Home Blog Page 6967

Bllokohet “Rruga e Kombit”, shembet dheu

0

Moti i keq i ditëve të fundit ka vështirësuar qarkullimin e mjeteve në rajonin verior dhe verilindor. Mëngjesin e sotëm (24 nëntor) është bllokuar njëra korsi e Rrugës së Kombit dhe shkak janë bërë rrëshqitja e dherave dhe gurësh në këtë segment.

Konkretisht rrëshqitja e dherave ka ndodhur në aksin Fushë-Dukagjin – Kukës. Ndërkohë pritet edhe ndërhyrja e autoriteteve për të pastruar masivin e gurëve.

Në këtë segment rrugor, ku çdo vit fenomeni i rënieve të masivëve të dherave e gurëve është evident, kanë qenë të pranishme duke sjellë probleme në qarkullimin e automjeteve.

Jo vetëm në rrugën e Kombit, por edhe në rrugë të tjera nacionale e rurale, rrëshqitjet e dherave e gurëve kanë qenë të pranishme si në rrugën Kukës – Krumë, Kukës – Shishtavec e Kukës – Peshkopi.

Sulmohet stacioni policor në Bosnje, dyshime për sulm terrorist

0

Prokurorët në Bosnje Hercegovinë po hetojnë një shpërthim që ka ndodhur në një stacion policorë, të cilat autoritetet thonë se mund të ketë qenë një akt i “terrorizmit”.

Sulmuesi ka hedhur një mjet shpërthyes në çatinë e ndërtesës në qytetin qendror, në Zavidoviq, duke shkaktuar dëme të vogla, por jo viktima, sipas policisë.

Një zëdhënëse e policisë tha se “rasti ka elemente të veprës penale të terrorizmit.”

Zyra e prokurorit kombëtar ka marrë përsipër rastin dhe pritet të formojë një ekip të posaçëm për hetime.

Incidenti vjen më pak se një javë pasi dy ushtarë u vranë, më 18 nëntor, nga një person i cili sulmoi ata me armë automatike, pranë një kazermë në Sarajevë.

Autoritetet kanë thënë se autori kishte lidhje me qarqet islamike dhe se sulmi ishte një “akt terrorist.”

Myslimanët përbëjnë rreth 40 % të popullsisë në Bosnje.

Shumica dërrmuese e myslimanëve të Bosnjës janë të moderuar, por një pakicë e vogël e mbështet vehabizmin radikal./REL

DokuFest thërret kineastët për aplikim

0

Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër, DokuFest fton të gjithë autorët e dokumentarëve, filmave të shkurtër dhe animacioneve të aplikojnë me filmat e tyre për edicionin e 15-të festivalit.

“Ne jemi në kërkim të veprave të reja të cilat eksplorojnë kufijtë, e sfidojnë publikun, eksperimentojnë me stil dhe teknikë apo frymëzojnë me kreativitet”, thotë zyrtarja për marrëdhënie me publikun pranë DokuFest, Nita Deda.

Autorët mund të aplikojnë përmes internetit përmes platformave REELPORT në www.reelport.com, FESTHOME në www.festhome.com dhe FILM FREEWAY në www.filmfreeway.com/

Afati i fundit për aplikim është 01 mars 2016. Festivali do të mbahet nga data 5 deri më 13 gusht 2016 në Prizren, Kosovë. /PrizrenPress.com

Luftëtari serb përshkruan ‘shfarosjen’ e fshatarëve shqiptarë në Kosovë

0

Në rigjykimin e 12 ish-trupave të Ushtrisë Jugosllave për krime lufte gjatë konfliktit të vitit 1999 në Kosovë, një ish-luftëtar serb rikujtoi sesi grupe civilësh shqiptarë u qëlluan dhe vranë “si dele”.

Dëshmitar kryesor i prokurorisë, Zoran Raskoviç, ish-anëtar i një njësie ushtarake serbe të njohur si Çakallët, tha në gjykatën speciale në Beograd ditën e hënë se trupat tij të njësisë ekzekutuan më shumë se rreth 60 burra në fshatin Lubeniq të Pejës, më 1 prill 1999.

