Home Blog Page 7094

Pse Isa Mustafa duhet ta dorzojë mandatin

0

Nga Jakup Krasniqi

Ka arsyeje me vagonë, të cilat janë lehtë të verifikueshme se përse Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa duhet ta dorëzoj mandatin dhe të jep dorëheqje të pa revokueshme dhe kështu tu hapte rrugë zgjedhjeve të reja. Zgjedhjet e jashtëzakonshme janë zgjedhja më e urtë në këto rrethana të trazuara. Në ketë rast opinionit publik dëshiroj t’ia ofroj disa nga arsyet, perse duhet dorëzuar mandati për ti hapur rrugë kërkesës për një mandat të ri. Mandat i cili mund të fitohet vetëm me zgjedhje të reja, të lira, fer dhe demokratike.

Të gjithë që kemi pasur sy e veshë, për të përcjellë, dëgjuar, lexuar e parë, fushatën zgjedhore për zgjedhjet e qershorit 2014, e dimë sesa pa durueshmëri ka pasur në mes Kryeministrit të tashëm, Isa Mustafa dhe Kryeministrit të atëhershëm, Hashim Thaçi. I gjithë stafi drejtues i LDK-së që kanë defiluar nëpër televizionet kombëtare e lokale, në asnjë formë nuk i kanë dhënë mundësi një koalicioni me partinë e Hashim Thaçit. Duke u arsyetuar, se është kapur shteti dhe se me Hashim Thaçin nuk ç’kapet ai. Madje kjo jo një herë është përsëritur gjatë kohës se ekzistimit të VLAN-it. Pra, Isa Mustafa votat i ka marr për ta ndryshuar qeverisjen, për ta ç’kapur shtetin dhe krijuar një perspektivë të re për qytetarët e Republikës, për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Çka ndodhi në të vërtetë, “për sa qelë e mbyll sytë”, zhduken premtimet “zëforta” dhe përkundër çdo morali njerëzor e qytetar, u lidh një koalicion jo parimor. Nuk besoj që ka ndonjë njeri me arsyeje të shendosh e me kujtesë normale që mund t’i mohoj këto fakte te verifikueshme.

Pa dyshim, në rastin tonë kjo që u tha deri më tani nuk janë arsyeje më të forta e as më të rëndësishmet për të shkuar në zgjedhje të jashtëzakonshme ose të parakohshme. Arsyet më të forta, mbase edhe të domosdoshme, pse Isa Mustafa duhet të dorëzoj mandatin, janë këto që do i numërojmë në vazhdim. Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi në fushatat e tyre zgjedhore të stërzgjatura e të jashtë ligjshme ( ligji zgjedhor e kufizon kohën e fushatës), nga qytetarët e Kosovës e kanë kërkuar mandatin për qeverisje të mirë e të lirë, kanë premtuar sundim të ligjit e të Kushtetutës, kanë premtuar forcim te sovranitetit, kanë premtuar integrimin e veriut të Kosovës me pjesët tjera të Kosovës, kanë premtuar mbrojtje të shqiptarëve jashtë Kosovës, se do të jenë “gardianë të shqiptarëve” në rajonin tonë, kanë premtuar shtetin qytetar, laik dhe multietnik, kanë premtuar qindra e mijëra vende pune. Asgjë nga këto nuk ka ndodhi dhe nuk ka mundësi të ndodh me ketë koalicion keq qeverisës.

