Home Blog Page 7102

Mustafa e pranon: Lista Srpska po e bllokon formimin e Ushtrisë

0

Isa Mustafa e ka pranuar se s’po mundet të gjejë një zgjidhje të pranueshme për shumicën sa i përket themelimit të Forcave të Armatosura.

Dhe, fajtor për këtë i ka lënë pakicat (Listën Srpska) të cilat s’po pajtohen për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Në një reagim në rrjetet sociale, Kryeministri ka shkruar se s’i ka rënë pishman pse s’kishte pranuar vendet e rezervuara edhe për një mandat për pakicat në këmbim të themelimit të ushtrisë së Kosovës.

Kryeministri pati premtuar se gjatë javës së kaluar do tregonte modelin e transformimit të FSK’së në ushtri të Kosovës, por as në postimin e fundit s’e ka bërë një gjë të tillë.

Sidoqoftë, Mustafa po vazhdon të sillet si idhnakë dhe po reagon sa herë që dikush po e kritikon.

Ky është postimi i Kryeministrit në Facebook

Është e vërtetë e pamohueshme se unë dhe LDK në mandatin e kaluar, sa ishim në opozitë, kemi kundërshtuar vazhdimin e vendeve të rezervuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Nuk jam penduar për këtë, dhe edhe sot do të kundërshtoja, me çdo çmim. Sepse, është e pa arsyeshme që të ngushtohen vendet për deputet të subjekteve shqiptare në Kuvend dhe të zgjerohen edhe më tutje për përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë. Konsideroj, po ashtu, se nuk ka çmim i cili e arsyeton dëmtimin e përfaqësimit në organin më të lart legjislativ. Është e qartë se komunitetet joshumicë, tani me vende të garantuara janë pozitivisht të diskriminuara, gati dyfish në krahasim me pjesëmarrjen në popullsi. Prandaj, ndihem i nderuar në qoftë se dikush edhe më tutje vazhdon të më fajësoj se nuk jam pajtuar. Nuk do të pajtohem as sot të bëj pazar me vendet në parlament.

Sa i përket transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur, për mua ka qenë dhe është e pajustifikueshme që të ndërlidhet me kontekstin e vazhdimit të vendeve të rezervuara. Sepse këto vende nuk mund të afatizohen. Ajo që ndryshohet në Kushtetutë me dy të tretat e dyfishta, nuk mund të ndryshoj në të ardhmen pa të njëjtin parim. Së fundmi kjo do të na shtynte në një cikël të kushtëzimeve, nga i cili vështirë se do të gjenim rrugëdalje.

Ndërkaq, pavarësisht propagandës që po bëhet, unë jam duke punuar shumë me të gjithë për të gjetur zgjidhje për transformimin e FSK-së. Vetëm gjatë dhjetë ditëve të kaluara i kemi pasur pesë takime me partner të koalicionit dhe faktorët ndërkombëtar dhe me strukturat më të larta të FSK-së për të gjetur zgjidhje.

Ne do të punojmë shumë për avancimin e të drejtave të popullatës joshumicë në vendin tonë, dhe jemi kampione në ofrimin e këtyre të drejtave, por Forcat e Armatosura janë forcë e të gjithë qytetarëve tanë, prandaj pres bashkëpunim dhe marrje të përgjegjësive edhe nga përfaqësuesit e partive joshumicë në Kuvend.

Kosova me nivelin më të lartë të analfabetizmit në Evropë

0

Organizatat joqeveritare në Kosovë, kanë ngritur shqetësime dhe kanë bërë thirrje për një përkushtim më të madh nga autoritetet kompetente, për uljen e nivelit të analfabetizmit në Kosovë.

Halim Hyseni, udhëheqës i Qendrës për Avancimin e Performancës së Sistemit të Arsimit, ka thënë se institucionet kompetente të arsimit në Kosovë, duhet t’i shqetësojë fakti se Kosova ka nivelin më të lartë të analfabetizmit.

“Numri i analfabetëve funksional duhet të themi se është mbi 40 për qind. Kjo paraqet një pengesë jashtëzakonisht të madhe të zhvillimit të shoqërisë kosovare”, ka deklaruar Hyseni.

