14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Mustafa: Jam i gatshëm për dialog pa kushte

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i gatshëm të bisedojë me opozitën për të dalë nga situata aktuale, por pa kushte dhe ultimatume.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Mustafa ka deklaruar se marrëveshja për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi nuk do të negociohen.

“Këto marrëveshje nuk negociohen. Për Asociacionin do ta jap opinionin e vet Gjykata Kushtetuese, kurse për marrëveshjen për shënjimin e kufirit mund të thirren ekspertë ndërkombëtarë që, së bashku me pozitën dhe opozitën, të japin ekspertizë për procedurat dhe dokumentacionin. Në çdo kohë jam i gatshëm të ulem të bisedoj me opozitën, por pa kushte dhe pa ultimatume”, ka thënë Mustafa.

Ai ka bërë me dije se vendimin për këto marrëveshje nuk e kanë marrë qytetarët, por përfaqësuesit e qytetarëve.

Mustafa ka përsëritur se për Asociacionin e komunave serbe vendimin e ka marrë Kuvendi i Kosovës me 84 vota, kurse për shënjimin e kufirit me Malin e Zi komisioni qeveritar ka punuar gati tre vjet. Ai ka thënë se qeveria vetëm se po e zbaton ligjin, duke shtuar se partitë opozitare nuk mund t’i thonë qeverisë mos e zbato ligjin. Ndërkaq, duke folur për suspendimin e opozitës nga Kuvendi, shefi i ekzekutivit ka theksuar se deputetët opozitarë me format e veprimit vetvetiu po e përjashtojnë veten nga seancat e Kuvendit.

“Meqenëse seancat nuk mund të mbahen në kushtet e tymit e të gazit lotsjellës, atëherë mbesin vetëm dy alternativa: ose të shkojë shumica në shtëpi, mbi 2/3 e Kuvendit dhe opozita që e përfaqëson pakicën t’i përcaktojë rregullat, ose shumica të mbajë takime, kurse ata që i kanë mbushur xhepat me gaz lotsjellës dhe bombola me sprej, të rrinë jashtë përderisa të mos vetëdijesohen se kuvendi nuk është arenë për të ushtruar rezistencë ndaj gazit lotsjellës, sprejit kimik, vezëve dhe veglave të tjera”, ka deklaruar Mustafa, duke shtuar se seancat plenare po mbahen jo në mënyrë normale për shkak se shteti duhet të funksionojë me çdo kusht.

Mustafa u ka dhënë përgjigje edhe opozitës dhe të tjerëve që qeverinë e drejtuar nga ai e krahasojnë me atë të Millosheviqit.

“Ajo çfarë duket qartë, është se dikujt Millosheviqi iu ka ngulitur në kokë. Edhe Serbia! Nëse lexohen shumë shkrime e komente, shihet një prirje e pakuptimtë që e vërteta të përcaktohet mbi atë se çfarë thotë Serbia, çfarë deklarojnë pushtetarët dhe njerëzit atje. Referimi në pasqyrën serbe flet se dikush ende nuk e ndjen vetën të çliruar, se është i robëruar nga millosheviqizmi dhe Serbia, se nuk e vëren shtetin e vet, nuk e pranon pavarësinë dhe atë dëshiron ta shkelë me dhunë. Qeveria nuk ka hyrë në Kuvend të hedhë gaz lotsjellës. Partitë që janë në pozitë nuk mbajnë në selitë e tyre maska të zeza, maska ushtarake, plumba gome, shishe me koktej molotovi, gaz lotsjellës, sprej për t’i neutralizuar njerëzit e tjerë. Këto janë gjetur në selinë e VV-së, e cila bën krahasime të tilla. Sa iu përket ‘njohësve të tjerë të proceseve politike’, disa prej tyre e njohin veten si piroman politik, janë të revolucionit të vonuar, marrin krejt nga ky shtet, por shkrepësen e mbajnë në dorë”, ka thënë ai.

Më tutje, kryeministri ka thënë se veprimet e opozitës janë duke e penguar edhe zbatimin e planit qeveritar. Ai ka thënë se sjelljet e opozitës në Kuvend mund ta dëmtojnë edhe procesin për liberalizimin e vizave.

“Natyrisht se pengesat janë evidente. Çdo gjë po u faturohet qytetarëve të Kosovës. Ngecja, për shembull në aprovimin e ligjeve, është e dëmshme”, është shprehur Mustafa.

Kryeministri Mustafa ka folur edhe për vizitën e sekretarit amerikan John Kerry. Ai ka thënë se porositë e kryediplomatit amerikan kanë qenë të qarta për të gjithë. Sipas tij, edhe Kosova duhet të ketë përgjegjësi ndaj përkushtimit amerikan.

“S’ka dyshim se vendi ynë është nderuar në mënyrë të veçantë me këtë vizitë. Sekretari Kerry, edhe përkundër agjendës shumë të ngjeshur, ka zgjedhur ta vizitojë vendin tonë. Kjo flet për përkushtimin që ka SHBA-ja për Kosovën, në anën tjetër edhe për përgjegjësinë që ka dhe duhet të ketë Kosova ndaj një përkushtimi të tillë. Ishte porosi e qartë se SHBA-ja e ka përkrahur Kosovën, se ka investuar shumë në Kosovë, gjatë dhe pas luftës, dhe se nuk do të lejojë të rrezikohet asgjë nga pavarësia dhe sovraniteti i Republikës së Kosovës”, është shprehur Mustafa./Epoka e Re

Më Shumë

25 vjet nga Masakra e Korishës së Prizrenit

Sot janë bërë 25 vjet nga Masakra e Korishës së Prizrenit. Për të shënuar këtë ditë sot nga ora 11:00, do të mbahet manifestim përkujtimor...

Rikthehet Superliga: Ballkani kërkon fitoren për t’iu afruar titullit, Drita e Llapi presin ‘gabimin’ e suharekasve

Sot do të rikthehet Superliga, ku do të zhvillohet java e 34-të. Lideri Ballkani do të ketë punë në shtëpi me skuadrën që tashmë është...

Lajmet e Fundit