Home Blog Page 7059

Kurti: Mustafa e Thaçi të shitur tek Serbia

0

Një ditë pas ndalimit dhe mbajtjes për 3 orë me radhë nga Policia e Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes dhe ish-lideri i saj ka thënë për News24 se nuk do të ndalet deri në anulimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kurti ka treguar momentet e para të arrestimit duke u shprehur se vetëm falë protestave policia e la të lirë.

“Unë mbrëmë po kthehesha nga Shkupi për në Prishtinë, dhe në hyrje të Prishtinë një task-forcë e policisë së Kosovës me 15 policë na kishte organizuar një pritë dhe kërkuan të dal nga makina. U kërkova të më tregonin urdhër-arrestin apo fletë-arrestin më thanë se është urdhër i prokurorit, por nuk kishte emër prokurori. Pas refuzimit tim me nxorën dhunshëm nga makina, rrugës më premtuan se kur të shkonin në postë do më tregonin urdhrin. Por as atje nuk ma treguan, më morën në pyetje hetues, por jo prokuror. Më thanë nuk je i arrestuar, por i ndaluar, kur i thashë se a mund të shkoj më thanë jo nuk mund të shkosh. Deshën që të më intervistojnë për atë që ndodhi në parlament, por nuk dhashë asnjë deklaratë. Dhashë vetëm gjeneralitetet e mia. E gjitha ka të bëjë me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Prokurori nuk erdhi, thanë që janë duke biseduar me prokurorin. Ata kishin të drejtë të më mbanin 6 orë, por më liruan pas 3 orësh për shkak të protestave”, u shpreh Kurti.

I pyetur nga gazetari Edvin Parruca nëse do të dëshmonte në prokurori për ngjarjet në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u hodh gaz lotsjellës, Kurti tha se nuk do të përgjigjej në një situatë hipotetike. Ai deklaroi se VV nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojë të vijojnë seancat në Kuvend.

“Nuk kam parë ende asnjë dokument. Nuk do të isha përgjigjur në një situatë të tillë hipotetike, këtu gjithçka është e parregullt. Vetëvendosje është këmbëngulëse në kundërshtim të “Zajednicës” (asociacionit të komunave serbe) dhe demarkacionit me Malin e Zi. Nuk do të lejojmë që të vazhdojnë seancat e Kuvendit. Nga marrëveshja Mustafa e bosnjëzon Kosovën. Marrëveshja me Malin e zi, i fal 9 mijë hektarë. Ne jemi të vendosur që të mos ndalemi, deri sa ti tërheqin këto marrëveshje të dëmshme dhe të turpshme”, theksoi deputeti i VV.

Kurti justifikoi mënyrat e dhunshme të përdorura nga opozita në Kuvend, pasi sipas tij nuk mund të ketë shumicë kundër republikës.

“Nuk mund të ketë shumicë numrash kundër Republikës. Koalicioni qeverisës nuk mund të rebelohet kundër Republikës së Kosovës, duke e futur këtë kalë të Trojës, asociacionin e komunave serbe”, u shpreh ai.

Kurti ka shpjeguar pse VV është kundër asociacionit të komunave serbe. Ai nënvizoi faktin se ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në të gjitha fushat, do të kenë qasje në sistemin kosovar, por qeveria nuk do të ketë qasje tek këto komuna.

“Në Kosovë janë 10 komuna me shumicë serbe, si rezultat i planit të Ahtisarit. Tani këto komuna duan të bëhen bashkë kundër Kosovës. Pra qeveria e Kosovës do të formojë diçka që nuk e shpërbën dot. Ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në shumë fusha. Do ketë asamblenë e vetë, presidentin dhe zëvendëspresidentin, flamurin e saj, do ketë të drejtë të hyjë në marrëdhënie me vende të tjera, me Serbinë e Rusinë. Komandant i Policisë për veriun thuhet se do të jetë serb. Pra ata kanë qasje në sistemin tonë, ndërsa ne nuk kemi tek ata. Do financohet nga Beogradi”, tha Kurti.

Ish-lideri i Vetëvendosjes tha se ata që i kanë pranuar këto marrëveshje janë njerëz të shitur, dhe po kërkojnë të shesin edhe Kosovën.

