Home Blog Page 6770

Malishevë: U promovuan veprat historike të dy autorëve kuksian

0

Sot në Komunën e Malishevës, janë promovuar tri vepra të dy autorëve shqiptar nga Kukësi, Rexhep Shahu dhe Izet Duraku, vepra të cilat prezantojnë fakte historike për planifikimin e shpërnguljeve të shqiptarëve, shqiptarët në raport me fuqitë e mëdha dhe depërtimin e përgjuesve serb. Në këtë promovim, mori pjesë edhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj dhe personalitete të shumta publike, historian e letrarë. Promovimi i këtyre veprave, është organizuar nga shoqata e shkrimtarëve “Tafil Kelmendi” në Malishevë.

Fillimisht në fjalën e tij, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, foli për ngjarjet historike nëpër të cilat ka kaluar populli shqiptar, përfshi edhe shpërnguljet dhe planifikimet serbo-sllave për shfarosjen e shqiptarëve, që edhe këto vepra i dedikohen asaj periudhe dhe atyre ngjarjeve. “Me këtë rast i falënderoj autorët për shkrimin e historisë, në mënyrë që të kujtohet historia jonë”, tha Begaj.

Ndërsa ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemajl Minxhozi, duke folur për autorët, tha se “janë dy figura të nderuara, të letërsisë, artit dhe historisë”. “Unë ju falënderoj për ftesën, por i falënderoj edh autorët që kanë zgjedhur Malishevën, për promovimin e këtyre veprave, me rëndësi historike, pasi Malisheva, është një qytet i vogël, me një të kaluar të lavdishme në historinë e popullit shqiptar”.

Më pas, njohës të letërsisë dhe historisë, nga Malisheva, Prizreni, Gjakova e Shqipëria, si Izet Shala, Mehdi Krasniqi, Muharem Kurti, Eqerem Kryeziu dhe të tjerë, folën për rëndësinë historike të këtyre veprave, ku pasqyrohet në mënyrë faktike, e gjithë periudha e tentimit të shpërnguljes së shqiptarëve, si dhe ana artistike dhe letrare, ku i vlerësuan jashtëzakonisht lartë këto botime.

Në këtë ngjarje, janë promovuar librat “Përgjuesi serb i Ismail Qemalit”, “Shqiptarët e fuqitë e mëdha” dhe “Shpërngulja e shqiptarëve” e autorëve Rexhep Shahu dhe Izet Durak

Dashuritë fatale në letërsinë e Dritëro Agollit

0

Personazhet femra jobesnike të letërsisë / Femra që iu dhanë pasionit duke thyer kodet e moralit … Historitë e tradhtive më të mëdha në letërsi, që do të ktheheshin në promotorët e parë të rolit të gruas në shoqëri, duke thyer mentalitete për të krijuar botëkuptime të reja … Ana Karenina, zonja Bovari, Margarita, Ester Prini apo Donika e Dritëro Agollit, vijnë në një rrëfim më të thellë në revistën letrare “Saras”, e cila këtë numër i ka dhënë hapësirë zërit të tyre …

Ishte Helena (Homeri, Iliada) ajo që e tradhtoi Menelaun. Gruaja që shpesh është e trishtë, me gjithë mëdyshjet që ka ndaj Paridit, hidhet në krahët e tij. Prej vitesh kritika botërore përpiqet të shohë përtej këtij veprimi të një prej personazheve më të hershme të letërsisë greke. A duhet Helena të tradhtonte të shoqin me Paridin? Në vitet nëntëqind, një tjetër grua, zonja Shatërlej, e martuar me një burrë të pasur, kalon orë të gjata dashurie në fshehtësi me një djalosh simpatik. Franceska Da Rimini është tradhtarja më e madhe e letërsisë italiane.