Ai thekson se çështja e analfabetizmit duhet të bartet tek organet, të cilat ndërtojnë politika zhvillimore, pasi që, siç është shprehur ai, Kosova zë vendin e parë në Evropë me nivelin e lartë të analfabetizmit.

“Problemi i analfabetizmit në Kosovë është shqetësim i madh, sepse cilësia e sistemit të edukimit dhe arsimit, është në atë nivel që ende prodhon numër të madh të analfabetëve funksionalë. Do të thotë, analfabetë, të cilët dinë lexim-shkrim, por lexim-shkrimin nuk mund ta përdorin për përmirësimin, integrimin e tyre në jetën aktive qytetare”, ka thënë Hyseni.

Zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, kanë deklaruar se përmes projekteve të ndryshme, janë munduar të ulin shkallën e analfabetizmit.

Për zbutjen e analfabetizmit, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ka mbajtur mësime joformale, që mundësojnë mësimin e shkrim-leximit, për qytetarët, të cilët, për arsye të ndryshme, nuk kanë mundur të vijojnë shkollimin.

Ministri i Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Arsim Bajrami, ka thënë se institucionet arsimore janë duke punuar që kjo dukuri të zvogëlohet.

“Ne jemi duke punuar me plane fillimisht për gjithëpërfshirjen në shkolla, që asnjë fëmijë i asnjë komuniteti të mos mbetet pa qasje në shkollë. Por, për ne nuk është me rëndësi vetëm gjithëpërfshirja apo masa. Për ne, me rëndësi është cilësia, dhe gjërat që ne sot po promovojmë, tregojnë se si ngrihet cilësia në shkollë”, është shprehur ministri Bajrami, duke theksuar se për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme është e nevojshme nxitja e kulturës për shkrim dhe lexim.

Kurse, deputetja e Kuvendit të Kosovës nga partia politike Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Teuta Haxhiu, anëtare e Komisioni Parlamentar për Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini dhe Sport, konsideron se Ministria e Arsimit në drejtim të uljes së nivelit të personave analfabet funksional dhe klasik, nuk ka bërë sa duhet.

Ajo ka thënëse nuk mjafton vetëm të shkruhen dokumentet dhe strategjitë nga ana e institucioneve,por ato edhe duhet të zbatohen në praktikë.

“Qeveria e Kosovës duhet të marrë hapa konkret, e jo fjalë boshe, jo sa për të deklaruar se kemi bërë diçka po në fakt realiteti është krejt ndryshe. Pra, Kosova nuk ka bërë hapa pozitivë dhe nuk po bën dhe nuk shihet që trendi i kësaj dukuri po bie”, ka thënë ajo.

Haxhiu, e cila ka punuar për 25 vjet në arsim, shpreh shqetësimin e saj edhe mosdijen dhe mënyrën se si po mësojnë gjeneratat e reja.

“Shkalla e analfabetizmit është e madhe. Edhe më e dhimbshme është çështja e nxënësve ose të rinjve tanë që, në fakt, kryejnë shkollimin, por janë të pa ditur”.

“Ndodh që në një gjysmë-vjetor nxënësit t’i kenë edhe nga 11 nota të dobëta, kurse në gjysmë-vjetorin e dytë, ose në fund të vitit vijnë dhe kalojnë me sukses të mirë. Kjo është edhe më e dhimbshme, sepse kjo konsideroj se është të nxjerrësh analfabet me diplomë”.

“Po ashtu nga të mënyra se si shkruajnë të rinjtë tanë në rrjetet sociale tregon më së miri se sa ata janë analfabet. Besoni, po flas për një pjesë, janë raste të rralla që ata mund ta bëjnë një fjali pa gabime”, është shprehur Haxhiu, transmeton Rel.

Sipas rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, thuhet se 55 mijë qytetarë të Kosovës janë analfabetë të plotë, që nuk dinë shkrim dhe lexim, derisa analfabetë funksionalë që dinë shkrim dhe lexim, por nuk janë në gjendje ta kuptojnë atë që e shkruajnë, janë 82 mijë e 188 persona.

Mosha e personave analfabetë, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Arsimit, thuhet të jetë mbi 55 vjeç.

