Home Blog Page 6751

Në disa nyje mbi situatën aktuale politike

0
Nga Arbër A. Rexhaj
Buzëqeshja
Madje edhe buzëqeshja të cilën na e refuzonte estetikisht Aristoteli është politik. Në kohërat e sotme ajo është kthyer ne refuzimin strukturor, jo si Aristoteli, por disi më e moderuar, por para se gjithash është kthyer në politikë, jo politikë vetëm ditore, por politikë esenciale. Sjellja jonë sociale, në përditshmëri ka afruar sentencën e mirësjelljes së tepruar, kur më qeshim duke aluduar në lënien e mirësjelljes dhe kapjen e tjetrit përmes buzëqeshjes.
Kush e di ndoshta Aristoteli këtë e ka ditur por nuk e ka thënë. Ai ka thënë të kundërtën. Për të qeshja nuk ka qenë asgjë tjetër vese një gjë tejet e shëmtuar. E cila me gjasë deformon fytyrën tonë, na nxjerr dhëmbët jashtë, sytë na mbyllën, ose nëjri na mbetet hapur, ndërsa spontanisht tjetri mundet të mbetet mbyllur.
Deti dhe kaltërsitë e detit
Imagjinoni në diskursin poetik një njeri i cili vendoset para detit dhe shikon përtej horizontit. Vetë. Pa asnjë njeri përreth tij. Nuk e kam fjalën për një ditë të rëndomtë kur para tij sillen përplot fëmijë, zhurmë gjithandej nga pushuesit, nga ata që lahen në det, nga çiftet e lumtura të cilat puthen dhe fërkojnë trupat e tyre. Jo!
Një njeri i cili qëndron vetëm krejtësisht në horizontin e kaltërsisë. Ku përtej vetvetes nuk e ka askënd. Dhe natën nuk sheh asgjë tjetër pos detit dhe hënës. Sa poetike do të dukej. Sa e bukur.
Madhështia e detit sigurisht të përpinë dëshirën e madhështisë, sepse estetika të përpinë brenda tij.
Spartanët, Athinasit e përplot polise tjera kanë imagjinuar detin nën petkun e shpatave. Kanë dashur të marrin sa më shumë det dhe ujë. Por kurrë. Asnjëherë nuk ia kanë arritur t’i përpijnë detet. Deti ka qënë madhështor. Poliset janë djegur e shkatërruar. Gjeneralët dhe komandantët kanë vdekur ose kanë rënë, deti ka mbetur në përgjithësi, si arkikujtesë e estetikës së përjetshme. Gjeneralët, hipokritët, luftëtarët, krejt ata të cilët kanë shtypur popullin e tyre, janë harruar, por deti ka mbetur në përhershmëri.
Gladiatori
Madhështor. I guximshëm. Muskulor. Krejt vajzat, madje edhe gratë e martuara ndizeshin pas tyre. Gladiatorët të cilët kishin famën e një aktori të Hollivudit sot, me gjasë kanë qenë njerëz të cilët kanë pasur emra, me gjasë shumë prej tyre nuk kanë pasur, ka pasur të atillë të cilëve emrat iu janë tjetërsuar në emra të shkurtë. Sigurisht kanë pasur nofka të ndryshme.
Të etur për ballafaqim dhe gjak. Të gatshëm për të marrë jetë. Por për një arsye të vetme. Masa i donte të famshëm. Fama e tyre ishte qenësore për ta. Prandaj vrisnin për të qenë të famshëm, me do çmim, çmimi i tyre i famës ishte gjaku.
Edhe ti Brut!
Sigurisht më e rëndë dhe më e dhembshme nga krejt thikat ishte ajo e djalit të adoptuar të Cesazrit, Brutit. Jam shumë i sigurte që kur Cezari vritet, thika më e dhembshme e cila ishte ngulur në trupin e tij ishte ajo e djalit të tij të adoptuar, Cezarit. Mund të ketë ndjerë tradhëti. Nga të gjitë senatorët, Bruti ishte shenja kryesore e tradhtisë.
Tradhëtia
Ajo çka gurgullon më së shumti dhenë është tradhtia. Dhe të gjithë mbretërit e Shekspirit tradhtonin vendin e tyre, vetëm për ta mbajtur pushtetin. Mbretërit metamorfozoheshin krejtësisht kur kalonin dhjetëra vite në një karrige. Ishin të gatshëm të tradhëtonin vetëm për ta mbajtur fronin mbretëror. Lerë që vrisnin popullin, por ishin në gjendje të vrisnin edhe të bijtë e tyre. Ata tradhtonin!

