9.7 C
Prizren
E martë, 21 Prill, 2026
Home Blog Page 6779

Përkujtohen dëshmorët Skender Rexhepi dhe Fitim Duraku

0

Në 17 vjetorin e rënies së dëshmorëve Skender Rexhepi nga Mrasori dhe Fitim Duraku nga Krusha e Madhe, u bënë homazhe dhe u vënë kurora lulesh në fshatin Krushë e Madhe dhe tek vendi i rënies në fshatin Fortesë të komunës së Rahovecit.

Për nder të veprës së dëshmorëve të rënë, morën pjesë kryetari i Komunës, Idriz Vehapi me bashkëpunëtorë, familjarë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorëve.

Vehapi tha se dy dëshmorët e dhanë jetën e tyre për çlirimin e Kosovës.

“Jemi këtu sot për të vlerësua dhe nderu veprën e Skenderit dhe Fitimit dhe gjithë shokëve të tyre të luftës, të cilët e dhanë më të shtrenjtën, jetën e tyre për çlirimin e Kosovës”, tha ai.

“Para 17 vitesh kur Skenderi dhe Fitimi ishin të gjallë bashkë me shokët e tyre kishin kuptuar se në Kosovë tani më kishin mbetur vetëm dy mundësi , apo dy rrugë , rruga e nënshtrimit të shkelur të shtypur të nëpërkëmbur, dhe rruga e sakrificës e luftës për të çliruar tokën tonë”.

“Skenderin dhe Fitimin kishin zgjedhur rrugën e sakrificës rrugën e luftës sepse e dinin që nuk jetohet në robëri të shtypur dhe të nëpërkëmbur”.

Ndërkaq, kryetari i OVL-së dega në Rahovec, Vajdin Berisha, tha se biografitë e tyre luftarake, do t’i shkruajmë me shumë sakrifica, duke u nisur nga shumë fushëbeteja gjithandej Kosovës duke lënë gjurmë të pashlyeshme me luftëtarë, sy patrembur. /PrizrenPress.com

Limaj: Murat Jashari, president

0

Me Kosovën nuk do të mundë të qeverisin politikanët që e kanë shkelur Kushtetutën. Prandaj, tashmë gjithçka është e qartë dhe e sigurt se vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” lideri i partisë opozitare “Nisma për Kosovën”, Fatmir Limaj, duke bërë të ditur se protesta e radhës e partive opozitare do të jetë më 17 shkurt 2016, në përvjetorin e tetë të Pavarësisë së Kosovës, ku do të kërkohet dorëheqja e Qeverisë.

Ai është shprehur i sigurt se më 17 shkurt do të ketë edhe më shumë qytetarë që do të protestojnë kundër marrëveshjeve për Asociacionin dhe Demarkacionin sesa që protestuan më 9 janar të këtij viti.

Limaj gjatë kësaj interviste për “Zërin” për herë të parë ka folur edhe për kandidatin për president të ri të Republikës së Kosovës, duke thënë se do të ishte krenar po qe se në një pozitë të tillë do të zgjidhej Murat Jashari.

Derisa për zgjedhjen e ish-kryetarit të partisë së tij, Hashim Thaçi, president, i pari i “Nismës” ka thënë se ky i fundit nuk do të mundë ta luajë rolin e unifikuesit, ashtu siç thuhet në Kushtetutë…

Hashim Thaçi nga Prizreni: Zgjedhjet mbahen në vitin 2018

0

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi ka takuar sonte strukturat e partisë në Prizren. Para të pranishmeve, Thaçi ka thënë se zgjedhjet lokale do të mbahen në vitin 2017, kurse ato nacionale më 2018, raporton Indeksonline.

Këtë Thaçi e ka thënë duke iu përgjigjur opozitës e cila kërkon zgjedhje ta parakohshme.

Në anën tjetër, nënkryetarët e PDK-së, Kadri Veseli dhe Enver Hoxhaj e kanë prezantuar Thaçin si president të ardhshëm të Kosovës.
Kjo ka nxitur edhe duartrokitje të gjata të të pranishmeve.

