16.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Baleti i Kosovës po mbijeton në saje të entuziazmit

Në biletarinë e Teatrit Kombëtar të Kosovës vizitorët marrin bileta por s’iu duhet të paguajnë për të parë shfaqjet e Baletit të Kosovës. Kjo praktikë po vazhdon kështu tash e sa kohë.

“Othello”, “Don Kishoti”, “Your stories, my stories”, e të gjitha shfaqjet e tjera ofrohen falas për dashamirët e baletit, që po mbushin çdo të enjte sallën e teatrit, e që janë të të gjitha moshave e gjinive.

I pyetur për këtë çështje nga KosovaLive drejtori i Trupës së Baletit, Ahmet Brahimaj, thotë thjesht se ata preferojnë ta kenë sallën plotë, me bileta pa pagesë, sesa të japin shfaqje pa publik, bazuar në gjendjen ekonomike të vendit.

Gjatë këtij viti ata kanë vënë në skenë tri premiera, ndërsa kanë realizuar plotë repriza dhe aktualisht po përgatitën për premierën e fundvitit, që do ta mbyllë programin për sivjet.

“Për këtë vit ne i kemi paraparë 4 premiera. Deri më tani në skenë janë prezantuar tri nga to, ‘Othello’, ‘Ngjyrat e vallëzimit’ dhe ‘Spartaku’, shfaqje të cilat në çdo reprizë i kanë sallat plotë. Për fundvit, më 10 dhjetor, ne do ta prezantojmë shfaqjen e re, ‘Starvinsky & Ravel’, që vjen bashkëpunim mes Mehmet Kursat Kiliq dhe Mehmet Ballkanit”, tregon drejtori Brahimaj.

Statusi i balerinëve është një problem i kësaj trupe. Aktualisht, Baleti i Kosovës ka 16 balerinë rezidentë, 7 prej tyre djem edhe 8 vajza, të cilët janë në listën e pagave të Baletit Kombëtar të Kosovës, por gjithashtu janë edhe 7 balerinë të tjerë, që luajnë pothuajse gjithmonë me trupën e Baletit të Kosovës, pa paga, vetëm me honorarë të projekteve dhe nuk iu paguhet stazhi si pjesës tjetër.

“Është i dhimbshëm dallimi mes tyre. P.sh ne e kemi dhënë premierën e shfaqjes ‘Don Kishoti’ në vitin 2012, këta 7 atëherë kanë marrë honorarë dhe të njëjtën shfaqje pa as një pagesë shtesë e luajnë në repriza, tash e tri vjet”, shpjegon Brahimaj.

Kur kësaj i shtohen edhe kushtet e tjera të pavolitshme të punës del se Baleti i Kosovës po mbijeton në saje të entuziazmit, të trupës rezidente dhe sidomos asaj jorezidente.

Objekti që e ndajnë me stafin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ani pse që nga 2005-ta janë dy institucione të ndryshme, cilësohet nga Ahmet Brahimaj si shumë i vjetruar dhe si objekt që nuk po i plotëson kushtet e balerinëve.

“Fillimisht nuk kemi sallë që i plotëson kushtet. Ne ushtrojmë në bodrum, çdo ditë, sepse kemi ushtrime të obligueshme. Ata balerinët ushtrojnë nga 6 apo 7 orë në lagështi të bodrumit. Zhveshtoret janë gjithashtu të shkatërruara dhe gjithçka është për keqardhje por e dimë se kështu do të jetë deri në plotësimin e kushteve. Mungesa e Teatrit të Operës dhe Baletit në Prishtinë edhe neve po na shkakton shumë probleme”, thotë ai.

Kjo gjendje e Trupës së Baletit, krahasuar me paraqitjet e suksesshme dhe punën që po bën kjo trupë, tregon se vullneti dhe interesimi nga balerinët e rinj nuk mungon, por një tjetër problem del edhe çështja e shkollimit dhe përgatitjes së kuadrove të reja, pasi që Baleti i Kosovës ka hasur në mosmarrëveshje me Komunën e Prishtinës për çështjen e pedagogeve të baletit në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” dhe e kanë ndërprerë bashkëpunimin e mëtutjeshëm.

“Neve na mungon Shkolla e Baletit. Këtë vit i kemi prishur marrëdhëniet me Komunën e Prishtinës sa i përket paraleleve të baletit, sepse ata duan t’i caktojnë pedagogët e baletit, gjë që nuk ndodhë në asnjë vend të botës, pasi që gjithkund, pedagogët i cakton trupa e baletit.

Problem pra, është edhe mungesa e shkollës së baletit në Kosovë, por ne jemi në negociata me Ministrinë për Arsim, Shkencë e Teknologji për ndërtimin e një shkolle profesionale 9 vjeçare për balet, sepse duke qenë në kuadër të shkollës së muzikës ‘Prenk Jakova’ ne nuk jemi afirmuar shumë. Sa për krahasim, Shkolla e Baletit në Tiranë ka pesë salla të ushtrimeve, ne se kemi as edhe një”, thotë Brahimaj.

Në mungesë janë edhe koreografët vendor të baletit dhe pasi që nuk ka as edhe një të tillë, balerinët prezantohen para publikut me lëvizjet e koreografëve të huaj, nga vendet e ndryshme si Kina, Rusia, Turqia, Holanda, Zvicra, Gjermania, Amerika, etj.

Baleti i Kosovës prezantohet shpesh në rajon, në Shqipëri e Maqedoni, por duke përmendur përfaqësimet jashtë vendit drejtori Brahimaj ndalet tek paraqitja në Grac të Austrisë, ku u ndanë tepër të kënaqur nga mikpritja dhe sipas tij lanë të mahnitur me performancën e tyre publikun të cilët nuk kishin pasur ide se Kosova ka një trupë të baletit.

Këtë performancë të tyre e kishte ndjekur edhe raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cila edhe ishte njoftuar me balerinët.

Pas përfundimit të këtij viti, që konsiderohet i suksesshëm për të, Trupa e Baletit e di se çka do t’i ofrojë publikut vitin e ardhshëm, në 2016. Ndër shfaqjet e planifikuara është edhe një nën koreografinë e Pullumb Agalliut. Si zakonisht, ata do të shfaqen edhe nëpër teatrot në rajon dhe shpresojnë shumë që nëse arrijnë të sigurojnë viza, të prezantohen edhe tutje në Evropë. /KosovaLive

Më Shumë

Ballkani fiton dhe ruan kreun e tabelës

Fitore e rëndësishme e Ballkanit në udhëtim te Gjilani sot. Skuadra suharekase takimin e sotëm e fitoi 0-2 (Nazmi Gripshi 49’, Lumbardh Dellova 81’), për ta ruajtur kështu kreun e...

O Zot që fatet tona në dorë i mban!

Poezi nga Ndoc Gjetja O Zot që fatet tona në dorë i mban! Na ruaj nga shëndeti trashaman, na ruaj nga orekset e Sanço Pançës, na ruaj nga...

Lajmet e Fundit