Në fakt çka ka ndodhë gjatë qeverisjes se Isa Mustafës. Qeverisja është e keqe, më e madhja dhe më ë shtrenjta në Kontinentin e Vjetër, ketë nuk ua kanë premtuar qytetarëve në zgjedhjet e qershorit 2014 apo jo. Isa Mustafa nuk e ka kërkuar votën nga qytetarët për dezintegrimin e vendit, kështu si ka ndodhur me marrëveshjet e Brukselit. Me ato marrëveshje, Republika e Kosovës nuk është më shtet qytetarë, multietnike dhe unik, madje nuk është as shtet laik. Me Kushtetutë (neni tre), “Kosova është e shqiptarëve dhe e komuniteteve të tjera …”. Tani me Marrëveshjen e Brukselit kemi dy shtete. Njëri është i shqiptarëve dhe i komuniteteve të tjera pakicë ( ku gjuhë zyrtare janë shqipja dhe serbishtja), e tjetri i Bashkësisë së Komunave serbe (pra i një etnie), bile aty do të jenë edhe kishat serbe me territorin e tyre. Gjuhë zyrtare do të jetë gjuha serbe. I pari (shteti i Kosovës) do të jetë i gjithë qytetarëve të Kosovës, ndërsa i dyti, Bashkësia e Komunave serbe, është vetëm i serbëve. As këto çështje nuk kanë qenë pjesë e premtimeve te partive politike shqiptare në zgjedhje e qershorit 2014. As zvogëlimi i hapësirës territoriale nuk ka qenë pjesë te fushatës zgjedhore.

Nuk ka asnjë dyshim që as humbja e sovranitetit të shtetit në Sistemin e Drejtësisë, nuk ka qenë premtim i partive te koalicionit. As formimi i këtij koalicioni nuk ka qenë pjesë e premtimeve zgjedhore. As bashkëkapja e institucioneve te shtetit dhe e institucioneve të pavarura, nuk u është premtuar qytetarëve në zgjedhjet e kaluara, a po jo?! As ikja e mbi 100.000 njerëzve nuk ka qenë premtim.

Janë të gjitha këto fakte e shumë të tjera të pa thëna, që e obligojnë Isa Mustafën, që të jep dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme (parakohshme), për ti pyetur qytetarët se a i miratojnë ata këto marrëveshje që i kanë bërë krerët e partive politike te koalicionit. A pajtohen ata me ketë keq qeverisje. Ky besim duhet të verifikohet domosdo në zgjedhje të reja, të lira e demokratike. Vetëm atëherë, partitë e koalicionit mund të thirren në verdiktin e qytetarëve të Republikës.

Gjendja faktike e gjithë kësaj që u tha deri më tani, konfirmon katërçipërisht, se liderët politik të partive të koalicionit, në zgjedhjet e kaluara i kanë mashtruar qytetarët e Kosovës. Krejt çka ka bërë kjo qeveri e udhëhequr nga Isa Mustafa, del si në dritën e diellit, se jo vetëm i kanë mashtruar qytetarët e Republikës, por i kanë tradhtuar ata. Tradhtia brina nuk ka.

Pasi partitë e koalicionit, qytetarëve ua kanë bërë një mashtrim të madh politik dhe ekonomik, qytetarët kanë të drejtë që ti shfrytëzojnë e ti përdorin të gjitha format e veprimit demokratik për të verifikuar vullnetin e tyre në zgjedhje të reja. Kjo qeveri nuk ka mandat ta qeverisë ketë vend e ketë popull me gjithë këto dëme të mëdha e vështirë të riparueshme që ia kanë bërë vendit për një kohë kaq të shkurtër te qeverisjes.

Më fal, për çfarë demokracie më flet?!

0

Nga Taulant F. Selmani

Hiperbolizimi i të ashtuquajturës demokraci, me sa duket ka marrë përmasa alarmante, sepse keqkuptimi dhe keqinterpretimi i saj po na shkakton kokëçarje të mëdha duke na u bërë ‘mbret’ i jetërave dhe mendimeve tona. Çdo gjë lidhet me demokracinë, çdo hap që ne hedhim, çdo fjalë që nxjerrim nga goja, çdo virtyt i joni. Si duket kjo demokracia na ka skllavëruar, njëjtë sikurse në kohët e vjetra, që në emër të kishës, në emër të popullit, e në emër të dreqit e të birit e kanë ‘të lejuar’ të bëjnë gjithëçka!

