8.4 C
Prizren
E martë, 21 Prill, 2026
Home Blog Page 6775

Besa e Pashtrikut paska qenë gënjeshtër

0

Besim Muhadri

Në vitin 2011 pata filluar një projekt për të shkruar një libër për aktivitetin e Fondit “Vendlindja thërret” në SHBA, që ishte iniciativë e zotit Shefki Mexhuani, njërit nga themeluesit e këtij fondi, përkatësisht drejtor ekzekutiv i këtij Fondi, por që për shkaqe kohe dhe të tjera ende nuk është finalizuar ende. Në verën e atij viti (2011) pata bërë disa intervista me themelues dhe aktivistë të këtij fondi, por edhe me ushtarë të batalionit “Atllantiku” në mënyrë që të kompletoja librin, i cili është ende në proces të shkrimit. Në mesin e atyre që pata intervistuar në atë kohë, kishte edhe ushtarë të cilët sot jetojnë në Nju Jork dhe shtete të tjerë të SHBA-së, mirëpo edhe me ushtarë të këtij batalioni të cilët sot jetojnë qoftë në Kosovë, apo në vise të tjera ku jetojnë shqiptarët. Në mesin e atyre që kisha intervistuar (kuptohet përmes postës elektronike) ishte edhe Fatmir Fejzullahu – Mjaku, një intervistë që në atë kohë më pat lënë përshtypje dhe e pata fiksuar si të tillë. Unë nuk e njihja Fatmirin, mirëpo për realizimin e disa intervistave e para autorizuar Adrian Grajçevcin, i njohur me nofkën “Gjyshi”, i cili jeton dhe vepron në Nju Jork, ndërsa gjatë kohës së luftës në Kosovë kishte qenë pjesë e Batalionit “Atlantiku” dhe pjesë e komandës së batalionit. Adrianit ia pata dhënë pyetësorin, të cilin e pat shpërndarë tek ushtarët e Batalionit.

Meqë ka kohë që nuk jam marrë me projektin për “Fondin Vendlindja thërret”, gjatë këtij muaj (janar 2016) ju ktheva për ta lexuar materialin e mbledhur dhe prapë u ndala tek intervista me ish ushtarin e Batalionit, Fatmir Fejzullahu – Mjaku. Dhe, duke menduar që të gjeja informacione më të thella në internet për këtë njeri, intervista me të cilin më kishte lënë për të kuptuar shumë gjëra, hasa në një lajm të dhimbshëm, që tregonte se ai kishte vdekur më 14 tetor 2015. Dhe ja çka shkruante, në mes tjerash, në këtë lajm të Klan Kosovës dhe të të gjitha portaleve shqip: “Ish-bashkëluftëtari i komandantit legjendar Adem Jashari, ndërroi jetë pas një sëmundje të rëndë. Përkundër se Mjaku pak njihet, me dëshirën e tij kjo, ai ishte edhe në mesin e 52 personave të parë që i mbaruan stërvitjet ushtarake në Shqipëri, bashkë me Adem Jasharin.

Më pas Mjaku ka shërbyer edhe në njësitin shqiptaro-amerikan Atlantiku, në Koshare.

Ushtarak, roker dhe njeri i shkencës, pas përfundimit të luftës Mjaku, jo si shumë të tjerë, nuk u bë pjesë e strukturave politike, por vazhdoi punën e tij si njeri i dijes, duke kontribuar në profesionin e tij – profesor.
Për babanë e dy fëmijëve, nuk u organizua kurrfarë ceremonie nga institucionet e Kosovës, për t’iu falënderuar për kontributin e madh dhënë për çlirimin e Kosovës”.

Pas leximit të këtij lajmi u preka shumë. Më erdhi shumë keq që nuk kisha arritur ta kontaktoja edhe pas kësaj interviste. Prandaj, për të përkujtuar punën dhe veprën e këtij luftëtari dhe intelektuali, po e botoj në tërësi intervistën të cilën e pata siguruar në verën e vitit 2011.
Në pyetjet e mia se kush ishte Fatmiri, cili ishte aktiviteti i tij dhe të tjera, ai më përgjigjej fillimisht kështu, sa për të dhënë një portret të shkurtër për veten: “Gazetarët e CBS News ma dhanë një kamerë profesionale gazetare të cilën ia dhash Florim Lajçit”.

Kush është Fatmir Fejzullahu, a mund të na jepni një letërnjoftim të shkurtër?

Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Quhem Fatmir Shukri Fejzulla (Mjaku). Kam lindur më 27. 08. 1954 në Shkup, ndërsa në SHBA kam shkuar më 1997. Kam jetuar në Manhattan, New York, ndërsa pas përfundimit të luftës kam vendosur të qëndroj në vendlindjen time në Shkup dhe t’i përkushtohem profesionit tim të mësuesit. Jetoj në Shkup (më shkruante atëherë Fatmir Fejzullahu- Mjaku, tash i ndjerë).

Kur jeni aktivizuar në Batalionin “Atlantiku”?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Më 1999.

Kur shkuat në Shqipëri me Batalionin?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Më duket aty nga fillimi i Prillit (kam harruar saktësisht se kur).

Keni një fotografi të ushtarit?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Vetëm po të kenë shokët e batalionit, se unë nuk kam pasur aparat apo kamera.

