10.3 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6844

Babai i viktimës nga Reshtani: Kërkoj të ndalet gjakderdhja në këto familje

0

Eksperti mjeko-ligjor dhe nëna e dy të akuzuarve për vrasjen e Burim Kryeziut dëshmuan në të njohurin si rast i Reshtanit.

Eksperti mjeko-ligjor Naim Uka u ftua që të dëshmojë sërish, ngase gjatë dëshmisë së tij të mëparshme, të dhënë më 15 tetor, nuk i i ishhte përgjigjur një pyetjeje.

Dëshminë tij të sërishme e kishin kërkuar në seancën e 11 nëntorit prokurorja Ervehe Gashi dhe mbrojtësja e të akuzuarit Enver Kryeziu, Kosovare Kelmendi.

Në rastin e Reshtanit ku pas një rrahjeje mes dy vëllezërve, fëmijëve dhe dajallarëve të tyre më 2 gusht të vitit 2012 vdiq Burim Kryeziu, për vrasjen e tij akuzohen Enver e Artan Kryeziu dhe Fadil Shala.

Në seancën e së enjtes prokurorja ia shtroi mjekut ligjor Naim Uka pyetjen në të cilën nuk kishte marrë përgjigje më 15 tetor. E pyeti ku ndodhet baza e kafkës.

“Bazën e kafkës nuk mundem me ua demonstruar, pasi e njëjta nuk shihet me sy pa u intervenuar në kokë, por e njëjta gjendet pasi që të hapet pjesa e sipërme e kokës, hiqet indi trunor, atëherë kemi bazën e kafkës,” tha eksperti mjeko-ligjor Naim Uka.

Pyetjet e avokatëve për ekspertin nuk mundi t’i durojë Nuhi Kryeziu, babai i të mbytyrit Burim Kryeziu.

Ai kërkoi nga gjykata të mos lejojë gjakderdhje të re mes këtyre dy familjeve.

“Unë kërkoj nga trupi gjykues që ta ndalojë edhe një gjakderdhje tjetër në këto familje, ta përmbyllë lëndën sa më shpjet, pasi jam unë që kam humbur djalin 30 vjeçar,” tha i përlotur në seancë babai i viktimës.

Pastaj dëshmoi Naxhije Kryeziu, nëna e të akuzuarve për vrasje Enver e Artan Kryeziu që fajin për nisjen e rrahjes ua la anëtarëve të familjes së Nuhi Kryeziut.

Në gjykatën themelore në Prizren, ka vazhduar rigjykimi ndaj Fadil Shalës, Enver e Artan Kryeziut, të cilët akuzohen për vrasjen e Burim Kryeziut, me 2 gusht të vitit 2012.

Babai i viktimës, Nuhi Kryeziu, në seancë, kishte një kërkesë nga trupit gjykues, që të mos lejoj gjak derdhje tjetër në këto familje.

Ajo tha se ditën kritike ka ardhur Bajrami (vëllai i Fadil Shalës) mysafir në shtëpinë e tyre dhe në një moment djemtë e Nuhi Kryeziut kanë dalë në mur duke bërtitur dhe e sharë Bajramin.

“Kur Bajrami është ulur në oborr me djemtë e mi, në një moment mbi mur kanë qenë djemtë e Nuhi Kryeziut duke bërtitur dhe duke e sharë Bajramin. Ata i kanë thënë Bajramit se kena me të mbyt,” tha dëshmitarja.

Ajo tha se pas këtij problemi e ka thirrur axhën e Bajramit Izet Shalën që të vijë ta marrë Bajramin dhe këtu ka nisur përleshja.

“Unë e kam pa Bajramin me një dru ne dorë dhe në atë moment i kam mbyllur sytë dhe kur i kam hapur sytë, e kam pa të rrëzuar për tokë të ndjerin Burim,” tha dëshmitarja.

Por dëshminë e saj e kundërshtoi përfaqësuesi i të dëmtuarit avokati Hajrip Krasniqi.