Për nëntë muaj, dy njohje

0

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, gjatë nëntë muajve sa është në detyrën e kryediplomatit ka arritur t’i sjellë Kosovës njohjen nga vetëm dy shtete, Antiguar dhe Barbuda si dhe Niue (shtet joanëtar i OKB-së).

Subjektet opozitare dhe analistët e kritikojnë Thaçin për dështim në sjelljen e njohjeve, ndërsa thonë se ai po e shfrytëzon postin e ministrit të Punëve të Jashtme për promovim personal dhe për ta përgatitur “terrenin” para bashkësisë ndërkombëtare për zgjedhjen e tij në postin e presidentit të vendit.

Opozitarët, madje, thonë se Kosova nuk e di saktësisht nga sa shtete është njohur dhe çfarë ka ndodhur me disa njohje, të cilat më pas janë kontestuar.

Gazeta “ Zëri” gjatë ditës ka tentuar të marrë përgjigje nga Ministria e Punëve të Jashtme rreth kësaj çështjeje dhe rreth njohjeve të reja, megjithatë kjo Ministri vazhdon të qëndrojë e mbyllur për medie…

Kobra e Prizrenit që ‘kafshoi’ institucionet e rendit dhe sigurisë

0

Emisioni “Drejtësia në Kosovë”, sezonin e sivjetmë e nisi me një hulumtim ekskluziv që tregon se si valltarja Donjeta Kasumi e njohur me nofkën “Kallashi” dhe personat që i qëndrojnë afër asaj, po u sjellin mjaft telashe Policisë, Prokurorisë dhe Gjykatës së Prizrenit.

“Drejtësia në Kosovë” solli të gjeturat nga terreni që tregojnë se Donjeta Kasumi e Dibran Hoxha, i njohur si “Kobra”, përkundër faktit se kanë dhjetëra kallëzime penale po e ushtrojnë biznesin të lirë.

Siç tregoi hulumtimi i “Drejtësia në Kosovë”, drejtori i Policisë për Regjionin e Prizrenit, Nexhmi Krasniqi ka mjaft kritika për mënyrën e trajtimit të rasteve që kanë të bëjnë me Kallashin, Dibran Hoxhën dhe personat tjerë të cilët punojnë në lokalin “Kobra City”.

Krasniqi ka thënë se Donjeta Kasumi i ka të regjistruara në databazën e Policisë 40 raste, 21 prej tyre me elemente të veprave penale ndërsa Dibran Hoxha me mbi 150 raste të regjistruara.

Sado që të njohur si si recidivistë, Prokuroria dhe Gjykata po i liron edhe në rastet sikurse ai i datës 21 gusht 2015 kur persona të afërt me Kallashin u përfshinë në një rrahje ku mbetën të lënduar dy persona. Atë natë, në lokalin “Kobra City”, me pronare Donjeta Kasumin u gjetën armë dhe mjete tjera të ndaluara.

Drejtori Nexhmi Krasniqi ka treguar se Policia ka kryer shumë operacione në lokalin “Kobra City”. Sipas tij, grupi që shkojnë pas Kallashit kanë një histori të njohur kriminale për Policinë e Kosovës, por edhe për Prokurorinë dhe Gjyqësinë. Madje, sipas Krasniqit, kanë pasur takime rreth këtij grupi edhe me ndërkombëtarë si EULEX-i që është interesuar se çka është duke ndodhur.

“Ne kemi fakte që i posedojmë se i gjithë ky grup që vepron në kuadër të kësaj ombrellës si Kobra City kanë një background kriminal. Kemi person që e posedojmë me emër dhe i ka 155 raste që janë në sistemin e policisë. Dhe të gjitha këto raste janë drejtuar me kallëzime penale prokurorisë për hetime të mëtutjeshme. Mirëpo, ata janë të lirë. Zakonisht ka raste të cilat ne i konsiderojmë bukur të rënda edhe për qytetarët edhe për neve si polici dhe në fund dalin se ato kanë përfundu ose me hedhje poshtë të këtyre kallëzimeve penale ose dosje të cilat ndoshta fare nuk janë shqyrtuar”, ka deklaruar drejtori Krasniqi.

Hulumtimi i ekipit të emisionit Drejtësia në Kosovë tregoi se nga të gjitha këto raste të inicuara nga ana e Policisë ndaj Kallashit dhe Dibran Hoxhës, numri i lëndëve që kanë arritur në Gjykatë mund të numërohet në gishta.

