16.8 C
Prizren
E enjte, 1 Maj, 2025
Home Blog Page 7487

VV në Malishevë: Komuna me buxhet klientelist, jozhvillimor

0

VV ne malisheve 1Lëvizja Vetëvendosje! në Malishevë e ka kundërshtuar miratimin e buxhetit të kësaj Komune. Sipas VV-së, buxheti nuk është aspak zhvillimor e as në funksion të së mirës së përbashkët, por veç klientelist e në funksion të pasurimit të mëtutjeshëm të pushtetarëve dhe rrethit të tyre.

“Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Malishevë e ka shqyrtuar dhe analizuar me kujdes projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, dhe si rrjedhojë konstaton se projektimet buxhetore nuk shprehin kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Malishevës, sikurse nuk shfrytëzojnë fare potencialin lokal për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik”, thuhet në kumtesën e këtij subjekti politik.

“Ky projektbuxhet është hartuar larg syve të qytetarëve dhe nevojave të tyre, duke mos mbajtur dëgjime publike, dhe kështu duke ju pamundësuar qytetarëve pjesëmarrjen dhe kontributin e tyre në përcaktimin e kahjes së shpenzimit të parasë publik”.

“Lëvizja Vetëvendosje! kishte adresuar një numër kërkesash që të futen në projektbuxhet si: sigurimi i nga një shujte ditore për nxënësit e shkollave fillore deri ne klasë të 5-të; kontrolli mjekësor sistematik i të gjithë nxënësve të shkollave fillore dhe të mesme; lidhja me trotuar e qytetit të Malishevës, me fshatrat përreth si Dragobili, Banja, Carralluka dhe Mirusha; siguria e lëvizjes për nxënësit dhe qytetarët e Komunës së Malishevës përmes ndërtimit të trotuareve që lidhin shkollat me lagjet e fshatrave si dhe vendosja e ndriçimit në këto hapësira; si dhe investimet në bujqësi përmes subvencionimit të naftës, farës, hardhive, makinave bujqësore, grumbullimin dhe finalizimin e produkteve bujqësore dhe blegtorale, varësisht nga nevojat”.

“Asnjëra nga këto propozime të Lëvizjes Vetëvendosje! nuk u morën parasysh nga pushteti aktual, i cili përgjatë tërë qeverisjes së deritanishme po dëshmon papërgjegjësi dhe mungesë të kapaciteteve qeverisëse. Për më tepër, vendimmarrja për buxhetin i është nënshtruar një pazari të ulët nga tri subjektet politike si NISMA, PDK, LDK, përmes së cilës janë realizuar interesa të ngushta klienteliste, familjare, duke mos u marrë fare për bazë mirëqenia e qytetarëve dhe nevoja për zhvillim ekonomik dhe social në këtë Komunë”.

“Projektbuxheti ka mangësi të shumta që nga mungesa e detajimit të shpenzimeve për projekte të veçanta, e deri tek orientimi i buxhetit i cili është fokusuar vetëm në projekte infrastrukturore të tipit beton, asfalt, hekur, e përmes së cilave pushteti aktual sikurse ai i kaluari po përpiqet në njërën anë t’i gënjejë qytetarët duke përfshirë investimeve kapitale me çmime qesharake, dhe në anën tjetër të shpërblejë me tenderë kompanitë e afërta me ta”.

Ndryshe, sot në Kuvendin Komunal të Malishevës u shqyrtua dhe projektbuxheti i Komunës për vitin 2015. Buxheti vjetor paraqet një dokument të rëndësishëm për Komunën, ku mënyra e planifikimit dhe e shpërndarjes së tij ndikon direkt në mirëqenien e qytetarëve dhe në zhvillimin lokal. /PrizrenPress.com/

Forumi “Transparenca” debatoi për prokurimin (jo)publik

0

Forumi Transparenca14-30Forumi “Transparenca”, sot ka mbajtur debatin e gjashtë “Ballafaqim” me temë “Prokurimi (jo)publik” ku folën Isa Osmankaj, Shef i Zyrës së Prokurimit në Prizren dhe Osman Hajdari, anëtarë i Komitetit për Politik dhe Financa pranë KK-së në Prizren.