“Burrat që mund të mbanin armë u ndanë nga gratë, fëmijët dhe të moshuarit. Ata u liruan, por burrat u ekzekutuan në grup. Si dele, ata nuk u rebeluan shumë,” dëshmoi Raskoviç.

Qëllimi i sulmit ishte “të shfaroseshin” civilët që jetonin në fshat, tha ai.

Dymbëdhjetë ish-anëtarë të Skuadrës 177 të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave, të cilët të gjithë u deklaruan të pafajshëm, po gjykohen për torturë, grabitje dhe vrasjen e 118 shqiptarëve të Kosovës. Ata janë akuzuar për krime në katër fshatra – Lubeniq, Pavlan, Qyshk dhe Zahaq – gjatë luftës së Kosovës në prill dhe maj të vitit 1999.

Sipas aktakuzës, qëllimi i sulmit ishte dëbimi i përhershëm i popullsisë shqiptare.

Raskoviç të hënën përsëriti dëshminë që ai dha më parë në vitin 2013 gjatë gjyqit të parë, kur ai e përshkroi në detaje masakrën brutale në Lubeniq.

Nëntë luftëtarët serbë janë dënuar më parë me një total prej 106 vitesh burg në shkurt të vitit 2014, por gjykata e apelit në Beograd e anuloi vendimin në mars, duke e quajtur atë “të pakuptueshëm dhe kontradiktor”, dhe e dërgoi rastin për rigjykim.

Në fillim të gjyqit, prokuroria pretendoi se burrat ishin anëtarë të një njësie paraushtarake të quajtur Çakallët, por më vonë vendosi se të gjithë të akuzuarit kishin karta identiteti ushtarake dhe merrnin rroga nga Ushtria Jugosllave.

Por Raskoviç megjithatë këmbënguli përsëri se luftëtarët nuk ishin pjesë e ushtrisë, por vetëm e “një grupi njerëzish të armatosur dhe gjaknxehtë”.

“Ne filluam ta mbronim vendin tonë me qëllimet më të mira duke kryer disa krime të tmerrshme. Ne Çakallët, vramë shumë civilë,” tha ai të hënën.

Para vrasjeve të Lubeniq, një nga civilët e pyeti komandantin e njësisë Nebojsa Miniç, i njohur ndryshe si “Mrtvi” (Vdekja) pse luftëtarët e tij hynë në fshatë “si kriminelë”, tha Raskoviç.

“Mrtvi e vrau atë dhe më pas tha se të gjithë të tjerët do të ekzekutoheshin,” risolli në mendje Raskoviç.

Minic, një nga oficerët më famëkeq të Ushtrisë Jugosllave të asaj kohe, vdiq nga një sëmundje që ka lidhje me AIDS-in në Argjentinë në vitin 2005, para se të ekstradohej në Serbi për akuzat për krime lufte.

Raskoviç tha se pas vrasjeve në Lubeniq, një nga burrat që janë në gjyq, Milojko Nikoliç, i njohur ndryshe si “Sumadija” hyri në turmën e fshatarëve për zvogëluar dhimbjen e tyre” dhe qëlloi ata që ishin ende gjallë.

Prokuroria e bashkoi çështjen me një tjetër i cila filloi në shtator të vitit 2014, në të cilën tre ish-anëtarë të Skuadrës 177 të Ndërhyrjes të Ushtrisë Jugosllave, Vladan Krstovic, Lazar Pavlovic dhe Milan Ivanovic, janë të akuzuar për pjesëmarrje në vrasjen e 46 njerëzve në Lubeniq më 1 prill 1 1999.

Edhe pse Krstoviç mohoi të ketë qenë në fshat më 1 prill 1999, Raskoviç tha në gjykatë se mban mend ta ketë parë atë atje ditën e vrasjeve.

“Mbaj mend që ishte atje, sepse ai ishte shok i ngushtë i Obradoviçit, një tjetër pjesëtar i njësisë tonë. I pashë bashkë diku në fshat atë ditë,” tha ai.

Çështja konsiderohet si një nga më të mëdhatë ndonjëherë në lidhje me krimet e luftës në Kosovë në gjykatat e Beogradit, me seanca dëgjimore dhe gjyq fillestar që zgjati për katër vjet. Sulmi ndaj katër fshatrave dhe mbulimi më pas i këtij krimi janë hulumtuar në një dokumentar të BIRN; “Të Paidentifikuarit”.

