8.1 C
Prizren
E martë, 21 Prill, 2026
Home Blog Page 6774

Koalicionin e ka kapur frika nga fuqia opozitare

0

Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur ditën e premte, nuk caktoi seancë plenare, për shkak se një numër i konsiderueshëm i pikave të rendit të ditës kërkojnë votimin prej 2/3 të deputetëve, ndërsa gjatë ditëve në vijim, një numër i madh i ligjvënësve do të jenë në vizita të rëndësishme jashtë shtetit. Kështu, së paku tha nga kryeparlamentari Kadri Veseli. Ai nuk ka pranuar se seanca nuk po caktohet, për shkak të krizës politike dhe ka thënë se seancë do të ketë në muajin shkurt.

Deputeti Zafir Berisha, nga NISMA për Kosovën, shprehet për “Kosova Sot” lidhur me këtë çështje se arsyetimi i Kadri Veselit nuk qëndron, dhe shton se nuk beson se ka aq shumë deputetë jashtë Kosovës, sa mos të ketë mundësi të thirret seanca.

“Hera e parë po dëgjoj se seanca nuk thirret për shkak se deputetët nuk janë këtu”, u shpreh Berisha, dhe shtoi: “Është kamuflim i asaj që qëndron si e vërtetë se opozita është e vendosur që, përmes bllokimit të seancave plenare, ta bllokojë edhe këtë Qeveri antikushtetuese”. Berisha dyshon se pas kësaj shtyrjeje, ose mosmbajtje të seancës qëndrojnë skenarët që vetëm ata që i bëjnë mund ta dinë.

“Opozita është e vendosur në kërkesat e saj, pjesën tjetër e dinë ata vetë”, u shpreh Berisha..

Opozita të përgatitet për zgjedhje në 2018-n

0

Kryeministri Isa Mustafa beson se deputetët e partisë së tij do të jenë unikë për zgjedhjen e presidentit të vendit, duke bërë me dije se LDK-ja do ta respektojë marrëveshjen sa i përket zgjedhjes së Hashim Thaçit president.

Mustafa ka thënë për ‘Epokën e re’ se nuk e ka ndërmend të tërhiqet nga posti i kryeministrit pavarësisht thirrjes së opozitës.

Ai e ka porositur opozitën të përgatitet për zgjedhjet e vitit 2018 jo me molotov, gaz lotsjellës, gurë e veprime brutale, por duke ofruar argumente se ajo mund të qeverisë.

Duke folur për raundin e ri të dialogut në Bruksel më 27 janar, Mustafa ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në këtë takim ende nuk ka një përgjigje përfundimtare.

Ai thotë se pret reflektim të BE-së për liberalizimin e vizave pas përmbushjes së rekomandimeve të fundit.

Banorët e Restelicës ende të frikësuar nga ortekët

0

Para katër viteve në fshatin Restelicë të Dragashit, një ortek kishte goditur fshatin, ku të vdekur kishin mbetur 10 persona dhe 25 shtëpi të rrënuara.

Atë kohë 5-vjeçarja Amsera Reka, ishte gjetur e gjallë nën masat e borës, duke shpëtuar me vetëm disa fraktura në gjymtyrët të trupit.

Për transmetuesin publik, banori Restelicës, Hikmet Xhinxho tha se këtë vit fatmirësisht dimri ka ardhur më vonë, dhe banorët kanë pasur kohë të bëjnë përgatitjet e duhura.

Por banori tjetër, Velit Haxhisin, tha se edhe pse janë përgatitur, ata frikësohen nga ortekët e borës.

“Frika ende ekziston te qytetarët dhe tash shumica janë duke banuar në fshatin e vjetër dhe jo atje ku ka ndodhurorteku. Premtimet që na u patëm dhënë atë kohë nga institucionet, nuk janë realizuar duke e veçuar presidenten”, tha Haxhisin.

Ndërsa, Sami Maga, poashtu banor i Restelicës, thotë se është përgatitur për ndonjë goditje të rastësishme nga natyra, por, sipas tij “ ajo që vie nga Zoti është e pandalshme

Zbulohen dy ese të panjohura të Fan Nolit

0

Nga Prof. Nasho Jorgaqi

Në 400 vjetorin e ndarjes nga jeta të U. Shekspirit

Në ditët e para të janarit, kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, do ta shpallte vitin 2016 “Vitin e Shekspirit” në shenjë nderimi të 400 vjetorit të ndarjes nga jeta të dramaturgut të madh. Me këtë rast, ai i drejtohet opinionit botëror me lutjen “që të bashkohemi në këtë vit jubilar si një mundësi unikale për të përkujtuar jetën dhe trashëgiminë e tij jetëgjatë. Sepse te U. Shekspiri ne gjejmë njeriun, imagjinatën, kreativitetin e pakufishëm dhe instinktin e madh për njerëzimin, që përfshin një përvojë njerëzore, të cilën askush s’e ka parë përpara dhe pas tij… Te ai gjejmë nga historitë më të famshme të dashurisë deri tek tragjeditë më të mëdha , nga fantazitë më të fuqishme deri te komeditë më të zgjuara…”

S’ka dyshim që kjo thirrje fisnike për këtë jubile të madh i drejtohet dhe opinionit shqiptar. Kultura, arti dhe letërsia jonë, po dhe lexuesi shqiptar, i detyrohen aq shumë këtij korifeu gjenial, sa do ta shfrytëzojmë këtë rast për të shprehur mirënjohjen e thellë dhe për të nderuar denjësisht figurën dhe veprën e tij të pavdekshme.

Ç’është e vërteta, Shekspiri ka ardhur vonë në Shqipëri, në dhjetëvjetëshin e dytë të shek. XX. Dhe kjo në radhë të parë falë meritave të F. Nolit, vizionit, kulturës e mbi të gjitha talentit të tij. Ky dashnor i hershëm i dramaturgut të madh do t’i jepte bashkatdhetarëve të vet në gjuhën e tyre disa nga kryeveprat e gjerdanit të dramaturgjisë shekspiriane. Kësaj pune titanike, do t’i paraprinte, vite përpara, artikulli i tij polemizues “Shekspiri në rrezik” (“Dielli”, 1910), me të cilin do të mbronte autorin gjenial nga kritikat nihiliste të Leon Tolstorit! Pastaj tërë jetën Shekspiri do të mbetej ati i tij shpirtëror jo vetëm me shqipërimet mjeshtërore, por dhe me introduktet për veprat që u dha lexuesve shqiptarë, me kujtimet dhe fjalët e mençura dhe panegjirike, të shqiptuara a të shkruara në raste të ndryshme.

