Home Blog Page 7076

Kapen me plagjiaturë 42 studentë të UP-së

0

42 studentë të Universitetit të Prishtinës (UP) “Hasan Prishtina” janë larguar nga lista e studentëve të përzgjedhur për të fituar bursë për studime jashtë vendit nga USAID-i, të zënë me plagjiaturë.

Gazeta “Zëri” ka siguruar listën e studentëve me plagjiaturë që ka zbuluar USAID, 42 janë nga UP-ja, 5 nga UBT-ja, 2 nga AAB-ja, 1 nga AUK, 1 nga “Riinvest”, 1 nga SEEU dhe 3 të tjerë nga komuniteti pakicë.

Plagjiatura është përhapur jo vetëm te profesorët, por tash edhe në mesin e studentëve. Studentë të Universitetit të Prishtinës me numër më të madh, kanë arritur të kalojnë disa kritere dhe të radhiten në mesin e 160 studentëve që janë përzgjedhur për të fituar bursë për studime jashtë vendit.

Por, në fillim të muajit shtator, USAID përmes një komisioni ka arritur që të identifikojë studentët mashtrues dhe t’i largojë përfundimisht nga lista dhe mundësia për të fituar bursë jashtë vendit. /Zëri

Koalicioni po bie

0

Fakti që shumë se rreth 40% e qytetarëve, sipas sondazheve dhe matjeve të pavarura të muajve të fundit, po e konsiderojnë fajtore Qeverinë e Kosovës për gjendjen e rëndë në vend, për analistët politikë është argument se kjo Qeveri duhet të shkojë sa më shpejt në shtëpi.

Analisti politik nga Grupi për studime juridike dhe politike, Fisnik Korenica, thotë se dështimi gjithëpërfshirës në qeverisjen e vendit, si vazhdimësi e qeverisjes së kaluar nga Qeveria “Thaçi”, edhe tani nga Qeveria “Mustafa”, duke i shtuar edhe pazaret e mëdha politike që u bënë në dëm të Kosovës gjatë bisedimeve në Bruksel, kanë bërë që edhe kjo Qeveri e tanishme, që është vazhdimësi e Qeverisë “Thaçi 1 dhe 2” ta humbasë kredibilitetin dhe besueshmërinë qytetare, për çka edhe zgjidhje e vetme e mirë do të ishte një përfundim më i shpejtë i mandatit të saj.

“Qeveria ka humbur seriozisht kredibilitetin e saj me marrëveshjet e fundit që ka bërë me Serbinë, marrëveshje të cilat e dëmtojnë rënd karakterin unitar të shtetit të Kosovës. Mbledhja e nënshkrimeve është një prej shenjave që e dëshmojnë këtë të fundit, marrë parasysh edhe faktin që kundërshtimi i marrëveshjes mbi asociacionit i kalon kufijtë e partive politike. Kësaj i shtohet edhe kredibiliteti i humbur i Qeverisë për ta luftuar politizimin e çdo sfere të jetës publike, dhe mungesës së guximit për ta luftuar korrupsionin politik”, tha Korenica. /Kosova Sot

Auditohen 585 lëndë të Gjykatës së Apelit

0

Këshilli Gjyqësor i Kosovës do të auditojë të gjitha lëndët penale që kanë kaluar nëpër duart e gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit të Kosovës. Kjo pasi KGJK-ja po dyshon se gjykata e shkallës së dytë po i ul shumë dënimet ndaj të akuzuarve për vepra penale.

Ndonëse zyrtarisht thuhet se auditimi do të bëhet për çështje statistikore në mënyrë që të krijohet një praktikë e unifikuar e dënimeve, gjyqtarë nga Gjykata e Apelit këtë e konsiderojnë si ndërhyrje flagrante në punën dhe pavarësinë e tyre, të cilën thonë se e kanë të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Auditimi do të bëhet nga ana e Njësisë së Shqyrtimit të Performancës Gjyqësore të KGJK-së dhe si e tillë pritet të fillojë të enjten. /Zëri/

Peticioni: Mblidhen 82 mijë nënshkrime

0

Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë me dije se vetëm për shtatë ditë janë mbledhur 82 mijë e 287 nënshkrime kundër marrëveshjeve që janë arritur në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe kundër marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi.

Opozita vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që t’i përgjigjen këtij peticioni.

Shala: Opozita po luan rrezikshëm

0

Behxhet Shala thotë se opozita po dëshiron të vijë në pushtet nëpërmjet bllokimit të Kuvendit.

Ai i ka bërë thirrje Presidentes Atifete Jahjaga që të ndërhyjë në mes të pozitës dhe opozitës për ta zhbllokuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Shala për ‘Epokën e Re’ ka thënë se opozita nëpërmjet bllokadës në Kuvend po dëshiron të vijë në pushtet. Ai ka vlerësuar se opozita është duke luajtur me kartë të rrezikshme meqë po merret me tema të mëdha për t’i aktivizuar votuesit në favor të saj, por, sipas tij, mund të ndodhë e kundërta, meqë votuesve u intereson vetëm krijimi i kushteve të mira jetësore.

