Home Blog Page 7089

Hapet konkursi për dramë kombëtare “Katarina Josipi 2015”

0

Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se tashmë ka hapur konkursin për dramë kombëtare “Katarina Josipi”, dhe se në ky konkurs është i hapur për të gjithë krijuesit shqiptarë që shkruajnë drama.

Sipas këtij konkursi tashmë janë publikuar edhe kriteret që duhet tu nënshtrohen krijuesit sikurse që është edhe ajo që një autor mund të sjell më së shumti dy drama për shqyrtim.

“Dramat që konkurrojnë në këtë konkurs duhet të jenë jo më të shkurtra se 50 minuta; Dramat e të gjitha zhanreve do të merren në shqyrtim;Tema dhe as numri i personazheve nuk janë të limituara, Dramat e papërfunduara apo sinopsiset nuk do të merren fare në shqyrtim; Dramat që sillen në këtë konkurs duhet të jenë origjinale, të shkruara mbas vitit 2000 dhe duhet të jenë të painskenuara më përpara;”, thuhet mes të tjerash.

Ndërkohë tri dramat më të mira shpërblehen me tri çmime, përkatësisht: çmimi i parë 3,600 euro, çmimi i dytë me 2,400 euro dhe çmimi i tretë me 1,200 euro.

“Drama që fiton vendin e parë, konsiderohet si dramë potenciale për t‘u inskenuar në njërin nga sezonat e ardhshëm në TKK kurse tri dramat fituese botohen në një edicion special”, thuhet në këtë njoftim.

Krejt në fund bëhet e ditur se dramat duhet të dërgohen në adresë të Teatrit Kombëtar të Kosovës (Teatri Kombëtar i Kosovës, Sheshi Nëna Tereze, nr.21, 10000 – Prishtinë, Kosovë) ose përmes postës elektronike: [email protected]. Konkursi mbyllet më 25 dhjetor të këtij viti kurse mbështetet nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sporte.

Mbushet amfiteatri i Gërmisë për koncertin e Elina Dunit

0

Këmbëzbathur, si gjithmonë, këngëtarja e famshme e xhazit, Elina Duni, interpretoi në amfiteatrin e Gërmisë këngët e albumit të saj të ri, para rreth 1000 personash që kishin ardhur për të dëgjuar albumin e titulluar “Dallëndyshe”.

Ky album përfshinë këngë të Shqipërisë Veriore, të Mesme, të Jugut, arbëreshe e arvanitase të ndërthurura me xhazin.

Siç tha edhe Duni, albumi i saj qëndron mes dy temave të mëdha, dashurisë e mërgimit, që sipas saj janë shumë të lidhura me njëra tjetrën.

Koncerti u përkrah edhe nga Komuna e Prishtinës dhe të pranishëm në Gërmi u panë kryetari i Prishinës, Shpend Ahmeti, drejtoresha e Drejtorisë komunale të kulturës, Saranda Bogujevci, e artistë të njohur të skenës kulturore të vendit.

Ky turne i saj ballkanik ka nisur më 14-15 shtator në Tiranë, për të vazhduar më 16 shtator në Shkup, 18 shtator në Prishtinë dhe për të përfunduar më 19 shtator në Beograd. /KosovaLive

Eqrem Kryeziu: Kemi Qeveri arrogante me gjuhë primitive

0

Ish-anëtari i Kryesisë së LDK-së, Eqrem Kryeziu, pas një pauze, përsëri ka folur për Qeverinë, marrëveshjet me Serbinë, Isa Mustafën dhe pavarësinë.

Ai ka thënë se as që pret diçka të mirë prej Kryeministrit aktual derisa ka ironizuar me te duke thënë se “burrnimi” ka pranuar gjithçka që i është ofruar në Bruksel.

Sipas tij, aktualisht në pushtet është janë qeveri arrogante me gjuhë primitive.

A po përdoret gjuha e ashpër e pushtetit për të shpërqëndruar fokusin nga marrëveshjet e fundit?

Kryeziu: Për fat të keq, ne prodhuam qeveri arrogante. Nuk e besoj, se është taktikë e saj kjo gjuhë primitive, por është tregues i natyrës së saj.