Kryetari i Gjykatës Themelore në Prizren, Ymer Hoxha, tregoi se Dibran Hoxha dhe perona të tjerë që shoqërohen me Donjeta Kasumin i kanë 9 raste të evidentuara në këtë Gjykatë që janë gjykuar dhe dy të tjera janë në procedurë. Një rast tjetër, ai i rrahjes së 21 gushtit, ndodhet në procedurë paraprake.

“Në gjykatë nuk ka Kallashi rast, mund të ketë një rast-dy, tjetër rast nuk ka. Rasti i fundit që është përfolur shumë në media s’ka ardhur fare në gjykatë. Është interesante, këta kryesisht janë për armëmbajtje pa leje edhe një farë praktike gjyqësore që është krijuar, dikund sillen dënimet nga 800 deri në 1300 euro”, tha kryetari i Gjykatës, Ymer Hoxha.

Në anën tjetër, siç transmetoi Drejtësia në Kosovë, Sylë Hoxha, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore të Prizrenit thotë se secilin rast që e pranojnë nga policia, Prokuroria e trajton konform ligjit.

“Ndaj Dibran Hoxhës, në Prokurorinë Themelore janë evidentuar gjithsej 84 raste. Prej të cilave 61 kallëzime penale ndaj Dibran Hoxhës janë përfshirë në një lëndë penale e që kanë të bëjnë me trazirat e marsit të vitit 2004. Të gjitha këto raste janë pushuar hetimet pasi nuk është provuar ajo që është pretenduar në kallëzimet penale. Për këtë person në Gjykatë janë dorëzuar 11 Aktakuza, tri kallëzime penale janë hedhur poshtë dhe një lëndë tjetër është referuar në gjykatën për kundërvajtje. Aktualisht jemi duke hetuar edhe 4 kallëzime penale të cilat kanë të bëjnë me këtë person”, ka thënë kryeprokurori Sylë Hoxha.

Ai nuk i komentuar deklaratat e drejtorit të Policisë dhe as të kryetarit të Gjykatës se si në rastet që shkojnë në gjykatë për Kallashin dhe Dibran Hoxhën nuk figuron e kaluara e tyre kriminale.

Donjeta Kasumi, siç trasmetoi Drejtësia në Kosovë, nuk e dinte se në Policinë e Kosovës i ka ta regjistruara 40 raste, 21 prej tyre me elemente të veprës penale.

“Për shkak se janë gjetur disa armë punëtorit edhe vet punëtori i ka pranuar ato armë se janë të tij. S`kam qenë në dijeni a ka armë këtu, apo s`ka. Ai e ka pranuar edhe para policisë edhe para prokurorisë edhe tani ndodhet në arrest shtëpiak”, ka deklaruar Kallashi.

Ndryshe nga Kallashi, shoqëruesi i saj Dibran Hoxha, e di se ka një numër të madh të rasteve të hapura në Polici, Prokurori e në Gjykatë. Por siç tregoi për emisionin Drejtësia në Kosovë, veprat e tij nuk janë kriminale.

“Veprat të cilat i kam unë nuk kanë lidhje me krim. Janë rrahje, janë gjëra që e kam mbrojtur vendin ku punoj. Nuk kanë të bëjnë me krimin, Policia munden me deklaru, por për ta quajtur dikë kriminel duhet të kenë fakte. Por, sa i përket rrahjes së fundit, unë nuk kam qenë i përfshirë në atë rrahje, unë vetëm kam ndërhy me i nda. Unë përfundova në burg në mënyrë vullnetare”, tha Dibran Hoxha, i cili mëngjesin e 21 gushtit u arrestua pasi dyshohej se ishte përfshirë në një rrahje ku mbetën të lënduar rëndë dy persona.

Dibran Hoxha ka treguar se në lokalin Kobra City mysafir janë edhe zyrtarë shtetërorë, dhe se cilësimet e policisë se në atë lokal bëhen krime nuk qëndrojnë. Ai e drejton gishtin kah drejtori i Policisë Nexhmi Krasniqi, i cili sipas tij “ka probleme personale” me të dhe se për këtë po e shfrytëzon pozitën e tij si drejtor i policisë. Sipas tij, në Kobra City vazhdimisht kanë vizita nga ana e policisë të cilat ai i quan si të qëllimshme dhe si presion.