Hashim Thaçi pritet të nominohet zyrtarisht kandidat për president i Kosovës në konventën e PDK-së që pritet të mbahet së shpejti. /Indeksonline/

Haxhi Avdyli: Ibrahim Rugova në zemër e kishte  Prizrenin

0

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli ka përkujtuar sot presidentin Ibrahim Rugovën, në 10 vjetorin e vdekjes.

Ai bashkë me anëtarët e Kryesisë ka vizituar edhe familjen e Rugovës në Prishtinë.

“Një emocion të veçantë patëm në vizitën te familja Rugova”, tregon Avdyli.

“Edhe pse 10 vjet t? kaluara nga vdekja e Presidentit tonë, vazhdon ndjenja e freskët e dhimbjes , por edhe krenarisë si te familja e ngushtë Rugova, por edhe të familja e gjerë e tij, që ishte tërë Kosova”

“Me këtë rast familjes dhe shtëpisë Rugova në emër t? gjithë prizrenasve ,ia dhuruam një gravurë me motive Prizreni , ku bashkëshortja e Presidentit tregoi se Rugova kishte në zemër Prizrenin”.

“ Ai e konsideronte Prizrenin kryeqytet shpirtëror e kulturor të Kosovës”/PrizrenPress.com/

Zafir Berisha: Liderët e partive në pushtet janë në panik

0

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha thotë se liderët e partive në pushtet janë në panik. Sipas tij, takimet e fundit me strukturat e partive, janë tregues se liderët e këtyre partive i ka kapur panik.

“Lëvizjet e liderëve të partive në pushtet, drejtë kontaktit me strukturat e partive të tyre, tregojnë panikun që i ka kapluar nga të dhënat e sondazheve internet që i kanë, pas vendimeve të dëmshme që kanë marrë në dëm të vendit”, thotë Berisha.

“Tendenca për të mashtruar edhe një herë mbështetësit e tyre, tregon nivelin e injorancës së tyre në njërën anë, dhe nevojen për një përgjigje të merituar që duhet t’i jepet kësaj garniture politike në m?nyr që të shpëtohet vendi, dhe perspektiva evropiane, e cila po vihet në pikëpyetje nga krimi organizuar, korrupsioni dhe serviliteti ndaj Serbisë”./PrizrenPress.com/

Rruga në ‘Tusuz’, e pa pastruar nga bora

0

Rruga “ Mehmet Hasi” në lagjen ‘Tusuz ’ të Prizrenit, nuk është pastruar nga bora. Banorët ankohen se kanë shumë vështirësi të lëvizjes, sidomos me automjete.
Sipas tyre, për shkak të ngricave dhe akullit në këtë rrugë , vetëm gjatë ditës së djeshme kanë ndodhur tri aksidente komunikacioni, me ç’rast disa qytetarë kanë pësuar lëndime./TV Prizreni/

Çoçaj: Gjykimi po zhagitet

0

Për mungesë të një avokati janë shtyrë seancat e 21 dhe 22 janarit ndaj Nexhat Çoçajt dhe dy mësimdhënësve.

Në seancën e sotme ishin të pranishëm dy dëshmitarë, por mungonte avokati Osman Zajmi.

Kryetarja e trupit gjykues njoftoi të pranishmit se avokati Zajmi kishte lajmëruar gjykatën për mosprezencën e tij, ngase ishte i angazhuar në një gjykim të udhëhequr nga gjykatësit e EULEX-it.

Për mungesë të avokatit dhe me pajtimin e prokurorit të shtetit dhe të mbrojtjes, dy seancat e caktuara për datat 21 dhe 22 janar u shtynë.

Drejtori i Arsimit në Prizren Nexhat Çoçaj dhe dy mësimdhënësit Bekim Thaçi e Bedri Çeku akuzohen për keqpërdorim të manifestimit “Java e Remzi Ademajt”.

Shtyrja e seancave të janarit nuk i pëlqeu Nexhat Çoçajt që u ankua për zvarritje të gjykimit.

