22.8 C
Prizren
E diel, 5 Maj, 2024

Prokurori i papërgatitur në gjykimin e ish-zyrtarit policor në Prizren

Në gjykimin kundër ish-zyrtarit policor Famir Gjurgjeali që akuzohet për zbulim të fshehtësisë zyrtare prokurori nuk mundi të gjejë disa dokumente.

Për këtë seancë ishte planifikuar që prokurori Bajram Hamitaga të sigurojë urdhëresat me të cilat ishin bërë bastisjet e zyrave në stacionin e policisë dhe shtëpia e të akuzuarit.

Mirëpo Hamitaga edhe pse kishte pasur kohë një muaj për të siguruar këto urdhëresa, kërkoi që dy urdhëresat të shikohet se mos janë në shkrimore, duke ndërprerë gjykimin dy herë-herën e parë 20 minuta e të dytën 15.

Gjatë këtyre pauzave, palët duhej të prisnin në korridor të Gjykatës Themelore në Prizren. Pas kontrollit të dosjes së lëndës, prokurori Hamitaga erdhi në përfundim se nuk ka shkresa zyrtare për urdhëresat e bastisjes së objekteve të lëshuara nga gjyqtari i procedurës paraprake.

Pas këtyre zhvillimeve, Bashkim Nevzati mbrojtësi i të akuzuarit Fatmir Gjurgjeali, i propozoi gjykatës që të gjitha provat e siguruara me rastin e bastisjes të veçohen dhe të mos konsiderohen si prova valide në mungesë të dokumentacionit zyrtar që prokurori nuk arriti ta sigurojë.

Prokurori më tutje duke prezantuar dokumentet konfidenciale, propozoi që si provë të merret një CD për të cilën nuk dinte se çfarë përmbante, pasi u arsyetua se ishte provë e propozuar nga prokurori që më parë e kishte ngritur aktakuzën e këtij rasti.

Hamitaga pati edhe propozime tjera, për të cilat gjykata i dha kohë që t’i precizojë deri në seancën e ardhshme.

Në fund të seancës, Bashkim Nevzati avokati i të akuzuarit Gjurgjeali tha për KALLXO.com se provat e propozuara nga prokurori kanë shumë mungesa.

“Prokurori ka disa propozime të cilat duhet të nxirren si prova, por për të cilat për fat të keq ekzistojnë mungesa të shumta në shkresat e lëndës, gjithashtu ekziston një kërkesë nga ana e prokurorit që të bëhet ekzaminimi i një CD-je, por gjithashtu edhe kjo provë është me mungesa të caktuara për arsye se nuk ka përmbajtje të cilën duhet parashtruar gjykatës,” sqaroi avokati Nevzati.

Aktakuza ndaj Fatmir Gjurgjealit e ngritur në maj të vitit 2012 nga Prokuroria Themelore e Prizrenit e ngarkon atë se nga viti 2009 në vazhdimësi, në cilësinë e mbikëqyrësit të zyrës dhe zëvendësshefit të Njësisë së Inteligjencës Kriminale Rajonale në Prizren pa autorizim i ka dërguar informacione një shtetasi të huaj.

Sipas prokurorisë, këto informacione Gjurgjeali në mënyrë elektronike i ka bartur fillimisht në e-mail-at e tij privatë, e pastaj u ka mundësuar personave të paautorizuar të kenë qasje në këto dosje.

Seanca e radhës do të mbahet më 1 dhe 2 tetor./kallxo.com/

Më Shumë

Lajmet e Fundit