Në gusht të vitit 2014, prokuroria serbe për krime lufte nisi një hetim ndaj Dragan Zivanoviç, ish-komandant i Brigadës 125 të Ushtrisë Jugosllave, për akuzën se s’kishte bërë asgjë për të parandaluar vrasjet e shqiptarëve dhe shkatërrimin e shtëpive dhe pronave në katër fshatrat.

Deri më tani megjithatë nuk është lëshuar asnjë padi.

Gjyqi vazhdon më 18 dhjetor. /BIRN

Koci: Apeli akoma pa vendim për deputeten Kadaj–Bujupi

0

Gjykata e Apelit pritet të vendosë rreth ankesës nga ana e mbrojtjes për deputeten e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi.

Arianit Koci, avokati i deputetes ka thënë për Klan Kosovën se akoma nuk ka marrë asnjë njoftim për këtë ankesë por ai pret që shqyrtimi i saj pritet të bëhet gjatë ditës së sotme.

Koci këtë ankesë e ka dorëzuar javën e kaluar në Gjykatën e Apelit.

Ndërkohë që deputetja e AAK-së Donika Kadaj – Bujupi është arrestuar të mërkurën e javës së kaluar në shtëpinë e saj pas fletë-arrestit të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës pas hedhjes së gazit lotsjellës në  seancat e Kuvendit të Kosovës.

AAK: Manifestimi i 28 nëntorit nuk do ta rrezikojë sigurinë

0

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, përmes një kumtese për media kanë sqaruar se manifestimi protestues me 28 nëntor do të jetë paqësor dhe i qetë. Sipas tyre, tubimi nuk do ta rrezikojë sigurinë e askujt dhe do t’i dërgohet pushtetit një mesazh.

Ata kanë reaguar duke shtuar se mos të lëshohet tollumbace alarmi sepse tubimi do të jetë paqësor.

“Mos lëshoni tollumbace alarmi sepse tubimi me 28 nëntor do të jetë paqësor

Manifestimi protestues i 28 nëntorit, do të jetë paqësor dhe i qetë. Opozita e Bashkuar, është përcaktuar që në këtë tubim, të shpalos kundërshtimin civil e qytetar, për dy marrëveshje që rrëzikojnë funksionimin normal të Kosovës.

Ne këtë tubim, do ta dërgojmë një mesazh për pushtetin . Askush nuk mund të jetë mbi kushtetutën e kundër interesave të vendit as me nënshkrime e as me këto dy marrëveshje.

Ne do të jemi paqësor, dhe tubimi ynë nuk do ta rrezikojë sigurinë e askujt.

Policia e Kosovës le ta kryej e qetë punën e saj.

Manifestimi ynë ku do të marrin pjesë i madh e i vogël, nuk mund të lidhet me asgjë, përpos me një kundërshtim qytetar, për dy marrëveshjet, të cilat tashmë po i kundërshton shumica”, thuhet në njoftimin e AAK-së.

‘Politikanët italianë blejnë diploma në Shqipëri’

0

Kreu i Antikorrupsionit në Itali, Raffaele Cantone ka mbajtur një fjalim ditën e djeshme në Universitetin e Firences ku ka folur për korrupsionin gjerë e gjatë.

Ai nuk ka harruar pa përmendur edhe Shqipërinë. Sipas tij, ka politikanë dhe deputetë italianë që kanë marrë diploma me para në universitetet shqiptare, transmeton balkanweb. Cantone thotë se janë këta njerëz që e mbajnë peng Italinë dhe që induktojnë korrupsion në sistemin e saj.

“Kemi parë parlamentarë që tundin diplomat e blera në Shqipëri. Këta janë po të njëjtët që kanë investuar për korrupsionin dhe ne e dimë se çfarë janë në gjendje të bëjnë. Ata e kanë vendin në burg”, është shprehur Cantone.

DASH: ISIS po planifikon sulme terroriste në rajone të shumta

0

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë lëshuar një alarm për udhëtarët në të gjithë botën, duke paralajmëruar qytetarët amerikanë për rreziqe të mundshme, për shkak të një kërcënimi terrorist në rritje.