“Për neve si palë e dëmtuar deklarata e saj mund të jetë subjektive, pasi ajo është nënë e atyre bijve dhe është grua e atij bashkëshorti. Nuk mund t’i jepet besim një deklarate të tillë në një relacion të tillë, çfarë e kanë të akuzuarit me këtë dëshmitare,” tha Krasniqi.

Avokati i Fadil Shalës propozoi përsëri që të mbrojturit të tij t’i bëhet ekzaminim neuropsikiatrik, një gjë që u kundërshtua nga avokati i të dëmtuarve.

“Me këtë propozim aludohet në përfundim dhe rikualifikim juridik të veprës, se kinse e njëjta është kryer në gjendje të afektit mendor, andaj ne si palë e dëmtuar një propozim të tillë e kundërshtuam, ngase nuk janë mbështetur me prova eventuale të bazuara që kishin me arsyetuar një kërkesë të tillë,” tha avokati Krasniqi.

Fadil Shala ishte shpallur fajtor për vrasjen e Burim Kryeziut dhe ishte dënuar me 15 vjet burg, ndërsa të akuzuarit Enver e Artan Kryeziu, ishin dënuar me nga 13 vjet burg, por Gjykata e Apelit, e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, pasi që kishte gjetur shkelje procedurale, ndërsa ndaj 12 të akuzuarve tjerë ishte vërtetuar dënimi nga kjo gjykatë.

Seanca e ardhshme u caktua për 28 dhjetor./kallxo.com/

Ish-ministrat Osmani, Veliu, Hoxhaj, Buja e rrënuan arsimin

0

Ministria e Arsimit është udhëhequr nga politikanë të papërgjegjshëm e njerëz joprofesionistë

Lidershipi korruptiv, skandalet, aferat, e degraduan sistemin arsimor

“Rritja e cilësisë në arsim dhe reformat rrënjësore për ta vënë arsimin në binarë nuk varen nga një ministër, edhe po të ishte ai ministër më i duhuri dhe më i ndershmi, por kjo varet nga vullneti i mirë i politikës dhe lidhet direkt me ‘peshqit e mëdhenj’ të politikës, të cilët qëllimisht e kanë sjellë në këtë derexhe arsimin”, thotë analisti Faik Krasniqi

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, që kur është themeluar e gjer te mandati i Ramë Bujës, është udhëhequr nga ministra që nuk kanë ditur të menaxhojnë me arsimin. Nëse sot gjendja në këtë sektor, cilësia, infrastruktura lë për të dëshiruar, faji kryesisht bie mbi ish- ministrat, duke u nisur nga Rexhep Osmani, i cili ka vënë themelet mbrapsht në këtë ministri, për të vazhduar me Agim Veliun, i cili ka qenë ndër ministrat më të dobët që ka pasur arsimi, ndërsa për të kulmuar te njeriu i eksperimenteve Enver Hoxhaj, i cili ka bërë shumë veprime të dëmshme në arsim, duke nisur nga keqpërdorimi i fondit me tekste shkollore, loja me klasën e 13-të, e deri te ndërtimi i shkollave në mënyrë të pakontrolluar.

As në mandatin e ishministrit Ramë Buja, gjërat jo vetëm që nuk u përmirësuan, por u bënë edhe më kaotike. Kur e dorëzoi mandatin te ministri i tanishëm Arsim Bajrami ai, duke qeshur, pohoi se në dorë po ia lë pataten e nxehur, duke pranuar kështu degradimin e madh arsimor. Duke parë këtë kronologji të qeverisjes së dështuar dhe të politikanëve që kanë udhëhequr arsimin, është e qartë se ish-ministrat u vunë në këtë pozitë jo për ta zhvilluar, por për ta rrënuar arsimin../kosova sot/

Surroi: Nga Pakoja e Ahtisaarit nuk buron asnjë detyrim për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe

0

Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi, njohës dhe i përfshirë thuaja në të gjitha proceset e udhëtimit të Kosovës deri në pavarësi, përmes një postimi në Facebook qartëson se nga Pakoja e Ahtisaarit nuk buron asnjë detyrim për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe, siç po pohojnë arkitektët e kësaj shpikjeje.
Në postimin e tij ai shkruan:

Sa për sqarim, në cilësi të negociatorit kyç më 2005-2007: Kosova nuk ka asnjë dhe të vetmin obligim nga Pakoja e Ahtisaarit për të krijuar Bashkësi të komunave serbe.

