Home Blog Page 7019

Kërkohet fjala Republikë në projektligjin për MSA-në

0

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Teuta Sahatqija thotë se anëtarët e këtij Komisioni në mënyrë unanime kanë votuar që fjala Republikë të shtohet në të gjithë tekstin para fjalës Kosovë.

Ajo ka kërkuar miratimin e këtij Projektligji, por që paraprakisht të bëhet ky ndryshim.

“Ky amendament është i domosdoshëm dhe nuk e prek dokumentin e MSA-së. Kështu kanë vendosur anëtarët e Komisionit me unanimitet”, tha ajo./ lajmi.net

Albin Kurti ka “dy fjalë” për Kadri Veselin

0

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, nëpërmjet një shkrimi autorial, ka vlerësuar ndër tjerash se me fjalorin që kishte përdorur kryeari i Kuvendit, Kadri Veseli, kur i ishte drejtuar deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje me fjalët “ma hanksh…”.

Sipas Kurtit, Kadri Veseli, atë natë nuk po i shante Albulena Haxhiun dhe Fisnik Ismailin – ai po shante vetevetn e tij sepse sërish i kishte dështuar plani kundër opozitës.

“Fjalët e ndyra që i tha kryeparlamentari kah fundi i tentimit maratonik për seancë me 22 e 23 tetor, formuan konsensus në popullsi: e kemi ditur se është i këtillë e jo i atillë çfarë na shtirej!”, ka shkruar ndër tjerash Kurti.

Teksti i plotë i shkrimit të Albin Kurtit:

Njeriu i qetë, Kadri Veseli

‘I doli hajdari edhe Kadri Veselit.’ – kështu thonë tash i madh e i vogël, në fshat e në qytet, anembanë Kosovës.

Fjalët e ndyra që i tha kryeparlamentari kah fundi i tentimit maratonik për seancë me 22 e 23 tetor, formuan konsensus në popullsi: e kemi ditur se është i këtillë e jo i atillë çfarë na shtirej! Fundja agjentët e shërbimeve sekrete informative e kanë për detyrë të mos duken të tillë, apo jo? Ndërkaq, nxitimi me të cilin Veseli orvatej ta çkyçte mikrofonin që e kishte harruar të ndezur gjersa shante vetëm sa ua vizatonte qytetarëve atë që moti e kishin ditur për të.

Kadri Veseli atë natë nuk po i shante Albulena Haxhiun dhe Fisnik Ismailin. Ai po shante vetveten e tij sepse sërish i kishte dështuar plani kundër opozitës.

Në seancën plenare inatçore dhe arrogante që s’po arrinte të fillonte as pas mesnatës ai tashmë e kishte të qartë: opozita nuk ishte lodhur, opozita nuk ishte mërzitur, dhe, opozitës nuk i ishte harxhuar municioni (në trajtën e gazit lotsjellës të dhuruar nga policia e Kosovës).

Natyrisht që sharjet si shkarje tregojnë (të vërtetën) për karakterin e Kadri Veselit si dhe për edukatën e tij.

Natyrisht që Kadri Veseli po bëhet gjithë e më i pacipë sepse po i pëlcet cipa artificiale nga temperatura në sallën e Kuvendit.

Mirëpo, qëndrimet e mendimet e Kadri Veselit për opozitën e bashkuar e posaçërisht për Lëvizjen VETËVENDOSJE! nuk është se i mësojmë nga çastet e shpërthimit të tij. Përkundrazi, pikërisht njeriu i qetë, Kadri Veseli, na i thotë vetë ato.

Këtu nuk e kam fjalën për fjalitë e tij kaotike që i dëgjojmë nga ulësja e tij speciale për ata që kanë probleme me kurriz dhe qafë, pra, nuk e kam fjalën për fjalitë e tij prej kryeparlamentari që nuk e respektojnë as drejtshkrimin, as shqiptimin dhe as gramatikën e gjuhës sonë. E kam fjalën për një shkrim të tij të titulluar “Koha për debat parlamentar dhe agjenda pozitive për vendin” e të botuar te Koha Ditore, më 5 tetor 2015. Ky shkrim është përplot me gënjeshtra e pasaktësi, por le të ndalemi këtu vetëm në dy pika të këtij artikulli të njeriut të qetë Kadri Veseli duke dhënë me këtë rast edhe citatet përkatëse.