A ju kujtohen momentet e para të zbritjes në tokën shqiptare me rastin e shkuarjes me Batalionin “Atlantiku” nga SHBA-ja dhe cilat ishin përjetimet tuaja (përshkruani me pak fjalë ato përjetime?
Fatmir Fejzullahu-Mjaku: Po, që nga aeroporti Rinas e deri në fund të qëndrimit në malin Pashtrik. Prej Rinasit ikëm për në Durrës, ku tek restoranti “Drenica”, aktivistët e logjistikës së UÇK-së na e shtruan një drekë. Menjëherë vluan gazetarët nga mbarë bota, ndër to edhe më prestigjiozet amerikane, angleze, franceze, spanjolle, turke dhe shumë të tjerë, të cilët nëpërmjet të pyetjeve të tyre, e regjistruan entuziazmin dhe vendosmërinë e fuqishme të vullnetarëve të Amerikës, për t’u dalë zot trojeve të tyre etnike. Meqë unë isha atë kohë zëvendëskomandant i admiralit, z. Skënder Doçi, veteran i Marinës shqiptare, me mbi 40 vjet shërbim, m’u afruan gazetarët e CBS News dhe ma dhanë një kamerë profesionale gazetare e m’u lutën që unë me vullnetarët të mbajmë një ditar vizual dhe sapo të kishim regjistruar ndonjë material përmbajtës në kohën kur do të futeshim në betejë ballë për ballë, t’ua dërgonim këto regjistrime nëpërmjet të ushtarëve, të cilët do ta kishin për detyrë me orar të na sjellin pajisje dhe ushqim. Unë e pranova kamaren dhe e autorizova Florim Lajçin të xhirojë, se e pashë që kjo punë i shkon për dore. Mirëpo, nga shkaku i mosnjohjes të së kaluarës time dhe nga injoranca primitive e disave nga logjistika e batalionit, të bartur me ide se unë mbase do të kisha qenë ndonjë spiun serbi, a ku e di unë çka, shprehën një pakënaqësi dhe nxitën midis shumë vullnetarëve dyshime dhe urrejtje ndaj meje. Këta nuk e dinin se unë kisha dosje të pasur atdhedashurie. Ata pse e njihnin njëri-tjetrin mendonin se vetëm ata po flijohen për Kosovë, e për mua nuk e dinin se sa zhavorr atdhedashurie ua kam shtruar deri sa ata të rriten, të bëhen synet, të piqen dhe t’i marrin pushkët dhe të luftojnë krah për krah me mua. Megjithatë në fund të luftës u joshën pikërisht edhe me dëshmitë e shumta nga ajo kamerë. Të tjerat ua rrëfejnë vullnetarët e tjerë./epoka e re/

Veton Firzi shkelë Arsim Bajramin

0

Kosova e ka humbur edhe një betejë përballë Serbisë.

Ndonëse ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami kishte marrë vendim për reciprocitet me Serbinë sa i përket liberave, për shkak se shteti serb i bllokoi librat nga Kosova për Luginën e Preshevës, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Kulturës, Veton Firzi e ka shkel këtë vendim, duke lejuar që librat nga Serbia të futen në Kosovë.

Në një dokument që e ka siguruar Gazeta Blic, Firzi është ai i cili ka shkelë vendimin e ministrit, Arsim Bajrami, duke e gjunjëzuar Kosovën përballë Serbisë.

Sipas dokumentit, një kopje të të cilit e ka siguruara Gazeta Blic, kërkesa për lejimin e librave është bërë së pari nga Adrijana Hoxhiq zyrtare kryesore ekzekutive në komunën e Mitrovicës së Veriut, që i është drejtuar MKRS-së, gjegjësisht sekretarit të përgjithshëm Veton Firzi-t. Po ju drejtohem me kërkesë për lehtësim të procedurave për import të mallit (libra shkollor) dedikuar për shkollat fillore “Branko Radicevic”, Shkollën e Mjeksisë dhe Institucionit parashkollor, si donacion nga ndërmarrja publike “Zavod za Udzbenike”, Beograd. Veton Firzi më pastaj ka kërkuar nga Doganat e Kosovës për lejimin e kalimit të librave.

Në emër të Minstrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit konfirmojmë se Komuna e Mitrovicës se Veriut, pranon një kontingjent me libra dhe materiale tjera shkollore, si donacion nga ndërmarrja publike “Zavod za Udzbenike” – Beograd, të cilat janë te dedikuara për shokllat fillore “Branko Radicevic”, Shkollën e Mjekësisë dhe Institucionin Parashkollor, raporton Gazeta Blic.

Një zyrtar i lartë nga Ministria e Arsimit ka theksuar për Gazetën Blic, në kushte anonimiteti se “nuk e kanë ende të qartë pse Ministria e Kulturës është përfshirë në një çështje të tillë”.

Zyrtarisht, ndërkaqm askush as nga Ministria e Kulturës e as nga ajo e Arsimit nuk kanë kthyer asnjë përgjigje.

Reciprociteti i librave nga Kosova për Serbinë nga ministri Bajrami, është vënë pasi Serbia ka bllokuar një donacion me libra në gjuhën shqipe për nxënësit në Luginë të Preshevës.

Këtu e gjeni vendimin e ministrit, Arsim Bajrami për RECIPROCITET me Serbinëm ku njoftohet drejtori i Doganave Lulzim Rafuna, që të mos lejoj futjen e librave serbe nga Kosova, raporton Gazeta Blic. Vendiminm një kopje të të cilit e ka siguruar Gazeta Blic, ishte marrë në shtator të vitit të vitit të kaluar.