Akoma ne thirremi në emër të demokracisë, derisa vazhdonjë të vriten barbarisht gra e fëmijë të pafajshme në zona luftërash civile, deri sa i forti të vret dhe nuk i jep pesë pare, derisa të ligut i rrahen supet, duke e përgëzuar për ligësitë e tij, derisa hajnave ordinerë u jepën lëvdata, duke u thënë se e nxjerrin bukën e gojës, pa e menduar se po e lënë pa bukë dikë tjetër, e derisa pisllëqet quhen modë, ndërsa të jesh fanatik në një çështje quhesh i prapambetur e primitiv!

Akoma ne thirremi në demokraci, derisa nuk u pengon zhurma e alarmëve të eskortave të tyre apo e diskotekave, por u pengon ezani apo këmbana! Ose nuk u pengojnë trotuaret që të duken si parkingje, por u pengojnë shitësit me tavolinat me libra nëpër sheshe, të cilët përveç që nxjerrin bukën e gojës, ushqejnë me dije e dituri qytetarët! Nuk u pengojnë qentë që njerëzit mbajnë për dore, por u pengojnë lypësit që kërkojnë lëmoshë, pasi që po ky sistem ua rrezikoi bukën e gojës dhe i qiti në rrugë, jo sepse ata kanë dëshirë të dalin rrugëve, por që se nuk kanë dëshirë të vdesin urie!

Kjo pra është demokracia në të cilën thirremi, ky është sistemi të cilin e kemi përqafuar dhe po kjo, demokracia është kanceri i shoqërisë tonë!

Më fal, ti më flet për demokracinë, deri sa një media ironizon me një fotografi të një fëmije të mbytur?! Derisa për një sulm terrorist mbi atë media ironizuese e raciste fetare solidarizohet e gjithë bota! Më flet akoma për demokracinë?! Për këtë sistem të shfrenuar jetese ose mbijetese?! Ti thirresh në demokraci derisa shkatërron breza të tërë?! Ose ti thirresh në drejtësi, deri sa ti vet e gjymtove atë?! Jo! Kjo nuk është demokraci! Është mjerim e përtej mjerimit! Është litari që po i veni vetës e popullit në qafë e që po i ngulfatni në dallaverat e propagandat tuaja!

Kam menduar se e dua demokracinë, por jo! Paskam dashur diçka të gabuar! Unë nuk thirrem në emër të demokracisë, unë nuk I bëhem argat asaj! Unë nuk e përkrah një sistem që thirret në emër të lirisë e të drejtës, por që në fakt të përmbyt, njëjtë sikurse lumi kur del nga shtrati i tij që gllabërin çdo gjë që i del para! Unë nuk dua që një sistem të vendos mbi fatin dhe jetën time, ani pse ai sistem na tregon se mund të jetojmë si të duam. Sa për mua, demokracia ka vdekur!

Ofroni arsim cilësor, jo vetëm diploma

0

Ambasadorja gjermane, Angelika Viets, ka kritikuar ashpër nivelin e arsimit në Kosovë. Ajo ka numëruar faktorët që kanë degraduar sistemin e arsimit në Kosovë e sidomos atë të lartë.

Ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angelika Viets, është e befasuar me numrin e madh të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë krahasuar me kapacitetin akademik dhe situatën socio-ekonomike të këtij vendi. Ajo e ka bërë të qartë se Kosova, si një vend që pretendon t’i bashkohet BE-së, duhet të synojë cilësinë e njëjtë të arsimit që ofrohet në Evropë.

Në një intervistë ekskluzive për “Zërin”, ambasadorja Viets ka kritikuar ashpër nivelin e arsimit në Kosovë.

“Kosova duhet të ndërtojë një strategji të arsimit në përgjithësi që është e përshtatshme me mjedisin social dhe ekonomik. Veçanërisht në fushën e arsimit të lartë, ku duhet të ofrohen studime cilësore e jo thjesht diploma”, ka thënë Viets në një intervistë për “Zërin”.

Ajo përmend se si të njëjtit profesorë japin mësim në institucione të ndryshime publike dhe private.

“Shohim gjithashtu t’u ofrohen të njëjtat programe për studentët. Nuk ka fare konkurrencë. Tani duhet përmirësuar disiplina”, ka thënë ambasadorja gjermane Viets.

