëve ka thënë se për 8 vite janë ndërtuar 22 objekte të reja shkollore.

Sipas tij, aktualisht janë duke u ndërtuar dhe do ndërtohen objekte të reja shkollore në Velezhë, Lukinaj, Piranë, Dedaj dhe në Gjonaj, pa treguar se pikërisht në lokalitetin e fundit projekti ka filluar para tre vitesh.

Në Gjonaj, objekti i ri ka pësuar dëmtime.

Para të pranishmëve në manifestimin e shënimit të Ditës së Mësuesit, ai ka thënë se ka një lajm të mirë për të gjithë, sepse në muajin maj do të përfundojnë punimet në realizimin e projektit të shkollës së mesme të mjekësisë po në të njëjtën lagje, ku punimet kishin filluar hiç më pak se para 5 vitesh, për të cilën çështje kishin pasur ankesa për vonesë të punimeve të gjitha grupet e këshilltarëve në Kuvendin e Prizrenit./TV Prizreni/

Stuhi e fuqishme në Teksas, shkatërrohen dhjetëra shtëpi

0

Dhjetëra shtëpi janë shkatërruar pas një stuhie të fuqishme që ka përfshirë veriun e Teksasit.

Konteja tarrant, që gjendet vetëm 40 km në lindje të Dallas, është pushtuar për orë të tëra nga erëra të fuqishme dhe shi të rrëmbyer.

Pasojat janë këto, shtëpi të shkatërruara e banesa të ndara më dysh.

Çatitë janë shkëputur nga shtëpitë, bizneset dhe ndërtesat.

Sipas mediave vendase, 2 persona janë lënduar rëndë pasi janë marrë me vete nga era e fortë.