Panelistët kishin një përballje me anëtarët e Forumit Transparenca dhe përfaqësuesve nga partitë politike opozitare në Prizren, ndërsa debati u moderua nga gazetari Fisnik Minci.

Fillimisht, debati u fokusua në çështjen e Prokurimit Publik në Komunën e Prizrenit. Në veçanti mbi rrjedhën e procedurave të prokurimit publik, tenderimin e lëndëve, nivelin e profesionalizmit të komisioneve vlerësuese, respektimin e dispozitave të Ligjit të Prokurimit, koordinimin e Zyrës së Prokurimit me institucionet tjera sikurse edhe problematikën e çmimeve dhe moszbatimin e rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm, pavarsimit të zyrës së prokurimit dhe zyrtarëve, mos transparencës dhe mbylljes në tërësi të komisioneve vlerësuese, mos raportimeve të rregullta, problemet në planifkime paraprake, konstatimet e Auditorit të Përgjithshëm dhe mos respektimit të rekomandimeve të ZAP-it sikurse edhe ruajtjes së parasë publike, trendit të shpalljes së tenderëve para fushatës zgjedhore./PrizrenPress.com/

Pesë vjet dhe gati një milion euro s’mjaftojnë për Shtëpinë e Kulturës në Zhur

0

shtepia e kultures ne zhurPunimet në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në fshatin Zhur ka pesë vjet që kanë nisur dhe ende nuk kanë përfunduar.

Qeveria komunale e Prizrenit për këtë projekt deri më tani ka shpenzuar mbi 900 mijë euro dhe kohë më parë ka nxjerrë edhe një konkluzion për lëshimin e 52 mijë eurove për realizimin e punimeve shtesë. Mirëpo sigurimi i këtyre mjeteve pritet që të bëhet nga rishikimi i buxhetit të vitit 2014, i cili është votuar në Kuvendin Komunal të Prizrenit, por që për të hyrë në fuqi duhet të miratohet edhe nga deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Përfaqësuesi i fshatit Zhur, Bedri Hoxha, ka kërkuar nga ekzekutivi lokal që të bëjë çmos për të gjetur edhe pak mjete për ta vënë në funksion të plotë Pallatin e Kulturës.

“Duhen edhe pak investime për finalizim të punimeve dhe presim që ato të sigurohen në mënyrë që objekti të vihet në funksion të qytetarëve për aktivitete të ndryshme, të hapet biblioteka dhe të krijohet hapësira për pensionistët”, ka thënë Hoxha, gjatë një debatit të kryetarit të Komunës, Ramadan Muja, me qytetarët e Zhurit në lidhje me buxhetin e vitit 2015.

Ndërsa pensionisti Masar Ademaj ka rikujtuar se ka pesë vite që zhvillohen punimet në këtë objekt, por pa rezultate të pritura, ngase banorët e Zhurit ende nuk mund ta shfrytëzojnë Shtëpinë e Kulturës. “Objekti u ndërtua, por s’funksionon. Si pensionistë na është thënë se do të kemi hapësirën brenda këtij Pallati, por qe pesë vjet jemi duke pritur kot. Askush s’interesohet se pse objekti nuk është vënë ende në funksion”, është shprehur Ademaj.

Në anën tjetër, drejtori i Kulturës, Arhim Ajazi, ka shpjeguar se që nga viti 2009 e deri më tani në ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës në Zhur janë shpenzuar afër 920 mijë euro dhe se ka mbetur që të realizohen edhe disa punime shtesë në vlerë prej 52 mijë eurosh.

Komuna e Prizrenit cakton lokacionet për therjën e kurbanëve

0

Therja e kurbanitKomuna e Prizrenit cakton lokacionet për therjën e kurbanëve për festën e “Kurban Bajramit”.

Drejtoria e Inspektoratëve, më rastin e festës së “Kurban Bajramit”, i fton të gjithë blegtorët dhe bujqit që të bëjnë shitjen e kafshëve të tyre në tri lokacione të caktuara nga Drejtoria e Inspektorateve e që janë:
1. Tregu i bagëtive në lagjen “Arbana”,
2. Lokacioni në lagjen “Bazhdarhane” (te kullat) dhe
3. Lokacioni përballë tregut të gjelbër “Fatoni”, në lagjen “Bajram Curri”.

