Home Blog Page 7015

Mizoria e enverizmit

0

Një ngjarje e gushtit 1948 zbulon deri në imtësi se çfarë torturash fizike e mendore bënin shefat e sigurimit në qelitë e hetuesisë. Rasti është i një nëntogeri, efektiv ushtarak, i cili ishte arrestuar befas në Pogradec, me akuzën për vepra armiqësore kundër pushtetit popullor. Pasi akuzat nuk ishin vërtetuar, ai ishte liruar nga burgu dhe pas kësaj shkruan një relacion me gjithë detajet e torturave që kishin ushtruar mbi të dy punonjësit e Sigurimit – Kapiten T. B. dhe N/Toger Sh. K., ku ai veçon si kulmin më të padurueshëm momentin kur torturuesi i thotë se do t’i sjellë në mbrëmje gruan dhe do ta përdhunojë në sytë e tij.

E njëjta ngjarje raportohet edhe nga majori SH.P., duke kërkuar që të hetohet ngjarja. Në të dy dokumentet, fraza që lidhet me kërcënimin për përdhunimin e bashkëshortes së të akuzuarit, nënvizohet me vijë të dukshme, duke lënë të nënkuptohet se ai ishte një akt i patolerueshëm, madje më shumë se torturat çnjerëzore si mbajtja varur për ditë të tëra pa ushqim e pa ujë. Për shkak të çështjes thellësisht intime, të gjithë emrat e përmendurve në këto dy dokumente vijnë me iniciale.

Më poshtë lexoni pjesë nga dokumentet ku rrëfehet dhuna në dhomat e hetuesisë:

RELACJONE

LANDA: Mbi vëmendjen në dijeni rreth arrestimit dhe vuajtjeve të mija.
Me rastin e daljes nga burgu Unë i nënshkruari N/Toger K. Z. efektiv i Zyrës Ushtarake Pukë ju paraqes këtë Relacjon.

Më 10 gusht 1948 unë u arrestova nga Sigurimi i Shtetit Pogradec dhe mbranda 24 orëve më nisën për Tiranë, i lidhur me hekura dhe me uniformën si oficer i shoqruar nga dy policë me nji kamjon që ishte mbushur plotë me civila, para se të nisesha propozoj N/Toger L.Rr ish-oficer i Sigurimit Pogradec që të heq uniformën si oficer ose të paktën spaletat, por aj m’u përgjegj (Jo). Kur mbrita në Tiranë ju propozoj të di, se pse jam arestuar mbasi në të vërtetën arestimi i jem asht bërë krejt i pa drejtë dhe pa asnji fakt, por nuk prauan në asnji mënyrë shokët e Sigurimit.

Mbrenda 5 ditve i shoqruar më nisën për në Shkodër dhe me shpunë në nji birucë ngushtë, ku prej asaj dite filluan të më bëshin torturat çnjerëzore.

Me datën 15 gusht 1948 më marrin në pytje kapiten T.B. dhe N/Toger Sh. K. të cilët më thanë: Trego aktivitetin tënd kundër pushtetit dhe me çë njerëz njifesh mbasi neve kemi fakte të gjalla për ti si anti pushtet, për nji herë mbasi unë nuk kisha se çë farë t’u thonja pse nuk kisha bër ndonji vepër për kundra pushtetit u a dhash përgjegjen: Nuk kam bërë asgjë kundra pushtetit dhe as që kam pas ndërmend të bëj dhe ju lutemi më hidhni në gjygj mbasi atje pozita e ime do të skjarohet ku pastaj dhe ju do të bindeni me fakte se unë jam i pa fajshëm.

Pa pritur dhe të zemruar u dhanë urdhër rojeve: çojeni në burg dhe e lini në këmbë dhe lidhur për deri sa t’i vij mendja e të tregoj. Në këtë gjendje tortura më bënë 7 ditë e 7 netë ku ma në fund nga lodhja e tepërt filloj tue rrjedhë gjaku nga kambët e mija. Gjatë kësaj perjudhe më merrnin në pytje në mes të natës dhe gjithmon po nji fjalë më flisnin: Trego aktivitetin tënd kundra pushtetit, mbasi nuk kishin fakte të sigurta për se të më akuzonin për të tjera.