Por një faqe të bukur të Nolit shekspirolog e gjejmë në vitin 1964, vitin e 400 vjetorit të lindjes së dramaturgut gjenial. Ndonëse në këtë kohë ishte i sëmurë rëndë, shqipëruesi ynë i madh do të kontribuonte në këtë festë jubilare me fjalën e tij prej studiuesi dhe artisti. Ai do t’i përgjigjej thirrjes së Komitetit Kombëtar Anglez, që u kish drejtuar gjithë shekspirologëve të njohur të botës, me anën e së cilës kërkonte prej tyre të dërgonin nga një kopje të veprave të Shekspirit të përkthyera nga ata, shoqëruar me një artikull ku të tregonin se si kishin filluar të interesoheshin për dramaturgun e madh, si dhe një analizë të vlerave të trashëgimisë së tij. Shekspirologu ynë iu përgjigj menjëherë thirrjes: u çoi nga një kopje të veprave të shqipëruara dhe dy ese: “U. Shekspiri” dhe “Shekspiri dhe unë”. Në këto dy shkrime, gati antologjike, Noli shprehte mendimet e tij rreth temës së shpallur për diskutim “Shekspiri – aspekte të gjeniut”. Sigurisht, ai ishte i ndërgjegjshëm se sa e vështirë qe t’u fliste anglezëve për Shqipërinë, dhe në fjalën që do të mbante në BBC nuk do ta kursente ironinë, ku do të thoshte se t’u flisje anglezëve për Shekspirin, ishte “sikur t’i kishin kërkuar të shiste qymyr në Kardif ose vajguri në Teksas”. Në esenë e parë “U. Shekspiri”, që u botua në revistën londineze “The listener”, më 15 tetor 1964, Noli, si një njohës i thellë dhe i hollë i shkrimtarit, tregon dhe analizon se ç’pasuri e madhe ideoartistike gjendet në krijimtarinë e dramaturgut gjenial. Një krijimtari që përbën një thesar që i takon të kthehet në pronë shpirtërore e të gjithëve. Autori ynë shqetësohet për “masat milionëshe” admiruese të Shekspirit dhe jo për elitën aristokrate që ka kohë të lirë dhe para. Për këto masa ai mendon seriozisht përderisa kërkon dhe rrugë e forma që do të shpinin vlerat e mëdha shekspiriane në mendjen e zemrën e tyre. Duke pasur parasysh se vepra e Shekspirit është mjaft e gjerë dhe e pasur, gati si një mikrokozmos i jetës dhe psikologjisë njerëzore, Noli sugjeron dhe kërkon që nga kjo pasuri e madhe të përgatiten botime të posaçme me tema të caktuara. Kështu do të zgjerohet mundësia e njohjes dhe e përvetësimit më lehtë e më mirë e vlerave nga brezat e rinj dhe nga shtresat e gjera të lexuesve të librit universal të Shekspirit.

Për Nolin artist dhe erudit merr rëndësi të veçantë edhe mënyra se si të lexohet dhe të përvetësohet individualisht Shekspiri. Duke njohur në tërësi trashëgiminë, por dhe morinë e vlerave, pasurinë dhe thellësinë e mendimeve si dhe galerinë e metaforës shekspiriane, Noli jep këshilla nga përvoja e tij që kanë të bëjnë me metodën e leximit të veprave të poetit dramaturg. Entuziazmi që ai tregon për të nuk e prek objektivitetin e mendimeve e gjykimeve të tij. Kur flet për Shekspirin, ai është ngaherë i besueshëm. Si gjithnjë, kur lexon Nolin të bën përshtypje thjeshtësia dhe qartësia e mendimeve, natyrshmëria e arsyetimit dhe e argumentimit, konçiziteti dhe simetria e shprehjes.

Në esenë tjetër, “Shekspiri dhe unë” që u botua dhe kjo në të njëjtën revistë, më 15 dhjetor 1964, Noli evokon dhe përmbledh kujtimet e veta nga ato momente të jetës së tij që lidhen me emrin dhe veprat e Shekspirit. Ai na shpie në vitet e rinisë së hershme, kur ishte gjimnazist, por dhe në kohën kur punonte si sufler dhe aktor në trupat teatrale shëtitëse greke, për të kaluar pastaj në kujtimet e Amerikës dhe fillimi i punës për përkthimin e veprave të Shekspirit. Janë ngjarje piktoreske dhe përcillen mbresa të forta, që zbulojnë interesat dhe botën shpirtërore të Nolit të ri. Shekspiri e mrekullon djaloshin që në takimin e parë dhe nga kjo kohë Noli e ndjen veten pjesë të pandarë të universit shekspirian.

Të dyja esetë u shkruan në vitin e fundit të jetës, vetëm disa muaj para se të shuhej. Por kjo s’e pengoi të tregonte e të gjykonte për mjeshtrin e madh me mendje të kthjellët dhe zemër të ngrohtë. Madje të deklaronte me optimizëm se “Kam shpresë t’i kthehem përsëri (shqipërimeve të Shekspirit) duke dhënë disa kryevepra të tjera në shqip. Unë mund ta bëj këtë. Jam ende i ri. Jam vetëm 82 vjeç”.

Por Noli nuk e arriti këtë. E megjithatë, kjo nuk e ka penguar Akademinë Angleze të Shekspirit t’i përfshijë emrin dhe përkthimet e tij në Bibliografinë e saj shkencore.

Viti i Shekspirit sapo ka filluar. Jam i bindur se opinioni dhe kultura shqiptare do të marrin pjesë në këtë festë jubilare jo vetëm thjesht duke shprehur mirënjohjen e thellë ndaj tij, veprat e të cilit i kanë shërbyer emancipimit të kulturës sonë kombëtare, por dhe mbi të gjitha duke zhvilluar veprimtari shkencore dhe artistike kushtuar kësaj figure gjeniale të përbotshme.

*****

FAN NOLI

Shekspiri

Së pari, më lejoni t’ju them se nuk do të flas gjatë për madhështinë e Shekspirit si dramaturg. Çdo anglishtfolës e di këtë gjë, kështu që s’ka kuptim ta humbasim kohën me këtë temë. Por, a e kanë lexuar veprën e tij të gjithë anglishtfolësit dhe a e kanë parë të luajtur në skenë? Për këtë nuk jam i sigurt. Pjesa më e madhe e veprës së tij është shfaqur në një vend ku nuk flitet anglishtja. E ky vend është Gjermania. Pikërisht atje kam parë të luhet një pjesë e mirë e dramave të Shekspirit.