Gazeta Blic e ka siguruar edhe një shkresë tjetër, ku sekretari i përgjithshëm i MASHT-it, kishte kërkuar nga Doganat e Kosovës, lrimin e pajisjeve laboratorike për Fakultetin e Shkencave Teknike në Mitrovicë.

Zafir Berisha: Sami Lushtaku, viktimë e Hashim Thaçit

0

Deputeti i Nismës Zafir Berisha ka fajësuar liderin e PDK-së Hashim Thaçin për rastin e Sami Lushtakut dhe luftëtarëve të tjerë të cilët gjenden në burg.

“ Adresa është Hashim Thaçi për këtë që po ndodhë me z. Lushtaku dhe qindra luftëtarë tjerë dhe për të tjerët që pritet me ju ndodhë në të ardhmen e shpejtë”, thotë Berisha,transmeton PrizrenPress.

“ Ky tip po shihet se e ka mision që çdo gjë që është vlerë kombëtare në Kosovë do me përdhosë me qëllimin që me lehtë me akomoduar Serbinë dhe mbeturinat e saj në Kosovë vetëm e vetëm me shpëtu vetveten nga të zezat qe i ka bë vendit”.

“Tendenca për me fajsu EULEX-in lidhur me rastin e Sami Lushtakut është tenderë që me i ikë fajtorit kryesor lidhur me Lushtakun dhe luftëtarë që padrejtësisht janë trajtu në mënyrën më jo njerëzore nga e ashtuquajtura drejtësi ku kanë bërë eksperimente me ndjenjat e luftëtarëve dhe vlerat e këtij vendi e që ky fajtor është Hashim Thaçi”

“ Me rëndësi është që të potencohet se edhe Lushtaku ka heshtë kur është eksperimentuar me luftëtarët e UÇK-së që nga 1999 duke menduar se atij nuk do t’i vjen rendi sic janë edhe disa, duke menduar dhe verbërisht i ka qëndruar mbrapa atij që është fajtori kryesor për atë që ka ndodhë, e po ndodhë dhe do të ndodhë me luftëtarët e UÇK.ës”.

“ Kujtoni rastin ‘Kiqina’. Ramdani që mbahen në mënyrë të pa drejt tash e 14 vite në burg, dhe askush nuk e ka ngritë zërin”./PrizrenPress.com/

Misteri i vdekjes së Ismail Qemalit para 97 viteve

0

Sot janë bërë 97 vjet nga vdekja misterioze e Ismail Qemali, njeriu që më 1912 shpalli pavarësinë e Shqipërisë, në qytetin e Vlorës. Ai vdiq më 24 janar të vitit 1919 në Peruxhia të Italisë, pak momente para se të jepte një konferencë për shtyp. Deri më sot nuk ka një variant përfundimtar të vdekjes së tij, por gjithmonë janë hedhur dyshime se është helmuar nga qarqet greke, serbe, turke apo italiane.

Ismail Qemali u lind në Vlorë në vitin 1844. Vitet e fundit të jetës i kaloi në mërgim duke punuar gjithnjë për të mirën e atdheut dhe duke bashkëpunuar me kolonitë shqiptare. Më 1917, Partia Kombëtare Politike e shqiptarëve të Amerikës, e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqes në Paris 1919-1920. Pak kohë para vdekjes, i bindur se historia do t’i jepte të drejtë largpamësisë së tij ndaj kërkesave legjitime të popullit shqiptar, do shkruante: “Paqja në Ballkan nuk do të mund të rivendoset duke sakrifikuar të drejtat e kombeve të tjera në interes të synimeve ekspansioniste. Pa iu shtuar Shqipërisë nga ana e veriut Kosova dhe nga ana e jugut Çamëria, nuk mund të shtrohet qetësia në Sinisinë e Ballkanit”, shkruan KP.

Situatat që Ismail Qemali kishte kaluar ato ditë në Peruxha të Italisë i kishin shkaktuar një gjendje të rëndë mendore dhe fizike. Edhe pse në atë gjendje, ai nuk kishte ngurruar të dilte para shtypit.

Njëri nga djemtë e Ismail Qemalit ka deklaruar në ato ditë se qëndrimi i Romës e dëshpëroi shumë babanë e tyre. Për të mos e lënë në harresë misionin e tij, Ismail Qemali ftoi më 23 janar 1919 në hotelin “Brufani” ku kishte bujtur, korrespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha. Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe dy djemtë e Ismailit.

Sipas të birit, Et’hemit, kur Ismail Qemali, pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte. Ali Asllani, kryetari i Bashkisë së Vlorës, tregon se Ethemi i kishte thënë që Ismail Qemali “kërkoi ta shoqëronin në banjë. Atje e mbyti shkuma e të vjellët”.

Vdekjen e tij e njoftoi, ndër të tjera, me një komunikatë të veçantë gazeta italiane “L’Unione Liberale”, organ i Partisë Liberale të Italisë, e qendrës së djathtë, me këto fjalë:

“Dje në mbrëmje, në orën 23.30 pushoi së jetuari në hotel ‘Brufani’ mysafiri i shquar i qytetit, Ismail Qemal Bej Vlora”.

Ai përfaqësonte denjësisht një familje të madhe dhe të lashtë nga Vlora. Meqenëse ishte patriot i flaktë, mik i Italisë sonë, i frymëzuar nga parimet e lirisë dhe drejtësisë, shihej me sy të keq nga qeveria turke, e cila e kishte dënuar dhe detyruar të kërkonte shpëtim në mërgim.

Ishte 75 vjeç, ruante mendimin e kthjellët dhe fuqinë trupore, i palodhur në punë, sikur të ishte i ri dhe i përzemërt me të gjithë.

