Home Blog Page 6894

AGK dënon pengimin e gazetarëve nga kryetari i Suharekës

0

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pranuar me shqetësim njoftimin se gazetarët Uran Haxha nga Koha.net dhe Brahim Thaçi nga TherandaPost, janë penguar nga kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj për ta kryer detyrën e tyre.

Sipas ankesës që ka pranuar Asociacioni i Gazetarëve, Kreu i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, përmes zëdhënësit të tij, sot, nuk i ka lejuar dy gazetarët që ta përcjellin konferencën për shtyp të fundvitit, por as të kenë qasje në ndërtesën e komunës, me arsyetimin se nuk e kanë pasqyruar drejt punën në komunë.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e dënon këtë akt duke e cilësuar, shkelje flagrante të së drejtës për qasje në informacion dhe në kundërshtim me vlerat e përgjithshme të lirisë së shtypit dhe shprehjes”, thuhet në reagimin e këtij asociacioni.

AGK thekson se gazetarët duhet të jenë të lirë ta ushtrojnë profesionin e tyre dhe të raportojnë objektivisht për gjërat që janë në interes të publikut, pavarësisht nëse lajmi mund të mos i pëlqejë kryetarit të komunës.

“Përpjekja për t’ua imponuar gazetarëve se çfarë të shkruajnë, është tendencë për kontrollin e informatës dhe për mbytjen e fjalës së lirë. Mbyllja dhe jotransparenca në raport me gazetarët, cënon të drejtën e qytetarëve që të jenë të informuar lidhur me menaxhimin e taksave të tyre”, theksohet në reagimin e tij.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës inkurajon kreun e komunës së Suharekës që për çdo pakënaqësi t’i drejtohet organeve kompetente, por assesi t’ua pamundësojë gazetarëve ta kryejnë punën e tyre, pasi kjo paraqet edhe shkelje të të drejtave elementare të njeriut.

Asociacioni inkurajon gazetarët që të mos heqin dorë nga e drejta e tyre për t’i informuar qytetarët për qeverisjen komunale.

Sali Asllanaj nuk i lejon dy gazetarë në konferencë për shtyp në komunë

0

Dy gazetarë u ndaluan sot ta përcjellin konferencën e fundvitit të kryetarit të komunës së Suharekës.

Kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj, u ka ndaluar sot dy gazetarëve lokalë që ta përcjellin konferencën e tij për shtyp, të fundit për këtë vit.
Brahim Thaqi nga portali Theranda Post dhe Uran Haxha nga Koha Ditore u ndaluan që të hyjnë në ndërtesën e komunës. Për ta bërë këtë, Asllanaj kishte udhëzuar zëdhënësin e komunës.

Ai tha për KALLXO.com se gazetarët e Theranda Post janë të padëshirueshëm në zyrën e tij pasi që ky medium lokal, sipas tij, për dy vitet të qeverisjes “nuk e ka pasqyruar drejt punën në komunë.

Për këtë ka pësuar edhe Uran Haxha i cili, sado që aktualisht punon në gazetën “Koha Ditore”, më parë ka qenë pjesë e portalit lokal Theranda Post.

“Unë i kam sugjeruar shefit të zyrës për informim që të mos i lejojë ata që të marrin pjesë, për shkak se ata për dy vjet rresht, asnjë pasqyrim objektiv të komunës nuk e kanë bërë”, tha kryetari i komunës së Suharekës.

Ndërsa gazetari Brahim Thaqi tha për KALLXO.com se veprimi i Asllanajt është skandaloz.

“E drejta jonë është me u informu. Ne sot jemi provuar nga e drejta për informim, kjo e shkel të drejtën universale për të drejtat e njeriut, të drejtën për të marrë informata, të drejtën për të dhënë opinione dhe të drejtën që ta shprehim edhe mendimin tonë. Ne nuk shkuam as me zor. Ata vetë na ftuan edhe vetë na përjashtuan”, tha Thaqi.

Por, ai tha se do të vazhdojë punën në raportime nga komuna.

