Home Blog Page 6752

Arrestohet personi që kishte therur eprorin policor në Dragash

0

Policia e Prizrenit bën të ditur se ka arrestuar një person i cili kishte therur një epror të policisë një javë para Vitit të Ri.

“Një javë para Vitit të Ri, një epror i Policisë së Dragashit i cili ishte jashtë detyre dhe po lëvizte nëpër oborrin e një kafeneje ishte plagosur me mjet të mprehtë pas shpine në mënyrë tinëzare nga një person, i cili deri në ditën sotme kishte qenë i panjohur për policinë, mirëpo pas një hetimi të gjatë dhe këmbëngulës i njëjti është identifikuar dhe arrestuar”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas Policisë gjatë intervistës, në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka zgjedh të mbrohet në heshtje. Pas njoftimit lidhur me rrethanat e rastit, prokurori i shtetit ka nënshkruar vendimin për masën e arrestit policor për të dyshuarin. /PrizrenPress.com/

Arrestohen tre persona për fajde në Prizren

0

Në Prizren janë arrestuar tre persona për fajde nga Policia e Kosovës, rajoni i Prizrenit.

“Në vazhdën e hetimit të rasteve të fajdeve, hetues rajonal nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren, me urdhëresë të gjykatës kanë kryer një bastisje në një shtëpi në fshatin Shpinadi me ç’ rast kanë arrestuar tre vëllezër me mbiemër Kuzhnini”, thuhet në raportin policor.

Gjatë bastisjes, policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe një armë zjarri të llojit pistoletë M 57 me shtatë fishekë të kalibrit 7.62mm, një shufër metalike dhe dy llap-top.

Pas intervistave me të dyshuarit është informuar prokurori i shtetit i cili ka urdhëruar që njëri nga vëllezërit të lirohet ndërsa dy të tjerë të ndalën nën masën e arrestit policor. Provat materiale dhe shkresat e lëndës do t’i kalojnë prokurorisë për procedura të më tejme. /PrizrenPress.com/

Aksident i rëndë në Rrugën e Kombit

0

Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në autostradën e Kombit, përkatësisht afër Kukësit.

Siç ka bërë të ditur një lexues i Telegrafit, aksidenti ka ndodhur ndërmjet dy veturave, një BMW7 dhe një GOLF5, sot rreth mesditës.

Po sipas lexuesit, i cili nuk ka mundur të jap detaje rreth asaj nëse ka ndonjë të lënduar, në momentin që ai ka qenë aty, nuk ka parë njerëz.

“Nuk ka pasur njerëz në momentin që kaluam aty. Por ambulancën e kemi parë duke shkuar në drejtim të Kosovës. Vetura Golf kishte tabela KS”, ka shkruar lexuesi në fjalë. /Telegrafi/

Konica: “Shqipëria ka kaq shumë njerëz të mëdhenj, sa preshët dhe lakrat”

0

Njeriu i madh! Në Shqipëri, gjithkush vetëquhet “dikush”, qoftë edhe jurist, gjykatës, deputet a kryetar bashkie me diplomë të mjerë a të blerë, apo fare pa diplomë.

Në Shqipëri, gjithkënd e quajnë edhe më shumë : “të madh” – sidomos kur është fjala për ndonjë politikan dhe kur surrati nuk i shqitet nga televizioni dhe mediat e parapaguara. E tek nuk rreshtin së shkruari e së foluri për të, ai, me ton të rëndë (ngaqë i di të gjitha!) na bën diellin, shiun e erën, s’e ka për gjë të qeshë e të tallet, të ironizojë e të krekoset (si gjeli majë plehut), por edhe të ulërijë, gjëmojë e akuzojë, bile frikshëm, me gishtin tregues mesjetar tundur kërcënueshëm, shoqëruar nga mimikë gjithë ngërdheshje e zgërdheshje, që tremb edhe engjëjt në gjumë e pordhët në bark.