Sa i përket mospajtimeve brenda Universitetit, ajo konsideron se “duke përdorur gjuhën e ligjit, duke u kujdesur që të mos shkelet ligji dhe duke përdorur mekanizmat legalë të të gjitha institucioneve që kanë për detyrë të mbështesin veprimtarinë legale të Universitetit, besoj se mund të gjendet një zgjidhje dhe shpresoj që kjo të ndodhë shpejt dhe mbi bazë të meritokracisë”.

Ambasadorja Viets i ka dërguar mesazh të qartë udhëheqësve të sektorit të arsimit se “Vetëm duke përcaktuar dhe përmbushur synimet për standarde të larta të cilësisë, Kosova mund të prosperojë dhe të zhvillohet”.

Majko: Asociacioni kufizon sovranitetin e Kosovës

0

Me Asociacionin e Komunave me shumicë serbe nuk po krijohet një “Republika Srpska” në Kosovë, mirëpo e vërteta është se Asociacioni është një eksperiment që prodhon një sovranitet të kufizuar në një pjesë të territorit të vendit.

Kështu ka deklaruar ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, gjatë një interviste ekskluzive për gazetën “Zëri”, i cili njëherësh është deputet i Partisë Socialiste në Parlamentin e Shqipërisë.

Serbia, sipas tij, po kërkon ta ruajë influencën e vendimmarrjes në Kosovë, duke kërkuar që përveç shtetit serb të garantojë një “hapësirë” të interesave të veta në një hapësirë që është më e madhe sesa territori ku ushtron sovranitet.

Majko, që ka qenë kryeministër i Shqipërisë gjatë periudhës së luftës në Kosovë, përkatësisht gjatë viteve 1998-99, ka folur edhe për ushtrinë e shtetit më të ri në Evropë, duke thënë se ky shtet do t’i formalizojë forcat e veta të armatosura.

“Kjo që po më pyesni ka edhe komentin tuaj, të cilin po e marr si një “pyetje” po ashtu. Ekziston një dyzim i arsyeshëm lidhur me atë çfarë klasa politike drejtuese e Kosovës po realizon pas miratimit të “Paketës” së Ahtisarit”. /Zëri

Politikanët ndërtuan piramidën e krimit

0

Analistë të ekonomisë, deputetë të Kuvendit të Kosovës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, thonë se piramida e politikanëve me para të pista është ndërtuar fillimisht në gjirin e partive, për të vazhduar me institucione. Sipas tyre, edhe nuk duhet që të çuditemi se përse Prokuroria e Shtetit nuk po ndërmerr diçka kundër këtij fenomeni.

Deputeti Pal Lekaj thotë se të gjitha të këqijat e vendit, pra edhe krijimi i skemave të piramidave për pastrimin e parave të pista, burojnë nga krerët më të lartë të shtetit tonë që nga paslufta dhe deri më sot.

“Pa fije dyshimi politikanët tanë, përkatë- sisht pushtetarët tanë të pasluftës, së bashku me një numër të ndërkombë- tarëve që i kanë joshur, janë kreatorët e të gjitha të këqijave që i kanë ndodhur Kosovës pas lufte”, thotë ai. Sipas deputetit Lekaj, një fije shprese se do të ketë lëvizje e ngjallin reagimet e ditëve të fundit të ambasadorit amerikan dhe atij britanik.

“Sabotimi nuk është bërë rastësisht, është pjesë e zbatimit të programit që u mundëson krerëve politike të ndërtojnë skema, sisteme dhe piramida që u nevojiten për të mundësuar pasurimin me para të pista në njërën anë dhe në anën tjetër t’u sigurojë pandëshkueshmëri ligjore”, thekson analisti Xhevat Meha. Sipas tij, shumica e krerëve politikë janë të njëjtë nga përfundimi i luftës dhe e mbrojnë njëri-tjetrin. / Kosova Sot

FAK-u, peng i pazareve politike

0

Edhe pse Qeveria e Kosovës ende zyrtarisht nuk e ka komunikuar, burime brenda saj kanë konfirmuar për KosovaLive se ajo ka zgjedhur një rrugë të re për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në ushtri, respektivisht në një forcë të armatosur të Kosovës, duke iu shmangur ndryshimeve kushtetuese, për të cilat janë të nevojshme 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe 2/3 e deputetëve të minoriteteve, ndërsa deri më tani një gjë e tillë është parë e pamundshme të arrihet me deputetët e Listës Serbe.