Komuna e Prizrenit apelon dhe rekomandoone blegtorët që mos të shesin dhe blejnë kafshë të imta jashtë lokacioneve të lartëshënuara, por të orientohen në vendet ku organet komunale i kanë caktu. /PrizrenPress.com/

Beqiri: Nëse s’na lejohet debati në seancë, kemi plan konkret

0

IsmetBeqiriIsmet Beqiri nga LDK, pas takimit të liderëve të Bllokut ka folur për hapat që do të ndërmarrin në seancën e 2 tetorit, ndërsa ka përjashtuar çdo lloj komunikimi me PDK-në. Edhe kësaj radhe, Beqiri ka thënë se do të kërkojnë debat në seancë, por ai ka theksuar se kanë një plan konkret se si do të veprojnë nëse nuk u lejohet debati i kërkuar.

“Në rast se kryesuesja e seancës vepron si herën e kaluar dhe nuk e lejon debatin atëherë ka elemente të tjera të cilat do t’i shihni gjatë seancës ose menjëherë pas saj. Kemi një plan shumë të detajuar se si do të veprojmë, nëse vazhdon keqpërdorimi i detyrës së Flora Brovinës, si kryesuese e seancës”, ka thënë Beqiri.

Ai ka përjashtuar çdo lloj komunikimi apo bashkëpunimi me PDK’në, duke thënë se PDK si parti e cila sipas tij i ka sjellë vetëm dëm vendit, nuk është në gjendje të propozojë asgjë.

“Ato fjalë që po qarkullojnë nëpër media për qeveri gjithëpërfshirëse, janë vetëm spekulime. Nuk ka asnjë shans për qeveri gjithëpërfshirëse me PDK’në. Përveç kësaj, ne nuk do të hyjmë në asnjë pazar politik me një parti siç është PDK’ja e cila nuk ka bërë gjë tjetër vecse i ka sjellë dëm vendit”, ka thënë Beqiri, pas takimit.

Po ashtu, ai ika përjashtuar çdo mundësi pjesëmarrjeje të partive të koalicionit në një takim të përbashkët me PDK’në, në rast se këtë e kërkon eventualisht presidentja apo kushdo tjetër.

Hahn: S’ka zgjerim të BE-së për 5 vjet

0

Johannes Hahn-BEI emëruari për komisionar të fqinjësisë së Bashkimit Evropian dhe të negociatave të zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë se nuk do të ketë zgjerim të BE-së gjatë pesë vjetëve të ardhshëm, nëse ai konfirmohet në këtë post.

Duke folur në një seancë dëgjimore të Parlamentit Evropian, Hahn u ka bërë jehonë deklaratave të presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, se asnjë vend nuk do t’i bashkohet BE-së këtë dekadë, raporton Rel.

Hahn nuk ka thënë se negociatat e zgjerimit do të vazhdojnë me vendet si Mali i Zi dhe Serbia.

Duke folur për Ballkanin Perëndimor, ai ka thënë se rajoni nuk mund të jetë vend bosh në Evropë kur bëhet fjalë për infrastrukturën e transportit dhe energjisë dhe ka theksuar se BE-ja do të punojë për t’i lidhur këto vende.

Katër arsyet e forta për mbrojtjen e Kino “Lumbardhit”

0

Kino LumbardhiPërderisa autoritet shtetërore ende nuk e kanë qartësuar qëndrimin e tyre në lidhje me kinemanë më të vjetër në vend, 57 organizata të ndryshme në Kosovë janë bashkuar në Iniciativë Për Mbrojtjen e Kino ‘Lumbardhit’. Në një deklaratë të përbashkët ata japin argumente të ndryshme ligjore pse Kinoja ”Lumbardhi” duhet të mbrohet dhe të mos privatizohet, por katër prej tyre janë bazike.

Trembëdhjetë vjet pasi një nismë që tash është festivali më i madh në vend (DokuFest) e kishte mbrojtur Kino “Lumbardhin”, shteti ende nuk ka arritur ta sigurojë këtë objekt.

Madje statusi i këtij objekti është ende pezull.

Agjencia Kosovare e Privatizimit në korrik të këtij viti kishte filluar procedurat për privatizimin e Kino “Lumbardhit” dhe sipas tyre, ende janë duke u shqyrtuar ankesat dhe kërkesat në lidhje me këtë ndërmarrje shoqërore.

