18.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Konica: “Shqipëria ka kaq shumë njerëz të mëdhenj, sa preshët dhe lakrat”

Njeriu i madh! Në Shqipëri, gjithkush vetëquhet “dikush”, qoftë edhe jurist, gjykatës, deputet a kryetar bashkie me diplomë të mjerë a të blerë, apo fare pa diplomë.

Në Shqipëri, gjithkënd e quajnë edhe më shumë : “të madh” – sidomos kur është fjala për ndonjë politikan dhe kur surrati nuk i shqitet nga televizioni dhe mediat e parapaguara. E tek nuk rreshtin së shkruari e së foluri për të, ai, me ton të rëndë (ngaqë i di të gjitha!) na bën diellin, shiun e erën, s’e ka për gjë të qeshë e të tallet, të ironizojë e të krekoset (si gjeli majë plehut), por edhe të ulërijë, gjëmojë e akuzojë, bile frikshëm, me gishtin tregues mesjetar tundur kërcënueshëm, shoqëruar nga mimikë gjithë ngërdheshje e zgërdheshje, që tremb edhe engjëjt në gjumë e pordhët në bark.

Në Shqipëri, të gjithë japin mendime, me bollëk, sa ujët e oqeanit; të gjithë janë e na dalin profesorë doktora, analistë e shkuar analistit, bile-biles, dhe më i thjeshti shqipo e mbaron fjalinë: “Kupton ti apo jo, është kështu si të them unë! Dhe pikë!”

Në Shqipëri, ka kritizerë me okë, po “të mëdhenj” ama, me kuintalë. E kush nuk e njeh egon egocentriste historike me fuqi centrifugale të shqipos, “të Njëshit” të mijëfishuar?! Të gjithëve u kuturis kuturu “mendja dijetare” për të thënë se duhet bërë kështu e ashtu, kjo e ajo, se ja gabimi, ja faji, ja dhe “unë, Muço ustai”! Dhe “oburrani skepetaro!”, siç thotë Faik Konica, o burrani rrahë-gjoksa, hyxhym, pas bajrakut! Hyxhym pas berihasë! Dhe… bëjmë a s’bëjmë pas!
E mjera Shqipëri, i mjeri komb, që s’po mëson që s’po mëson dot abëcë-në e ligjit e të qytetërimit, abëcë-në e dinjitetit.

Në Toskëri quajnë “njerëz të mëdhenj” ata që kanë arritur në një shkallë të sipërme në shërbim të guvernës: Ferid Pasha, Turhan Pasha, Tahir Pasha, Rexhep Pasha, Smail Qemal Beu, Esad Pasha, etj., janë, pas kokës së toskëve “njerëz të mëdhenj”. Kjo është mjaft e bukur. Po ka më mirë. Mësova tani shpejt se gegët thirrkan “xhin të mdhâj” ata që kanë ergjend. Dodmasei dhe Terpua janë “xhin të mdhâj” pas kokës së gegëve.

Unë e kam për nder dhe për lëvdatë që në vendin tonë njerëzit e mëdhenj dalkan me aq shumësi sa preshët dhe lakrat. Se në vise të tjera, nga të gjitha pemët, më e rralla është njeriu i madh. Po të marrim për tregim [shembull] një mbretëri të gjerë si Englia, shohim se ajo sot për sot nuk ka e nuk njeh ndonjë njeri të madh në gji të saj. Ka gjeneralë të mëdhenj si Lord Kitchner-in, burra-shteti të mëdhenj si Joseph Chamberlain, “businessmen” të mëdhenj, si Andrew Carnegie, vjershëtorë të mëdhenj si Swinburne. Po që kur vdiq Gladstone, nuk ka më, a nuk ka akoma ndonjë “njeri të madh”.

Në Gjermani prapë, njerëzit e mëdhenj janë të rrallë: Bismarck-u ish një njeri i madh; po kam frikë se mos nuk më besojnë kokat e Toskërisë kur t’u them se princi Von Bülow, i cili ndodhet sot në vend të Bsimarck-ut shkon [shihet] vetëm për një njeri i ndershëm dhe fatmirë (“kismetlli”). Francës, që në vdekje të Victor Hugo-së nuk i ka dalë ndonjë njeri i madh: po edhe Victor Hugo-nj ka shumë sot në Francë, por vetëm atë e-quajnë të madh vjershëtor; dhe qeshin po të të shohin se ti i merrke ata për njerëz të mëdhenj.

Franca, si viset e tjera që quhen të qytetëruara, e përdor me shumë masë fjalën për të cilën po kuvendojmë. “Njeri i madh” ishte Napoleoni i I-rë; po megjithëse më pak i dëgjuar, njeri i madh ishte, për tregim, edhe një burrë si Dupleix, trajtori [guvernatori] i Indisë frënge.

Me të tjera fjalë, Evropa e qytetëruar quan “njeri të madh” një njeri i cili, i frymëzuar me qëllime të larta dhe i zoti të ngrejë plane të gjera, ka pasur forcën e karakterit për t’i vërtetuar pak a shumë, ka përbërë një influencë përmbi kohën e tij dhe ka luajtur një rol në historinë e përbotshme. Po ta kuptojmë edhe ne ashtu fjalën, i vetmi “njeri i madh” që ka pasur Shqipëria në kohë të reja është Skënderbeu.

Sikur të vesh në një vend të qytetëruar, bie fjala në Francë, dhe të thuash se një prefekt (vali), a një nga ata që gatuajnë miliona në bursë është në sytë e tu një “njeri i madh”, a do që të të hedhin në portë posi një shtazë pa dinjitet, a do që të të japin [të dorëzojnë] te polica që të mbyllesh posi një i prishur mendsh i rrezikshëm? Gjer kur shqiptarët kanë për të mbetur pa kuptuar vlerën e fjalëve? Në qoftë se ky pakuptim shfaq vetëm padije, ahere sëmundja do të shërohet me kohë. Mjerisht, unë kam frikë se mos dëfton jo vetëm padije, por një mungesë më të rëndë: mungesën e dinjitetit. Një komb pa dinjitet nuk meriton, nuk mundet, të çlirohet (Shqiptarja, sipas “Albania”, nr. 8, viti 10, gusht 1906).

Më Shumë

Shtyhet afati i procesit të regjistrimit të popullsisë

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se është shtyrë afati i procesit të Regjistrimit të Popullsisë deri më datën 24 maj.   Sipas komunikatës  së qeverisë, ky...

Kërkohet drejtësi për 77 martirët e Korishës

Me një manifestim përkujtimor, është shënuar 25 vjetori i vrasjes së 77 civilëve në Korishë, të cilët ishin përdorur si mburojë njerëzore nga serbët...

Lajmet e Fundit