Kosova i ka integruar të drejtat të komuniteteve jo-shumicë (të drejtave minoritare) në Kushtetutën e Republikës.

Në këtë Kushtetutë, njëjtë, nuk ekziston kurrfarë obligimi për të krijuar Bashkësi të komunave serbe.

Përkundrazi, çfarëdo Bashkësie e komunave serbe e prish strukturën bazë qeverisëse në Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

(Përgjigje spekulimeve qeveritare apo pro-qeveritare se Kosova e ka për borxh krijimin e Bashkësisë së komunave serbe) – përfundon postimi.

Vazhdon seanca gjyqësore ndaj Limajt dhe të tjerëve

0

Seanca gjyqësore ndaj Fatmir Limajt dhe katër të tjerëve të dyshuar në rastin MTPT, ka vazhduar sot në Pallatin e Drejtësisë.

Pas problemeve që pati dje me dhëmbë, Limaj sot tha se ndihet shumë mirë.

Limajt i është lexuar aktakuza me të cilën ai rrezikon të dënohet deri në 20 vjet burg.

Deputeti dhe lider i Nismës për Kosovën Limaj, akuzohet për krim të organizuar, shpërdorim të detyrës zyrtare, marrje të ryshfetit dhe vepër penale për mosraportim të parasë.

Me Limajn akuzohen edhe katër të tjerë, Nexhat Krasiniqi, Florim Zuka, Shpetim Telaku dhe Endrit Shala.

Aktakuza është ngritur si “e konsoliduar”, si rezultat i bashkimit të dy rasteve, mbi të cilat janë zhvilluar hetimet, që njihen si MTPT1 dhe MTPT 2.

Zheji: Isa Mustafa nuk na e mbyll dot gojën

0

Artur Zheji, në një editorial të radhës analizon reagimin e kryeministrit kosovar Isa Mustafa ndaj deklaratave të ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë, Mimi Kodheli.

“Deklarata e Isa Mustafës, ngjan edhe si një deklaratë shumë dinake në të njëjtën kohë. Është një përpjekje, jo e pasuksesshme, për të politizuar opinionet publike për çfarë po ndodh në Kosovë, e më pas, përmes politizimit, t’i kanalizojë si qëndrime interesash të partive, e pra të cungta dhe të pilotuara, e pra, dashakeqëse ndaj LDK apo ndaj qeverisë legjitime të Kosovës. Kjo është një vetëmbrojtje e dëshpëruar dhe nuk e transformon dot, një Kryeministër në burrë shteti,” shkruan Zheji.

“U ndjeva realisht i lënduar, nga përdorimi i rastit të ministres Kodheli, si një shantazh dhe për përdorimin e përgjegjësive politike e kombëtare për çka ndodhi në Shqipëri në vitin ’97, si një alibi, për të na mbyllur gojën, si të padenjë dhe të pa moral, në opinionet që vijnë nga Tirana,” vijon më tej ai.

Lexoni më poshtë tekstin e plotë:

Zotni Mustafa, kryeministri i Kosovës, është në hall të madh politik. Ka të bëjë me një opozitë radikale dhe me numra të paqëndrueshëm në qeveri dhe qeverisje.

Ndonëse nuk shkëlqen për ndonjë fjalor të shquar, për teza politike apo për suksese menaxheriale, shfaqi dje, një fodullëk të papranueshëm për opinionin publik. Rrëfeu, rrëmbyer nga nervozizmi, dhëmbët dhe kthetrat e veta, ndaj një deklarate shumë normale dhe aspak politike, më shumë se sa miqësore dhe dashamirëse, të ministres Mimi Kodheli.