“Ne kemi shumë njerëz të shitur, ata nuk mendojnë, ata janë të shitur. Qëndrimet e tyre pasojë e faktit që janë të shitur. Po kërkojnë të shesin edhe Kosovën. Është shkelur kushtetutshmëria e Kosovës. Ne nuk kemi ligj për referendum. 9 veta në gjykatën Kushtetuese do vendosin për këtë, kur aty janë 3 të huaj dhe njerëz të biznesit. Gjykata Kushtetuese në Kosovë nuk është as Gjykatë dhe as Kushtetuese. Kosova është në krizë të thellë për shkak të kësaj qeverie, që pas marrëveshjes Mustafa-Thaçi-Jabllanoviq. Këta janë marrë vesh me Serbinë dhe po sundojnë Kosovën, kjo është kriza. Nëse bie në krizë edhe një marrëveshje me Serbinë është mirë, por nuk ka marrëveshje me Serbinë në krizë. Nga njëra anë po na zhysin në borxhe tek FMN dhe nga ana tjetër po na bosnjëzojnë”, deklaroi Kurti.

Protestë në Prizren për kundërshtimin e arrestimit të Xhemshit Krasniqit

0

Qytetarët dhe veteranët e Ferizajt, janë thirrur të nisen për në protestë në qytetin e Prizrenit, për të nderuar familjen e ish-komandantit Xhemshit Krasniqi.

Thirrjen për protestë e ka publikuar këngëtari Labinot Tahiri, i cili ka thënë se me këtë protestë do të shprehen pakënaqësitë e komandant Xhemshitit, transmeton Indeksonline.

Protesta niset në orën 10:00, ndërsa pjesëmarrësit pritet të mbërrijnë në Prizren në orën 12:00.

Bëhen 11 vjet nga tragjedia e maturantëve të Malishevës

0

Sot bëhen 11 vjet kur 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri” nga Malisheva kanë humbur jetën gjatë një ekskursioni që po bënin në Shqipëri.

Autobusi që po barte 15 maturantët që s’janë më dhe 34 shokë të tyre që u lënduan rëndë, u rrokullis dhe ra në humnerë. Aksidenti u shënua rreth orës 14:00 të datës 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Pukës.

Të nesërmen, më 15 tetor, pas identifikimit të trupave të nxënësve të vdekur, shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK ata i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës.

Varrimi i tyre u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit.

Në një vjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ka ngritur një obelisk përkujtimor tek vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dy vjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, në qytezën e Malishevës.

Në kujtim të përjetshëm për ta, drejtoria e gjimnazit ka vendosur që në vend të orës së dytë në çdo përvjetor nuk do të mbahet ora e dytë e mësimit, me ç’rast do të mbahen homazhe dhe vendosja e luleve të freskëta mbi varret e 15 maturantëve.

Selimi: Do t’i marrim 2/3 e votave për në UNESCO

0

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka bërë me dije se Kosova shpreson fuqishëm se do të arrijë t’i marrë 2/3 e votave për anëtarësim në UNESCO.

Ai ka thënë se përfshirja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë në agjendë nga Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s është një ogur i mirë për votimet e mëvonshme.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Selimi ka pranuar se fushata e egër e Serbisë për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë do të ketë ndikim te disa shtete.

“Votimi më 21 tetor është në bord ekzekutiv për një rezolutë përkrahëse për anëtarësim, ndërsa në javën e dytë të nëntorit votohet për anëtarësim. Kemi shpresa të fuqishme se do t’i bëjmë 2/3 e votave që nevojiten për anëtarësim. Serbia ka një fushatë të egër dhe shumë negative. Kjo do të ketë ndikim në disa shtete”, ka thënë Selimi.

Ai ka treguar se tani Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është duke e vazhduar fushatën pozitive në 195 kryeqytete, sidomos në shtetet që duken abstenuese për marrjen e votave të nevojshme për anëtarësim në UNESCO. Sipas tij, tashmë Kosova ka arritur t’i prezantojë mjaft mirë argumentet për ta arritur qëllimin e synuar.

“Kemi bërë hesap se disa shtete do të jenë kundër dhe kemi përgatitur dhe pajisur aleatët e Kosovës me kundërargumente. Mendoj se tashmë dihen argumentet tona si dhe sulmet negative të Serbisë totalisht pa argumente”, është shprehur ai.