Në këtë vështrim, Gjermania është një vend i madh. Ajo vepron kështu me të gjithë kompozitorët dhe dramaturgët e saj të mëdhenj, si dhe me ata të vendeve të tjera. Dhe jo vetëm në qytete pak të njohura si Bajrejti (Bayreuthi) i Rikard Vagnerit, por dhe në të gjitha metropolet gjermane. Do të habitesha po të mësoja se cikle të tilla të kryeveprave të Shekspirit janë shfaqur edhe në Britani. E di mirë që kjo nuk është bërë as në SHBA, ku kam 57 vjet që jetoj. Bie fjala, kjo nuk është bërë as në Boston, as në Nju Jork, Filadelfia, Çikago, San Francisko etj., po kështu edhe në Londër, Mançester, Birmingam.

Fakti që ndryshe ka ndodhur në Stratford mbi Ejvon dhe në Stratford e Konektikat s’ka asnjë rëndësi të madhe për publikun e gjerë të qyteteve të mëdha. Ajo ka të bëjë me një grup aristokratësh, që kanë para dhe kohë të lirë. Masat milionëshe, admiruese të Shekspirit nuk kanë aq para dhe kohë për t’i njohur ato vende të shenjta. Vendet anglishtfolëse të mundohen të bëjnë për Shekspirin të paktën atë që kanë bërë gjermanët për të. Ai është dhe një mjeshtër i madh në shumë fusha të tjera, sa mund të shkruhen vëllime të tëra për çdonjërën prej tyre.

Në radhë të parë, ai është mjeshtër i monologut. Çdo nxënës anglishtfolës e di ketë, sepse atij i duhet t’i mësojë përmendësh në shkollë. Kjo ndodh vetëm me disa nga monologët më të famshëm si: “Të rrosh ose të mos rrosh” nga “Hamleti”, “Nesër dhe nesër” nga “Makbethi”, “Miq, romakë, bashkëqytetarë” nga “Jul Cezari”. E ç’mund të themi për dhjetëra e dhjetëra monologë të tjerë? P.sh. a njihet publiku me monologun e famshëm të Zhuljetës në aktin IV, skena III, që mbaron me këto fjalë: “Romeo, ja për ty e pi këtë”! a e kujtojnë vajzat shkollare këtë monolog? Besoj se po. E njëjta gjë është e vërtetë dhe për monologët e tjerë të famshëm. Kështu, le të hartojmë një vëllim të veçantë me tërë monologët e Shekspirit dhe t’ia japim lexuesit me çmim të lirë. Shekspiri është mjeshtër i maksimave, po aq i madh sa dhe francezi Laroshfuko (La Rochefoucauld), ndoshta dhe më i madh. Lexoni këshillën që Polloni i jep të birit të tij, Laertit, te tragjedia “Hamleti”, akti I, skena III. Ju do të gjeni atje mjaft maksima të mira të Shekspirit. Ja, disa prej tyre: “As mos merr, as mos jep hua kurrë”, “Vëru vesh të gjithave, po jep zë më pak”, “Dëgjo këshilla, rezervo gjykimin”. Le të kemi dhe një vëllim të veçatë me maksima nga Shekspiri.

Shekspiri është mjeshtër i portretizimit të karaktereve. Lexoni përshkrimin e Ofelisë, që bën Hamleti:

Oh, çfarë mendje e lartë u përmbys këtu,

Oh, çfarë sy e çfarë gjuh’ e shpatë

Ushtari, oborrtari e shkollari

Q’ish trëndafil e shpres’ e shtetit bukur

Paqyr’ e modës, shëmbëll e kulturës

M’i pam’i pamësve, krejt, krejt përdhe.

Ose më mirë akoma, lexoni përshkrimin që i bën Hamleti babait të vdekur dhe xhaxhait të tij, mbretit, me një paralelizëm që fillon me fjalët:

Shiko këtë pikturë dhe këtë,

Dhe barabit fytyrat e dy vëllezërve.

Le ta kemi, pra, dhe një vëllim të Shekspirit ku portretizohen heronjtë e tij me fjalë.

Shekspiri është një mjeshtër i epigrameve. Këtu kemi një epigram që përmbledh tërë tragjedinë e Hamletit, në fund të aktit të parë:

Kjo bot’ u çthur: o prapësi, o dreq,

Që unë paskam lindur të të ndreq.

Këtu më poshtë është dhe një epigram tjetër nga “Romeo dhe Zhukjeta”, në fund të aktit të parë:

Shko pyet n’është i martuar

M’u bëftë varr shtrat’ i nusërisë.

T’i kemi dhe këto epigrame në një vëllim më vete.

Shekspiri është mjeshtër i shprehjeve dinamike, që s’e kanë shoqen as në letërsinë angleze e as në letërsinë botërore. Ja, një mbi jetën:

Është një përrallë

E treguar nga një idiot, plot zhurmë dhe furi.

Por që s’thotë asgjë.

Ja dhe një tjetër për dashurinë:

Dhe unë, ndër zonjat më e brengosura e më fatkeqja,

Që thitha mjaltin e tingujve të betimit.

Le të kemi dhe një libër që përmban të gjithë këta margaritarë të paçmuar të Shekspirit.

Shekspiri është një qëmtues i madh i këngëve popullore angleze të kohës së tij. Desdemona këndon një prej tyre përpara se ta mbysin. Ofelia këndon një tjetër kur është çmendur dhe po shkon të mbytet.

Le të kemi dhe një përmbledhje të këtyre këngëve popullore në një vëllim.