Gjatë konferencës për shtyp, Asllanaj e konsideroi “të suksesshëm” vitin 2015 për komunën e Suharekës si në rritjen e shërbimeve të administratës për qytetarët, ashtu edhe në ngritjen e të hyrave vetanake.

Mosfunksionimi i samaforëve shkakton tollovi në Prizren (Foto)

0

Në udhëkryqin që ndodhet në rrugën “Uilliam Uoker” tek “Ura e Xhevrijes” në Prizren, në të cilin qarkullojnë automjete të shumta, prej kohësh nuk janë duke punuar semaforët, me ç’rast po krijohen edhe tollovi të shumta që po e pengojnë në masë të madhe qarkullimin normal të automjeteve në këtë pjesë të qytetit.

Po t’ia shtosh kësaj edhe punimet nëntokësore që janë duke u zhvilluar në këtë rrugë, në afërsi të këtij udhëkryqi, kolonat e gjata të automjeteve tashmë janë bërë përditshmëri në këtë fundvit.

Si pasojë e kësaj gjendje të krijuar, në këtë udhëkryq edhe aksidentet e shumta janë të pashmangshme, shkaku i ç’orientimit të vozitësve për shkak të mungesës së funksionimit të semaforëve dhe tollovisë së automjeteve në rrugë për shkak të punimeve.

Dikush duhet të merret seriozisht me këtë problematikë, sepse komunikacioni në Prizren tashmë është ngarkuar edhe nga automjetet e bashkëatdhetarëve, të cilët kanë ardhur në vendlindje me rastin e festave të fundvitit. /TV Prizreni

Prizren-udhekryqi1 Prizren-udhekryqi

‘The Voice of Albania’ nis më 8 janar

0

Tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e edicionit më të ri të “The Voice of Albania”.

Sipas faqes zyrtare të këtij spektakli, bëhet e ditur se audicionet e fshehura do të fillojnë më 8 dhe 9 janar, me transmetim në Top Channel, në orarin e rregullt prej orës 21:00.

Trajnerët e këtij edicioni, sikurse ka shkruar më herët KultPlus janë në përbërje të: Sidrit Bejlerit, Alma Bektashit, Genc Salihut dhe Jonida Maliqit, ku kjo e fundit është inkuadruar për herë të parë në rolin e trajneres në këtë ngjarje të shumëpritur.

Fyen dhe pengon policët në stacion – prangoset

0

Një person ka përfunduar në pranga, pasi që në Stacion Policor në Rahovec ka fyer dhe ka penguar policët në detyrë.

I dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Edhe në Prizren është arrestuar një person me urdhër të gjykatës, i cili është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com

Aksident në Prizren – katër të lënduar

0

Një aksident trafiku në mes të dy automjeteve ka ndodhur në Prizren.

Policia bën të ditur se si pasojë e aksidentit përveç dëmeve materiale lëndime trupore kanë pësuar dy drejtuesit dhe dy pasagjerë.

Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor dhe më pas janë liruar në shtëpi. /PrizrenPress.com

Koncert në kujtim të klarinetistit Qazim Bobaj

0

Në mbrëmjen e së martës do të mbahet një koncert që i dedikohet profesorit Qazim Bobaj i cili ka vdekur në vitin 1995.

Ky koncert prezantohet nga Orkestra Frymore dhe do të nis në ora 17:00 në Filharmoninë e Kosovës.

Nuk është hera e parë që në Kosovë organizohen koncerte me dedikim për klarinetistin Qazim Bobaj.

Qazim Bobaj-koncert

Me 9 janar do kërkohet edhe dorëheqja e Qeverisë

0

Opozita e bashkuar nga nëntë janari do të fillojë të kërkojë dorëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa. Sipas opozitarëve Mustafa nuk ka më vend si i pari i Qeverisë prejse Kushtetuesja e vlerësoi se Asociacioni është në kundërshtime me frymën kushtetuese.

Në protestën e nëntë janarit, të cilën do ta organizojë Opozita e bashkuar, do të kërkohet edhe dorëheqja e Qeverisë së Kosovës, ka thënë në një konferencë për media, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, njofton Klan Kosova.