“Siç e dëgjuat edhe vetë, në mungesë të avokatit mbrojtës të njërit nga të bashkakuzuarit e mi, trupi gjykues vendosi që të shtyhet séanca e sotme për një ditë tjetër dhe kjo për mua nuk është mirë, por as për anëtarët tjerë të cilët jemi të akuzuar, sepse që katër vjet po zhagitet kjo lëndë,” tha Çoçaj.

Ai foli edhe për pengesat që po ia shkakton ky gjykim.

“Kjo lëndë po ndikon negativisht edhe në punën time, në karakterin tim, në personalitetin tim dhe pavarësisht asaj që unë kam deklaruar disa herë që unë kam besim në drejtësi, dëshiroj që kjo çështje sa më shpejt të zbardhet, sepse jam i akuzuar pa të drejtë,” deklaroi Çoçaj.

Çoçaj dhe dy mësimdhënësit aktakuza i ngarkon për keqpërdorimin për pesë vjet të parave të manifestimit “Java e Remzi Ademajt”./kallxo.com/

Vlerat e munguara

0

Blerim Shala

Thuhet që njeriu, të mirat e tij kryesore, që përfaqësohen në trajtë të lirisë, rinisë dhe shëndetit, i çmon sa dhe si duhet, vetëm kur i humbë ato, apo, kur nuk i ka më.

Katalogu i këtyre vlerave sipërore njerëzore, natyrisht, mund të pasurohet tutje, ta zëmë, pos tjerash, me ato të sigurisë dhe të dashurisë, por vështirë që mund të mëdyshet konkludimi që shfaqë mungesën e gatishmërisë së njeriut për t’i çmuar sa duhet vlerat e tij thelbësore, sa janë ato.

Vlera themelore e njeriut si individ, dhe i shoqërisë njerëzore, gjithsesi është liria.

Këtë e dimë fare mirë ne shqiptarët e Kosovës. Apo, ndoshta duhet shtuar: E kemi ditur. Në të kaluarën. Kur nuk e kemi pasë.

Sidoqoftë, duket që ky mendim për të mirat që humben, për tu vlerësuar më pas ashtu si duhet, është një konstatim që është i qëndrueshëm dhe shumë i sakt, kur në Kosovë, në shtetin dhe shoqërinë kosovare, po shënojmë dhjetëvejtorin e vdekjes së Presidentit Rugova. Zatën, pesha dhe rëndësia e mirëfilltë një politikani dhe një burrshtetasi, hetohet vetëm kur ai nuk është më. Nëse atëherë vlera e tij pëson ngritje, del që në të gjallët e tij, ai ka bërë veprime të cilat kanë ndikuar, për të mirë, në zhvillimet në një vend.

Presidenti Rugova pra, po i mungon Kosovës më shumë se kurrë, që prej 21 janarit të vitit 2006 e këndej. Për më shumë, këtij vendi, po i mungojnë edhe disa arritje a vlera të tjera politike dhe shoqërore, që i kishim në atë janarin e acartë të para dhjetë viteve, të cilat më nuk i kemi. Ndërsa vduket që vetëm tash po ua dimë rëndësinë e tyre të madhe për fatin tonë: si individ dhe si kolektiv.

Në atë kohë pra, në janarin e vitit 2006, e dinim shumë mirë, si politikë dhe si shoqëri, ku jemi, dhe çka duam të mbërrijmë. Ishim të prerë në synimin tonë legjitim, për ta bashkuar lirinë e Kosovës me pavarësinë, me bërjen e shtetit të Kosovës. E dinim poashtu që Kosova nuk ka tjetër udhë ndërkombëtare, pos asaj që bashkon shtetin e Kosovës me familjen e shteteve anëtare të Paktit NATO dhe të BE-së. E dinim, gjithsesi, çfarë ka qenë dhe çfarë duhet të jetë roli i SHBA-së në Kosovë.

Në janarin e vitit 2016, thuaja të gjitha këto të mira që i krijuam ne vetë dhe në bashkëpunim me Perëndimit, ose janë në stadin e mëdyshjes thelbësore, ose madje, kanë pësuar një zbehje të madhe.