Ne mund të vazhdonim kështu të përshkruanim pa mbarim të gjitha ato fusha ku Shekspiri është një mjeshtër, por na duhet të ndalemi. Përpara se të ndalem do të më pëlqente të bëja një sugjerim se si duhet lexuar Shekspiri. Kur lexojmë një vepër të tij nga fillimi deri në fund, pa lëvizur nga vendi, ose kur e shohim të luajtur në skenë, brenda një mbrëmjeje ne e gllabërojmë Shekspirin. Është e vërtetë se ndjejmë një kënaqësi të madhe, për këtë s’ka dyshim, por është kënaqësi e madhe edhe kur e lexojmë a kur e shohim ngadalë, si të thuash kur e rrufisim pak e nga pak, siç e pijnë më gllënjka ujin arabët në shkretëtirë ose siç e provojnë verën njohësit francezë. Këtë gjë ne mund ta arrijmë duke lexuar nga një faqe të Shekspirit çdo mëngjes… pastaj atë e lexojmë prapë në darkë para se të shkojmë të flemë, rresht për rresht e fjalë për fjalë. Vetëm kështu mund ta kuptojmë vlerën e plotë të Shekspirit.

… Pavarësisht se sa bëjmë për Shekspirin, ne kurrë nuk arrijmë të bëjmë mjaft për të. Ta themi këtë me një fjalë të Shekspirit nga “Jul Cezari”: “Ky është më i madhi i gjithë poetëve.”

****

Shekspiri dhe unë

Ishte viti 1897, unë atëherë isha 15 vjeç, kur takova Shekspirin për herë të parë. Kjo ishte një nga ngjarjet më të mëdha të jetës sime. Atëherë studioja në një gjimnaz grek. Megjithëse me prejardhje shqiptare, më duhej të shkoja në një shkollë greke në Adrianopojë, pasi shkollat shqipe nuk i lejonte qeveria turke.

Një ditë shkoj për të ngrënë mëngjesin tim mikroskopik, që s’ish veçse një tas i vogël me kafe të zezë pa sheqer. Gjithë-gjithë disa gllënjka e asgjë më tepër. Në tavolinën e gjatë ku isha ulur, vura re katër të panjohur, dy burra e dy gra, që po hanin të njëjtën gjë. Zonjat binin në sy nga kapelet ekstravagante, me puplat që gati arrinin tavanin. Diskutonin zhurmshëm për vënien në skenë të “Hamletit”, të cilin shpresonin ta luanin në teatrin lokal. Menjëherë e kuptova që ishin aktorë e aktore të një shoqërie teatrore shëtitëse greke. Nga bisedat e tyre mora vesh se dy aktorët dinin të lexonin e të shkruanin greqisht, ndërsa dy aktoret bukuroshe ishin analfabete. Madje, ato s’dinin të vinin as firmën.

Pas këtij mëngjesi të lirë, me gjysmë tasi kafe turke, dy djemtë morën të ngrihen. Po para se të largoheshin, thanë: “Tani, vajza, studioni pjesët që keni!” Ato u përgjigjën: “Po si ta bëjmë këtë? Ne s’dimë të lexojmë”. Aktorët ua kthyen: “I thoni atij djalit (e kishin për mua), që t’ju ndihmojë. Ai ndjek gjimnazin dhe di të lexojë greqisht”. Aktoret u përgjigjën: “Po ne s’kemi para. Si ta paguajmë?” Aktorët ua kthyen: “As ne s’kemi, po e rregullojmë kështu: t’i japim bileta falas për të gjitha shfaqjet tona.” Duke më vështruar, thanë: “A jeni i kënaqur kështu?” Unë pranova pa një pa dy. Aktoret më dhanë pjesët dhe filluam menjëherë. Njëra do të luante Ofelinë, ndërsa tjetra të ëmën e Hamletit, mbretëreshën. Do të vepronim kështu: unë do të lexoja pjesën, fjali për fjali, ndërsa aktoret do t’i përsërisnin.

Pas pak kohësh m’u ngarkua një detyrë tjetër, po në këtë shoqëri. Sufleri u sëmur e s’kish kush ta zëvendësonte. Shumë pak aktorë dinin të lexonin në “katharevuza” (një dialekt artificial pseudoklasik). Dy aktoret që ushtroheshin me mua, i sugjeruan drejtuesit: “Njohim ne një djalë që e bën këtë punë”. Përsëri edhe këtë herë unë pranova pa asnjë kundërshtim. M’u dha kështu rasti të bëja punën e Suflerit tek “Otello” i Shekspirit, dhe unë mund ta bëja këtë pa parë fare në tekst. Vetëm për pak ditë arrita të recitoj në greqisht të gjithë monologët e “Hamletit” e të “Otellos”.

Një natë ndodhi diçka që më tmerroi. Kostas Tavularis, që po luante Otellon, duke dashur ta bënte sa më të gjallë lojën, gati sa s’po e mbyste Desdemonën. Dëgjova të shoqen, zonjën Tavularis, e cila luante rolin e Desdemonës së shkretë, tek thërriste për ndihmë dhe i lutej të shoqit: “Mos kaq fort. Do më mbytësh”. Dhashë shenjë të ulnin perdet duke parandaluar kështu vrasjen.

Pasi mbarova gjimnazin, shkova në Kostandinopojë, ku i hipa anijes për në Athinë, për të gjetur ndonjë punë. Gjëja e parë që bëra kur mbërrita në Athinë, shkova në zyrën e trupës së Tavularisit dhe i kërkova të më jepnin punë në shoqërinë e tyre teatrore. E pritën me qejf. Më dhanë punë menjëherë, të kopjoja pjesët.

Mënyra se si i paraqiteshin publikut grek pjesët e Shkespirit më 1989 ishte disi e çuditshme. P.sh. pas aktit të tretë, Hamleti dhe Ofelia do të dilnin në skenë pa i hequr kostumet dhe do të këndonin ndonjë nga ato duetet e rëndomta që ishin shumë të përhapura aso kohe, të ngjashme me kanconetat e Frenk Sinatrës. Po ç’ndodhte pas aktit të fundit të “Hamletit”? luhej ndonjë komedi moderne njëaktëshe krejt pa vlera. Drejtuesi i shoqërisë e shpjegonte kështu: “Publiku zor se e duron tragjedinë e tmerrshme “Hamlet” pa ndonjë muzikë të lehtë midis akteve e një komedi gjallëruese në mbyllje.”

Aktorët s’paguheshin rregullisht. Merrnin një lloj përqindjeje nga të ardhurat, por këto s’mjaftonin për të mbajtur frymën. Në të gjitha qytetet çdo fund sezoni ishte i njëllojtë. Shumë prej aktorëve mbeteshin në mes të katër rrugëve. U duhej të prisnin ashtu, pa asnjë dysh e të rraskapitur nga uria, derisa të gjenin ndonjë punë të re apo çmim nga ndonjë sipërmarrës teatrosh. Edhe unë gjendesha midis këtyre të braktisurve.