Por, siç transmetoi Drejtësia në Kosovë, drejtori i policisë Krasniqi thotë se gjithë atyre personave të cilët bien ndesh me ligjin u pengon prezenca e policisë, sepse është policia ajo që përballet me këta persona.

Krasniqi ka treguar se kanë bërë kërkesë edhe në Kuvendin Komunal të Prizrenit për mbylljen e lokalit Kobra City. Por për këtë nuk kanë pranuar asnjë përgjigje nga Komuna.

“Drejtësia në Kosovë” kontaktoi me zyrtarët e Drejtorisë së Inspektoratit të cilët prezantuan dokumente që dëshmonin se e kishin mbyllur lokalin “Kobra City” për shkak të papastërtisë në kuzhinë, mirëpo pasi ishin plotësuar kërkesat e Inspektoratit përsëri e kishin lejuar hapjen e tij.

Nga ana tjetër, Dibran Hoxha tha për “Drejtësia në Kosovë” se pavarësisht nga ajo që është shkruar në dokumentet e Drejtorisë së Inspektoratit, nuk mban mend që t’ia kenë mbyllur lokalin ndonjëherë. /Kallxo.com/

Motra e Elvis Pistës sulmon veturën e personit të dyshimtë për vrasjen e vëllait

0

Beatrisa Pista motra e të ndjerit Elvis Pista që është vrarë në Rahovec një vit më parë po mundohet të hakmerret. Ajo gjatë ditës së sotme ka sulmuar veturën e Mentor Veliut që dyshohet ta ketë vrarë Pistën. Ky sulm siç mëson Gazeta Express ka ndodhur afër Postës në Rahovec.

Burime të Express po ashtu kanë treguar se i dyshuar Veliu në këtë moment ka qenë duke e vozitur veturën e Elvis Pistës, të cilën nuk ua ka kthyer kurrë familjarëve.

Këtë sulm mbi veturë, siç ka mësuar Express, Beatrisa Pista e ka bërë me një karrige në prani të qindra njerëzve.

Elvis Pista ishte vrarë me 15 qershor të vitit të kaluar në Rahovec për motive ende të panjohura në oborrin e restorantit “Jaha Petrol”.

Pista ishte kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e PDK’së.

Policia i garanton siguri Bernard Përlazrit, e fton të dorëzohet

0

Policia e Kosovës në orët e mbrëmjes ka reaguar në lidhje me deklaratën e të dyshuarit për vrasjen e Hekuran Morinës në Prizren, Bernard Përlazrit, se nuk ndihet i sigurt që t’i dorëzohet policisë së Kosovës.

“Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Kosovës në Prishtinë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë edhe me Prokurorin e Shtetit garanton se në rast dorëzimi të personit të dyshuar, do te ketë trajtim profesional dhe në pajtim me të gjitha procedurat ligjore që aplikohen në vend”, thuhet në deklaratën e Policisë.

Me këtë rast policia fton të dyshuarin që të dorëzohet në cilindo stacion policor më të afërt, apo në cilindo stacion policor ku ai ndihet më i sigurt, duke përfshirë edhe stacionet policore në DPP-Prishtinë, në të cilat do të ketë trajtim profesional.

I dyshuari për vrasjen e Hekuran Morinës të hënën në Prizren Bernard Përlazri ka thënë se nuk ndihet i sigurt të dorëzohet në Policinë e Rajonit të Prizrenit, për arsyet e kinse dyshimeve të tij ndaj krerëve të policisë në këtë qytet.

Policia nëpërmes deklaratës thotë se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme ligjore ndaj të gjithë personave të involvuar, pa marr parasysh rolin dhe funksionin e tyre.

Krasniqi: Kryeministër, a po flenë rahat!

0

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook e ka kritikuar kryeministrin Isa Mustafa për, siç thotë ai, dhunën që po përdor ndaj protestuesve. Postimin e tij, mund ta lexoni të plotë më poshtë.
“Kështu nuk qeverisen dot shqiptarët!!!

