11.2 C
Prizren
E martë, 21 Prill, 2026
Home Blog Page 6782

Skandal në Malishevë: Nxënësit bartin birra për arsimtarë (Foto)

0

Një lexues i Malisheva.net na ka derguar disa foto ku shihen nxënësit e një shkolle fillore duke bartur pije alkoolike.

Në shkollën fillore “Bajram Curri” në Drenoc të Malishevës nxënësit bartin birra për mësuesit e tyre.

Më poshtë mund ti shihni fotot:

Malisheve-nxenesit bartin birra1Malisheve-nxenesit bartin birra

Kushtetuesja të hetohet për keqpërdorime

0

Gjykimi i Enver Hasanit, goditje e rëndë për “gardianin” e Kushtetuesës. Vendimet e dyshimta, me pasoja të rënda për Kosovën

Hapja e një procesi gjyqësor kundër ish-kreut të Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasanit, i cili dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve të institucionit më serioz të shtetit, që duhet të jetë gardian i përkushtuar i mbrojtjes së kushtetutshmërisë edhe ligjshmërisë në vend, mund të jetë me pasoja shumë të mëdha jo vetëm për Hasanin si individ, por edhe me një ndikim zinxhiror në rishqyrtimin e proceseve dhe të shumë procedurave.

Sipas përfaqësuesve të politikës dhe ekspertëve ligjorë, në rast se me aktgjykimin përfundimtar konstatohen manipulimet e mëdha në këtë gjykatë gjatë kryesimit të tij, përfundimisht do të ndodhë edhe devalvimi, delegjitimimi i vendimeve të kësaj gjykate, por edhe do të paraqesë nevojën e fillimit të një hetimi akoma më të thellë të shumë proceseve vendimmarrëse në këtë institucion që është bazamenti i funksionimit të shtetit.

“Nëse eventualisht konstatohen manipulime, fshehje faktesh, ndikime të jashtme, qofshin ato partiake ose të tjera, domosdo duhet të rishikohet i gjithë procesi. Duhet të ketë gjykime për keqpërdorim të Gjykatës Kushtetuese nga kushdo qoftë, nëse një gjë e tillë ka ndodhur. Unë besoj se ka pasur ndikime mbi Gjykatën Kushtetuese”, tha deputeti Adem Salihaj. /Kosova Sot

Lamtumirë edhe një rockeri

0

Glenn Frey, kitaristi i Eagles, ka ndërruar jetë, të hënën, ka njoftuar bendi.

Ai ishte 67 vjeç.

Frey ka vdekur në New York City, pas komplikimeve që rrjedhin nga artriti reumatoid, koliti dhe pneumonia.

“Fjalët nuk mund ta përshkruajnë pikëllimin tonë, e as dashurinë e respektin për gjithçka ka dhënë ai”, thuhet në deklaratën e familjes dhe shokëve të bendit të tij.

Eagles ishin një nga grupet më të suksesshme të viteve 1970, me hite të shumta, përfshirë “Hotel California” të 1976.

Frey ishte bashkautor i këngës “Hotel California”, të cilën e kishte shkruar me këngëtarin Don Henley.  Ai, po ashtu, ka shkruar edhe një numër të këngëve të mëdha, si “Heartache Tonight” dhe “Lyin’ Eyes”.

https://youtu.be/puHoadtIivc

Kosova në NATO, vetëm pa korrupsion

0

Lordi George Robertson tha se anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, duke përfshirë edhe NATO-n, bëhet vetëm me gjyqësor të fuqishëm dhe duke e luftuar korrupsionin.

Ish-sekretari i NATO-s, Lordi George Robertson, ka porositur qeveritarët e Kosovës se rruga e vetme e anëtarësimit në organizatat e mëdha ndërkombëtare është ajo e ndërtimit të një shteti pa korrupsion dhe që ofron mirëqenie për qytetarët e vet, shkruan “Zëri”.

Robertson këto komente i ka bërë gjatë vizitës së tij që ka zhvilluar në Kosovë të martën, ku ka përçuar mesazhin se Kosova si pjesë e BE-së së shpejti do të jetë realitet. Madje gjatë një ligjërate, që ka mbajtur në Kolegjin “Universum”, ai ka thënë se rruga më e mirë që duhet të ndjekë Kosova e të bëhet pjesë e NATO-s është që të ketë gjyqësor më të fuqishëm, ligje shumë të forta kundër korrupsionit, qeverisje të mirë, si dhe marrëdhënie të mira ndërfqinjësore.

Robertson ka thënë se gazi lotsjellës nuk i kontribuon këtij vendi. Vetëm qytetarët, ai ka thënë se, do t’i tregojnë Qeverisë nëse po bën punë të mirë, ose jo. Ai ka potencuar se Kosova dhe Serbia janë dy shtete të ndara dhe se kosovarët duhet të punojnë për ndërtimin e ushtrisë së tyre.

“Tani Serbia është një shtet krejt tjetër, ashtu si edhe Kosova është një shtet krejt tjetër. Sa më shumë që punoni e sa më shpejt do të keni një ushtri, e cila sigurisht që është e mirë për vendin dhe do të ofrojë më shumë siguri për vendin”.