Një nga aventurat tona më të këqija ishte ajo e Ponto-Iraklias në Anatoli. Të ardhurat nga shfaqja e parë tregonin se gjithçka s’do ishte veçse një dështim i tmerrshëm. Dy javë më pas drejtuesi i shoqërisë iku natën, duke marrë me vete dhe paratë. Aktorëve u duhej t’ia dilnin vetë dhe të jepnin shfaqje në një sallë të zymtë, për të mbajtur frymën gjallë. Pikërisht në mes të këtij mjerimi arrita të kuptoj ëndrrën më të shtrenjtë të çdo aktori. Hamleti dhe Ofelia ishin sëmurë nga të pangrënët dhe lodhja. Dilte problemi nëse duhej shtyrë shfaqja apo duhej dhënë, me qëllim që të nxirreshin ca para për bukë e të shtyhej kështu sa të ish e mundur. Më thanë në mund t’i zija vendin aktorit kryesor e të luaja Hamletin. Pranova menjëherë, para se t’u kthehej mendja. Fundi i fundit unë e dija pjesën më mirë se çdo aktor kryesor, me të cilin kisha bërë punën e suflerit.

Puna u ngatërrua kur u munduam të gjenim dikë për luajtur Ofelinë. Vetëm një njeri mbahej ende në këmbë. Kjo ish Kaliroi. Ishte e çalë dhe kurrë s’kish dalë në skenë, bile as me ndonjë rol të vogël. Ajo i shërbente motrës që ishte aktorja kryesore. Askush s’mund ta imagjinonte se ajo krijesë e gjorë kish ushqyer ndonjëherë shpresën për të luajtur Ofelinë. Ndodhi çka s’pritej. Kur të çalës iu dha pjesa e Ofelisë, ajo s’u besonte veshëve. Pranoi se, gjatë gjithë jetës, kish përgatitur fshehurazi rolin e Ofelisë.

Kështu tragjedia “Hamleti” u shfaq menjëherë, të nesërmen, në darkën e asaj dite, e improvizuar në këtë mënyrë dhe pati sukses. Askush nuk dyshoi se Ofelia ishte e çalë. Ajo ndejti në karrige dhe e luajti pjesën ulur. Unë, si Hamlet, bëra ç’ishte e mundur që publiku të mos e vinte re atë gjë. Meqenëse Hamletin e marrin për gjysmë të çmendur, unë bëra lloj-lloj piruetesh përreth karriges, për ta theksuar këtë edhe më. Ofelia ishte e detyruar të ndiqte lëvizjet e mia me sy, krejt shtangur. Vite m pas e solla ndërmend Kalironë e çalë kur pashë Sara Bernardin të moshuar, që jepte një shfaqje të mrekullueshme me zërin, fytyrën dhe krahët e saj, megjithëse mezi qëndronte në këmbë. Gati dy javë më vonë një anije e ngarkuar me plehra për bimë, nga shkaku i një stuhie u detyrua të futej në portin e Porto-Iraklias. Kapiteni i mëshirshëm u prek nga mjerimi i aktorëve shekspirianë, disa nga të cilët ishin bërë kockë e lëkurë. Ai u dha ushqim falas e premtoi t’i çonte pa para në Kostandinopojë. Pjesa më e madhe e aktorëve ishin dobësuar aq shumë sa që gjatë gjithë udhëtimit u desh të rrinin shtrirë, derisa marinarët bujarë t’i sillnin në vete, duke u dhënë për të ngrënë. Ja për çfarë kishin nevojë ata, që të ngriheshin në këmbë përsëri.

Katastrofa e fundit ndodhi në Aleksandri: përsëri të braktisur, përsëri të rraskapitur nga uria. Aktoret dhe aktorët e tmerruar u nisën njëri pas tjetrit për në Athinë, me anijen e parë që gjetën. Erdha në përfundimin se ky ishte fundi i karrierës sime teatrore. S’kishte kuptim t’i mbetesha besnik një profesioni të tillë që më çoi nga një cep i Mesdheut në tjetrin, duke më kërcënuar në çdo port me urinë. Kështu, u largova nga teatri, por jo nga Shekspiri.

Shpëtimi më erdhi kur më ofruan një vend për mësues në Shibin-el-Kom, pak orë larg Aleksandrisë. E pranova këtë rast pa asnjë ngurrim dhe u nisa me trenin e parë për në Shibin-el-Kom. Deri atëherë e kisha lexuar Shekspirin nga një përkthim grek pa vlerë. Kish ardhur koha që ta lexoja në gjuhën e vet. Takova një misionar anglez, që më ndihmoi duke më dhënë falas mësime anglisht. I detyrohem atij që, kur erdha në SHBA më 1906, munda ta kaloj për pak minuta provimin e gjuhës. Zbrita në Nju Jork për të shkuar në Bufalo, prej Bufalos në Boston. Dhe atje e takova përsëri mikun tim të vjetër, Shekspirin, në teatrin “Castle Square”, ku e paraqisnin dy aktorë të shkëlqyer, E.H. Sothern dhe gruaja e tij, Xhulia Marlou (Julia Marloe) unë do t’u jem gjithnjë mirënjohës këtyre dy artistëve të mëdhenj. Deri atëherë unë e kisha lexuar Shekspirin në greqisht dhe e kisha parë të luajtur në skenën greke, por Sothern dhe Marlou më dhanë përvojën e pashlyeshme që pashë Shekspirin në skenë anglisht.

Vitet e para në Amerikë ia kushtova arsimimit tim. Kur një ditë, një miku im, i ndjeri Faik Konica, që kish marrë një gradë (Master’s degrre) në Harvard, më sugjeroi t’i ndanim bashkë pjesët e Shekspirit për t’i përkthyer në shqip. Ai pati vetëm një rezervë, që “Romeo e Zhuljeta” t’i jepej atij. Pranova menjëherë, me kusht që “Hamletin” ta merrja unë. Kështu filluam të dy. Unë me “Otellon”, botuar në shqip më 1916 e që u ndoq pas dhjetë vjetësh nga “Hamleti’, “Jul Cezari” dhe “Makbethi” që është më i miri, pasi u përkthye i fundit, dhe deri atëherë unë e kisha mësuar pak më mirë atë punë të vështirë. Më vjen mirë të them që disa nga të rinjtë shqiptarë po e vazhdojnë punën për përkthimin e Shekspirit.