Zika po shpërndahet shpejtë

0

Virusi i shfaqur së fundmi Zika, është duke u përhapur me shpejtësi të madhe. Ky është shqetësimi që ka alarmuar së fundmi Organizatën Botërore të Shëndetësisë.

Nga një takim i fundit i komitetit emergjent të kësaj agjencie ndërkombëtare thuhet se Zika po përhapet përmes mushkonjave, por, pa përjashtuar edhe rastet përmes transmetimit seksual.

Siç raporton BBC, nga kjo mbledhje thuhet se së fundmi janë evidentuar disa lindje me defekte.

Ukraina e gatshme të këmbejë të burgosurit

0

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko ka thënë se ai është i gatshëm të sigurojë lirimin e pilotes ukrainase, Nadia Savchenko, përmes një këmbimi të burgosurish me Rusinë.

Gjykimi rus i Savchenkos, lidhur me pretendimet se ajo ka ndihmuar në vrasjen e dy gazetarëve rusë në vitin 2014, në lindje të Ukrainës, u përmbyll më 9 mars. Ajo i ka refuzuar akuzat dhe ndodhet në grevë urie që nga 3 marsi, në shenjë proteste për burgosjen e saj.

“Nëse pyetem unë nëse një këmbim i tillë është i mundur, unë do të them ‘po’, për herë të parë, duke e përdorur të drejtën time kushtetuese”, ka thënë Poroshenko në Ankara, pas një takimi me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan.

Ai ka shtuar se Rusia ende nuk ka dalë me ndonjë “iniciativë të kënaqshme”, për një ndërrim të tillë. /REL/

Opozita s’do të jetë pjesë e një kuvendi jolegjitim

0

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se Kuvendi i Kosovës është bërë mbulesë për kapjen e shtetit.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Haradinaj ka thënë se partitë opozitare nuk do të marrin pjesë në seancat e Kuvendit të Kosovës. Ky veprim i partive opozitare, sipas Haradinajt, nuk nënkupton dorëzim të mandateve.

“Nuk dorëzohen mandatet, por deputetët e opozitës nuk do të marrin pjesë në punimet e një Kuvendi, sepse e konsiderojnë jolegjitim”, është shprehur Haradinaj, i cili ka bërë me dije se opozita mbetet e bashkuar në pikat për të cilat është rënë dakord më herët, pavarësisht dallimeve që mund të kenë si subjekte politike.

“Opozita ka pasur dhe ka dallime, pasi jemi parti të ndryshme politike. Por, mund t’ju them se opozita ka një qëndrueshmëri së bashku për temat për të cilat kemi rënë në dakord, për kundërshtimin e dy marrëveshjeve, për kundërshtimin e kësaj qeverie antikushtetuese dhe për dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme. Pra, për këto pika jemi bashkë dhe s’ka ndarje e as përçarje të opozitës”, është shprehur Haradinaj.

Ai ka shtuar se tash opozita do ta rrisë kundërshtimin e saj me anë të protestave deri në dorëheqjen e regjimit Mustafa – Thaçi. Kurse sa i përket paralajmërimit të presidentes Atifete Jahjaga për formimin e një komisioni të pavarur me ekspertët ndërkombëtarë për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, Haradinaj ka thënë se kjo ide tashmë është e vonuar.

“Mendojmë se ideja për një komision të tillë është e vonuar. Pra, në bazë të rendit, i pari veprim që është dashur të ndodhë ka qenë shkarkimi i komisionit të kryesuar nga z. Meha, pastaj fillimi i një komisioni të ri”, ka deklaruar Haradinaj. /Epoka e Re/

Politika i detyron qytetarët ta braktisin vendin

0

Situata nëpër të cilën po kalon vendi, në këtë thellim të krizës politike dhe institucionale në 7 mujorin e fundit, shtator 2015- mars 2016, dhe vazhdimin e saj pa sinjale të zgjidhjes, sipas analistëve politikë ka filluar të ndikojë negativisht te disponimi i qytetarëve dhe besimi edhe ashtu i zbehur në këtë klasë politike.

