11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Mos u ‘vrisni’ komandantë

Shkelqim Hysenaj

Shkëndija që lëshoi deklarata e njërit prej themeluesve të UÇK-së nga foltorja e Kuvendit, ditën kur i “pathyeshmi” i luftës u zgjodh president, u përhap shpejt duke u shndërruar në flakadan, efektet zinxhir të së cilës me gjasë do të vijojnë të përhapen dhe më tej.

Nga kjo përplasje brirësh e komandantëve, disa të nxitur nga emocionet e çastit, e të tjerë të shtyrë nga kryekomandantët, kredo politike do të sigurojnë vetëm këta të fundit.

Ndërsa ne të tjerëve që vështrojmë, siç kemi vështruar në kohën kur kishim mundësi të bënim epokë, do të na shërbejë vetëm si një leksion i mirë se si (nuk) duhet bërë luftë pas luftës. Meqë dolëm te lufta, përgjigjen më të mirë të kacafytjes së tyre e japin tri fjalitë e mëposhtme që komandantët i kishin aq për zemër kur kishin vendosur të bëheshin ushtarë:

“Unë, ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, betohem se do të luftoj për çlirimin e tokave shqiptare dhe bashkimin e tyre.

Do të jem përherë ushtar besnik, luftëtar i denjë i lirisë, vigjilent, guximtar dhe i disiplinuar, i gatshëm që në çdo kohë, pa kursyer as jetën time, të luftoj për t’i mbrojtur interesat e shenjta të atdheut.

Nëse shkel këtë betim, le të ndëshkohem me ligjet më të ashpra të luftës dhe nëse tradhtoj, qoftë i humbur gjaku im.

Betohem, betohem, betohem.”

Ti komandant e ke shkelur këtë betim. Nuk je më ai që teksa shqiptoje tekstin e betimit me fytin që të çirrej të “ngriheshin qimet përpjetë”. Bëmat, komandant i zerove, i shite “për dy lekë”. Nuk e di nëse mund të të quaj ende sot ushtari im i UÇK-së. Nuk e di nëse mund të shpresoj edhe më tej te ti se do të jesh ushtar i lirisë. Shpatat që hapët ndaj njëri-tjetrit kanë vënë në pikëpyetje “mitin” që patëm krijuar për ju.

Shumë prej nesh tashmë të shohim me dyshim. Madje disa duan që të çlirohen prej teje. Nuk duan që ti të sakrifikosh asgjë për këtë vend. Me dhimbje e them se edhe unë mendoj se misioni yt (nuk) ka mbaruar. Komandant hiq dorë nga kjo “sakrificë”. Beteja jote nuk është më e jona. Mos na rikthe sërish në luftë. Mos na krijo konflikte të frymëzuara nga inatet e politikës ditore.

Gjej paqe sepse ne që besuam te ti me fanatizëm e ruajtëm pastërtinë e luftës dhe qëllimin e saj. Besuam shumë te ti dhe të bëmë hero, edhe pse ti ishe i gjallë. Ti e dije se lufta kishte edhe qëllime të tjera përveç largimit të pushtuesit. A ishin qëllim përmirësimi i gjendjes sociale, forcimi i rendit dhe ligjit si dhe zhvillimi ekonomik? Po! Tani po ju drejtohem në shumës. O ju, të plotfuqishëm, keni hedhur pas krahëve qëllimin për të cilin e bëtë betimin, kur u radhitët krah UÇK-së? Shtypja, shantazhet, keqpërdorimet, korrupsioni, nepotizmi, ndikimi në çdo proces në dobi të interesave personale qenë arma juaj e vetme që keni përdorur këto 16 vjet.

Muskujt për atë që ruajtët gjithë këto vjet, jo ajo fuqia që e përdorët gjatë luftës së viteve ’97 – ‘98. Nëse në diçka kemi besuar si popull, atëherë ne kemi besuar në UÇK-në. Kemi besuar në qëllimin e saj. Kemi besuar në pastërti pavarësisht se shumë shtete dhe individë me ndikim kanë tentuar t’ia hedhin një hije të zezë. Por nuk e di nëse jeni të vetëdijshëm se me akuzat që po bëni po humbisni çdo respekt. Nëse pas kaq shumë vitesh ende keni për çka të akuzoni njëri-tjetrin atëherë paskeni pasur vërtet diçka për të fshehur. Atë që keni për të fshehur mbajeni për vete. Nuk duam ta dimë se kush ishte patriot e kush tradhtar. Nuk na intereson kush shau kë me nënë e kush hëngri shpullë i pari. Janë të pavlera. Nuk përfiton kurrkush. Për hir të respektit ndaj luftës, gjynahet mbajini për vete. Mos na ngarkoni me to.

Nuk duam të jemi hisedarë. Nuk na duhen gjynahet tuaja. Vetëm kujtojeni shokun tuaj që u vra në frontin e luftës. Çka do të thoshte ai? Çka do të thoshte bashkëluftëtari që vdiq nga plagët në vijën e parë të fronit? Nëse nuk e kujtoni këtë, atëherë mendoni se çfarë tha fëmija i dëshmorit kur ti ia përmend prindin çdoherë që të rrezikon politika ditore. A e mendon faktin se ky jetim lëndohet prej teje?

Apo ke lënduar aq shumë njerëz saqë dhe po të lëndohet jetimi, ty nuk të plas?! Edhe pse me kalimin e kohës thonë se plagët mbyllen, por këto nuk janë të atij lloji, janë plagë që thellohen dhe gjakosen nga e para sa herë nëpërkëmben sakrificat e atyre që nuk jetojnë më. Ata nuk zgjodhën të flijoheshin, por iu desh ta bënin, për fëmijët e tyre, por dhe fëmijët e atyre që sot ulen këmbëkryq sipër kujtimit të heronjve. Heronjve të vërtetë, dhe jo të kohëve të sotme. Heronj të denjë për t’u nderuar duke iu thënë “faleminderit”, sa herë ti, unë, të gjithë kërkojmë të respektohen të drejtat tona si shqiptarë dhe si njerëz të lirë. Prandaj mos u “vrisni” komandantë!

Më Shumë

Veshja Tradicionale e Hasit 1980 & 2024

Antropologia amerikane, Janet Reineck, e cila merret me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare, ka publikuar fotografi të veshjeve tradicionale të rajonit të Hasit. Përmes fotove...

Mërgimtari nga Suedia jep dhjetëra pajisje teknologjike për shkollat e Rahovecit

Gjatë orës mësimore hyri me laptopa në duar. Në shkollën “Vëllezrit Frashëri” në Drenoc të Rahovecit, Agron Berisha u prezantua tek nxënësit. Mision i mërgimtarit nga...

Lajmet e Fundit