Me krijimin e ‘’Zajednicës’’ serbe, apo krijohet një mini-shtet brenda territorit të Kosovës?

Kryeziu: Parimisht, asnjëherë nuk më ka shkuar mendja për të qenë kundër që pakicat ta ndiejnë veten krejt komod në Republikën e Kosovës. Por, që kur isha në parlament, atje pata thënë se komoditeti i cilës do pakicë nuk mund të tolerohet kur cenon ekzistencën e shumicës. Ka pra, një kufi që nuk bën të kalohet për hirë të zhvillimeve në të ardhmen. Ky do të ishte parimi themelor. Tani kemi një dokument që burrnimi ynë ka nënshkruar në Brussels, ku nuk figuron askund togfjalëshi “Republika e Kosovës”. – Mos e përmendni Republikën e Kosovës, sepse Serbia nuk e njeh, – thotë Vu?i?. – Mos e përmendni Republikën e Kosovës, sepse pesë shtete të BE-së, nuk e njohin – thotë Mogherini. Por se duhej guxim i madhë prej burrnimit tonë, shkuar atje në emër të Republikës së Kosovës, që ta mohojnë me lehtësi të padurueshme atë tog fjalësh.

A po vazhdon vetëm të rrudhet e zvogëlohet territori i Kosovës, në vazhdimësi nga ky pushtet I cili kohëve të fundit nga opozita vlerësohet i papërgjegjshëm, gjithmonë në emër të paqes rajonale dhe gjithmonë duke u sakrifikuar vetëm Kosova dhe duke iu rrëmbyer asaj pjesë të territorit?

Kryeziu: Marrëveshjet e nënshkruara, po shkojnë gjithmonë vetëm në dobi të vendeve të tjera fqinje, të cilat po përfitojnë edhe territore edhe në fushën e integrimeve eurpiane? Sipas asaj që kam parë e dëgjuar, del se territori po rrudhet. Kur ka mospajtime të këtilla duhet t’i drejtohemi arbitrazhit ndërkombëtar.

Si e vlerësoni deklaratën e kryeministrit Isa Mustafa, që kërkon mirëkuptim nga Lista ”Srpska” që të bëhen ndryshimet në amendamentet Kushtetuese, por në rast se refuzohet një gjë e tillë nga ky subjekt serb, FSK-së do t’i bartën përgjegjësitë që janë paraparë t’i kenë Forcat e Armatosura të Kosovës?A do të thotë kjo se ky koalicioni qeverisës – po heq dorë nga krijimi i ushtrisë së Kosovës?A është edhe një fitore e radhës e Serbisë dhe ndikimit direkt të saj në Kosovë, përmes Listës ”Srpska” që dirigjohet nga ata?

Kryeziu: Po ta komentoja Isa Mustafën, del se ende kam uzdajë se kthehet për së mbari. E pra, një shpresë të këtillë mos e kërkoni tek unë.

Opozita ka paralajmëruar protesta të fuqishme kundër Asociacionit, demarkacionit , korrupsionit dhe kapjes së shtetit. A ka arsye të mjaftueshme për këto protesta dhe çfarë rezultati mund të sjellin protestat e tilla?

Kryeziu: Opozita, në çdo kohë ka arsye të mjaftueshme. Por tani, siç më shkruante një mik në Facebook, po deshëm të informohemi, duhet t’i përcjellim mediet e Beogradit. Qeveritarët tanë janë bërë pishq. Pishqit nuk flasin, kaq di nga zoologjia.

Edhe pozita por edhe opozita, e kanë dëshmuar që nuk janë alternativë për Kosovën dhe popullin e saj, sepse edhe njëra edhe tjera duan të jenë në pushtet, që ta vjedhin sa më shumë këtë popull dhe këtë shtet! A i duhet Kosovës një alternativë e re?

Kryeziu: Paj, alternativa e re do të ishte zgjidhje krejt demokratike e këtij turpi. Por do të duhej të kishte kërkesë, pastaj vjen oferta.