Nitaj: Ramush Haradinaj s’ka pasur takim me Xhavit Halitin

0

Është folur gjatë ditës se Ramush Haradinaj është takuar me Xhavit Halitin, por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga Muharrem Nitaj, zëdhënës i AAK-së.
Nitaj për Gazetën NewBorn ka pohuar se Haradinaj e Haliti nuk janë takur për të biseduar për zgjedhjen e situatës, por rasisht sipas tij janë takuar në një lokal në Tiranë dhe i kanë shtrënguar duart.

“AAK, në vazhdimësi ka kërkuar zgjidhjen e krizës politike. Ajo që AAK, ka kërkuar nga partnerët e qeverisë së koalicionit, ka qenë që edhe ata të jenë pjesë e zgjidhjes së krizës që e kanë shkaktuar vetë, dhe të mos bëjnë përpjekje që duke e thelluar atë, ta provojnë aministimin e tyre. Ne besojmë se kontributi më i madh i tyre në zgjidhjen e kësaj krize politike, do të ishte që t’i hapin rrugë zgjedhjeve të parakohshme”, tha ai.

“Kryetari Haradinaj është takuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama, në një takim krejt privat dhe pa asnjë agjendë.
Kanë biseduar për gjithcka dhe për asgjë. Njëjtë siç bisedojnë miqt pa protokol.
Sa i përket takimit me Xhasvit Halitin, nuk ka ndodhur asnjë takim, jo se jo në Prishtinë, sic po njoftojnë disa portale, por janë parë krejt rastësisht, në një lokal në Tiranë, dhe i kanë shtrenguar dorën njëri-tjetirt, siç bëjnë kolegët ndër vete”, tha Muharrem Nitaj, Drejtor i Marrëdhenieve me Publikun i AAK-së

Thaçi President, mision i (pa) mundur!

0

Nga Faik Krasniqi

Ka kohë që në PDK është duke u zhvilluar një ‘’luftë ‘’ mes Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, se cili do të jenë në krye të partisë, edhe për një kohë të gjatë. Kjo ‘’luftë’’ mes tyre tashmë nuk është diçka sekrete. Hashim Thaçi është në mes të dy dilemave. Nëse zgjidhjet President, atëherë automatikisht e humb kreun e partisë, e cila bie në dorën e dyshit të partisë, Kadri Veselit, njeriut më të fuqishëm në PDK, por edhe në skenën politike të Kosovës. Dhe pas mbarimit të mandatit pesëvjeçar në kreun e Presidencës, Hashim Thaçi do ta ketë vështirë, ose më mirë të them do të një mision i pamundur, për t’u rikthyer lider i partisë. Prandaj, dyshoj që Hashim Thaçi e ka seriozisht postin e presidentit, sepse që në atë moment që zgjidhet president, do të thotë fundi i karrierës së tij politike. Duke marrë parasysh moshën e tij, nuk besoj që edhe aq shumë i intereson posti i presidentit, edhe pse po hiqet si shumë i interesuar që të zgjidhet president i Kosovës. Hashim Thaçi është lojtar shumë i fortë në politikë dhe gjithmonë i bën gjërat të duken ashtu siç i thotë, por në fakt vepron të kundërtën e asaj që thotë. Prej futjes së Kadri Veselit në politikë dhe numrit aq të madh të deputetëve të PDK-së, që vijnë nga radhët e SHIK-ut, kjo parti edhe zyrtarisht është në duart e SHIK-ut. Por, ndikimin e madh SHIK-u në PDK e ka pasur edhe para se Kadri Veseli dhe deputetët e tjerë të SHIK-ut, të bëheshin edhe zyrtarisht pjesë e politikës. Në fatin e Hashim Thaçit do të luajë rol të madh edhe Gjykata Speciale, nëse do të jetë edhe ky një ndër të akuzuarit nga kjo Gjykatë. Njerëzit e kësaj partie, janë më të inkriminuarit në krim dhe korrupsion, dhe nuk dallojnë shumë njëri nga tjetri. Sidoqoftë, mendoj që z. Kadri Veseli në një të ardhme shumë të afërt, do ta marrë timonin e partisë. Sepse çdo kalkulim politik është duke shkuar në favorin e tij.

Dinaku Isa Mustafa

Të gjithë e dimë tashmë që Isa Mustafa është njeri i pabesë. Kur thotë diçka gjithmonë del e kundërta. E tradhtoi Fatmir Sejdiun, e tradhtoi edhe z. Behxhet Pacollin, para fushatës parazgjedhore. Kështu veproi edhe me koalicionin VLAN, të cilin në fund e tradhtoi, për hir të pushtetit dhe postit të kryeministrit, post për të cilin kishte marrëveshje me z. Ramush Haradinaj, në mënyrë që z. Haradinaj të zgjidhej kryeministër. Por, lakmia e postit të kryeministrit, Isa Mustafën dhe partinë e tij i dërgoi në prehrin e Hashim Thaçit dhe SHIK-ut. Prandaj, këtij njeriu nuk i zihet besë për asgjë, sepse është dhelpër dinake. Në çdo variant LDK-ja do të dalë humbëse, sepse Hashim Thaçi këtë gjë e ka planifikuar qysh prej fillimit. Matematikisht i bie që Thaçi nuk e ka problem të zgjidhet president, sepse votat prej pjesës dërrmuese të deputetëve të LDK-së i ka, përveç votat e Vjosa Osmanit, Adem Salihajt, Alma Lamës, Armend Zemajt, Arben Gashit dhe dy ose eventualisht tre deputetëve të tjerë të LDK-së që nuk i ka.