Por, jo vetëm me nëntë janar, dorëheqjen e Mustafës me ministrat e tij Ymeri tha se do ta kërkojnë tash e tuje vazhdimisht, në secilën protestë që do ta organizojnë.

Madje, Ymeri tha se kjo as që është dashur të kërkohet, sepse, sipas tij, Mustafa do të duhej të largohej nga posti i Kryeministrit në momentin që Gjykata konstatoi se parimet e përgjithshme të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nuk janë në një frymë me Kushtetutën e Kosovës.

Albini mbetet në arrest shtëpiak

0

Ish lideri i Vetëvendosjes do të qëndrojë në arrest shtëpiak, të paktën, deri më 17 shkurt.

Deputetit të Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti, i është vazhduar arresti shtëpiak.

Këtë lajm e konfirmoi për KALLXO.com avokatja e Kurtit e caktuar sipas detyrës zyrtare, Hedije Ademi.

Nën këtë masë të sigurisë atij do t’i duhet të qëndrojë deri më 17 shkurt të vitit të ardhshëm.

Deputeti dhe ish lideri i Vetëvendosjes është arrestuar më 28 nëntor në Prishtinë pasi kishte marrë pjesë dhe kishte mbajtur fjalim në një tubim të opozitës në qendër të Prishtinës.

Ndaj tij është ngritur aktakuzë për shkak të dyshimeve për hedhje të gazit lotsjellës në sallë të Kuvendit të Kosovës, gjatë seancave të Kuvendit.

Fillimisht ndaj Kurtit ishte caktuar masa 30 ditëshe e paraburgimit, por më vonë kjo masë është zbutur në arrest shtëpiak.

Presioni ‘Special’ i Kosovës

0

Kosova ndjen presionin për Gjykatën Speciale

Plani i mbështetur nga BE-ja për të ngritur një gjykatë speciale për gjykimin e zyrtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte vazhdoi të shkaktonte reagime të zemëruara nga kundërshtarët e saj gjatë të gjithë vitit 2015.

Deputetët e Kosovës në vitin 2014 votuan për ratifikimin e një marrëveshje me Brukselin për ngritjen e një gjykate të re speciale e cila synon të ndjekë penalisht ish-luftëtarët e UÇK-së për krime të rënda të kryera gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999 me forcat serbe, por polemikat mbi këtë çështje vazhduan të ziejnë gjatë të gjithë vitit 2015.

Kundërshtarët e Gjykata Speciale thonë se ajo do të shënjestrojë në mënyrë të padrejtë heronj kombëtarë që luftuan për lirinë e Kosovës nga sundimi serb, do të dëmtojnë imazhin e një “luftë të drejtë” dhe nga ajo do të përfitojnë armiqtë e vendit.

Disa gjithashtu u shprehën se sovraniteti i Kosovës do të vihet në rrezik sepse dhomat e gjykatës do të jenë pjesërisht të vendosura në Holandë, për t’u siguruar që ato të mund të punojnë në mënyrë të pavarur dhe pa ndërhyrje.

Plani hasi probleme në qershor, kur deputetët nuk arritën të miratonin ndryshimet kushtetuese që synonin t’i hapnin rrugë themelimit të gjykatës dhe qindra veteranë protestuan kundër saj.

Kjo çoi në rritjen e presionit nga ana e mbështetësve ndërkombëtarë të Kosovës.

“Nëse nuk e krijoni vetë këtë gjykatë, nëse nuk ndërmerrni hapat tuaja për të vënë drejtësi, këtë gjë do ta bëjë komuniteti ndërkombëtar në vendin tuaj,” paralajmëroi diplomatja amerikane Viktoria Nuland gjatë vizitës së saj në Kosovë në muajin korrik.

Ligji prej 50 faqesh mbi Dhomat Speciale dhe Zyrës e Prokurorit të Posaçëm, i cili u negociua midis BE-së dhe Kosovës, u miratua më në fund në gusht, pas muajsh të tërë vonesash.

Tre partitë opozitare që kundërshtuan ashpër gjykatën e re, Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, bojkotuan raundin e dytë të votimeve.