Hemorragjia cerebrale e goditi më 23 janar dhe si pasojë paralizimi. Për të përballuar sëmundjen nuk patën dobi as mjekimi më i kujdesshëm i mjekut që e kuroi, doktor Leone Pernossi dhe të konsulentëve, prof. Silvestrini dhe prof. Righetti dhe as prania e dhembshur e djemve.

Kufoma e Ismail Qemalit është mbajtur në Peruxha për dy javë pas vdekjes, me idenë e balsamosjes. Por, kjo i shtoi edhe më shumë dyshimet për helmim, pasi i kanë nxjerrë të gjitha organet e brendshme për të zhdukur çdo shenjë për autopsinë.

I shoqëruar nga tre djem të tij: Et’hemi, Qazimi dhe Qamili dhe nga përfaqësues të Ministrisë së Jashtme italiane, më 8 shkurt 1919, trupi i Ismail Qemalit u dërgua me tren në Brindizi nga ku, në bordin e torpedinieres “Alpino”, u shoqërua në Vlorë. Më 12 shkurt, nën një ceremoni madhështore, trupi i tij, i vendosur mbi shtratin e topit dhe i mbështjellë me Flamurin Kombëtar, u shoqërua në Kaninë, ku u varros në oborrin e Teqesë, në varrezat e familjes Vlora. “…Nëse masim madhështinë e një personaliteti politik me dashuri në e popullit të thjeshtë,- shkruante në ‘Kujtime familjare’, Safa Vlora,- duhet të pohojmë se asnjë nuk i afrohet Ismail Qemal Vlorës. Në ceremoninë e përmotshme… as fshatar as qytetar nuk qëndroi në shtëpi. Tërë faqet e maleve dhe brigjeve, që qëndronin gjatë udhëtimit, ishin mbushur me njerëz. Ishte një apotezë madhështore e të gjithë popullit, pa dallim, dhe një kurorë që Ai e fitoi me punën e tij të madhe në shërbim të vendit të tij, derisa dha frymën e fundit..”..

Në atë kohë Vlora ndodhej nën pushtimin italian. Komanda italiane, që ia kishte frikën rebelimit, urdhëroi që në ceremoni të mos përdorej asnjë flamur shqiptar. Kjo ishte poshtëruese për ndjenjat e një populli patriot. Këshilli bashkiak i Vlorës këmbënguli në përdorimin e simbolit shqiptar. Komanda italiane e kuptoi mirë ultimatumin atdhetar dhe lejoi që gjatë ceremonisë arkivoli të mbulohej me flamurin shqiptar. Dhe ashtu u bë. Arkivoli u mbulua me flamurin e kuq me shqiponjën e zezë. Këtë flamur ia kishte dhuruar Ismail Qemalit duka i Monpasiesë në mars 1913, kur ai bëri një vizitë në Vlorë.

Në ato ditë flamurin e mbante me vete djali i madh i Ismail Qemalit, Ethem Bej Vlora. Ceremonia e varrimit u bë me 12 shkurt 1919. Ishte e mërkurë. U mbajtën dy fjalime mbresëlënëse nga Jani Minga dhe nga Qazim Kokoshi.

Kortezhi prihej nga dymbëdhjetë kurora që mbaheshin nga Djelmoshat e Vlorës, të shoqërisë me po këtë emër. Kurorat ishin gjithë lule, nderim dhe dashuri nga populli i Vlorës, nga shkollat, nga shoqëria Djelmoshat e Vlorës dhe nga gazeta Kuvendi. Mbas këtyre vinte Shoqëria djaloshare. Pastaj ecte banda ushtarake që luante marshin funebër. Mbas këtyre ecte karroca me arkivolin e mbuluar me flamurin e kuq dhe shqiponjën e zezë, e nderuar dhe e ruajtur nga dy rreshta ushtarësh.

Mbas karrocës ecte grupi i hoxhallarëve dhe mbas tyre të tre djemtë e Ismail Qemalit. Pastaj gjenerali Settimo Pacentini, kundëradmirali Lrubetti, autoritete ushtarake dhe civile të krahinës, paria e qytetit dhe e qarkut, qytetarët, nxënësit e shkollave dhe në fund ushtarët e kavalerisë. Përpara varrimit flamurin e morën djemtë e Ismail Qemalit, të cilin flamur e përdorën përsëri në rivarrimin e tij në Sheshin e Flamurit me 28 nëntor 1932. Mbas kësaj Ethem Bej Vlora e dhuroi flamurin për Muzeun Kombëtar.

Më 28 nëntor 1932, me rastin e 20-vjetorit të Pavarësisë, me kërkesën e popullit të Vlorës dhe me vendim të Qeverisë Mbretërore, trupi i tij u zhvendos në Vlorë, në lulishten e qytetit, në një varr monumental, vepër e skulptorit Odhise Paskali, aty ku më parë ishte shtëpia ku ai kish lindur dhe nga ku Shpalli Pavarësinë e Shqipërisë. Sot, përbri varrit të tij, ngrihet një monument madhështor, që simbolizon atë ditë nëntori, që do t’i jepte emrin e bukur atij sheshi të madh: “Sheshi i Flamurit”.

Ismail Qemali vdiq në një kohë kur në Shqipëri, për shkak të okupacioneve të huaja, nuk ekzistonte shtypi i lirë shqiptar. Nuk ka dyshim se vdekja e tij shkaktoi një dhimbje të përgjithshme në mbarë bashkatdhetarët. Këtë e dëshmojnë pak organe shtypi që botoheshin atë vit, ndonjëra në Shqipëri e të tjerat jashtë.