Koalicioni nuk është jetëgjatë, me apo pa Thaçin president

Por, edhe nëse Thaçi zgjidhet president, prapëseprapë do të kemi prishje të koalicionit nga ana e PDK-së, sepse do të jetë mu PDK-ja ajo e cila do ta prishë koalicionin me LDK-në, në mënyrë që ta ketë edhe postin e presidentit, e në zgjedhjet e ardhshme ta synojë edhe postin e kryeministrit. Dhe nga e gjitha kjo lojë e ndyrë mes dy partnerëve të koalicionit, PDK-së dhe LDK-së, kjo e fundit do të dalë e lagur, shkaku i lakmisë së pushtetit dhe i kapriçove të kryetarit dhe servilëve të kësaj partie. Ky njeri, Isa Mustafa, kryesia dhe këshilli i përgjithshëm i kësaj partie, do të mbahen në mend dhe do të futen në histori, që qëllimisht e shkatërruan këtë parti, që në kohën e Presidentit Rugova, ishte partia më e mirë dhe e rrethuar me intelektualët më të mëdhenj, e sot fatkeqësisht ka ngelur në dorën e servilëve dhe mjeranëve. Tragjedia akoma më e madhe për këtë parti do të jetë zgjedhja e Hashim Thaçit president, me votat e LDK-së, me votat e të ashtuquajturve ‘’rugovista’’!

Aty ku gjejmë dashurinë …

0

Ato mund të shkrijnë zemrën tuaj, t’ju bëjnë të qeshni dhe të harroni gjetjen e një shamie për të fshirë lotët. Nëse jeni duke kërkuar për personin special ose harenë e dashurisë, këto vepra klasike të përhershme dinë si t’ua prekin telat e zemrës. Kështu që, futuni nën batanije, fikni dritat që mund t’ju bezdisin dhe gjejeni veten në rrëfimet më të bukura të dashurisë së të gjitha kohërave.

“Majat e stuhishme”: Çmenduria e madhe e zemrës (Total eclipse of the heart)
Në një nga klasikët më të mëdhenj që kanë thyer zemrën e dhjetëra brezave, në linjat e skenarit “dashuria e humbur mund të kthejë një njeri të mirë në të keq”, romani Emily Bronte na shpie në vendqëndrimin e “Majave të stuhishme” të 1802-shit. Në këtë histori dashurie të pakohë, personazhi ynë kryesor, Heathcliff, rritet duke u kthyer në mikun më të mirë të motrës së tij të birësuar, Catherine, dashurisë së tij të përjetshme. Por një koment i thënë papritmas dhe i përhapur në të gjithë Majën, ndryshoi korsinë e jetës së tyre përgjithmonë. Fakte zbavitëse: Balada e fuqishme e Bonnie Tyler 1983 “Total Eclipse of the Heart”, është frymëzuar pikërisht nga “Majat e stuhishme”.

“Ana Karenina”: Dashuria mund të jetë shkatërrimtare
Një nga përzgjedhjet më të shpeshta sipas autorësisë, ky roman i Tolstoit është i përngjashëm me një telenovelë. I vendosur në qarqet më të larta të shoqërisë ruse, Ana Karenina viziton vëllain e saj Stiva në Moskë për ta ndihmuar të shpëtojë martesën e tij. Teksa gjendej atje, ajo dashurohet me kontin Vronsky. Një grua e martuar, Karenina lufton me dëshirat e saj derisa ato e pushtojnë tërësisht. Ajo largohet nga bashkëshorti i saj, gjenerali Aleksei. Pas mohimit të së drejtës për divorc, Ana vazhdon të gjithë jetën e saj duke kërkuar pranimin e kësaj marrëdhënieje. Kur njolla e jetës së saj dashurore bëhet shumë e madhe, Ana lë Vronsky në inat dhe … Epo, nëse nuk e keni lexuar ende, bëjeni! Ne nuk do të japim asnjë fund zemërthyes këtu.

Fakte zbavitëse: “Ana Karenina” u bë një nga bestsellerët më të mirë të të gjitha kohërave në 2004-n, pasi Oprah e vendosi atë në listën e të preferuarve.

“Romeo dhe Xhuljeta”: Ku është arti, Romeo?
Në një nga veprat më të njohura të Uilliam Shekspirit, kjo romancë e “dashnorëve në yje” është treguar dhe interpretuar nëpër kohë (që nga filmi klasik “West Side Story” në të mirënjohurin Romeo dhe Xhuljeta). Një histori që mund të lidhë të gjithë të dashuruarit, Romeo dhe Xhuljeta fokusohet në tragjeditë që shoqërojnë humbjen e dashurisë së vërtetë. Të dashurit Romeo Montague dhe Juliet Capulet, dy nga klanet më të famshme të letërsisë, vinin nga anët e kundërta të Veronës dhe mosdakordësia e familjeve mbi dashurinë e tyre shpie në vetëflijim.