Nuk është çudi që po rritet numri i diplomatëve dhe politikanëve perëndimorë, të cilët na kanë ndihmuar aq shumë në ato vitet e çlirimit dhe të pavarësisë, të cilët po pyeten: Çka po ndodhë kështu me ne (me shqiptarët e Kosovës)? A a është e mundur që këtupari nuk po kuptohet dot që ngjarjet e muajve të fundit nuk kanë si të mos kuptohen si kontestim i shtetit të Kosovës?

Natyrisht, një tjetër e mirë sipërore e para dhjetë viteve që nuk është më, është ai pozicioni ndërkombëtarë i Kosovës, veçmas në rajon dhe në BE. Rrëfimi për statusin e Kosovës ishte njëri prej mbizotëruesve në Botë në atë vit, por edhe në vitet e mëpasme, tok me një situatë shumë të qartë, e cila në një anë i klasifikonte Kosovën dhe Perëndimin, e në anën tjetër Serbinë.

Shumëkush mund të thotë këtu që këto dy rrethana, të sivjetme dhe ato të para dhjetë vjetëve, nuk krahasohen dot, gjë që është e vërtetë. Por nuk ka fjalë që tani, pozicioni ndërkombëtarë i Kosovës nuk është ai çfarë ka mundur të jetë.

Më në fund, Ballkani, Evropa dhe Bota e këtij janari, thuajse nuk kanë gjë të përbashkët me atë të vitit 2006-të. Asgjë më nuk është si ka qenë. Viti 2016-të është një kombinim i epokës së Luftës së Ftohtë, thyerjes së madhe të vitit 2001 (pas sulmeve terroriste), dhe ngjarjeve që dëshmojnë hutinë mbizotëruese në Bruksel për drejtimin që duhet të marrë Bashkimi Evropian.

Por gjithë këto zhvillime në Evropë dhe në Botë, thuajse nuk na bëjnë fare përshtypje në Kosovë. Nuk kemi ne qasje në to. Por ato kanë gjithsesi qasje në ne.

Kosovës pra po i mungon shumë Presidenti Rugova. Gjithsesi, Kosovës po i mungon shumë vetëvetja, apo Kosova që e kishim si vlerë supreme politike dhe shoqërore dhjetë vjet më parë.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)

Ibrahim Rugova, një histori e pabesueshme!

0

BLENDI FEVZIU

E shpalli Kosovën Republikë, ndërtoi një qeveri dhe institucione paralele, një shtet të tërë paralel dhe zhvilloi zgjedhje që e nxorën President. Për shumë vite me rradhë i bindi kosovarët se prosperiteti i tyre politik dhe historik do të vinte me atë mënyrë siç nuk kishte ardhur kurrë, me rezistencën paqësore, me një lloj gandizmi që nga këto anë të globit nuk ishte njohur kurrë

Nuk e di pse ngjarjet, rastësia, profesioni dhe padyshim koha që jetuam më bëri të jem pranë dhe një vëzhgues i vëmendshëm i karrierës së tij të jashtëzakonshme. Në Janar të 2006, ndërsa ecja pas kortezhit që përcillte arkivolin e tij, ndërsa shihja njerëzit që qëndronin në këmbë rrugëve të Prishtinës në një të ftohtë acar, minus 18 gradë, ndërsa dalloja sjelljen e rëndë dhe me tis mortor të familjarëve dhe bashkëpuntorëve të tij të vjetër, nuk e di pse ndjeva se të portretizoje Ibrahim Rugovën ishte thuajse e pamundur! T’i jepje emër atij personi dhe të orientoheshe midis asaj amalgame adhurimi, akuzash, dëshurie, dhimbjeje, por edhe urrejtjeje, do të kërkonte kohë, mund dhe padyshim shumë stil. A mund të shkruaj diçka për të, pyesja veten? A mund t’i jap një emër a portret? Ndërsa ecja pas arkivolit të tij, i humbur në një det njerëzish që zvarrisnin hapat ngadalë, me ritmin e makinës ushtarake që tërhiqte shtratin e topit ku qe vendosur arkivoli i tij. Jam i sigurtë se në gjallje nuk e kishte dashur këtë ceremoni; se shumë të tjerë mund ta ëndërronin, por për të, gjithçka formale nuk kishte vlerë, ose e kishte humbur vlerën prej kohësh. E kishte kuptuar se ai do të kishte një tjetër matës për lavdinë e tij dhe ky matës unikal, i ishte rezervuar shumë pak shqiptarëve të tjerë në historinë e saj.

