Home Blog Page 7041

Karadollami: Deklarata e Kujtim Gashit për Emilia Rexhepin, fëmijërore dhe qesharake

0

Shefi i grupit multietnik në Kuvendin e Prizrenit nga radhët e NDS-it, Oruç Karadollami, ka reaguar ndaj deklaratës së kryesuesit të Kuvendit Komunal, Kujtim Gashi, ku ka përmendur emrin e kryetares së NDS-it, Emilia Rexhepi, si iniciativë personale e saj kërkesa për shkarkimin e tij.

Karadollami ka demantuar të gjithë atë që Gashi ka deklaruar në mediet lokale dhe ato qendrore në lidhje me Qendrën Kulturore Boshnjake.

“Si shef i grupit multietnik i cili përbëhet nga 6 këshilltarë në Kuvendin e Prizrenit, jam i detyruar të reagoj rreth deklaratës së kryesuesit të Kuvendit Komunal, Kujtim Gashi, ku ai ka përmendur emrin e kryetares së NDS-it, Emilia Rexhepi, si iniciativë personale e saj kërkesa për shkarkimin e tij (pas saj qendrojne votat e 3000 boshnjakëve) dhe demantoj të gjithë atë që ai ka deklaruar në mediet lokale dhe ato qendrore në lidhje me Qendrën Kulturore Boshnjake. Në vend që udhëheqja e PDK-së në Prizren tëe merret seriozisht me ne, ata plasojnë në media dhe publik deklarata fëmijërore të karakterit qesharak, ndërsa opozita nuk dëshiron apo nuk ka vullnet që në rrethanat e reja të krijuara ta kthej situaten në favor të të mirave për të gjithë qytetarët e Prizrenit”, thuhet në reagimin e Karadollamit. /Tv Prizreni

Shpallen fituesit e konkursit “Born in the 90s”

0

“Born in the ‘90s: Explore the past, create the future” (I lindur në vitet ’90: Eksploroje te kaluarën, krijo të ardhmen) ishte konkursi i cili u shpall në fillim të muajit qershor, në Shqipëri, e që pas shqyrtimit të shumë aplikimeve kurorëzoi me sukses dhjetë fitues në kategoritë: Ese dhe letërsi, multimedia dhe arte figurative.

Konkursi u iniciua nga Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC) me mbështetjen e Ambasadës Gjermane dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.

Jonila Godole, drejtore e IDMC, u shpreh se konkursi e arriti qëllimin e tij duke nxitur mbi 200 të rinj shqiptarë, të lindur në vitet 1990, të reflektonin mbi të shkuarën komuniste, këtë temë të vështirë dhe pak të trajtuar në shoqërinë shqiptare, përmes mjeteve kreative.

Konkursi ngjalli në kaq pak kohë shumë interes jo vetëm tek të rinjtë që jetojnë në Shqipëri, por edhe tek ata që sot jetojnë dhe studiojnë në Gjermani, SHBA, Turqi etj.

Çmimi special u fitua nga Esmerina Zalli me esenë e quajtur “Pa titull…”. Në kategorinë ese dhe letërsi u dhanë tre çmime, vendi i parë u fitua nga Diana Marku me esenë “Toka ka një zot?!”, i dyti u fitua nga Florian Lekaj me tregimin “Më prit, po vij…” kurse vendi i tretë i takoi Mimoza Habilajt me esenë në gjuhën angleze “To know the future you must look at the past and live the present.”

Në kategorinë e arteve figurative gjithashtu u shpërndanë tre çmime, vendi i parë u fitua nga Francesko Dinaj me punimin “Postmodernizmi”, vendi i dytë i takoi Elvis Mehmetit me punimin “Metamorphosis” kurse vendi i tretë Suela Qemallit me punimin “Komunizmi si unë e njoh!”.

Në kategorinë e multimedias fitues të tre çmimeve ishin Ermelinda Lupi me “Kontrast”, vendin e dytë e fitoi Klaidi Marku me “The screen” kurse vendin e tretë Xhesika Ramaj me “Titull multimedial”.

Aktiviteti u përshëndet dhe ambasadori gjerman, Hellmut Hoffman, i cili theksoi rëndësinë dhe domosdoshmërinë e projekteve të tilla në Shqipëri.

Elton Deda, personi që riktheu besimin në festivalin e TVSh-së

0

Edicioni i 54-t shënon edhe rekordin e pjesëmarrjes, me 30 këngë, një shifër më e madhe se ajo e viteve të kaluara dhe tregues i prurjes dhe interesimit të madh këtë vit.

Drejtori Artistik, Elton Deda tha se këtë vit janë rikthyer edhe artistë që e kishin humbur besimin në këtë festival. Synimi i këtij edicioni, sipas Dedës, është minimizimi i defekteve dhe zhgënjimeve të artistëve nga vitet e kaluara.