(Rinisë sonë i duhet mësim, studim dhe punë për jetë te dinjitetshme)

Kryeministër, vitin 2015 e ke nisur ters. A ke menduar si do ta përfundosh?!

Qytetarët i zhgënjyet me koalicionin, nga zhgënjimi që u sollët, i detyruat që ta marrin rrugën e refugjatëve dhe u kthyen për 15 vjet prapa, duke ua përkujtuar regjimin e kriminelit Millosheviq. Simbolikë shumë e keqe kjo apo jo?!

Para pak kohe, qytetarëve dhe opozitarëve ua kujtuat Kanunin e Lekë Dukagjinit (edhe duke i kërcënuar), sikur harruat se shqiptarët, atë të drejtë zakonore e ruajtën për shekuj për t’ju kundërvë pa ligjësive të armiqve. Qytetarëve tanë ua afruat Kanunin e mesjetës në vend që tua afronit ligjet e shekullit, te shekullit te teknologjisë më të praruar të të gjitha kohërave.

Kryeministër, kohë më parë në vend që tu kërkonit falje qytetarëve për fjalorin e rrugëve që përdoret në medie para publikut, ti u kërkove falje gomarëve! Nuk e di sa e kuptuan gjuhën tuaj ata … ?

Kryeministër, qytetarët i kanë 101 arsyeje të protestojnë, pse i ke thye në besë dhe i ke mashtruar jo vetëm në kohë fushatash zgjedhore. A te kujtohet çka ke thënë për katër e më shumë vite për qeverisjen Thaçi 1 e 2? A po ke harruar?

Kryeministër, qytetarëve me fjalë miradije e mirëbesim u jepet shpresë dhe besim për ndryshim! Pse ti në vend të fjalëve të urta e mirëbesimit, Rinisë sonë ja afroni kërbaçin! A te kujtohet viti ’81, kur Beogradi yt, mendonte që me burgje e kërbaç i mbytë të drejtat e lirit e shqiptarëve? A te kujtohet regjimi kriminal i Millosheviqit, shqiptarëve ua kishte lënë të hapur: rrugën e nënshtrimit e të ikjes ose të luftës a të vdekjes?

Kryeministër, a po flenë rahat dhe a ke menduar për dorëheqje?

A e dinë Kryeministër, cili është fati i atyre, që shqiptarëve ua afruan kërbaçin, burgun e vdekjen në vend të jetës se lirë e të dinjitetshme? Pse Kryeministër, nuk po mëson nga historia e dhunës, e kërbaçit dhe e burgjeve ….?!

Kështu nuk qeverisen dot shqiptarët!!! Historia po flet, jo unë. Lexojeni drejtë historinë! Ajo është mësuese e jetës.

Kështu nuk duhej të ndodhte, se paku jo më 11 shtator! Kur duhet përkujtuar viktimat e terrorizmit!” (sic.), ka shkruar Krasniqi.

Terror para portës së Evropës

0

Nga Zafir Berisha

Para dyerve të perëndimit me ndërgjegje të vrarë, ndodhë një krizë trishtuese me refugjatë sirianë. Skenat që po i shohim nëpër media të rikujton tragjedi të reja e të vjetra që kanë ndodhë gjatë historisë. Opinioni botërorë ka kohë qw është duke u torturuar si asnjëherë me pamje makabre dhe kafshërore të terroristëve në Lindjen e Mesme, ndaj njerëzve të pafajshëm e të kapur rob, por terrori ndaj njerëzve të pafajshëm po në formë pak më ndyshe është duke ndodhe edhe para portës së Evropës që quhet ,,Ballkan,, si në Maqedoni, Serbi e Hungari. Një fjalë popullore thotë ,,çka mbjellë edhe korrë,,.

Evropianët vazhdojnë ta llogarisin Ballkanin “mish i egër në trupin e tyre”.