Në Shqipëri, të gjithë japin mendime, me bollëk, sa ujët e oqeanit; të gjithë janë e na dalin profesorë doktora, analistë e shkuar analistit, bile-biles, dhe më i thjeshti shqipo e mbaron fjalinë: “Kupton ti apo jo, është kështu si të them unë! Dhe pikë!”

Në Shqipëri, ka kritizerë me okë, po “të mëdhenj” ama, me kuintalë. E kush nuk e njeh egon egocentriste historike me fuqi centrifugale të shqipos, “të Njëshit” të mijëfishuar?! Të gjithëve u kuturis kuturu “mendja dijetare” për të thënë se duhet bërë kështu e ashtu, kjo e ajo, se ja gabimi, ja faji, ja dhe “unë, Muço ustai”! Dhe “oburrani skepetaro!”, siç thotë Faik Konica, o burrani rrahë-gjoksa, hyxhym, pas bajrakut! Hyxhym pas berihasë! Dhe… bëjmë a s’bëjmë pas!
E mjera Shqipëri, i mjeri komb, që s’po mëson që s’po mëson dot abëcë-në e ligjit e të qytetërimit, abëcë-në e dinjitetit.

Në Toskëri quajnë “njerëz të mëdhenj” ata që kanë arritur në një shkallë të sipërme në shërbim të guvernës: Ferid Pasha, Turhan Pasha, Tahir Pasha, Rexhep Pasha, Smail Qemal Beu, Esad Pasha, etj., janë, pas kokës së toskëve “njerëz të mëdhenj”. Kjo është mjaft e bukur. Po ka më mirë. Mësova tani shpejt se gegët thirrkan “xhin të mdhâj” ata që kanë ergjend. Dodmasei dhe Terpua janë “xhin të mdhâj” pas kokës së gegëve.

Unë e kam për nder dhe për lëvdatë që në vendin tonë njerëzit e mëdhenj dalkan me aq shumësi sa preshët dhe lakrat. Se në vise të tjera, nga të gjitha pemët, më e rralla është njeriu i madh. Po të marrim për tregim [shembull] një mbretëri të gjerë si Englia, shohim se ajo sot për sot nuk ka e nuk njeh ndonjë njeri të madh në gji të saj. Ka gjeneralë të mëdhenj si Lord Kitchner-in, burra-shteti të mëdhenj si Joseph Chamberlain, “businessmen” të mëdhenj, si Andrew Carnegie, vjershëtorë të mëdhenj si Swinburne. Po që kur vdiq Gladstone, nuk ka më, a nuk ka akoma ndonjë “njeri të madh”.

Në Gjermani prapë, njerëzit e mëdhenj janë të rrallë: Bismarck-u ish një njeri i madh; po kam frikë se mos nuk më besojnë kokat e Toskërisë kur t’u them se princi Von Bülow, i cili ndodhet sot në vend të Bsimarck-ut shkon [shihet] vetëm për një njeri i ndershëm dhe fatmirë (“kismetlli”). Francës, që në vdekje të Victor Hugo-së nuk i ka dalë ndonjë njeri i madh: po edhe Victor Hugo-nj ka shumë sot në Francë, por vetëm atë e-quajnë të madh vjershëtor; dhe qeshin po të të shohin se ti i merrke ata për njerëz të mëdhenj.

Franca, si viset e tjera që quhen të qytetëruara, e përdor me shumë masë fjalën për të cilën po kuvendojmë. “Njeri i madh” ishte Napoleoni i I-rë; po megjithëse më pak i dëgjuar, njeri i madh ishte, për tregim, edhe një burrë si Dupleix, trajtori [guvernatori] i Indisë frënge.

Me të tjera fjalë, Evropa e qytetëruar quan “njeri të madh” një njeri i cili, i frymëzuar me qëllime të larta dhe i zoti të ngrejë plane të gjera, ka pasur forcën e karakterit për t’i vërtetuar pak a shumë, ka përbërë një influencë përmbi kohën e tij dhe ka luajtur një rol në historinë e përbotshme. Po ta kuptojmë edhe ne ashtu fjalën, i vetmi “njeri i madh” që ka pasur Shqipëria në kohë të reja është Skënderbeu.