Më tutje, ai është shprehur i shokuar me gënjeshtrat e diplomacisë serbe për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“S’mund ta fsheh faktin se jam i shokuar me strategjinë e Serbisë. Ajo bazohet në një qasje tejet negative dhe gënjeshtra të kulluara. Qeveria e Serbisë po shpreson se, nëse i përsërit shumë herë deklaratat e paqena, ndoshta një numër i mjaftueshëm shtetesh do t’u besojnë atyre”, ka deklaruar Selimi.

Ndër të tjera, zëvendësministri i MPJ-së ka treguar se, pas anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, prioritet kryesor i diplomacisë së vendit do të jetë anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe afrimi me NATO-n. /Epoka e Re

Minarja pa xhami në Çarshinë e Arastës së Prizrenit

0

Ylli i Davidit, i gdhendur në gur në trungun e objektit

Xhamia e Arastës llogaritet se është ndërtuar në mes të viteve 1526 – 1538 nga ana e Evrenos-Zade Jakup Beut

Çarshia e Arastës në Prizren thuhet se ishte njëra ndër çarshitë më të bukura të Prizrenit, por nga e gjithë ajo çarshi ka mbetur vetëm një minare e xhamisë në afërsi të urës së Arastës. Është ky një rast unik i minares pa xhami, derisa historiku i saj shtrihet thellë në kohë. Kur në shekullin XVI vinin karvanët nga Shkodra për të bërë tregti në këtë çarshi, Jakup Ahmed Evrenostit iu desh të hapte edhe një xhami për falje dhe vendosi ta ndërtonte pikërisht në afërsi të urës, e që do të marrë emrin Xhamia e Arastës. Arasta në persishte do të thotë e mbyllur.

“Aty kishte dyqane nga të dyja anët e që lidheshin me tregun e “Shatërvanit”, shkruan Maliq Osi, në librin”Prizreni, qytet i lashtë, muze me thesar të pasur kulturor”. Pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti serb dogji urën e vjetër dhe në vend të saj ngriti një urë betoni pa ndonjë strukturë karakteristike.

Pushteti komunist e rrafshoi kompleksin Arasta

Xhamia e Arastës llogaritet se është ndërtuar në mes të viteve 1526 – 1538 nga ana e Evrenos-Zade Jakup Beut. Pasi xhamia gjendej në kompleksin tradicional të dyqaneve “Arasta”, atëherë kryesisht tregtarët e shfrytëzonin objektin për lutje. Xhamia ishte ndërtuar në dy kate, ku pjesën përdhese tregtarët e shfrytëzonin për ruajtjen e mallit dhe si zyrë, ndërsa pjesa e katit shfrytëzohej si hapësirë për lutje. Xhamia kishte planimetri drejtkëndëshe, e mbuluar me kulm katërujor me tjegulla argjile. Gjatë kohës objekti ka pasur disa renovime, ku restaurimi i fundit ishte bërë në vitin 1911. Sipas historianit prizrenas, Esad Haskuka, iniciatorët e restaurimit të fundit ishin zejtarët dhe tregtarët e çarshisë së Arastës. Pasi donacionet e zejtarëve dhe tregtarëve prizrenas nuk mjaftuan për kryerjen e punimeve restauruese, atëherë ata i drejtohen Sulltan Reshatit nëpërmjet Shyqri Ballëkut, i cili udhëtonte shpesh për në Stamboll. Sulltan Reshati ndau 2 herë nga 1000 lira të arit, donacion i cili mjaftoi për t’i përfunduar punimet e mbetura.

Xhamia e Arastës ka pasur funksionin burimor deri në vitin 1960. Për të zhdukur pamjen e një qyteti oriental, qeveria e atëhershme, duke u thirrur në “modernizimin” e qytetit, rrënoi komplekse të tëra në bërthamën e vjetër të Prizrenit, ku fatkeqësisht edhe xhamia së bashku me lagjen “Arasta” rrënohet dhe ndërtohen banesa shumëkatëshe dhe objekti i Bankës, duke u zhdukur kështu në mënyrë totale pamja burimore e kësaj pjese të qytetit. Nga Xhamia e Arastës mbetet pa u rrënuar vetëm minarja, e cila është e ndërtuar nga gurë shtufe të lidhur me llaç gëlqeror. Nuk është e suvatuar, prandaj struktura shihet qartë. Ka bazë katrore me një derë druri në murin lindor që shpie në shkallët e drurit në brendi të minares./kosova sot/