A i duhet Kosovës një Qeveri e shpëtimit kombëtar, qeveri ekspertësh, me intelektualë të mirëfilltë, të painkriminuar në krime të natyrave të ndryshme?

Kryeziu: Personalisht besoj në ndikimin që në proceset tona duhet të kenë miqtë tanë ndërkombëtarë. Nuk është realizuar projekti i Republikës së Kosovës për ca grupe të pangopura, deri në atë masë sa e detyruan një plak në Gjilan të thotë një fjali pyetëse, vetëm një fjali: “A hahet pavarësia?” O, sa trishtim! /Shqip Press

Edhe pas 40 ditësh Kushtetuesja pa përgjigje për opozitën

0

Janë bërë 40 ditë që kur partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje!, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, e kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë së miratimit të Amendamentit 24, me të cilin u hap rruga për themelimin e gjykatës speciale për krime lufte.

Të bindura se Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës nuk i kanë respektuar dispozitat kushtetuese dhe ato procedurale me rastin e riprocedimit dhe miratimit të amendamentit për ndryshime kushtetuese që i hapin rrugë formimit të gjykatës speciale, partitë opozitare me 11 gusht e kanë dërguar këtë kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.

KosovaLive ka pyetur edhe në Gjykatën Kushtetuese nëse është shqyrtuar deri tash kjo kërkesë e opozitës dhe kur pritet që gjykata të dalë me një qëndrim, ndërsa në përgjigjën me shkrim thuhet se kërkesa është në shqyrtim dhe brenda afatit të paraparë do të merret vendimi.

“Kjo lëndë është ende duke u shqyrtuar. Vendimi do të merret brenda afatit të parashikuar, në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje! Albulena Haxhiu, ka thënë se janë në pritje të një përgjigje të Gjykatës Kushtetueses. Ajo mendon se kjo gjykatë gjithsesi duhet ta hedh poshtë amendamentin numër 24, pasi ai është kundërkushtetues edhe për nga aspekti përmbajtësor, por edhe procedural.

“Me datë 11 gusht si subjekte opozitare e kemi kontestuar amendamentin nr 24 edhe në aspektin procedural, por edhe atë përmbajtësor.

Besoj që Gjykata Kushtetuese tani është duke e shqyrtuar kërkesën tonë. Afati kohor maksimal i Gjykatës Kushtetuese është 60 ditë, por kjo nuk do të thotë se gjykata nuk mund të nxjerrë aktgjykimin para afatit 60 ditor.

Ne presim nga Kushtetuesja të hedh poshtë këtë amendament, i cili është antikushtetues edhe për nga aspekti përmbajtësor, por edhe ai procedural, ndonëse dihet se shumë vendime nga kjo gjykatë kanë qenë të padrejta dhe në shpërputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar Haxhiu.

Sipas saj, është koha e fundit që Gjykata Kushtetuese të reflektojë dhe të dalë në mbrojtje të kushtetutshmërisë.

Njohës të çështjeve kushtetuese dhe të rrethanave politike, si dhe analistë politikë, vlerësojnë për KosovaLive se gjasat që Gjykata Kushtetuese ta hedhë poshtë amendamentin e përmendur janë të vogla, sepse, siç thonë ata, deri tash kjo gjykatë e ka dëshmuar të kundërtën duke mos e interpretuar Kushtetutën siç duhet.

Analisti Blerim Burjani thotë për KosovaLive se kjo çështje nuk do të duhej të zvarritej kaq gjatë në Gjykatën Kushtetuese, sepse është një nga kërkesat që do të duhej trajtuar me prioritet nga gjykata.

“Konsideroj se kjo çështje nuk është dashur të marrë kaq kohë të gjatë në Gjykatën Kushtetuese, meqenëse është e natyrës urgjente edhe kjo gjykatë do të duhej atë trajtuar me prioritet, për të mos e penguar procesin e mëtejshëm. Sidoqoftë, kjo gjykatë është e detyruar që diçka të thotë brenda 60 ditëve, të jep një përgjigje”, vlerëson Burjani.

