Home Blog Page 6970

Digjet një shtëpi në Suharekë

0

Në rrethana të panjohura është përfshirë nga zjarri shtëpia e një ashkaliu nga fshati Terrnje në komunën e Suharekës.

Rastin në polici e ka raportuar pronari i shtëpisë.

Njësiti i zjarrfikësve ka arritur të lokalizojë zjarrin. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar.. /PrizrenPress.com/

Prizren: Një muaj paraburgim për dilerët e drogës

0

Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore të Prizrenit ka vendosur një muaj paraburgim ndaj të pandehurve J.J. dhe M.J., që të dy nga Fshati Dumnicë e Poshtme të komunës së Podujevës.

Te pandehurit dyshohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

“Të pandehurit do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së ndalimit, data 20.11.2015 në ora 23.00 dhe do të zgjasë deri me datën 20.12.2015”, njofton zëdhënësja e gjykatës, Afërdita Kicaj.

“Të pandehurit dyshohen për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 20.11.2015 gjatë kontrollit të policisë në pikë kalimin kufitar në Vërmicë Komuna e Prizrenit në ora 21.00, janë gjetur të strehuar në rezervuarin e automjetit 30 qese (paketime) të mbushura me substancë narkotike që dyshohet të jenë të llojit ‘marihuanë’ në peshë prej rreth 16 kg e 290 gr. Si dhe tek i pandehuri me inicialet J.J. në shtëpinë e tij gjatë bastisjes nga ana e policisë janë gjetur rreth 500 gramë substancë narkotike e dyshuar që të jetë e llojit ‘marihuanë’”, bene te ditur Kicaj. /PrizrenPress.com

Erërat shkaktojnë dëme të mëdha në Malishevë (Foto)

0

Vikendi në Komunën e Malishevës, është përcjellë me dëme të mëdha, si pasojë e erërave të fuqishme. Janë regjistruar shumë raste të dëmeve të mëdha, si kulme të objekteve, e deri te djegia e një restoranti të madh në Malishevë. Pavarësisht dëmeve, nuk janë regjistruar dëme në njerëz.

Sipas drejtorit të drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Ahmet Morina, dëmet janë shumë të mëdha dhe ekipet e shpëtimit dhe zjarrfikësve kanë intervenuar në disa raste.

“Gjatë të shtunës kemi pasur pesë thirrje për ndërhyrje, ku ekipet tona kanë intervenuar, ndërsa gjatë natës së mbrëmshme është regjistruar një zjarr i madh në restorant “Rozafa”, i cili është djegur në tërësi, mirëpo, për fatin e mirë, nuk ka pasur dëme në njerëz”, tha Morina.

“Ekipet e zjarrfikësve dhe shpëtimit, me të marrë informatën për zjarr, kanë dalë në vend ngjarje, ndërsa është dashur të merren përforcime shtesë, ku është intervenuar me tri automjete kundër zjarrit”, ka shtuar ai.

Malisheve-deme

Sipas kësaj drejtorie, përveç pesë thirrjeve për intervenim dhe këtij zjarri, janë regjistruar edhe dëme tjera, në objekte banimi, lokale afariste dhe objekte shkollore. Së paku në dy shkolla në përfundim e sipër, erërat e fuqishme i kanë dëmtuar kulmet e tyre, njëra në Gurishtë dhe tjetra në Bubavec.

Malisheve-deme1

Komuna e Malishevës, sot ka formuar së paku dy ekipe vlerësuese të dëmeve, të cilët, përveç dëmeve të regjistruara, pas informacioneve të marra nga të dëmtuarit, është duke u munduar të regjistroj edhe dëmet tjera, në çdo vendbanim.

Pas regjistrimit dhe vlerësimit, pritet që komisionet të dalin me vlerësim përfundimtar të dëmeve të shkaktuara, të cilat konsiderohen mjaft të mëdha. /PrizrenPress.com

Malisheve-deme2

Shoferi godet për vdekje këmbësorin në ‘Arbanë’ të Prizrenit

0

Mbrëmë, rreth orës 19:10 minuta në rrugën “Ismail Kryeziu” në lagjen “Arbanë” të Prizrenit ka ndodhur një aksident me pasoja fatale, pasi një këmbësor (1959) ka mbetur i vdekur, njoftoi Policia në Prizren.

