11.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Babai i viktimës nga Reshtani: Kërkoj të ndalet gjakderdhja në këto familje

Eksperti mjeko-ligjor dhe nëna e dy të akuzuarve për vrasjen e Burim Kryeziut dëshmuan në të njohurin si rast i Reshtanit.

Eksperti mjeko-ligjor Naim Uka u ftua që të dëshmojë sërish, ngase gjatë dëshmisë së tij të mëparshme, të dhënë më 15 tetor, nuk i i ishhte përgjigjur një pyetjeje.

Dëshminë tij të sërishme e kishin kërkuar në seancën e 11 nëntorit prokurorja Ervehe Gashi dhe mbrojtësja e të akuzuarit Enver Kryeziu, Kosovare Kelmendi.

Në rastin e Reshtanit ku pas një rrahjeje mes dy vëllezërve, fëmijëve dhe dajallarëve të tyre më 2 gusht të vitit 2012 vdiq Burim Kryeziu, për vrasjen e tij akuzohen Enver e Artan Kryeziu dhe Fadil Shala.

Në seancën e së enjtes prokurorja ia shtroi mjekut ligjor Naim Uka pyetjen në të cilën nuk kishte marrë përgjigje më 15 tetor. E pyeti ku ndodhet baza e kafkës.

“Bazën e kafkës nuk mundem me ua demonstruar, pasi e njëjta nuk shihet me sy pa u intervenuar në kokë, por e njëjta gjendet pasi që të hapet pjesa e sipërme e kokës, hiqet indi trunor, atëherë kemi bazën e kafkës,” tha eksperti mjeko-ligjor Naim Uka.

Pyetjet e avokatëve për ekspertin nuk mundi t’i durojë Nuhi Kryeziu, babai i të mbytyrit Burim Kryeziu.

Ai kërkoi nga gjykata të mos lejojë gjakderdhje të re mes këtyre dy familjeve.

“Unë kërkoj nga trupi gjykues që ta ndalojë edhe një gjakderdhje tjetër në këto familje, ta përmbyllë lëndën sa më shpjet, pasi jam unë që kam humbur djalin 30 vjeçar,” tha i përlotur në seancë babai i viktimës.

Pastaj dëshmoi Naxhije Kryeziu, nëna e të akuzuarve për vrasje Enver e Artan Kryeziu që fajin për nisjen e rrahjes ua la anëtarëve të familjes së Nuhi Kryeziut.

Në gjykatën themelore në Prizren, ka vazhduar rigjykimi ndaj Fadil Shalës, Enver e Artan Kryeziut, të cilët akuzohen për vrasjen e Burim Kryeziut, me 2 gusht të vitit 2012.

Babai i viktimës, Nuhi Kryeziu, në seancë, kishte një kërkesë nga trupit gjykues, që të mos lejoj gjak derdhje tjetër në këto familje.

Ajo tha se ditën kritike ka ardhur Bajrami (vëllai i Fadil Shalës) mysafir në shtëpinë e tyre dhe në një moment djemtë e Nuhi Kryeziut kanë dalë në mur duke bërtitur dhe e sharë Bajramin.

“Kur Bajrami është ulur në oborr me djemtë e mi, në një moment mbi mur kanë qenë djemtë e Nuhi Kryeziut duke bërtitur dhe duke e sharë Bajramin. Ata i kanë thënë Bajramit se kena me të mbyt,” tha dëshmitarja.

Ajo tha se pas këtij problemi e ka thirrur axhën e Bajramit Izet Shalën që të vijë ta marrë Bajramin dhe këtu ka nisur përleshja.

“Unë e kam pa Bajramin me një dru ne dorë dhe në atë moment i kam mbyllur sytë dhe kur i kam hapur sytë, e kam pa të rrëzuar për tokë të ndjerin Burim,” tha dëshmitarja.

Por dëshminë e saj e kundërshtoi përfaqësuesi i të dëmtuarit avokati Hajrip Krasniqi.

“Për neve si palë e dëmtuar deklarata e saj mund të jetë subjektive, pasi ajo është nënë e atyre bijve dhe është grua e atij bashkëshorti. Nuk mund t’i jepet besim një deklarate të tillë në një relacion të tillë, çfarë e kanë të akuzuarit me këtë dëshmitare,” tha Krasniqi.

Avokati i Fadil Shalës propozoi përsëri që të mbrojturit të tij t’i bëhet ekzaminim neuropsikiatrik, një gjë që u kundërshtua nga avokati i të dëmtuarve.

“Me këtë propozim aludohet në përfundim dhe rikualifikim juridik të veprës, se kinse e njëjta është kryer në gjendje të afektit mendor, andaj ne si palë e dëmtuar një propozim të tillë e kundërshtuam, ngase nuk janë mbështetur me prova eventuale të bazuara që kishin me arsyetuar një kërkesë të tillë,” tha avokati Krasniqi.

Fadil Shala ishte shpallur fajtor për vrasjen e Burim Kryeziut dhe ishte dënuar me 15 vjet burg, ndërsa të akuzuarit Enver e Artan Kryeziu, ishin dënuar me nga 13 vjet burg, por Gjykata e Apelit, e kishte kthyer në rigjykim këtë rast, pasi që kishte gjetur shkelje procedurale, ndërsa ndaj 12 të akuzuarve tjerë ishte vërtetuar dënimi nga kjo gjykatë.

Seanca e ardhshme u caktua për 28 dhjetor./kallxo.com/

Më Shumë

27-vjeçari nga Kosova përplas për vdekje këmbësorin në Rrugën e Kombit

Një shofer nga Kosova ra në prangat e policisë në Kukës pasi përplasi për vdekje një person. Burime zyrtare të policisë bëjnë të ditur...

Veshja Tradicionale e Hasit 1980 & 2024

Antropologia amerikane, Janet Reineck, e cila merret me kulturën dhe trashëgiminë shqiptare, ka publikuar fotografi të veshjeve tradicionale të rajonit të Hasit. Përmes fotove...

Lajmet e Fundit