Më i miri ndër paraardhësit pritet të jetë edicioni i 54 –t i Festivalit të Këngës në Radio Televizion. Kështu kanë premtuar drejtuesit e tij në konferencën e parë për shtyp të mbajtur ditën e djeshme në sallën e orkestrës së Radios, ku edhe u prezantuan detajet e tri netëve të festivalit, që këtë vit nis mbrëmjen e Krishtlindjes.

“Ky festival do të jetë në vazhdën e traditës, por edhe kreativ në të gjithë tërësinë e vet”, – u shpreh drejtori i RTSH-së, Martin Leka, ndërsa drejtori artistik i Festivalit, Elton Deda tha se këtë vit ka risjellë në konkurrim artistë që e kishin humbur besimin te festivali.

“E pranova këtë ofertë për të bërë më të mirën e mundshme dhe ju garantoj që do të jetë më e mira ime. Mendoj se të gjithë paraardhësit kanë bërë punë të shkëlqyer. Mendoj të eci në traditën e tyre, duke u munduar të riparojmë disa defekte e të bëjmë minimale zhgënjimet e shumë artistëve. Kam tentuar të risjell artistë që e kishin humbur besimin në festival. Fatkeqësisht, festivali i ka këto; një konkurrim lë edhe njerëz të pakënaqur. Ideja është të minimizojmë gjërat e pakëndshme nga festivalet e kaluara. Nuk them që do jetë perfekt, por nga unë do të prisni më të mirën”, – u shpreh Deda, duke shtuar se përparësi është respektimi i krijuesve dhe interpretuesve që konkurrojnë në këtë edicion dhe ofrimi i kushteve sa më të mira teknike dhe njerëzore.

Elton Deda tha më tej se janë përzgjedhur 30 këngë për konkurrim nga 70 që janë paraqitur dhe do të shkojnë në natën finale 18 këngë, 9 për çdo natë. Festivali do të nisë mbrëmjen e 25 dhjetorit, ndërsa nata finale do të mbahet më 27 dhjetor.

“Jemi munduar të mos mungojë përfaqësimi i të gjithë brezave, nga i gjithë spektri i artistëve, tekstshkruesve, kompozitorëve e këngëtarëve. Duhet të kemi një kod moral; njerëzit nuk duhet t’i qajmë për së gjalli, por duhet t’ua krijojmë kushtet për përfaqësim, sa i kemi tani. Për këtë arsye kemi bërë një përzgjedhje shumë të këndshme dhe të mirë midis brezave. Është festivali më i madh, që përfaqëson jo vetëm një zhanër apo stil, por një larmi zhanresh, prandaj shumë artistë do e gjejnë veten në këtë festival. Shpresojmë të shkojë gjithçka mirë e të mos kemi zhgënjime”, – ka vijuar Deda, i cili ka konfirmuar pjesëmarrjen e këngëtarit Kozma Dushi, që përfaqëson rekordin e moshës në këtë konkurrim, ndërsa më të rinjtë janë këngëtarët Edea Demaliaj dhe Dilan Reka.

Deda ka zbuluar se nuk do të mungojnë edhe numrat specialë gjatë tri netëve, edhe pse nuk ka dhënë më shumë detaje, pasi ende janë në tratativa me artistët e ftuar.

“Jam i bindur se edhe numrat e të ftuarve do të jenë shumë interesantë dhe jo të një lloji. Do të kemi disa artistë që do të performojnë. Kemi menduar për disa personazhe të dashur që janë ndarë nga jeta këtë vit dhe jemi duke punuar për të krijuar një homazh, një kujtim për veprën që kanë lënë dhe do u jepet rëndësi”, – shtoi Deda.

Edicioni i 54-t shënon edhe rekordin e pjesëmarrjes, me 30 këngë, një shifër më e madhe se ajo e viteve të kaluara dhe tregues i prurjes dhe interesimit të madh këtë vit.

Poeti Agim Doçi, i pranishëm në konferencë, shtroi kërkesën për realizimin e një libreti me tekstet e 30 këngëve konkurruese në edicionin e 54-t të Festivalit të Këngës në RTSh, kërkesë që mori miratimin e drejtorit të institucionit, Martin Leka, si edhe hodhi idenë për rritjen e honorarëve për tekstshkruesit. Leka u përgjigj se buxheti për festivalin nuk mundej të siguronte një shtim të honorarëve, duke shtuar se ky është i vetmi festival ku autorët paguhen, ndërsa Edmond Zhulali shtoi se kjo pagesë bëhej me shifrat që ka aktualisht tregu. Sa i përket të gjithë buxhetit të akorduar për realizimin e Festivalit, Leka tha se është i njëjti me atë të akorduar edhe vitin e kaluar.