Sipas hetuesve të aksidenteve të trafikut thuhet se shoferi i veturës “Volksvagen Polo” nuk e ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit me kushtet dhe rrethanat në rrugë, ose nga pakujdesia, e ka goditur me pjesën ballore të veturës një këmbësor, i cili në momentet kritike po e kalonte rrugën. Viktima është dërguar nga një shofer i çastit në Urgjencën e Spitalit Rajonal në Prizren për trajtim mjekësor e më pas është transportuar në QKUK në Prishtinë, mirëpo më vonë është konfirmuar vdekja e tij.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar për autopsi. /PrizrenPress.com

Opozita fton prizrenasit për manifestim më 28 Nëntor

0

Mbrëmë në shtëpinë e kulturës “Xhemajli Berisha” në Prizren, është mbajtur një tubim mobilizues me qytetarë nga opozita e bashkuar rreth manifestimit kundër marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi me 28 nëntor në Prishtinë. Pjesë e këtij tubimi ishin zyrtarë të partive politike të opozitës së bashkuar, deputetë të Kuvendit të Kosovës etj.

Para të pranishmëve i pari ka folur deputeti i LVV-së nga Prizreni, Mytaher Haskuka,tha se marrvëeshja për ASK-në dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi janë të dëmshme për vendin tonë. Deputeti Haskuka, tha se marrëveshja për “Zajednicën” e bosnjëzon Kosovën, dhe kërkoi nga qytetarët përkrahje për siq tha ai ndalimin e këtyre marrëveshjeve para se ato të implementohen.

Deputeti i Nisma për Kosovën dhe njëherit kryetar i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, tha se rreth zhvillimeve të fundit pozita është duke bërë luftë speciale ndaj opozitës sipas urdhrave siq i quajti ai “të banditëve Isa Mustafa e Hashim ThaçI’, të cilët sipas tij janë vënë kundër këmbënguljes së opozitës për ta ruajtur sovranitetin e shtetit të Kosovës, për të cilin është derdhur aq shumë gjak.

Anëtari i Kryesisë së Nisma për Kosovën, Bajram Ajeti, tha se çdo shqiptar i Kosovës duhet të kundërshtoj të ligat që po i servohen Kosovës, nga marrëveshjet e fundit.

Kryetari i AAK-së në Prizren, Lulzim Kabashi,bëri thirrje që popullata masovisht duhet të mbështes kauzën e opozitës karshi zhvillimeve aktuale në vend.

Ndërkaq, shefi i GP të LVV-së në Kuvendin e Kosovës, Glauk Konjufca, tha se qindra mijëra qytetarë që e kanë nënshkruar peticionin kundër marrëveshjeve të dëmshme, duhet që nënshkrimet e tyre t’i respektojnë duke marrë pjesë në manifestimin e së shtunës në Prishtinë, për të ndaluar dëmet e mundshme për gjeneratat e reja që mund të sjellin “Zajednica” dhe demarkacioni.

Pas fjalimeve u zhvillua edhe një debat me aktivistë të bllokut opozitar, në të cilin u prekën shumë tema që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale në vend, pas nënshkrimit të marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi. /Tv Prizreni/

Terroristët në Paris shpenzuan 7 mijë euro për sulmet

0

Terroristët që kryen sulmet me 13 nëntor në Paris, ku mbetën të vrarë 130 persona, shpenzuan rreth 7 mijë euro për gjërat që përdorën, pasi që ata planifikuan që sulmet e tyre ti kryenin duke bërë shpenzime të vogla për kallashnikovë dhe municion, xhaketa vetëvrasëse të punuara me dorë, dhomat e hoteleve dhe makina me qira në mënyrë që me një sasi relativisht të vogël të vrisnin një numër të madh të njerëzve, duke shtuar kështu frikë dhe kaos.