Kodheli, duke parë edhe ajo si të gjithë ne, me shqetësim të madh përshkallëzimin e përplasjes politike në Kosovë, ku përçarja dhe përplasja po kalojnë çdo nivel dhe po bëhen realisht të rrezikshme për qëndrueshmërinë e këtij Vendi, që ne shqiptarët përkëtej kufirit, e konsiderojmë si Atdheun tonë gjithsesi, hodhi në eter një kujtesë dhe një copëz histori të dhimbshme shqiptare, që lidhet me vitin e mbrapshtë’97.

Mirëpo, zotni Mustafa, sikur u pickua, nuk dihet pse dhe nuk dihet se nga çfarë konkretisht.

Do apo nuk do Isa Mustafa, apo kushdo tjetër, ne jemi të gjithë shqiptarë dhe as nuk na mbyllet dot goja dhe as që kemi ndërmend ta bëjmë një gjë të tillë. Eksperienca tragjike e vitit ’97, ishte dhe mbetet një Gjëmë që e rrezikoi Shqipërinë në mënyrë ekstreme, duke kthyer mbrapsht procesin e zhvillimit të saj, në mënyrë katastrofike. Një Gjëmë që nuk duhet të përsëritet dhe që të mos përsëritet duhet të studiohet, si një periudhë e errët e historisë sonë. Kudo në tokat shqiptare.

Më duket se deklarata e Mimi Kodhelit ishte krejt në të njëjtën linjë të logjikës historike, si e mendojmë të gjithë ne dhe nuk besoj se ishte ndonjë ndërhyrje në politikën e brendshme të Kosovës. Ai ishte thjesht një opinion. Dhe lirinë për të shprehur një opinion e ka gjithkush.

Përse i djeg dhe pse na turret të gjithëve zotni Isa Mustafa?

Të gjithë ne opinionistët shqiptarë, pavarësisht qëndrimeve të tyre ndaj qeverisë X apo Y, këtu në Tiranë apo në Prishtinë, janë në rezonancë të plotë, që burgosja e Opozitës,në Shqipëri apo në Kosovë, është një akt ekstrem, sido që të përligjet apo të justifikohet një akt i tillë. Dhe nëse kjo shkon në mbështetje të lirisë së Albin Kurtit, nuk është një mbështetje për Albin Kurtin, por për shëndetin e demokracisë kosovare dhe mbi të gjitha, është një mbështetje për qëndrueshmërinë e Kosovës, Atdheut tonë të përbashkët.

Por deklarata e Isa Mustafës, ngjan edhe si një deklaratë shumë dinake në të njëjtën kohë. Është një përpjekje, jo e pasuksesshme, për të politizuar opinionet publike për çfarë po ndodh në Kosovë, e më pas, përmes politizimit, t’i kanalizojë si qëndrime interesash të partive, e pra të cungta dhe të pilotuara, e pra, dashakeqëse ndaj LDK apo ndaj qeverisë legjitime të Kosovës. Kjo është një vetëmbrojtje e dëshpëruar dhe nuk e transformon dot, një Kryeministër në burrë shteti.

E drejta për ta ndjerë Kosovën si Atdheun tim, me të mirat dhe me të këqijat e veta, është një e drejtë themelore ngritur mbi shumë gjak dhe sakrifica. Të cilat nuk zhbëhen dot, për kolltukun kryeministror të askujt. Ngado që të vijë dhe kushdo që të jetë ai. Të drejtë që keni reciprokisht detyrën të ushtroni edhe ndaj Tiranës, në mënyrë të paparagjykueshme.

U ndjeva realisht i lënduar, nga përdorimi i rastit të ministres Kodheli, si një shantazh dhe për përdorimin e përgjegjësive politike e kombëtare për çka ndodhi në Shqipëri në vitin ’97, si një alibi, për të na mbyllur gojën, si të padenjë dhe të pa moral, në opinionet që vijnë nga Tirana.

Kjo është një tentativë për të na larguar, duke na “hequr” këtë të drejtë themelore: Opinionin dhe Dhimbjen kur shohim një katastrofë që mund të afrohet pakthyeshmërisht në Kosovë.