Flitet se tashmë brenda qeverisë janë bërë përgatitjet për ndryshimet ligjore që do t’i bëhen vetëm Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës, në të cilin do të shkrihet e gjithë përmbajtja e Projektligjit për Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK), të cilin e ka kaluar Qeveria e Kosovës, por ai nuk ka arritur të dalë para deputetëve.

Ndonëse ende askush nuk e ka konfirmuar se si do të jetë emërtimi i kësaj force të armatosur, ajo që tash për tash dihet është vetëm se me ligjin e ri që po përgatitet, FSK-ja do të marrë misionin e ushtrisë me të gjitha kompetencat ushtarake.

Burime brenda qeverisë thonë se baza ligjore për ndryshimin e statusit të Forcës së Sigurisë të Kosovës është gjetur në nenin 126 të Kushtetutës së Kosovës, ku thuhet se organizimi i brendshëm i Forcës së Sigurisë të Kosovës rregullohet me ligj.

Njohës të rrethanave politike në Kosovë, deputetë opozitarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile vazhdojnë të mendojnë se çështja e themelimit të ushtrisë së Kosovës ka filluar dhe ende mbetet më shumë një lojë e madhe politike, sesa një proces i nisur me seriozitetin që e meriton.

Sipas tyre, çështjen e formimit të ushtrisë së Kosovës që në start ish-kryeministri Hashim Thaçi e filloi si lojë politike që e bëri kryekëput për qëllime politike në fushatën për zgjedhjet e fundit parlamentare.

Deklarimi me pompozitet i Thaçit para zgjedhjeve se “ne jemi ata që do ta formojmë Forcën e Armatosur të Kosovës” dhe kalimi i një vendimi të tillë shpejt e shpejt në mbledhje të Qeverisë së Kosovës, sipas analistëve është dëshmi se kjo çështje filloi si një lojë politike, si një pazar politik me elektoratin dhe sot po vazhdon si një pazar politik me Serbinë, respektivisht me Listën Serbe në Kuvendin e Kosovës.

Deputetë opozitarë në Kuvendin e Kosovës, ndonëse janë skeptikë se ky proces do të kryhet brenda vitit 2015, vlerësojnë se çështja e forcës së armatosur të Kosovës duhet të votohet në Kuvendin e Kosovës sa më parë që të jetë e mundur dhe të mos mbetet më peng i pazareve politike ndërmjet qeverisë dhe Listës Serbe.

Përgjegjësinë për moskrijimin e ushtrisë së Kosovës e ka qeveria

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, deklaroi për KosovaLive se qeveria ka heq dorë nga themelimi i forcës së armatosur të Kosovës që nga momenti kur ka deklaruar se nuk mund ta bëjë FAK-un, por do të vazhdojë të bëjnë kompetenca shtesë për FSK-në.

“Kjo zvarritje është produkt i një qeverie çfarë e kemi, e cila po e zvarrit këtë proces sepse kështu po do Lista Serbe në Parlamentin e Kosovës, respektivisht Beogradi zyrtar. Çështjen e FAK-ut e ka hequr nga rendi i ditës Qeveria e Kosovës, sepse ajo ka hequr dorë nga themelimi i FAK-ut që nga momenti kur ka deklaruar se nuk mund ta bëjnë FAK-un, por do të vazhdojnë të bëjnë kompetenca shtesë për FSK-në”, ka deklaruar Selimi.

Ai vlerëson se një gjë e tillë nuk ka shpresë që të kryhet brenda vitit 2015, pasi, sipas tij, përderisa është ky koalicion as që mund të bëhet fjalë se mund të lëvizë diçka në këtë drejtim.