Nikolla Ivanaj në gazetën “Koha e Re”, që nxirrte në Shkodër, kur qyteti ndodhej nën pushtimin ushtarak frëng, shkruante pesë ditë pas vdekjes së Ismail Qemalit, më 31 janar 1919: “Na mbërriti lajmi i zi si korbi, i ftohtë si akulli e i mprehtë si shpata e mejdanit: Vdiq Ismail Qemali i Vlorës”. Më tej: “Historia e Shqipërisë së re, në kohën e vet do të flasë më gjerë e gjatë për këtë burrë të shkëlqyeshëm të atdheut tonë”. N. Ivanaj e mbyllte fjalën e tij: “Ne, sot i lutemi shpirtit të tij që të na ndihmojë në këtë kohë të vështirë e kritike, ku na lypej ende trupi e mendja e tij, më tepër se kurrë deri sot”.

Gazeta “Kuvendi”, organ që dilte një herë në javë në Romë, nën drejtimin e Sotir Gjikës, në shqip e italisht, njoftonte më 8 shkurt 1919, vdekjen e Ismail Qemalit, me këto fjalë:

“Më 24 të janarit 1919, në hotel Brufani të qytetit Perugia (Itali), vdiq në duart e të bijve, Etem e Qazim, Ismail Qemal Bej Vlora, ish-kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë e tani përfaqësues në Europë i ‘Partisë Politike’“.

Shumësia e lëndës nuk na jep leje sot të merremi gjatë me biografinë e burrit të shtetit shqiptar. Padyshim, Ismail Qemali do të zërë një faqe të gjerë në historinë e Përlindjes shqiptare, se veçanërisht i shquar është roli që luajti ky burrë me mendje të madhe i farës sonë.

Ai pati fatin të ngrejë në Vlorë më 28 Nëntor 1912 flamurin e mëvetësisë shqiptare, ngjarje që e bëri të mbetet fytyrë historike, meritë të cilën nuk do t’ia hedhin dot poshtë as kundërshtarët e tij më të rreptë.

Kuvendi merr pjesë në këtë zi kombëtare e i dërgon së fort të helmuarës familje të ndjesëpastit ngushëllime të përzemërta.

Qeveria italiane bëri, nga ana e saj, fort fisnikërisht, ç’duhej për ta shpënë trupin e Ismail Qemalit në Vlorë”.

Mihal Grameno, në një artikull me titull “Humbja e Ismail Qemalit”, botuar më 12 mars 1919, në gazetën e tij “Koha” (Boston, Mass.), shkruante ndër të tjera:

“Si vetëtima u përhap lajmi i hidhur për humbjen e Plakut të Shqipërisë, Ismail Qemalit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë anët e botës.

Ky lajm ishte si rrufeja edhe një nga më të mëdhatë goditje për kombin shqiptar, se humbi b urrin më të madh që kishte nxjerrë, pas Skënderbeut, Shqipëria. Humbi diplomatin e madh e të famshëm, humbi shtyllën e çelniktë të programit kombëtar, humbi Atin e kombit, i cili e shpëtoi nga rreziku, humbi luanin që dërrmoi zinxhirët e robërisë dhe që ngriti flamurin e Skënderbeut e shpalli vetëqeverimin e Shqipërisë. Jemi shumë të vegjël edhe fuqia jonë është e dobët që të mund të përshkruajmë veprat e larta dhe të shenjta që ka sjellë Plaku i pavdekur, përmbi altarin e atdheut”.

Luftëtari rilindës përvijon në artikullin e tij këtë portret njerëzor për Plakun e Vlorës: “Tek Ismail Qemali përmblidheshin gjithë virtytet e mira, të cilat mund të gjenden në botë”. (Gazeta “Koha”, Boston, Mass., 12 mars 1919).

Ismail Qemali, si kryeministër dhe kryetari i parë në historinë e shtetit shqiptar, qëndroi në krye të Qeverisë nga data 28 nëntor e vitit 1912 deri në 22 janar 1914, d.m.th., 12 muaj e 56 ditë.

Historia e një miqësie në kohë lufte që qoi Kosovën në Oscars

0

Me kujtimin e një të rrituri për shokun e fëmijërisë dhe luftën e Kosovës që u zhvillua në vitet 1998-1999 nis filmi “Shok” i regjisorit Jamie Donoughe, që po e dërgon Kosovën për herë të parë në historinë e kinematografisë së saj në akademinë prestigjioze, Oscars, ku bashkë me katër filma të tjerë, “Shok” është i nominuar në kategorinë “Best Live Action Short Film”.

Mbrëmjen e së shtunës në një premierë të mbyllur në hotel “Swiss Diamond” në Prishtinë ku të pranishëm ishin edhe ekipi i filmit, “Shok” u prezantua para gazetarëve, artistëve e përfaqësuesve të skenës politike nisur nga presidentja e vendit Atiftete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa me kabinetin e tij dhe përfaqësuesve diplomatik.
Ekipi i filmit “Shok”

Filmi si shumë të tjerë, është i bazuar në ngjarje të vërtetë dhe është i vendosur gjatë periudhës së luftës në Kosovë, kur vendi ishte nën okupimin e Serbisë.

E veçanta e tij është se tregon se si sprovohen kufijtë e miqësisë mes dy djemve të vegjël të cilët luftojnë për të mbijetuar gjatë luftës në Kosovë.