Fakte zbavitëse: Në lojën e famshme kompjuterike “The Sims 2”, ndodhet një lagje me emrin Veronaville, në të cilën dy personazhet Romeo Monty dhe Juliette Capp bien në dashuri.

“Kazablanka”: Luaj përsëri, Sam
I famshëm nga loja fantastike e Humphrey Bogart dhe Ingrid Bergman, kjo histori dashurie, fillimisht nga një dramë e Murray Burnett, është kthyer në një skenar kinematografik nga skenaristët vëllezër Julius e Philip Epstein dhe miku i tyre Howard Koch. Në këtë narracion, amerikani Rick Blaine është pronar i klubit të lojërave të fatit “Rick’s Cafe Americain” në qytetin maroken të Kazablankës. Me ngjarje të zhvilluara gjatë Luftës së Dytë Botërore, Rick është një njeri i ashpër pas tradhtisë së të dashurës Ilsa Lund. Kur ajo kthehet sërish papritmas në jetën e tij, me bashkëshortin, Rick i duhet të përballet me lëndimet e së shkuarës. Fakte zbavitëse: Në një sondazh të 2005-s nga Instituti Amerikan i Filmit, citimi nga filmi “Kazablanka”: “Ja ku po të shoh, zemra” u rankua e pesta nga skenat më të rëndësishme të historisë së kinemasë. Së bashku me të, edhe gjashtë skena të tjera nga ky film janë rankuar në 100 më të mirat.

“Ëndrra e një nate vere”: Ëndërro një ëndërr të vogël
Një komedi romantike nga Uilliam Shekspir, e vendosur në Athinën kur duka Tezeus bën plane për një festival të madh në nder të martesës së tij. Përgjatë kësaj kohe, vajza e Tezeusit, Hermia, refuzon të martohet me të fejuarin e saj pas dashurisë dhe përkushtimit për Lisandin. Kundër dëshirave të babait të saj, ajo ia mbath duke u fshehur në pyll dhe … gjeje pak, kush ishte atje në të njëjtën kohë? … E gjithë historia na paraqet trekëndëshin e një dashurie të re me një fund surprizues!

Fakte zbavitëse: Më 1989-n, në filmin e famshëm “Shoqëria e poetëve të vdekur”, personazhi kryesor Neil Perry (i luajtur nga Robert Sean Leonard), është bërë pjesë e kastit pikërisht nga roli i Puck që po luante në një shfaqje ndërqytetëse tek “Ëndrra e një nate vere”.

“Doktor Zhivago”: Djali takon vajzën …
Ky roman rus, fitues i çmimit “Nobel” nga Boris Pasternak, është klasiku i kahershëm i historisë së dashurisë së një burri për dy gra. Yuri Zhivago është doktor dhe poet në Revolucionin Rus të 1917-s. I martuar me aristokraten Tonia, ai dashurohet me infermieren Lara. I vendosur në periudhën e luftës, ky trekëndësh i dashurisë së Zhivago bëhet pre e një ndërthurjeje fatesh dhe kthehet në një sfond protagonisti luftarak kundrejt një zemre të brishtë. Fakte zbavitëse: Versioni i parë filmik i “Doktor Zhivago” ka qenë një version i konceptuar për serial televiziv në Brazil më 1959-n.

“Ndjesi dhe ndjeshmëri”: Motra dhe shoqe të shpirtit
Një tjetër klasik i 1811-s nga Jane Austen, kjo histori dashurie rrotullohet rreth motrave Dashwood – Elinor dhe Marianne. Me ndarjen nga jeta të babait të tyre, ato humbin pronën e familjes dhe kushtëzohen në një jetë të varfër. Historia ndjek motrat teksa ato largohen në distancë, por jo në dashurinë shpirtërore dhe romanticitetin që i karakterizon. Fakte zbavitëse: Në një version të ri nga Ang Lee më 1995-n të “Ndjenja dhe ndjeshmëri”, gjashtë aktorë kanë qenë gjithashtu protagonistë të filmave të Harry Potter: Emma Thompson (Sybil Trelawney), Alan Rickman (Severus Snape), Gemma Jones (Madam Pomfrey), Robert Hardy (Cornelius Fudge), Elizabeth Spriggs (The Fat Lady) dhe Imelda Staunton (Dolores Umbridge).

“Liaisons i rrezikshëm”: Rreziku i Liaisons është një roman i kompozuar me letra
Ky roman klasik i shek. XVIII, nga Pierre Choderlos de Laclos është padyshim historia më e errët e zilisë, etjes për pushtet, mashtrimit dhe romancës. Me aktorë protagonistë Markezën de Merteuil, që kërkon që partneri i saj Vikomti de Valmont, të joshë vajzën e vogël të kushërirës së saj. Ndërkohë, e reja Cecile është e turbulluar nga profesori i saj, Kavalier Danceny. Histori dashurie, mashtrimi dhe gënjeshtre shpërfaqen në këtë histori. Fakte zbavitëse: Filmi kult i 1999-s, “Qëllime djallëzore”, është një përshtatje moderne e romanit “Liaisons i rrezikshëm”.