Në ndërkohë Komuna e Prizrenit e ka shpallur Kino “Lumbardhin” si hapësirë të interesit të përgjithshëm publik, me qëllim të ndalimit të procesit të privatizimit, por bashkë me këtë ka vendosur ta rrënojë dhe rindërtojë pjesën e mbyllur të kinos, përkundër dokumenteve sikurse “Plani i Konservimit dhe Zhvillimit të Zonës Historike të Prizrenit”, “Strategjia Orientuese për Zhvillimin Kulturor të Prizrenit” dhe “Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit” që e vendosin Kino “Lumbardhin” si objekt që duhet mbrojtur.

Në ndërkohë Ministria e Kulturës nuk e ka në listën e objekteve të trashëgimisë kulturore të mbrojtur nga shteti, ani pse në këtë listë e ka kinemanë në Pejë që është ndërtuar vite më vonë, sesa ajo në Prizren.

Për këtë, një grup prej 57 organizatash nga e tërë Kosova janë bashkuar rreth Iniciativës Për Mbrojtjen e Kino “Lumbardhit” që kanë vendosur të përdorin krejt mjetet për të mbrojtur këtë kinema si “pjesë të identitetit kulturor të Prizrenit dhe Kosovës”.

Ata kanë paralajmëruar se do të dërgojnë edhe në Ministrinë e Kulturës dokumentacionin nëpërmjet të cilit do të japin argumentet që Kino “Lumbardhi” të futet në Listën e Trashëgimisë Kulturore.

Por, përtej argumenteve ligjore, Iniciativa Për Mbrojtjen e Kino “Lumbardhit” ka dhënë katër arsye të forta pse kinemaja duhet të mbrohet:

Historiku i ndërtesës – Kinoja është ndërtuar në vitet e 50-ta të shekullit 20 dhe është njëra ndër objektet më të vjetra publike në Prizren. Në këtë ndërtesë është sjellë për herë të parë teknologjia e projektimit përmes shiritit filmik 35 mm, ndërsa tashmë shtatë dekada hapësira e saj përdoret për një numër të madh ngjarjesh kulturore. Kino “Lumbardhi” është dëshmi e traditës artistike (filmike) të qytetit dhe ka ndikuar në formësimin e identitetit kulturor dhe shoqëror të komunitetit.

Vendlindja e festivaleve – Kino “Lumbardhi” është hapësira më e rëndësishme e skenës kulturore të Prizrenit. Në hapësirën e Kino “Lumbardhit” kanë lindur dhe janë zhvilluar një numër i madh i festivaleve të qytetit. Një pjesë e rëndësishme e suksesit, por edhe e vetë identitetit të këtyre festivaleve lidhet pikërisht me hapësirën e Kinos “Lumbardhi”. Prandaj, çfarëdo tjetërsimi i kësaj hapësire, nënkupton edhe sulm mbi këto ngjarje të skenës kulturore të Prizrenit.

Shënjues (pikë referimi) kulturor – Përveç vlerave të trashëgimisë kulturore, Kino “Lumbardhi” është shndërruar edhe në një shënjues kulturor (cultural landmark), pasi që është njëra nga pikat e referimit më të njohura në Qendrën Historike të Prizrenit. Si shënjues kulturor, Kino “Lumbardhi” është shndërruar në ikonë (një simbol me kuptime të shumta) që përfaqëson (shënjon) një epokë, një zonë, një besim, një kulturë, një qytet dhe një traditë. Shënjuesit kulturorë dhe historikë të qyteteve sot trajtohen në nivel të njëjtë me monumentet e trashëgimisë kulturore, ndërsa në shumë raste ato edhe janë shpallur monumente në mbrojtje për shkak se me kohë janë shndërruar në shënjues kulturor (cultural landmark).