Reuters bënë të ditur se sipas llogaritjeve të një komisioni të pavarur, sulmet në Nju Jork dhe Uashington me 11 shtator 2001, Al Kaedas i kushtuan diku rreth 400 dhe 500 mijë dollarë amerikanë, ndërsa në sulmet në Paris, terroristët kishin blerë xhaketa vetëvrasëse, që sot mund të prodhohen shumë lirë, pastaj dhomat e hotelit ku terroristët kanë qëndruar kanë kushtuar rreth 680 euro.

Po ashtu, ata kishin edhe shpenzimet javore për qira të makinave të vogla që janë përdorur për transport nga Brukseli në Paris “Volkswagen Polo”, “Seat Leon” dhe “Renault Clio”, e q nuk mund të kushtojnë më shumë se 595 euro.

Sipas Europol, një “kallashnikov” sot në BE mund të blihet për 300 deri ne 700 euro, andaj në bazë të këtyre llogaritjeve del të jetë se shuma që kanë shpenzuar terroristët për të kryer sulmin më të rëndë dhe më të vrazhdë në Paris deri më sot, ka qenë 7000 euro.

Brukseli i përgatitur për sulme të mundshme

0

Brukseli ka shtuar masat e sigurisë në nivel të lartë që pas sulmeve të një jave më parë në Paris ku u vranë qindra qytetarë, derisa autoritet kanë paralajmëruar rrezik në orët e para të së shtunës, ku përmes një deklarate kanë njoftuar për një kërcënim serioz dhe të afërt në kohë.

Deklarata është lëshuar nga Qendra e Krizës pranë Ministrisë së Brendshme të Belgjikës ku thuhet se një “kërcënim serioz dhe i afërt kërkon marrjen e masave të veçanta të sigurisë, si dhe rekomandime specifike për njerëzit”.

“Në bazë të informacioneve të fundit, qendra ngriti alarmin në nivelin 4, që do të thotë një kërcënim shumë serioz për rajonin e Brukselit”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Përpos kësaj, qytetarët këshillohen që të shmangin sa më shumë vendet ku ka shumë njerëz. Konkretisht këshillohen që të shmangen koncertet, eventet sportive, aeroportet si edhe stacionet e metrove.

Autoritetet thonë se vetëm Brukseli është në nivel të lartë sigurie, ndërsa në pjesën tjetër të vendit masat do të jenë të njëjtat, raporton Top Channel.

Bota bashkohet kundër ISIS

0

Fuqitë botërore kanë rënë dakord për të koordinuar përpjekjet që synojnë parandalimin e sulmeve të tjera terroriste, një javë pas atyre vdekjeprurëse në kryeqytetin francez.

Këshilli i Sigurimit të OKB-së ka mbështetur njëzëri thirrjet e palës franceze që të shtohen sulmet ndaj terroristëve të ISIS, duke deklaruar se “duhet të luftohet me të gjitha mjetet e mundshme ndaj këtyre kërcënimeve”.

Vendimi vjen një javë pas sulmeve të Parisit ku kanë humbur jetën 130 persona dhe disa orë më vonë pas ngjarjes në Mali ku vdiqën të paktën 27 persona.

Rezoluta u hartua nga francezët dhe është bashkë-sponsorizuar nga Britania e Madhe, por gjeti mbështetjen edhe të palës ruse, të cilët më parë përdornin veto në rezoluta të tilla duke detyruar vendet perëndimore të gjenin zgjidhje jashtë zyrave të OKB-së.

Pas votimit, kryeministri britanik, David Cameron deklaroi se është një ditë e shënuar, pasi nga sot bota e bashkuar është kundër terroristëve të ISIS.

“Komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar dhe i vendosur për të mposhtur këtë të keqe e cila është kërcënim për çdo vend dhe çdo fe”, tha Cameroon, raporton Gazeta Fjala.

Ode për Parisin

0

Libri me kujtimet e Ernest Hemingway për kohën që si i ri e kishte kaluar në Paris “A Moveable Feast”, në frëngjisht është i përkthyer me titullin “Paris Fete est une”, ose “Parisi është Festë”.

Në këto ditë që terrorizmi goditi qytetin që ia kishte marrë zemrën Hemingway’t, libri i shkrimtarit është shndërruar në një simbol të refuzimit dhe ripërtëritjes. Ritmi i shitjes së tij është marramendës.