Në fund të konferencës u hodh edhe shorti i radhës së këngëtarëve sipas netëve përkatëse. /Mapo.al

Fryma e Migjenit në kohët moderne

0

Çfarë i bën bashkë këto 21 piktura dhe skulptura? Për kuratorin Krenar Zejno është Migjeni.

Ai sheh në nënshtresat e këtyrë veprave të mishëruara, aspiratën e poetit për një qënie të çliruar nga prangat e injorancës, amullinë e shoqërisë, revoltën ndaj një politike të kalbëzuar, dhimbjen ndaj varfërisë.

Jo pa qëllim Zejno, që në titullin e ekspozitës “Neomigjeniane – i gjeni një qytet Migjenit” rreket të përçojë mesazhin, që thuajse pas një shekulli, hallet e Shqipërisë janë të njëjta, por me një portret tjetër.

Me këtë ekspozitë, ku asnjë nga këto vepra nuk është ngjizuar nën frymën migjeniane, por rastësia, mbreti i botës, i vendosi nën të njëjtën çati, kuratori kërkon të rigjallërojë..

“Neomigjeniane-i gjeni një qytet Migjenit” vjen në Galerinë Kombëtare të Arteve deri në 16 Nëntor. /Tv Klan

Selimi, Thaçit: Situata është serioze e jo qesharake

0

Zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi, e quan qesharake mundësinë për zgjedhje të reja.

Ai thekson se opozitës po i mungon vizioni duke ripërsëritur se nuk do të ketë zgjedhje të reja, zgjerim të koalicionit e as Qeveri teknike.

Por, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje!,Rexhep Selimi ka thënë se nuk do të duhej të interpretohet si qesharake diçka që është shumë serioze.

“Çështja e zgjedhjeve të parakohshme do të duhej të interpretohej nga Ministri i Jashtëm, ashtu siç është e jo siç ka dëshirë ai. Qeveria, por edhe Ministri i Jashtëm duhet ta marrin shumë seriozisht këtë situatë, sepse vërtetë situata është serioze e jo qesharake“, ka thënë, Selimi për Shqip.Press.

Thaçi, thotë se zgjedhjet e kaluara, ishin nga më të vlerësuarat dhe rezultati i tyre u pranua nga të gjitha partitë.

“Unë vlerësoj opinionet e analistëve të ndryshëm por një vlerësim i tillë është qesharak. Ne kemi mbajtur zgjedhje të shkëlqyera në qershor të vitit 2014. Gjithë spektri politik ka pranuar rezultatin. Tërheqje nuk do të ketë, as Qeveri teknike, nuk do të ketë as zgjerim të Qeverisë por natyrisht zgjedhjet e ardhshme do të mbahen në qershor 2018”, ka thënë Thaçi për RTK-në.

Mustafa dhe Thaçi e bllokuan Republikën

0

Pas përpjekjes së dështuar të presidentes së vendit, për pajtim mes pozitës dhe opozitës në takimet që i mbajti në fillim të kësaj jave, ekspertët e fushës së sundimit të ligjit dhe të Kushtetutës, konsiderojnë se klasa politike në pushtet po sillet me një papërgjegjshmëri të madhe dhe shumë përjashtuese në raport me opozitën, për ruajtjen me çdo kusht të pushtetit të vet kriminal.

Profesori i së Drejtës, Muhamet Kelmendi ka adresuar fillimisht kritika në vetë mënyrën e përpjekjes për pajtim politik nga ana e presidentes , e cila, sipas tij, vetëm sa i ka kontribuar thellimit të dallimeve mes pozitës dhe opozitës, kurse roli i saj kushtetues ka rënë në provim.

“Presidentja nuk është e përcaktuar me Kushtetutë vetëm që t’i thërrasë palët dhe t’i dëgjojë ato, por është e thirrur që të japë alternativën dhe të arrihen kompromise të duhura në funksion të stabilizimit të vendit, dhe në drejtim të gjetjes së daljes nga ngërçi politik, në të cilin e kanë futur aktualisht Kosovën me sjelljet e tyre pozita dhe opozita. Po shihet se sjellja nga ana e Qeverisë ka të bëjë me një ngulfatje të plotë të sistemit politik dhe shoqëror, që është duke e bërë vetë Qeveria “Mustafa” me partnerin e koalicionit, Thaçin”, u shpreh Kelmendi. /Kosova Sot

Krasniqi: Të vendosë populli për marrëveshjet

0

Kryetari i Këshillit Kombëtar të “Nismës për Kosovën” dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ka thënë se ekzistojnë dy zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në vend, tërheqja e Qeverisë nga Marrëveshja për Asociacionin dhe nga ajo për Demarkacionin, ose të kërkohet vendimi i popullit, qoftë në referendum ose në zgjedhje të parakohshme.