1. ”Është e qartë se qytetarët e Kosovës nuk e përkrahin këtë mospërfillje. Populli i Kosovës kurrë nuk do t’i pranoj dogmat e mykura të ekstremistëve të majtë mbi ShBA-të si nëna e të gjitha të këqijave, dogma që kanë pushtuar mendjet dhe zemrat e shumë drejtuesve opozitarë në Kosovë.” Në opozitën kosovare nuk ka ekstermistë të majtë. Lëvizja VETËVENDOSJE! është socialdemokrate dhe vetëm ndoshta nga pozicioni fashist ajo mund të duket ekstreme e majtë. Më tutje, asnjë deputet i opozitës së bashkuar nuk i konsideron ShBA-të si një e keqe, as si nëna e të keqes, e as si ‘nëna e të gjitha të këqijave’! Kjo shpifje e ndyrë orvatet t’ia bëjë me sy ambasadorit amerikan në Kosovë dhe është shprehje e maliciozitetit të një servili. Madje, pikërisht në ShBA, psh. të gjithë kandidatët presidencialë republikanë po thonë se do ta rinegociojnë marrëveshjen e Obamas me Iranin sepse nuk e duan e nuk e pranojnë atë marrëveshje, ndërsa neve këtu përditë na thuhet prej regjimit dhe njerëzve të tij se Mustafa nuk mund ta tërheq nënshkrimin e tij.

2. “Stagnimi ekonomik është duke rënduar përtej pragut të durueshmërisë jetën e qytetarëve tanë. Këtu qëndron rreziku, e jo tek Serbia, sundimi i të cilës mbi Kosovën ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në vitin 1999”. Më së paku pritet prej Kadri Veselit që vjen nga Mitrovica të provojë të na i shesë këto gjepura se sundimi i Serbisë ka marrë fund në vitin 1999 kur dihet e shihet që Mitrovica sot është e ndarë edhe më shumë sesa që ishte në qershorin e vitit 1999. Ndërkaq, të thuash se Serbia nuk është rrezik, por vetëm stagnimi ekonomik (i cili, në fakt, sërish vjen edhe nga kjo qeveri edhe nga ndarja e Trepçës dhe Mitrovicës) do të thotë t’i shërbesh strategjisë shoviniste e hegjemoniste të Serbisë. Ditë më parë, zyrtari më i lartë i Serbisë për Kosovën, Marko Gjuriq, tha që Kosova nuk duhet të merret me bërjen e ushtrisë së saj por me arsimin, ekonominë etj. (sic.).

Kur isha herën e fundit në Mitrovicë e dëgjova një shaka interesante nga qytetarët atje. Ajo fillonte me pyetjen: çka bëhet (Kadri) Veseli kur e kalon urën mbi Ibër? Dhe, vazhdonte përgjigja lucide: (Zoran) Veselinoviq! Anasjelltas vlen po ashtu, do të shtoja unë. ShIK-u e ka bazën në Mitrovicë, por për 16 vjet askund asnjëherë agjentët e tij nuk u zatetën me ata të UDB-së së Serbisë e t’i lajnë hesapet. Apo, kushedi, ndoshta edhe janë zatetur, do të shtonte me ironi shakaxhiu nga Mitrovica!?(sic) /Telegrafi

Opozita në Kuvend për t`iu drejtuar popullit

0

Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA për Kosovën, kanë vendosur që të jenë të pranishëm në sallë në seancën e sotme për MSA-në.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka thënë për Klan Kosovën se shefat e grupeve parlamentare nga treshja opozitare do i drejtohen popullit nga foltorja për qëndrimet për këtë proces.