Sipas Departamentit të Shtetit, terroristët e Shteti Islamik, Al-Kaeda, Boko Haram dhe të tjerët vazhdojnë janë duke vazhduar planifikimin për sulme terroriste në rajone të shumta.

Një përfaqësues i Departamentit të Shtetit ka deklaruar për BBC-në se aktualisht nuk ka arsye për të besuar se qytetarët amerikanë do të jetë në shënjestër në mënyrë specifike.

Sipas tij, alarmi do të mbetet në vend deri në 24 shkurt 2016. Franca, Rusia, Mali dhe disa vende të tjera kanë parë sulmet vdekjeprurëse në muajin e kaluar.

Ndërkohë, Belgjika ka njoftuar se Brukseli do të qëndrojë në nivelin më të lartë gatishmërie për një javë mbi frikën e sulmeve militante, si ato që vrau 130 njerëz në Paris më 13 nëntor.

Edhe 30 ditë paraburgim për Nebih Bytyqin, i dyshuar për vrasjen e bashkëshortes

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, ia ka vazhduar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, Nebih Berishës, nga Suhareka, i cili një muaj më parë, në natën e 23 tetorit dyshohet se vrau me thikë bashkëshorten e tij Zejnepe Bytyqi-Berishën, dhe plagosi vajzën e tij.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.

“Duke qenë se bëhet fjalë për vepër të rëndë, Prokuroria ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit, dhe Gjykata ka aprovuar një kërkesë të tillë, që t’i vazhdohet paraburgimi prej 30 ditësh Nebih Bytyqit, deri me 28 dhjetor të vitit 2015”, ka thënë Kryeprokurori Hoxha.

Ndryshe tashmë janë bërë një muaj që kur Zejnepe Bytyqi-Berisha u therë 10 herë me thikë nga bashkëshorti i saj, Nebih Berisha, edhe përkundër që disa herë më herët e kishe denoncuar atë në polici për dhunë në familje./GazetaExpress

Barazia para sprejit lotsjellës

0

Nga Albin Kurti

Gazi lotsjellës i cili plaste në një sallë me rreth 150 njerëz ikte për më pak se gjysëm ore, ndërsa instalimi i ‘Zajednicës’ do t’iu mbetet dy milionë njerëzve për dekada të tëra. Më mirë ta bllokojmë përkohësisht Kuvendin me gaz lotsjellës sesa të na bllokohet përjetësisht Republika me ‘Zajednicën’ e Serbisë.

Duke iu falenderuar opozitës së bashkuar, gazi e spreji lotsjellës nuk hedhen më vetëm kundër të varfërve dhe rinisë kosovare nëpër rrugët e kryeqytetit, por edhe kundër qeveritarëve të pasur dhe deputetëve të tyre në Kuvendin e Kosovës. Kur goditej me gaz e sprej qytetari në protestë, kjo gjë fare nuk problematizohej dhe asnjëherë nuk quhej dhunë. Tash që atë e përjetuan njerëzit e regjimit në Kuvend, përnjëherë gazi e spreji lotsjellës na u bënë dhunë e rrezikshme, armë kimike, helm toksik e çka jo tjetër.

Gazi lotsjellës në seancën e Kuvendit të Kosovës që s’po arrin të fillojë, nuk është armë por municion. Armë është protesta e opozitës së bashkuar e cila e ka për municion gazin dhe sprejin lotsjellës të cilin Policia e Kosovës na e dhuron nëpër protestat tona. Tentimet maratonike për seanca Kuvendi po bëhen duke shpresuar që deputetëve të opozitës së bashkuar do t’iu soset municioni. Kot e kanë. Policia nuk na lë neve pa municion.

Në Kuvendin e Kosovës ne kemi përdorur forcë proporcionale kundër qeveritarëve dhe deputetëve të rebeluar kundër Republikës së Kosovës. Asnjë gaz lotsjellës më shumë sesa që ishte e nevojshme nuk e kemi ndezur në ato tentim seanca. Vetëm aq sa e pamundësonte fillimin e mbledhjeve plenare të cilat do ta normalizonin ‘Zajednicën’ e Serbisë dhe faljen e tokave tona Malit të Zi (thua se asgjë nuk ngjau me marrëveshjet e 25 dhe 26 gushtit).