Gjykata Kushtetuese në Prishtinë më pas refuzoi një kërkesë nga tre partitë për të rishqyrtuar themelimin e gjykatës.

Sipas legjislacionit, ‘dhomat speciale’ do të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë në vend, por do të jenë të pavarura nga gjyqësori i Kosovës.

Ato do të ndodhen në Kosovë, por gjithashtu në të ashtuquajturin ‘shtet pritës’ – Hollandë – dhe do të kenë juridiksion mbi krimet e kryera midis 1 janarit 1998 deri më 31 dhjetor 2000.

Gjykata pritet të dëgjojë çështje që rrjedhin nga një raport i Task Forcës Hulumtuese Speciale të BE-së, i cili tha se zyrtarë të paidentifikuar të UÇK-së kryen një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës që besoheshin të ishin bashkëpunëtorë me regjimin e Beogradit. Në krimet e tyre të dyshuara përfshihen vrasje, rrëmbime, burgosje të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Raporti implikonte Ministrin e Jashtëm Hashim Thaçi, i cili ishte kreu politik i UÇK-së gjatë konfliktit me forcat serbe, por ai ka mohuar me vendosmëri çdo akuzë.

Në shtator Thaçi tha se Prishtina “nuk ka asgjë për të fshehur” nga gjykata e re, por refuzoi të spekulojë për të paditurit e mundshëm.

Në dhjetor, kryeministri Isa Mustafa më në fund lajmëroi atë që pritej prej shumë kohësh – se Hollanda do të jetë vendi pritës për gjykatën.

Marrëveshja nuk u bë publike, por sipas të përditshmes “Koha Ditore” në Prishtinë, pika më e vështirë e bisedimeve ishte çështja e përgjegjësisë ndërkombëtare në rast ankesash për shkelje të të drejtave të njeriut.

Holanda refuzoi të marrë përsipër ndonjë përgjegjësi nëse ankesa të tilla përfundojnë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg apo në Komitetin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.

Megjithatë, marrëveshja me Holandën duhet ende të miratohet nga dy të tretat e parlamentit të Kosovës.

Protesta dhe përfitime

Viti 2015 filloi me protesta nga shqiptarët e Kosovës të cilët kërkonin shkarkimin e një ministri serb në qeveri, Aleksandër Jablanoviç, i cili u akuzua se kishte ofenduar viktimat e luftës.

Jablanoviç shkaktoi zemërim kur ai i quajti “njerëz të egër” shqiptarët që nuk lejuan pelegrinët serbë të vizitonin një kishë në qytetin e Gjakovës gjatë Krishtlindjeve ortodokse.

“Njerëz të egër në Gjakovë i kanë shkatërruar festën njerëzve që erdhën në shtëpitë e tyre që u dogjën pas luftës në vitin 1999,” tha Jablanoviç.

Protestuesit shqiptarë e qëlluan me akull autobusin që transportonte pelegrinët serbë, duke pretenduar se disa prej tyre kishin marrë pjesë në krimet e luftës gjatë konfliktit të vitit 1998-1999.

Jablanoviç kërkoi falje për ofendimin, por u shkarkua nga kryeministri Mustafa më 3 shkurt.

Disa protesta u mbajtën edhe nga ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që kërkonin pensione veteranësh që iu ishin premtuar nga shteti.

Në shkurt, një komision verifikimi i qeverisë njoftoi se kishte 23,684 veteranë lufte të UÇK-së – një shifër shumë më e vogël se 65,000 personat që aplikuan për të marrë statusin e veteranit.

Por vetëm në tetor autoritetet filluan të jepnin certifikata për veteranët e UÇK-së, e cila do të mund t’i lejojë ata të aplikojnë për pensione. Një veteran lufte i papunë do të marrë 170 euro në muaj.

Varrime dhe dënime

Në prill, njerëzit në fshatin Rezallë varrosën 28 trupa viktimash lufte që u zhvarrosën vitin e kaluar nga një varr masiv në jug të Serbisë. Gjatë vitit 2015, në Kosovë u riatdhesuan eshtrat e 54 viktimave të luftës.