Krenari dhe paragjykime: Një lojë në letërsi e maces dhe miut, e njohur botërisht si romani më i famshëm i Jane Austen.
Charles Bingley është një i ri në qytezë dhe jeton në një pronë me motrat dhe mikun e tij të ngushtë Fitzwilliam Darcy. I quajtur si “gjahu” nga të gjitha të rejat beqare të qytezës (për pamjen dhe paratë e tij), Darcy njihet edhe për një person snob. Fqinja Elizabeth Bennet ndihet e poshtëruar nga kjo ego e sëmurë e Darcy teksa afrimi i të dyve në ballo kthen të gjithë faqen e historisë. Fakte zbavitëse: Libri “Ditari i Bridget Jones” nga Helen Fielding është frymëzuar nga “Krenari dhe paragjykim”.

“Gungaçi i Notre Dame” i Viktor Hygo: Oh Kuazimodo!
Novela e Viktor Hygo, vendosur në Paris më 1482-shin, vendos në qendër Katedralen e Notre Dame. Në këtë histori, ku “dashuria e vërtetë vjen nga brendësia”, kërcimtarja rome Esmeralda dashurohet me Kuazimodon e saj, një gungaç zemërmirë, por i deformuar. Me urdhër të Arkidukës Frollo, Kuazimodo përpiqet të rrëmbejë Esmeraldën, por kapet nga rojat. Në gjyq, Kuazimodo poshtërohet nga publiku dhe viktima e tij Esmeralda ndien keqardhje për të. Më pas, Esmeralda procesohet dhe dënohet me vdekje për vrasjen e Foebusit, por në ditën e gjykimit ajo shpëtohet nga vdekja prej Kuazimodos së saj. Por a mund ta kalojë dashuria e vërtetë diferencën e saj me pamjen e tij? Fakte zbavitëse: Gungaçi i Notre Dame është bërë pjesë e adaptimeve televizive disa herë dhe ka në kast dy Anthony-s për rolet kryesore – Anthony Quinn më 1956-n dhe Anthony Hopkins më 1982-shin.

Sislej Xhafa dhe Italia e Vespave

0

Rudina Xhunga

Sende, elemente, gjëra të përdorimit të përditshëm, shndërrohen me kalimin e kohës në pjesë të memories dhe të trashëgimisë së njeriut. Xhunga shkruan mbi fuqinë e tyre dhe mbi ata që dinë t’i kthejnë ato në elemente muzeale.

Ne Muzeun e Artit Modern në Romë është edhe një Vespa, e ekspozuar në njërin prej pavijoneve. “Vespa dhe Pelushi”, quhet punimi i Sislej Xhafës, artistit kosovar. Nëpërmjet punimeve të babait të tij kam njohur Kosovën, arti i të birit, më dërgoi në fëmijëri. Sepse, kur pashë atë motor të vogël, më ngjau sikur dëgjoja, siglën e lajmeve të “Raiuno”-s, që e shikoja nëpër hekurat e dritares, së një shtëpie, në oborrin e së cilës luaja e vogël. Objekte të ndryshme sjellin kujtime të ndryshme, në një mënyrë, shpesh të pashpjegueshme.

Një vajze, kur i tregonin në “Instagram”, një pesëlekëshe nga ato të socializmit, ajo shkruante se i kujtonte erën e bukës së zezë, të ngrohtë, që pasi e blinte, kishte qejf t’i hante koren.

Një vajzë tjetër në Pogradec, mbesa e fotografit të famshëm të qytetit, çuditej kur i trokisnin në shtëpi dhe e pyesnin mos u kishte mbetur në arkivin e gjyshit, fotografia e dasmës së gjyshërve të tyre. Kjo trokitje në derë i shoqëroi fëmijërinë. Derisa vendosi të hapë një ekspozitë, me gjithë fotografitë e gjyshit. Ndërsa më pas, me ndihmën e piktorit të dashur të qytetit, Tasos, Amanda ka hapur, një muze ku çdokush mund të shkojë të heqë mallin e Pogradecit të vjetër, lagjeve e shtëpive të dikurshme, hotelit ku dikur mblidheshin Poetët, (tani gërmadhë e preferuar nga plehrat) , liqenin ku pikturonte Mio dhe shëtiste Lasgushi.

Të njëjtën ndjesi, merr, kur shkon në shtëpinë e Sali Shijakut, brenda plot me punët e piktorit të madh shqiptar dhe jashtë, oborri si dikur, i një Tirane si dikur, me ngjyra dhe dritë, me pemë dhe dashuri.

E kaluara është një prej mundësive të vetme që kemi për t’u çmallur, për të ndaluar, për t’u bërë gati për rrugë sërish.

Ndaj ndalojmë këmbët afër një kafeneje, ku bluhet kafe e sapopjekur dhe era të merr me vete në kohë apo afër një vazoje të mbjellë me borzilok, a indërshah.

Ose dyqane të vogla, të padukshme, të fshehura në lagje, ku shiten liko, turshi me patëllxhanë apo peta të thara, të duket sikur të tërheqin nga mënga, të hysh brenda.