Regjisori amerikan Jamie Donoughe para shfaqjes së filmit tregoi për të pranishmit për ardhjen e tij në Kosovë dhe idenë për këtë filmi.

“Kohëve të fundit të gjithë kanë pyetur se si ndodhi që unë gjendëm në Kosovë dhe si kam ardhur këtu. E kam treguar këtë histori shumë herë, por nuk lodhem kurrë duke e treguar. Në 2010 unë erdha në Kosovë për tri ditë dhe më vjen turp të them që nuk dija asgjë për këtë vend. Qëndrimi këtu ma ndryshoi jetën”, tha Donoughe.

Jamie rrëfeu se si një fluturim i anuluar u bë shkak që ai të rrinte fillimisht pesë javë dhe gjatë kësaj kohe pati rast të njihet me vendin, njerëzit dhe historitë e luftës që nuk kishte ndodhur shumë kohë më parë.

Shumë i lumtur për nominimin në Oscars u shpreh producenti i filmit, Eshref Durmishi, i cili tha se shpreson që suksesi mos të ndalet vetëm me nominim, por që ata të hyjnë në histori duke i sjellë Kosovës Oscarin e parë.

“Këtë film kemi vendosur ta bëjmë sepse kemi nevojë që historitë tona të tregohen nëpër botë dhe kemi shumë ngjarje që duhet t’i tregojmë ne, ashtu siç dimë, në bashkëpunim me të tjerët, si ne në këtë rast me Jamie-n”, tha Durmishi.

Në këtë film me rolet e tyre paraqitën aktorët Lum Veseli, Andi Bajgora, Melihate Qena, Aurita Agushi, Eni Cani, Armond Morina, Eshref Durmishi, Sunaj Raça, Luan Kryeziu, Astrit Kabashi, Xhevdet Jashari, Kushtrim Sheremeti, Fisnik Ademi, Besnik Krapi etj.

“Shok” është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe është prodhim i shtëpisë filmike Eagle Eye Films Kosova me producent Eshref Durmishi dhe Eagle Eye Media Ltd me producent Harvey Ascott.

Rikujtojmë së çmimet Oscar sivjet ndahen më 28 shkurt në LA të SHBA-ve./kosovalive.com/

Kurti: Më të bashkuara janë vendet e BE sesa Kosova me Shqipërinë

0

Ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se më të bashkuar janë vendet e BE, sesa Kosova me Shqipërinë. Kurti tha se Tirana zyrtare duhet të ndërhyjë në situatën që ka përfshirë Kosovën, pasi është i vetmi vend që e ka këtë të drejtë.

“Unë mendoj se problemi nuk është që Tirana po ndërhyn, problemi është që Tirana nuk po ndërhyn. Do të duhej që Tirana të ndërhyjë dhe është shumë e padrejtë nga ana e kryeministrit të Kosovës, kur dihet që në Kosovë nuk mbeti kush pa ndërhyrë, tani ti, t’i bësh rezistencë nga Shqipëria. Madje nëse ka dikush të drejtë që të ndërhyjë është pikërisht Tirana. Dhe ky pikërisht instancës që ka të drejtë të ndërhyjë i kundërvihet, ndërkohë që ndërhyrjeve të Serbisë nuk i thotë asgjë. Ai na ka quajtur edhe ne kriminelë, por Vuçiçin e Daçiçin nuk i quan kurrë kriminelë, ndonëse janë përgjegjës për planifikimin e gjenocidit në vitet 1998-1999. Pra e ka gjuhën pakrahësimisht më të ashpër ndaj VV sesa ndaj Beogradit dhe rjedhimisht e ka edhe reagimin shumë të ashpër ndaj Tiranës sesa ndaj Beogradit.Problemi që kam unë është mosndërhyrja e Tiranës.

Tirana nuk po ndërhyn, Tirana po organizon takime ceremoniale, mbledhje formale me qeverinë e Kosovës, shkëmben vizita po nuk ka shumë përmbajtje, nuk ka shumë substancë. Shumë më të bashkuara janë vendet e BE sesa Kosova me Shqipërinë. Vendet e BE e kanë bankën e përbashkët qendrore, e kanë tregun e përbashkët, e kanë valutën e përbashkët. Ne këto nuk i kemi me Shqipërinë. Pra Shqipëria dhe Kosova janë shumë më të ndara sesa shtetet e veçanta në kuadër të BE. Ne duhet të krijojmë mekanizma të përbashkëta Kosovë-Serbi. Jo vetëm nënshkruajnë marrëveshje, ceremoniale. Nuk është vetëm mundësi, por edhe obligim.

Kurti dha alarmin se në Ballkan do të ketë furtuna të reja pasi ka nisur një garë armatimi mes Serbisë dhe Kroacisë. Ai tha se problemi në Ballkan janë Serbia dhe Rusia.

“Ne do të jemi edhe më aktiv, edhe më të vendosur. Jam shumë optimist që do të mbahen zgjedhje të reja parlamentare ku ne do të dalim subjekti i parë. Por, unë tërheq vëmendjen se zhvillimet në Ballkan të përcillen me shumë vëmendje se ka nisur një garë në armatim midis Serbisë dhe Kroacisë. Unë mendoj se nëse vazhdojnë kështu zhvillimet politike në Ballkan, ku ne nuk hyjmë në BE, ku Serbia lejohet të koketojë edhe me Moskën edhe të integrohet në BE. Ne do të mund të kemi furtuna të reja dhe nuk duhet të jemi të papërgatitur siç ishim në vitin 89-90-91 dhe mbase siç ishim në vitet 98-99. Shqiptarët edhe më së shumti kanë vuajtur në Jugosllavi, mirëpo kanë luftuar të fundit. Unë mendoj se problemi i Ballkanit më tutje janë Serbia dhe Rusia”.