Eshtrat u gjetën në një varr masiv në rajonin jugor të Rashkës në Serbi dhe ishin larguar nga Kosova në vitin 1999 si pjesë e një tentative për të mbuluar krimin.

Në janar, Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd publikoi një raport duke pohuar se shefi aktual i Ushtrisë Serbe Ljubisa Dikoviç, si komandant i Brigadës së 37-të të Ushtrisë Jugosllave gjatë konfliktit në Kosovë, ishte përgjegjës për vrasjet dhe largimin më pas të trupave të vdekur nga Rezalla.

Dikoviç ka mohuar të ketë kryer krime lufte dhe presidenti Tomislav Nikoliç këmbënguli se gjenerali ishte “një oficer i nderuar i Ushtrisë Serbe”.

Në nëntor, ai vizitoi Prishtinën për të nënshkruar një marrëveshje me NATO-n për të hequr kufizimet ajrore që u imponuan në vitin 1999, duke shkaktuar kështu zemërim midis viktimave të luftës.

“Kjo është një shkelje e dinjitetit të viktimave,” tha Bekim Blakaj nga zyra e Qendrës për të Drejtën Humanitare në Prishtinë.

Në maj, dy ish-anëtarë të lartë të celulës “Grupi i Drenicës” i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku dhe Sylejman Selimi, u dënuan për krime kundër civilëve gjatë konfliktit të viteve 1998-1999.

Lushtaku, kryebashkiaku i qytetit të Skenderajt në Kosovë, u dënua për vrasje dhe Selimi, ish-ambasador i Prishtinës në Shqipëri dhe ish-kreu i Forcës së Sigurisë së Kosovës, u shpall fajtor për torturimin e një të burgosuri civil.

Lushtaku u dënua me 12 vjet burg dhe Selimi me gjashtë vjet, pas një gjyqi të profilit të lartë që u shoqërua me protesta kundër ndjekjeve penale të ish-luftëtarëve UÇK-së dhe një arratisje nga burgu i tre të pandehurve. Nëntë persona të tjerë u dënuan gjithashtu në gjyq.

Në nëntor, gjykata e apelit në Prishtinë hodhi poshtë apelet nga tre ish-luftëtarë të UÇK-së të njohur si “Grupi i Llapit” – përfshirë edhe dy deputetë aktualë – të cilët ishin dënuar në vitin 2013 për torturimin e të burgosurve gjatë kohës së luftës.

Latif Gashi, një deputet nga Partia Demokratike të Kosovës (PDK), partia qeverisëse, u dënua me gjashtë vjet burg, ndërsa Rrustem Mustafa, gjithashtu deputet i PDK-së, u dënua me katër vjet burg. I pandehuri i tretë, Nazif Mehmeti, u dënua me tre vjet burg.

Refuzim në Paris

Pas fushatash intensive lobimi si nga Prishtina ashtu edhe nga Beogradi, kërkesa e Kosovës për t’iu bashkuar UNESCO-s dështoi kur kjo kërkesë nuk mori mjaftueshëm vota në konferencën e përgjithshme të organit kulturor në Paris në nëntor.

Ministri i jashtë Hashim Thaçi tha pas votimit se Prishtina do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare, përfshirë UNESCO-n.

Por presidenti serb Tomislav Nikoliç e përshkroi votimin si një triumf për vendin e tij, i cili nuk do që pretendimi për pavarësi i ish-provincës së tij të pranohet në botë.

“Kjo është një fitore e justifikuar dhe morale në kushte pothuajse të pamundura,” tha Nikoliç.

Midis turbullirave të mëdha politike brenda Kosovës, me deputetët e opozitës që ndërpresin vazhdimisht seancat parlamentare në shenjë proteste ndaj marrëveshjeve të mbështetura nga Brukseli me Serbinë, dhe dështimin e Prishtinës për të siguruar liberalizimin e vizave me BE-në, ky ishte një fund vit zhgënjyes për autoritetet. /Kallxo.com