Në këngën e pestë të Ferrit, ajo kapet mat nga i shoqi teksa takonte të dashurin Paolo dhe vriten. Në Rusi, Ana Karenina vazhdon të na trishtojë sot me fundin e saj, ashtu si zonja Bovari vazhdon të ngrejë pikëpyetje mbi raportin e dëshirës me moralin. Është e gjatë lista e femrave “tradhtare” në letërsi. Mijëra libra kanë treguar anën e fshehtë të raporteve njerëzore, të ngritura shpesh mbi kode dhe kufij që gjithnjë janë shkelur. Më shumë se “tradhtare” këto personazhe kanë qenë modele ndërgjegjësimi për shoqëritë ku të drejtat e gruas ishin pothuajse të mohuara, duke u kthyer në promotore të lëvizjeve që më vonë do të quheshin feministe dhe do të sillnin më zhvillim. Këto personazhe thellësisht të trishta në jetët e tyre, janë mënyra për të treguar se letërsia ka qenë gjithnjë në pararojë të emancipimit të jetës dhe askush më mirë se ajo nuk ka depërtuar mureve të vërteta brenda njeriut. Numrin e saj të 11 revista letrare “Saras” ua kushton këtyre personazheve, duke bërë një udhëtim në galerinë e madhe të letërsisë botërore, për t’u ndalur më pas te letërsia shqipe, ku dhjetëra histori të tilla gjenden në rrëfimet e Dritëro Agollit shkruar që pas viteve 1960. Nuk mungon në këtë numër as kritika apo proza dhe poezia e zgjedhur.

“Unë shkova në dhomën time, ndërsa veterineri me Donikën në të tyren. Ndeza një cigare dhe u mbështeta në prag të dritares. Hëna binte në dysheme dhe era lëkundte misrin e njomë. Pastaj e mbylla dritaren për të mos u futur mushkonjat dhe u shtriva në krevatin e butë. Nëpër murin e dhomës dëgjoja zërin e trashë të veterinerit, që ndofta e qortonte Donikën, e cila i përgjigjej atij rrallë, gjë që e zemëronte më shumë burrin. Kaluan njëzet minuta dhe dhoma përtej murit ra në qetësi. Unë, me sy të mbyllur përfytyroja Donikën me rrobën e brendshme prej mëndafshi të hollë me gjithë gjoksin dhe gjysmën e shpinës lakuriqe, me flokët e zezë të rëna mbi jastëk, që ia gudulisnin hundën e majme veterinerit. O sa torturë është të flesh pranë një gruaje të tillë, i ndarë nga një mur i ngushtë, nën të njëjtën çati! O sa torturë është kur ia dëgjon dhe zërin e ëmbël nga krevati i saj përtej tullave të gëlqeres së murit…”. Këto rreshta janë shkëputur nga tregimi “Kur dashuroja një grua” shkruar nga Dritëro Agolli në vitin 1963. Është historia e një reporteri të ri, i cili ngarkohet me detyrë të shkruajë një reportazh mbi punën në bujqësi, ku njeh gruan e mikut të tij veteriner, Donikën. Gjithë kulla e lumturisë që ai kishte përfytyruar për familjen e mikut, bie sapo sheh sytë e Donikës. “Ndonjëherë shkëlqimi i jashtëm të gënjen”, shkruan Agolli. Orë torturuese do të përjetonte gazetari i ri në ditët e qëndrimit në shtëpinë e tyre në fshat. Në historinë e letrave shqipe Donika, kjo femër të cilën shkrimtari e përshkruan më shumë përmes botës së saj të brendshme është sfiduese për kohën. Ajo mbart brenda një modernitet në mendime, krejt të pazakontë për të mos thënë të patolerueshëm për ambientin ku jeton. “Ecte drejt nesh ngadalë, duke lëkundur fundin e gjerë, ecte pa ndrojtje plot ndjenja, si ato gra që i besojnë bukurisë së tyre”, shkruan Agolli. Dhe pse vinte nga një shkollë ruse, modeli që ai zgjedh për personazhin e tij kryesor është krejt ndryshe nga ajo çfarë do bënte një grua në këtë letërsi.

Ai e bën Donikën të guximshme t’i besojë ndjenjës së saj, e të tërheqë një ditë pas vetes derën e shtëpisë dhe të marrë autobusin për në qytet për të kërkuar gazetarin. Ajo e takon atë, duke ia shprehur hapur ndjenjat e saj, dhe duke i thënë se ai duhej të përballej me frikën ashtu siç bëri ajo. Tregimi përfundon me një luftë të gjatë me ndërgjegjen e gazetarit, i cili më në fund vendos të lejë pas opinionin dhe të shkojë ta kërkojë atë, të kapërcente pragun e apartamentit ku ajo po qëndronte dhe të ndiente vlagën e buzëve të saj. Donika është më shumë se një personazh në letrat shqipe. Dhe pse jeta e saj është vetëm në disa faqe, pasi ajo jeton në një tregim, ajo është gruaja që sfidon duke marrë mbi supe gjithë çmimin e mëkatit. Ka disa gra si Donika në letërsinë e shkruar nga Agolli. Gra, që për një arsye a një tjetër i janë dhënë tundimit, duke i besuar atij. Në përmbledhjen me tregime “Zhurmat e erërave të dikurshme” ti mund të takosh disa të tilla. Burra që torturohen nga mendime të ëmbla për gra që u takojnë të tjerëve.

