17.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Analistët: Pezullimi i asociacionit nuk e zgjidh krizën politike

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për shqiptimin e masës së përkohshme, me të cilën suspendohet zbatimi i parimeve të përgjithshme të marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, nga analistët konsiderohet si vendim i pranueshëm, por jo që mund ta zgjidhë krizën politike.

Analisti politik Belul Beqaj ka vlerësuar të mërkurën se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe ka qenë vendimi më i pranueshëm për të gjithë. Megjithatë, ai ka thënë për “Epokën e re” se ky vendim nuk është i pavarur dhe profesional por, sipas Beqajt, është modus “vivendi” për ta shpëtuar gjykata veten duke mos i ngacmuar shumë palët.

“Gjykata Kushtetuese është në sandviç mes presionit të opozitës dhe ruajtjes së autonomisë profesionale, përkatësisht kërkesës së heshtur të pushtetit për ta mbështetur ‘Zajednicën’. Prandaj, pezullimi ka qenë vendimi më i pranueshëm për të gjithë. Këtij vendimi i ka shkuar për shtati edhe mosanëtarësimi i Kosovës në UNESCO. Paramendojeni situatën sikur gjykata të kishte vendosur ‘pro’ kërkesës së kryetares çfarë reagime do të kishte në shoqëri. Prandaj, definitivisht pezullimi nuk është vendim i pavarur dhe profesional i Gjykatës, por modus ‘vivendi’ për ta shpëtuar veten duke mos i ngacmuar shumë palët”, ka deklaruar Beqaj, duke shtuar se presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, ka bërë gabim që e ka dërguar çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.

“Personalisht mendoj se presidentja ka bërë gabim që e ka dërguar, ngaqë Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’i gjykojë parimet, por efektet e sanksionuara ligjore se a është ndonjë zgjidhje juridike konform Kushtetutës apo jo. Gjykata duhet ta ketë objekt të shqyrtimit vetëm dekretin e Qeverisë nëse Qeveria do ta ketë guximin për ta dekretuar pas kësaj çfarë ka ndodhur me dështimet zinxhirore”, është shprehur Beqaj.

I pyetur nëse ftesa për dialog e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, do t’i kontribuojë zgjidhjes së krizës politike, Beqaj ka thënë se çdo zgjidhje jashtë kuvendit do të shkaktojë pasoja të cilat vështirë se mund të riparohen.

“Ndërkohë mund të ndodhin gjëra edhe më të pahijshme në Kuvendin e Kosovës. Por, definitivisht tejkalimi i kësaj gjendje do të jetë në Kuvendin e Kosovës, prandaj mendoj se palët më mirë është ta bëjnë sot atë që do të detyrohen ta bëjnë me pasoja shumë më të mëdha për to dhe shoqërinë nesër. Në këtë kuptim besoj se çdo zgjidhje jashtë kuvendit shkakton pasoja të cilat vështirë se mund të riparohen derisa e kemi nënshkruar MSA-në. ‘Timeauti’ që është krijuar duhet të shfrytëzohet për t’i korrigjuar veprimet taktike nga ana e opozitës dhe pozitës, përndryshe politikëbërja e këtillë do ta humbet kuptimin”, ka theksuar ai.

Ndërsa analisti tjetër politik, Artan Muhaxhiri, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të shihet edhe në nivelin juridik dhe atë politik. Ai ka thënë për “Epokën e re” se opozita nuk do ta ndryshojë qasjen si pasojë e këtij zhvillimi të ri, por as Qeveria nuk guxon të fshehët prapa këtij akti.

“Mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave me shumicë serbe duhet të shihet në dy nivele, në nivelin juridik dhe atë politik. Sa i përket nivelit juridik, duket se çdo gjë është në përputhje me kompetencat që i ka presidentja dhe Gjykata Kushtetuese dhe është një proces i cili bëhet duke respektuar kornizën ligjore në Kosovë. Kurse sa i përket nivelit politik nuk është e pritshme që ky akt do të ndikojë në përafrimin e palëve. Nuk besoj se opozita do ta ndryshojë qasjen si pasojë e këtij zhvillimi të ri, mirëpo as Qeveria nuk bën të fshehët prapa këtij akti dhe të bëhet kinse nuk po ndodh asgjë, pra ta injorojë krizën”, ka theksuar Muhaxhiri.

Sipas tij, pavarësisht vendimit të Kushtetueses, pa vullnet politik dhe pa ulje në tryezë të pesë liderëve partiakë nuk mund të pritet asgjë pozitive.

“Kriza ekziston dhe ajo nuk mund të zgjidhet me këtë vendim. Përfshirja e Gjykatës Kushtetuese në këtë krizë politike mund të jetë një nga elementet e mozaikut të krizës, por assesi nuk duhet të pritet që vetëm Kushtetuesja ta zgjidhë këtë krizë. Pra, pa vullnet politik dhe pa ulje në tryezë të pesë liderëve partiakë nuk mund të pritet asgjë pozitive”, ka deklaruar Muhaxhiri.

Kurse sa i përket ftesës për dialog në mes të palëve, Muhaxhiri ka thënë se një gjë të tillë është dashur ta bëjnë lideri i LDK-së, Isa Mustafa dhe ai i PDK-së, Hashim Thaçi, e jo kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

“Nuk besoj se i takon z. Kadri Veseli ta bëjë një akt të tillë sepse këtë letër do të duhej ta dërgonte Isa Mustafa në bashkëpunim me Hashim Thaçin sepse ata janë udhëheqësit e koalicionit dhe pakënaqësia e opozitës është me koalicionin qeveritar, e jo me kuvendin. Është një akt formal nga ana e z. Veseli, por edhe ai vetë e ka ditur se nuk do të ketë asnjë efekt ftesa e tij, sepse marrëveshjet në Bruksel i ka nënshkruar Isa Mustafa, e jo Kadri Veseli”, është shprehur Muhaxhiri. /Epoka e Re

Më Shumë

Serbia arreston edhe dy kosovarë

Dy persona, përkatësisht shoferi dhe konduktori i autobusit të një kompanie nga Kosova, janë ndaluar nga autoritetet serbe në kufi, raporton Zeri.info.  Mediat serbe kanë...

Hyseni për herë të pestë fiton çmimin ‘Ylli i javës’

Federata e Futbollit e Kosovës dhe sponsori i Superligës, Albi Mall vazhdojnë ndarjen e çmimit “Ylli i javës”. Ky çmim për javën e 31-të...

Lajmet e Fundit