Rikujtojmë se amendamenti për gjykatën speciale është miratuar në seancën e 3 gushtit të Kuvendit të Kosovë, pas riprocedimit të tij nga ana e qeverisë, pasi më 26 qershor ishte rrëzuar nga Kuvendi, sepse nuk kishte marrë vota të mjaftueshme. /KosovaLive

Zgjedhjet e reja, ndëshkim për partitë e mëdha

0

Krijimi i frontit politik opozitar dhe nënshkrimi i deklaratës së përbashkët për bashkëveprim kundër koalicionit qeverisës, si brenda, ashtu edhe jashtë institucioneve, pretendohet të shfrytëzohet si strategji e vetme e bindjes së partive në pushtet për t’i dhënë fund para kohe mandatit të tyre qeverisës dhe për të çuar vendin në zgjedhje të reja. Ndonëse të tri subjektet politike në opozitë, flasin për bashkëkoordinimin e tyre në funksion të ndërprerjes së qeverisjes së keqe dhe shkapjes së shtetit nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, ata akoma nuk flasin për detajet e projektit të shkapjes së shtetit.

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e lëvizjes ‘VETËVENDOSJE’, i ka thënë gazetës se alternativa kryesore dhe më me prioritet në këtë aktualitet të zhvillimeve të dëmshme politike për vendin, është që qeverisja e keqe, e cila po identifikohet, vetëm me interesat personale të liderëve politikë të marrë fund sa më shpejt.

“Ne e kemi atë alternativën tonë, që së pari duhet t’i jepet fund kësaj qeverisjeje të keqe, kësaj qeverisjeje, që është lidhur e tëra në interesat personale, dhe kjo qeverisje e tillë e lidhur me krimin e ka kthyer Kosovën nga një Republikë Parlamentare, në diktaturë qeveritare. Tani sa i përket rastit të Gjykatës Speciale dhe rastit të kësaj që po ndodh me ‘Zajednicën’, ku po anashkalohet totalisht Kuvendi i Kosovës, unë mendoj se këto janë dy momente kritike për ekzistencën edhe për kthimin në funksion të Kuvendit të Kosovës”, tha Konjufca për “Kosova Sot”.

Nt: Analisti politik, Fisnik Korenica, konsideron se opozita e ka gjetur megjithatë pikën e dobët të funksionit të këtij koalicioni qeverisës dhe, pavarësisht se kur do të mbahen zgjedhjet e reja, pak më shpejt apo pak më vonë, partitë në pushtet do ta paguajnë faturën e gabimeve të mëdha në qeverisje. /Kosova Sot

Kosova do të anëtarësohet në UNESCO

0

Drejtoresha e Këshillit Britanik në Kosovë, Arjeta Emra, ka thënë se ky këshill është duke punuar maksimalisht për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Ajo ka bërë me dije se Këshilli Britanik, i cili prej vitesh është partner i Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) për avancimin e diplomacisë publike, tashmë ka dizajnuar aktivitetet dhe ka identifikuar partnerët për arritjen e këtij synimi.

Në një intervistë për “Epokën e Re”, Emra ka deklaruar se, krahas anëtarësimit në UNESCO, ky këshill është duke punuar maksimalisht edhe në drejtim të nënshkrimit të MSA-së dhe anëtarësimit në organizata të tjera.

“Tanimë aktivitetet janë dizajnuar, partnerët janë identifikuar dhe kemi ide të qartë se çfarë dëshirojmë të arrijmë në muajt e ardhshëm. Normalisht, fokusi do të jetë në UNESCO dhe te nënshkrimi i marrëveshjes së MSA-së”, ka thënë Emra.

Ajo ka shprehur optimizëm se në këtë synim diplomacia e Kosovës me partnerët e saj do ta mposhtim diplomacinë serbe.

“Kemi shumë optimizëm në këtë drejtim. Normalisht se diplomacia serbe do ta bëjë punën e vet, por edhe ne do ta bëjmë punën tonë. Kështu funksionon diplomacia. Me rëndësi është që aplikimi i Kosovës është aty dhe ka hyrë në agjendë të diskutimit. Zëvendësministri Selimi ka bërë punë të shkëlqyer në këtë drejtim dhe ai e udhëheq këtë proces”, është shprehur Emra.