Lista e përbashkët e opozitës e dërgon në pension koalicionin

0

“Opozita duhet të gjejë mënyra për ta zgjeruar listën me personalitete më kredibile, me autoritet moral e profesional, që do të jepte sinjalin për të besuar më shumë te opozita, ngase, siç duket, të gjitha shpresat iu kanë fundosur për këtë pozitë, e cila është shumë e pandërgjegjshme, e paskrupullt dhe shumë e papërgjegjshme, madje edhe e paaftë për ta menaxhuar Kosovën si duhet”, shprehet analisti Shefqet Dibrani

Duket se koalicioni qeverisës, PDK-LDK, ia ka frikën një liste të përbashkët të opozitës së bashkuar, pasi kjo gjë mund t’i krijojë probleme në zgjedhjet e ardhshme. Në bazë të disa matëseve të opinionit, thuhet se një koalicion i gjerë, me një listë zgjedhore, ku bën pjesë e tërë pozita, me kandidatë të pavarur dhe pjesëtarë te shoqërisë civile, do të garantonte krijimin e qeverisë nga opozita, si dhe të marrin po ashtu edhe pozitën e kryeparlamentarit. Publicisti Shefqet Dibrani mendon se koalicioni PDK-LDK është në panik të thellë, prandaj nuk ka asnjë alternativë për të dalë nga kriza. “Koalicioni që është në pozitë është duke i keqpërdorur të gjitha institucionet për të mbijetuar situatën. Në këtë luftë të ashpër për të mbetur në pushtet, oligarkët politikë provokuan emigrimin masiv, e tensionuan gjendjen në universitet dhe të dy rastet, si me një të shtypur butoni u heshtën. Pastaj le ta kthejmë shikimin si veprojnë gjykatat, madje ato nuk shqetësohen për asnjë aferë korruptive, pastaj mediat e caktuara, të cilat i janë nënshtruar pozitës, analistë e gazetarë të shumtë që justifikojnë qëndrimin e pozitës, për shkak, siç thuhet, të vandalizmit dhe dhunës nga opozita. Megjithatë, sikur nuk po iu bën punë. Fatkeqësia më e madhe për qytetarët e Kosovës është e dhëna se nuk ka një opozitë, e cila do të ishte pak më e ndërgjegjshme, prandaj për të dalë e për të protestuar po hezitojnë qytetarët e Kosovës, ngase shpeshherë nuk janë në gjendje të dallojnë vezën nga veza”, thotë ai.

Dibrani: VV-ja patjetër duhet të ndryshojë kursin e saj kundrejt Bashkësisë ndërkombëtare

Dibrani është shumë i bindur se me kalimin e kohës, siç thotë ai, do të ndahet shapi nga sheqeri. “Opozita duhet të gjejë mënyra për ta zgjeruar listën me personalitete më kredibile, me autoritet moral e profesional, që do të jepte sinjalin për të besuar më shumë te opozita, ngase, siç duket, të gjitha shpresat iu kanë fundosur për këtë pozitë, e cila është shumë e pandërgjegjshme, e paskrupullt dhe shumë e papërgjegjshme, madje edhe e paaftë për ta menaxhuar Kosovën si duhet. Tashmë kur është shitur e gjithë pasuria e Kosovës, oligarkët e politikës janë në hall, prandaj kanë filluar t’i shtrëngojnë radhët dhe të përdorin të gjitha mjetet për të justifikuar dhunën që përdorin ndaj protestuesve. Por, nëse analizohen si duhet mjetet e dhunës, vandalizmi dhe ato skema që kanë ndodhur në demonstratat e opozitës, mendja të shkon se më shumë është një skenar i provokuar nga Qeveria për të shkaktuar gjakderdhjen në mënyrë që të justifikohen qëndrimet e tyre dhe mosdhënia dorëheqje, e cila gjoja po bëhet se vendi është në krizë”, thotë Dibrani për “Kosova Sot”. Ai thotë se kjo qeveri e ka degraduar çdo institucion në Kosovë dhe nuk ka lënë asnjë të pavarur, prandaj thotë se Qeveria vetë i bën veprimet e më vonë ia vesh opozitës. “Sot për fat të keq në Kosovë nuk ka një institucion i pavarur, përkatësisht diçka si detektiv privat, që do të ishin marrë në mënyrë të pavarur me këto hulumtime, pasi të gjitha indikacionet janë te loja e Qeverisë për të dezorientuar demonstruesit dhe për t’i dhënë kahe negative qëllimit të protestav.

Shumë fëmijë braktisin shkollimin

0

Në Kosovë ekzistojnë grupe të rrezikuara të fëmijëve, të cilët mund të mbesin jashtë shkolle, thonë përfaqësues të organizatave vendore dhe ndërkombëtare që veprojnë në Kosovë.

Në këtë grup, sipas tyre, hyjnë fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët e riatdhesuar dhe të kthyer, fëmijët me probleme të ndryshme sociale, fëmijët nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas, fëmijët që punojnë për t’iu kontribuuar të ardhurave të tyre në familje.

Afërdita Spahiu, shefe për arsim në zyrën e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë për Kosovë, UNICEF, për Radion “Evropa e Lirë” përmend edhe grupe tjera të fëmijëve potencialë për braktisjen e shkollës.