Politika e varrosi drejtësinë

0

Krimi i organizuar dhe korrupsioni e kanë mbërthyer Kosovën, ndërkaq lufta ndaj tyre ka dështuar. Kjo për arsye se protagonistët e këtyre fenomeneve janë në majat më të larta të politikës dhe jo vetëm dhe në këtë mënyrë po bëhen pengesë për të çliruar Kosovën nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, që tashmë janë bërë praktikë. Forcimi dhe pasurimi i organizatave kriminale pas luftës e ktheu Kosovën në vendin që qytetarët kërkojnë çdo ditë e më shumë ta braktisin. Për më tepër. krimi i orientuar në privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, duke hedhur kështu në rrugë mijëra e mijëra punonjës, për t’i dhuruar ato në duart e politikës, nëpërmjet kompanive të caktuara, të cilat në mjaft raste pronarët e kanë vetëm emrin, pasi përfitimet ndahen në mesin e politikanëve.

Përballë kësaj situate, ku mbretëron krimi, janë organet amatore të drejtësisë dhe rastet më të ndjeshme kanë mbetur pa u zbardhur apo janë mbyllur, pavarësisht provave dhe fakteve që dikush ka guxuar t’i mbledhë. Mund të përmendim këtu rastin e procesit gjyqësor të ‘Dardafon’-it, i cili u mbyll dhe për më tepër Prokuroria e EULEX-it hodhi poshtë punën e saj pa bërë asnjë ankesë, është rasti i hetimeve të Fabrikës së amortizatorëve që po zvarritet që nga viti 2011, e mjaft raste të tjera privatizimesh, apo edhe grabitja e dhomave të dëshmive në polici, që sot e kësaj dite kanë mbetur pa u zbardhur. Politika zgjedh gjyqtarët, prokurorët, policët, por deri më sot asnjëri prej tyre nuk kanë pasur kurajën që ta pranojnë një gjë të tillë.

Pushteti në asnjë moment nuk i ka larguar duart nga hetimet në rastet e ndjeshme. Kjo u vërtetua më së miri dhe me fshehjen e dosjes në rastin e ish-kryegjyqtarit të Kushtetueses, Enver Hasani. Ndërkaq, në anën tjetër të kufirit, dikush ka gjetur guximin që të pranojë se për korrupsionin në drejtësi dhe për mbajtjen peng të hetimeve në rastet e ndjeshme firmosin politikanët../kosova sot/

Politikanët mafiozë të burgosen

0

PDK-ja dhe LDK-ja u frikësohen zgjedhjeve të reja dhe vendosjes së drejtësisë

Votuesit duhet të ndahen nga qeverisja kriminale

“Rezultati i pritur nga zgjedhjet e jashtëzakonshme nëse mbahen, dhe ato të rregullta pas tre vjetësh, do të jetë pjesëmarrja shumë e ulët e qytetarëve në votime, nëse jo edhe bojkoti masiv i tyre. Ndaj kësaj bllokade në raportin parti politike-zgjedhje-qytetarë ekziston vetëm një alternativë, ajo luftimit të krimit dhe korrupsionit nëpër institucionet e Kosovës dhe arrestimi i shumë politikanëve mafiozë”, ka theksuar Mulaj

Të dy subjektet politike në pozitë, PDK-ja dhe LDK-ja, sipas analistëve politikë, po ndihen jashtëzakonisht të stresuar nga presioni i frontit të bashkuar të opozitës, për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare, për shkak të humbjes së legjitimitetit qytetar, që argumentohet me peticionin prej mbi 150 mijë nënshkrimesh kundër marrëveshjeve të dëmshme për vendin, si dhe me kriminalizimin e shtetit, korrupsionin dhe dështimin qeverisës.