Në këtë kontekst, Shala ka thënë se zgjedhjet e parakohshme më shumë shkojnë në favor të pozitës sesa të opozitës.

Jahjaga: S’besoj se vendi do të shkojë në krizë të re politike

0

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka folur për situatën e krijuar politike në vend, sidomos pas bllokimit të punës së Kuvendit nga ana e opozitës.

Në një intervistë për emisionin “Komiteti”, Jahjaga nuk beson se do të ketë krizë të re politike.

“Nuk dua te besoj se partitë politike do të lejojnë që vendi të shkojë drejt një krize të re politike. Ne kaluam krizën e zgjedhjes së presidentit, gjithashtu kaluam krizën me bllokadën institucionale vitin e kaluar, tani ka ardhur koha që Kosova të prodhojë lajme të mira. Nuk besoj se vendi do të shkojë në përshkallëzim të krizës”, ka thënë presidentja Jahjaga.

Kurti: Zajednica ia garanton luftën Kosovës

0

Ish kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes Albin Kurti thotë se kryeministri Isa Mustafa është duke shkuar hapave të paraardhësit të tij Hashim Thaçit. Kurti tha se Mustafa tentoi në seancën e fundit të Kuvendit tentoi që të flasë broqkulla lidhur me “Zajednicën”.

Sipas tij, opozita nuk do të lejojë të mbahet seanca e Kuvendit përderisa kryeministri Mustafa ta heqë nënshkrimin nga Asociacioni i Komunave serbe nënshkruar në Bruksel.

Sipas Kurtit ky Asociacion e qon shtetit drejt siç tha ai “abortimit”.

Ish lideri i VV-së ka thënë se aksioni me vezë në Kuvend ishte i qëlluar dhe se shumë njerëz janë pajtuar me të.

Ai tha se me aksion e bëmë të qartë se nënshkrimi duhet të hiqet, si kërkesë e jona dhe për këtë Kurti tha se qytetarët që i përkasin klasës së mesme dhe të varfër i përkrahën në atë veprim

Albin Kurti tha se kjo Zajednicë ia garanton luftën pas 10 viteve fëmijëve tanë.

Kurti në rrafshin e tërheqjes së nënshkrimit tha se nuk ka kuptim kur Jabllanoviqi është shkarkuar dhe Zajednica po themelohet, duke kujtuar se edhe në fillim të kërkesës për shkarkimin e Jabllanoviqit ka kundërshtuar.

Ai tha se Kosova është një shtet i kapur që e mban deficitin tregtar të Kosovës me një eksport të vogël dhe me remitanca që dalin shpejt jashtë Kosovës.

“Nuk mjafton debati, janë të domosdoshme aksionet dhe demonstratat dhe protestat. Përderisa nuk punon kuvendi,po punojnë qytetarët duke nënshkruar peticionin”, tha Kurti.

Haradinaj: Aksioni me vezë ndaj kryeministrit, i shkëlqyer

0

Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj në emisionin në “Info Magazinë” ka folur edhe rreth seancës të së martës ku u ndërpre për shkak të hedhjes me vezë nga opozita në drejtim të kryeministrit Isa Mustafa.

Haradinaj theksoi se nuk është më rëndësi se kush ka hedhë vezë e kush jo, me rëndësi është që opozita janë bërë bashkë.

“Nuk është me rëndësi kush ka hedh vezë, me rëndësi është se opozita është bërë bashkë.
Aksioni ka qenë i shkëlqyer dhe nuk ka pasur për qëllim ta lëndojë kryeministrin. Në fund të fundit vetëm vezë janë dhe asnjë dëm nuk kanë shkaktuar”, u shpreh Haradinaj./Indeksonline/
……………….
Anëtari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka thënë në Info Magazine, të Klan Kosova se, ai nuk i frikësohet Gjykatës Speciale sepse nuk ka arsye për ta bërë.
“Kam qenë njëri nga luftëtarët më të mirë, prandaj nuk frikësohem aspak, nuk kam nevojë për t’u frikësuar, ne e kemi larë veten, edhe si Dukagjin, edhe si luftëtarë”.
“Lufta jonë do të mbahet mend si luftë e pastër”

Arsim Bajrami kritikoi mësimdhënësit

0

Ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në raportimin që pati të mërkurën para Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës tha se nuk është i kënaqur me cilësinë e arsimit në Kosovë. Por Bajrami, fajin nuk e la tek nxënësit.

“Çka po tregon sistemi arsimor në Kosovë, po tregon se problemi kryesor në cilësinë e arsimit nuk janë nxënësit, por mësimdhënësit e papërgatitur, rezultatet do të vijnë në vitin e ardhshëm dhe do ta shohin se ku jemi me matematikë, ku jemi me gjuhën shqipe, dhe se problemi është te mësimdhënësit”, tha Bajrami

Sipas Bajramit, e gjithë e meta e kësaj cilësie është tek mësimdhënësit, të cilët po kualifikohen në institucione jocilësore.