Më tej, Krasniqi ka sqaruar arsyet për pjesëmarrje në këtë seancë.

“Opozita do të qëndrojë vetëm në fillim të seancës dhe vendimi për të marr pjesë në seancë është bërë me të vetmin qëllim që Opozita të i drejtohet popullit nga foltorja e Kuvendit,” ka thënë Krasniqi.

Çollaku: MSA-ja për Kosovën, si e shteteve të rajonit

0

Bekim Çollaku, ministër i Integrimeve, tha para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se MSA-ja paraqet hapin e parë dhe të rëndësishëm drejt integrimit në BE. Ai tha se MSA-ja në çdo aspekt është e ngjashme me marrëveshjet që kanë shkruar vendet e rajonit.

Ministri Çollaku tha se si rezultat i kësaj marrëveshje fati i Kosovës me BE do të jetë i lidhur më ngushtë,

Ai tha se kanë zbatuar kritere dhe reforma të shumta, por nga ky moment e tutje reformat do të bëhen me qëllim të qartë.

“Vlerat e BE-së janë vlera që qytetarët e Kosovës i kanë përqafuar me kohë”, tha Çollaku.

Ai tha se MSA-ja në çdo aspekt është e ngjashme me marrëveshjet që kanë shkruar vendet e rajonit, por po ashtu tha se rasti i Kosovës është i veçantë, duke ditur se pesë vende të BE-së e nuk e kanë njohur Kosovën.

Ministri Çollaku tha se pavarësisht që këto pesë vende nuk e kanë njohur Kosovën, ato kanë treguar konstruktivitet në këtë drejtim.

“Tri dritare dhe një varje” merr çmimin e kritikës në festivalin “Cinemed”

0

Në edicionin e 37-të të festivalit “Cinemed”, që mbahet në Montpellier të Francës, filmi “Tri dritare dhe një varje” me regji të Isa Qosjes dhe skenar të Zymber Kelmendit, është shpërblyer me çmimin e kritikës së festivalit, “Prix de la Critique”.

Lajmin e ka bërë të ditur producenti i filmit, Shkumbim Istrefi, në rrjetin social Facebook, duke shpërndarë listën e fitueseve nga faqja zyrtare e festivalit.

Ky film trajton pasojat e dhunimeve të luftës në familje dhe në rrethin ku jetojnë, pasoja këto të cilat viktimizojnë femrat në vazhdimësi. Në këtë projekt luajnë aktorët Irena Cahani, Luan Jaha, Aurita Agushi, Leonora Mehmetaj etj.

Tanimë, “Tri dritare dhe një varje” është film që në bagazhin e tij ka shumë çmime ndërkombëtare. Një të ngjashëm, për kritikë, e mori edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Luksemburg, në mars të këtij viti.

Sulmon gruan, arrestohet malishevasi

0

Një person nga fshati Bubavec i Komunës së Malishevës është arrestuar, pasi që ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

Siç njofton Policia, bashkëshortja e tij ka pësuar lëndime trupore dhe të njëjtës i është ofruar tretman mjekësor.

Pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje. /PrizrenPress.com

Dragash: I digjet ushqimi i bagëtive në vlerë 4 mijë euro

0

Një qytetarit nga fshati Zym i Dragashit i është përfshirë nga zjarri stalla e mbushur me ushqim të bagëtive.

Nuk dihet shkaku i zjarrit.

Rastin në polici e ka raportuar pronari i stallës.

Sipas tij, vlera e dëmit të shkaktuar është në vlerë 4000 euro.

Njësiti i zjarrfikësve ka lokalizuar zjarrin, ndërsa nuk raportohet për të lënduar. /PrizrenPress.com

Haskuka: Kosova nuk e ka nënshkruar MSA-në si shtetet tjera

0

Mytaher Haskuka, deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se Kosova po e nënshkruan Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit si jo shtet. Ai thotë se nga Kosova kërkohet që të implementojë marrëveshjet me Serbinë, ndryshe MSA-ja mund të suspendohet.