Këto qëndrime Krasniqi i ka dhënë në një intervistë për gazetën “Zëri”. Ai ka thënë se nuk pret që nga ndërhyrja e presidentes, Atifete Jahjaga, do të gjendet ndonjë zgjidhje, pasi Krasniqi ka vlerësuar se problemi ka shkuar shumë larg.

Ish-kryeparlamentari e ka vlerësuar si të gabuar thirrjen e seancës së Kuvendit nga Kryesia, pasi ai ka thënë se opozita është vendosur që të pamundësojë vazhdimin e punës në Kuvend derisa të tërhiqet Marrëveshja për Asociacionin dhe ajo për Demarkacionin me Malin e Zi. Ndërsa, sipas tij, kundërshtimi do të bëhet konform asaj që e kërkon situata.

“Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit kanë gabuar që e kanë thirrur mbledhjen e Kuvendit edhe për faktin se Kuvendi nuk është krijuesi i problemit. Problemi nuk mund të zgjidhet në Kuvend. Tentimi për të thirrur mbledhjen, nuk është përpjekje për zgjidhjen e problemit, por për përkeqësimin e situatës politike. Kriza politike duhet të zgjidhet me urti. Se a kemi urti politike të mjaftueshme, kjo lë për të dëshiruar shumë. Kam bindjen se ata që e kanë këshilluar kryetarin e Kuvendit për të thirrur mbledhjen, nuk ia kanë dashur të mirën”, ka thënë Krasniqi. /Zëri

Palët duhet të reflektojnë

0

Njohësi i rrethanave politike, Mazllum Baraliu, i ka ftuar pozitën dhe opozitën që të reflektojnë ndaj iniciativës së presidentes Atifete Jahjaga dhe të mos e presin ndërhyrjen ndërkombëtare.

Ai ka thënë për ‘Epokën e re’ se palët duhet të diskutojnë shtruar, duke mos kushtëzuar dhe paragjykuar procesin.

Sipas tij, përgjegjësinë më të madhe në këtë drejtim e ka pozita.

Baraliu ka thënë se nëse asnjëra palë nuk lëshon pe, atëherë zgjidhja e vetme mbetet krijimi i një qeverie teknike deri në zgjedhjet e reja.

Pritet arrestimi i Albin Kurtit e Albulena Haxhiut

0

Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë ditës së premte pritet që ta lëshojë urdhrin për arrestimin e deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti e Albulena Haxhiu, pasi këta të fundit kanë refuzuar kërkesën e Prokurorisë për t’u intervistuar lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Ymer Beka, ka konfirmuar për gazetën “Zëri” se deputetëve Albin Kurti e Albulena Haxhiu para disa ditësh u është dërguar thirrja për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria dhe u është caktuar një afat ligjor se deri kur do të mundë të paraqiten tek organi i akuzës. Ky afat, sipas tij, ka qenë 22 tetori dhe deri në këtë datë asnjëri nga deputetët nuk janë paraqitur.

“Deri sot (e enjte) ka qenë afati i rregullt që e ka lejuar prokurorja e rastit Besa Limani. Pas mosparaqitjes së të dyshuarve, Prokuroria në bazë të ligjit, do t’i drejtohet gjykatës me kërkesën për lëshimin e urdhrit të arrestit për dy personat në fjalë”, ka bërë me dije Beka.

Prokuroria është duke zhvilluar hetime edhe ndaj një deputeti tjetër të kësaj Lëvizjeje “Vetëvendosje”, Faton Topalli, si dhe shefes së grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi. Derisa Kurti e Haxhiu dyshohen për hedhjen e gazit lotsjellës në seancën e 8 tetorit, Kadaj-Bujupi e Topalli dyshohen për vepra të njëjta të paligjshme të kryera gjatë seancës së mbajtur më 15 tetor.

Sipas kryeprokurorit Beka, kërkesa për urdhërarrest do të bëhet, ndërsa mbetet në duar të gjykatës se kur do ta lëshojë urdhrin e arrestit. /Zëri

Marsh kundër dhunës në Kuvend

0

Organizatat jo qeveritare kanë paralajmëruar për sot një marsh paqësor kundër dhunës në Kuvend.

Qëllimi i këtyre OJQ-ve sipas organizatorëve nuk është t’ua mbajë anën asnjë partie politike por që puna në institucione të funksionojë.

Marshi është paralajmëruar të fillojë nga sheshi “Zahir Pajaziti” në orën 11, ndërkaq në të është paralajmëruar se do të kenë në dorë nga një çadër të bardhë.

Këtij organizimi i janë bashkuar 20 organizata të Shoqërisë Civile.