Gjatë këtyre shtat ditve me tortura e kërcnime dhe sharje u munduan që unë të mbush perçezin ashtu si e donin ata, por kjo u doli bosh krejtësisht dhe mbasi u dulën bosh akuzat pregatitën nji organizim me inisjativën e N/Toger Sh. K. që të më vrasin, se gjoja unë kam tentuar të hiki nga burgu. Me datën 22/8/1949 në orën 2 pas dreke i trullosun nga torturat dhe isha nde për çimente, po ndëgjoj nji za (Kush ti bije, unë apo ti).

Me të ndigjuar këtë za çohem dhe i ve nji rogoz derës dhe po qëndroj në nji qoshe të murit tue shikuar me vrejtje ngjarjen që do të zhvillohej, nuk vonoj shumë polici që ishte roje fut revolen për birucë e drejton mirë drejt meje për fat të mirë revolveri nuk shkrepi, mbasi nuk i ndezi fisheku i revolverit rëmbijen me nji herë automatikun, atëher tue parë vehten me nji rezik thirra me nji za të tmeruar, ku në atë kohë ndigjoj kapiten L. Z. Shefi i Seksjonit të Qytetit Shkodrës, i cili erdhi dhe më tërhoqi nga ai burg dhe më dërgoj në nji birucë pranë Seksjonit Punve të Mbrendshme të qytetit Shkodër…

Po në mbramje të kësaj darke në mes të natës më mori në dhomën e proçedimit N/Toger Sh. K. dhe më rrifte tue më thanë pse bërtite dhe pse i the Kapiten L. Z., i thash pse donin të më vrisnin, po duhet të jesh i sigurtë se shpëtove nga plumbi po do vdesësh në litar dhe në atë orë më shpuri në podrume dhe më lidhi duart mbrapa nga ana tjetër më lidhi me nji litar nën sjetullat dhe më varën tue ngritur nga toka dy pllëmbë jo për të vdekur po për të më torturuar rëndë. Kjo torturë e këtillë ka vazhduar për 19 dit me radhë varem në trarin e podrumit pa bukë e pa ujë dhe pa asgjë cderi sa më në fund e kisha humbur gjukimin tem dhe nuk merrja vesh gja mbasi po rrithte gjaku vijë nga goja dhe në momentin e prisja vdekjen teme.

Mbasi kisha qëndruar nji kohë të gjatë kështu më kishin zgjidh nga ku isha varur dhe më kishin ul për tokë por unë nuk kuptojsha asgjë se çfarë po bahej, vetëm mbas dy tri ditësh fillova të bije ndër mendë ma në fund akuzonin se unë kam patur lidhje me Nako Spiron dhe Mehmet Shehun se gjoja i kam favorizuar në qëndrimin e tyre në lidhje me këto akuza bazoshin se gruaja e ime ka miqësi me familjen e Nako Spiros dhe për Mehmet Shehun me pytshin se si i ka punët dhe si e mendon ti qëndrimin e tij. Unë ju thashë se nuk më mbushet mendja se Mehmeti të ketë qenë i atillë gjithashtu dhe për Nako Spiron u thash nuk e njoh…

Nuk mund të qëndroj pa ju vënë në dijeni për torturat dhe e ndjej për detyrë si një komunist i vërtetë që këtë vepër të disa personave të poshtë shënuar me ja thanë Partis dhe që Partija mendoj që këta shokë t’i kontrolloj. Emrat e personave për veprat e tyre shnjerzore Kapiten T.B., N/Toger Sh. K. dhe për këtë detyrohem të tregoj nji vepër e cila më ka revoltuar shumë pse më datën 3 shtator N/Toger Sh. K. më merr në dhomën e proçedimeve dhe më thotë: çfarë gjëra ushtarake ke në shpi. Unë i thashë: shko në shpinë time kontrollo dhe pyt gruan time e cila do t’ju tregoj të vërtetën pse dhe ajo asht antare Partije.

Mirë po N/Toger Sh. K. më përgjigjet: pse dhe gruan antare Partije e ke, prite se nesër mbrama do ta sjell këtu dhe ju do t’i mbani kokën dhe un do t’i mbledh kambët. Gjatë gjithë vuajtjeve e torturave kjo ka qenë vepra më shnjerzore për nji komunist dhe me gjithë se unë më vjen turp me shkruajt por nuk mundem të qëndroj pa e thënë mbasi më duket nji barrë e madhe në kurriz…

ME NDERIME ANTARI I PARTIS PUNËS SHQIPTARE

N/Toger (K. Z.)