Selimi mendon se Qeveria e Kosovës është dorëzuar kur ka deklaruar se është e pamundur të bëhen ndryshime kushtetuese për shkak të pozicionit të Listës Serbe si dhe kur u deklarua për shtimin e kapaciteteve për FSK-në.

“Në mungesë të fuqisë për ta bërë Forcën e Armatosur, pra ushtrinë qeveritarët tanë kërkojnë kompetenca shtesë për FSK-në. Mos të harrojmë se kompetencat ushtrisë ia përcakton Kushtetuta e pa ndryshime kushtetuese nuk ka ndryshim kompetencash, sepse kompetenca e një ushtrie është ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës gjë që këtë kompetencë në Kushtetutë nuk e ka FSK-ja”, ka shtuar Selimi.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Rrustem Berisha, ka thënë se përgjegjësinë për moskrijimin e ushtrisë së Kosovës deri më sot e ka Qeveria e Kosovës, e cila deri dje udhëhiqej nga Hashim Thaçi, ndërsa tash nga Isa Mustafa.

“Ideja e kryeministrit Mustafa për disa modele tjera të transformimit të FSK-së në ushtri janë një lojë e re që veç ai mund ta kuptoj. Vonesat në drejtim të themelimit të ushtrisë së Kosovës janë të paarsyeshme dhe krejtësisht të papranueshme”, ka deklaruar ai.

Duke folur për aktivitetin e qeverisë që ndërlidhet me transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës ai ka thënë se proces i deritashëm nuk është në përputhje me rekomandimet e rishikimit strategjik të sektorit të sigurisë sa i përket dinamikave të transformimit dhe zhvillimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Lista Serbe e ka ndërlikuar formimin e FAK-ut

Nga ana tjetër deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Nuredin Ibishi, thotë për KosovaLive se çështja e FAK-ut është ndërlikuar për shkak të qëndrimit të Listës Serbe. Megjithatë ai e quan pozitiv faktin që kjo nuk ka shkuar në pakon e njëjtë me atë të asociacionit të komunave pasi siç thotë në këtë mënyrë do të kushtëzoheshin nga Lista Serbe.

“Zvarritja lidhet edhe me legjislaturën e kaluar, e cila e kishte shansin real që të formojnë FAK-un. Tash jemi në një situatë relativisht të ndërlikuar me qëndrimin e Listës Serbe e kjo e ndërlikon shumë situatën. Mendoj se u bë mirë që çështja e FAK-ut nuk hyri në një pako me Asociacionin e komunave serbe, sepse po të kishte ndodhë një gjë e tillë, atëherë do të ishim kushtëzuar edhe me autorizime ekzekutive të asociacionit.

Po ashtu, po të kishte ndodhë një kombinim i tillë ata sot do të mund ta kushtëzonin me koncesione të ndryshme që iu shkon në favor atyre për formimin e FAK-ut për çka ata po insistojnë të kenë forcë të armatosura një etnike në pjesë të caktuara të territorit të Kosovës e që është e papranueshme për neve si shtet”, thekson Ibishi.

Sipas tij, përderisa formimi i FAK-ut është i kushtëzuar me ndryshime kushtetuese, të cilat nuk i miraton Lista Serbe, duhet të gjendet një tjetër zgjidhje në kuadër të ligjeve.

“Tash kur jemi të kushtëzuar me votimin e ndryshimeve kushtetuese nga Lista Serbe duhet të gjejmë zgjidhje në kuadër të ligjeve dhe mos të mbetet peng zhvillimi i forcave të armatosura. Duhet të ndryshohet ligji ekzistues i FSK-së me shumicë votash. Mendoj se qysh tash duhet të propozohet ndryshimi i ligjit dhe çështja e ushtrisë së Kosovës të zgjidhet menjëherë”, theksoi Ibishi.

Deputeti i LDK-së kërkon që bashkësia ndërkombëtare të ndihmojë në krijimin e FAK-ut.

