13.8 C
Prizren
E enjte, 16 Maj, 2024

Punimet në Hamamin e Prizrenit rifillojnë me 57 mijë euro

E gjithë çatia e Hamamit të Gazi Mehmed Pashës në Prizren, do të mbulohet me pllaka të plumbit si dhe do të vendosen xhamat rrethorë për ndriçimin e brendshëm të hamamit nëpër kube dhe qemerë. Krejt këto do të bëhen me 57.730 eurot që Ministria e Kulturës ka ndarë për vazhdimin e punimeve në Hamamin e Prizrenit, të ndërprera në shtatorin e vitit 2014. Punimet që do të rifillojnë në vitin 2016, siç është thënë, nuk do të ndërpriten më deri në realizimin e projektit në tërësi. Për shkak të kushteve atmosferike në stinën e dimrit, punimet nuk do të rifillojnë tani për tani edhe pse mjetet janë ndarë.

Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore, thotë se gjendja e ndërtesës së Hamamit në Prizren, nuk është e keqe pavarësisht se investimi për këtë vit është vonuar pak. “Kjo ka ndodhur si rezultat i procedurave dhe procesit të konsultimeve dhe miratimeve në përputhje me legjislacionin dhe zyrën e UNESCO-s”, ka treguar Aliu. Ajo ka thënë se shuma për këtë vit është 57.730 euro. “Është shumë e rëndësishme që punimet të vazhdohen edhe vitin e ardhshëm deri në përfundimin e plotë ashtu si është përcaktuar në projekt. Projekt ky i hartuar dhe tenderuar nga UNESCO dhe i njëjti duhet te zbatohet”, është shprehur Aliu, sipas të cilës rifillimi i punimeve mund të bëhet atëherë kur janë të përshtatshme kushtet klimatike. “Në përputhje me projektin, dokumentin e paramasës dhe parallogarisë është e përcaktuar shuma 669,587.40 euro”, ka thënë Aliu për “Zërin”.

Samir Hoxha, drejtor i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore, shprehet se gjendja në objektin e Hamamit të qytetit të Prizrenit, është relativisht e mirë, duke pasur parasysh faktin që mbi 80 për qind e çatisë së objektit është e mbuluar me pllaka të plumbit nga faza paraprake e punimeve të realizuar përmes investimeve të bëra nga ana e UNESCO-s. “Për fat të keq në pjesën jugore të Hamamit ku gjenden depot e ujit dhe disa qemerë në pjesën qendrore, që janë vjedhur nga persona të pandërgjegjshëm, prej të cilave pjesë po depërton lagështia në brendi të Hamamit”, ka thënë Hoxha, sipas të cilit në bazë të kërkesave të vazhdueshme nga ana e QRTK-së, drejtuar MKRS-së, që të ndajë mjete për përmbylljen e fazës së parë të punimeve të cilat kanë mbetur të papërfunduara. “Këtë vit MKRS-ja ka marrë vendim për ndarjen e shumës në vlerë prej 57,730 eurove për përfundimin e punimeve të mbetura për këtë fazë”, ka thënë Hoxha për “Zërin”.

Ai ka treguar se me këtë shumë të mjeteve financiare është paraparë që të përfundojnë punimet për fazën e parë. “Pas vjedhjes së një sasie të konsiderueshme të plumbit, gjatë këtij viti, natyrisht se do të nevojitet edhe një shumë e mjeteve shtesë për përmbylljen e punimeve të parapara me projekt”, ka treguar Hoxha, duke shtuar se me këto mjete sipas projektit të aprovuar nga ana e institucioneve të MKRS-së dhe UNESCO-s, do të mbulohet e gjithë sipërfaqja e çatisë me pllaka të plumbit si dhe do të vendosen xhamat rrethorë për ndriçimin e brendshëm të Hamamit nëpër kube dhe qemerë. “Me projektin për restaurimin dhe rehabilitimin e Hamamit, kanë qenë të parapara të vendosen xhamat për ndriçimin e brendshëm të hamamit, por për shkak të mungesës së fondeve për t’u furnizuar me xhama të përcaktuara me projekt, përkohësisht është vendosur që të mos hapen këto vrima, derisa të mos sigurohen mjete për furnizimin me xhamat e paraparë me projekt”, ka thënë Hoxha.