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

TIRANË

Nr. 3375 Prot.Lënda: Mbi sjelljet e këqija të N/Toger Sha.K.SHEFIT TË SEKSIONIT TË PUNËVE TË BRENDSHME

LUSHNJEInformohemi se në datën 10 gusht 1948, në Kampin e Pushimit të Oficerëve në Pogradec, është arrestuar N/Toger K. Z., i cili u përcoll për në Seksionin e Sigurimit – Shkodër, dhe atje u mor në procedim prej Kapiten T. B. dhe N/Toger Sh. K. të cilët e akuzonin për veprimtari grupazhi dhe antipushtet.

N/Togeri në fjalë është torturuar për 40 ditë rresht prej Sh. K. 9 ditë pa bukë, 20 ditë i varur në trarët e burgut dhe më në fund Sh. u jep urdhër dy policëve dhe një tetari për ta pushkatuar me pretekstin se tentoi të arratisej, por policëve nuk u ndezi revolveri dhe mandej marrin automatikët, kështu që i akuzuari në këto momente ulërin nga frika dhe vjen Kapiten H. Z., i cili e shpëton nga ekzekutimi.

Në datën 2 shtator shkon N/Toger Sh. dhe mbasi e rimerr në procedim N/Toger K. Z. e pyet se çfarë sendesh ushtarake ka në shtëpi, dhe i arrestuari i përgjigjet se juve shkoni dhe kontrolloni shtëpinë time, mbasi atje është gruaja e cila është dhe anëtare partie, mirëpo Sh. i thotë se e paske dhe anëtare partie gruan, të cilën në mbrëmje do ta sjell unë këtu dhe ti t’i mbash kokën e unë t’i ngre këmbët.

Përveç këtyre i përmenduri në shtëpinë e të arrestuarit ka marrë dhe këto plaçka: 1 palë spaleta, i kapele 1 rrip oficeri, 1 revole parabel, 1 nagant, 1 pushkë gjerman dhe gjithë librat që kishte në shtëpi.

Prandaj, për sa më sipër të pyetet N/Toger Sh. K. dhe me anën e një relacioni shkoqitës të përgjigjet për të gjitha akuzat që përmban kjo shkresë duke ia përshtatur realitetit.

Përfundimi pritet i shpejtë. KRYETARI I DEGËS SË KUADRIT

MAJOR (SH. P.)

Nga sigurimi i tillë dyshohet se është përdhunuar edhe intelektualja e madhe shqiptare, Musine Kokalari. Biografi Novruz Shehu shprehet se në ditarin e saj është rrëfyer kjo histori, që ia ka rrëfyer nipit të saj.

Rrezik për luftë civile

0

Nëse pozita dhe opozita nuk merren vesh për tejkalimin e krizës parlamentare, atëherë rreziku për një konflikt brenda shqiptarëve është shumë i mundshëm. Madje konflikti mund të eskalojë në një luftë të panevojshme civile, që do të ishte katastrofike për Kosovën.

Kështu ka deklaruar në një intervistë për gazetën “Zëri”, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje” dhe “rezistuesi i fundit” opozitar në Kuvendin e Kosovës, Ilir Deda.

Ai ishte i vetmi deputet nga opozita i cili jo vetëm që qëndroi në seancën e ratifikimit të MSA-së, por edhe votoi pro dhe bëri që të futet shtesa “Republikë” në marrëveshje.

Deda për këto dallime me partinë e tij dhe bllokun opozitar ka thënë se është i gatshëm që të bartë përgjegjësinë individuale, edhe pse këto dallime në botën demokratike, sipas tij, janë normale dhe “ata që mendojnë ndryshe kanë probleme me të kuptuarit e demokracisë”.

Deda ka ftuar kolegët e tij deputetë që të mos jenë “piun” të liderëve politikë, por të bartin përgjegjësinë individuale.