Emrin e Ibrahim Rugovës e kisha dëgjuar herët, në mes të viteve ’80 – të, kur Ben Blushi, më kishte sjellë një libër që ky i fundit i kishte dhuruar gjyshit të tij, Dhimitër Shuteriqit. Ishte një studim letrar, një nga ata libra që pavarësisht lëndës që studionim na tërhiqnin pak, fare pak, por që kishte një lidhje dhe një emër interesant mbi të. E dija që ishte Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe po kaq pakuptuar e dëgjova emrin e tij të asociouar me LDK – në. Vite më vonë, kur gazetaria filloi të gjurmonte fillesat e LDK – së, kur ithtarët e përdornin këtë si një avantazh të madh ndërsa kundërshtarët si një shenjë se ai ishte shitur ndërkohë, të zbuloje diçka brenda LDK – së ishte thuajse e pamundur. Një nga njerëzit që Qeveria komuniste e kohës e kishte ngarkuar të zbulonte enigmën e krijimit të LDK – së dhe rolin që Rugova kishte në të, Sofokli Lazri , më ka thënë po këtë gjë. Në verën e vitit 1998, ndërsa flisja me të në shtëpinë e tij të vjetër në Vuno, më sqaroi se kishte bërë seanca të tëra takimesh se e kishte pyetur Rugovën me detaje, por se kurrë nuk kishte marrë një përgjigje tjetër përveçse asaj që përmblidhej me një fjalë: Ja ashtu!

Nuk është çudi që të ketë qenë diçka e thjeshtë, banale, pa ndonjë plan të menduar mirë, një rastësi nga ato që jeta ka plot dhe që i dha Kosovës një lider. Por jo vetëm kaq, i dha asaj njeriun që transformoi ëndërrën e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë dhe që përpunoi një ëndërr të re, atë të Kosovës së pavarur. Një ëndërr që siç rrallë ndodh në botë, arriti të bëhej realitet. Madje thuajse e plotë, që në gjallje të tij.

Më ka qëlluar që ta njoh personalisht në prill të vitit 1992, ndërsa qemë ulur pranë e pranë në kafenenë e brendshme të Parlamentit të Shqipërisë. Ishte një kohë e vrullshme, kur PD sapo kishte ardhur në pushtet dhe rregullat strikte të parlamentit qenë bjerrur, në kafen e tij vërtiteshin politikanë e gazetarë dhe debati politik ishte më i prekshëm se në sallë. Qëlloi që filluam të bisedojmë për një temë fare banale, për ndihmat e vonuara të BE ndaj Shqipërisë dhe akuzat që ZP, gazeta e opozitës kishte bërë atë ditë. Seanca ishte në zhvillim e sipër e në kafe kishte fare pak vetë, kur ai befas më foli në emër. Isha ende 23 vjeç, gazetar i njohur në rrethet politike që nga lëvizja studentore, por nuk kisha asnjë lidhje e kontakt në Kosovë. Nuk e di nga më njihte, nuk e pyeta për këtë. Nuk e di a i kishte lexuar shkrimet e mia. Atë ditë, si shumë rrallë në herët e tjera, foli shumë. Aq sa mund të quhej “shumë” në të folurën e tij. Më tregoi për strukturat paralele në Kosovë, për shkollat e shtëpive, për emigrimin që po rritej shumë dhe mbi të gjitha për disporën kosovare në botë. Në tre takimet e mëpasme, në raste kur jam gjendur në të njëjtat ambiente me të, kurrë nuk ka folur aq gjatë, nuk ka qenë aq shpjegues. Më krijoi përshtypjen e një njeriu të mirë, por jo shumë të thellë. Më vonë, kam pasur bindjen se nuk ka qenë thellësia problemi i tij. Më shumë se sa i zgjuar, më shumë se sa politikan, ai ishte një misionar. Një nga ata njerëz që besonin tek diçka dhe ky besim kthehej në gjithçka. Ishte qëllimi i madh i jetës së tyre, mënyra e jetesës dhe ushqimi i vetëm i saj. Vite më vonë, në vitin 2000 duke folur për të, Sali Berisha më kishte dhënë po këtë shpjegim: Ai nuk është një politikan, por një misionar!