Sikur të vesh në një vend të qytetëruar, bie fjala në Francë, dhe të thuash se një prefekt (vali), a një nga ata që gatuajnë miliona në bursë është në sytë e tu një “njeri i madh”, a do që të të hedhin në portë posi një shtazë pa dinjitet, a do që të të japin [të dorëzojnë] te polica që të mbyllesh posi një i prishur mendsh i rrezikshëm? Gjer kur shqiptarët kanë për të mbetur pa kuptuar vlerën e fjalëve? Në qoftë se ky pakuptim shfaq vetëm padije, ahere sëmundja do të shërohet me kohë. Mjerisht, unë kam frikë se mos dëfton jo vetëm padije, por një mungesë më të rëndë: mungesën e dinjitetit. Një komb pa dinjitet nuk meriton, nuk mundet, të çlirohet (Shqiptarja, sipas “Albania”, nr. 8, viti 10, gusht 1906).

Është bllokuar rruga Mirushë-Gurbardh

0

Si pasojë e reshjeve të pandërprera, është rritur niveli i ujit në lumin Mirusha dhe në liqenin Mirusha. Rruga Mirushë-Gurbadh, është bllokuar, pasi sasi e ujit në liqen ka dalë mbi rrugë. Po ashtu, uji ka filluar të depërtoj edhe në rrugën në hyrje të Malishevës, përkatësisht rruga Malishevë-Duhël.

Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, këshillin qytetarët, që të përdorin rrugë alternative dhe ti reduktojnë lëvizjet e panevojshme me vetura, shiu i vazhdueshëm ka bërë që të ketë prurje të mëdha të ujit dhe në vende të caktuara, mund të ketë bllokim të rrugëve dhe urave.

Njësitë emergjente të Komunës së Malishevës, janë në gatishmëri,së bashku me njësinë e Zjarrfikësve dhe Shpëtimit dhe me Policinë e Kosovës.

Të panjohurat e Naim Frashërit

0

Dorian Koçi

Krijimtaria letrare e Naim Frashërit është bërë prej shumë kohësh objekt i njohur studimi. Si një nga krijuesit dhe figurat qendrore të letërsisë së Rilindjes sonë Kombëtare për të janë shkruar monografi dhe studime të veçanta letrare ku janë nxjerrë në pah fillesat e krijimtarisë, talenti i tij, vështirësitë e të vjershëruarit në shqip ( në një gjuhë që arti poetik ishte lëvruar pak ose aspak), por nuk kanë munguar edhe kritikat që në disa raste kanë shkaktuar reagim në botën shqiptare si është p.sh artikulli i njohur i Konicës në gazetën “Dielli”, “Helm e vrer kundër idolit të ditëve tona djaloshare”në 1937. Poezia dhe arti poetik i Naim Frashërit, ç’është e vërteta nuk ishte hera e parë që viheshin në peshoren e kritikës, parë dhe shqyrtuar nëpërmjet doktrinës së kritikës së artit për art si ishte dhe konstatimi i një prej studiuesve të parë të tij, profesor Kostaq Cipo kur shkruante se vargu i Naimit është i qartë, i lehtë , i papunuar, përkulet e jipet por hiqet edhe zvarrë. Melankolia që pështjell një pjesë të vjershës së Naimit ka fuqi të hapë një plagë në zemër, por ka dhe melhelmin me vete që të na përthajë plagën e hapur. Një gjë vetëm i mungon dekalogut estetik të Naimit, ajo që thirret lucidius orfo-renditje logjike. [1], por të rreshtuara si lumë akuzash cinike në penën e Konicës, ato morën një ngjyrim negativ.