Duke folur për projektin e përbashkët të këtij këshilli me MPJ-në: “Komunikimi me Evropën nëpërmjet diplomacisë”, ajo ka deklaruar se rezultatet e këtij projekti janë të prekshme.

Emra ka vlerësuar se ky projekt ka ndihmuar në zbutjen e qëndrimit të vendeve të BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

“Ky pozicion na mundëson që Kosova të mos bllokohet në nismat rajonale dhe evropiane. Nëse i keni përcjellë nismat vitet e fundit, asnjëra nga këto shtete nuk e ka bllokuar Kosovën në rrugën e saj drejt proceseve evropiane. Normalisht se kjo nuk ka ardhur vetvetiu, por është bërë shumë punë me këto shtete që të arrijmë deri këtu. Puna me këto shtete ka qenë e gjatë dhe e vështirë. Secili nga pesë shtetet është trajtuar ndaras, sepse edhe pozicioni i tyre ndaj Kosovës është shumë i ndryshëm”, ka deklaruar Emra, duke shtuar se, përveç Spanjës, bashkëpunimi me katër shtetet e tjera anëtare të BE-së tani ndodh në nivel të shoqërisë civile, artistëve, deputetëve dhe politikanëve.

Rrokullisën Gurët

0

The Rolling Stones nuk kanë publikuar album tash e dhjetë vjet, por duket se “A Bigger Bang” i vitit 2005 mund të mos jetë i fundit i tyre.

Kitaristi Keith Richards ka bërë të ditur lajmin gjatë një interviste në iHeartRadio, të mërkurën, në New York.

Ai ka pohuar se Rolling Stones së fundi janë takuar në Londër dhe kanë rënë dakord për një album të ri.

“Albumi i ri duket afër. Isha në Londër javën e kaluar dhe dostat u bëmë bashkë. Kemi plane definitive për të incizuar”, ka thënë ai.

Richards nuk dhënë më shumë detaje dhe nuk ka treguar se kur mund të ndodhë incizimi i albumit të ri, por ka sqaruar se bendi nuk do të mund t’i hyjë punës në studio deri pas përfundimit të turneut në Amerikën e Jugut, i planifikuar për fillimin e vitit 2016.

“Nuk e dimë kur do të bëhet. Thjesht, kemi biseduar dhe jemi pajtuar për ta bërë”.

https://youtu.be/OF3blQEeapQ

Krasniqi: Peticioni është zëri i qytetarëve

0

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi thotë se peticioni i iniciuar sot nga partitë opozitare, është zëri i qytetarëve dhe një protestë legjitime.

Krasniqi thotë se koalicioni aktual qeverisës PDK-LDK po qeveris shumë keq me vendin dhe janë qytetarët ata që duhet të ndalojnë një gjë të tillë. Peticioni sipas tij, është forma më qytetare e protestës duke u bërë thirrje qytetarëve që të japin nënshkrimin e tyre.

Shkrimi i plotë i Krasniqit në Facebook:

PETICIONI ËSHTË ZËRI I QYTETARËVE – ËSHTË PROTESTË LEGJITIME

Sot qeveria foli përmes opinionistëve, për të qenë “analizat” e saja më bindëse për qytetarët, për të mbytur zërin e qytetarëve që janë zoti i vërtetë i këtij vendi. Ata po harrojnë se edhe në të kaluarën kishte “marrëveshje” për t’ju aneksuar Serbisë, se kishin arritur ti bindin disa delegatë në Prizren (korrik 1045), “se ishte interesi i Kosovës që t’i bashkohej Serbisë, se Shqipëria ishte e varfër”. Po edhe në atë kohë, kishin qenë disa zëra që patën kundërshtuar, ani pse ata do te dënoheshin me burg të përjetshëm. Por nuk pat munguar as zëri i guximit njerëzor i Ramiz Cërnicës, i cili kishte thënë: “Me Shqipërinë, JO me Serbinë”!