Për sa më përket mua, unë e kam braktisur mikun tim të vjetër, Shekspirin, këta 38 vjetët e fundit, për arsye të ndryshme, një nga të cilat ka qenë dhe Lufta e Dytë Botërore. Kam shpresë t’i kthehem përsëri duke dhënë disa kryevepra të tjera në shqip. Unë mund ta bëjë këtë. Jam ende i ri. Jam vetëm 82 vjeç.

I përktheu nga anglishtja

Kristina Jorgaqi

Rrokulliset traktori në Carrallukë të Malisheves (Foto)

0

NJë traktor me rimorkio është rrokulliste  sot në lagjen e Krasniqëve të fshatit Carrallukë si pasojë e rrugës së pa pastruar nga bora dhe mungesës së pajisjeve (zingjirëve) të mjetit.

Për fat të mirë shoferi i mjetit ka shpëtuar pa u lënduar njofton një qytetar për MalishevaPRESS.

Penda pa leje që është bërë makth i banorëve të Mirushës (Foto)

0

Liqeni artificial i Mirushës është bërë rrezik për qytetarët e Mirushës dhe fshatrave përreth. I ndërtuar ne kohën kur në Malishevë qeveriste PDK-ja e udhëhequr nga Isni Kilaj, projekti ishte arsyetuar se gjoja do të ndërtohet një hidrocentral i vogël për prodhim të energjisë elektrike. Mirëpo që nga atëherë liqeni nuk është shfrytëzuar për asgjë tjetër përveç peshkimit.

Projekti ishte ndërtuar nga një kompani private, e cila sipas disa informatave kishte marrë si vlerë 2 hektar tokë në Fushën e Begut, por si duket as punimet nuk kanë qenë cilësore.

Në vërshimet e fundit përveç dëmeve që ju shkaktuan banorëve të fshatit Mirushë, dhe bllokimit të urës në rrugën kryesore Kijevë-Malishevë, si dhe urës së fshatit Gurbardh, i’u shkaktuan edhe shumë dëme pendës me çrast ajo ka rrezikuar të shembet, duke rrezikuar jetën pothuajse 90% të banorëve të fshatit

Mirushë, si dhe fshatrave tjera poshtë Mirushës, pasi sasia e ujit të akumuluar është shumë e madhe.

Pendën e dëmtuar nga vërshimet ditë më parë e ka vizituar Kryetari i Komunës Ragip Begaj bashkë me Ministrin e Ministrisë së Mjedisit, për tu informuar për dëmet nga vërshimet, me çrast kryetari ka kërkuar nga Ministri që të ndihmohet nga qeveria.

Mirëpo sipas burimeve të MalishevaPress brenda Ministrisë, ndihma me e qeverisë rreth dëmtimit të pendës është e pamundur pasi sipas tyre penda është ndërtuar pa u pajisur me leje të organeve mjedisore.

Ankthin më të madh pas gjithë këtyre problemeve vazhdojnë ta kenë banorët e fshatit Mirushë, të cilët janë në rrezik sa herë që ka reshje shiu dhe vërshime pasi penda ndodhet sipër fahatit. Për këtë arsye organet kompetente duhet të ndërhyjnë sa më shpejt në mënyrë që të parandalohet ndonjë tragjedi. /Malishevapress

mal2.

Legjendat për gurët e Pashtrikut dhe magjinë e shërimit

0

Banorët besojnë se gurët e Pashtrikut shërojnë sterilitetin femëror e mashkullor

Prof.dr. Nexhat Çoçaj shprehet për gazetën se në malin Pashtrik ekziston një gur, që ka formën e kasolles me dy hyrje, për të cilin hasjanët besojnë se është vend i shenjtë, dhe që besojnë se ai gur është edhe si vendshërim i grave sterile

Vendbesimi dhe pelegrinazhi në kërkim të gjetjes së qetësisë shpirtërore dhe të një fati më të mirë për trashëgimtar është guri i Pashtrikut. Nuri Përvizaj tregon për “Kosova Sot” se banorët e fshatrave të Hasit shprehet se vizita e këtij guri nga banorët në të kaluarën ka qenë shumë e shprehur, por vizita të tilla ka edhe sot e kësaj dite. Ai shton se një varg ritesh e besimesh të veçanta për gurin vazhdojnë të ruhen edhe tutje.

“Në bazë të të dhënave, të mbledhura nga terreni, del se nga banorët hasjanë e në veçanti bota femërore, ka shumë adhurime për gurë të veçantë, mbi të cilët, apo në afërsi të së cilëve bëhen edhe rite, lutje, falje e gjëra të tilla. Gurët, për të cilët ekzistojnë edhe sot gjurmë të dukshme të riteve janë gurë të formave e të madhësive të ndryshme, që mund të jenë gurë të lëvizshëm, që gjinden kudo në tokë, por edhe që e kanë bazën në thellësi të tokës, apo edhe ndodh që të jenë gurë shkëmborë”, shprehet ai.

“Muranat”, në shenjë respekti për njerëzit, që kanë vdekur në forma të ndryshme

Përvizaj, duke marrë parasysh pozitën gjeografike të fshatrave të Hasit, shprehet se pjesa më e madhe e këtyre fshatrave është e ngulitur në hapësirat gurore e vende – vende edhe në ato shkëmbore, që na lë për të kuptuar se guri, që në çdo anë e rrethon fshatin, familjen, njeriun që jeton në atë mjedis dhe që doemos ka qenë burim ushqyes i kultit të gurit. “Janë të pakta ato vendbanime të Hasit, që nuk rrethohen me gurë dhe në ato raste besimet në gurë e në shpella janë bartur nga gjinia femërore, pra nga gratë, që kanë ardhur nga vendbanimet e rrethuara me gurë. Në këtë mënyrë, besimi në gurë është i shprehur në përgjithësi, ku më shumë e ku më pak”, shprehet ai. Bri rrugëve, që lidhin fshatrat e Hasit, në majë të maleve, në qafëmale, vërehen në disa raste grumbuj gurësh dhe varësisht prej formës ata quhen gurë të shenjtë, varr i shenjtë, rreth i shenjtë etj./Kosova Sot/

Dimri i Madh i Vetmisë së Shkrimtarit

0

Nga Rudolf Marku

1.