Është afërmendsh që letërsia shqipe e kohës së Rilindjes kishte një tipar propagandistik që synonte me një gjuhë të thjeshtë të realizonte zgjimin kombëtar, e prej këndej kemi edhe forma të dobëta stilistikore, por ky tipar nuk mund të zbehë vlerat e vërteta të veprës së Naim Frashërit. Prof. Shuteriqi me të drejtë ka vërejtur se me Naimin filloi në Shqipëri një periudhë e re në historinë e letërsisë dhe kulturës. Vepra e tij është si një gur themeli. Naimi krijoi një vepër poetike të gjerë e në kaq gjini, vepër që pati një ndikim aq të rëndësishëm e të paprerë mbi brezat e poetëve dhe shkrimtarëve që erdhën pas vdekjes së tij. Ajo vepër hyri ashtu edhe në bazën e gjuhës letrare shqipe, duke mbetur, edhe nga kjo anë, një vepër madhore.[2] Është pikërisht ky kontribut i paçmuar që e rendit Naim Frashërin, si poetin kombëtar të shqiptarëve, pasi vepra e tij jo vetëm që u shtri në disa gjini letrare, por duke qenë prej shumë kohësh një prej veprave bazë të leximit në shqip, u kthye në një vepër që ushqeu fidanishtet e para të shqiptarizmës.

Një aspekt pak i njohur, por dhe shumë i paragjykuar më vonë nga breznitë e mëvonshme të studiuesve është pasqyrimi në letërsinë e poezinë e tij të mitit pellazgjik dhe prejardhjes së shqiptarëve prej tyre. Nuk ka munguar në shtypin e zakonshëm shqiptarë, autorë dhe historianë post Konicianë që veprat e tij si “Parajsa” apo parathënien e përkthimit të Këngës I së “Iliadës” të Homerit, t’i paragjykojnë dhe ashtu si Konica në 1937 t’i quajnë “shtëpi të marrësh”, por përpara se të gjykojmë poezinë, pra fiction për histori, studiuesit duhet të shikojnë mënyrën sesi është përfshirë në tezën pellazgjike Naimi dhe ç’përfaqësonte në atë kohë kjo tezë për mendimin europian dhe shqiptar të kohës. Në rizbulimin që shumë figura të elitës europiane i bënë Shqipërisë dhe shqiptarëve që nga fillimi i shekullit XIX dhe në vazhdim, konstruktuan nëpërmjet gjurmimeve të tyre albanologjike imazh më të qartë të tyre sesa ai që ekzistonte nga njohjet e përcipta. Në vitin 1854, konsulli i Austrisë në Janinë, Hahn botoi “Studimet Shqiptare” në të cilin ai pohonte autoktoninë e shqiptarëve, përforconte karakterin antik të kombit shqiptar, meqenëse shqiptarët e vjetër nuk ishin më ilirë,t por pellazgët, përfshinte maqedonasit në grupin pellazgo-shqiptar dhe paraqiste periudhën maqedonase si kohën e artë të kombit. Ai zbuloi po ashtu një prejardhje të përbashkët, dhe kësisoj një afri, midis shqiptarëve, grekëve dhe romakëve.[3] Po kështu, më 1857, historiani gjerman, Jakob Philipp Fallmerayer, botoi librin ‘Elementi shqiptar në Greqi”, ku sërish i bëri jehonë autoktonisë dhe origjinës pellazgjike të shqiptarëve. Sigurisht që në këto përsiatje, në një analizë historike të mëvonshme kuptohet që ka pasur një shqetësim gjeostrategjik, pasi teoria e historisë parahistorike ishte një përpjekje për të penguar pansllavizmin dhe pangjermanizmin dhe në mesin e shekullit XIX. Sipas Dora D’Istrias konsiderohej si një shkencë që porsa ka lindur në ditët tona dhe si të gjithë shkencat e tjera, ajo ka themele shumë të shëndosha në filologjinë dhe në mitologjinë e krahasuar, në shqyrtimin e karaktereve morale dhe fizike, në arkeologjinë primitive, në traditat kombëtare etj[4].