Miliona euro të shpenzuara kohëve të fundit për të ndërtuar një gardhë me gjemba që i ngjanë në shikim të parë atij të Aushficit apo edhe Srebrenices, është tregues se diku në brendi të shpirtit të tyre vazhdon të jetoj mentaliteti i superioritetit ndaj të tjerëve…

Ndarje me mur fizik në mes të Evropës dhe pjesës së saj që quhet Ballkan, tregon më së miri se evropianët zhvillimin ekonomik dhe demokracinë që e trumbetojnë si refleksion për vendet në zhvillim e kanë vetëm demagogji. Më mirë se të gjithë evropianet e dinë se problemet globale nuk zgjidhen me mure ndarëse, sepse që nga Roma e lashtë muret kanë qenë ndarje të përkohshme sepse zhvillimet socio-politike e ekonomike e kanë bërë të vetën. Ndërtimi i murit në Hungari nuk është zgjidhje e problemit në rrethanat që po kalojmë, kjo e bënë problem në të ardhmen e afërt Kroacin si vend i BE-së e cila duhet të shpenzoj shumë në ruajtjen e qindra kilometrave në kufi të BE-së.

Evropianët duhet të bëjnë matematikën më mirë në drejtim të sigurisë së kontinentit të vjetër, ato miliona e miliarda euro që i shpenzojnë në misione të dështuara, si EULEX-i, e së fundi me do far Gjykata Speciale, nuk mund të zgjedhin probleme me të cilat po përballohet, dhe, do të përballohet edhe në vazhdim. Një fjalë popullore te ne thotë: “Të gjitha paguhen në këtë botë, asgje s’mbetet për jetën e përtejme”…

Bernard Përlazri: Hekuranin e vrava në vetëmbrojtje(Video)

0

Bernard Përlazri, i dyshuari kryesor për vrasjen e Hekuran Morinës dhe plagosjen e 2 të tjerëve të hënën në Prizren, tash e katër ditë ndodhet në arrati, bashkë më dy djemtë e vëllai të tij, që po ashtu dyshohen për pjesëmarrje në vrasje.

Gazeta Express ka arritur të intervistojë Përlazrin, i cili ka rrëfyer atë që ka ndodhur të hënën mbrëma. I dyshuari për vrasje ka treguar se si ka nisur konflikti me vëllezërit Morina, për borxhin që ai pretendon se ia ka marrë Beg Morina, babai i të vrarit, Hekuran Morinës.

Përlazri, gjatë këtij rrëfimi, pranon se ka qëlluar për vdekje Hekuran Morinën dhe ka plagosur vëllain e këtij të fundit, Fadilin, dhe një tjetër person, kalimtar të rastit. Por, Përlazri pretendon se zjarr ndaj tij dhe djemve të vëllait të tij fillimisht kanë hapur vëllezërit Morina dhe disa persona të tjerë që kanë qenë me ta. Ata, sipas Përlazrit, e kanë ndjekur atë me dy vetura, njëra BMW X5 dhe tjetra BMW X6 gjatë gjithë kohës sa ai po pinte kafe në kafenë “Karamel”, që ndodhet në afërsi të biznesit të vëllezërve Morina, “Parket Sefa”.

Sipas tij, ai ka qëlluar në vetëmbrojtje, ndërsa djemtë e vëllait të tij, të cilët po ashtu po kërkohen nga policia, kanë ikur menjëherë nga vendi i ngjarjes para se të fillojnë të shtënat.

Ai ka treguar versionin e tij se si ka nisur i gjithë ky konflikt me Hekuran Morinën, që ka përfunduar me vrasjen e këtij të fundit.

Ka folur edhe për borxhin 70 mijë euro se gjoja Beg Morina, babai i Hekuranit, i ka marrë te Përlazri disa vite me parë. Ai pretendon se nuk e ka falsifikuar letrën që e ka treguar si marrëveshje mes tij dhe Beg Morinës, edhe pse prokuroria pohon se shkrimi në atë letër nuk është i këtij të fundit, i cili tashmë, po ashtu, është i vdekur. Thotë se Hekuran Morina fillimisht kishte pranuar t’ia kthente vetëm gjysmën e shumës që pretendon ta ketë trashëguar nga babai i tij, por ai nuk ka pranuar t’i marrë vetëm 25 mijë euro.

Bernard Përlazri hedh akuza të rënda ndaj Komandantit të Policisë së Prizrenit, Nexhmedin Krasniqit, pasi, sipas tij, ky i fundit ka çuar deri tek incidenti i të hënës. Këtë të fundit, ai e bën fajtor për 600 mijë euro, që sipas tij, i ka humbur familja e tij në vitit e fundit, dhe po ashtu pse ai dhe vëllai i tij duhet të qëndrojnë në arrati. Në këtë rast si ndërmjetësues ai e përfshin edhe inspektorin e Policisë së Prizrenit, Besim Rexhepin.