“Nëse ke pasur fat për të jetuar në Paris si i ri, atëherë ngado që të shkosh, për tërë jetën do të mbetet me ty, sepse Parisi është një festë lëvizëse”, ka shkruar Hemingway shumë vite pasi kishte jetuar në Paris më 1920.

Libri është publikuar më 1964, disa vite pas vdekjes së tij.

Tani, kopje të tij mund të shihen bashkë me lule dhe qirinj nëpër rrugët e Parisit, në shenjë nderimi për 129 viktimat e sulmit terrorist të javës së kaluar, si dhe në duart e parisienëve nëpër bare e kafene.

Libri me kujtimet e Hemingway është shumëfishuar këto ditë. Sipas botuesit francez Folio, nga një mesatare prej 10-25 copash në ditë, ka shkuar në 500, ndërsa është shtypur edhe në 20.000 kopje të reja shtesë. Po ashtu, ka kaluar në vendin e parë në Amazon, në Francë, si libri më i shitur.

Danielle, një zonjë nga Parisi, tha se është shumë e rëndësishme për të vënë lule për të dashurit e tyre, jeta e të cilëve u mor pamëshirshëm.

“Është gjithashtu e rëndësishme për t’i parë kujtimet e jetës së Ernest Hemingway në Paris, gjatë këtyre ditëve në vendet ku bëhen përkujtimet, sepse ne jemi qytetërim shumë i vjetër dhe do t’i mbajmë vlerat tona në nivelin më të lartë”.

Ajo, po ashtu, ftoi të gjithë për ta lexuar dhe rilexuar “Parisi është Festë”.

Fjalia përmbyllëse e këtij libri është e gdhendur në pllakën jashtë apartamentit të parë të Hemingway’t në Paris.

“I tillë ishte Parisi i rinisë sonë, ditët kur ishim shumë të varfër dhe shumë të lumtur”. /Politiko.net

Baleti i Kosovës po mbijeton në saje të entuziazmit

0

Në biletarinë e Teatrit Kombëtar të Kosovës vizitorët marrin bileta por s’iu duhet të paguajnë për të parë shfaqjet e Baletit të Kosovës. Kjo praktikë po vazhdon kështu tash e sa kohë.

“Othello”, “Don Kishoti”, “Your stories, my stories”, e të gjitha shfaqjet e tjera ofrohen falas për dashamirët e baletit, që po mbushin çdo të enjte sallën e teatrit, e që janë të të gjitha moshave e gjinive.

I pyetur për këtë çështje nga KosovaLive drejtori i Trupës së Baletit, Ahmet Brahimaj, thotë thjesht se ata preferojnë ta kenë sallën plotë, me bileta pa pagesë, sesa të japin shfaqje pa publik, bazuar në gjendjen ekonomike të vendit.

Gjatë këtij viti ata kanë vënë në skenë tri premiera, ndërsa kanë realizuar plotë repriza dhe aktualisht po përgatitën për premierën e fundvitit, që do ta mbyllë programin për sivjet.

“Për këtë vit ne i kemi paraparë 4 premiera. Deri më tani në skenë janë prezantuar tri nga to, ‘Othello’, ‘Ngjyrat e vallëzimit’ dhe ‘Spartaku’, shfaqje të cilat në çdo reprizë i kanë sallat plotë. Për fundvit, më 10 dhjetor, ne do ta prezantojmë shfaqjen e re, ‘Starvinsky & Ravel’, që vjen bashkëpunim mes Mehmet Kursat Kiliq dhe Mehmet Ballkanit”, tregon drejtori Brahimaj.

Statusi i balerinëve është një problem i kësaj trupe. Aktualisht, Baleti i Kosovës ka 16 balerinë rezidentë, 7 prej tyre djem edhe 8 vajza, të cilët janë në listën e pagave të Baletit Kombëtar të Kosovës, por gjithashtu janë edhe 7 balerinë të tjerë, që luajnë pothuajse gjithmonë me trupën e Baletit të Kosovës, pa paga, vetëm me honorarë të projekteve dhe nuk iu paguhet stazhi si pjesës tjetër.