I tillë është dhe mendimi për Sanien, te tregimi “Ajo që…”. Sërish personazhi kryesor është një gazetar, i cili një ditë i dhuron librin “Zonja Bovari” gruas së xhaxhait të tij, Sanies…, i cili do të ndryshonte përgjithmonë jetën e gruas. “Një vajzë në kabinën time”, tregon historinë e një shoferi që bie në dashuri me Margaritën, një vajzë të fejuar. Është interesante këndvështrimi që Agolli ka pasur për dashurinë, duke e gjetur atë gjithnjë brenda apartamenteve në dukje plot shkëlqim, për të nxjerrë prej andej silueta femrash krejtësisht të trishtuara. Ai ka zbuluar botën e tyre, duke u grishur ngadalë ndjesi që për shkak të rrethanave u ishin nënshtruar rregullave. Moralin e vërtetë të një shoqërie, Agolli e ka shpjeguar herët në letërsinë që shkroi, duke na lënë sot një galeri personazhesh nga të cilat kemi shumë për të mësuar. Një shoqëri ku liria individuale dhe seksuale ishte e ndaluar (siç ishte gjatë diktaturës), nuk mund të kishte vetëm martesa të lumtura. Sa e sa femra iu nënshtruan në heshtje fatit. Agolli u ka dhënë krah këtyre femrave, i bindur se mund t’u jepte jetën që ato donin të paktën në letërsi.

Hasi nesër pa uji

0

Hasi nesër nuk do të ketë uji. Kompania Rajonale e Ujësjellësit „Hidroregjioni Jugor“ në Prizren, njofton konsumatorët e Hasit se ujë nuk do të kenë prej orës 09:30 deri në ora 16:00.

Kurti: Zgjedhjen e Thaçit president do ta dërgojmë në Kushtetuese

0

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe nënkryetari i kësaj lëvizje, Driton Çaushi, kërkuan lirimin e aktivistëve të VV-së dhe deputetëve të arrestuar muajve të fundit.

Sipas tyre, në gjashtë muajt e fundit janë arrestuar qindra aktivistë dhe dhjetëra deputetë dhe sot kryetari i Lëvizjes Visar Ymeri nga siç e kanë quajtur ata shteti policor.

Kurti tha se po përgatiten protesta të radhës për ta kundërshtuar demarkacionin por tha se nuk është caktuar ende dita.

Ndërsa në lidhje me zgjedhjen e Hashim Thaçit për president të Kosovës, Kurti tha se ka qenë jo kushtetuese, mirëpo siç tha ai, kryetarët e partive opozitare do të vendosin se kur do ta dërgojnë këtë çështje në Kushtetuese.

Ankohet Haris Dida

0

Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi, komandanti i Stacionit Policor “ Alfa” , Haris Dida, ka kërkuar nga komuna e Prizrenit, që të jetë më e përgjegjshme gjatë realizimit të projekteve në rregullimin e infrastrukturës rrugor dhe asaj nëntokësore.

Dida, tha se policia nuk po njoftohet nga organet përkatëse komunale dhe kompanitë për afatin e realizimit të projekteve.

“Po na shkaktohen telashe të mëdha në qarkullimin normal të automjeteve siç është rasti në rrugën ndërmjet hipermarketeve “ Emona” dhe ETC, si dhe rreth tek Ura e Marashit “, tregoi ai.

“Një ndër shqetësimet më të mëdha që kemi si polici gjatë angazhimeve tona për të ofruar siguri për qytetarët, është mungesa e ndriçimit publik në shumë rrugë dhe lagje të Prizrenit, dhe nëse i’a shtojmë kësaj edhe mungesën e kamerave të sigurisë, atëherë po kemi edhe më shumë telashe rreth kësaj çështje”.