Pra si shikohet në mesin e shekullit XIX, origjina pellazgjike ishte një realitet pothuajse i prekshëm shkencor ndaj të cilit nuk mund të ishin indiferentë përfaqësues të rëndësishëm të elitës shqiptare, përfshirë këtu dhe Naim Frashërin. Në parathënien e përkthimit të Këngës së Parë të Iliadës nga Homeri, Naimi përmend Falmajerin dhe kur përshkruan konfliktet midis Europës dhe Azisë, nënvizon se tri her’e kanë shpëtuar nga Azia Evropënë shqipëtarëtë: Aqillehti mundi troasitë, Aleksandri i Math persanëtë, Skënderbeu tyrqitë.[5] Po kështu në të njëjtën parathënie Naimi nënvizon sërish se Irodhoti thotë se besënë grekërit’ e vjetër e muarrë nga pellasgëtë, të cilët janë, si thamë shqiptarët e vjetërërë dhe fjalëte besësë e të perëndivet i kanë rrënjëtë në gjuhëtë shqip, si Theta, deti, Afrodhit, Afërdita, se Afërdita ish Yll’ i mëngjesit; Djana, Hanë në gegënisht.[6]Pikëpamje të tilla kishte shprehur prej kohësh edhe De Rada që në vitin 1864 kur kishte botuar “Antichita della nacione albanese”. De Rada rrimerte idenë se gjuha dhe kombi shqiptar ishin më të vjetër se sa gjuha dhe kombi grek. Politeizmin grek ai e merrte thjesht si sistematizim të fesë së pellazgëve. Për ta bërë këtë, ashtu si kishte bërë dhe Krispi, ai e rilexonte Homerin duke kërkuar etimologji në gjuhën shqipe për emrat e hyjnive pellazge të marra nga grekët. Kështu për shembull Athina vinte nga shqipja e thënë, fjalë për fjalë “ajo që është thënë”, Ira vinte nga Hera dhe Dilios nga diell.[7]

Përpjekjet linguistike dhe historike të elitës kombëtare të shqiptarëve për të evidentuar origjinën e vet pellazgjike nuk duhen parë si lajthitje shkencore aq më tepër që pas vitit 1860 filluan edhe nga elita greke në një sërë shkrimesh t’i mëshohet origjinës së përbashkët pellazgjike. Në Lamia të Greqisë në 1861 doli gazeta Pellazgiotis dhe nëntitullin shqip Shqiptari dhe greku e Anastas Bykut nga Lekli. Që nga ky vit dhe në vazhdim sa herë në qiellin e Ballkanit do të shihej një konflikt i afërt greko-osman, autorë të shumtë grekë do i mëshonin tezës pellazgjike, duke synuar që nëpërmjet theksimit të origjinës së përbashkët, të kishin më të lehtë dhe afrimin midis dy popujve.

Sigurisht që kjo tentativë shkonte ndesh me përpjekjet e elitës shqiptare që krahinën e Toskërisë e shikonin në një zgjatim natyral të asaj që në Mesjetë quhej Shqipëria e Poshtme. Në këtë drejtim duhet parë edhe përkthimi i Këngës së Parë të Iliadës, i theksimit të origjinës së lashtë të shqiptarëve. Ky përkthim u realizua në prag të konfliktit greko-osman të vitit 1897, dhe Naimi dëshiron që në këtë përplasje shqiptarët të jenë të vetmit mëtonjës të origjinës dhe autoktonisë në Ballkan. Për më tepër në përkthimin e veprës ai refuzon një traditë më të hershme të shkrimit për një poemë epike në heksametër, varg 16 rrokësh dhe e përkthen në tetë rrokësh. Përse ndërron vargun origjinal të poemës Naimi? Aq më tepër që “Bagëti dhe Bujqësi” dhe “Dëshira e vërtetë të shqiptarëve” e ka në 16 rrokësh. Jemi të mendimit sesi një lexues i rregullt i De Radës, pavarësisht që më parë për të ishte shprehur se nuk e kuptonte mirë gjuhën shqipe të veprës tij, duke mëtuar origjinën pellazgjike, “Iliadën” e Homerit e përkthen në vargun e bardhë, trokaik të Rapsodisë së Poemit Shqiptar të De Radës. Ai beson se origjina e këngëve të mëtuara shpeshherë nga De Rada se i ka mbledhur nga kolonitë shqiptare në Kalabri, janë gjurmë të hershme të një poezie të lashtë të pellazgëve dhe si shkrimtar romantik që kërkon kthimin në vlerat e së kaluarës, braktis talentin e vet për të vjershëruar dhe na jep një variant të Iliadës në funksion të idesë dhe qëllimit të tij. Poezitë tradicionale të kolonive shqiptare të Italisë dhe më të hershmet të kolonive të Greqisë janë gjithashtu pa rimë; madje mungesa e rimës është treguesi kryesor i hershmërisë së tyre dhe origjinës së njëmendë popullore së tyre. Pa rimë pa strofa thotë De Gracia në lidhje me përmbledhjen e tij me këngë popullore tradicionale italo-shqiptare-siç është zakon edhe në ditët e sotme edhe ndër shqiptarët më të thjeshtë , por përherë me vargje tetë rrokësh të lirë , të përzier me ndonjë shtatërrokësh dhe gjashtërrokësh; që të gjithë të marrë së bashku krijojnë një harmoni të këndshme , por monotone[8].