Pas Kuvendit, kur Rifat Berisha ia kumtoi lajmin Tahir Berishës, se Kosova i ishte aneksuar Serbisë, ai i thotë: “ se shumë gjak do të derdhet për të ndryshuar ketë vendim” (parafrazim). Se nga e si ecëm për të ardhur deri të 17 shkurti i vitit 2008 e dimë të gjithë. U deshën mbi 600 shekuj burg për ata që guxuan të kërkojnë çlirimin nga Serbia, u deshën qindra mijëra shqiptar të shpërndarë në katër anët e Globit, u deshën rreth 100.000 viktima e martirë pas Luftës se Dytë Botërore e shkatërrime të shumta ekonomike. Jo vetëm këto që i ceka, ishin pasojë e një vendimi mendjelehtësh. Edhe atëherë vendimi ishte marrë nën presion e frikë. E sot?

I thash të gjitha këto, jo pse dua të vej shenja barazimi, në mes së sotshmes e se djeshmes, por për të treguar sesa të dëmshme janë vendimet që merren nën çdo formë të diktatit apo presionit. Sesa të dëmshme janë vendimet që merren pa e dëgjuar zërin e qytetarëve te vendit. Nuk kam asnjë dyshim, siç nuk ka as shumica e qytetarëve tani, se koalicioni qeverisës është duke qeverisur keq, madje tepër keq. Gjithë veprimet e vendimet e saj, me vërejtjet e Shoqërisë Civile, te këtyre dite e konfirmojnë ketë. Edhe marrëveshja e 25 gushtit në Bruksel me marrëveshjen e demarkacionit janë tepër të dëmshme për Republikën tonë. Për këto arsyeje të cekura e për shumë të tjera që nuk i ceka, duhet të merr pozicion qytetari ynë.

Nënshkrimi i Peticionit që po e afron opozita e bashkuar nga ana e qytetarëve, është akti më i rëndësishëm i qytetarëve, është vërejtja më serioze që qytetarët ua bëjnë shërbëtorëve të tyre, zyrtarëve të shtetit. Çdo zyrtar i zgjedhur, i emëruar apo zyrtar tjetër që paguhet nga paraja publike, është shërbëtor i qytetarëve e jo zot i tyre, si po pretendojnë e krekosen qeveritarët tanë.

Nënshkrimi i Peticionit nga qytetarët është forma më qytetare e protestës, është vërejtja më serioze paqësore e demokratike, që u drejtohet atyre që nuk po dinë të qeverisin, atyre që po marrin vendime të dëmshme për vendin, atyre që po u lënë pasoja të pa parashikueshme gjeneratave të ardhshme.

Është momenti i fundit, që qeveritarët duhet të tërhiqen nga marrëveshjet e dëmshme, të cilat ende nuk janë të finalizuara, pasi ende nuk kanë folur përfaqësuesit e popullit. Ky edhe është mesazhi i nënshkruesve të peticionit! Mesazhi është fisnik, për secilin që dinë ta lexoj shqip!

Qytetarët duhet të vrapojnë për të shprehur qëndrimin e tyre, për një të ardhmen më të sigurt për fëmijët e tyre.

Ndërroi jetë vajza e cila u alivanos në protestën e Vetëvendosjes (Video)

0

Sot ka ndërruar jetë shtetasja gjermane, Iris Von Der Ehe, e cila ishte në gjendje koma që pas alivanosjes gjatë protestave të Lëvizjes Vetëvendosje të 22 tetorit të vitit 2012-të.

Në vazhdim pamje të asaj proteste, marrë nga Youtube, ku shihet edhe rasti në fjalë

Peticioni: 25 mijë qytetarë e kanë nënshkruar deri tash

0

Shyqri Bytyqi, anëtar i kryesisë së Nismës për Kosovën, ka thënë se janë bërë rreth 25 mije nënshkrime të qytetareve në peticionin e Frontit Opozitar.

“Vetëm në kryeqyteti janë 10 mijë nënshkrime”, ka thënë ai në emisionin “Rrokum Roll” në TV Rrokum.

“Nuk dihet sa ditë do të zgjasë ky peticion, gjithçka varet prej interesimit të qytetarëve”!