Ndërkohë ka përmendur Komisionin e Venedikut si propozim i cili do t’i jepte fund maratonës së krizës. /Zëri

Historianët: Serbia po e humb betejën për UNESCO

0

Konferenca e përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) të martën i ka nisur punimet dhe e ka aprovuar agjendën në tërësi.

Pjesë e saj është edhe kërkesa për pranimin e Kosovës në UNESCO.

Historianët Bujar Dugolli dhe Frashër Demaj kanë shprehur optimizëm se Kosova do të bëhet pjesë e UNESCO-s dhe sipas tyre, Serbia është duke bërë përpjekje të kota për ta penguar këtë rrugëtim.

Pranimi i Kosovës në këtë organizatë pritet të hidhet në votim më 9 nëntor. /Epoka e re

“Armëpushimi” në Kuvend, deri të premten

0

Opozita do t’i rikthehet bllokimit të punës së Kuvendit pas seancës solemne të së premtes, kur komisionari i Bashkimit Evropian për negociata të zgjerimit dhe fqinjësi, Johanes Hahn, do t’iu drejtohet deputetëve të Kosovës.

Opozitarët thonë se fakti që marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe është duke u trajtuar nga Gjykata Kushtetuese nuk ndryshon asgjë në qëndrimin e tyre dhe se nuk kanë asnjë arsye të lejojnë zhvillimin e seancave të reja para se Qeveria të tërhiqet nga marrëveshja për Asociacionin dhe nga ajo për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë të martën për “Zërin” se Kryesia e Kuvendit nuk ka arsye të mos thërrasë seanca për shkak të kundërshtimit të opozitës. /Zëri

Policia arreston dy persona në Prizren

0

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për vjedhje.

Ngjarja ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të 31 tetorit, ndërsa pas dy ditësh është bërë identifikimi i tyre.

Tashmë, siç bën të ditur policia, personat janë në mbajtje, pasi kishin hyrë me forcë në një lokal në Prizren dhe nga aty kanë vjedhur 660 euro, para të gatshme./Indeksonline/

LDK: Ramadan Muja t’i kërkojë falje qytetarëve të Prizrenit

0

Lidhja Demokratike në Prizren, kërkon nga kryetari i Komunës ramadan Muja, që t’i kërkojë falje qytetarëve për gjendjen e krijuar në sistemin e arsimit në ëtë qytet.

Reagimi i plotë i LDK-së në Prizren
Pas reagimeve dhe denoncimeve të shumta nga Lidhja Demokratike e Kosovës në Prizren, të faktuara me fakte dhe prova të shumta kundrejt pushtetit kriminal të instaluar tash e disa vite në Prizren, më në fund po shihet një fije shprese se krimi dhe korrupsioni sa do të fuqishëm politikisht të jenë, një ditë i vije momenti që përballë fuqisë së sovranit ai të dorëzohet.

Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren si forcë politike institucionale çdo herë ka besuar dhe vazhdon të besoj në punën dhe angazhimin e institucioneve relevante të rendit dhe ligjit.

Prandaj, arrestimi i drejtorit të arsimit dhe vartësve të tij, duhet të jetë vetëm fillimi i jetësimit të premtimit publik të organeve të shtetit për zero tolerancë ndaj krimit dhe korrupsionit, pasi dihet mirëfilli që nga Ramadan Muja e poshtë të gjithë aty janë të zhytur në krim të organizuar dhe korrupsion.

Nga rasti i fundit, i arrestimit të Nexhat Çoçajt dhe zyrtarëve tjerë, Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Prizren, duke vlerësuar lartë reagimin e organeve të shtetit, i falënderon publikisht për guximin qytetarët denoncues të krimit dhe korrupsionit, të cilët përkundër që paguan një çmim të lartë përsonal, ata dhanë shembullin më të mirë se si sakrifikohet për interesin e përgjithshëm.

Gjendja e mjerë në sistemin e arsimit prizrenas, pas arrestimit të drejtorit, Nexhat Çoçaj, dhe vartësve të tij, atë drejtori tani më e ka lënë në një shkretëtirë institucionale, aty më nuk ka mbetur kush, përveç disa administratorëve që si ky sistem i dështuar i ka vendos aty.