“Në analizën tonë kanë dalë (të rrezikuar) edhe fëmijët, të cilët janë kthyer nga perëndimi dhe nuk kanë mundur lehtë të integrohen dhe të kthehen në shkollë. Kështu që, ne kemi konstatuar se në mungesë të programeve adekuate për përfshirjen e tyre, fëmijët mbesin pa vijuar shkollimin”, bën të ditur Spahiu.

Petrit Tahiri, nga Qendra e Arsimit të Kosovës, thotë se faktorët që ndikojnë në braktisjen e shkollimit janë individuale, familjare, sëmundjet e ndryshme, mentaliteti kulturor e të tjerë.

“Nuk do të kisha vënë ndonjë vijë të kuqe, të themi se këta janë faktorët që determinojnë gjithsesi braktisjen, mirëpo zakonisht komprometohen disa faktorë dhe ato te grupet e margjinalizuara, ku janë pak më të shfaqura, atëherë më lehtë shfaqet braktisja dhe kanë vështirësi t’i përballojnë këto sfida, me të cilat ballafaqohen fëmijët”, shprehet Tahiri.

Por, për të parandaluar braktisjen e shkollës, Afërdita Spahiu, nga UNICEF-i, thotë se mësimdhënësit janë të parët, ata që duhet t’u kushtojnë vëmendje fëmijëve në rrezik të vijimit të mësimit.

Në përgjithësi, thotë ajo, këta janë fëmijë që mungojnë shpesh nga shkolla, ndonjëherë për periudha të gjata kohore.

“Janë mësimdhënësit të parët ata që mund t’i identifikojnë fëmijët që janë në rrezik të braktisjes. Disa nga faktorët e rrezikut janë vijueshmëria, nëse fëmija bën shumë mungesa, rezultatet e vlerësimit janë të ulëta, nëse fëmijët janë të tërhequr ose ka raste kur fëmijët ngacmohen nga bashkëmoshatarët etj.”, thekson Spahiu.

Në anën tjetër, Petrit Tahiri thotë se autoritetet kompetente duhet të kenë karakter parandalues ndaj këtij problemi dhe jo reagues.

“Shkollat dhe komunat janë të obliguara të krijojnë ekipe për parandalim të braktisjes dhe do të duhej që theksin kryesor ta vënë në parandalim të braktisjes, e jo vetëm në reagim”.

“Por, jo të gjitha shkollat, komunat u kanë kushtuar vëmendje të duhur thirrjeve të vazhdueshme që vijnë nga institucionet qendrore”, shton Tahiri.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, më herët kanë thënë se në Kosovë, vetëm 0,1 për qind e fëmijëve nuk arrijnë të shfrytëzojnë të drejtën për shkollim fillor dhe 0,5 për qind për shkollim të mesëm.

Madje, në një raport përmbledhës të kësaj Ministrie për vitin e kaluar, thuhet se mesatarisht 9 nga 10 fëmijë ndjekin arsimin fillor, 8 nga 10 fëmijë ndjekin arsimin e mesëm, kurse 5 nga 10 të rinj ndjekin arsimin e lartë. Numri i nxënësve në Kosovë është 382 mijë, i studentëve 122 mijë, kurse mësimdhënësve rreth 24 mijë

Kosova e krizave!

0

Në dy vitet e fundit, Kosova është duke kaluar nëpër krizën e dytë, dhe më të madhe politike, në vitet e pasluftës. Më 2014, vendi u përball me ngërçin gjashtëmujor për formimin e Qeverisë, ndërsa nga shtatori i vitit 2015, spektri politik është thelluar në një krizë pa krye. Sipas analistëve, kjo po ndodhë për shkak të dështimeve dhe veprimeve abuzive të politikanëve

Në dy vitet e fundit Kosova është ballafaquar me dy kriza të gjata politike e institucionale, e madje po hyn në vitin e tretë me krizën e trashëguar.

E para filloi në qershorin e vitit 2014 kur subjekte opozitare formuan bllokun VLAN me qëllim që të lënë në opozitë PDK-në që kishte dalë partia më e votuar në zgjedhje, krizë kjo e cila zgjati plot gjashtë muaj.

Ndërsa, kriza e dytë politike në këto dy vite ka filluar në muajin gusht të vitit 2015 pas nënshkrimit të Marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe dhe të asaj për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, krizat politike në Kosovë janë pasojë e akumulimit të dështimeve dhe e veprimeve abuzive të politikanëve.

Ata madje thonë se nëse kriza shikohet si mundësi apo si rast për të zhvilluar vendin dhe për të reformuar shoqërinë, atëherë këto kriza politike janë normale për shoqëritë demokratike, sepse mungesë krizash, sipas tyre, ka vetëm në diktatura apo regjime despotike…/zeri/

Pas 45 viteve në karrocë, prizrenasi e gjen shërimin në Indi (Video)

0

Sylë Kodra nga Prizreni për 45 vjet qëndroi në karrocë invalidësh, për shkak të një aksidenti që e pati si fëmijë. Kërkoi shërim në shumë shtete të rajonit, por ishte e kotë.

E, ilaçin për problemin e tij, Kodra e gjeti ne Indinë e largët. Një mjek nga ky shtet e bëri atë të ecte përsëri pa telashe.

Shkuarja në Indi për Kodrën nuk ishte e lehtë, për shkak se ky shtet nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Atij iu deshën 15 muaj përpjekje për të arritur atje. /Klan Kosova/