Me frymëzimin e një misionari ai kishte bindur njerëzit për një ëndërr të re, të bukur, por larg ëndërrës shekullore të shqiptarëve, bashkimit. Që prej vitit 1912 kjo fjalë kishte qenë gjithçka. Patriotët, politikanët, gazetarët, njerëzit e letrave, por edhe ata më të thjeshtët kishin folur vetëm për këtë gjë, kishin pasur vetëm këtë ëndërr, bashkimin. Bashkimin e Kosovës me trungun amë, me atdheun, Shqipërinë. Rugova kish ecur në një rrugë tjetër: nuk kishte folur për bashkim, për unifikim, për ndryshime kufijsh apo diçka tjetër. Kish ngritur kultin e Kosovës së pavarur dhe shtetit të saj, duke krijuar kështu një ëndërr të re, një ëndërr që fati e solli të bëhej realitet ende në gjallje të tij. Dhe ai pati fatin të ishte Presidenti i parë i Kosovës.

Në fakt edhe rruga që zgjodhi ishte po kaq e pabesueshme. Një rrezistencë paqësore, një lloj gandizmi që po ashtu fare pak ishte gandizëm. Një rrezistencë pa asnjë filozofi mbështetëse që vetëm ai besonte se do ta nxirrte fitimtar. Dhe që ai besoi se e nxorri, por pak mundësi ka që të jetë kështu. Nëse UÇK nuk do të kishte dalë, dhe doli si reaksion ndaj tij, Kosova nuk do të ishte kjo që është sot…

Por besoj se pikërisht kjo ishte pika e tij më e fortë. Më 1999, në mes të luftës, kur më shumë se 1 milion refugjatë kosovarë strehoeshin në Shqipëri, kur populli i tij po ikte si në një eksod biblik, ai befas u shfaq në TV duke folur me Millosheviçin. Ishte i qeshur, pa ndonjë gjurmë frike dhe pa ankth. Të paktën kështu dukej. Kishte qenë i detyruar të shkonte në atë takim? Kishte shkuar vetë, apo të dyja përziheshin bashkë? Kishte ende besim tek paqja që nuk e solli dot, apo ishte thjeshtë një sfidë ndaj UÇK –së? Vështirë ta thuash. Ai nuk foli më kurrë për këtë, nuk bëri asnjë deklaratë dhe as deshi ta shpjegoi në ndonjë intervistë. Thuajse ashtu në mister, ishte i mbrojtur më mirë. Refuzoi të fliste për të, refuzoi të vizitonte Shqipërinë kur arriti të dilte nga Kosova, refuzoi të merrte pjesë aktive në atë që quhej luftë dhe befas e çuditërisht nuk humbi aspak nga besimi dhe simpatia që kishte. Jam gjendur në Kosovë ditën që u kthye për vetëm disa orë, pas luftës në korrik 1999. Në konferencën e shtypit nuk tha asgjë, por asnjë gazetar nuk e nguti ta bënte këtë. U ngjetha atë moment. Në Shqipëri do ta kishin kryqëzuar, bombarduar me pyetje, do ta kishin quajtur tradhëtar. Në Kosovë asgjë. Ishim në shtëpinë e tij në Velani, dhe kur pyeta kolegët e tjerë ngritën supet: Nuk flet për këtë.

Në fakt nuk kishte folur siç nuk kishte folur për shumë gjëra të tjera në jetë. Nuk kishte kritikuar dhe as debatuar asnjëherë, me asnjë kundërshtar politik. Veç një deklarate për UÇK në mars 1998 në repertorin e tij politik nuk gjen asnjë sulm. Ishte një njeri që kishte shumë kundërshtarë, por që me heshtjen e tij nuk konsideronte të tillë asnjë.