Një nga gjërat që po humbasim në vrap e sipër është kujtesa personale, gjërat e vogla që na japin identitet, na bëjnë të veçantë dhe unikë, me të cilat mund të mburremi ose jo, por të paktën, do të kemi për të treguar. Çdo gjë që të duket e padobishme në një kohë, ka një vlerë të paçmuar në një tjetër kohë. Filxhanët e kafesë turke, me porcelan gjerman, prodhuar në 39, janë thjesht filxhanë për dikë që i sheh, në bufenë tënde, por për ty, janë buzët e gjyshes tënde, ato që të kanë mbajtur me përralla, janë shija e gishtit të lyer në kafe, për herë të parë e përherë, duke u lutur; edhe një herë, nëna, edhe një herë. Nuk ka rëndësi nëse gjyshja jote ishte e zakonshme, fakti që ishte vetëm jotja, e bën atë të jashtëzakonshme. Ndaj është një mrekulli, kur sheh njerëz që mbledhin dhe çmojnë të kaluarën e tyre. Njerëz të zakonshëm, histori të zakonshme. Ose aq më tepër, nipër zanatçinjsh, kasapësh të vjetër të qytetit, bukëpjekësish, gegësh, piktorësh, aktorësh, nga ata që nuk i kthehen më qytetit. Sa do të doja që në çdo shtëpi ku ata kanë jetuar të shkruhej, siç shkruhej dikur, këtu ka qenë bazë lufte. Për ta të shkruhej se kanë jetuar në atë apartament, në atë lagje, kanë pirë kafen, kanë lënë biçikletën, te ai cep.

Ollga dhe pellgu i vogël, në Tushemisht, ku Violeta Manushi lante duart në mëngjes, vizitohet aq shumë, aq shumë, sa më jep të drejtë për këtë që po them.

Sepse, nuk do të jetë gjithmonë kështu; do të kalojë etja për të reja nga Çiljeta, Sinani, Filani. Do e kalojmë si të gjithë, adoleshencën tonë kolektive dhe lum kush ka ruajtur të kaluarën dhe do bëjë muzeume, shtëpi arti, qendra ku do ndalojmë dhe kujtojmë, si ishte njëherë e një kohë.

Për të ardhmen, mendova, kur pashë atë Vespa blu, në dyshemenë e pavijonit të Muzeut të Artit Modern, në Romë. Ku Italinë e së shkuarës, e tregonte një Vespa dhe një Pelush i Sislej Xhafës. (mapo)

Skënderbeu i sociorealizmit dhe ai i të huajve

0

Nga Marin Barleti, Aurel Plasari, Naum Prifti, Sabri Godo, Gjergj Zheji, Kristo Frashëri … jeta e heroit e parë në kohë

Në Europën e fillimshekullit të 16, disa dekada pas rënies së Perandorisë Otomane, një ndër personazhet më të përfolura të kohës do të ishte prijësi shqiptar, Skënderbe. Ndërsa kishin nisur politikat për të krijuar hartën e re europiane, jeta dhe vepra e këtij personazhi shihej si modeli më i mirë mbi bashkimin. Skënderbeu do të ishte jo thjesht një frymëzim për politikën e re, por dhe personazhi më i kërkuar i piktorëve apo shkrimtarëve. Janë të pafund librat, pikturat apo vizatimet kushtuar kësaj figure të historisë sonë. Dhe pse pjesa më e madhe e dokumenteve historike që do të na sillnin më të plotë tablonë e Shqipërisë në vitet kur Skënderbeu jetoi gjenden ende në arkivat turke, gjatë këtyre viteve janë botuar libra historikë apo studimorë mbi këtë figurë. Marin Barleti ishte i pari që i frymëzuar nga shkrimet e kohës, ndërtoi historinë mbi të cilën do të bazohej më vonë një pjesë e mirë e studimeve mbi këtë figurë. Por, nga koha e Barletit e deri më sot, janë të pafundme librat që çdo ditë dalin nga arkivat e bibliotekave të ndryshme mbi këtë personazh historik. Më i fundit, i cili është më i plotë në vazhdën e botimeve të bëra mbi këtë personazh, është libri “Skënderbeu, një histori politike”, me autor Aurel Plasarin. Njohës i mirë i këtij personazhi, Plasari ka sjellë në një libër angazhimin e tij disavjeçar në hulumtimin e kësaj figure, duke e parë atë në një kontekst tjetër atë politik. Më 2010-n, një tjetër shkrimtar dhe historian, Sabri Godo, do të ribotonte një nga romanet më të njohura të tij të quajtur “Skënderbeu”. Një roman që përshkruan trimëritë e luftës 25-vjeçare kundër turqve, por edhe ndjenjat e tij, çfarë ai mendon, mënyrën e të dialoguarit me të afërmit, me ushtarët, me trimat shqiptarë, dashurinë e tij për Shqipërinë. Por romani i Godos, i cili i ka kushtuar edhe më parë studime këtij personazhi, nuk ishte i pari në letrat shqipe që kërkon ta sjellë këtë personazh në lëmin letrar. Shumë herët, Naum Prifti sjell në një libër “Legjenda dhe rrëfime për Skënderbeun”. I konceptuar në formën e disa rrëfimeve, ky libër i Priftit është si një film me disa episode, i cili tregon jetën e zakonshme të princit europian. Gjergj Zheji është një tjetër autor që i ka kushtuar një roman këtij personazhi. “Muret e Krujës” është romani që ai e ribotoi disa vite më parë, duke e shoqëruar me një parathënie, e cila jepte rëndësinë e të parit dhe vlerësimit drejt të kësaj figure. “Kalojnë vite, kalojnë shekuj dhe ai nuk resht. Kryetrimi i lavdishëm i Krujës legjendare, kryetrimi i Krujës madhështore vazhdon të ecë me hapin e tij burrëror, duke i veshur shkëmbinjtë me rreze ngjyrë argjendi dhe fushat bujare me ar diellor. Nuk ka bukuri më madhështore se kjo që më shohin sytë! Ne të gjithë nuk jetojmë dot pa këto fusha, pa këto male, pa këngët e rapsodëve të dashuruar me tërë këtë mori bukurie dhe trimërie. Këto këngë më flasin për nënën tonë të shtrenjtë Shqipërinë, për beteja të lashta e të reja, ku bijtë e saj kanë derdhur gjak dhe përherë i kanë thënë armikut: ‘Ndal! Ky vend ka zot!’ Kjo nënë lindi shenjtore e shenjtorë që u mësojnë të gjithëve rrugën e drejtë të Zotit …

