Home Blog Page 6907

Kurti e Haxhiu në arrest shtëpiak

0

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka ndryshuar masën e paraburgimit me arrest shtëpiak për Albin Kurtin dhe Albulena Haxhiun
“Kolegji prej tre gjyqtarësh ka vendosur që masa e paraburgimit në rastin e, tani të pandehurve, Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, të ndryshohet me masën e arrestit shtëpiak.

Gjykata Supreme duke vendosur lidhur me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtësve të të pandehurve Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu, ka aprovuar pjesërisht kërkesën dhe ka ndryshuar aktvendimin e formës së prerë, ashtu që ndaj të pandehurve ka ndërprerë masën e paraburgimit dhe u ka caktuar arrest shtëpiak. Të pandehurit Albin Kurti, masa e arrestit shtëpiak do t’i zgjasë deri me datën 28.12.2015, ndërsa të pandehurës Albulena Haxhiu, masa e arrestit shtëpiak do t’i zgjasë deri me datën 07.01.2016”, thuhet në kumtesë.

Puna e QRTK-së në Prizren

0

Drejtori i QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha ka prezantuar punën që është bërë gjatë vitit 2015-të.

“Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, gjatë periudhës njëvjeçare, duke u bazuar në Planin vjetor të punës, në përputhje me mandatin, ka realizuar një varg aktivitetesh, për të cilat dua që në veçanti të falënderoj bashkëpunëtorët e QRTK-së, për angazhimet e tyre gjatë këtij viti”, ka thënë Hoxha.

Do përpiqem që në mënyrë telegrafike të pasqyroj disa nga të arriturat dhe aktivitetet e QRTK-së, në Prizren për vitin (2015)

• Përmbyllja e procesit të inventarizimit të trashëgimisë kulturore të paluajtshme në regjionin e Prizrenit, bazuar në politikat programore të MKRS për vitin 2015;
• Përgatitja, kontrollimi dhe plotësimi i dokumentacionit për propozim listën e trashëgimisë kulturore për mbrojtje të përkohshme, për vitin 2015 sipas udhëzimeve të MKRS-së;
• Futja e 16 monumenteve në mbrojtje të përkohshme në rajonin që mbulon QRTK- Prizren;
• Përgatitja materialit dokumentues për 105 objekte të ndryshme dhe futja e të dhënave në ueb faqe të MKRS-së, për objekte të inventarizuara në Prizren dhe rajonin që mbulon QRTK;

• Në Prizren është kompletuar dokumentacioni për 55 objekte:
• Në rrethinën e Prizrenit për 9 objekte,
• Në Komunën e Rahovecit për 17 objekte,
• Në Komunën e Malishevës për 5 objekte,
• Në Komunën e Dragashit për 9 objekte,
• Në Komunën e Suharekës për 10 objekte,
• Gjatë vitit 2015 QRTK në Prizren, ka shqyrtuar 92 kërkesa të ndryshme dhe ka dhënë 72 pëlqime. Prej tyre 45 kërkesa për në Qendrën Historike të Prizrenit, ndërsa 27 në Zonën e Mbrojtur;
Në Qendrën Historike të Prizrenit prej 45 pëlqimeve të lëshuara nga QRTK – Prizren :
– 28 janë për ndërtim – restaurim, pëlqimet janë dhënë sipas vendimeve të komisionit për shqyrtimin e lëndëve të MKRS-së,
– 17 pëlqime janë dhënë për renovime – renovimi i kulmit, fasadës, ndërrimi i vitrinës. etj.
Në Zonën e Mbrojtur prej 27 pëlqimeve të lëshuara:
– 17 janë për ndërtim,
– 6 për renovim,
– 4 për intervenime të ndryshme.
• 12 pëlqime janë për punime të ndryshme, si pëlqime për pastrim-rrënim, hapjen e kanalizimeve, vendosjen e reklamave, etj.
• 8 kërkesa janë refuzuar për mungesë të dokumentacionit të rregullt, në Qendrën Historike të Prizrenit.
• Gjatë kësaj periudhe për punimet pa pëlqim të QRTK-së, apo tejkalimet janë bërë 15 reagime që i janë adresuar Drejtorisë së Inspektorateve të Komunës së Prizrenit;
• Përurimi i punimeve në Muzeun Arkeologjik, pas punëve restauruese – konservuese, që janë bërë me ndihmën e Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe MKRS-së;