Teoria pellazgjike nuk mund të quhet një çështje e mbyllur, pasi në shkencë asnjëherë nuk ka debate të mbyllura përgjithmonë, ndaj rivlerësimi i çdo të dhëne historike dhe arkeologjike që zbulohet nuk bën asgjë tjetër veçse i jep një shtysë më tepër afrisë drejt së vërtetës. Kur themi se Naim Frashëri përfaqëson një nga figurat më të mëdha të kombit shqiptar kemi parasysh edhe këto dimensione të tij kulturore çka i minimizon çdo debat rreth artit të tij poetik, pasi vlera e tij për kulturën shqiptare është e patjetërsueshme dhe madhështore.

[1]KostaqCipo. Biblioteka e punëtorit shqiptar. Antologji e mendimit estetik shqiptar 1504-1944, mbledhur e përgatitur nga NashoJorgaqi, Tiranë:1979, Shtëpia Botuese NaimFrashëri, fq 302

[2]Dhimitër.S.Shuteriqi. NaimFrashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980, fq 67

[3] Nathalie Clayer. Në fillimet e nacionalizmit shqiptar. Përpjekja:2009, fq 149

[4]Ahmet Kondo. Dora D’istria për çështjen kombëtare shqiptare.Tiranë: Flesh, faqe 148

[5]Naim Frashëri, jeta dhe vepra e tij. Vepra të zgjedhura , Vëllimi I, Akademia e Shkencave të RPSSH, Tiranë:1980, fq 406

[6] Po aty, fq 406

[7]Nathalie Clayer. Nëfillimet e nacionalizmit shqiptar. Përpjekja:2009, fq 157

[8]Gaetano Petrota, Populli, gjuha dhe letërsia shqiptare, Tiranë:2008, Almera, fq 178

Zafir Berisha: Po legjitimohet logjika komuniste e Isa Mustafës

0

Deputeti i Nismës Zafir Berisha ka thënë se në Kosova po rrëshqet drejtë një diktature. Sipas tij, logjika komuniste e Isa Mustafës tashmë po legjitimohet.

Berisha thotë se do të vije dita kur kjo Qeveri do të japë llogari para qytetarëve.

Postimi në Facebook

Skaneri nuk është zgjidhja e problemit në Kosovë, shpenzimi i 250 mijë eurove për këtë Skaner dhe miliona eurove tjera që shpenzohen për ta mbajtur pushtetin me dhunë është tregues i keq për vendin tonë, sepse me këtë Kosova po rrëshqet drejtë diktaturës dhe njëmendësisë në Kuvendin e Kosovës dhe me dashje apo pa dashje po legjitimohet logjika komuniste e Isa Mustafës, ku ata të cilët nuk mendojnë sikur ai duhet të ndëshkohen, këtë gjë fillimisht e ka bërë në partinë e tij dhe tash këtë logjikë komuniste e ka sjellë edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Vazhdimi i seancës pa opozitën është mesazh jo i mirë për demokracinë dhe pluralizmin në Kosovë, ndërsa pasojat për këtë situate në të cilët gjendet Kosova do ti vuaj qytetari I vendit.