Analisti politik Albinot Maloku pajtohet se partnerët në koalicion po u frikësohen zgjedhjeve të reja për shkak të gjitha të bëmave të tyre të këqija në dëm të interesit të përgjithshëm, por megjithatë nuk preferon zgjedhje të reja pa konsolidimin e një strukture krejtësisht të re politike, që do të linte në “muze” këtë klasë të sprovuar dhe dështuar, qoftë atë në pozitë apo edhe në opozitë. “Fenomenet, si nepotizmi dhe korrupsioni, janë ato që e kanë “burgos” qytetarin e Kosovës në gjendjen në të cilën ndodhemi, por njëkohësisht edhe rritur frikën te realizuesit e këtyre fenomeneve se mund të rrëzohen nga pozita që ua mundëson realizimin e këtyre fenomeneve”, u shpreh Maloku../kosova sot/

Studentët të ndarë, organizojnë dy protesta në të njëjtën ditë

0

Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” ka paralajmëruar për sot një protestë për të shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me afatet dhe kushtet e provimeve në gjitha fakultetet në UP.

Një protestë e njëjtë për sot është paralajmëruar edhe nga Grupi i Studentëve të Pavarur të UP-së, me po të njëjtin skenar.

Edhe qëllimi i protestës së Grupit të Pavarur është ulja e kritereve, kushti për të kaluar vitin e parë me minus tri provime, afatet e rregullta dhe lirimi nga pagesa e kategorive të veçanta.

Protesta e Grupit të Pavarur u tha se gjeti mbështetje të fuqishme nga Parlamenti Studentor, por ndryshe thonë ata në Parlamentin Studentorë.

Këta të fundit akuzojnë Grupin e pavarur të studentëve se ka tendencë që të degradojë protestën e nesërme.

Njëkohësisht udhëheqësi i Parlamentin Studentor, Egzon Daku bën thirrje studentëve që të anashkalojnë elementet të cilat promovojnë interesat personale.

Ai ka theksuar se Parlamenti Studentor distancohet nga protesta e Grupit të Pavarur.

Në anën tjetër udhëheqësi i Grupit të Pavarur Studentor Argjent Softolli tha se duhet të përmirësohen kushtet e studimeve, dhe të zbatohen praktikat e mëhershme.

Protesta e Grupit të Pavarur Studentor do të fillojë marshin prej orës 12:00, një orë pas protestës së paralajmëruar të Parlamentit Studentor, ndërsa vend ndalimin e kanë para Rektoratit.

Gani Sunduri nderohet nga Mjeshtrit e Karikaturës në Bullgari

0

Tema e këtij viti të bienalit të tetë ndërkombëtarë ishte “Ujku dhe Delet”, ku në këtë garë garuan 209 karikatura nga 116 artistë nga 33 shtete. “Pesë prej artistëve janë nderuar me çmimin”Mjeshtrit e Karikaturës” dhe 12 artistë me diplomë”, ka thënë Sunduri

Në Bienalin e tetë ndërkombëtar të karikaturës në Plovdiv të Bullgarisë, të titulluar “Mjeshtrit e karikaturës”, artisti Gani Sunduri është ftuar si mysafir special , i cili është nderuar me certifikatë speciale për prezantimin dhe mbështetjen e Bienalit.

Tema e këtij viti të bienalit të tetë ndërkombëtarë ishte “Ujku dhe Delet”, ku në këtë garë garuan 209 karikatura nga 116 artistë nga 33 shtete. “Pesë prej artistëve janë nderuar me çmimin”Mjeshtrit e Karikaturës” dhe 12 artistë me diplomë”, ka thënë Sunduri.

Artisti Gani Sunduri me këtë paraqitje vlerëson shumë lartë Bienalin ku edhe ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në prezantimin e tij dhe po ashtu ky bienal ka një paraqitje të festivalit ndërkombëtar të stripit dhe karikaturës që mbahet në Prizren.

Përpos prezantimit të karikaturës, Sunduri në këtë Binela ka prezantuar qytetin e Prizrenit, ku në Qendrën Etnografike dhe Qendrën Informative Turistike të qytetit të Plovdivit ka bërë prezantimin e qytetit historik dhe kulturor të Prizrenit, duke informuar dhe dhuruar libra, broshura dhe prezantime të ndryshme historike të qytetit prej nga edhe vjen Sunduri. /KultPlus.com

Ndërroi jetë veterani i UÇK -së, Shaban Bytyçi nga Prizreni

0

Ka ndërruar jetë veterani i UÇK -së Shaban Ali Bytyci nga Prizreni. Varrimi bëhet nesër (06.10.215) në ora 13:00 në Arbanë të Prizrenit.