• Mbështetje profesionale për punimet konservuese – restauruese në Kalanë e Prizrenit, të cilat janë duke u financuar nga fondi i Ambasadorit Amerikan i akredituar në Kosovë dhe MKRS-ja;

• Përurimi i restaurimit të mullirit të Tabakhanës, në kuadër të projektit “Masat preventive-ndërhyrjet emergjente”
• Mbikëqyrja e punimeve në restaurimin e shtëpisë së Katarina Josipit në fshatin Zym të Prizrenit, projekt ky i investimeve kapitale të MKRS-së,
• Përgatitja e projekt propozimit për restaurimin e pjesshëm të Kinemasë Lumëbardhi si dhe dokumentacionin themelor për data bazë;
• Në bazë të projektit për intervenime emergjente të financuar nga MKRS-ja, është bërë përgatitja e dosjes për 10 objekte të trashëgimisë kulturore;
• Me rastin e themelimit të “TASK FORCES” QRTK në Prizren, ka ngritur çështje për të gjitha ndërtimet pa pëlqimin e QRTK-së, si dhe tejkalimet gjatë ndërtimit që ka pasur në zonën Historike të Prizrenit që nga pas lufta;
• Bashkëpunimi me studentët e fakultetit të Arkitekturës dhe tjera në incizimin e disa objekteve të vjetra në Prizren, duke ofruar ndihmë teknike, asistencë profesionale dhe qasje në dokumentacionin ekzistues të QRTK-së (Shtëpia e familjes Myftiu, familjes Ereni, kompleksi i LSHP-së, xhamia e Sinan Pashës, hamamet, etj.);

• Sipas projektit: “Kthimi i qëndrueshëm në Prizren” nga donacioni i Mbretërisë së Bashkuar në implementim nga OJQ e Danimarkës, QRTK ka udhëzuar dhe ka dhënë këshilla teknike në hartimin e dokumentacionit teknik të objekteve të cilat po rindërtohen në kompleksin e nënklasë, zonë kjo që gjendet brenda Qendrës Historike të Prizrenit;

• Incizimi dhe vlerësimi i gjetjes së rastit të lokacionit antik në sheshin e “Lidhjes”;
• Mbikëqyrja e punimeve restauruese në xhaminë e Emin Pashës;
• Mbikëqyrja e punimeve në kompleksin e kishës katolike, respektivisht në ish shkollën e mjekësisë që financohet nga Bashkimi Evropian;
• Mbikëqyrja periodike e punimeve restauruese si masë emergjente të investuara nga MKRS-ja dhe donacione të juaja të zbatuara nga MKRS-ja dhe CHËB-ja (Kulla e Mahmud Pashës në Opterushë, Namazxhahu në Buzez, Minarja e xhamisë së Sejdi Beut, shtëpia e Adem Aga Gjonit, etj.)
• Ridizajnimi i Sektorit Etnologjik /SE/ të Kompleksit Monumental të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit;
• Veprimtaria e Kompleksit të LSHP-së, ishte fokusuar në menaxhimin e suksesshëm të Kompleksit; pritjen, shoqërimin dhe përcjelljen e vizitorëve; në hulumtimin e vlerave që kanë të bëjnë me LSHP-në dhe në pasurimin e Muzeut me eksponateve të tjera;
• Kompleksi gjatë kësaj periudhe është vizituar prej mbi 48.000 vizitorëve