Është policia e Kosovës ajo që përdor forcë të tepruar mbi protestuesit, jo ne mbi qeveritarët. Vetëm në njërin rast ne nuk përdorëm forcë proporcionale. E kam fjalën për situatën kur disa dhjetëra policë kishin zënë shkallët që lidhin katin e dytë me të tretin në Kuvendin e Kosovës duke penguar kështu lirinë e lëvizjes së deputetëve. Forca ynë nuk ishte proporcionale sepse policët kishin vënë gaz maskat dhe ne nuk patëm mjaftueshëm sprej lotsjellës për ta. Për pasojë, ne nuk arritëm t’i largojmë ata policë dhe shkallët mbetën të bllokuara.

Mund të thuhet që Kosova sot nuk ka më Kuvend, sepse s’po funksionon ai për shkak të opozitës së bashkuar që proteston aty. Mirëpo, në një tjetër rrafsh, pikërisht tash ka Kuvend shteti i Kosovës, sepse aty po mbrohet Republika jonë nga ‘Zajednica’ e Serbisë dhe falja e 9.000 hektarëve Malit të Zi. Në këtë kuptim më thelbësor, shteti i Kosovës nuk ka qeveri porse ka opozitë. Sepse duke mos pasur qeveri të saj, Kosovës ia merr Mali i Zi tokën kurse Serbia ia shton ‘Zajednicën’.

Kriza në popullsi duhet të shoqërohet me krizën në qeveri dhe në sistem në mënyrë që populli të dalë nga kriza. Nuk ka ndryshime progresive në Kosovë me fjalë. Në shtetin autoritar, në shtetin e kapur, nuk mjaftojnë dialogu e fjalët. Gjendja është tejet e keqe dhe ka shkuar shumë larg: po normalizohet ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë. Bosnjëzimi po troket në derë të hapur. Fjalët s’kryejnë punë. Dialogu ynë është monolog. E monologu i tyre është plan dhune.

Policia e regjimit me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndan qytetarët nga sheshi kryesor i republikës. Opozita e bashkuar me gaz e sprej lotsjellës rregullisht po i shpërndanë nga Kuvendi qeveritarët e ‘Zajednicës’. Çka ka të paqartë këtu? Gazi e spreji lotsjellës, shkaktojnë lotë, porse ato edhe e hapin shikimin sepse qartësojnë syrin dhe pamjen.

Spreji lotsjellës është i domosdoshëm për ta sjellur frymën e republikës në vendin tonë. Kur të godet spreji lotsjellës të vështirësohet frymëmarrja, të djegin sytë e të skuqet lëkura. Të gjithë ne protestuesit e dimë moti këtë gjë. Mirëpo tash këtë po e mësojnë edhe njerëzit e regjimit. Pa sprejin lotsjellës, nuk u hapen sytë qeveritarëve dhe deputetëve të tyre, nuk u skuqet fytyra, dhe, nuk merr dot frymë republika jonë. Spreji e gazi lotsjellës të detyrojnë t’i mbyllësh sytë, të mendosh pak para se t’i hapësh sytë sërish, të lotosh jo pak që të mund t’i hapësh sytë, dhe, pasi të arrish që më në fund t’i hapësh sytë, gjërat duken shumë më qartë mandej.

Janë disa gjëra në jetë që nuk mund t’i shohësh për shkak të lotëve, por janë edhe ca gjëra të tjera që mund t’i shikosh vetëm përmes lotëve. Në këtë kategori bën pjesë edhe Kosova jonë e dashur, ky vend i pasur e me popull të varfër, me pushtet të kënaqur e me qytetarë të vuajtur, me intelektualë të shitur e me rini pa perspektivë. Kosova mund të shihet vetëm nëpërmjet lotëve.

Gazi e spreji ynë lotsjellës po e paralajmërojnë barazinë në shtet. Para gazit e sprejit lotsjellës duhet të jemi të gjithë të barabartë: si qytetari, si polici, si qeveritari, si deputeti. E jo dikush të jetë mbi sprejin lotsjellës e dikush nën sprejin lotsjellës, apo jo? Barazia para sprejit lotsjellës është parakusht për barazinë në republikë. Sepse shteti i kapur s’mund të jetë republikë.