Opozita me veprimet e sajë do të vazhdojë ti rezistoj kësaj qeverie antikushtetuese me një mobilizim gjithë qytetarë për ta shpëtuar vendin nga fundosja..
Injorimi dhe bojkotimi opozitarë do të arrijë që t’ia heq maskën kësaj Qeverie dhe për t’ia nxjerrë ne dritë fytyrën e vërtetë komuniste dhe kriminale.
Vetëm tek ne në Kosovë ka njerëz që edhe tradhtinë ndaj atdheut mundohen ta kamuflojnë si veprim politik, që është një fatkeqësi ndaj të cilës nëse nuk vetëdijesohemi shpejt, dikur do të jetë vonë.

Herët apo vonë kjo qeveri esatiste do të përgjigjet para qytetarëve për demin që është duke ja bërë Republikës, me faktorizimin e Serbisë në Kosovë dhe që po na e vë në pikëpyetje ambicien legjitime të Kosovës për një shtet demokratik.
Z.B

Adnan Merovci, edhe një mandat në krye të KPM-së

0

Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM), në mbledhjen e mbajtur më 09.03.2016, ka rizgjedhur Adnan Merovci për kryetar të KPM-së edhe për një mandat tjetër.

Merovci ka lindur në Vushtrri më 1956. Ai është i diplomuar në Fakultetin Elektroteknik të Universitetit të Prishtinës. Pas diplomimit për 10 vite deri në vitin 1990 ka punuar në Bankën e Bashkuar të Kosovës (BANKOS).

Nga viti 1990, ka qenë udhëheqës i Protokolit të Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova deri në vitin 2000. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Drejtor i Postave të Kosovës, ndërsa më pas Kryeshef i Sekretariatit të KQZ-së nga viti 2003 deri në 2006. Në vitin 2008 është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Post Telekomit të Kosovës. Në vazhdim ka drejtuar disa ndërmarrje kosovare që kanë vepruar në partneritet me firma të huaja në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm.

Është i martuar, baba i 4 fëmijëve. Nga gjuhët e huja e flet gjuhën angleze, gjuhën serbe dhe atë turke. /PrizrenPress.com/

Në Malishevë po rritet niveli i ujit në lumenj e përroska

0

Drejtoria Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim në Komunën e Malishevës ka bërë të ditur se po rritet niveli i ujit në lumenj e përroska.

DKMSh-ja i bën thirrje qytetarëve, që mos të lëvizin pa nevojë, për shkak të të reshurave të pandërprera të shiut, të cilat kanë tendencë të rritjes dhe shkaktimit të përmbytjeve, në zona të caktuara, sidomos përgjatë lumit Mirusha. /PrizrenPress.com/

Haradinaj: Jo nuk ndahet opozita

0

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se vendimi i sotëm i deputetëve të Opozitës, është pasojë e veprimeve dhe qëndrimeve të papërgjegjshme të klasës politike, e cila po vazhdon ta qeverisë vendin në mënyrë antikushtetuese.

“Dy marrëveshjet më të cilat është shkelur edhe Kushtetuta e Kosovës edhe është rrezikuar sovraniteti dhe integriteti territorial i vendit, nuk do të mund të kalojnë”.

“Ne do të vazhdojmë të jemi Opozitë e Bashkuar, që nuk do të lejojë vazhdimin e kapjes së shtetit”.

“Do të jemi të palëkundur që në aleancë me qytetarin dhe me përfaqësuesit e përgjegjshëm politik të këtij vendi, të mos lejojmë që një grusht njerëzish, të vendosin për fatin kolektiv dhe do të jemi të vendosur që mandatin se si të qeveriset ky vend, ta kthejm te ju, te qytetari”.

“Do të jemi bashkë në këtë rrugëtim. Mbështetja për një shtet të së drejtës e pa korrupsion, po rritet. Shihemi me 26 Mars në Prishtinë!”, shprehet Haradinaj. /Politiko.net/