Aktivitetet e mbëtetura nga QRTK

• Mbështetje për hapjen e ekspozitës e OJQ Festivali Ndërkombëtar “Zgjimi me Art “- Prizren;
• Në Hamamin e Gazi Mehmet Pashës, u hapë ekspozita e OJQ “Genc Birlik Dernegi” – Prizren.
• Në bashkëpunim me produksionin filmik ASHA nga Prishtina, është bërë xhirimi i ambienteve të monumentit të Hamamit me qëllim të promovimit;
• Është mundësuar realizimi e programit “Transformimi i Konfliktit” organizuar nga Forumi për Kulturë;
• Ekspozita e OJQ “Sharski Behar” – Prizren.
• Ekspozita personale e Fatmire Shehu-Salla “Promovimi i Artit përmes punimeve artistike nga Lëkura”në Prizren.
• Ekspozita e Fondacionit për Trashëgimi Kulturore “Legatum” në Prizren.
• Shënimi i 137 vjetori të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit;
• Ceremonia nga FSK në Homazhin e eshtrave të heroit Kombëtar, Isa Boletini;
• Takim ndërkombëtar i Bjeshkatarëve;
• Festivali ndërkombëtar i poezisë “Drini poetik”;
• Ora e Madhe Letrare “Ora e Lidhjes”;
• TEDx Prizren etj.

Gjashtë zyrtarë nga Prizreni, akuzohen për “keqpërdorim të autoritetit zyrtar”

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë (6) të pandehurve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, njofton kumtesa nga Prokuroria.

Të pandehurit S. J., H. K., A. SH., H. B., A. G. dhe B. G, nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër dhe shkaktimin e dëmit të një personi tjetër, ku me atë rast kanë shkelur me dashje Ligjin lidhur me detyrat e tyre zyrtare.

Të gjashtë të pandehurit me këtë kanë kryer veprën penale, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 2.1, 2.2 dhe 2.4 lidhur me nenin 31 të KP-së.

Prizren: Aktakuzë për “kontrabandim me emigrantë”

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë për veprën penale “kontrabandim me emigrantë”, duke u bazuar në nenin 170, paragrafi 1 të Kodin Penal të Republikës së Kosovës, kundër M.N. shtetas i Republikës i Kosovës, i lindur në vitin 1980, në Prizren, banues në Brezovicë të Komunës së Shtërpcës, njofton kumtesa nga Prokuroria.

Në aktakuzën e ngritur, ndër të tjera thuhet se: Shtetasi M.N. më datë 28 prill 2015, me qëllim të përfitimit të drejtpërdrejt të dobisë financiare, ju premton shtetasve M.V. dhe S.V. nga Komuna e Prizrenit, së do t’i dërgojë nga Prizreni në Suboticë të Republikës së Serbisë dhe nga aty pa përfillë obligimet ligjore të kalimit të kufirit, do t’i dërgojë në Budapest të Hungarisë.

Aktakuzë ndaj një inspektori të Komunës së Prizrenit

0

Prokuroria Themelore në Prizren, duke u bazuar në neni 423 të paragrafit 1 të Kodit Penal të Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj një Inspektori të Komunës së Prizrenit, për “keqpërdorim të informatës zyrtarë” me qëllim që te personi tjetër të përfitojë përparësi që nuk i takojnë, njofton kumtesa nga Prokuroria e Shtetit.

Sipas aktakuzës, inspektori komunal duke keqpërdorur pozitën zyrtare, ka njoftuar personin tjetër për një veprim që pritej të merrej nga inspektorati komunal në bashkëpunim me policinë e Kosovës, për ekzekutim të një vendimi të marrë më herët.

Prokuroria ngrit aktakuzë ndaj Bujar Nerjovajt

0

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj kuvendarit të AAK-së, Bujar Nerjovajt.