“Ne nuk njohim as me ligje e as tani si ministri, asnjë autoritet privat për të dhënë kurrfarë kualifikimi për mësimdhënës”, vërejti ministri.

Ndërsa kundër këtij deklarimi doli kryetari i Komisionit për Arsim, Nait Hasani nga PDK.

“Vendimin qe e keni nxjerr e këtyre që me punu në arsim, të cilët kanë kryer në kolegje private të cilët nuk kanë drejtë në bazë të Ligjit për Arsimin e lartë, janë vendime që i keni nxjerr e mendoj që janë në kundërshtim me ligjin. Vendimin që e keni nxjerr me 4 gusht është për njohjen e studentëve të cilët e kanë kryer në kolegje private”, tha Hasani.

Hasani tha se nëse këtyre studentëve do ju njihej kjo e dejtë, atëherë a do ju njihet e drejta që të punojnë në arsim edhe ata studentë nga Peja nga Gjakova të cilët janë të penalizuar.

“Asnjë student i asnjë kolegji privat të licencimit nuk ja kam lejuar, dhe as s’do ja lejoj dhe s’ka të bëjë me këtë vendim. Vendimi ka të bëjë me programet e arsimit të cilat kanë qenë të akreditime para themelimit të Agjencisë së Akreditimit para themelimit të agjencisë së akreditimit, dhe që kanë pasur akreditim për periudhën e caktuar, dhe nuk është akredituar pas themelimit të Agjencisë së Akreditimit është i paligjshëm dhe kurrë nuk do gjen vend pune”, tha Bajrami. /kallxo.com/

Prokurori i papërgatitur në gjykimin e ish-zyrtarit policor në Prizren

0

Në gjykimin kundër ish-zyrtarit policor Famir Gjurgjeali që akuzohet për zbulim të fshehtësisë zyrtare prokurori nuk mundi të gjejë disa dokumente.

Për këtë seancë ishte planifikuar që prokurori Bajram Hamitaga të sigurojë urdhëresat me të cilat ishin bërë bastisjet e zyrave në stacionin e policisë dhe shtëpia e të akuzuarit.

Mirëpo Hamitaga edhe pse kishte pasur kohë një muaj për të siguruar këto urdhëresa, kërkoi që dy urdhëresat të shikohet se mos janë në shkrimore, duke ndërprerë gjykimin dy herë-herën e parë 20 minuta e të dytën 15.

Gjatë këtyre pauzave, palët duhej të prisnin në korridor të Gjykatës Themelore në Prizren. Pas kontrollit të dosjes së lëndës, prokurori Hamitaga erdhi në përfundim se nuk ka shkresa zyrtare për urdhëresat e bastisjes së objekteve të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Pas këtyre zhvillimeve, Bashkim Nevzati mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Gjurgjeali, i propozoi gjykatës që të gjitha provat e siguruara me rastin e bastisjes të veçohen dhe të mos konsiderohen si prova valide në mungesë të dokumentacionit zyrtar që prokurori nuk arriti ta sigurojë.

Prokurori më tutje duke prezantuar dokumentet konfidenciale, propozoi që si provë të merret një CD për të cilën nuk dinte se çfarë përmbante, pasi u arsyetua se ishte provë e propozuar nga prokurori që më parë e kishte ngritur aktakuzën e këtij rasti.

Hamitaga pati edhe propozime tjera, për të cilat gjykata i dha kohë që t’i precizojë deri në seancën e ardhshme.

Në fund të seancës, Bashkim Nevzati avokati i të akuzuarit Gjurgjeali tha për KALLXO.com se provat e propozuara nga prokurori kanë shumë mungesa.

“Prokurori ka disa propozime të cilat duhet të nxirren si prova, por për të cilat për fat të keq ekzistojnë mungesa të shumta në shkresat e lëndës, gjithashtu ekziston një kërkesë nga ana e prokurorit që të bëhet ekzaminimi i një CD-je, por gjithashtu edhe kjo provë është me mungesa të caktuara për arsye se nuk ka përmbajtje të cilën duhet parashtruar gjykatës,” sqaroi avokati Nevzati.

Aktakuza ndaj Fatmir Gjurgjealit e ngritur në maj të vitit 2012 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit e ngarkon atë se nga viti 2009 në vazhdimësi, në cilësinë e mbikëqyrësit të zyrës dhe zëvendësshefit të Njësisë së Inteligjencës Kriminale Rajonale në Prizren pa autorizim i ka dërguar informacione një shtetasi të huaj.

Sipas prokurorisë, këto informacione Gjurgjeali në mënyrë elektronike i ka bartur fillimisht në e-mail-at e tij privatë, e pastaj u ka mundësuar personave të paautorizuar të kenë qasje në këto dosje.

Seanca e radhës do të mbahet më 1 dhe 2 tetor./kallxo.com/