Për këtë situatë kërkojmë ndërhyrje nga niveli MASHT-i, që në Prizren të dërgoj një ekip profesional për ta menaxhuar situatën emergjente. Gjendjës së mjerë të ekzekutivit prizrenas i është shtuar edhe mosfunksionaliteti i drejtorive të drejtuar nga minoritetet, si pasojë e bojkotit nga përfaqesuesit e tyre, nga përplasjet me partnerin e tyre, PDK-në.

Gjykata ia cakton 1 muaj paraburgim Nexhat Çoçajt

0

Gjykata Themelore në Prizren ia ka caktuar 30 ditë paraburgim drejtorit të Arsimit, Nexhat Çoçaj. Ndërkaq, pesë zyrtarëve të tjerë iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Prokurori i shtetit Sefer Morina kishte kërkuar paraburgim edhe për pesë të arrestuarit e djeshëm bashkë me Çoçajn, por atyre gjyqtari Xheladin Osmani ua caktoi një masë më të butë sigurie.

Reshit Kushaj, Elbasan Shoshaj, Ferdi Kovaq, Ruzhdi Elezkurtaj dhe Almir Sahitit do të qëndrojnë për një muaj në arrest shtëpiak.

Gjashtë të arrestuarit ditën e djeshme dyshohen për kryerjen e veprave penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe autorizimit, si dhe të cenimit të drejtës në punësim dhe të papunësisë./kallxo.com/

 

Prokuroria e Prizrenit kërkon 1 muaj paraburgim për Nexhat Çoçajn
Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar 1 muaj paraburgim për Drejtorin e Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prizrenit, Nexhat Çoçaj, si dhe 5 zyrtarëve të kësaj drejtorie, të arrestuar dje.

Çoçaj u arrestua dje bashkë me pesë kolegë të tjerë të zyrës që ai udhëheq. Ata dyshohen për kryerje të veprave penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, si dhe për cenim të drejtës në punësim dhe të papunësisë. Të ndaluarit tjerë, pos drejtorit Çoçaj janë,: S.A., R.K. E.Sh., R.E., dhe F.K., ndërsa dy të dyshuarit tjerë të cilët janë të përfshirë në kallëzimin penal janë A. Ç. dhe F.Z.

“Ne sot kemi nis zyrtarisht hetimet ndaj Drejtorit komunal të arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj, bashkë me pesë zyrtarë të tjerë komunalë. Ne kemi bërë kërkesën për një muaj paraburgim për të gjithë”, ka thënë për gazetën Express Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha.

Në anën tjetër zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, nuk ka dashur të komentojë se çfarë qëndrimi do të merr Komuna, nëse të dyshuarve iu vazhdohet masa e paraburgimit.

“Tani zyrtarisht nuk kemi njoftim zyrtar as për vendimin për 48 orësh mbajtje, dhe as për caktimin e masës së paraburgimit prej 1 muajsh. Sapo të marrim vendimin zyrtarë nga ana e Gjykatës, Komuna një ditë me vonë do të dal me qëndrim, se cilat masa do t’i marrë kryetari konform ligjit për vetëqeverisje lokale”, ka thënë për Gazetën Express, Berisha.

Kjo nuk do të jetë hera e parë që Çoçaj, do të përballët me drejtësinë. Plotë dy herë atij i janë ngrit aktakuza për keqpërdorime në pozitën që mban. Madje në procesin e dytë gjyqësor ndaj tij, ende po mbaheshin seancat, ku ai bashkë me dy arsimtarë të po kësaj komune, Bekim Thaçi dhe Bedri Çejku akuzohen se keqpërdorën për 5 vjet rresht manifestimin “Remzi Ademaj”, të mbështetur nga komuna e Prizrenit.

Ndërsa në gjykimin e parë ndaj tij në Qershor të vitit 2013, Gjykata Themelore e Prizrenit, e shpalli atë të pafajshëm bashkë me tre zyrtarë të drejtorisë që ai udhëheqë. Akuza i ngarkonte zyrtarët e DKA-së se më 9 maj 2009, me qëllim fitimi të dobisë pasurore, e shpërdoruan detyrën zyrtare, duke i tejkaluar kompetencat dhe duke mos i përmbushur detyrat. Rasti kishte të bënte me tenderët për dërgimin e maturantëve të shkollave të mesme të Prizrenit në bregdetin e Shqipërisë.