Ai bashkë me drejtorin e Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri dhe zëvendësdrejtorin Beqir Letaj, dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj ka konfirmuar se Bujar Nerjovaj, dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Bujar Nerjovaj dyshohet për vepën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, Neni 422.1”, tha Kicaj./PrizrenPress.com/

Drejtori i Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, akuzohet për keqpërdorm të detyrës zyrtare

0

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj drejtorit të Gjimnazit “Gjon Buzuku” në Prizren, Shaip Buduri.

Ai bashkë më zëvendësin e tij, Beqir Leta, akuzohet  për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Buduri është paraqitur edhe në gjykatë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj ka konfirmuar se Buduri dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Për këtë rast është mbajtur edhe seanca e parë në fillim të këtij muajt”,tha Kicaj./PrizrenPress.com/

Prizren: Kontejnerët e gjelbër për një qytet më të mirë

0

EC Ma Ndryshe të hënën ka realizuar performansën publike ”Kontejnerët e gjelbër”, e cila bën thirrje për më shumë pastërti dhe kujdes në hapësirat publike.

Në kuadër të kësaj performanse në pikat e caktuara të qendrës së qytetit janë vendosur tetë kontejnerë të estetizuar. Ky intervenim artistik i realizuar nga artistja Fitore Isufi – Koja, synon rikrijimin e hapësirave publike të qytetit përmes artit publik, duke i shndërruar ato në vende atraktive për komunitetin.

Kontejnerët në këtë rast, sipas artistes, janë transformuar në koshe gjelbërimi, të cilat provojnë ta provokojnë qytetarin në aspektin estetik, për të qenë të kujdesshëm ndaj ambientit, për të kultivuar shijen ndaj të bukurës e natyrës, por edhe janë dëshmitare të veprimeve të papërgjegjshme përkatësisht të hedhjes së mbeturinave kudo, duke anashkaluar përgjegjësinë kolektive.

“Kontejnerët e gjelbër” është një tjetër shtytje për veprim komunitar në Prizren dhe për mbrojtjen e qytetit përmes aktivizmit kulturor.

I kujt është Kuvendi?

0

Albulena Haxhiu

Se sa shumë ka degraduar Kuvendi i Republikës së Kosovës mjafton që për ca momente të shohësh dy mbledhjet e jashtëligjshme në njërën nga skutat atje lart në ndërtesën e Kuvendit pra seancën e 14 dhe 17 dhjetorit.

Në të dyja rastet deputetët e koalicionit shtirreshin që po zhvillonin seancë plenare. Përveç të tjerash këto seanca ishin legjitimim i pazareve të Koalicionit të Rashkës.

Teksa deputetët e opozitës po qëndronin në sallën e seancave plenare në seancën e 14 dhjetorit shumica e deputetëve të koalicionit herë talleshin me njëri-tjetrin në formë adoleshenteske dhe herë kryenin rolin e robotëve duke ngritur duart lart sa herë që i kërkohej nga kreu i nëntokës Kadri Veseli. Pra pjesa dërrmuese e deputetëve të koalicionit gjithçka mund të ishin veçse jo përfaqësues të qytetarëve të Republikës.

Teksa jashtë asaj skute arrestoheshin aktivistët dhe deputetët e opozitës për shkak të veprimeve politike në mbrojtje të Republikës dhe territorit, deputetët e mazhorancës aty brenda në atë skutën e Kuvendit që mezi frymonin i kënaqnin apetitet e sëmura dhe rehatonin militantët partiakë në borde.

Si për shembull anëtarë të bordit të ZRrE u zgjodhën Arsim Janova ish anëtar i Kryesisë së LDK-së, Besim Sejfaj ish kryetar dege i LDK-së në Deçan dhe Qemajl Mustafa ish kryetar i Komunës së Gjilanit nga radhët e PDK-së dhe kështu vazhduan me zgjedhjen e anëtarëve të tjerë nëpër borde duke shkelur me të dyja këmbët ligjet për rehatimin partiak me qëllim vijimin e avazit të njëjtë, korrupsionit.