Ne jemi të larë trupërisht dhe shpirtërisht me ujin e bekuar të historisë sonë, që shkëlqen si e vërteta, si kënga e amshuar e rapsodëve, si urtia mijëvjeçare e kuvendeve tona, si mençuria e pashtershme e Skënderbeut të madh, mësimet e të cilit nuk shuhen kurrë dhe sot ende vazhdojnë t’u mësojnë brezave që vijnë fisnikërinë, trimërinë, nderin, atdhedashurinë, bukurinë e vdekjes për mëmëdhenë. Mjerë ata që, me dashje a pa dashje, shkelin me këmbë gjithçka që duhet ngritur lart e nuk duhet ulur kurrë! Çdo gjë mund të falet, por tradhti është mohimi i së vërtetës, është një marrëzi e turpshme, një i vdekur të cilin e kall edhe varri!”, shkruante Zheji. Kjo parathënie, vjen sot si një metaforë e fortë mbi rëndësinë e të kuptuarit të historisë.

Kristo Frashëri i ka kushtuar disa libra kësaj figure. “Skënderbeu, jeta dhe vepra” është një libër i mbështetur në dokumente dhe materiale të shumta arkivore. Ndryshe nga historitë e tjera të shkruara për Skënderbeun, kjo është më e kompletuar dhe e sheh heroin jo vetëm si udhëheqës të luftës çlirimtare, por edhe si nismëtar të shtetit shqiptar. Disa vite më parë, Frashëri do të botojë librin “Skënderbeu i shpërfytyruar”, si një përgjigje ndaj librit “Skënderbeu” shkruar nga historiani zviceran O. J. Schmitt. Kristo Frashëri, një njohës i mirë i historisë së Skënderbeut, nuk u pajtua në asnjë pikë me këndvështrimin negativ të historianit zviceran. Sipas tij, O. Schmitt-i e ka shpërfytyruar nga shumë pikëpamje portretin historik të Skënderbeut. Ndërsa historiografia shkencore botërore dhe shqiptare e ka vlerësuar heroin shqiptar, si një udhëheqës i shquar i kryengritjes çlirimtare të shekullit XV kundër zgjedhës osmane, si një strateg gjenial që korri vazhdimisht fitore ushtarake kundër sulltanëve turq, si një farkëtar dorëfortë që krijoi shtetin e përqendruar kombëtar shqiptar, si një burrë shteti, i cili me luftën e tij një çerekshekullore konsolidoi identitetin kombëtar të shqiptarëve, si një personalitet i historisë mesjetare, i cili në të njëjtën kohë mbrojti edhe qytetërimin e Europës humaniste. Përkundrazi, historiani zviceran e paraqet Skënderbeun si një kapedan që luftoi për t’u hakmarrë për vrasjen e të atit nga dy sulltanë turq, si një prijës që synoi të ripushtonte zotërimet feudale të prindërve të tij, si një udhëheqës ushtarak, që në luftë kundër ushtrive osmane pati disfata pas disfatash, si një personalitet, i cili e mbylli jetën e tij si emigrant në zotërimin venedikas të Lezhës, si një prijës që la pas vdekjes së tij vetëm një vend të mbushur me gërmadha, si një njeri të cilin Europa u kujtua ta nderonte vetëm pas vdekjes.

Pasi hedh poshtë tezat e autorit zviceran, historiani Frashëri analizon në mënyrë kritike edhe disa pikëpamje po aq të padrejta të shfaqura nga disa analistë shqiptarë në shtypin tonë të përditshëm, gjatë kohës që u botua libri. “Në bazë të lirisë së pakufizuar të fjalës, demokracia jonë, edhe pse çalamane, falë Zotit, i ka dhënë të drejtë historianit të mbrojë figurat e ndritura të kombit tonë nga fyerjet, përdhosjet dhe shpërfytyrimet e atyre që kanë zgjedhur si mënyrë jetese të fyejnë, të përdhosin, të shpërfytyrojnë ku të mundin, në shtyp, në radio, në televizion, vlerat e ndritura të historisë së Shqipërisë, madje edhe identitetin tonë kombëtar.