Opozita vazhdon betejën

0

Vizita e Kerryt i motivon edhe më fort kundërshtuesit e “Zajednicës”. Analistët vlerësojnë se mesazhet e sekretarit amerikan kritikuan Qeverinë

Ndonëse është pritur me shumë shpresë që vizita kalimtare e sekretarit amerikan të Shtetit, Xhon Kerry, në Republikën e Kosovës të ketë efekt në përafrimin politik në mes të pozitës dhe opozitës, që së pakut opozita të ndryshojë qëndrimet e veta pas mesazhit të qartë për marrëveshjet kontestuese për Asociacionin dhe Demarkacionin, nuk pritet të ketë zbutje të qëndrimeve të mëhershme. Të dyja palët deklarimin e Kerryt e kanë interpretuar në mënyrat e tyre.

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, e ka shtruar nevojën që për të pasur marrëveshje të mirëfilltë të normalizimit të marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve, në cilësinë e shteteve të pavarura, atëherë duhet të merret modeli kroato-serb i zgjidhjes së problemeve edhe në raport mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kjo marrëveshje e nënshkruar në vitin 1996, pra një vit pas përfundimit të luftës, që në fjalinë e parë e siguron ekzistencën e dy shteteve. Këto dy shtete pastaj që në nenin 1 të marrëveshjes zotohen se “palët kontraktuese do të respektojnë njëra-tjetrën si shtete të pavarura, sovrane dhe të barabarta brenda kufijve të tyre ndërkombëtarë”, ka thënë Ymeri.

Sipas tij, marrëveshja që njihet me emrin e ngjashëm, më saktësisht “Marrëveshja e parë e parimeve që udhëheqin normalizimin e marrëdhënieve”, e nënshkruar mes Thaçit e Daçiqit, nuk ka asnjë referencë të Republikës së Kosovës.

Ndërkaq, analisti Nexhmedin Spahiu thotë se mesazhet e sekretarit amerikan kritikuan Qeverinë.

“Kjo vizitë dhe këto deklarime do të duhej të kishin refleksion pozitiv, por për aq sa kemi mundur të vërejmë kjo vizitë ishte një lloj ngrehje veshi për Qeverinë e Kosovës”, tha analisti Nexhmedin Spahiu. /Kosova Sot

Mustafa: Jam i gatshëm për dialog pa kushte

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i gatshëm të bisedojë me opozitën për të dalë nga situata aktuale, por pa kushte dhe ultimatume.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Mustafa ka deklaruar se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi nuk do të negociohen.

“Këto marrëveshje nuk negociohen. Për Asociacionin do ta jap opinionin e vet Gjykata Kushtetuese, kurse për marrëveshjen për shënjimin e kufirit mund të thirren ekspertë ndërkombëtarë që, së bashku me pozitën dhe opozitën, të japin ekspertizë për procedurat dhe dokumentacionin. Në çdo kohë jam i gatshëm të ulem të bisedoj me opozitën, por pa kushte dhe pa ultimatume”, ka thënë Mustafa.

Ai ka bërë me dije se vendimin për këto marrëveshje nuk e kanë marrë qytetarët, por përfaqësuesit e qytetarëve.

Mustafa ka përsëritur se për Asociacionin e komunave serbe vendimin e ka marrë Kuvendi i Kosovës me 84 vota, kurse për shënjimin e kufirit me Malin e Zi komisioni qeveritar ka punuar gati tre vjet. Ai ka thënë se qeveria vetëm se po e zbaton ligjin, duke shtuar se partitë opozitare nuk mund t’i thonë qeverisë mos e zbato ligjin. Ndërkaq, duke folur për suspendimin e opozitës nga Kuvendi, shefi i ekzekutivit ka theksuar se deputetët opozitarë me format e veprimit vetvetiu po e përjashtojnë veten nga seancat e Kuvendit.