Në po këtë seancën e 14 dhjetorit ata tentuan që të votojnë edhe 8 anëtarë të tjerë të bordit të AKP-së sepse kështu po u kërkohej nga Qeveria. Pra Isa Mustafa kërkonte që të votoheshin 8 anëtarë në bordin e AKP-së ende pa hyrë në fuqi projektligji për plotësim ndryshimin e ligjit për Agjencionin Kosovar të Privatizimit.

Tentimi i 14 dhjetorit u bë realitet në mbledhjen ilegale të 17 dhjetorit ku 64 deputetët e koalicionit votuan jashtëligjshëm 8 anëtarë shumë nga ta militantë partiakë. Për sa kohë flasin nëpër konferenca me zyrtarë ndërkombëtare në krah për çkapje të shtetit, këta praktikisht vazhdojnë kapjen e secilit institucion dhe secilit bord për shkak se vetëm kështu u mundësohet ta kontrollojnë paraprakisht secilin vendim dhe që secili prej tyre të jetë në favor të interesave të ngushta të tyre.

Këta njerëz që nuk kanë të ndalur duhen ndalur medoemos. Për të tashmen dhe të ardhmen.

Tallja me Kuvendin, keqpërdorimi i tij nga Qeveria e dëshmua edhe në seancat ilegale të 14 dhjetorit dhe 17 dhjetorit dhe në të dyja protagonist ishte famëkeqi, kryeuzurpatori Hashim Thaçi.

Në njërën seancë u kërkoi deputetëve se ata duhet të votojnë një deklaratë përmes së cilës dënojnë “uzurpimin e dhunshëm të Kuvendit nga opozita”. Për një moment dukej sikur ajo mbledhi të ishte mbledhje e Qeverisë apo sikur Thaçi përnjëherë u bë dhe Kryetar i Kuvendit.

Në fakt Kuvendi i Republikës së Kosovës ka kohë që është uzurpuar nga Qeveria, rojet e tyre pjesëtarët e sigurisë, njerëz pa identifikim dhe jo nga opozita që po qëndron aty ku e ka vendin.

Po i njëjti në seancën e 17 dhjetorit u mundua nëpërmes Kuvendit që fajin dhe përgjegjësinë për mosdhënien e rekomandimit pozitiv për liberalizimin e vizave t’ia lë Bashkimin Evropian duke amnistuar kështu veten dhe Qeverinë të cilëve u takon përgjegjësia kryesore për dështimet e njëpasnjëshme e sidomos nxitja në vend të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit të cilin praktikisht e drejtojnë vet.

Për fat të keq ky institucion i përfaqësimit të qytetarëve ka humbur thelbin e legjitimitetit për shkak të një Qeverie që shkelë mandatin e lirë të deputetit, nuk respekton vendimet e Kuvendit dhe e përjashton atë dhe për çështje të rëndësishme siç janë marrëveshjet e fundit dhe jo vetëm.

Por po ashtu e ka humbur legjitimitetin sepse shumë nga deputetët e këtij Kuvendi konsiderojnë se të qenit deputet është privilegj. Si të tillë shumë prej tyre e kanë veten t’i nënshtrohen presionit “kush të bëri deputet/e?”. Janë pikërisht ky lloj i deputetëve që në shumë seanca plenare as nuk i dëgjohet zëri, as nuk shfaqin qëndrime për çështjet, e madje as nuk i shfletojnë dokumentet fare. Shumë prej tyre janë të pranishëm vetëm për shkak të mëditjeve që janë më të larta se paga minimale në vend e po t’i prekësh ato të hidhen në fyt. Këtë e kemi provuar kur kemi propozuar uljen dhe reduktimet e privilegjeve të deputetëve në legjislacionin përkatës.