“Është i dhimbshëm dallimi mes tyre. P.sh ne e kemi dhënë premierën e shfaqjes ‘Don Kishoti’ në vitin 2012, këta 7 atëherë kanë marrë honorarë dhe të njëjtën shfaqje pa as një pagesë shtesë e luajnë në repriza, tash e tri vjet”, shpjegon Brahimaj.

Kur kësaj i shtohen edhe kushtet e tjera të pavolitshme të punës del se Baleti i Kosovës po mbijeton në saje të entuziazmit, të trupës rezidente dhe sidomos asaj jorezidente.

Objekti që e ndajnë me stafin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ani pse që nga 2005-ta janë dy institucione të ndryshme, cilësohet nga Ahmet Brahimaj si shumë i vjetruar dhe si objekt që nuk po i plotëson kushtet e balerinëve.

“Fillimisht nuk kemi sallë që i plotëson kushtet. Ne ushtrojmë në bodrum, çdo ditë, sepse kemi ushtrime të obligueshme. Ata balerinët ushtrojnë nga 6 apo 7 orë në lagështi të bodrumit. Zhveshtoret janë gjithashtu të shkatërruara dhe gjithçka është për keqardhje por e dimë se kështu do të jetë deri në plotësimin e kushteve. Mungesa e Teatrit të Operës dhe Baletit në Prishtinë edhe neve po na shkakton shumë probleme”, thotë ai.

Kjo gjendje e Trupës së Baletit, krahasuar me paraqitjet e suksesshme dhe punën që po bën kjo trupë, tregon se vullneti dhe interesimi nga balerinët e rinj nuk mungon, por një tjetër problem del edhe çështja e shkollimit dhe përgatitjes së kuadrove të reja, pasi që Baleti i Kosovës ka hasur në mosmarrëveshje me Komunën e Prishtinës për çështjen e pedagogeve të baletit në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” dhe e kanë ndërprerë bashkëpunimin e mëtutjeshëm.

“Neve na mungon Shkolla e Baletit. Këtë vit i kemi prishur marrëdhëniet me Komunën e Prishtinës sa i përket paraleleve të baletit, sepse ata duan t’i caktojnë pedagogët e baletit, gjë që nuk ndodhë në asnjë vend të botës, pasi që gjithkund, pedagogët i cakton trupa e baletit.

Problem pra, është edhe mungesa e shkollës së baletit në Kosovë, por ne jemi në negociata me Ministrinë për Arsim, Shkencë e Teknologji për ndërtimin e një shkolle profesionale 9 vjeçare për balet, sepse duke qenë në kuadër të shkollës së muzikës ‘Prenk Jakova’ ne nuk jemi afirmuar shumë. Sa për krahasim, Shkolla e Baletit në Tiranë ka pesë salla të ushtrimeve, ne se kemi as edhe një”, thotë Brahimaj.

Në mungesë janë edhe koreografët vendor të baletit dhe pasi që nuk ka as edhe një të tillë, balerinët prezantohen para publikut me lëvizjet e koreografëve të huaj, nga vendet e ndryshme si Kina, Rusia, Turqia, Holanda, Zvicra, Gjermania, Amerika, etj.

Baleti i Kosovës prezantohet shpesh në rajon, në Shqipëri e Maqedoni, por duke përmendur përfaqësimet jashtë vendit drejtori Brahimaj ndalet tek paraqitja në Grac të Austrisë, ku u ndanë tepër të kënaqur nga mikpritja dhe sipas tij lanë të mahnitur me performancën e tyre publikun të cilët nuk kishin pasur ide se Kosova ka një trupë të baletit.

Këtë performancë të tyre e kishte ndjekur edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cila edhe ishte njoftuar me balerinët.

Pas përfundimit të këtij viti, që konsiderohet i suksesshëm për të, Trupa e Baletit e di se çka do t’i ofrojë publikut vitin e ardhshëm, në 2016. Ndër shfaqjet e planifikuara është edhe një nën koreografinë e Pullumb Agalliut. Si zakonisht, ata do të shfaqen edhe nëpër teatrot në rajon dhe shpresojnë shumë që nëse arrijnë të sigurojnë viza, të prezantohen edhe tutje në Evropë. /KosovaLive