“Meqenëse seancat nuk mund të mbahen në kushtet e tymit e të gazit lotsjellës, atëherë mbesin vetëm dy alternativa: ose të shkojë shumica në shtëpi, mbi 2/3 e Kuvendit dhe opozita që e përfaqëson pakicën t’i përcaktojë rregullat, ose shumica të mbajë takime, kurse ata që i kanë mbushur xhepat me gaz lotsjellës dhe bombola me sprej, të rrinë jashtë përderisa të mos vetëdijesohen se kuvendi nuk është arenë për të ushtruar rezistencë ndaj gazit lotsjellës, sprejit kimik, vezëve dhe veglave të tjera”, ka deklaruar Mustafa, duke shtuar se seancat plenare po mbahen jo në mënyrë normale për shkak se shteti duhet të funksionojë me çdo kusht.

Mustafa u ka dhënë përgjigje edhe opozitës dhe të tjerëve që qeverinë e drejtuar nga ai e krahasojnë me atë të Millosheviqit.

“Ajo çfarë duket qartë, është se dikujt Millosheviqi iu ka ngulitur në kokë. Edhe Serbia! Nëse lexohen shumë shkrime e komente, shihet një prirje e pakuptimtë që e vërteta të përcaktohet mbi atë se çfarë thotë Serbia, çfarë deklarojnë pushtetarët dhe njerëzit atje. Referimi në pasqyrën serbe flet se dikush ende nuk e ndjen vetën të çliruar, se është i robëruar nga millosheviqizmi dhe Serbia, se nuk e vëren shtetin e vet, nuk e pranon pavarësinë dhe atë dëshiron ta shkelë me dhunë. Qeveria nuk ka hyrë në Kuvend të hedhë gaz lotsjellës. Partitë që janë në pozitë nuk mbajnë në selitë e tyre maska të zeza, maska ushtarake, plumba gome, shishe me koktej molotovi, gaz lotsjellës, sprej për t’i neutralizuar njerëzit e tjerë. Këto janë gjetur në selinë e VV-së, e cila bën krahasime të tilla. Sa iu përket ‘njohësve të tjerë të proceseve politike’, disa prej tyre e njohin veten si piroman politik, janë të revolucionit të vonuar, marrin krejt nga ky shtet, por shkrepësen e mbajnë në dorë”, ka thënë ai.

Më tutje, kryeministri ka thënë se veprimet e opozitës janë duke e penguar edhe zbatimin e planit qeveritar. Ai ka thënë se sjelljet e opozitës në Kuvend mund ta dëmtojnë edhe procesin për liberalizimin e vizave.

“Natyrisht se pengesat janë evidente. Çdo gjë po u faturohet qytetarëve të Kosovës. Ngecja, për shembull në aprovimin e ligjeve, është e dëmshme”, është shprehur Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka folur edhe për vizitën e sekretarit amerikan John Kerry. Ai ka thënë se porositë e kryediplomatit amerikan kanë qenë të qarta për të gjithë. Sipas tij, edhe Kosova duhet të ketë përgjegjësi ndaj përkushtimit amerikan.

“S’ka dyshim se vendi ynë është nderuar në mënyrë të veçantë me këtë vizitë. Sekretari Kerry, edhe përkundër agjendës shumë të ngjeshur, ka zgjedhur ta vizitojë vendin tonë. Kjo flet për përkushtimin që ka SHBA-ja për Kosovën, në anën tjetër edhe për përgjegjësinë që ka dhe duhet të ketë Kosova ndaj një përkushtimi të tillë. Ishte porosi e qartë se SHBA-ja e ka përkrahur Kosovën, se ka investuar shumë në Kosovë, gjatë dhe pas luftës, dhe se nuk do të lejojë të rrezikohet asgjë nga pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa./Epoka e Re

Kosova e pranoi Planin e Ahtisarit, tash ta zbatojë

0

Opozita ka të drejtë për kundërshtimin dhe kërkesat e saj, por nuk ka të drejtë të bllokojë funksionimin e institucioneve të Kosovës. Kosova e pranoi Planin e Ahtisarit si bazë për pavarësinë dhe duhet ta zbatojë me besnikëri.

Dhuna dhe përçarja më neveritin, këto nuk duhet të kenë vend në një institucion demokratik. Kështu ka thënë në një intervistë ekskluzive për gazetën “Zëri”, njohësi shumë i mirë i politikave dhe zhvillimeve qysh nga konfliktet e fundit, analisti amerikan Daniel Serwer.