“Ne duhet të tejkalojmë këtë situatë brenda këtij viti a në muajt e vitit të ardhshëm. Qeveria duhet të kërkojë ndihmë të vazhdueshme nga bashkësia ndërkombëtare, sidomos nga faktori vendimmarrës SHBA dhe Bashkimi Evropian, të gjendet një zgjidhje politike për statusin e forcave të armatosura për arsye se kjo është e përcaktuar edhe në Pakon Ahtisaari”, përfundoi Nuredin Ibishi për KosovaLive.

Të rikujtojmë se Qeveria e Kosovës më kot kishte proceduar amendamentet kushtetuese, të cilat do ta shndërronin Forcën e Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës, pasi këto amendamente nuk u vunë fare në rend dite të Kuvendit të Kosovës. Siç dihet Kryesia e Kuvendit të Kosovës më 20.07.2015, pasi nuk arriti marrëveshje me Listën Serbe nuk e futi në rend të ditës votimin e amendamentit kushtetues për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës, ndërsa përfaqësuesit e opozitës e patën lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Që nga ajo kohë thuhet se qeveritarët tanë në krye me Hashim Thaçin e Isa Mustafën po mendojnë për një modalitet tjetër që do ta themelonte ushtrinë e ardhshme të Kosovës. / KosovaLive

Nisin debatet publike për Qendrën e Vjetër të Rahovecit

0

Në Qendrën e Kulturës “Mensur Zyberaj” në Rahovec janë hapur debatet publike për Planin Rregullues të Hollësishëm “Qendra e Vjetër e Qytetit”. Debatet do të zgjasin një muaj.

Nënkryetari i Komunës, Xhemali Haxhimustafa, i cili mori pjesë në hapje të debatit, uroi punë të mbarë dhe suksese gjatë debateve njëmujore, me ç’rast qytetarët do të mbështesin projektin që qendrës së vjetër të qytetit t’i kthehet pamja e vjetër atraktive. Ai tha se presin që qytetarët do të kontribuojnë me sugjerime dhe rekomandime.

Visar Haxhibeqiri, arkitekt urbanist, shpjegoi hollësishëm Planin Rregullues para të pranishmëve, duke dhënë detaje për përmbajtjen, objektivat, planet, vizionin dhe hapësirat e kësaj pjese të qytetit.

Ai tregoi se Plani Rregullues “Qendra e Vjetër e Qytetit” në Rahovec përfshin një sipërfaqe prej 27.5 Ha. Në Rahovec janë evidentuar 29 objekte të trashëgimisë kulturore, nga ky numër 9 janë në mbrojtje të shtetit.

Haxhibeqiri theksoi se Plani Rregullues do të përfshijë edhe rregullimin e shesheve në parqe të gjelbëruara, ndërsa me këtë do të avancohen edhe zejet e vjetra artizanale, me ç’rast zejtarët, por edhe Komuna, do të kenë përfitime ekonomike.

Thaçi fton Prefektin e Londrës për skijim në Brezovicë

0

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në llogarinë e tij në Facebook ka shprehur kënaqesinë e tij me rastin e takimit me Prefektin e Londrës, Boris Johnson.

Kryediplomati kosovar e ka ftuar Johnsonin për skijim në Brezovicë.

“Pata kënaqësinë që të takohem dhe të bisedoj edhe me Prefektin e Londrës, Boris Johnson. Ai i kujtoi ditët kur ishte në Kosovë, si gazetar, ndërsa unë e ftova që të vijë përsëri, këtë herë për të skijuar në Brezovicë, ftesë të cilën e priti me gëzim”, shkruan Thaçi në Facebook. / PrizrenPress.com

Gjykata në Prizren: Ja si ndodhi incidenti mes Emira Gavazajt dhe Myrvete Qollakut

0

Gjykata në Prizren ka sqaruar mënyrën se si ka ndodhur incidenti në mes praktikantes Emira Gavazaj dhe avokates Myrvete Qollaku.

Zëdhënësja e Gjykatës në Prizren, Afërdita Kicaj tha se situata ka ndodhur kur Trupi Gjykues nuk ka qenë në sallë të gjykimit.