Ndërkaq, kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, tha se për çështjen e realizimit të projekteve infrastrukturore do të kërkojë zgjidhjen e këtij problemi të ngritur nga policia.
“Ndërsa, sa i përket ndriçimit publik, mirëmbajtja buxhetit të Komunës i kushton 50 mijë euro në muaj, dhe nuk mund të gjejmë pozicione tjera buxhetore për të funksionuar si duhet ndriçimi publik në tërë qytetin dhe fshatrat e komunës sonë”./TV Prizreni/

Ramadan Muja: Jemi të sigurt

0

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja vlerëson se gjendja e sigurisë në këtë qytet është stabile. Sipas tij, ky stabilitet ka ardhur si rezultat i angazhimeve të institucionit që e drejton.

“Në bazë të raporteve gjendja e sigurisë paraqitet stabile”, tregoi Muja në takimin që ka pasur sot me Këshillin e Sigurisë në Prizren.

Ndërkaq, komandanti i Stacionit Policor “ Alfa “ në Prizren, major Haris Dida, tha se dëmtimi i xhamave të shtëpisë së një banori të komunitetit serb nuk ka të bëjë me urrejtje të etnisë. /TVPZ/

Nxënësi tenton të vrasë mësuesin e Edukatës Fizike

0

Ndërhyrja në kohë e policisë së Shqipërisë, ka parandaluar vrasjen e një mësuesi nga nxënësi i tij 14 vjeçar në ambientet e shkollës nëntë vjeçare të fshatit Larushk të Krujës.

Sipas policisë mes djaloshit të identifikuar me inicialet K.M dhe mësuesit të fizkulturës ka pasur një konflikt fizik, pasi ky i fundit nuk e ka përfshirë në një garë sportive.

Ngjarja është shënuar paraditen e sotme, kur policia e Krujës mori një telefonatë në sallën operative për një konflikt në shkollën nëntë vjeçare të fshatit Larushk.

“Efektivët ndërhynë në mënyrë të menjëhershme, ku kanë bërë të mundur parandalimin e një ngjarje të rëndë kriminale midis një nxënësi dhe mësuesit të tij të fizkulturës, duke arrestuar në flagrancë djaloshin K.M.14 vjeç, banues në Larushk, nxënës në shkollën 9-Vjeçare Larushk. Nga hetimet, ka rezultuar se shtetasi i mësipërm, gjatë paradites së sotme është konfliktuar me profesorin e tij, pasi ky i fundit nuk e ka përfshirë në një garë sportive”, informon policia e Durrës.

Nga kontrolli fizik që iu krye shtetasit të mitur iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip pistoletë dhe dy fishekë.

Policia thotë se autori njihej në rrethin shoqëror si person problematik. Gjatë kontrollit që ekspertët i kryen armës së zjarrit rezultoi se ishte me fishek të mbushur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor në Krujë për veprime të mëtejshme për veprat penale “vrasja me dashje e mbetur në tentativë” dhe “prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

Ne nuk e duam ndryshimin!

0

Nga Faik Krasniqi

Për t’i analizuar shqiptarët, nevojitet një studim i thellë. Shqiptarët në përgjithësi janë një popull i çuditshëm dhe tragjikomik. Shqiptarit nuk i zihet besë për asgjë, sepse është njeri jo i fjalës dhe i pabesë. Shqiptarët jo që nuk dinë të bëjnë shtet, por nuk duan të bëjnë shtet. Sepse u pëlqen anarkia, u pëlqen të vjedhin, u pëlqen jeta pa ligje dhe rregulla. Prandaj, shqiptarët të gjithë janë njësoj, hajna dhe njerëz që më së paku ose fare nuk e duan atdheun e tyre. Një popull që e do atdheun e vet, nuk e vjedh dhe nuk e plaçkit, kurse ne e kemi gojën plot atdhedashuri dhe si të na jepet rasti bëhemi edhe ne pjesë e vjedhjeve dhe plaçkitjes së shtetit, bashkë me këtë klasë politike, të cilët tash e 17 vite janë Alfa dhe Omega e krimit ekonomik dhe politik të Kosovës. Shikojeni Shqipërinë, që 25 vite nga rrëzimi i komunizmit, akoma shtet jofunksional dhe në vazhdimësi duke u udhëhequr nga një tufë e hajnave, kriminelëve e banditëve.

Komunikimi me njerëzit!