Fjala vetmi është njëra ndër fjalët që shfaqet me intensitet të pavullnetshëm në krijimtarinë e Ismail Kadaresë, që në tituj poezish të hershme, në tituj librash dhe në rreshta esesh, poezish dhe në labirinthet e komplikuara të prozës së tij. Siç na e kujton vetë Ismail Kadare herë pas here, shkrimtari është njëri ndër njerëzit më të vetmuar të racës njerëzore. I ndryrë vullnetshëm në muret e burgut të dhomës, i rrethuar nga pirgje librash dhe letrash, shkrimtarit i duhet t’i kalojë orët e ditëve dhe të netëve para fletës së bardhë, a para shkëlqimit të akullt e të pashpirt të ekranit kompjuterik a të laptopit, duke shkruar, korrigjuar, duke ndërtuar botëra dhe fate njerëzore, më të vërteta se bota dhe fatet njerëzore që janë jashtë dritareve të shtëpisë, në rrugë të madhe… Vetmia e Shkrimtarit është njëri ndër subjektet më të rrahur e të diskutuar. Heminguej, në fjalën e mbajtjes me rastin e marrjes së “Nobelit”, i kujtoi Botës se “Writing, at it’s best, is a lonely Life. Një tjetër shkrimtar i njohur amerikan, John Steinbeck, bashkëkohës i Heminguejit, po ashtu i pëlqente të fliste për vetminë e Shkrimtarit, si për një Fatalitet a Nëmje. Për psikologët që janë të gatshëm t’i japin një shpjegim logjik çdo gjëje, ajo që supozohet si vetmi e shkrimtarit është përqendrimi, kontrolli mbi një botë të imagjinuar, kontroll të cilin nuk mund ta kemi kurrë në jetën reale…Vërtet?

Për shumë shkrimtarë të mëdhenj,Vetmia është Liria e tyre e vetme. Franc Kafka është njëri ndër shkrimtarët më të vetmuar të shekullit XX. Lev Tolstoy merrte arratinë në moshën 82-vjeçare, për të ecur i vetmuar rrugëve të fshatrave tërë baltë të Rusisë, për të vdekur në një stacion të braktisur trenash. Po ashtu edhe TS Elioti, dhe sidomos George Orwell dhe J.D.Salinger. Për shkrimtarët që njohën tmerrin e komunizmit, vetmia e krijuesit ishte dhe Atdheu i vetëm i tij. Në një bisedë me filozofin Isaiah Berlin, Pasternaku pat treguar se si në vitin 1935, me këmbënguljen e Andre Malraux, u mbajt në Paris Kongresi Antifashist i Intelektualëve të Majtë. Dhe po me këmbënguljen e Malraux pranë autoriteteve sovjetike, u ftua të merrte pjesë Pasternaku, jo nga pikëpamjet e tij, të cilat ishin tepër të dyshimta për sistemin sovjetik, se sa thjesht nga këmbëngulja e Malraux, i cili i këshillonte udhëheqësit komunistë se pjesëmarrja e Pasternakut do i bënte mirë imazhit të Stalinit…Në kongres merrnin pjesë shkrimtarë të njohur të Perëndimit, Dreiser, Gide, Aragon, Malraux, Auden, Forster, Rosamond Lehman. Mes kureshtjes së pjesëmarrësve e merr fjalën Pasternaku. Të gjithë janë të bindur se shkrimtari që vjen nga Moska do të flasë më me forcë kundër fashizmit. Për çudinë e shkrimtarëve perëndimorë, Pasternaku thotë: “E kuptoj se kjo është një mbledhje e shkrimtarëve për t’u organizuar në rezistencën kundër fashizmit. Sa për veten time, kam vetëm një gjë t’ju them: Mos u organizoni. Organizimi është Vdekja e Artit. Ajo që vlen është vetëm Pavarësia personale. Në vitet 1789, 1848, 1917, shkrimtarët nuk u organizuan as pro diçkaje dhe as kundër diçkaje. Ju lutem, mos u organizoni!”.

Pavarësia personale realizohet përmes Vetmisë. Realiteti shqiptar duket se ka qenë herët, shumë herët, kundër pranisë së Shkrimtarit a Intelektualit. E gjithë jeta e Faik Konicës është një arratisje, një ikje e vazhdueshme, një vetmi ecjesh dhe largimesh. Migjeni është njëri ndër vetmitarët e mëdhenj, po ashtu Fishta dhe Mjeda, dy poetë të mëdhenj që e kaluan jetën e tyre si famullitarë katundesh shqiptare. Një vetmitar i madh është Jeronim de Rada. Lasgushi jetoi gjithë jetën në një arratisje të vetimponuar në Poradec, ashtu si dhe Martin Camaj në Mynih dhe Ernest Koliqi në Itali. Të vetmuar, tmerrësisht të vetmuar kanë qenë gjithë jetën e tyre eruditi dhe përkthyesi i shquar, Petro Zheji, Frederik Reshpja dhe Ndoc Gjetja, skulptori i talentuar, Janosh Paço dhe piktori Abdurrahim Buza, ashtu siç janë të vetmuar sot Fatos Arapi, Zija Çela, Fatos Kongoli, Preç Zogaj,Visar Zhiti, Nasi Lera dhe Bardhyl Londo, po të përmendësh vetëm disa sysh. Duket se vetmia e shkrimtarit shqiptar ka qenë gjithnjë në proporcion të drejtë me talentin e vet dhe me Famën e vet. Sa më i talentuar dhe sa më i njohur, aq edhe më i vetmuar!

2.

Krijimtaria e Ismail Kadaresë e ka merituar prej vitesh çmimin “Nobel”, dhe kjo nuk përbën më asnjë sekret për njohësitë e mirë të letërsisë. Padyshim, Ismail Kadare është njëri ndër shkrimtarët më autoritarë ndër të gjallët në botë. Vepra e tij i ka folur dhe vazhdon t’i flasë me një zë sa origjinal, aq dhe të fuqishëm njeriut të sotëm modern, i cili shpeshherë ndodhet përballë udhëkryqesh të vështira dhe çoroditëse zgjedhjesh. Dhe i ka folur dhe vazhdon t’i flasë nga një vend dhe nga një gadishull të mbushur me tragjedi njerëzore, që shpeshherë paraqiten jo si vendet më të zhvilluara të Europës, dhe u ka folur sidomos nga një vend që paragjykohet- me dashje dhe padashje- në mediat e botës, duke u bërë pre e ca stereotipeve të mendësisë së klasit të katërt. Dhe në krijimin e këtyre stereotipeve kemi kontribuar dhe vazhdojmë të kontribuojmë dhe ne me një zell të frikshëm…Ai ka ditur dhe vazhdon të dijë që t’i flasë lexuesit në botë dhe lexuesit të vendit të vet me të njëjtin autoritet.