Sikurse Vjollca Aliu edhe Samir Hoxha thotë se me përmasimin e kushteve atmosferike do ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme për rifillimin e punimeve, pasi që tashmë mjetet janë siguruar nga ana e MKRS-së. “Është i njohur fakti së në kushte atmosferike jo të volitshme konkretisht në stinën e dimrit nuk lejohet të zhvillohen punimet restauruese, sidomos kur bëhet fjalë për punimet e jashtme”, ka thënë Hoxha.

Shafi Gashi, kryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore, ka thënë se KKTK-ja çështjen e Hamamit të Prizrenit e ka diskutuar edhe me ministrin e Kulturës, Kujtim Shalën. “Nuk i dimë arsyet pse janë ndalë punimet në Hamamin e Prizrenit, por kemi kërkuar që të ndalet degradimi i monumenteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë Gashi, derisa ka shtuar se kanë kërkuar nga ministri Shala që kur të nisë restaurimi i një objekti të trashëgimisë kulturore të ndahet një fond për monumentet. “Me atë fond do të përfundoheshin të gjitha punimet, që të mos ndodhë siç ka ndodhur me Hamamin që gati dy vjet janë ndërprerë punimet”, është shprehur Gashi.

Gjatë muajit mars të 2015-s, “EC Ma Ndryshe” ka bërë një hulumtim mbi punimet në Hamamin e Prizrenit, në bazë të të cilit ka konsideruar se mospërmbyllja e punimeve në objektin e Hamamit e bën atë të cenueshëm, prandaj dhe duhen ndërmarrë veprime të menjëhershme për përmbylljen e punimeve restauruese dhe shtimin e masave të sigurisë, duke marrë parasysh faktin se bëhet fjalë për një monument shumë të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore.

Valon Xhabali, nga kjo organizatë, thotë se Ministria e Kulturës dhe akterët e tjerë relevantë janë vonuar me sigurimin e fondeve për përfundimin e punimeve. “Dhe në këtë rast janë treguar joseriozë dhe jo të përgjegjshëm ndaj ruajtjes së vlerave historike”, është shprehur Xhabali, duke shtuar se prej kohës kur janë ndalur punimet objekti ka pasur edhe dëmtime tjera si: vjedhja e plumbit, mbeturinat përreth objektit, pamje jo e mirë edhe për turistët.

“Punimet janë monitoruar nga ekspertë vendorë dhe të jashtëm, por ne mendojmë që nuk janë konsultuar edhe komunitetet tjera si p.sh komuniteti i arkitektëve, artistëve e sidomos qytetarët, sepse për ne shumë me rëndësi është edhe kujtesa kolektive sepse Hamamit i është ndërruar pamja, pa marrë parasysh deklaratat e ekspertëve që kanë qenë të angazhuar e që thonë së kanë dëshmi/fakte se si ka qenë Hamami në të kaluarën”, ka thënë Valon Xhabali, derisa është shprehur se ka pasur mundësi të punohet më mirë dhe me më shumë kujdes, duke e ditur që Hamami është një monument me shumë vlera.

Më Shumë

Takimi për teleferikun e Prizrenit, Totaj: Liburn Aliu veç hyri në takim, akuzoi dhe iku

Kryetari i Komunës së Prizrenit që vije nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Shaqir Totaj, ka akuzuar nivelin qendror për mos bashkëpunim me komunat. Ai...

1828 gjoba dhe 15 ndalime në trafikun rrugor të rajonit të Prizrenit

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren dhe Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor, së bashku me stacionet policore në zonën e përgjegjësisë, kanë zbatuar me...

Lajmet e Fundit