“Ky rast ka ndodhur pasi që Trupi Gjykues është tërhequr për t’u konsultuar me ekspertin e Balistikës për dalje në vend të ngjarjes, dhe për të kryer rekonstruimin e vendit të ngjarjes”, thotë Kicaj.

“Këtë situatë e kanë shfrytëzuar palët e ndodhura në sallë, nga e cila ka ardhur deri te mosmarrëveshja verbale e tyre”.

“Trupi Gjykues nuk ka qenë prezent në momentin e krijimit të kësaj situate për të ndërmarr masa për largimin eventual të palëve nga salla, apo për caktimin e ndonjë gjobe, ndaj atyre që kanë shkaktuar konfrontim verbal në sallë të gjykimit”.

“Është evidente se incizimi është bërë nga praktikantja, e cila pas largimit të trupit gjykues nga salla pa lejen e trupit gjykues me telefon ka incizuar situatën”.

“Pas kthimit të trupit gjykues në sallë, kryetarja e trupit gjykues u informua për situatën e krijuar dhe nga salla e largon praktikanten, e cila pas përfundimit të seancës me shkresë ka kërkuar vendim prej kryetares së trupit gjykues arsyet e përjashtimit të saj nga salla”.

Emira Gavazaj është përplasur rëndë me avokaten Myrvete Qollaku që po përfaqësonte njërën nga palët në këtë seancë.

Gavazaj ka ngritur kallëzim penal ndaj avokates Qollaku për fyerje dhe dëmtim të personalitetit të saj, transmeton Koha.net.

Gavazaj ka një kohë të gjatë që është duke kërkuar drejtësi për babanë e saj, i vrarë para më shumë se dy vjetësh në pikën kufitare në Vermicë nga një pjesëtar i Policisë së Kosovës, i dënuar për vrasje./PrizrenPress.com/

Familjarët e të akuzuarve të Speciales fajin ta kërkojnë te Mustafa dhe Thaçi

0

Deputeti i “Nisma për Kosovën”, Zafir Berisha, në emisionin “Info Box” të Tv Dukagjini, ka thënë se nëse familjarët e të akuzuarve të Gjykatës Speciale do ta kërkojnë një fajtor se pse familjarët e tyre po akuzohen pa të drejtë nga kjo Gjykatë, atëherë sipas tij, ata fajin duhet ta kërkojnë të dy persona – Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi.

Ai ka theksuar se këta dy zyrtarë të lartë të Qeverisë i kanë detyruar deputetët që ta votojnë këtë Gjykatë, përmes se cilës ka thënë Berisha, po tentohet të barazohet lufta çlirimtare me atë okupuese.

“Nuk është e vërtetë se kjo Gjykatë do të merret me hetimin e vrasjeve të kryera pasluftës. Ata që e kanë lexuar ligjin më vëmendje e vërejnë këtë gjë. Zyrtarët e LDK-së, që po thonë se kjo Gjykata Speciale do të merret me hetimin e vrasjeve të pasluftës, po i bëjnë këto deklarata për poena politik, sepse një gjë e tillë nuk do të ndodhë”, tha ai.

I pyetur se cili do të jetë reagimi i opozitës ditëve në vazhdim, Berisha ka theksuar se veprimet e opozitës së bashkuar do të vërehen qysh në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës – e para për sesionin vjeshtor.

Ai ka shtuar se të gjitha metodat ligjore, seancat e Kuvendit, protestat, për t’i kundërshtuar veprimet e Qeverisë së Kosovës, por se i pyetur për veprimet e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) – aksionet e organizuara, ka theksuar se secila parti e ka strategjinë e saj të veprimit.

“Natyrisht protesta është e mjet ligjshëm dhe demokratik. Reagimi i ashpër i policisë është jonjerëzor. Ka kaluar koha kur njerëzit duhet të arrestohen për propaganda – për trakte. Isa Mustafa të shkoqet nga mentaliteti që i ka shërbyer më herët – regjimi komunist dhe mos ta shtyp ata që kanë mendim ndryshe”, ka shtuar Berisha. /Telegrafi/