Kujtesa kolektive – të gjitha këto vlera shoqërore dhe kulturore i japin Kino “Lumbardhit” një hapësirë të veçantë në kujtesën kolektive të qytetarëve. Struktura urbane e qytetit të Prizrenit ka pësuar transformime drastike viteve të fundit, me ç’rast është sulmuar kujtesa e qytetarëve (jo vetëm nga Prizreni) për qytetin. Rrënimi i Kino Lumbardhit do të ishte edhe një goditje për qytetin të cilin qytetarët duan ta kujtojnë. Mijëra qytetarë të Prizrenit në vitin 2007 kanë nënshkruar peticionin për mbrojtjen e Kino “Lumbardhit”. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mosndryshimin e destinimit dhe ruajtjen e objektit të kinemasë në formën aktuale. Prandaj, çdo përpjekje për ndryshimin e strukturës aktuale të objektit ose/dhe ndryshimin e destinimit si hapësirë kulturore/filmike (kinema), përveç tjerash paraqet edhe shkelje të vullnetit të dokumentuar të qytetarëve të Prizrenit dhe sulm mbi kujtesën kolektive të tyre./GJNK/

Goditet me veturë një këmbësor në Prizren

0

Makina-kembesoriNjë këmbësor është goditur nga një veturë në rrugën “Adem Jashari” në Prizren. Viktima është dërguar në spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor.

“Raportohet se i dyshuari mashkull K/Shqiptar duke e drejtuar veturën e tij nga pakujdesia ka goditur këmbësorin mashkull K/Shqiptar duke i shkaktuar lëndime trupore”, njofton Policia e Kosovës.

“Viktima është dërguar në spitalin e Prizrenit për trajtim mjekësor”.

“Me vendim të prokurorit rasti shkon në procedurë të rregullt”./PrizrenPress.com/

Nishani vlerëson personalitete të shquara shqiptaro-amerikane

0

Nishani me personalitete shqiptaro-amerikaneNë fund të qëndrimit të Tij në New York, në kuadër të pjesëmarrjes në Sesionin e 69-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani organizoi një pritje, ku ishin të ftuar bashkatdhetarë, drejtues të shoqatave të diasporës dhe personalitete shqiptaro-amerikane me veprimtari të shquar atdhetare e shoqërore.

Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Kongresmeni Eliot Engel. Presidenti vlerësoi veprimtarinë e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan me Medaljen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” dhe personalitetet e spikatura Anton Athanasi (pas vdekjes), Harry Bajraktari, Richard Lukaj dhe Nicholas Pano me Medaljen “Nderi i kombit”.

“Shqiptarët e Amerikës kanë treguar kapacitete të admirueshme përsa i përket përfitimit nga mundësitë e ofruara nga liria e demokracia për ta bërë ëndrrën amerikane realitet. Megjithatë, pavarësisht suksesit, ata asnjëherë nuk harruan rrënjët shqiptare. Përkundrazi, ata vunë në dispozicion të kombit të ty re të origjinës energjitë mendore, aftësitë intelektuale, mundësitë që demokracia amerikane ofron dhe burimet e ty re financiare”, theksoi Nishani në fjalën e mbajtur, raporton Start.

Duke folur për rajonin, Nishani përmendi shqiptarët e Maqedonisë, ata të Luginës së Preshevës dhe të Malit të Zi.

“Shqiptarët në Maqedoni, si një element shtetformues, po bëjnë përpjekje institucionale dhe me mjete demokratike për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit. Ata mbështesin proceset demokratike dhe integrimin euroatlantik të Maqedonisë. Shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe në Malin e Zi po përpiqen për realizimin e të drejtave të ty re në përputhje me standardet më të përparuara demokratike, me dialog institucional dhe duke mbështetur konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor në shtetet ku jetojnë”, theksoi Nishani.

Për Rusinë, hyrja e Maqedonisë në NATO është provokim

0

Sergei LavrovMinistri i Jashtëm rus Sergei Lavrov në një intervistë për gazetën boshnjake, “Dnevni Avaz”, thotë se inkuadrimi I Malit të Zi, Bosnjës dhe Maqedonisë në NATO është provokim.

“Në lidhje me zgjerimin e NATO-s me këto tri vende, e shoh si gabim dhe madje, në njëfarë mënyre, edhe si provokim. Kjo është, në njëfarë mënyre, një politikë e papërgjegjshme, e cila godet përcaktimin për të ndërtuar një sistem të barabartë dhe të sigurisë së përbashkët në Evropë, të barabartë për të gjithë, pavarësisht nëse ndonjë vend është anëtar i këtij apo i atij blloku”, tha Lavrov.