Jeta e tij ishte po kaq e pabesueshme. Kishte lindur në një malësi të veçuar, një ndër vendet më të bukura që kam parë ndonjëherë. Ende foshnjë kish humbur babain dhe xhajën që qenë vrarë nga forcat komuniste jugosllave. Ishte rritur jetim, kishte arritur të shkollohej po falë komunistëve jugosllavë dhe madje, kishte arritur të ndiqte një kurs specializimi për letërsi krahasuese në Sorbonë në mes të viteve ’70 të. Në Prishtinën e kohës nuk ishte shquar për asgjë, përpos për oportunizëm. Nuk hynte tek guximtarët dhe as dukej se i admironte ata; nuk merrte pozicione publike dhe nuk mund të thoje se çfarë mendonte realisht. Dilte shpesh në TV dhe me fraza të zgjatura, fliste për një letërsi që pak kush e kuptonte në qytet. Letërsia e vjetër e Pjetër Bogdanit, një murg që kish jetuar plot 400 vjet më parë. Rastësisht ishte gjendur në krye të Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe po kaq rastësisht në krye të LDK – së. E kishte marrë kryesimin e saj, kur Rexhep Qosja, një ndër shkrimtarët më të njohur në qytet kishte refuzuar dhe ky refuzim kishte qenë rruga e tij drejt historisë!

Karriera politike kishte qenë po kaq e pabesueshme. E shpalli Kosovën Republikë, ndërtoi një qeveri dhe institucione paralele, një shtet të tërë paralel dhe zhvilloi zgjedhje që e nxorrën President. Për shumë vite me rradhë i bindi kosovarët se prosperiteti i tyre politik dhe historik do të vinte me atë mënyrë siç nuk kishte ardhur kurrë, me rezistencën paqësore, me një lloj gandizmi që nga këto anë të globit nuk ishte njohur kurrë.

Në fillim ishte mjaft aktiv me Shqipërinë, më pas, aty nga viti 1996, diçka u thye midis tij dhe vendit amë. I rralloi vizitat, refuzoi të zbresë në Rinas ndërsa kthehej nga Rambujeja me avionin ushtarak francez, edhe pse Presidenti Meidani dhe Kryeministri Majko e prisnin në sallën VIP bashkë me gjithë anëtarët e tjerë të delegacionit kosovar; tentoi të ndërtojë simbole krejt të tjera nga ato kombëtare e madje sajoi edhe një identitet të ri, kinse identitet, atë Dardan! Me shpresën se identiteti i ri, i munguar, do të mbushte boshllëkun që do të linte ai shqiptar. Nuk e di sa e arriti këtë. Besoj se ky ka qenë edhe dështimi i tij më i madh.

Po me atë befasim tronditës, por që nuk linte asnjë gjurmë në raportin e tij me vendin, befas deklaroi një ditë se ishte konvertuar në katolik. Cilido personalitet tjetër që do ta kishte bërë këtë në Kosovë do të ishte kryqëzuar ndërkohë. Ai jo! Si gjithnjë. Vijoi të lëkundej mes mosbesimit të disave, dyzimit, padijes, por gjithnjë triumfues. Në fakt e gjithë jeta e tij kishte qenë e tillë. Vështirë që një lider botëror, ose një gazetar i madh nga ata dhjetra që ai takoi në jetë të mund të japë një përkufizim të saktë për të. Vështirë që dikush të thotë se ai ishte një gjeni, por po kaq e vështirë që të thuash se nuk ishte askush. Ishte një njeri u çuditshëm, një misionar apo lider, quaje si të duash, që në momente të caktuara dinte të ishte brilant. I tillë qe edhe në një ndër momentet më të vështira të jetës së tij, në fund, kur mësoi se vuante nga kanceri. E trajtoi po me atë mospërfillje, po me atë lehtësi dhe thjeshtësi që kishte trajtuar gjithë problemet e mëdha në jetën e tij. Dhe jo vetëm të tijat, por edhe ato të popullit të tij. Dhe po kaq lehtë u largua… Një ditë Janari. Ishte ngrohtë dhe në Firence, ku ndodhesha për një takim Baton Haxhiu më telefonoi për të më thënë vetëm një frazë: Rugova vdiq!