I kemi tanimë këto figura të deputetit, ata deputetë që nxisin dhe mbështesin uzurpimin qeveritar të vet Kuvendit dhe çdo institucioni tjetër. Ata deputetë që nuk guxojnë të bëjnë zë e parapëlqejnë të vetmashtrohen nga formulat “marrëveshjet janë në përputhje me kushtetutën”. Këto dy kategori janë shumicë në Kuvendin e Republikës tonë. Përballë tyre janë deputetët opozitarë që kanë ngritur zërin e po protestojnë që Republika mos të ndahet e Kuvendi të jetë përnjëmend përfaqësues i interesit të vendit.

Në këto kushte Kuvendi dhe vendi duhet të çlirohen nga këta lloj të deputetëve që janë në fakt zgjatim i kësaj qeverie të cilët për shkak të mbijetesës politike janë në gjendje të rrezikojnë gjithë përpjekjen çlirimtare.

Vetëm paramendojeni një situatë kur pas nënshkrimeve të 25 dhe 26 gushtit opozita të heshtte ose thjesht të kundërshtonte këto marrëveshje nëpërmjet konferencave, debateve në Kuvend e interpelancave e pyetjeve parlamentare. Këto marrëveshje shtetrrënuese tani do të ishin të jetësuara dhe harruara. Do të nxirrej dhe dekreti por do të shkruhej edhe statuti i “Zajednicës” madje pa u pyetur fare Kuvendi. Ndërsa ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi shumica e deputetëve do të votonin lehtësisht sepse kështu do u kërkohej nga shefat me formulën mashtruese “Kosova nuk humb asgjë”.

Bashkimi dhe fuqia e opozitës, guximi e konsistenca, mbështetja e vendosmëria e qytetarëve do t’i zhbëjë këto marrëveshje. Bashkë me to do të bie dhe Qeveria autoritare e cila ka arrestuar 13 deputetë e mbi 180 aktivistë e qytetarë, vetëm e vetëm për t’i ruajtur kolltukët e tyre, mbijetesën politike nëpërmjet të cilës po tentojnë të shpëtojnë prej hetimit të dengut të dosjeve të korrupsionit.

Berisha: Vendi ynë ka nevojë për kthimin e shpresës

0

Anëtari i Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Anton Berisha, ka theksuar se shoqëria kosovare është në një depresion psikologjik.

Ai në rrjetin social Facebook ka shkruar se sot shoqëria kosovare jeton një situatë në të cilën askush nuk lëvizë, ngase sipas tij, besimi ka humbur në dy gjërat më të rëndësishme në një shoqëri: besimi në drejtësi dhe në ndershmëri.

“Sot, gati të gjithë janë dorëzuar para kësaj situate dhe janë reduktuar në veten e tyre. Megjithatë, ne nuk guxojmë të shndërrohemi në popull të pashpresë për të ardhmen, ne nuk guxojmë që shqiptari i Kosovës të dorëzohet para orekseve të fqinjëve tanë dhe kontekstit evropian e botëror që nuk është në ditët më të mira për ne”, ka thënë Berisha.

Ai ka theksuar se për ta kaluar këtë krizë, duhet të ndërmerren hapa konkretë e të guximshëm, “duke respektuar veten tonë dhe duke besuar që drejtësia shtetërore por edhe sociale është e mundur”.

“Këtë, nuk mund ta bëjë pushteti aktual, këtë nuk mund ta bëj as opozita edhe sikur nesër të vij në pushtet. Këtë mund ta bëjmë së bashku, duke krijuar një qeveri të përbashkët, nuk është më rëndësi se si do ta emëronim, por në thelb duhet të këtë shpëtimin”, ka theksuar Berisha.

Ai ka thënë se kjo qeveri duhet që brenda një afati gjashtë mujor të përmbyll temat e rënda nëpër të cilat është duke kaluar shteti i Kosovës.

“Po ashtu kjo qeveri duhet që të ndërtojë një plan së paku afatmesëm, që do të bind edhe popullin por edhe partnerët ndërkombëtar se ka shpresë për të jetuar në këtë vend dhe ka një shtet me të cilin është i mundur partneriteti”, ka shkruar Berisha.