Por se a do të duhej, Çoçaj të vazhdonte të kryente punën e Drejtorit të Arsimit, Kryeprokurori Sylë Hoxha thotë se ajo është çështje e administratës komunale të Prizrenit, ndonëse rastet ndaj tij dihen botërisht.

“Ne sa kemi pas prova i kemi hapur hetimet, por nuk na takon të merremi me atë çështje. Ajo është çështje e komunës së Prizrenit, ndonëse rastet ndaj tij dihen botërisht”, ka thënë Hoxha.

E ndonëse drejtoria e arsimit mbanë në supe dy aktakuza dhe për të tretën herë po hetohet nga organet e Drejtësisë, zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha nuk e sheh të nevojshme masën e suspendimit të zyrtarëve të saj.

“Nuk kemi nevojë fare të mendojmë për gjera të tilla. Ne vendosim konform vendimeve dhe jo konform aktakuzave, secili zyrtarë komunal gjatë kohës sa akuzohet është i pafajshëm, deri në vendimin përfundimtar “ ka përfunduar Berisha

Vendimet e Ramadan Mujës

0

Ekzekutivi i Prizrenit, ka marrë vendim për realizimin e disa projekteve në infrastrukturë. Zëdhënësi i Komunës, Ymer Berisha thotë se është marrë vendim që Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të shpallë tenderin për rrënimin dhe ndërtimin e murit të jashtëm të shtëpisë së Ymer Prizrenit.

“Drejtoria e Shërbimeve Publike,po ashtu do të bën rehabilitimin e rrugëve lokale me asfalt, si dhe do të ndërton kanalizimin dhe sheshin në fshatin Kobaj”, tha Berisha.

“Është marrë vendim që të shpallët tenderi për ndërtimin e rrugëve në fshatin Kushnin, Korishë, Shpenadi, si dhe ndërtimin e murit mbrojtës në Landovicë”.
“Drejtoria e Shëndetësisë, do të mbështet financiarisht me nga 300 euro, mjekimin e 32 pacientëve”./PrizrenPress.com/

Isa Mustafa ngushëllon familjen Kryeziu

0

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka ngushëlluar familjen Kryeziu pas ndarjes nga jeta të veprimtarit Halit Kryeziu, deputet i Kuvendit të Kosovës, njëherësh delegat në miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, më 7 Shtator 1990.

“Me pikëllim dhe dhimbje e pranuam lajmin për ndarjen nga jeta të veprimtarit të dalluar, Halit Kryeziu, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, njëherësh delegat në miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, më 7 Shtator 1990”.

“Me punën dhe përkushtimin e tij për dekada të tëra në shërbim të Kosovës, Halit Kryeziu, ka dhënë kontribut të çmuar në shërbim të qytetarëve të Komunës së Malishevës dhe mbarë Kosovës”.

“Ndarja nga jeta e veprimtarit Halit Kryeziu është humbje e madhe për familjen, për miqtë, për kolegët dhe për vendin tonë”.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, Ju shpreh ngushëllime për humbjen tuaj të madhe, thuhet në telegramin e Mustafës.

Pendohet vrasësi i turistëve çekë, kërkon mëshirë

0

Në seancën e sotme në Gjykatën e Shkodrës, Sokol Mjacaj ka kërkuar mëshirë dhe falje për vrasjen e dy turistëve çekë në Prekal të Shkodrës në korrik.

Ai tha se është penduar, duke e arsyetuar krimin me nevoja ekonomike. “Babanë e kam invalid, kurse nëna ka tre vjet që më ka vdekur”, deklaroi 20-vjeçari, raporton Shekulli.

Ai rrëfeu edhe një herë kronologjinë e ngjarjes: “Në mëngjes isha në shtëpi me babanë dhe vëllanë. Nga ora 14:00 thashë ‘po dal të grabis ndonjë turist’. Pashë një makinë dhe i thashë të më merrte deri në Shkodër. U kërkova telefonat që të mos merrnin policinë. Vajza më kërkoi mëshirë, kurse shoferin e qëllova në kokë pasi u përpoq të më merrte armën. Vajzën e vrava pa dashje, arma u shkrep kur makina po rrokullisej”.

Në seancën e kaluar, Mjacaj kërkoi gjykim të shkurtuar, por gjykata e qytetit verior nuk ia pranoi kërkesën.