Dy ditë më pas, ndërsa udhëtoja me avionin e Albanianairlines që dërgonte pothuajse gjithë personalitet e Shtetit Shqiptar në Kosovë, nuk e di pse mendova se vdekja e tij ishte akti i dytë i i bashkimit të Shqiptarëve pas eksodit të 1999. “Ra ky mort e u pamë” perifrazova një titull të Kadaresë. Asnjë mort tjetër, zyrtar ose jo, nuk kishte mbledhur kaq njerëz, nuk kishte koncentruar kaq dhimbje dhe dinjitet. Asnjëherë një ceremoni tjetër nuk kishte pasur një performancë të tillë. Njeriu që i kishte dhënë Kosovës një ëndërr, një ëndërr që e kishte besuar fillimisht vetë, po i bënte tani shërbimin e fundit, atë më madhorin: po i jepte një ceremoni dinjitoze si rrallë herë në historinë tonë. Ishte ftohtë, acar. Janari më i ftohtë në 37 vitet e jetës sime. Njerëzit qëndronin në këmbë, në dy anët e rrugës, me orë, me bindjen për t’i bërë homazhet e fundit njeriut që i kishte drejtuar për 16 vjet. Ai po ikte, duke lënë pas një vepër, një shtet thuajse të krijuar dhe një personalitet kompleks, plot ulje dhe ngritje, që askush nuk ka të drejtë ta gjykojë, veç historisë!

Lakuriqja

0

Shkruan: Dila GECAJ

Një ditë të diele,atje në vendlindje,
Në një qytet,po jepej koncert madhështor,
Të gjithë ishin njoftuar,do këndoje një lakuriqe
Dhe ajo djegë e përvëlon,si zalli në Sahare !….

Se si fluturon ajo në skenë,është çudi
A është një pulëbardhë,apo dallëndyshe
Vrapuan meshkujt,të moshuar dhe të rinj
Të gjith në koncert,për ta parë ate lakuriqe!

Kjo grua dallohet shumë si këngëtare
Jo për zërin,por asgje s’i bie taman
Nuk e çanë kokën për askend
Një arrnë në gjoks, një pëllëmbë si fustan!

Kur lakuriqja lëvizë në skenë ,dukë kënduar
Duket sikur ajo nuk e prek tokën
Sillet vërdallë,si një pelë e harbuar
Kërcen posi pula ,kur i presin kokën !….

Meshkujt fishkëllejnë dhe brohorasin
Ajo lëvizë trupin, ata bërtasin
Eeeej, lakuriqeee,obobo,moj lakuriqe…
Çfaër bën kështu,se na marrose,na vdiqe!…

Ah,sa të adhurojmë,të duam shumë,
Duke fantazuar për ty,ne jemi pa gjumë…
Me sy vret si pushka ,kur shkrep fyshekun,
Syri i saj i përkedhelë meshkujt,si macja peshkun!..

Ne skenë bënë fiskulturë,hop e top e prapë hop
Vete është Zoti,dhe vetë bëhët shkopi…
I duket sikur bën mrekulli tërë jetën si fëmijë
Askush ndër sy nuk ia thotë të verteten !…

Zonjë,nuk je duke u rrezitur n’plazhe të Tivarit,
Të dalësh në skene si Eva e Adamit…..
Çfarë bënë ti,nuk është art,as mrekulli fare
Po vret traditat dhë këngën e të parëve shqiptar !

Ti nuk je e vetme,ke dhe shoqe të tjera
Aman, leri ato së jane femra të reja
Te kan ikur shume vitë moj këngëtare….
Ti ende vishesh si nje goce 11 vjeqare !

Hyjneshat e pa vdekshme të këngës shqipe
Ato që me zërin e tyre na e kënaqin shpirtin
Jane artiste të vërteta,vishen me plotë shije,
Këndojnë kaq bukur,dhe nga vendi nuk lëvizin !