Por kjo nuk e bën Ismail Kadarenë që të mos jetë shkrimtari më i vetmuar i letrave shqipe. Vetmia duket se është, më tepër se fizike, një gjendje shpirtërore. Sidomos kur vjen fjala për shkrimtarët. Çfarë e bën të vetmuar Ismail Kadarenë? Keqkuptimi me vendin e vet dhe me bashkëkombësit e vet. Ajo që ai do ta quante Mosmarrëveshja. Ligësia agresive me të cilën ai ka qenë dhe vazhdon të jetë i rrethuar (ne që duam të flasim keq për Nënë Terezën dhe për Skënderbeun, si mund ta kursejmë Kadarenë?); injoranca rrënqethëse e një lexuesi të palexuar, që shtiret sikur ka lexuar; kritiku letrar, pa shije, katundar, gjykatës; kolegët ziliqarë dhe mediokër, të cilët e detyronin Dhimitër Paskon (Kutelin) të thoshte se letërsia shqipe është një Fushë me gjarpërinj, sepse kur shkruan keq, të shajnë si i patalentuar, ndërsa kur shkruan mirë, nuk ta falin se shkruan më mirë; sekretarët e djeshëm të Partisë dhe Sekretarët e sotëm të Partive; shtirja dhe agresivitetit i shpifjeve dhe i gërmimeve arkeologjike të liga në jetën personale të shkrimtarit; gëzimi pervers i dëshirës së liliputëve për të rrëzuar njeriun e madh, dhe mbi të gjitha, ay trishtim i madh i shkrimtarit se kombi të cilit i përket dhe të cilin e artikulon, shkon me hapa pas në kohë, i kaptuar nga skleroza historike dhe nga pamundësia për të njohur vetveten, se ndjenja vetëshkatërruese e kombit sa vjen e bëhet gjithnjë e më e fuqishme, se Testamentet e shkrimtarit duket sikur bien në veshë të shurdhët. Shenjë e keqe kjo, kur Kombi mbyll veshët përpara Profetit të vet!

Kam lexuar ditët e fundit “Vjedhja e ëndrrës mbretërore” dhe “E penguara”. Do të mjaftonin vetëm këta dy libra dhe asnjë nga librat e tjerë të autorit, që emri i Kadaresë të ketë po atë shkëlqim që ka edhe sot. Dhe njerëzit e ligj duan të na mbushin mendjen se Kadare, pas viteve ’90 nuk ka krijuar vepra aq të fuqishme sa ato të parat! Duke harruar se në Letërsi ka poetë që janë Poetë kur shkruajnë poezi; ka prozatorë që janë prozatorë kur shkruajnë prozë. Por ka dhe poetë dhe prozatorë që janë poetë dhe prozatorë të shquar, madje edhe kur nuk shkruajnë.

Në fund të fundit, Vetmia e Kadaresë na kujton gjithnjë atë thënien e Poetit se Talenti i Madh nuk të lë të jetosh. Por nuk të lë as edhe të Vdesësh!

Kur Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi shkonin në shtëpinë e Fatmir Limajt

0

Hashim Thaçi, së bashku me Jakup Krasniqin dhe Adem Grabovcin në shtëpinë e Fatmir Limajt në Banjë të Malishevës. Bashk me ta është edhe Sabri Fejzullahu. Në shtëpi afër Thaçit është i ulur një fëmijë . Në qoshe të kanapesë, në foto duket profili i Ismail Sylës.

A mund ta imagjinojë dikush sot këtë përbërje në një vend?
Fotografia e siguruar nga portali ONLINE është e vitit 2003 dhe flet për vizitën e lidershipit të PDK-së së asaj kohe në vizitë në familjen e Fatmir Limajt kur ai ishte i burgosur në Hagë.

Fëmija afër Thaçit është Durimi, djali i Fatmir Limajt, i cili tani më është burr i martuar. Atëherë të gjithë këta burra ishin në një parti. Këngëtari Sabri Fejzullahu ishte atë kohë deputet në Parlamentin e Kosovës nga radhët e PDK-së.

Tani Hashim Thaçi vazhdon të mbetet në krye të PDK-së, ndërkaq Jakup Krasniqi e Fatmir Limaj kanë formuar subjekt të ri politik, Nismën për Kosovën. Miqtë e deridjeshëm dhe bashkpartiakët janë shndërruar në rival politik. Adem Grabovci ka mbetur në PDK, bile është “transformuar” në njëfar “shefi të shefave”. E Sabri Fejzullahu e ka braktisur politikën. Durimi sigurisht që mbështetë babain e tij në politikë por nuk ka marr ndonjë funskion në parti.

Selimi: Policia ka shkelur ligjin

0

Deputeti i Vetëvendosje Rexhep Selimi tha se ngjarjet e fundit në Kosovë kanë nxjerr shumë defekte në Policinë e Kosovës.

Ai tha se është shkelur ligji për Policinë.

Selimi tha se duke parë bastisjet e zareve të VV-së, arrestimin dhe maltretimet e aktivistëve të VV-së, është shkelur neni 2 dhe neni 13 i Ligjit për Policinë e Kosovës, raporton zeri.info.

Po ashtu sipas tij, është shkelur edhe nenin 10 të këtij ligji. Selimi tha se kërkon nga eprorët e Policisë që ta zbatojnë ligjin për Policinë.

Sipas tij një ndër problemet që ka policia është edhe verifikimi i sigurisë për pjesëtarët e saj nga AKI-ja.

Selimi shtoi se asnjëherë nuk është bërë numri i policëve që kanë kaluar testin sigurisë. Ai tha se kanë informata që një numër shumë i madh nuk e ka kaluar verifikimin e sigurisë, raporton “Zëri”.

Selimi tha se, shumë pjesëtarë shantazhohen si pasoj e këtij verifikimi të sigurisë.

Edhe anëtari tjetër i Vetëvendosjes, Shemsi Syla tha se shqetësimi i tyre më i madh është instrumentalizimi i Policisë së Kosovës.

Syla tha se, vet kreu i PK-së është duke u instrumentalizuar nga politika.

Sipas Sylës edhe më shqetësuese është integrimi i “Civilna Zastita-s” në institucionet e Kosovës./ZËRI/