Postimi i deputetit Haskuka në Facebook:

Po shoh që ka shumë keqkuptime dhe dezinformata lidhur me MSA-në, prandaj po e ndjej nevojën me thanë disa të vërteta.
MSA kanë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova është e fundit që e nënshkruan.

MSA-ja nuk është parakontratë për anëtarësim në BE, por është marrëveshje për reforma ekonomike dhe politike në këmbim të ofrimit të tregut pa barriera dhe pa tarifa në disa ose të gjitha tregjet e BE-së ( për mallra industriale, produktet bujqësore, etj), dhe ndihmë financiare apo teknike nga BE për reforma.

Pra Kosova do të përfiton nga ndihma financiare dhe teknike, por jo edhe nga tregtia.

Në aspektin e tregtisë ne nuk eksportojmë në BE prandaj prodhuesit tanë nuk do të përfitojnë shumë, pos nëse nuk I rrisin standardet e tyre dhe të certifikohen për të eksportuar në EU. Në afatshkurtër prodhuesit tonë do të humbin ngase produktet nga BE do të jenë më të lira.

Konsumatorët do të përfitojnë ngase produktet Evropiane do të jenë më të lira ngase hiqen doganat, pra I bie çmimi I veturave. Por Kosova do të humb nga doganat ngase ne importojmë shumë nga BE.

Kosova po e nënshkruan këtë marrëveshje si “joshtet” pra me fusnotë, prandaj kjo nuk e garanton anëtarësimin në të ardhmen, ngase joshtetet nuk mund te bashkohen BE-së.

Së fundi po më shqetëson fakti që në këtë dokument kërkohet që Kosova të implementojë marrëveshjen me Serbinë, ndryshe MSA-ja mund të suspendohet! Pse një kërkesë e tillë në një dokument të Kosovës me BE-në?

Gjyqësori amniston korrupsionin

0

Rastet e korrupsionit nuk po trajtohen me prioritet nga gjyqësori kosovar, pavarësisht se lufta kundër korrupsionit mbetet një nga prioritetet verbale të Qeverisë dhe institucioneve të drejtësisë.

Vetëm 84 raste me të akuzuar për korrupsion janë gjykuar dhe përfunduar nga të gjitha gjykatat themelore anë e kënd Kosovës gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti.

Ndërsa, numri i lëndëve që kanë gjyqtarët në duar është shumëfish më i madh.

Përmes një përgjigjeje me shkrim drejtori i Statistikave në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Besnik Ramosaj, ka bërë me dije se pos 84 lëndëve të përfunduara janë edhe 406 lëndë që janë në duart e gjyqtarëve të gjykatave themelore.

Nga këto lëndë, sipas Ramosajt, 391 janë trashëguar nga vitet paraprake, ndërsa 99 të tjera janë pranuar në punë gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti. /Zeri

Pitella: E ardhmja e Shqipërisë është në BE

0

Europarlamentari italian, Gianni Pitella, njëherësh dhe president i grupit politik të Socialistëve e Demokratëve në Parlamentin Evropian, ka thënë se e ardhmja e Shqipërisë është në BE.

Në një intervistë dhënë për të përditshmen “La Gazzeta del Mezzogiorno”, Gianni Pittella është shprehur se ndjehet mjaft i nderuar që në Tiranë do të vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi”.

“E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian. Populli shqiptar më pëlqen shumë, e duhet ndihmuar për ta fituar këtë sfidë. Dalëngadalë komuniteti shqiptar e qeveria po realizojnë objektivat e progresit, si lufta kundër korrupsionit, rritja ekonomike e kohezioni social, që janë dhe kërkesat e BE-së për ta pranuar. Edhe pse kemi vendosur një tip moratoriumi që nuk lejon deri më 2019 hyrjen e asnjë vendi në BE, ne po punojmë që Shqipëria deri atëherë mund të aderojë në BE”, ka thënë Pitella.