Në zyrën e tij pranë qendrës për studime të avancuara ndërkombëtare në shkollën “John Hopkins” në Washington, në mesin e shumë simboleve dhe flamujve mban edhe atë shqiptar. Njeh shumë mirë situatën në vend, thotë se Kosova s’duhet të mbetet e izoluar, por ka si shqetësim gatishmërinë e kosovarëve për t’iu bashkuar “Shtetit Islamik”. Thotë se Kosova dikur ishte sekulare dhe se sot kjo po ndryshon.

Sa i përket luftimit të korrupsionit nuk është shumë i impresionuar me misionin e EULEX-it, por mendon se Kosova s’ka alternativë tjetër. Gjykatën Speciale e sheh si veprim të domosdoshëm, duke thënë se fakti është se krimet janë kryer kundër serbëve dhe shqiptarëve pas luftës së vitit 1999 në Kosovë. Autorët duhet të hetohen dhe të ndiqen penalisht.

Pa i dënuar individët përgjegjës, faji do të bjerë mbi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Shqetësues e sheh edhe tentimin e Rusisë për t’u shtrirë në Ballkan.

“Rusia po bën në Ballkan atë që është duke e bërë dhe në vende tjera: ajo po përpiqet të bllokojë atë që e sheh si zgjerim i NATO-s në sferën e saj të influencës dhe ka arsye të mirë për t’u shqetësuar në lidhje me këtë”, tha ai. /Zëri

Mos dashuro kurrë një personazh!

0

Alda Bardhyli

Alda BardhyliCamila Lopes nuk mund ta mendonte se një ditë do të mbetej në një libër. Kur djaloshi i veshur me një kostum të thjeshtë, i ulur ne barin ku ajo punonte kameriere i kërkoi një puro nga të Havanës dhe një gotë skoç, ajo thjesht pa sytë e tij. Kur ai e pyeti në e kishte lexuar tregimin që i dha disa ditë më parë, Kamila i tha se i pëlqenin tregimet me kafshë. Ai i tha se në tregim nuk kishte asnjë kafshë dhe ajo nuk e kishte lexuar. Por, Kamila Lopez vajza meksikane me flokët e gjatë nuk e kishte lexuar për një arsye të thjeshtë, ajo ende nuk dinte të shkruante dhe të lexonte anglisht. Ajo ndodhej aty, në Los Anxhelos të gjente një burrë, që t’i jepte mbiemrin, jo të mbetej në një libër. Historia e saj është historia e qindra vajzave që emigrojnë çdo vit drejt vendeve me ekonomi më të mirë, për të ndryshuar. Ato nuk kërkojnë dashuri, por thjesht një mbiemër. Kamila është personazhi kryesor i librit “Pyet pluhurin” me autor John Fanten përkthyer në shqip nga Astrit Cani. Historia në këtë libër duket e thjeshtë.

Një shkrimtar i ri, Antonio Bandini që bie në dashuri me një kameriere, Kamilën. Por përtej thjeshtësisë në dukje të këtij subjekti që na vjen nga shekulli XIX, kjo është historia e përballjes së shkrimtarit me personazhin e tij. Antonio Bandini nuk është thjesht personazhi i këtij libri, por dhe shkrimtari. Ai duhet të zgjedhë mes dashurisë me vajzën që çdo ditë e më tepër po futet në jetën e tij dhe shkrimit. “Nëse do të bëhesh shkrimtar duhet të kuptosh mirë diçka. Ti ose do të krijosh përvoja të mëdha të jashtëzakonshme duke i shkruar, ose duke i jetuar… nuk mund t’i kesh të dyja…”, këto fjali i orvateshin në mendje Bandinit, teksa priste që Kamila t’i shfaqej me atë buzëqeshjen e saj në atë bar në Los Anxhelos. Ai duhet të zgjidhte, në duhej të rendte drejt saj ose të mbyllej në dhomën e hotelit e të shkruante. Mund ta jetonte këtë histori përmes përfytyrimit, ose duke e marrë Kamilën përdore të veshur me këpucët e saj të bardha dhe të bënin dashuri deri vonë në plazhin që nuk ishte larg prej andej. Ai duhet të zgjidhte…