“Nexhmedin Krasniqi i ka thanë Hekruan Morinës merre armen del vraje Bernard Përlazrin, sa ta kam unë ketë uniformë një ditë burg ski me shku” thotë Bernard Përlazri gjatë rrëfimit të tij nga arratia për Gazetën Express.

Përlazi thotë se e ka ndërmend të dorëzohet, por këtë s’do ta bëjë tek organet e drejtësisë në Prizren pasi thotë se ata vetëm e kanë dëmtuar.

Gazeta Express ka provuar të takoj edhe komandantin Krasniqi por ai nuk ka gjetur kohë të flasë për gazetën.

Nga ana tjetër, Prokuroria Themelore e Prizrenit për Gazetën Express kanë pohuar se dyshohet se pikërisht Bernard Përlazri dhe dy të tjerë i kanë zënë rrugën viktimës Hekuran Morina dhe personave të tjerë që udhëtonin me dy vetura BMW X5 dhe X6. Sipas, Prokurorisë dyshohet se së paku dy persona kanë gjuajtur në drejtim të vëllezërve Morina.

Deri me tash, sipas Prokurorisë janë kryer 4 bastisje në shtëpitë e personave të dyshuar në rast, porse nuk kanë rezultuar me ndonjë të arrestuar.

Incidenti në fjalë ka ndodhur të hënën rreth orës 20:300 në lagjen Bazhderhane të Prizrenit. Familja Morina, një ditë pas vrasjes, kanë akuzuar të dyshuarin Bernard Përlazri se ai i kishte kërkuar Hekuran Morinës reket që nga janari i këtij viti. Ky i fundit e kishte denoncuar Përlazrin në Polici, ku ishte mbajtur në paraburgim për 6 muaj. /GazetaExpress

Kallashi në emisionin ‘Drejtësia në Kosovë’

0

Në emisionin e parë për këtë sezon emisioni “Drejtësia në Kosovë” sjell hulumtimin ekskluziv për të kaluarën kriminale të valltares Donjeta Kasumi e njohur si Kallashi.

Hulumtimi sjell detaje për rastet që policia dhe prokuroria kanë të hapura ndaj Kallashit dhe bashkëpunëtorëve të saj.

Drejtori Rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, ka dhënë detajet rreth dyshimeve që policia i ka për këtë grup. Ai ka kritikuar punën e prokurorisë dhe gjykatës.

Krasniqi ka dhënë detaje për rastet ku është përfshirë Kallashi dhe Dibran Hoxha, personi që i qëndron afër asaj.

Në anën tjetër, Donjeta Kasumi ka thënë për “Drejtësia në Kosovë” se nuk ka informacione se policia dhe prokuroria ka lëndë të hapura ndaj saj. E pyetur për kallëzimet penale, ajo është shprehur se nuk di gjë për to.

Ndërsa Dibran Hoxha, i përmenduri si person me 155 vepra të kundërligjshme, është ankuar në sjelljet e Policisë së Kosovës. Ai flet edhe për dyshimet se policë dhe zyrtarë të qeverisë janë vizitorë të rregullt të lokalit “Kobra” në Prizren.

Intervistat me Drejtorin Rajonal të policisë në Prizren Nexhmi Krasniqin, shefin e hetimeve Lumi Graishtën, Kryetarin e Gjykatës së Prizrenit Ymer Hoxhën, Kryeprokurorin e Prizrenit Sylë Hoxha, valltaren Donjeta Kasumi dhe rojën e sigurisë Dibran Hoxha mund t’i ndiqni të premten nga ora 20:20 në RTK.

Në fund të emisionit, “Drejtësia në Kosovë” transmeton rubrikën “Policia” ku do të shfaqet aksioni i policisë në shkatërrimin e një fabrike të përpunimit të duhanit.

Drejtësia në Kosovë transmetohet çdo të premte nga ora 20 e 20 në RTK, ndërsa do të reprizohet të hënën në mesditë.