Shikojeni Kosovën, që 17 vite nga çlirimi i saj, shtet jofunksional, duke u udhëhequr po ashtu nga një tufë e hajnave, kriminelëve dhe banditëve, të cilët vetëm e duan pushtetin dhe jo popullin e shtetin. Edhe sot e 100 vite këto dy shtete do të udhëhiqen po nga hajnat e kriminelët, sa do të largohen nga pushteti njëra palë, do të zëvendësohen me palën tjetër që nuk dallon fare me palën që ishte në pushtet. E kjo e gjitha për shkak se kemi patriotizëm fals, nuk e duam atdheun dhe e kemi në gjen hajninë dhe krimin.
Ne jemi një popull që në mundësinë e parë që na jepet, edhe ne bëhemi pjesë e hajnisë, vjedhjes dhe shkatërrimit të shtetit. Këtë e has çdo ditë në komunikim me njerëzit, të cilët çdo sekondë e minutë, e shajnë dhe kritikojnë ashpër këtë sistem kriminal të krijuar në Kosovën e pasluftës.

Nuk jemi për një shtet ligjor dhe shtetndërtim!

Por, sapo kapin ndonjë post të lartë ose ndonjë punë të thjeshtë shtetërore, me fanatizëm e mbrojnë këtë sistem kriminal dhe thonë se nuk bën ndryshe, por duhet t’i përshtatemi dhe pajtohemi me këtë sistem, edhe pse është sistem i kriminal, mafioz dhe shkatërrues. Prandaj, ky popull nuk më bind fare që mund ta ndryshojë këtë gjendje të krijuar në Kosovë, sepse pjesa dërrmuese e këtij populli nuk janë për ndryshime, nuk janë për ekonomi më të mirë, arsim dhe shëndetësi më cilësore. Nuk janë për një shtet ligjor dhe shtetndërtim, por e duan dhe e pëlqejnë këtë sistem. Një popull i vetëdijesuar, një popull që e do atdheun e tij, nuk do të lejonte që 17 vite fatin e tij në dorën e një grushti politikanësh mafiozë, kriminelë dhe injorantë. Me një fjalë, ky popull nuk dallon fare me këta që i kemi në politikë, se tekefundit këta nuk kanë ardhur nga qielli, por janë pjellë e këtij populli.

Rrahje në Prizren

0

Tre persona janë përfshirë në një rrahje në rrugën “Remzi Ademaj”, në Prizren.

Policia e Kosovës bën të ditur se njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore i cili ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa dy të tjerët gjenden në arrati.

Njësitë policore janë duke hetuar rastin. /PrizrenPress.com/

EC Ma Ndryshe, Hasan Hasanit: Ofendimet nuk janë shërbime publike

0

EC Ma Ndryshe reagon ndaj gjuhës ofenduese që drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Hasan Hasani ka përdorë të martën në komunikimin me monitoruesit e organizatës sonë, pak para fillimit të takimit të rregullt të Kryetarit të Komunës me drejtorët e Ekzekutivit lokal.

“Drejtori Hasani një pakënaqësi të tij, në lidhje me aktivitetet e organizatës, që lidhen ngushtë me interesin publik, e ka shprehur në bisedë me monitoruesin duke përdorë shprehje ofenduese, që nuk duhet të jenë pjesë e fjalorit të një zyrtari të lartë publik, e aq më pak të drejtuesit të dikasterit që angazhim kryesor ka shërbimet publike”, thuhet në reagim.

EC Ma Ndryshe përkujton se ky nuk është rasti i parë që ky zyrtar i lartë publik komunikon në këtë mënyrë me bashkëbiseduesit e tij. Përmes këtij reagimi EC Ma Ndryshe ia bën me dije drejtorit Hasani se ofendimet nuk janë shërbime publike. Prandaj, në vend të përdorimit të shprehjeve të ulëta ai duhet të koncentrohet në përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Në të njëjtën kohë nënvizojmë se posti publik nuk është pronë as posedim i tij personal, prandaj dhe duhet të sillet konform përgjegjësive që ka marrë për t’i shërbyer publikut, dhe jo tekeve apo nervozës së tij personale”.

“Fyerjet dhe ofendimet në adresë të cilësdo palë nuk guxojnë të jenë pjesë e diskursit të zyrtarëve publik. Prandaj EC Ma Ndryshe shpreh indinjatën për këtë kulturë të shprehjes dhe kërkon nga drejtuesit e Komunës që ta kenë parasysh se sjelljet e tilla nuk përkojnë me standardet e qeverisjes së mirë dhe në interes të publikut”.

Pavarësisht nga ky incident, EC Ma Ndryshe thekson se nuk do të zmbrapset nga angazhimi i deritanishëm civil për një ambient më të mirë jetësor për të gjithë qytetarët e Komunës së Prizrenit. /PrizrenPress.com/