Analisti politik, Albrim Badallaj thotë se kupa e zhgënjimit të qytetarëve të Kosovës ka filluar të mbushet kaherë, por ka kulmuar me këto zhvillimet e fundit.

“Shpresa e humbur e qytetarëve daton që prej kohësh. Fillimisht statusi i zgjatur politik i Kosovës, papunësia, varfëria, moszhvillimi ekonomik, izolimi i vendit nga proceset integruese, korrupsioni e shumë dukuri të tjera negative kanë kontribuar që qytetarët e këtij vendi të mos kenë besim në klasën tonë politike dhe institucionet shtetërore, e si rezultat të kësaj pakënaqësie e kemi procesin e zgjedhjeve ku dalin vetëm 30% e popullit”, u shpreh ai për Kosova Sot.

“Realisht ngjarjet e fundit, të situatave konfliktuoze mes pozitës dhe opozitës, e këto jo vetëm verbale, kanë qenë të papara deri më tani dhe rrallëkush prej qytetarëve para 1 viti do të besonin se do të vinin situata të këtilla”, tha Badallaj. /Kosova Sot/

Rishpallet konkursi për rektor

0

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” gjatë këtyre ditëve pritet ta rishpallë konkursin për rektor të këtij institucioni.

Këshilli Drejtues më 4 mars 2016, dështoi që të zgjedhë rektorin e ri për shkak të mosmarrjes së votave të duhura nga asnjë kandidat.

Në konkursin e ri kandidatët që iu nënshtruan garës për rektor, Lul Raka, Naser Sahiti, Anton Berishaj dhe Sali Bashota, sipas praktikave të këtij Universiteti nuk do të kenë të drejtë të konkurrojnë më për këtë pozitë. Marjan Dema, kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve ka rikonfirmuar për “Zërin” se këta kandidatë nuk do të kenë më të drejtën e konkurrimit.

Ai ka sqaruar se sipas praktikave që zbatohen në këtë Universitet për zgjedhjet sikurse për këshilla të fakulteteve, dekan si dhe rektor, kandidati që nuk merr tri herë radhazi votat nuk mund të ketë të drejtën e rikonkurrimit.

“Kështu kemi deklaruar edhe më herët, kështu është praktikuar në çdo nivel të zgjedhjeve deri tash dhe kështu kemi vepruar. Ndoshta pas një viti ai mund të konkurrojë, por nuk është e udhës ta bëjë këtë së paku brenda këtij gjashtëmujori”, ka bërë të ditur Dema.

Ndërkaq Valmir Krasniqi, kryeredaktor i revistës ndërkombëtare “MathProblems”, thotë se në Statutin e UP-së në asnjë nen nuk parashihet se nuk mund të konkurrojnë përsëri ata kandidatë që s’i morën votat e nevojshme.

“Megjithatë, kandidatët që kanë dështuar të zgjidhen në konkursin e parë është mirë të mos konkurrojnë përsëri, pasi që ata nuk e kanë marrë mbështetjen e Këshillit Drejtues, prandaj zgjedhja e ndonjërit prej tyre në pozitën e rektorit, në një formë apo në tjetrën do t’i diskreditonte vetë ata”.

Ndryshe, ai thotë se me këtë përbërje të Këshillit Drejtues (të paktën tre anëtarë kanë bërë shkelje të etikës akademike) nuk mund të pritet që në krye të UP-së të vijë ndokush që do t’i shtyjë proceset pozitive përpara. /Zëri/

“Viva Fresh” në Prizren përfshihet nga zjarri

0

Drejtoria e Policisë Rajonale në Prizren bën të ditur se mbrëmë rreth orës 21:30 minuta është përfshirë nga zjarri depoja e Qendrës Tregtare “Viva Fresh”, derisa zjarri është lokalizuar nga ekipet e zjarrfikësve.

“Rreth orës 21:30 minuta, në ambientet e depos së Qendrës Tregtare “VIVA FRESH” në rrugën “Tirana” ka shpërthyer një zjarr i cili është lokalizuar nga Njësiti i zjarrfikësve”, thuhet në njoftim.