Në këtë përballje personazhesh nuk ke si të mos trishtohesh për Kamilën. Ajo nuk e di se është thjesht një krijesë imagjinare e një shkrimtari, i cili ashtu siç e krijoi me të njëjtën lehtësi dhe mund ta ndalojë jetën e saj. Ajo do pa e ditur se është në një libër, pa e ditur kufirin mes realitetit dhe imagjinatës, teksa kapërcen mbrëmjeve dritaren për të mbërritur në dhomën e tij. Ajo është e jashtëzakonshme në mënyrën sesi dashuron dhe po aq e tillë në dinjitetin e saj. Ajo ishte prova e shkrimit për Antonio Bandinin, por ajo nuk u soll si një provë, ajo e sfidoi jo vetëm personazhin, por edhe shkrimtarin. Në galerinë e pafundme të personazheve që jetojnë në letërsinë botërore, unë zgjedh Kamila Lopez. Jo për fustanet e saj me rrudha, as për dashurinë për detin, por për kurajën për ta dashur jetën, dhe pse fati i saj ishte destinuar që kur Fante e krijoi.

Ai e shfaqi Kamilën, për të vendosur para provës një shkrimtar të ri dhe për ta larguar nga jeta e tij kur libri të përfundonte. Vdekja e saj në fund të librit, është ndëshkimi që Fante i bëri Antonio Bandinit, pasi shkeli rregullin që s’duhet ta bëjë një shkrimtar, “të dashurojë personazhin e tij”. “Mos bjer asnjëherë në dashuri me personazhin”, kështu do t’i përgjigjej John Fante, pyetjes së Bukowski-t kohë më pas, se përse e kishte ndëshkuar kaq fort Arturo Bandinin te romani “Pyet pluhurin. Ky personazh do të na ndiqte John Fante-n gjatë gjithë jetës, si hija e një krijese që duhet ta kishte lënë në jetë. Ajo vazhdon të jetë sot si joshja më e bukur, drejt shkrimit, por dhe si frika që orvatet shpesh në trupin e një krijuesi, kur një personazh i zbret nga libri dhe i shfaqet në jetë… Kamila është gjithnjë aty, si një kujtesë për të mos harruar fatin që e pret…

Debat për ndryshimin e rregullores të dekoratave

0

Në organizim të Kryesuesit të Kuvendit të Prizrenit, Kujtim Gashi, sot është mbajtur një debat me qytetarë rreth plotësimit dhe ndryshimit të projektrregullores për Dekoratat nga Komuna e Prizrenit. Pjesë e këtij debati përveç disa qytetarëve ishin edhe këshilltarë të Kuvendit Komunal të Prizrenit. Para të pranishmëve, Kryesuesi Kujtim Gashi, tha se qëllimi i kësaj rregulloreje është që të përcaktoj procedurat, kriteret dhe llojet e dekoratave të cilat komuna e Prizrenit i ndanë për individët dhe subjektet, të cilët japin kontribut për qytetin e Prizrenit dhe më gjërë.

Ndërkaq, kuvendarët Getoar Besimi, Alush Shala dhe disa të tjerë, kërkuan që në këtë rregulloren në fjalë të përfshihen edhe propozimet e më shumë organizmave përfshirë edhe grupet e qytetarëve. Drita Millaku, tha ndërkaq përveç tjerash, që të drejtën e propozimeve për përzgjedhjen e lauretavë të dekoratave të ushtrojnë edhe këshilltarët e Kuvendit Komunal.

Ndryshe, rreth kësaj projektrregullore e cila është diskutuar në trajnime të shumta nga organizata të ndryshme, kontribut rreth plotësimit dhe ndryshimit të projektrregullores ka dhënë edhe këshilltari , Skender Susuri. Kjo projektrregullore para se të miratohet do të shqyrtohet nga organi më i lartë legjislativ në Prizren/tv prizreni/