Si qytetar bashkohem me ata zëra që protestuan kundër fyerjeve, përdhosjeve e shpërfytyrimeve në dëm të figurës së Skënderbeut nga historiani zviceran, Oliver Jens Schmitt, dhe nga duartrokitësit e tij shqiptarë, të cilët mezi presin të hedhin baltë kundër çdo vlere pozitive të kombit të tyre – që pas shekuj tallazesh, shtypjesh e mjerimesh arriti, më në fund, të gëzojë lirinë e ëndërruar.

Si historian e ndiej për detyrë, meqenëse vetë Skënderbeu nuk ka mundësi të flasë, të parashtroj, me sa kam mundësi, argumentet historike që hedhin poshtë hamendësimet, shpifjet dhe shtrembërimet që ata kanë përdorur për ta shpërfytyruar Heroin tonë Kombëtar”, thotë Frashëri. Por libri i O. J. Schmitt mund të quhet i vetmi që ka dashur të devijojë atë çfarë mbart në të vërtetë historia e këtij personazhi të historisë sonë. Ai nuk është i vetmi i huaj që e ka analizuar këtë figurë në një libër. Librat mbi Skënderbeun kanë nisur të botohen nga të huajt që pas shekullit XVI. Në vitin 1788, në Suedi u botua një ndër librat e parë në gjuhën suedeze kushtuar Skënderbeut. Libri mban titullin “Kastrioti i madh i shqiptarëve i quajtur Skandërbeg -Historia”. Skënderbeu është protagonist i tri tragjedive . Një numër poetësh dhe kompozitorësh janë frymëzuar nga karriera e tij ushtarake. Poeti i shekullit të 16, Ronsard shkroi një poemë rreth tij, Henry Wadsworth një tjetër poet i shekullit të 19-të shkroi vargje për të. Një opera kushtuar këtij personazhi do të jepej në shekullin e 18 shkruar nga kompozitori François Francœur. Interesante është dhe libri “Skënderbeu” shkruar nga Henry Wadworth, i cili e shkroi duke u konsultuar me Fan Nolin.

Të huajt kanë parë tek ai personazhin ideal, me të cilin çdo femër do të dashurohej

Skënderbeu, një hero i dashuruar

Ndërsa në letërsinë shqipe figura e Skënderbeut është trajtuar gjithnjë si imazhi i një burri të fortë, i cili kishte aftësinë të sillte paqe mbi çdo betejë apo si një mendje e urtë, tek i cili të gjithë kishin besim, shkrimtarët e huaj kanë guxuar ta shohin këtë figurë pak më tej. Ai ishte një burrë i pashëm dhe këtë nuk e mohon dot askush teksa shohim sot tablotë që shfaqin portretin e tij të lartë, flokët e dendur apo mjekrën që i shkon në fytyrën e gjatë. Një shkrimtare anonime franceze do të shkruante në vitin 1732 romanin “Skënderbeu apo aventura e princit të Shqipërisë”, ku femrat më të bukura të kohës, përpiqeshin t’i rrëmbenin zemrën prijësit shqiptar. Ato i shkruanin letra dhe rrinin me orë të tëra në dritare për të parë kur do të kalonte ai. Antonio Xonkanda, një autor italian, do të shkruante një roman mbi historinë e dashurisë mes Skënderbeut dhe vajzës së Sulltan Mahmutit II. Një libër i mbushur me nota emocionesh, duke e shndërruar Skënderbeun në një hero të dashuruar, që është gati të bëjë gjithçka për vajzën e sulltanit dhe nuk mund të pranojë kurrsesi që ajo të martohet me një tjetër. Në historinë e letërsisë shqipe, por edhe në tablotë që i janë bërë Skënderbeut në këto vite, figura e tij është trajtuar në unitet, thjesht në konceptin e një heroi, pa e parë në dimensionin njerëzor.

Komuna e Malishevës kërkon më shumë angazhim të kompanive për pastrim të borës

0

Autoritetet komunale të Malishevës, të hënën, kanë bërë thirrje që shoferët të mos dalin në rrugë pa pajisje dimërore.

Në mbledhjen e qeverisë lokale është raportuar për gjendjen e rrugëve, pas reshjeve të borës, me ç’rast është thënë se të gjitha rrugët kryesore janë të hapura, përfshirë edhe rrugët e fshatrave të thella malore, por që për shkak të ngricave dhe akullit të krijuar në rrugë, qarkullimi është i vështirësuar, shkruan sot “Koha Ditore”.

Sipas njoftimit të Zyrës për informim, kryetari i Komunës, Ragip Begaj, ka kërkuar që të ketë angazhim edhe më të madh, pasi ka vështirësi në qarkullim për shkak të sasisë së madhe të borës.

Ndërsa drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina, ka theksuar se “kompania e kontraktuar në vazhdimësi ka qenë e angazhuar, por hapja e rrugëve në 44 vendbanime është e pamundur të bëhet menjëherë, mirëpo ajo që është me rëndësi, është se rruga për fshatrat Berishë dhe Fshat i Ri është hapur, ndërsa edhe rrugët e tjera kryesore janë të hapura, por qarkullimi është i vështirësuar për shkak të akullit të krijuar”. Prandaj u ka bërë thirrje shoferëve që të mos dalin në rrugë pa pajisje dimërore.

Në anën tjetër, Drejtoria e Arsimit ka raportuar se të gjitha shkollat janë të hapura dhe procesin mësimor e vazhdojnë normalisht.