Pas pranimit të informatës, Polica e Prizrenit ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka kuptuar se zjarri ka shpërthyer në depot ku janë të vendosur frigoriferët.

Sipas një menaxheri dyshohet se vlera e dëmit mund të jetë rreth 10,000 euro.

“Dyshohet se shkaktari zjarrit të jetë korrenti elektrik. Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetues policorë dhe krim teknikët”, thuhet në fund. /PrizrenPress.com/

Limaj: Ambasadat e Kosovës po shpifin për opozitën

0

Fatmir Limaj në emisionin “Rubikon” të KTV-së ka thënë se shteteve të huaja po u thuhet çdo gjë e keqe për opozitën.

“Ambasadat po flasin çdo gjë të keqe për opozitë. Nuk ka ambasadë që shpif më shumë për opozitën”, ka thënë Limaj, transmeton Koha.net.

Ai ka thënë se ndërkombëtarëve u është prezantuar skenari i protestave të 17 shkurtit, që sipas atyre që Limaj i ka quajtur “inteligjenca e Kosovës”, skenar që ka pasur edhe parashikim të vrasjeve.

Limaj ka thënë se opozita nuk duhet të qëndrojë më Kuvendin e Kosovës, sepse nuk ka kuptim më.

“Gjëja e parë është largimi nga Parlamenti. Opozita duhet të tregojë se se në parlament ky regjim nuk e dëgjon opozitën, sikur nuk e ka dëgjuar popullin në protesta”, ka thënë Limaj.

Ai ka folur edhe për deputetët që e kanë ndërruar mendimin gjatë votimit të Thaçit për president, por edhe për Gjykatën Speciale.

Limaj ka thënë se nuk është standard dhe se nuk është normale që për 15 minuta të ndërrohet mendimi për votim.

Kryetari i Nismës për Kosovë ka folur për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, për të cilat ka thënë se kanë qenë shumë kontroverse.

Sipas Limajt, disa vendime kanë qenë kontroverse dhe se kanë krijuar situata në vend, duke përmendur rastin e ish-presidentit Pacolli, që sipas tij është më kontroversi.

Ai gjithashtu ka thënë se Kushtetuesja është bërë organ vendimmarrës politik.

“Gjykata Kushtetuese u bë vendimmarrës politik, është futur në kompetencat e institucioneve”, ka thënë Limaj.

Arrestohet personi që kishte therur eprorin policor në Dragash

0

Policia e Prizrenit bën të ditur se ka arrestuar një person i cili kishte therur një epror të policisë një javë para Vitit të Ri.

“Një javë para Vitit të Ri, një epror i Policisë së Dragashit i cili ishte jashtë detyre dhe po lëvizte nëpër oborrin e një kafeneje ishte plagosur me mjet të mprehtë pas shpine në mënyrë tinëzare nga një person, i cili deri në ditën sotme kishte qenë i panjohur për policinë, mirëpo pas një hetimi të gjatë dhe këmbëngulës i njëjti është identifikuar dhe arrestuar”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas Policisë gjatë intervistës, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka zgjedh të mbrohet në heshtje. Pas njoftimit lidhur me rrethanat e rastit, prokurori i shtetit ka nënshkruar vendimin për masën e arrestit policor për të dyshuarin. /PrizrenPress.com/

Arrestohen tre persona për fajde në Prizren

0

Në Prizren janë arrestuar tre persona për fajde nga Policia e Kosovës, rajoni i Prizrenit.

“Në vazhdën e hetimit të rasteve të fajdeve, hetues rajonal nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, me urdhëresë të gjykatës kanë kryer një bastisje në një shtëpi në fshatin Shpinadi me ç’ rast kanë arrestuar tre vëllezër me mbiemër Kuzhnini”, thuhet në raportin policor.

Gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri të llojit pistoletë M 57 me shtatë fishekë të kalibrit 7.62mm, një shufër metalike dhe dy llap-top.

Pas intervistave me të dyshuarit është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që njëri nga vëllezërit të lirohet ndërsa dy të tjerë të ndalën nën masën e arrestit policor. Provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme. /PrizrenPress.com/